Në përgjithësi ato janë kronograme, epigrafe të shkruara në objektet e kultit islam, si teqe e xhami, në pllaka varresh, si edhe epigrame në kështjella, kulla sahatesh, godina banimi, vepra urbanistike, çesma, kroje dhe mure rrethues. Ato janë shkruar në pllaka gurësh gëlqerorë, në pllaka apo kolona mermeri, në pjesë të suvatuara, në materiale drusore apo lëkura. Mbishkrimet rrokin një hark të gjerë kohor gati pesëshekullor, duke filluar nga viti 1466 dhe përfundojnë në vitin 1942.
Ato hedhin dritë në disa momente të rëndësishme të historiografisë shqiptare.
Në këtë kuadër përmendim tre mbishkrimet në fortesën e Elbasanit që i korespondojnë vitit 1466 dhe dëshmojnë për ndërtimin e kësaj fortese dhe praninë në të të sulltan Mehmet Khanit (Fatiut). Rreth këtyre mbishkrimeve është zhvilluar polemikë shkencore mes orientalistit shqiptar Vexhi Buharaja dhe orientalistit gjerman Franc Babinger, i cili më së fundi pranon argumentimin e Vexhi Buharasë. Në një tjetër mbishkrim të gjetur në muret e Krujës dhe që i korespondon viteve 1446-47 dëshmohet për praninë në këtë qytet dhe në këtë kohë të funksionarit të lartë të shtetit osman, vezirit të madh Gazi Evrenozi, ndërsa mbi portën e kalasë së Lezhës mbishkrimi i vitit 1521-22 i kushtohet urdhërdhënësit Sulltan Sulejmanit, për ndërtimin e kësaj kalaje.
Në disa mbishkrime të tjera përmenden emrat e sulltanëve Bajazit, Murat, Mahmud, Mehmet, Sulejman e deri tek Abdul-Hamiti 1774-1789 të cilët në një farë mënyre, me praninë e tyre apo urdhërat që kanë dërguar rezultojnë si protagonistë të ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë apo në ndërtimin e objekteve të ndryshme.
Një mbishkrim prej 50 vargjesh i viteve 1832-33 i shkruar në lëkurë dhe i ndodhur në mafilin e xhamisë Mbret në Berat bëhet fjalë për praninë në këtë qytet të vezirit të madh Mehmet Reshit Pasha e për ngjarjet e viteve 1832-33, për gjendjen e trubullt dhe situatën luftarake kryengritëse në gjithë Shqipërinë e Jugut kundër pushtimit turk. Këto ngjarje janë hapat e para të asaj lëvizje patriotike shqiptare që shkallë-shkallë në ngritje e të pasuara nga të tjera ngjarje madhore si lëvizja antitanzimat, të zhvillimit të rilindjes kombëtare e deri në shpalljen e pavarësisë. Shumë episode të këtij momenti historik dëshmohen në disa prej këtyre mbishkrimeve.
Nëpërmjet tyre njihemi edhe me jetën dhe veprën e disa personaliteteve shqiptarë si vezirë të mëdhenj, pashallarë, udhëheqës, kryengritës që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar.
Mbishkrimet kanë qenë ato faqe libri të shkruara në gurë, të ekspozuara në shekuj e të lexuara nga gjenerata të tëra shqiptarësh. Nëpërmjet tyre është shkruar dhe lexuar historia.
Një mbishkrim i gjendur në xhaminë e Roshnikut-Berat dhe i përket viteve 1672-73 mësohet se veziri i madh Mehmet Pashë Kypërliu, e kish origjinën nga ky fshat dhe luajti një rol të rëndësishëm në një moment të vështirë në historinë e shtetit osman. Në xhaminë e Velabishtit - Berat në dy mbishkrime bëhet fjalë për dy pashallarët e Pashallëkut Berat, për themeluesin e pashallëkut Mahmud Pashën në vitin 1728 dhe trashëgimtarin e tij Ismail Pashë Velabishti që sundoi deri në vitin 1765.
