
Mamica ishte motra e vogël e Skënderbeut. Barleti e përmend atë për herë të parë, kur flet për Gjon Kastriotin, zotërimet dhe familjen e tij.
“Gjatë kësaj kohe në Epir, shkruan ai, shquhej ndërmjet mbretërve të vegjël dhe princërve të tjerë emri mjaft fisnik i Gjon Kastriotit për sundimin e tij si në qytete të tjera, si në Krujë veçanërisht”.[5] “Krerët e fisit të Kastriotëve, vijon Barleti, kanë rrjedhur nga Mati, prej një dere fisnike dhe kanë sunduar në Epir me lavdi e fatbardhësi. Mbi këta të gjithë, ishte Gjoni ai që spikati për urtësi, rëndësi, e shpirtmadhësi të paepur, pastaj edhe për virtyte të tjera, si dhe për bukurinë e rrallë të trupit. Gruaja e tij kishte emrin Vojsavë, atë e bënin jo të padenjë për atë burrë; nga njëra anë i ati shumë fisnik, princi i tribalëve, aga ana tjetër bukuria, sjellja dhe shpirti i saj i lartë përmbi natyrën e femrës. Asaj mund t’i bëhen lavdërime, ndoshta jo më të vogla edhe për filizat e rinj; me të drejtë, përmenden zakonisht gratë, Mara, Jella, Angjelina, Vlajka, Mamica, nga ana tjetër meshkujt: Reposhi, Stanishi, Kostandini dhe Gjergji”.[6] Më i vogli ishte “Gjergji, të cilit më vonë tek barbarët ... iu dha emri Skënderbeg”.[7]
Motrat e Mamicës: Mara, Jella, Angjelina,Vlajka ishin martuar. “ I ati, Gjoni, para se të ndahej kësaj jete, shkruan Barleti, i kishte martuar gjithë të bijat me princër e bujarë të ndryshëm, të vendit me përjashtim të Mamicës”.[8] Mara ishte martuar më Stefan Cernojeviqin, sundimtarin e Malit të Zi. Barleti njofton se ata kishin lindur “fëmijë”. Stefan Cernojeviqi mbeti një aleat i Skënderbeut. Ai përshëndeti atë kur u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë në Kuvendin e Lezhës, të organizuar nga Skënderbeu më 2 mars 1444.[9] Motra tjetër, Jella, ishte martuar me Stres Balshën dhe kishte dy fëmijë, Gjokun (Gioco) dhe Gjergjin. Të dy këta, nipër të Skënderbeut, qenë komandantë të besuar të Skënderbeut, por punët me ta, në fakt rrodhën ndryshe. Gjergji, në tetor 1456, u shiti turqve për 30 mijë dukatë ar Modricën, kështjellën e kufirit në Dibër. Ai u përpoq të fshehë këtë akt, duke thënë se turqit e morën atë me dredhi. Skënderbeu e dërgoi atë në burgjet e Mbretërisë së Napolit.[10] Angjelina ishte martuar me Vladen Golem Aranititin. Ajo kishte një djalë që njihej me emrin Muzaku i Angjelinës.[11] Muzaku i Angjelinës mbante edhe një emër tjetër, (që vinte nga i ati), Golem Arianiti.[12] Muzaka i Angjelinës, sipas Barletit, ishte “një burrë i pashoq për mjeshtëritë e luftës”.[13] Ky pati një fat të keq. Ai u kap rob nga Ballaban pasha dhe u rop i gjallë nga sulltani.[14] Motra tjetër, Vlaika, ishte martuar me Gjin Muzakën,[15] i cili, pati, po ashtu, një fund tragjik. Ai u zu rob bashkë me Muzakën e Angjelinës nga Ballabani dhe u rop i gjallë me urdhër të sulltan Mehmetit II për pesëmbëdhjetë ditë me radhë, derisa dha shpirt me mundim.[16] Pas vdekjes së Gjon Kastritotit, Mamica jetonte me Vojsavën, “e cila, bashkë më të bijën Mamicë, ishte e vetmja që mbeti gjallë pas burrit në shtëpi, nga gërmadhat e asaj mbretërie fatkeqe, iu caktua, me urdhër të Tiranit, nuk e dij ç’tokë në Mat për t’u ushqyer e për të mbajtur gjallë shpirtin e saj prej plake”.[17]
Barleti nuk sqaron nëse Vojsava ishte gjallë kur u kthye Skënderbeu në Shqipëri, në nëntor të vitit 1443. “Disa thonë se kjo vdiq para se i biri të arrinte në Epir, e vyshkur, e mbaruar nga pleqëria, duke lënë pas të bijën, e cila kishte qëndruar vazhdimisht virgjëreshë dhe e pamartuar”.[18] Mamica u martua nga Skëndebeu me Muzak Topinë.[19]
Martesën e Mamicës me Muzak Topinë e përmend edhe Gjon Muzaka, një fisnik i vjetër nga familja e Muzakajve dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut. Ai e përmend atë në “Gjenealogjinë e familjes së tij ”, të cilën e shkruajti në vitin 1510 në Napoli, ku gjendej i mërguar.[20] Gjon Muzaka e përmend këtë martesë disa herë dhe këtë e bën për një arsye të rëndësishme: Muzak Topia ishte i martuar. Gruaja e tij quhej “sinjora Zanfina ose Suina”.[21] Ai kishte me të dy fëmijë. Nga këto të dhëna, kuptohet se martesa e Mamicës me Muzak Topinë kishte karakter të rëndësishëm politik. Kjo martesë duhej t’i shërbente forcimit të aleancave dhe lidhjeve të Skënderbeut me zotërinjtë kryesorë të vendit. Prishja e martesës së Zanfinës me Muzak Topinë bëri përshtypje të madhe. Gjon Muzaka që tregon këtë ngjarje, shkruan se Skënderbeu e prishi këtë martesë, duke mos marrë parasysh “as Zotin dhe as gjë tjetër dhe as fëmijët që ata kishin”.[22]
Pas ndarjes, Zanfina u martua me Moisi Golemin (Moise Comino Aranitj). Moisiu ishte një nga bashkëluftëtarët kryesorë të Skënderbeut. Barleti shkruan se ai kishte lindur në “Valm”[23] (Elbasan), ndërsa Frangu shënon “se ishte prej Dibrës së Sipërme”.[24] Moisiu qëndronte në Dibër si komandant i kufirit,[25] prandaj njerëzit e quanin edhe Mosiu “i Dibrës”.[26] Në Dibër, Skënderbeu “i kishte dhuruar atij shumë prona dhe një pjesë të madhe të vendit”.[27] Moisiu ishte shquar si komandant në të gjitha betejat e Skënderbeut. Frangu shkruan se ai nderohej nga Skënderbeu “për shkak të virtyteve dhe aftësive të veta”.[28]
Moisiu rridhte nga dera feudale e Arianitëve. Sipas Barletit, ai ishte i biri i Muzakut, (Mosachi) i cili ishte vëlla i Gjergj Aranitit (Signor Arainiti Comninato),[29] vjehrrit të Skënderbeut.[30] Nga martesa me Zanfinën, Moisiu pati dy fëmijë, Andrean dhe vajzën Yella. Yella u martua më pas me Gjergj Cernojeviqin.[31]
