SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT - Një dokument historik me rëndësi të veçantë -

Populli ynë gjithmonë është përpjekur për të pasur një shtet të pavarur. Këto përpjekje e kanë zanafillën që në vitin 169 para Krishtit, kur mbreti ilir, Genci, u mposht dhe kryeqyteti i shtetit të tij, Shkodra, ra në duart e romakëve. Për këtë qëllim luftoi edhe Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, vepra e të cilit është e njohur për ne. Më pas vjen Ali Pashë Tepelena me orvatjet për shtetin e tij, Bushatllinjtë e me radhë. Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 Nëntor 1912, farkëtari i saj qe Ismail Qemali, në krye të patriotëve shqiptarë, i përkrahur nga miqtë më të mirë në Evropën Perëndimore.
Në Ballkan, kolonët në Stamboll e Rumani kishin bërë përpjekje të mëdha në shtypjen e materialeve, për të dëshmuar se jemi një popull me histori të lashtë, i cili nuk mund të mposhtet kurrë. Jo më pak bënë kolonët në Egjipt, SHBA e gjetkë.
Dokumenti që po botohet me këtë rast, dëshmon pikërisht për atë zjarr të fuqishëm që ndriçonte si në zemrën e Plakut të Vlorës, ashtu dhe të patriotëve të tjerë nga të gjitha trevat shqiptare, por dhe për faktin e njohur se Shqipëria i takonte Evropës Perëndimore, gjë që ish dëshmuar kohë më parë me Skënderbeun.
Rreth 40 vjet më parë, më 26 korrik 1880, z. G. J. Goschen (më vonë Lord), në atë kohë Ambasador në Kostandinopojë, u tregua mbrojtës i spikatur i çështjes së Shqipërisë, me telegramin[*] që i dërgoi Lordit Granville. Telegrami kishte këtë përmbajtje:
"Shqiptarët, si racë antike dhe e përcaktuar në mënyrë të mirëfilltë, si cilado prej të tjerave, prej të cilave rrethohen, kanë vënë re mbrojtjen e këtyre të fundit prej Fuqive evropiane dhe realizimin e aspiratave të këtyre fqinjëve për një ekzistencë më të pavarur. Ata (shqiptarët) kanë parë bullgarët të emancipuar plotësisht në Bullgari dhe të bëhen zotër të Rumelisë Lindore; kanë parë dëshirën e zjarrtë të Evropës për të çliruar nga pushtimi turk territoret e banuara nga grekët; kanë parë sllavët e Malit të Zi, të mbrojtur me këmbëngulje të vendosur nga Perandoria e madhe sllave e Veriut; kanë parë zgjidhjen e Çështjes së Orientit, sipas parimeve të kombësive si dhe zgjidhjen e Gadishullit Ballkanik, të ndarë gradualisht prej racash të ndryshme, po sipas këtyre parimeve. Por, ndërkaq, shqiptarët shohin se ata vetë nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë. Kombësia e tyre është shpërfillur dhe territoret e banuara nga shqiptarët i janë dhënë: në Veri, malazezëve, për të kënaqur Malin e Zi, që mbrohet nga Rusia; në jug, Greqisë, që mbrohet nga Anglia dhe nga Franca...
Po të ndërtohet një Shqipëri e fortë, preteksti për pushtimin e saj nga një forcë e huaj, në rastin e shpërbërjes së Perandorisë Osmane, do të ishte i papërfillshëm. Një Shqipëri e bashkuar do të bllokonte kalime të tjera për në Veri dhe Gadishulli i Ballkanit do të qëndronte në duart dhe nën kontrollin e racave që banojnë në të. Përndryshe, po të lindnin ndërlikime, shqiptarët do të na shkaktojnë vështirësira të pakapërcyeshme. Një popullatë, në pjesën më të madhe myslimane, mund të jetë shkak shqetësimesh për vendet sllave ose greke, përreth. Jam i mendimit se, sipas masës së njohjes së kombësisë shqiptare, do të pakësohen mundësitë e ndërhyrjeve evropiane në Gadishullin Ballkanik".
Ky ekspozim i rëndësishëm tregon drejtësinë e opinionit dhe largpamësinë e një burri shteti të Anglisë që, kohë më parë, jo vetëm kuptoi dhe përcaktoi kushtet shqiptare dhe qëndrimin e drejtë që duhej mbajtur lidhur me këto, por edhe parashikoi ngjarjet dhe padrejtësitë politike, që do të kondicionoheshin nga mosvlerësimi i këtyre kushteve, gjë që mund të paraqiste rrezikun e një shkëndije që do të mund të përflakte gjithë botën. Po cilët janë ky vend dhe popull, për të cilët u thanë këto?
Ndërmjet Adriatikut, Pindit, vargmaleve ballkanike, alpeve dinarike, në vijën që ndan lindjen nga perëndimi, ku historia ka përndeshjet e kaq shumë popujve nomadë dhe lindjen e shumë qytetërimeve të reja, aty, si një fortifikatë natyrore e fuqishme, shtrihet Shqipëria.** E mbrojtur nga pushtimet e huaja në të tri anët e veta nga male të larta dhe nga e ana e katërt prej detit, Shqipëria ishte e banuar fillimisht nga një racë, origjina e së cilës zë fill që në kohë të pellazgëve. Ndonëse jo e huaj ndaj qytetërimit grek, megjithatë kjo racë ruajti karakterin dhe krenarinë e saj për origjinën parahelenike. Në shekullin II para Krishtit, vendi u bë strehë për të gjitha tributë maqedonase dhe epirote të cilat, për t'u mbrojtur nga pushtimet romake, ia mbathën me ardhjen e legjioneve të Paul-Emilit. Duke parë nga jashtë, territori shqiptar duket, në njëfarë mënyre, si i padepërtueshëm por, sapo hyn brenda, vë re vende dhe peizazhe të një bukurie dhe hiri të jashtëzakonshëm. Ndërmjet dy vargmalesh të thepisur e të zhveshur, që nga jashtë duken si pak tërheqës, shtrihen lugina të hirshme dhe fusha të gjera të begatshme. Prapa brezit shkëmbor dhe të thepisur, shtrihen fusha të gjera dhe pyje të gjelbra ose bojë ari, sipas stinëve. Në anët e grykave të frikshme dhe të vargjeve të ngjeshura të maleve, ndeshesh befas me oaze të bukura, të veshura me bimësi të harlisur. Përrenj bubullitës rrjedhin furishëm nga malet e thikta dhe shndërrohen më poshtë në rrëkera të kristalta e të qeta, që gjarpërojnë nëpër lugina të parfumuara, ku ngrihen pemë të shumta, gjithmonë të gjelbërta dhe shkurre e kaçube të shpërndara në relievin ngjyrë smeraldi. Gjatë bregdetit, plazhe të kaltërta dhe të qeta si edhe gjire të thella, vizatohen nën këmbët e maleve, majat e të cilave janë të zhytura përjetësisht në retë që i shtyn era.