Të tjera mbishkrime që aktualisht gjenden në Berat, në teqen e Helvetinjve, japin njohuri e data të sakta historike mbi jetën e Kurt Pashait dhe të afërmëve të tij, mbi shumë objekte të rëndësishme që u ndërtuan në kohën dhe me urdhër të pashait dhe që sot pasurojnë qytetin me monumente të kulturës.
Në xhaminë e Libohovës, mbishkrimi i vitit 1820-21 dhe 23 dëshmon për jetën dhe i thurret lavdi veprës së Ali Pashë Tepelenës dhe merren të dhëna edhe për disa anëtarë të familjes apo të afërm të Pashait. Ndërsa në qytetin e Shkodrës dy mbishkrime na përcjellin informacione mbi jetën dhe veprën e Mehmet Pashë Bushatlliut 1773-75 dhe për jetën e Mustafa Pashë Bushatlliut (mbishkrim i viteve 1827-28). Mbishkrimet e personaliteteve të larta dallohen e spikatin në formë e përmbajtje për nivele luksi dhe vlera artistike.
Në shumë mbishkrime të tjera jepen informacione mbi kohën kur kanë filluar dhe ushtruar veprimtarinë e tyre personalitete të rëndësishëm dhe misionarë të besimit islam si myftinj, imamë, hatibë, myezinë, dervishë, baballarë, vaisë dhe teologë. Ata janë të shumtë e të shpërndarë në trevat shqiptare dhe cilido i interesuar mund të gjejë në këto mbishkrime të dhëna të sakta në përpilime historikësh dhe hartime monografish. Njëkohësisht në këto mbishkrime gjenden të dhëna edhe për protagonistë të rangjeve e natyrave të ndryshme, përmenden emra mirëbërësish që një pjesë të pasurisë së tyre e përkushtuan në vepra mirëbërësie, përmenden emra dijetarësh islamë dhe mësuesish që në kohën kur jetuan rezatuan kulturën dhe dijet islame, përmenden emra vjershëtorësh, vizatuesish kaligrafë, kronikanë, meteorologë dhe mjeshtërish me të mirënjohur ndër vite që derdhën talentin e tyre në to. E gjithë ajo plejadë e përjetësuar në këto mbishkrime përbën njerëzit më të shquar, më të ditur, që shpesh herë trajtohen si heronj dhe burra shteti, si heronjtë e luftës që pa dyshim luajtën rolin e tyre progresiv për kohën kur jetuan. Ata krijuan vlera kulturore dhe shpirtërore që u tretën në ndërgjegjen kombëtare dhe u përcollën në gjeneratat e mëvonëshme e që ndikuan në formimin shpirtëror, kulturor dhe mbarëkombëtar.
Me interes janë mbishkrimet që japin të dhëna dhe i kushtohen ndërtimit të objekteve të kultit si xhami e teqe. Secila prej tyre ka historikun e vet që dëshmojnë për lashtësinë dhe përhapjen e besimit islam në trevat shqiptare. Ndër objektet më të herëshme të kultit përmendim: Xhamia e Mbretit e vitit 1492, Xhamia e Plumbit e viteve 1552-54, e Hysen Pashës e vitit 1648, e Roshnikut e vitit 1672-73 në Berat, Xhamia në lagjen Teqe, Teqeja e Shtufit, Teqeja e Zallit në Gjirokastër, Xhamia e Rubjekës, Xhamia e Radës, Xhamia e Fatiut në Durrës, Xhamia në fshatin Shtëpanj, e Nazerishtes, e Ibaljes, e Biçakçiut, teqe e Sheh Rukës dhe teqe e madhe në rrethin e Elbasanit, Xhamia e Kaikut, e Haxhi Alushit, e Kubiljes dhe kulla e Sahatit në qytetin e Kavajës, të disa Xhamive e teqeve në rrethin e Krujës, të xhamive të Libohovës, të Peqinit, të Përmetit, Xhamia e Zajmit, e Prezës, e Et'hem Beut në rrethin e Tiranës, Xhamia e Pashallarëve, e Kaninës, e Kërkovës në rrethin e Vlorës, Xhamia e Selvisë, e Tophanes, e Ndocajve, e Perashit, e Plumbit, e Dudasit, e Zdrales, e Kryeurës në rrethin e Shkodrës.