Moisiu pati një histori të veçantë. Pas betejës së Beratit (1455), ai kaloi nga turqit,[32] Sipas Barletit, ai veproi kështu sepse këtë drejtim kishte marrë tani edhe fati i luftës. Ikjen e Mosiut tek turqit e tregon edhe Frangu. “Moisiu, shkruan ai, nuk shpresonte më që Skënderbeu të qe në gjendje të mbronte vendin. Kështu dhe nisi ta konsideronte kaq të pazotin Skënderbeun, sa, më në fund, e braktisi, la detyrën që mbante dhe shkoi me vrap tek turku, të cilit i ofroi shërbimin e vet për ta shporrur Skënderbeun”. [33] Moisiu shkoi tek sulltani me 15 trima të tij.[34] Ikja e Moisiut u përjetua rëndë nga Skënderbeu.[35] Barleti, Biemmi dhe historianë të tjerë të vjetër shkruajnë se Moisiu erdhi kundër Skënderbeut në krye të një ushtrie osmane,[36] por u mund prej tij[37] në betejën që zhvilloi në Dibrën e poshtme, më 19 maj 1456.[38] Më pas Moisiu u pendua dhe u kthye tek Skënderbeu.[39] Ai i kërkojë ndjesë publikisht, duke i rënë në këmbë me litar në qafë.[40] Skënderbeu e ngriti në këmbë, i ktheu pronat e sekuestruara dhe e caktoi detyrën e mëparshëme.[41]
Gjon Muzaka e tregon pak më ndryshe historinë tij. Moisiu iku prej Skënderbeut sepse ky i fundit po shtinte në dorë të vet pjesë të zotërimeve të tij, (Moisiut).[42] Këtë kritikë Muzaka e përsërit disa herë. Skëndërbeu po vepronte kështu edhe me disa sundimtarë, të tjerë të vendit, siç ishin Balshajt, Muzakajt etj.[43]
Kthimi i Moisiut duket se u kërkua nga vetë Skënderbeu,[44] për shkak të lidhjeve të shumta që kishte Moisiu me Dibrën. Pas kthimit, Moisiu shërbeu me besnikëri. Ai pati një fund tragjik në luftë. Barleti tregon se Moisiu bashkë me disa komandantë të tjerë kishte sulmuar Ballaban pashën, duke u futur thellë në radhët e tij në Vajkal. Më pas, ata u gjenden të rrethuar prej turqve dhe u zunë rob. Ballabani, i dërgoi ata të lidhur tek sulltani. Skënderbeu i ofroi sulltanit para për lirimin e tyre, por ai nuk pranoi. Sulltani urdhëroi që ata të rripeshin të gjallë, derisa të jepnin shpirt. Rob me Moisiun kishin rënë edhe Gjuric Vladeni, Muzaku i Angjelinës, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Kuka, Gjin Maneshi.[45]
Dhe të kthehemi tani përsëri tek Mamica.
Kush ishte i shoqi i saj, Muzak Topia, nga cila familje e madhe e vendit vinte ai?
Barleti, Muzaka, Frangu, Biemmi nuk thonë gjë për këtë. Ne mendojmë se ai duhet të ketë qenë i biri i Andrea Topisë. Themi kështu sepse Barleti përmend se Andrea pati dy fëmijë, njëri nga të cilët quhej “Muzak Topia”. Andrea Topia ishte një nga sundimtarët më në zë në Shqipërinë e Mesme.[46] Në kohën e Skënderbeut ai ishte i vjetër në moshë, por gëzonte, sipas Barletit, një autoritet të madh tek shqiptarët.[47] Njoftimi i Barletit për të është i saktë. Andrea Topia përmendet në burimet arkivore të Perëndimit si udhëheqës i një prej kryengritjeve më të fuqishme antiosmane në vitet 30.[48] Sipas Barletit, Andrea Topia mori pjesë në Kuvendin e Lezhës. Këtu ai solli me vete të dy djemtë e tij: Muzak Topinë dhe Komin Topinë, si dhe nipin, Tanushin.[49] Gjon Muzaka tregon se i shoqi i Mamicës, Muzak Topia, mbante edhe një emër të dytë “Karl Muzaka”.[50] “Zoti Karl Topia”, sipas Gjon Muzakës, zotëronte të dy Skurjet, “Fisina e Blevisti”, në Tiranën e Vogël, Krrabën (Conabi) dhe Farkën ( Fuorcha).[51]
Martesa e Mamicës, të cilën e tregon vetëm Biemmi, është një histori më vete. Martesa u bë më 26 janar 1445 në “Musachiana” një vend që ndodhej, sipas Nolit, midis Durrësit dhe Krujës.[52] Në dasmë ishin ftuar të gjithë “princërit” dhe krerët e vendit. Midis të ftuarve, ndodheshin Lekë Dukagjini dhe Zaharia Altisfero, (Lekë Zaharia), zot i Danjës. Të dy këta dashuronin Irenën, (Jerina), vajzën e vetme të Gjergj Dushmanit të Zadrimës. Në prani të Irenës së “bukur”,[53] që qëndronte aty me të jatin, trimat e dashuruar e patën të vështirë të kalonin dasmën në qetësi. Sherri që plasi midis tyre u bë i vështirë sidomos, kur u futën në këtë grindje edhe trimat që i shoqëronin. Për të ndarë zotërinjtë që kishin rrëmbyer shpatat, ndërhynë Vrana Konti dhe Vladan Gjurica, por të dy mbetën të plagosur lehtë, i pari në krah dhe i dyti në kokë. Pas tërheqies së tyre, sherri tashmë vazhdoi i tërbuar midis palëve. Në fillim punët po shkonin mirë për Lekën, por kjo situatë ndryshoi kur Zakaria mundi të hidhet mbi të dhe t’a shembë përdhe me një goditje të rëndë arme ( da un graue colpo di lancia).[54]
Pas kësaj Vrana Konti dhe Vladan Gjurica, ndërhynë dhe i dhanë fund konfliktit të përgjakshëm. Pamja që mbeti para dasmorëve pas kësaj kasaphane, ishte e rëndë. Në sheshin e dasmës kishin mbetur 105 të vrarë dhe 150 të plagosur.[55] Ky konflikt ndodhi, sepse Skënderbeu ishte larguar nga dasma, që shqiptarët e kishin zakon ta vazhdonin “disa ditë me radhë”. [56] Pas martesës me Mamicën, Muzak Topia, tashmë “kunat i Skënderbeut”, hyri në marrëdhënie dhe lidhje të ngushtë me të. Barleti, Biemmi si dhe burime të tjera e përmendin atë si një nga udhëheqësit kryesorë të luftës dhe komandant të besuar të Skënderbeut. Madje, burimet njoftojnë se Muzak Topia u caktua nga Skënderbeu edhe të ndiqte detyrën e vështirë të martesës së tij me të bijën e Gjergj Aranitit.[57]
Sipas Gjon Muzakës, që njihte mirë familjet fisnike të kohës, Mamica pati me Muzak Topinë katër djem dhe dy vajza.[58] Nga këta fëmijë, njohim vetëm njërën vajzë, me emrin Jellë, (Yela). Kjo u martua me zotin Andrea Muzaka (Andrea Mosachi). Djemtë e Mamicës, sipas Gjon Muzakës, u bënë “turq”.[59]
Muzak Topia pati një fund tragjik në luftë.