Kështu është vendi ku për shekuj kanë banuar shqiptarët "bijtë e shqipes". Duke pasur një lloj izolimi ata ishin quajtur, në mënyrë të përgjithshme, si maqedonë apo ilirianë, sipas tekave të pushtuesve të ndryshëm. Por ata, krejtësisht indiferentë e mospërfillës ndaj nofkave që u ngjisin, të cilat nuk ndikonin aspak mbi racën e tyre, mbi gjuhën apo mbi karakterin kombëtar, duket se nuk preokupoheshin për rëniet e perandorive ose për ndryshimet e kufijve. Gjithmonë krenarë ata ruajtën pavarësinë e tyre, nga e cila asnjë fuqi nuk mund t'i privonte...
Me gjithë konsekuencat fetare dhe pasoja të tjera që patën nga pushtimi turk, shqiptarët u mbetën besnikë dokeve e zakoneve të të parëve. Tri objektet e devotshmërisë për shqiptarin janë: nderi, familja dhe atdheu. Koncepti i nderit i është ngulitur shqiptarit që në fëmijëri. Ai pranon më mirë vdekjen se sa një fyerje, që s'ka mundur ta lajë. Nuk ka interes apo konsideratë që të vlejë, në mendësinë e tij, më shumë se sa "besa" (fjala e dhënë). Përpara kufomës së babait apo të vëllait, do të respektonte në shtëpinë e tij, edhe vrasësin, në rast se më parë do t'i kishte dhënë "besën". I huaji gëzon mbrojtjen dhe mbështetjen e të gjithë fshatit, edhe nëse vetëm njëri nga fshatarët, qoftë edhe më i parëndësishmi, do ia kish dhënë atij fjalën e nderit. Shumë pranë kësaj ndjenje qëndron ajo e dinjitetit personal. Thonë, gabimisht, se Shqipëria është vend feudal. Në të vërtetë feudalizmi është i papajtueshëm me atë ndjenjë të nderit dhe të pavarësisë personale, që është tipar i çdo shqiptari, gjer në atë shkallë sa edhe më i thjeshti ndiet i njëjtë, "man for man", me më të rëndësishmit. Bindja ndaj kryetarit është vetëm një formë e respektit, një detyrë, e fiksuar në mendjen e secilit, që në foshnjëri.
Lidhjet familjare janë tepër të forta te shqiptarët. Kryetari i familjes është drejtuesi, por jo tirani i saj. Ai drejton punët dhe zbatimin e vendimeve, të cilat merren bashkërisht. Bijtë e nipat, edhe pas martesës, vazhdojnë të jetojnë së bashku, në grup. Ka familje që banojnë nën një strehë ose në të njëjtën rrethojë, anëtarët e të cilave arrijnë në gjashtëdhjetë apo tetëdhjetë persona. Çdo krahinë e vendit përbën një shtrirje të territorit, brenda të cilit mendohet se fshatrat janë të populluara nga banorë të së njëjtës familje. Kjo sepse fjala "familje", në Shqipëri, ka një kuptim shumë të gjerë se kudo gjetkë. Me fjalën "fis" quhen një grup familjesh që rrjedhin nga i njëjti trung, ndërsa fjala "farë" tregon një lidhje më të ngushtë ndërmjet anëtarëve të një ose të disa prej këtyre familjeve. Këto lidhje familjare janë kaq të respektuara, sa banorët e një fshati, mysliman apo kristian qoftë, nuk martohen ndërmjet tyre. Titulli i autoritetit lokal i përket, si e drejtë, anëtarit më të moshuar të familjes kryesore dhe këshilltarët e tij janë nga më të moshuarit e familjeve të tjera. Në disa krahina malore të Shqipërisë Veriore, krerët e vërtetë janë "vojvodët" dhe "bajraktarët" (flamurmbajtësi) dhe Këshillin e përbëjnë të moshuarit, numri i të cilëve korrespondon në varësi të familjeve. Më pas vijnë "dovranët" (apo garantuesit) dhe "xhobarët" (një farë gjykatësi). Krerët dhe këshilltarët e tyre, në malësi "vojvodët" dhe "bajraktarët", kujdesen për interesat lokalë dhe zbatojnë ligjet. "Dovranët" mblidhen dhe konsultohen me Këshillin sa herë që është kryer ndonjë krim apo kur interesat lokalë janë në rrezik. Detyra e "xhobarëve", të zgjedhur midis familjeve më me kurajë dhe influencë, është të zbatojnë vendimet e marra nga Këshilli...