Në mbishkrime janë shënuar edhe ngjarje të përmasave më të vogla e lokale si sëmundje e veçanërisht kolera, tërmete p.sh. ai i Durrësit në vitin 1824, zjarre në Berat 1905.
Përveç vlerave të tyre si objekte kulti dhe monumente kulture, ato kanë qenë qendrat me të rëndësishme të atyre kohëve, sepse pranë tyre funksionuan shkolla e biblioteka. Njëkohësisht nëpërmjet njohjes së historikut të këtyre objekteve gjykohet për zhvillimet urbanistike të shumë qyteteve të Shqipërisë. Këto objekte janë bërthama dhe zanafilla e lagjeve të vjetra të qyteteve shumica e të cilave mbanin emrat e këtyre objekteve kulti.
Të gjitha ngjarjet e rëndësishme të fiksuara në këto mbishkrime kanë shërbyer jo vetëm për përjetësimin e vetë ngjarjes apo personit, por kanë shërbyer si pika referimi dhe orjentimi për ngjarje të tjera të mëvonshme, që llogariten me distancë kohore në raport me ngjarje më të rëndësishme që vetë këto llogariteshin sipas sistemit Mu'xhem apo Ebxhedit në vitet e Hixhrit e duke luajtur njëkohësisht edhe rolin e kalendarit të kohës.
Nëpërmjet mbishkrimeve përcillen mesazhe besimi dhe shprese dhe këshilla morale që vlejtën dhe luajtën rolin e tyre jo vetëm për kohën kur ato u shkruan, por edhe për gjithë gjeneratat pasardhëse. Kryemesazhi është besimi tek Zoti, ku çdo besimtar gjen forcat shpirtërore për të përballuar çdo fatkeqësi e për të ecur gjatë gjithë jetës drejt të mirës, jepen mesazhe për vepra bamirësie e për një jetë të pastër shpirtërore.
Në mbishkrimet vërehen përpjekje për lëvrimin e prozës dhe poezisë. Në to gjendet një shumëllojshmëri rimash (më të përdorshmet kanë qenë rimat AABA, AAAA, ABBB, ABCB, në strofat katër vargjëshe, si edhe rimat AABACADA, ABCDDB, ABCBDB, AABACA, ABCDDBEB e të tjerë që praqesin interesa dhe sfera studimi), vargjesh (më i përdorur është vargu destik por vërehen edhe forma të tjerë vargjes 4, 6, 8 dhe 12 rrokësh) dhe një mori e tërë figurash letrare, e veçanërisht metafora e krahasimi që pa dyshim dëshmojnë për vlera dhe arritje në këtë fushë. Në disa prej tyre vijnë vargje të poetëve të lindjes, të Saadiut dhe Rumiut gjë që dëshmon se këta poetë janë njohur prej kohësh në Shqipëri.
Mbishkrimet përbëjnë një fushë pjellore studimi për gjuhëtarët dhe leksikologët e gjuhës shqipe. Në to jepet një material i konsiderueshëm në drejtim të njohjes së të folmes së kohës si edhe në fushën e toponomanistikës dhe antroponimisë. Mbishkrimet e shekullit XIX dëshmojnë se teknikat e shkrimeve dhe përvetësimi i gjuhëve orientale arriti nivele përsosmërie.