Ai mori pjesë me Skënderbeun në fushatën për pushtimin e Beratit 1455.
Tre ditë pas fillimit të fushatës, turqit kërkuan “një muaj kohë armëpushim” për të dorëzuar kështjellën.[60] Skënderbeu kërkoi ta dorëzonin për pesëmbëdhjetë ditë.[61] Pas kësaj, Skënderbeu la, në fushën përreth kështjellës, si komandant Muzak Topinë dhe Tanushin, si dhe “vendosi 25 ushtarë “mbi një farë mali jo larg” për të vrojtuar armikun.[62] Për të rregulluar vendosjen e ushtrisë në vapën e atij viti, ai me një pjesë të ushtrisë (3000 mijë kalorës dhe 1000 këmbësorë) zuri “malin pranë” afër qytetit.[63] Skënderbeu porositi Muzakën dhe Tanushin “që ta zhvendosnin kampin dhe ushtrinë që mbeti në fushë”.[64]
Turqit njoftuan sulltanin dhe kërkuan ndihmë. Ushtria që u dërgua nga sulltani, bëri kërdi mbi shqiptarët e zënë në befasi.[65] Barleti që në përgjithësi zvogëlon humbjet e shqiptarëvë në luftë kundër osmanëve, shkruan se në këtë betejë shqiptarët patën një humbje të rëndë. “Në atë betejë, njofton ai, u vranë nga tanët 5 mijë vetë, tre mijë këmbësorë, të tjerët kalorës. Tetëdhjetë u zunë të gjallë.”[66] Shumë të rënë përmend edhe Frangu. “Gjatë inspektimit të ushtrisë, shkruan ai, Skënderbeu - vuri re se në radhët e saj kish dy mijë kalorës dhe treqind këmbësorë të masakruar, shumica të ardhur nga Apulia, me Muzakën, kushëririn e tij.[67] Në betejën e Beratit turqit kryen një masakër të rëndë mbi shqiptarët. “ Gjëja më e fëlliqur dhe më e shëmtuar” shkruan Barleti ishte kur ata filluan “t’i rripnin dhe t’i mbanin vetëm lëkurën” ushtarëve të cilëve i këputnin kokën të gjallë”.[68] Këtë fat pësoi edhe Muzak Topia.[69]
“Muzakës, shkruan Barleti, i qe destinuar jo vetëm koka për çfarëdo shëmtimi dhe dhunimi, por edhe gjymtyrët”.[70] Turqit i shqyen gjymtyrët dhe i flakën “në të katër anët e vendit, si të ishin të ndonjë hajduti të urryer”.[71] Të njëjtim fat pësuan edhe luftëtarët e tjerë të Skëndebeut të zënë rob. “Trupa të tjerë, shkruan Barleti, u tërhoqën gjithashtu zvarrë nëpër vendet dhe luginat pranë dhe i lanë për egërsirat dhe shkabat, me qëllim që të mos pësonin gjë ata të qytetit nga qelbja”.[72]Turqit mundën ta bënin këtë kërdi, shkruan Barleti, sepse “Kastrioti ishte shumë larg”.[73] Frangu shënon se kjo betejë mund të kishte shkuar shumë më keq për shqiptarët, po të mos kishte ardhur më pas Skënderbeu dhe të dëbonte turqit. Sipas tij, Skënderbeu, mundi kështu “të shpëtonte popullin nga kthetrat e vdekjes”.[74]
Tragjedia e Beratit tronditi vendin.
“Zija dhe kuja e kësaj beteje, shkruan Barleti, jepnin e merrnin kudo: zonjat ishin veshur me të zeza dhe shtëpitë ishin zhytur me lot e trishtim, duke pritur me të vajtuar kufomat e të vetëve për varrim”.[75] Shqiptarët në mesjetë u bënin nderime të vdekurve. Kjo ishte një traditë e vjetër e vendit. Ata e kishin zakon që “gjatë vajtimit, të përmendeshin jo vetëm trimëria dhe veprat e shquara të të ndjerit, por edhe trimëritë e etërve dhe gjithë kujtimet stërgjyshore dhe lavdet e lashta të familjes.[76] Këtë gjë bëri Mamica.