Në asnjë vend tjetër gruaja nuk gëzon më shumë konsideratë dhe influencë sesa në vendin tim. Si bashkëshorte, individualiteti i saj i nënshtrohet plotësisht autoritetit të burrit, por kjo s'ka lidhje me veprimtarinë e saj në jetën publike, pasi ajo gjithmonë dëgjohet për problemet e familjes apo të fshatit. Ajo ndihet më pak krenare për bukurinë, për prejardhjen dhe pasurinë e saj, sesa për numrin dhe meritat e të bijve, merita të cilat mendon se i takojnë asaj. Nëna me shumë fëmijë është objekt adhurimi. Me gjithë këto privilegje, gruaja shqiptare nuk shihet kurrë e pranishme në momentin e nisjes së burrit në ekspedita luftarake. Por sa herë që vendi ndodhet në rrezik pushtimi apo për shkak të çfarëdolloj veprimi arbitrar qeveritar, janë gratë të parat ato që japin alarmin dhe nxisin burrat e tyre për t'u ngritur në mbrojtje apo në revoltë.
Shqiptarët, të cilët i çmojnë shumë lidhjet familjare dhe e kanë për zemër miqësinë, gjejnë shumë mënyra për t'i forcuar këto lidhje dhe për t'i ruajtur traditat e krijuara. Për shembull, fëmija i sapolindur u tregohet kryetarit të familjes dhe gjithë anëtarëve të saj, më i vjetri i të cilëve zgjedh emrin e tij. Kur fëmija mbush shtatë ditë, të gjithë të afërmit dhe miqtë ftohen për darkë, në të cilën shërbehet edhe një lloj ëmbëlsire speciale, përgatitur posaçërisht. Një tjetër ceremoni e veçantë, që kryhet me njëfarë solemniteti është prerja e ballukeve të fëmijës gjatë vitit të parë të jetës. Për këtë, babai i fëmijës zgjedh një mik kristian, nëse fëmija është mysliman, ose anasjelltas. Flokët e prera, së bashku me një peshqesh prej ari ose argjendi, futen në një qese dhe ruhen si kujtim. Ky gjest krijon një raport afërsie shpirtërore ndërmjet familjes së fëmijës dhe mikut, dhe nëpërmjet saj lindin detyrime reciproke për të ndihmuar njëri-tjetrin edhe në raste hakmarrjesh. Kjo lloj lidhjeje nderohet shumë nga malësorët ku, si të krishterët ashtu edhe myslimanët, e kremtojnë si ditën e "Shën Kollit"...
Çdo i ri shqiptar ka një "vëlla" të adoptuar, nga e njëjta fe e tij ose të fesë tjetër, i cili konsiderohet si një anëtar i familjes dhe merr pjesë, njësoj si ata, në gëzime, hidhërime e hakmarrje. Nuk mbahet mend as edhe një rast që të tregojë se një lidhje e tillë është prishur prej armiqësisë apo tradhtisë dhe, në shumë zona të vendit, kjo gjë konsiderohet aq e shenjtë, saqë fëmijët e këtyre dy familjeve nuk martohen midis tyre. Ceremonia e krijimit të këtij raporti adoptimi ndryshon në vartësi të zonave të vendit por, normalisht, dy vëllezërit e adoptuar, pasi betohen për besnikëri në prezencë të familjarëve dhe miqve, bëjnë nga një prerje të vogël në gisht dhe i thithin gjakun njëri-tjetrit.
Qëllimi i kësaj panorame të shkurtër të zakoneve shqiptare është për të treguar se dy virtyte janë mbizotëruese në jetën e bashkatdhetarëve të mi, jo vetëm në jetën e tyre familjare, por edhe në historinë dhe në sjelljen e tyre përballë popujve dhe mbretërve, me të cilët kanë pasur marrëdhënie miqësore ose armiqësore. Këto dy virtyte: "besa në fjalën e nderit" dhe "besimi patriotik", që lidhet me dashurinë për pavarësi i kanë udhëhequr gjithmonë gjatë gjithë përmbysjeve që ka pësuar vendi i tyre. Edhe pse Shqipëria gjatë gjithë historisë së saj të gjatë është detyruar shpesh të heqë dorë nga vetëqeverimi, nuk ka braktisur asnjëherë pavarësinë e saj. Përgjatë shekujve, nën pushtimet e huaja, Shqipëria edhe u përkul, për të mos rrezikuar kështu ekzistencën e saj, por kurrë nuk ka shkelur e para betimin e besnikërisë ndaj sovranit. Ka pritur gjersa pala tjetër të shpërdoronte besimin e dhënë; kështu, e liruar nga detyrimi dhe pa harruar kurrë aspiratat e saj, ka përfituar nga rasti për të vënë në vend ata ç'ka kishte humbur.
Na duhet të kthehemi pak mbrapa në historinë e Shqipërisë për të kuptuar se si ky parim i dyfishtë ka drejtuar gjithmonë qëndrimin dhe veprimet e shqiptarit. Kur Turqia, nën Sulltan Muratin II, pushtoi vendet e tjera ballkanike, u bllokua nga qëndresa e papritur dhe heroike e shqiptarëve. Në atë kohë, kryetar i vendit tim ishte Gjon Kastrioti, i dashur e i respektuar nga të gjithë, i cili para alternativës për të vazhduar një luftë të pasigurt me forcat dërmuese të Sulltanit apo të pranonte një farë miqësie me të, zgjodhi këtë të fundit e cila, së paku, i garantonte autonominë e vendit të tij. Si një farë pengu, ai la të katër djemtë e tij në Adrianopojë, atëherë kryeqyteti i Perandorisë, dhe për 10 vjet i qëndroi me besnikëri marrëveshjes. Gjergji, më i vogli i djemve, luftërat e të cilit u bënë legjendare kur luftonte nën emrin Skënderbeg, u rrit në Oborrin e Muratit, i cili i dha një edukim të shkëlqyer dhe tregoi për të një konsideratë të madhe. Nga ana tjetër, Gjergj Kastrioti ia shpërbleu konsideratën Sulltanit, me një përkushtim të sinqertë. Por kur Gjon Kastrioti vdiq dhe Gjergji duhej ta zëvendësonte, Sulltani, përkundrazi, në vend që të dërgonte djalin e ri në Shqipëri, dërgoi trupat e tij dhe pushtoi kryeqytetin, Krujën. Pavarësia e Shqipërisë mbaroi, njëkohësisht edhe besnikëria e Gjergj Kastriotit. Duke përfituar nga disfata që pësuan turqit prej hungarezëve në Moravë, Gjergji u nis për në Shqipëri, me 300 burra. Ai u prit me një entuziazëm të madh jo vetëm nga krutanët, por nga të gjithë kryetarët e tjerë dhe u njoh si kryekomandant i Shqipërisë.