Mbishkrimet janë paisur me shënime dhe shpjegime nga ana e autorit. Me saktësi precizohen vendet ku janë gjetur dhe ndodhen sot, jepen hollësi për materialin e përdorur dhe teknikat e shkrimit. Fushat e tyre në përgjithësi paraqiten të thjeshta por ka edhe përpjekje për realizimin e vlerare artistike. Në disa prej tyre janë bërë vizatime të thjeshta si lule, gjethe, zogj, kuanj, simbole fetare, është përdorur teknika e dekoracionit, me vija të drejta, paralele e të thyera, rrathë zbukurimi dhe forma gjeometrike. Këto na japin mundësi të gjykojmë dhe të hidhet dritë në zhvillimet që ka pësuar arti figurativ islam ndër shekuj. Nëpërmjet krahasimit të mbishkrimeve në kohë gjykohet për një përsosje drejt një kaligrafije me vlera artistike. Është përdorur shkrimi elegant i tipit tah'likdhe thuhuthit. Shkronjat janë të drejta apo të pjerrëta, të madhësive të ndryshme e në harmoni me sfondin e shkrimit. Teknikat e ngjyrimeve janë në përsosje e të shumëllojshme me parapëlqim ndaj ngjyrave të ndezura, të kuqe e gri, por edhe me nuancë e tonacione harmonike.
Në lidhje me këto mbishkrime Vexhi Buharaja theksonte: “Nga koha e sundimit osman kanë mbetur në vendin tonë mjaftë mbishkrime në gjuhën turke dhe arabe (ndonjësosh edhe në atë persiane), kryesisht në qytetet ku këto gjuhë u lëvruan në atë kohë si gjuhë kulture”.
Me studimin e këtyre mbishkrimeve u muarën studiues të huaj si Ippen, Babinger e ndonjë tjetër. Nga shqiptarët botuan rastësisht ndonjë mbishkrim si H. Korbi e P. Pepo. Por puna e bërë deri tani në këtë fushë ka qenë e kufizuar dhe rastësore, për to lipset një punë shkencore sistematike për mbledhjen dhe përgatitjen për botim.
Mbishkrimet turko-arabe fillojnë në vendin tonë nga viti 1466 me dy tekstet e shkruara në gjuhën arabe mbi rindërtimin e kalasë së Elbasanit, të deshifruara për të parën herë me ndonjë mungesë nga Franc Babinger. Pavarësisht nga disa të meta e pavarësisht nga tematika e kufizuar, mbishkrimet turko-arabe na japin të dhëna me vlera historike, të cilat edhe kur nuk përmbajnë diçka krejt të re, japin materiale plotësuese që konfirmojnë të dhënat e burimeve të tjera dhe përforcojnë ndonjë hipotezë të mundshme. Data, emra njerëzish, ndonjë e dhënë sado e mjergullt rreth jetës dhe pozitës së tyre shoqërore që hasin në këto mbishkrime, na lejojnë t’i lidhim këto persona ose ngjarje të ndryshme të historisë sonë dhe të nxjerrim konkluzione me interes historik.....
Mbishkrimet na lejojnë të ndjekim për së afërmi formimin që në fillim të pushtetit osman, e një shtrese feudalësh vendas në kuadrin e klasës sunduese feudale turke....
Një sasi relativisht e madhe mbishkrimesh turko-arabe lidhen me veprimtarinë ndërtimore në vendin tonë gjatë periudhës mbi katërshekullore të pushtimit turk. Në grupin kryesor të këtyre ndërtimeve hyjnë objektet strategjike (fortesat, ndërtesat e kultit, kulla sahati, monumente funerale, shtëpi banimi, ndërtesa institucionesh shkollore, ura, shatërvane, kroje, dhe banja.
Duke filluar që nga kreu i shek. XVI, ose më saktë që në mbarimin e shek. XV, ndërtime veprash kulti, si edhe veprash të tjera me karakter të përgjithshëm, ndërtim në çdo shekull e në çdo kohë. Kështu në 100 vjetit XV kemi midis të tjerash xhaminë e Mbretit në Elbasan, xhaminë e Mbretit në Berat (minareja); nga 100 vjeti XVI kanë mbetur xhamia e bukur e Muradijes në Vlorë, xhamia e Plumbit në Berat, ndërtuar siç vërtetohet nga kronologjia e saj në vitin 1553-54 nga Izgurliu, xhamia e Nazirishtes në Elbasan ndërtuar brenda vitit 1599, siç kuptohet nga dy shënimet që ndodhen brenda saj; nga 100 vjeti XVII ruhet xhamia e Ballejës në Elbasan (1605). Ndërtime veprash të kultit islam shohim më tepër në gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe në fillim të shek.XIX, monumente të bukura të kësaj periudhe që mbajnë mbishkrime janë xhamia e plumbit në Shkodër, ngritur nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1187 (1773-74), xhamia e Peqinit (1822-23), xhamia e bukur e Beqarëve në Berat (1827), xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, një ndër monumentet më të bukura të gjysmës së parë të 100vjetit XIX.