“Mamica, shkruan Barleti, pasi thirri, sipas zakonit të gjindjes, shumë zonja, e nderoi varrimin e burrit për një kohë të gjatë me zi e lotë që s’pushonin as ditë as natë”.[77]
Disfata e Beratit e tronditi rëndë Skënderbeun. Lufta që ndërmori për të marrë Beratin, kishte pasur rëndësi të veçantë në plan strategjik. Për të zhvilluar këtë betejë, ai kishte rënë prej kohësh në marrëveshje me aleatin e tij, Mbretin e Napolit, Alfonsin V. Për këtë betejë, ai kishte marrë prej tij ushtarë dhe mjete të rëndësishme lufte.[78] Pas disfatës, Skënderbeu u kujdes për të rikthyer në Napoli ushtarët napolitanë që kishin shpëtuar pa u vrarë.[79] Pas kësaj, Skënderbeu “shkoi menjëherë në Muzakenë tek e motra me qëllim që t’u jepte fund lotëve dhe të kujdesej për mbretërinë në atë gjendje pikëllimi dhe rënie shpirtërore”.[80]Barleti njofton se, pas vdekjes së Muzak Topisë “si mbrojtës” i fëmijëve dhe “pasurisë së tij” u caktua Topia, kushuri i Muzak Topisë.[81] Topia, “i qeverisi punët e tyre ... me një besnikëri dhe kujdes të atillë që asnjë kryetar familje...nuk mund ta tregonte më të madhe”.[82] “Titulli dhe nderi i mbretërimit mbeti në dorë” të Mamica Kastriotit.[83]Mamica, e nderoi burrin e saj “me një ndjeshmëri dhe pastërti të shënuar gjer në vdekje”.[84] Sipas Barletit, kjo vinte jo vetëm për shkak “të karakterit të saj të përmbajtur dhe të qëndrueshëm” [85] por edhe prej kujtimit të madh që i kishte lënë i shoqi. “Humbja e Muzakës, shkruan Barleti, i dukej kësaj gruaje mëndjelartë e pazëvendësueshme”.[86] Burri i saj shquhej “për virtyte të veçanta”.[87] Muzak Topia “ishte pajisur me zakone të pëlqyeshme dhe me karakter të ëmbël”.[88]
***
Mamica ka qenë një grua e bukur[89] dhe e fortë. Ajo u shqua si një zonjë e rëndë në drejtimin e zotërimit të saj. Mamica, sipas Barletit, “tregoi një maturi dhe shkathtësi të atillë qeverimi me përzemërsi të popullit, sa zor se ka qënë dikur më i madh në atë vend bashkimi i qytetarëve, bindja e turmës së papërmbledhur...”.[90] Sipas Barletit, një sjellje e tillë nga zotërinjtë “ndodh shumë rrallë”.[91]
Mamica ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngjarjet e kohës. Ajo ishte një grua e mençur dhe u shqua edhe si bashkëpunëtore e afërt e Skënderbeut. “Mendja e ndritur e kësaj gruaje, shkruan Barleti, mund të admirohet sidomos për faktin që Skënderbeu e përdori atë shpesh si shoqe, me të cilën këshillohej për punët e veta”.[92]
Barleti dhe Frangu njoftojnë edhe një rast konkret të këtij bashkëpunimi kur Skënderbeu ndodhej në luftë me Ballaban pashën në vitet 1465-1467. Skënderbeu atëhere kishte korrur një fitore ndaj tij, por ndërkohë turqit kishin nisur “fshehurazi” në Shqipëri Jakup Arnautin. Arnauti ishte me origjinë shqiptare. Ai ishte i biri i Teodor Muzakës, i cili kishte qenë zot i Beratit dhe i principatës së Muzakajve. Mamica ndodhej atëherë në Petrelë “bashkë me kohortën dhe familjen e vet”.[93] Ndërkohë ushtarët e saj kapën një ushtar të Jakup Arnautit dhe e morën në pyetje. Pas kësaj, Mamica njoftoi Skëndebeun “me një letër”[94] me të cilën i bënte të ditur se turqit kishin nisur kundër tij një ushtri prej gjashtëmbëdhjetë mijë ushtarësh me në krye Jakup Arnautin.[95] Arnauti kishte hyrë në Shqipëri (apo Epir - siç e quan Barleti) “përmes rrugës së Beratit dhe i kishte ngulur çadrat në Tiranën e Vogël pranë lumit të Erzenit.[96]
Pas vdekjes së Skënderbeut (17 janar 1468) për shqiptarët erdhën ditë të vështira. Shumë zotërinj të vendit kishin rënë tashmë në luftë. “Të rënit në luftë” të zotërinjve shqiptarë kishte filluar në fakt që nga fundi i shek XIV kur turqit filluan sulmet e tyre për pushtimin e vendit. Kur erdhi Skënderbeu më 1443 , shkruan më 1510 në kujtimet e tij Gjon Muzaka “zotërinjtë e rinj të Shqipërisë ishin të gjithë thuajse të rënë”.[97] Atëherë kishin mbetur të gjallë zotërinjt e vjetër “Gjergj Araniti (Aranit Komneni), Koiko Balsha, Nikollë Dukagjini dhe Pal Dukagjini, Gjin Muzaka, Andrea Topia, Pjetër Spani”. Shumë nga këta, si Gjergj Araniti, Andrea Topia etj., kishin udhëhequr kryengritje të mëdha antiosmane në rininë e tyre. Rrjedhimisht kur erdhi Skënderbeu dhe mori Krujën, këta zotërinj, siç njofton Gjon Muzaka, “u gëzuan shumë”.[98] Në Kuvendin e Lezhës (të organizuar nga Skëndebeu), këta zotërinj e përkrahën Skënderbeun me të gjithë forcat e tyre,[99] por me kohë edhe këta zotërinj vdiqën njëri pas tjetrit. Sipas Gjon Muzakës, ata vdiqën të gjithë zëmërplasur për shkak të mjerimit dhe pasigurisë që kishte sjellë kudo në Shqipëri lufta e pasosur kundër pushtuesve osmanë.[100]
Vdekja e Skënderbeut, e shkaktuar nga ethet në Lezhë, shkaktoi një tronditje të thellë brenda dhe jashtë vendit. Duke shprehur këtë, Gjon Muzaka shkruan:
“Mund të imagjinoni se si mbeti ky vend pasi humbi një kapedan të tillë”.[101] “Pak zotërinj të rinj kishin mbetur tashmë që nuk kishin vdekur në këto luftra të gjata dhe të pamëshirshme.”[102]
Pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët humbën çdo shpresë për t’i bërë ballë armikut. Shumë prej tyre, shkruan Gjon Muzaka, kaluan jashtë shtetit, në mërgim, bashkë me familjet e tyre. Në Shqipëri mbetën pak zotërinj për të vijuar qëndresën.[103] Midis këtyre që qëndruan për disa vite më pas, ishte Gjon Muzaka,[104] Stres Balsha[105] etj. Pas vdekjes së Skënderbeut, kur gjithçka në vend “kishte mbaruar keq”,[106] u krijua një situatë e vështirë për të shoqen e Skënderbeut, Donikën, që kishte pranë vetes edhe djalin e vogël, Gjon Kastriotin.