Për 30 vjet Skënderbeu mbushi Evropën me gjëmimin e armëve dhe me lavdinë e emrit të tij, në një luftë të pandërprerë kundër fuqisë turke, që deri atëherë konsiderohej e pathyeshme. Në prag të vdekjes së tij ia besoi djalin e mitur Republikës së Venedikut, i bindur se kjo ishte rruga më e mirë për trashëgimtarin e fronit dhe shpëtimin e vendit të tij. Por besimi i tij u shpërdorua pasi, në vend që ta mbronin, venedikasit ua dorëzuan vendin turqve dhe, kështu, Perandoria Osmane arriti të përfitojë me anë të një marrëveshjeje atë që s'kishte mundur ta zaptonte me forcën e armëve. Për këtë Shqipëria u detyrua të njihte sërish sovranitetin e Sulltanit dhe t'i nënshtrohej betimit për besnikëri. Që atëherë, ndonëse shqiptarët nuk hoqën dorë kurrë nga dëshira e tyre e zjarrtë për pavarësi, kanë qenë i vetmi popull ballkanik, i lidhur vërtet me Perandorinë Osmane, gjithmonë i gatshëm për ta mbështetur, gjithmonë i gatshëm për t'i dhënë dorën për ta forcuar, por edhe duke përfituar nga forca e saj. Por, kur shqiptarët e kuptuan se Turqia, në vend që të forcohej, po dobësohej dhe po shpejtonte drejt shkatërrimit të saj, atëherë u ngritën në përpjekje për të mbijetuar, duke thirrur njëzëri: "Le të vrasë veten, po të dojë! Ne kemi ndërmend të mbijetojmë!"
Lidhja e shqiptarëve me Perandorinë nuk duhet t'i atribuohet ndikimit të fesë myslimane, që ishte pranuar nga pjesa më e madhe e popullit, kur Shqipëria u pushtua nga Turqia. Arsyeja e vërtetë duhet kërkuar në një shkak më madhor interesash kombëtarë. Edhe pse nën një këndvështrim të përgjithshëm, nuk mund të mohohet ndikimi i fesë në mendësinë e popullit, po ashtu fuqia që islamizmi pati në asimilimin e kombësive. Shqipëria përbën një përjashtim nga rregulli, aq shumë i qëndrueshëm Oriental, ku feja dhe kombësia njehsohen. Në Shqipërinë Veriore, nga brigjet adriatike deri në kufirin serb, pjesa më e madhe e popullsisë është myslimane, ndërsa një pjesë e vogël kristiane; Në Shqipërinë e Jugut banojnë myslimanë dhe ortodoksë. Megjithëse të gjithë janë besnikë të feve përkatëse, shpesh të zjarrtë e të rreptë, ata nuk bëjnë dallim midis tyre për shkak të besimit dhe asnjëra nga popullsitë nuk kërkon të ketë, në këtë pikëpamje, përfitime apo privilegje...
Në rrjedhë të 50 viteve të fundit kjo gjendje pati ndryshime të njëpasnjëshme. Në radhë të parë, vdekja e Ali Pashait dhe politika dëmprurëse dhe inkoherente e pasardhësit të tij, Mahmud Nedin Pashait, si dhe ndryshimet politike e territoriale që ndodhën në Gadishullin Ballkanik, si pasojë e Luftës Ruso-Turke të vitit 1877, sollën sinjalet e para për kohë të turbullta për shqiptarët. Ngjarjet e fundit i bënë ata të kuptonin se nuk mund të përballonin të ardhmen e vendit të tyre me po atë siguri të së kaluarës. Traktati i Berlinit, që përcaktoi, si një dokument ndërkombëtar, të drejtat e kombësive ballkanike, si dhe mbrojtja e këtyre të drejtave nga Lord. E. Fitzmaurice, delegati britanik në Komisionin Ndërkombëtar të Stambollit, për hartimin e ligjit organizativ të "vilajeteve" të Turqisë në Evropë, ishin ngjarje të cilat vlejtën për të qetësuar shqiptarët, por pa i siguruar përfundimisht ata: Spektri i shpërbërjes së ardhshme vazhdonte t'i shqetësonte.
Rënia e Qeverisë së Lordit Beaconsfield dhe demonstrimi i fortë detar, i bërë me iniciativën personale të Gladston-it, me qëllim që t'i siguronin Malit të Zi transferimin e menjëhershëm të tokave të zhvatura nga Shqipëria, tronditi besimin e shqiptarëve ndaj Britanisë së Madhe. Bashkatdhetarët e mi, që kishin pasur gjithmonë besim në drejtësinë dhe asnjanësinë e politikës së ndjekur nga qeveritë liberale e veçanërisht nga ajo e Britanisë së Madhe, ishin më të preokupuar nga frika se mos braktiseshin nga kjo Fuqi, sesa nga copëtimi, që po pësonte për herë të parë vendi i tyre, qysh kur ishte aneksuar nga Perandoria Osmane. Për fat të mirë, ky shqetësim nuk vazhdoi gjatë: Goscen-i, që ishte dërguar në Stamboll si ambasador i jashtëzakonshëm (siç kam thënë edhe më lart), iu përvesh mbrojtjes së të drejtave dhe të interesave të popullit shqiptar. Premtimet gojore ai ia dha bashkatdhetarit tonë Abedin Pashait, atëherë ministër i Jashtëm, dhe raportet e tij zyrtare me Do[ing Street, kishin cilësinë të qetësonin edhe më skeptikun e shqiptarëve në lidhje me orientimet e vërteta politike të Qeverisë Britanike dhe mbi dëshirën e saj për t'i dhënë të drejtën popullit tonë...