Monumente të jera kulturore me mbishkrime të kësaj periudhe janë : kulla e Sahatit të Kavajës (1817), kulla e Sahatit në Pezë (1858), kulla e Sahatit në Elbasan (1899), shtëpia e Bizbiqit në Berat (fillimi i 100vjetit XIX). Fakti që veprimtarinë ndërtimore me vlera artistike në vendin tonë gjatë pushtimit osman i takojmë në çdo shekull tregon se për hir të mëkëmbjes ekonomike dhe të lulëzimit relativ të qytetit, kushtëzuar këto nga rritja e forcave prodhuese të vendit, sado që kjo rritje u bë në kushte të rënda të sundimit osman, traditat kryesore të popullit tonë vazhduan edhe gjatë periudhës më se katërshekullore të pushtimit osman dhe u shprehën midis të tjerash, në një sërë veprash arkitektonike madhështore e plot dinjitet ku janë shtrirë në një njësi harmonike thellësia mendimore e arkitetktit, siguria dhe puna e hollë e dorës së mjeshtrit dhe shija e artistit.
Në mbishkrime gjejmë të dhëna të drejtëpërdrejta ose të tërthorta mbi përhapjen e islamit dhe të urdhërave asketike të islamit në Shqipëri. Po të kemi parasysh në mbishkrime ndërtesash të kultit të çerekut të parë të njëqindvjetët XVII ndeshim në ndërtime të këtilla si bashkësi islame, hatib e të tjera si këto, nuk është e vështirë të konkludojmë nga pikëpamja e burimeve epigrafike se veprimtaria islamizuese në masën e popullsisë në Shqipëri duhet të ketë nisur andej nga fillimi i qindvjetit XVII.
Nuk mund të mos na tërheqin vëmendjen në mbishkrimet turko-arabe edhe autorët e kronogrameve. Njerëz që kanë njohur me themel të tri gjuhët e kulturës islamike e që kanë zotëruar si duhet shprehitë e të vargëzuarit. Këta autorë kanë krijuar kronograme të shkathëta dhe të bukura, të paktën nga ana e formës, ndonjë sish ka edhe pretendime etike. Veprimtaria e autorëve të kronogrameve në gjuhën turko-arabe merr fund andej nga vitet 80 të shek.XIX, e duhet të shpjegohet veç të tjerash edhe me fillimin e përhapjes në atë kohë edhe të shqipes së shkruar, e cila zuri të ngushtonte përditë e më shumë rrethin e përdorimit të turqishtes nga ana e njerëzve të mësuar në vendin tonë.
Me ndërtimin e fortesës së Elbasanit lidhen dy mbishkrime, që të dy në gjuhën arabe (i dyti me ndonjë fjalë persisht), që kanë arritur gjer në ditët tona e që janë mbishkrimet më të herëshme që njohim gjer më sot në gjuhën turko-arabe në vendin tonë. Është meritë e orjentalistit të shquar gjerman, të ndjerit Franc Babinger, që këto mbishkrime iu bënë të njohur publikut dhe njerëzve të shkencës. Ai është i pari që i deshifroi dhe i studioi ato.