Sinjoria u lajmërua për vdekjen e Skënderbeut nga bajli i Durrësit. Ai i bënte të ditur Sinjorisë tronditjen e thellë në të cilin kishte rënë vendi (in magno tumultu et trepidatione) pas vdekjes së burrit “të madhërishëm Skënderbeut”.[107]
Më 13 shkurt 1468 Sinjoria dërgoi pranë Donikës kryepeshkopin e Durrësit, Pal Engjëllin. Pali kishte qenë një mik i veçantë, i besuar i Skënderbeut. Ai i kishte shërbyer Skënderbeut, vite me radhë, si këshilltar dhe ambasador i tij.[108] Pal Engjelli u porosit ta këshillonte Donikën të mbronte Krujën bashkë me Sinjorinë. Sinjoria dërgoi tek Donika edhe ushtarakun e lartë Françesk Kapellon. Ai ishte nisur si provisor në Shqipëri. Pas ndërhyrjes së Pal Engjëllit tek Donika, Kapello duhej të merrte Krujën dhe ta mbronte atë në emër të të birit të Skënderbeut.[109]
Lajmi i vdekjes së Skënderbeut mbërriti edhe në Mbretërinë e Napolit. Mbreti, Ferdinandi, aleati i ngushtë i Skënderbeut, dërgoi tek Donika, njeriun e vet, Jeronim Karvinin (Ieronimo de Carvinio), për t’i shprehur ngushëllimet e thella për humbjen e të shoqit, të cilin ai e konsideronte lart po aq sa edhe të atin.[110] Karvini u urdhërua nga Ferdinandi ta ftonte zonjën të kalonte në Mbretërinë e Napolit.[111]
Donika Kastrioti e cila thirrej edhe me emrin e të shoqit “Skënderbegia”, (Scanderbega)[112] kaloi në Mbretërinë e Napolit bashkë me të birin, Gjon Kastriotin.[113] Ajo shkoi në Napoli si një zonjë e rëndë. Bashkë më të birin ajo mori me vete edhe disa zonja, burrat e të cilave kishin rënë në luftë. Njëra nga këto ishte “zonja Marie”[114] e cila ishte gruaja e nipit të Skënderbeut, “Muzakut të Angjelinës”. Zonja tjetër ishte Donna Helena, gruaja e Gjergj Karlit (Giorgio Carles).[115] Këto zonja, Maria dhe Helena, ishin motra të Gjon Muzakës. Këto morën me vete edhe vajzat e tyre. Maria mori vajzën “Donna Porfida Grande”, ndërsa Donna Helena mori vajzën “Donna Visava”.[116] Bashkë me to tek Mbreti i Napolit shkuan edhe “zonja të tjera” të cilat ai i priti të gjitha mirë.[117]
Ndryshe nga këto zonja të mëdha, Mamica qëndroi në Shqipëri. Burimet njoftojnë më 2 qershor të vitit 1469 se ajo banonte në qytetin e Durrësit.[118] Situata në këtë kohë në Shqipëri ishte mjaft e rëndë për shkak të turqve. Dogja i Venedikut, Kristofor Mauro, nisi në Shqipëri si proveditor Josafat Barbaron. Barbaro mori shumë urdhëra për t’u kujdesur për mbrojtjen e Shkodrës. Mauro i bëri atij të ditur qëndrimin e mirë që mbanin ndaj Sinjorisë Gjon Stresi dhe zotërinj të tjerë shqiptarë.[119] Mauro e porositi atë t’i ruante këto marrëdhënie. Mauro e vinte në dijeni Barbaron edhe për Lekë Dukagjinin. Leka kishte në Shkodër pasuri të shumta të cilat kërkonte t’i nxirrte prej këtij qyteti. Mauro e urdhëronte nëpunësin e tij të mos lejonte Lekën t’ia arrinte kësaj sepse dyshonte se, pas kësaj, ai mund të kalonte nga ana e turqve.[120]
Një porosi të veçantë Mauro jepte edhe për Mamicën.
Ajo jetonte aty me të birin. Burimet, për fat të keq, nuk japin emrin e tij. Prania e Mamicës, motrës së Skënderbeut, në Durrës, kishte mjaft peshë. Zonja kishte njohje dhe lidhje të shumta personale me shumë njerëz me peshë. Nga porositë që dogja i dha Barbaros, rezulton se marrëdhëniet e Venedikut me Mamicën dhe, sidomos me djalin e saj, nuk ishin të mira. “Në rast se do të arrish të tërheqësh nga ana jonë djalin e Muzakës dhe të zonjës Mamica, shkruante dogja, ne do ta kemi shumë të nderuar”.[121] Për të bërë këtë djalë për vete, dogja e porosiste Barbaron se mund t’i ofronte atij diçka pa lejën e Sinjorisë.[122]
Dogja i kujton Barbaros edhe qëndrimin që duhej të mbante me Mamicën. Sinjoria nuk shpresonte të kishte marrëdhënie të mira me të. Barbaro bashkë me bajlin e Durrësit, duhej të gjenin një mënyrë për ta larguar atë nga Durrësi. Kjo duhej bërë me shumë kujdes dhe pa u kuptuar. Për këtë dogja porosite të shikohej “shtëpia” ku ishte vendosur Mamica. Në rast se kjo shtëpi do t’i dukej Barbaros dhe bajlit të Durrësit si e “dyshimtë”, d.m.th. si shtëpi që rrezikohej prej turqve, dhe sulmeve të tyre, atëherë ata duhet të këshillonin Mamicën të largohej nga Durrësi. Largimi i Mamicës nga Durrësi, sipas dogjës, duhej të bëhej me qëllim që biri të mos mund të realizonte diçka kundër shtetit venedikas.[123]
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Marin Barleti, “Historia e Skënderbeut”, Përkthimi nga origjinali dhe hyrja nga Stefan Prifti, Tiranë,
1967, Botim i dytë.
[2] Ch. Hopf. “Chroniques Greco-Romanes”, Berlin, 1873, f. 297.
[3] Dh. Frangu. “Luftërat e turqve kundër Skënderbeut”, përktheu nga anglishtja Hysen Hidri, Tiranë, 2000.
[4] G. Biemmi, “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh”, Breschia, MDCCXLII, f. 347.
[5] Marin Barleti. vep. e cit., f. 54.
[6] Po aty.
[7] Po aty.
[8] Po aty.
[9] Po aty, f. 75.
[10] Marin Barleti, vep. e cit., f. 360-361; G. Biemmi, "Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh”, Breschia, MDCCXLII, f. 347; F.S. Noli, “George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), Neë York, 1947, f. 52.
[11] M. Barleti, vep. e cit., f. 75.
[12] Po aty, f. 307.
[13] Po aty, f.187.
[14] Ch. Hopf. “Chroniques Greco-Romanes”, Berlin, 1873, f. 297.
[15] M. Barleti, vep. e cit., f. 75.
[16] Ch. Hopf, vep. e cit., f. 297.
[17] M. Barleti, vep. e cit., f. 63.
[18] Po aty.
[19] Mamica “kishte qëndruar vazhdimisht virgjëreshë dhe e pamartuar për hir të vëllait, që po i kthehej fitimtar; ai e martoi pastaj dhe i vuri përsëri në vend nderin e dikurshëm” (M. Barleti, vep. e cit., f. 63). “Pas rifitimit të Mbretërisë nga Skënderbeu ... (Mamica) ... u martua me Muzak Topinë.” (M. Barleti, vep. e cit., f. 75.)