Abdyl Hamiti, shqetësimi kryesor i të cilit ishte gjithmonë sigurimi i vetvetes, qysh në rini kishte çmuar karakterin e ndershëm të shqiptarit dhe, si zakonisht, kishte bërë ç’qe e mundur për të përfituar nga ky fakt. Sigurimi i tij, pallati, madje edhe haremi, u ishin besuar shqiptarëve. Nëpër ministra dhe në detyra civile e ushtarake, shqiptarët zinin pozitat më të larta dhe më të rëndësishme. Por, me gjithë këto favore, bashkatdhetarët e mi nuk hoqën dorë kurrë nga ndjenja kombëtare apo nga aspiratat e tyre të ligjshme, ndonëse kishin në konsideratë betimin për besnikëri, që të parët e tyre i kishin dhënë dinastisë osmane. Gjatë këtij sundimi mbi 30-vjeçar, shqiptarët nuk humbën asnjë çast të volitshëm për të treguar dëshirën e tyre për të qenë siç ishin para sundimit osman. Ngjarja më e vogël politike që ndodhte në Lindje, asnjëherë nuk kaloi pa jehonë në Shqipëri, ku njerëzit mbushnin si sheshet e qyteteve, ashtu edhe ndonjë qafë mali, të largët e të padepërtueshme, për të diskutuar çështjet e ditës e për t'i paraqitur Sulltanit drejtpërdrejt kërkesat e tyre. Duhet pohuar se Abdyl Hamiti ndiqte personalisht, e në mënyrë të veçantë, çdo lëvizje shqiptare dhe, ndoshta për arsye personale apo politike, nuk ndodhte kurrë që të mos u kushtonte një kujdes serioz kërkesave dhe sedrës së tyre.
Faza e fundit e çështjes së Maqedonisë dhe vendimi që mori Evropa në lidhje me organizimin e këtij rajoni, i bëri shqiptarët të druhen për prekjen e njësisë së tyre kombëtare. Pikërisht, në këtë çast kritik, xhonturqit kërkuan ndihmën e shqiptarëve për të vënë në zbatim programin e tyre politik i cili, në fillim, nuk dukej se binte ndesh me aspiratat kombëtare shqiptare dhe që parashikonte bashkimin e të gjithë elementëve të ndryshëm etnikë nën të njëjtin flamur drejtësie dhe barazie, duke i dhënë, në këtë mënyrë, "checkmating" smirës së të huajve.
Më 15 korrik 1908, u mblodhën në Ferizoviç 10.000 shqiptarë të armatosur, nga ku i dërguan Sulltanit telegramin e famshëm, i cili bëri tek ai përshtypjen më të madhe se sa protestat e të gjithë turqve dhe të të gjitha përfaqësive diplomatike të Evropës.
Telegramit që iu dërgua Muhijeddin Beut, të ngarkuarit të punëve turke në Paris, më 22 korrik, ku kërkohej "bashkëbisedimi me Ismail Qemal beun" për një përgjigje të menjëhershme, iu përgjigja duke këshilluar Madhërinë e Tij, që të shpallte pa asnjë vonesë Kushtetutën, që do të ishte i vetmi ilaç efikas e mjet i sigurt për të grumbulluar rreth fronit të tij, të gjithë popujt e Perandorisë. Nga ana tjetër, meqë njihja mirë qëllimet dhe mendësinë e turqve të rinj, po aq mirë sa shtysat e orientimeve politike që ata ndiqnin, këshillova Sulltanin që të merrte të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar një mësymje aventurierësh kundër pushtetit, si edhe të tërhiqte, me iniciativën e tij, besimin dhe mbështetjen e popullit shqiptar. Dy ditë më vonë, Kushtetuta u shpall dhe, në përputhje me një kërkesë tjetër të Sulltanit, një relacion që ilustronte planin tim, iu dërgua atij me ndërmjetësinë e të ngarkuarit me punë.
Shqiptarët zbuluan menjëherë qëllimet e veta të Komitetit "Bashkim e Përparim" dhe u bindën për papajtueshmërinë ndërmjet synimeve të tyre politike dhe programit të Unionistëve. Me bashkim shqiptarët kuptonin grumbullimin e tërë etniteteve, nën flamurin e Kushtetutës osmane, gjë që do të kishte forcuar Perandorinë me bashkimin e popullatave të ndryshme, ku garantohej qenia kombëtare e secilës. Komiteti, përkundrazi, synonte vetëm që të bashkonte racat e ndryshme duke i detyruar ato të mohonin origjinën e tyre. Dhe, hap pas hapi që pozita e tyre në Qeveri konsolidohej, shtohej kështu vazhdimisht ambicia për të realizuar programin. Pasoja e parë si rezultat i vijës së tyre politike qe aneksimi i Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria dhe shpallja e pavarësisë së Bullgarisë.
Gjatë vizitës sime në Vlorë, në qytetin tim të lindjes, mora vesh, nga një burim i sigurt, se cila ishte ideja kryesore që drejtonte Komitetin dhe se si Komiteti Qendror i Selanikut kërkonte t'i zbatonte ndryshimet politike. Qëllimi i komitetit ishte të realizonte një avantazh të trefishtë:

1. të krijonte popullaritet në të gjithë vendin;
2. të diskreditonte burrat e shtetit të mëparshëm, të cilët donte t'i eliminonte me çdo kusht;
3. të përfitonte nga ky likuidim politik, për të shkëputur vendin nga influencat e huaja, me qëllim që të vihej në zbatim politika e unifikimit racial me energji më të madhe.