Mbishkrimi nr. 1 duhet të kundrohet si më i rëndësishëm, qoftë nga pikëpamja e karakterit të tij, si të themi zyrtar, qoftë nga të dhënat që jep. Në këtë mbishkrim është dhënë emri i inisiatorit të rindërtimit të fortesës, emri i fortesës, trajta ortografike (trajta më e herëshme) e fjalës që tregon këtë emër, viti i ndërtimit, koha që mori ky rindërtim dhe tërthoraz edhe pasiguria e sulltanit lidhur me fatin e ndërtesës.
Rindërtimi i fortesës brenda një kohe kaq të shkurtër tregon atë që kanë thënë autorë të ndryshëm, të hershëm e të vonshëm, që nga Barleti e gjer te Babingeri, se fortesa e Elbasanit u ngrit mbi gërmadhat e një vendbanimi, më të lashtë, të cilin këta autorë e quajnë me emrin Valm, ose qyteti i Valmave-urbsvalmarum (Barleti) ose thjesht qytet-civitas (Barleti). Dhe me të vërtetë, me që lugina e Shkumbinit e rrahur nga tregtia që në kohët e lashta, përshkrohej në epokën romake nga rruga Egnatia nuk është e vështirë të mendosh ndodhjen e një qendre të banuar që në lashtësi në vendin tonë ku ndodhet Elbasani i sotëm. Këtu ndodhet skampa që përmendet nga Ptolemeu (111.13.261) dhe që shënohet në intinerarë të ndryshëm si stacion në rrugën Egnatia.
Përsa i takon mbishkrimit nr. 2, nuk më duket i drejtë pohimi i Babingerit se është fjala këtu për ndërtimin e një pjese të fortesës (eins Teiles der Testung). Teksti i mbishkrimit as e thotë hapur as e presupozon një gjë të tillë. Supozimi i Babingerit ka ardhur, siç duket, nga që ky siç pohon vet, s’ka qenë i qartë lidhur me personalitetin e Jusuf bin Abdullahut, me emrin e të cilit lidhet mbishkrimi i dytë. Megjithatë që të dyja rrasat në mbishkrim duhet të bëjnë fjalë për të njëjtën gjë, për rindërtimin fortesës së Elbasanit në tërësi. Jusuf bin Abdullahu, mbishkrimit të dytë nuk duhet të veçse Sinanudin Jusuf bin Abdullahu, i quajtur edhe Atik Sinan, një nga arkitektët më të njohur të shek. të Fatiut. Me emrin e këtij arkitekti është i lidhur ndërtimi i mjaft veprave arkitektonike me karakter kulti dhe shoqëror, duke përfshirë këtu edhe të famshmen Xhami të Fatiut në Instambul. Pra, Jusufi i biri i Abdullahut, i mbishkrimit, nuk duhet të jetë tjetër veçse arkitekti i Fortesës së Elbasanit.
Teza mbi prejardhjen turke të emrit Elbasan është sipas mendimit tonë e vetmja e drejtë. Këtë e themi duke u mbështetur, para së gjithash, në vetë trajtën, në të cilën është gdhendur fjala në rrasën që mban mbishkrimin Ijl-basan. Kjo fjalë është krejt e shpjegueshme nga pikëpamja e gramatikës turke dhe ka një kuptim të caktuar në turqisht. Morgologjikisht fjala Ijl-basan e mbishkrimit është një kompozitë e përcaktuar, sajuar nga gjymtyrët Ijl (vend, krahinë) dhe basan (që do të thotë shtypës). Në shënimet e tij autori jep shpjegime për gjendjen fizike të mbishkrimeve dhe shqetësohet për faktin që ato janë jashtë çdo kujdesi dhe një pjesë e tyre po zhduken e dëmtohen. Ky shqetësim mbetet i pranishëm.
Bibliografi:
1- Arkivi i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam: Mbishkrimet turko-arabe.
2- Ahmet Kondo: “Vexhi Buharaja – Njeriu, poeti, dijetari”, 1995, f. 117 – 149.
3- Ibrahim Gashi: “Ndikimi islam në kronologjinë shqiptare – Kalendarët Hixhri hënor dhe Mali-Rumi”, Revista “Univers” nr. 6, viti 2004, faqe 76.