[20] “Zonja e pestë, Mamica, ishte martuar me zotin Musak Topia” (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 295).
[21] “Zonja e pestë Mamica pati për burrë Muzak Topinë, sepse zoti Skënderbe e ndau nga gruaja e parë, që quhej zonja Zanfina ose Suina Muzaka, dhe i dha zonjës së thënë Mamica, motrës së tij” (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 296). Në fund të kujtimeve mbi gjenealogjinë e familjes Gjon Muzaka shkruan se me Muzak Topinë u martua motra e Skënderbeut “Yella” (Zoti Skënderbe ndau martesën e zonjës Zanfina Muzaka dhe të zotit Karl Muzaka dhe Karlit të thënë i dha zonjën Yella, motrën e tij” (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 302). Duket se këtu Gjon Muzaka ka gabuar. Në këtë pikë ai kundërshtohet edhe nga Barleti, që shënon si burrë të Mamicës Muzak Topinë.
[22] Ch. Hopf, vep. e cit., f. 298.
[23] M. Barleti, vep. e cit., f. 307.
[24] Dh. Frangu, vep. e cit., f, f.28.
[25] G. Biemmi, vep. e cit., f. 312.
[26] Po aty.
[27] “Mosiu është mbiquajtur “i Dibrës” për shkak se banonte në Dibër, ku Skënderbeu i kishte dhuruar shumë prona dhe një pjesë të madhe të vendit” (M. Barleti, vep. e cit., f. 307); “Skënderbeu i jepte atij pjesën më të madhe të të ardhurave të asaj province (të Dibrës-LM)” (G. Biemmi, vep. e cit., f. 312).
[28] Moisu, “nderohej” prej Skënderbeut, “për shkak të virtyteve dhe aftësive të veta. Dhe, për këto cilësi, i kish dhënë atij nën zotërim “shumë qytete, armatime, kuaj, veshje e stoli, bashkë me shuma të mëdha pronash ”. (Dh. Frangu, vep. e cit., f. 29.)
[29] “Zoti Moisi Komneni Araniti, pati si baba të vetin Muzakun, vëllain e zotit Aranit Komneni. (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 296). Barleti shkruan se ai pati si baba “Muzakën dhe nënë Voisavën. I ati i tij, Muzaku, kishte dy vëllezër, Aranit Golemin apo Komnenin (Kominatin), të vjehrrin e Skë nderbeut dhe Vladan Golem Arianitin”. (M. Barleti, vep. e cit., f. 307) Ky i fundit ishte i shoqi i motrës së Skënderbeut, Angjelinës. Ai pati me të një djalë “Muzakën e Angjelinës” i cili thirrej ndryshe edhe Golem Araniti.( M. Barleti, vep. e cit., f. 307) “Ky zoti Moisiu pati për grua zonjën e thënë Zafina ose Muzakia ( Mosachia) kjo ishte gruaja e zotit Muzak Topia, që e ndau i thëni Skënderbe ... . Nga zonja Zanfina dhe zoti Moisi lindi babai i zonjës Xhiovana Kominata (Giovanna Comminata) e cila qëndron në Napoli e martuar me zotin Paolo Brancazzo”. (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 296).
30 Sipas Biemmit, babai i tij nuk quhej “Muzak” por “Pjetër”. Pjetri ishte vëlla me Gjergj Aranitin dhe Vladenin, burrin e Angjelinës, e cila ishte motra e Skënderbeut. (G. Biemmi, vep. e cit., f. 312.)
31 Ch. Hopf, vep. e cit., f. 298.
32 “Kur u bë e ditur fatkeqësia e Skënderbeut, atëherë Moisiu ... ktheu krahët kundër atdheut” (M. Barleti, vep. e cit., f. 337; “Moisiu iku tek turqit” (G. Biemmi, vep. e cit., f. 308).
33 Dh. Frangu, vep. e cit., f. 29.
34 M. Barleti, vep. e cit., f. 337; G. Biemmi, vep. e cit , f. 324.
35 M. Barleti, vep. e cit., f. 340-344; G. Biemmi, vep. e cit., f. 312-340.
36 G. Biemmi, vep. e cit., f.331-334; Moisiu nuk kishte më shumë se 12 mijë ushtarë (G. Biemmi, vep. e cit., f. 333.)
37 G. Biemmi, vep. e cit., f. 335-339.
38 M. Barleti, vep. e cit ., f. 346-352. “Mëngjesin e ditës tjetër (ishte 19 maj) të dy ushtritë u vendosën në rregull për betejë” (G. Biemmi, vep. e cit ., f. 334; Shih edhe F. S. Noli, vep. e cit., f. 52.
39 M. Barleti, vep. e cit, G. Biemmi, vep. e cit ., f. 344.
40 M. Barleti, vep. e cit., f. 355.
41 M. Barleti, vep. e cit., f. 355; “Moisiu iku tek turqit dhe solli një ushtri të fortë kundër atdheut. Mbasi u bë lufta, ai mbeti i mundur. Kur u kthye te Skënderbeu, ai, siguroi përveç faljes së krimit edhe hirin dhe dinjitetin e mëparshëm” (G. Biemmi, vep. e cit., f. 308). Dh. Frangu shkruan se Moisiu “erdhi fshehurazi në Shqipëri zëmërdridhur dhe me lot për të kërkuar mëshirë. Skënderbeu shtriu menjëherë dorën, e ngriti dhe nisi të bisedonte me të në një mënyrë të tillë, a thua se nuk kishte marrë as edhe një fyerje më parë nga ana e tij. Më pas Skëndërbeu dha porosi që Moisiu të vishej sipas nderit dhe rangut dhe, pasi patën ngrënë, i riktheu gjithë gjënë e gjallë dhe gjithshka tjetër që i kish konfiskuar, si dëshmi se e kish falur me gjithë shpirt. Më pas, kur Skënderbeu u bind edhe më shumë...i dha të gjitha detyrat dhe favoret që i pati gëzuar edhe më parë”. (Dh. Frangu, vep. e cit., .f .31) (Shih më gjerë tradhëtinë e Moisiut tek G. Biemmi, vep. e cit ., f. 311-313) .
42 Skënderbeu “i mori zotit Moisi Komnenit shtetin e tij që ishte në Dibër. Moisiu që ishte një njeri me zemër dhe trim, nuk mundi të durojë këtë dhunë dhe shkoi tek turku. Turku e bëri kapedan të një ushtrie të tij dhe e dërgoi kundër Skënderbeut.” (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 300.)