Sapo u ktheva në Stamboll, pata kujdesin të informoj Vezirin e Madh, Qamil Pashanë, dhe ta nxis që të mos u bëheshin lëshime të mëtejshme komiteteve revolucionare, të cilat përbënin një anomali dhe një rrezik të madh për konsolidimin e një qeverie të rregullt. Por, për fat të keq, Veziri i Madh i moshuar, bëri gabimin që t'i përdorte këto argumente si një gogol për të trembur Sulltanin.
Komiteti, që sa vinte e bëhej më agresiv, pa pritur përfundimin e bisedimeve me Austro-Hungarinë e Bullgarinë, me një coup de main mori në dorë pushtetin. Akti i parë i Qeverisë Unioniste ishte shpallja e ligjit të ashpër kundër bandave të armatosura, qëllimi i vetëm i të cilit ishte përligjja e një atentati kriminal kundër Shqipërisë. Xhonturqit, të cilët mendonin se shqiptarët ishin thjesht një popullatë myslimane pa asnjë ideal politik, përveçse dëshirës për të mos paguar taksat, kishin bindjen se, me anën e dinakërisë dhe forcës, do t’i zbusnin këta dhe do t'i shndërronin në osmanë të zakonshëm e kjo do të shërbente si shembull për kombësitë e tjera. Me këtë shpresë xhonturqit organizuan, në më pak se dy vjet, katër ekspedita kundër Shqipërisë. Por shqiptarët, të cilët në shekujt e kaluar u kishin rezistuar shumë perandorive dhe që nuk kishin rënë në gjumë as gjatë sundimit të Abdyl Hamitit, nuk u trembën nga këto përçapje. Përkundrazi, politika agresive e xhonturqve nuk bëri gjë tjetër veçse përfitoi majanë që ringjalli e lulëzoi sërishmi ndjenjat kombëtare shqiptare. Disa suksese të pjesshme të gjeneralëve Xhavid e Shefqet shërbyen vetëm për t'i dhënë prapë zjarrin hirit të revoltave.
Sidoqoftë shqiptarët, entuziazmi i të cilëve ka qenë gjithnjë i frenueshëm, edhe në këto momente kritike dhanë prova vetëpërmbajtjeje dhe largpamësie politike. Ndërsa gjaku i tyre derdhej lumë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, me cilësinë time si leader, bashkë me kolegët e mi shqiptarë, bëra ç'ishte e mundur, qoftë në seancat parlamentare, qoftë duke folur privatisht me ministrat, për ta risjellë qeverinë dhe parlamentin në vete dhe në binarët e detyrës patriotike, duke ilustruar ndjenjat e vërteta të shqiptarëve kundrejt Sulltanit e Perandorisë dhe duke shpjeguar rrezikun e një lufte pa kuptim. Por paralajmërimet tona të sinqerta nuk u dëgjuan.
Në verën e vitit 1911 vajta në Cetinë për t'u bashkuar me krerët e malësorëve që, bashkë me familjet e tyre, kishin gjetur strehim në Mal të Zi, për shkak të kërcënimeve nga Shefqet Pasha. Më pëlqen të shpreh këtu mirënjohjen ndaj Mbretit Nikolla, i cili më ndihmoi në misionin tim dhe me mikpritje miqësore, me mirësjellje dhe humanizëm ndihmonte në familjet refugjate shqiptare, që ishin strehuar në Mal të Zi. Pas një qëndrese burrërore, në një kuvend të mbajtur në Gërçe, të gjithë delegatët malësorë nënshkruan një memorial, të propozuar nga unë, që përmbante kërkesat kombëtare në 12 pika, duke ritheksuar, njëherësh, sigurimet për mosndarje nga Perandoria Osmane. Fatkeqësisht, kjo periudhë paqeje nuk vazhdoi shumë. Parlamenti i ri, i zgjedhur për të forcuar pozitën e qeverisë së xhonturqve, rifilloi lojën e marrjes me njërën dorë atë çka kishte dhënë me tjetrën një ditë më parë.
I shqetësuar për këtë qëndrim të ri të Portës dhe i bindur se Lufta italo-turke do të çonte në një konflikt të përgjithshëm në Ballkan, që do të përfshinte Shqipërinë në çdo anë, u dërgova prej Nice, ku po jetoja, nga një qarkore të gjitha qendrave të Shqipërisë, duke u kujtuar për nevojën e ngutshme për të qenë gati për çdo rast. Këto parashikime të zymta dhe fermenti që zgjoi lufta e Tripolitanisë, bënë që, në mënyrë të pashmangshme, të shpërthente një kryengritje e përgjithshme në mbarë Shqipërinë. Këmbëngulja e ashpër e xhonturqve, në prirjen e tyre për të shkrirë kombësitë, e forcoi qëndresën tonë dhe na detyroi të luftojmë për ekzistencën etnike. Ashtu siç ishim të sfiduar e të goditur deri në cënimin e mbijetesës tonë si popull, edhe pse e kuptonim fare mirë se ajo luftë ishte në kundërshtim me dëshirën tonë për të qenë në krah të Perandorisë, a nuk kishim të drejtë, vallë, të mendonim për shpëtimin tonë? Kryengritja e përgjithshme dhe hyrja triumfale e krerëve tanë në Shkup i dha fund pushtetit lakmitar e kriminal të xhonturqve dhe shkaktoi shpërndarjen e Parlamentit. Si u arritën qëllimet tona patriotike, u rikthyem te besnikëria ndaj Perandorisë.
Veziri i Madh, Qamil Pasha, këmbëngulte të rrija pranë tij, duke më ofruar një portofol në qeveri. Në rrethana të tjera do të kisha pranuar një post të tillë të nderuar me shumë kënaqësi, por një detyrë më e lartë bëri që ta refuzoj. Vendi im nuk ishte më atje dhe më duhej t'i ofroja shërbimet e mia krejtësisht Atdheut tim. Qamil Pasha, së fundi, u tërhoq duke pranuar arsyetimin tim për veprimet urgjente që duheshin kryer, për të cilat ai, edhe pse i dinte, nuk ishte në gjendje të bënte dot asgjë, ndaj u ndamë me keqardhje të përbashkët. Gjatë kthimit, mbërrita në Bukuresht, ku ndodhet një koloni e gjerë shqiptare. Si rezultat i një mbledhjeje që u mbajt aty, 15 bashkatdhetarë vendosën të ktheheshin me mua në Shqipëri. Telegrafova në të gjitha anët e Shqipërisë, për të lajmëruar mbërritjen e afërme në Atdhe dhe se kishte ardhur çasti për të realizuar aspiratat tona kombëtare. Kërkova, njëkohësisht, që të dërgoheshin delegatët nga të gjitha vendet në Vlorë, ku do të mbanim një Kuvend Kombëtar.
Në Vjenë mora një telegram nga një mik prej Budapesti, i cili më ftonte për të shkuar atje, për t'u takuar me një person me pozitë të lartë. Njeriu i parë që vizitova në Budapest ishte Konti Andrassy, nëpërmjet të cilit takova Kontin Hadik, mikun e tij të vjetër dh ish-nënsekretarin e tij të Shtetit, i cili më thotë se personi që donte të më takonte ishte pikërisht Konti Berchtold, me të cilin u takova po atë mbrëmje në shtëpinë e Kontit Hadik. Shkëlqesia e Tij miratoi opinionet e mia për çështjen kombëtare dhe u tregua i gatshëm për të mbështetur kërkesën time të vetme, duke vënë në dispozicion një anije, që të më çonte në portin e parë shqiptar, para se të mbërrinte ushtria serbe.
Meqë Vlora ishte bllokuar nga flota greke, pata kënaqësinë të zbrisja në Durrës. Aty gjetëm dy anije luftarake greke, që po na prisnin që një natë më përpara. Kapiteni i anijes ishte tepër i shqetësuar për ne, jo pa arsye, dhe ne e kuptonim mirë këtë gjë. Por oficeri grek, që hipi në bord, mbas një kontrolli të hollësishëm, gjatë të cilit nuk gjeti gjë tjetër veçse ndonjë armë personale të shokëve të mi, më lejoi të zbrisja në tokë, ndërsa anija vazhdoi udhëtimin e saj.
I gjetëm banorët e Durrësit tërësisht të painformuar për ngjarjet që po ndodhnin. Të gënjyer nga lajmet e pakta që u vinin nga kanale plot paragjykime, ata kujtonin se ushtria turke ishte duke fituar, se kishte pushtuar Filipopolin (Plovdiv) dhe se po marshonte drejt Sofjes e Belgradit. Ata s'kishin as idenë më të vogël që serbët i kishin te porta. Arritja jonë provokoi një lloj nervozizmi në qytet, nxitur nga elementët turk, të ndihmuar edhe nga një pjesë e popullatës, emigrantë boshnjakë, të cilët hapën fjalë se ne ishim agjentë provokatorë. Megjithatë, kjo gjë nuk pengoi Durrësin dhe rrethet e tij që të emëronin delegatët për Kuvendin Kombëtar, të cilët u nisën së bashku me mua dhe grupin e vogël të shqiptarëve të Bukureshtit, për në Vlorë.
Udhëtuam me kuaj dhe, para se të mbërrinim te qëndresa jonë e parë, mora vesh nga një person i parisë së vendit, i cili erdhi e më takoi, se Kryekomandanti turk i Janinës i kishte telegrafuar xhandarmërisë lokale për të më arrestuar e për të më çuar në Shtabmadhori. Për këtë shkak, ndërruam rrugë dhe e kaluam natën në një fshat tjetër. Të nesërmen në mëngjes, shefi i xhandarmërisë, që duhej të më arrestonte, erdhi te ne për të më prurë një telegram nga i njëjti komandant i Janinës, ku u kërkohej autoriteteve lokale të na prisnin me nderime dhe të na ofronin çdo ndihmë për rrugën tonë. Megjithatë, ky fakt nuk na qetësoi pasi, në të kundërt, vërtetoi lajmet alarmuese që kishim dëgjuar një natë më parë. Kështu, duke iu shmangur rrugës, në të cilën na survejonin, vazhduam udhëtimin nëpër shtigje më të sigurta dhe, më në fund, arritëm në Vlorë, ku pritja ishte krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit. Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin tim të lindjes dhe entuziazmi i njerëzve e gëzimi na shoqëruan kudo. Shumë shpejt u rrethova nga 83 delegatë, myslimanë e të krishterë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, qofshin këto të pushtuara ose jo nga ushtritë ndërluftuese.
Kuvendi u hap menjëherë. Në mbledhjen e tij të parë, 15/28 nëntor 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Në një moment mbledhja u ndërpre dhe delegatët dolën nga salla për të ngritur, në shtëpinë time të lindjes dhe ku kishin jetuar të parët e mi, nën thirrjet e mijëra njerëzve, Flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, që kishte fjetur i palosur 445 vjet. Ishte një çast i paharrueshëm për mua dhe duart më dridheshin nga shpresa dhe krenaria teksa vendosja në ballkonin e shtëpisë së vjetër Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Më dukej sikur shpirti i atij Heroi të pavdekshëm kalonte atë moment si zjarr i shenjtë, mbi kokat e njerëzve, që brohorisnin.