43 “Mbasi u bë Kapedan i Përgjithshëm i zotërinjve të Shqipërisë”, shkruan Muzaka, Skënderbeu “shfaqi tendencën të shtinte në dorë gjithë atë vend; (kështu) futi në burg vëllezërit, zotin Gjon (Giovanni) dhe zotin Koiko Balsha dhe i dërgoi tek mbreti Ferrante i vjetër në Napoli që t’i mbante të burgosur dhe i mori shtetin e tyre që ishte midis Krujës dhe Lezhës, e kam fjalën për vendin e Misisë; i mori edhe zotit Moisi Komneni shtetin e tij, që ishte në Dibër. Pasi vdiq babai im, na mori Tomorrishtën (Tomonista) d.m.th. Muzakinë e vogël dhe po ashtu u mori zotërinjve të tjerë vendin Komi (Commi) dhe Randisa (Randisia) ...” (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 300.)
44 Skënderbeu “i mori edhe Moisi Komnenit, shtetin e tij, i cili ishte në Dibër. Moisiu ishte njeri më zemër dhe trim. Duke mos duruar një dhunë të tillë, ai shkoi tek turku (sulltani, - LM). Turku e bëri kapiten të një ushtrie dhe e dërgoi kundër Skënderbeut, por më vonë, (Skënderbeu, - LM) i dërgoi (njerëz, - LM) për t’i thënë që të kthehej sepse do ta mbante si vëlla, dhe Moisiu duke parë se qëndronte jo i sigurt me turkun (sulltain, - LM) dhe për të mos zmadhuar (veprën e tij, - LM) me gjak të krishterë, u kthye (tek Skënderbeu, - LM) ( Ch. Hopf, vep. e cit., f. 300.)
45 “Këta u kapën (nga tuqit) dhe u dërguan para kapedanit të tyre Ballaban Banderës. Ky i dërgoi menjëherë tek sulltani. Skënderbeu i kërkoi Sulltanit që t’ia kthente këta të burgosur, sepse do t’i jepte në shkëmbim turq të tjerë si dhe një ofertë të hollash. I njoftuar nga Ballabani për vlerën e tyre, (sulltani, - LM) nuk deshi t’i kthejë, madje, për mizori më të madhe, i rropi të gjallë pak nga pak sa që, për pesëmbëdhjetë ditë me radhë ... ata ikën nga kjo jetë” ( Ch. Hopf, vep. e cit., f. 297.)
46 “Të parët e tyre ... kanë qenë themelonjësit e Krujës dhe të Petrelës. Fuqitë e këtyre gjithashtu s’kanë qenë të pakënaqshëm dhe sundimi i tyre në Epir ka qënë mjaft i gjerë ndërmjet Tiranës dhe Epidamnit. Por përveç sundimit në ato vende, që banorët rreth e qark, meqë i kanë humbur krejt emrat e vjetër, i quajnë Skuria, Muzakjemë, Kerabi, Farkë, ishin të njohur si princër edhe për sundimin e Himarës së Uliksit.” (M. Barleti. vep. e cit., f. 97.)
47 M. Barleti, vep. e cit., f. 97.
48 Po aty., f. 97.
49 “Pas këtij erdhi Andrea Topia, burrë i dëgjuar si për derë edhe për vepra, i respektueshëm gjithashtu edhe për moshën që kishte, bashkë më të dy bijtë e tij, Kominin dhe Muzakën dhe të nipin Tanushin.” (M. Barleti, vep. e cit., f. 97.)
50 “Zoti Muzak Topia ose Karl Muzaka” (Carlo Mosachi) ( Ch. Hopf, vep. e cit., f. 298 ).
51 Po aty.
52 F. S. Noli, vep. e cit., f. 39-40; G. Biemmi, vep. e cit., f. 84.
53 “Irena, vajza e vetme e Gjergj Dushmanit...(ishte) trashëgimtare e zotërimit prindëror. Veç kësaj, ajo ishte e pajisur edhe me një bukuri të veçantë ” (G. Biemmi, vep. e cit., f. 84.)
54 Po aty
55 Po aty.
56 Po aty.
57 “Muzak Topia, kunati i tij pati detyrën të rregullonte marrëveshjen e martesës së tij (Skënderbeut)”. (G. Biemmi, vep. e cit., f. 284.)
58 Ch. Hopf, vep. e cit., f. 298.
59 Po aty.
60 M. Barleti, vep. e cit., f. 322-323.
61 Po aty, f. 324.
62 Po aty, fq. 324.
63 Po aty, f. 325.
64 Po aty, f. 325.
65 Po aty, f.328-330.
66 Po aty, f. 335-336.
67 Dh. Frangu, vep. e cit., f. 29.
68 M.Barleti, vep. cit., f. 336.
69 Barleti është përpjekur të japë të gjithë informacionin e mbledhur për vdekjen tragjike të Muzak Topisë. Sipas tij, “çadrat” në të cilat ndodhej Muzak Topia, qenë të parat që u sulmuan nga turqit. Barleti kishte informacion se në kohën e sulmit turk, Muzaka po luante “me zare” me një ushtarak napolitian. (M. Barleti, vep. e cit., f. 332.) Burime të tjera thonin se kur erdhën turqit, Muzak Topia “po flinte” dhe kur u zgjua, ai pa veten të humbur, prandaj “ia mbathi me këmbë drejt malit për të shpëtuar, por u shtyp menjëherë” (Po aty). “Ne kemi marrë vesh, shkruan më tej Barleti, se (Muzak Topia, - LM ) kish pasur fare pak kohë për të rrëmbyer kalin dhe armët, se ra duke luftuar rreptë ndërmjet të parëve dhe se vrasja e tij u bë fillimi i ikjes” ( Po aty).
70 Po aty .
71 Po aty.
72 Po aty.
73 Po aty.
74 “ Deshi perëndia ... që Skënderbeu të vinte me të tre mijë kalorësit të shihte kampin. Me të dëgjuar tërë atë potere dhe zhurmë, dyshoi menjëherë në tradhtinë e rojës. U dha shpejt yzyngjive të kalit dhe me tërë shpejtësinë hyri në kamp, ku pa të gjithë atë pështjellim që turqit po bënin me njerëzit e tij. Atëherë ai i sulmoi me një forcë të tillë, sa brenda pak çastesh i bëri të heshtnin ... . (Turqit) ua mbathën drejt qytetit me turp të madh. Atëherë … vendosi të mos i ndiqte më tutje, sepse falë mëshirës së perëndisë, ai kish dalë shumë shpejt të shpëtonte popullin nga kthetrat e vdekjes” (Dh. Frangu, vep. e cit., f. 29.)
75 M. Barleti, vep. e cit., f. 337.
76 Po aty, f. 342.
77 Po aty .
78 “Ndërkohë, Alfonsi, pasi e priti me nder dërgatën dhe letrën e Skënderbeut, urdhëroi të mblidheshin me shpejtësi ... ushtarët. Kështu u mblodhën një mijë këmbësorë, pesëqind dyfektarë, të tjerë agreptarë. Mbreti donte të shtonte numrin, por ata s’e lanë, duke i thënë se Skënderbeu nuk do të kishte nevojë për ndihma më të mëdha ... . Ata i kërkuan disa mjete lufte dhe qysqi prej hekuri për të rrëmuar nga poshtë muret ... . Ai ua dha të gjitha, si dhe shumë përdredhore llojesh të ndryshme dhe teknikë për t’i përdorur” (M. Barleti, vep. e cit., f. 315). Barleti shënon se Mbreti i dha Skënderbeut edhe “të holla dhe po aq anije të tjera” (Po aty.)
79 “Skënderbeu, pasi lëshoi ushtrinë, vendosi të dërgonte tek mbreti (i Napolit, - LM) me qëllim që t’i njoftonte fatkeqësinë e tij ... apulianët që kishin mbetur gjallë nga kërdia bashkë më të deleguarit e vet. Dhe kështu ai u kujdes për ta ... dhe i futi në anije sa më parë që qe e mundur për shkak të fatkeqësive të të plagosurve” (M. Barleti, .vep. e cit., f. 343.)
80 M. Barleti, vep. e cit., f. 343.
81 Po aty, f. 343.
82 Po aty.
83 Po aty.
84 Po aty .
85 Po aty.
86 Po aty.
87 Po aty .
88 Po aty.
89 “Bukuria pastaj që është një pamje e veçantë e gravet, dhe hijeshia e fytyrës dhe e trupit, ishte në harmoni dhe përshtatje të plotë me stolitë e tjetra të shpirtit ( M. Barleti, vep. e cit., f. 343).
90 Po aty.
91 Po aty.
92 Po aty.
93 Po aty, f. 466.
94 Po aty.
95 Po aty.
96 Po aty. (Këtë bashkëpunim midis Skënderbeut dhe Mamicës e përmend edhe Frangu, por ky e quan të motrën e Skënderbeut jo Mamica por Mariza) (Dh. Frangu, vep. e cit ., f. 56)
97 “Zotërinjtë e rinj të Shqipërisë ishin pothuajse të gjithë të rënë (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 274.)
98 “Për këtë, zotërinjtë e Shqipërisë patën kënaqësi të madhe ” (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 274.)
99 “Pastaj zotërinjtë e thënë të Shqipërisë bënë një këshillë (kuvend) në Lezhë. Dikush shkoi atje vetë, dikush dërgoi zëvendësit e vet. Skënderbeu u zgjodh dhe u bë kapedan i tyre në Shqipëri. Secili kontribuonte me ushtarë dhe me para sipas peshës. Disa fëmijë të këtyre zotërinjve militonin nën udhëheqjen e tij, si për të mësuar të luftonin, ashtu edhe për të mbrojtur shtetet e tyre. Duke qenë një zotëri i zoti në luftë dhe trim, ai (Skënderbeu) u bë kapedan dhe secili i bindej atij” (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 274). (Shih për Kuvendin e Lezhës M. Barleti, vep. e cit., f. 95-98; G. Biemmi, vep. e cit f. 30-32.
100 Zotërinjtë e vjetër “ishin thuajse të gjithë të vdekur, si nga mosha, ashtu edhe nga dhimbja” (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 275.)
101 Po aty, f. 274.
102 Po aty, f. 275.
103 Një nga ata që qëndroi, ishte Gjon Muzaka. “Unë qëndrova në vendin tonë, shkruan ai, dhe po ashtu edhe zotërinj të tjerë qëndruan në zotërimet e tyre të vogla që u kishin mbetur për shkak të mbështetjes së Venedikut” (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 276.) Kjo qëndresë vazhdoi deri me rënien e Shkodrës me paqën e nënshkruar midis Venediku dhe turqve në prill të vitit 1479.
104 “Unë qëndrova në vendin tonë dhe zotërinj të tjerë qëndruan në ato pak vende të tyre që i kishin mbetur me përkrahjen (favore) e venedikasve, gjithmonë duke u përpjekur dhe duke u mbrojtur për rreth shtatë vjet, megjithëse posedoja pak nga zotërimi, sepse pjesa tjetër ishte marrë” nga turqit (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 276.
105 J. Radonić, “Gjuragj Kastriot Skënderbeg i Arbanija u XV veku”, Beograd. 1942, dok. 398.
106 “Gjithshka përfundoi në rrënim (il tutto andò in rovina)” (Ch. Hopf, vep. e cit., f. 276.)
107 J. Radonić, vep. e cit., dok. 387.
108 Archivio di Stato di Venetia, Secreta Consilio Rogatorum, vol. XXIII, c. 94; Ljubic, Listine. vol.X, f.404-405; F. S. Noli “George Castriot Scanderbeg Neë York”, 1947, Appendix, dok. 43.
109 Po aty.
110 F. S. Noli, vep. e cit., Appendix, f. 147, dok. 44.
111 F. S. Noli, .vep. e cit., Appendix, f. 147-148, dok. 45.
112 Ch. Hopf, vep. e cit., f. 275-276.
113 Ch. Hopf, vep. e cit., f. 275-276.
114 Po aty. f. 275.
115 Po aty.
116 Po aty.
117 Po aty.
118 J. Radonić, vep. e cit., dok. 398.
119 “Visitabis quoque Juam Strexi ac alios dominos, quos nostro Dominio benivolos esse cognosces; ac alios quoscumque, quorum amicicia rebus nostris prodesse posse cognoueris, eosque confirmabis in benivolentia nostri Domini, et cum eis amico, animo te habebis, ortaberis quoque rectores nostros, ut cum eis amice se habeant et pacifice vicinari velint.
120 Po aty.
121 “Nëse djalin e të ndjerit Muzak dhe të zonjës Mamicë do të arrish ta kthesh në bindjen tonë, kjo do të na pëlqente shumë (gratissimum habituri sumus). Për këtë, do të përdorësh me të më shumë zell, edhe dicka pa lejën tonë” (Po aty).
122 Po
123 Dhe meqënëse zonja Mamicë, nëna e tij, banon në Durrës, duam që nëse ty, dhe rektorit tonë të Durrësit do t’i dukej shtëpia e saj në atë qytet e dyshimtë, atëherë ta largoni atë nga ai qytet, duke përdorur ato fjalë dhe ato mënyra që do të shihni me vend, me qëllim që djali i saj të mos mundet nëpërmejt asaj të kurdisë ndonjë gjë kundër shtetit tonë” (Po aty) . aty.