Mbas rifillimit të mbledhjes, u zgjodha Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, me mandatin për të formuar Këshillin e Ministrave. Por, duke hequr dorë nga ky privilegj, e quajta të arsyeshme që edhe ministrat të zgjidheshin nga Kuvendi dhe rezervova vetëm ndarjen e portofolave. Pas formimit të Qeverisë, Kuvendi zgjodh 18 anëtarë që do të formonin Senatin. Formimin e Shtetit të ri ua bëra të njohur Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë, me anën e këtij telegrami:
“Asambleja Kombëtare, e përbërë nga delegatë nga çdo anë e Shqipërisë, pa dallim feje, e mbledhur sot në qytetin e Vlorës, shpalli pavarësinë politike të Shqipërisë dhe formoi një Qeveri të Përkohshme, që u ngarkua me misionin e mbrojtjes së të drejtave të popullit Shqiptar, kërcënuar për t’u shfarosur nga ushtria serbe dhe me detyrë për të çliruar tokën kombëtare, të pushtuar nga forcat e huaja. Duke ua bërë të njohura këto fakte Shkëlqesisë Suaj, kam nderin të kërkoj që Qeveria Juaj të njohë këtë ndryshim të jetës politike të Kombit Shqiptar.
Shqiptarët, të përfshirë kështu në familjen e popujve të pavarur të Evropës Lindore, ndër të cilët krenohen se janë populli më i lashtë, nuk dëshirojnë tjetër gjë veçse të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet Ballkanike dhe të bëhen një element ekuilibri. Ata janë të bindur se Qeveria e Shkëlqesisë Suaj, ashtu si edhe gjithë bota e qytetëruar, do t’i bëjë një pritje mirëdashëse këtij akti, duke i mbrojtur nga çdo atentat kundër ekzistencës së tyre kombëtare dhe kundër çdo copëtimi të tokës së tyre”.
Tani që më ishte besuar pushteti presidencial, më zotëronte mendimi se si mund të organizoja atë shtrirje të vogël të territorit që kishte mbetur për ne dhe do t’u provoja Fuqive të Mëdha se Shqipëria ishte e aftë të vetëqeverisej dhe se e meritonte besimin e Evropës. Për sa i përket Sovranit të ardhshëm, interes i çastit nuk ishte më tepër në zgjidhjen e personit, se sa të vendosej nëse ishte më i përshtatshëm një princ kristiano-evropian apo mysliman. Mendimi im ishte vendosmërisht për një kristiano-evropian dhe për këtë kisha mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, si dhe nga konsideratat politike që kishim marrë në shqyrtim. Vetëm një sovran perëndimor do të kishte mundur të na drejtonte, siç duhet, në familjen e madhe evropiane, në të cilën po hynim. Çështja e fesë nuk ndikonte në këtë preferencë, meqë të tria kultet që praktikohen në vendin tonë: mysliman, katolik apo ortodoks kanë liri të plotë, pa mundësira për rivalitete apo për egërsira të njërit në dëm të tjetrit.
Porta e Lartë, sapo mori njoftimin tonë për Pavarësi, u deklarua kundër aspiratave tona. Veziri i Madh, duke iu përgjigjur telegramit tim, kërkoi të na impononte si sovran, një anëtar të familjes perandorake osmane. Sipas tij, shpëtimi i Shqipërisë do të realizohej vetëm nëse kjo do të bëhej një vasale e Perandorisë. “ Në cilën fuqi, - na pyeste ai, - shpresonim të mbështeteshim? Tek Austria? Tek Italia? – Mos harro, - shtonte, - shembullin e Krimesë, pavarësia e së cilës, nën protektoratin e Rusisë, nuk ishte veçse preludi i një nënshtrimi tërësor”. Iu përgjigja se Shqipëria nuk do të mbështetej as tek Austria, as tek Italia, por tek e drejta e shqiptarëve për të ekzistuar dhe për të pasur një kombësi të vetën, si edhe te detyra e Fuqive për të respektuar kombësitë. Shtova se Turqia nuk do të mundë të ishte veçse një avokat i keq i çështjes së kombësive të lira dhe se Shqipëria do të preferonte të mbronte vetë kauzën e saj; po, nga ana tjetër, kur të realizohej çështja e saj, do të bënte çmos që gjendja e re të mos bëhej pengesë për marrëdhënie të mira me Portën e Lartë. Kështu, përfundoi, siç mund ta quaj, Kandidatura e parë e fronit shqiptar, e cila u pasua nga kandidatura të tjera, që nuk ngriti peshë për shqiptarët, të cilët kishin mbështetur besimin e tyre te Fuqitë e Mëdha.
Me gjithë qëndrimin e Portës dhe kërcënimin e ushtrisë turke, e cila ende mbante të pushtuar një pjese të vendit, ia kushtuam të gjithë kohën organizimit të administratës dhe mbajtjes së rregullit në territorin e lirë. Heshtja e Fuqive të Mëdha dhe indiferentizmi i tyre përkundrejt pushtimeve dhe shkretimeve të vendit tonë prej serbëve, ndërkohë që Greqia na kishte bllokuar dhe bombardonte Vlorën dhe rivierën, na zhgënjeu thellësisht. Më pas, flota greke preu kabllin, që ishte i vetmi kanal komunikimi me botën e jashtme, duke mbetur kështu plotësisht të izoluar dhe pa asnjë njoftim për çka ndodhte përtej kufijve tanë.
Një mbrëmje, andej nga fundi i marsit të vitit 1913, mësuam se një anije, nën flamurin britanik ishte ankoruar në port dhe kishte lajmëruar se bllokada ishte ndërprerë...
Në Vjenë, Konti Berchtold, që në takimin e parë më la të kuptoja se sa të pakta ishin shpresat që Shqipëria, me gjithë të drejtat e saj dhe përkushtimin për t’u çliruar, të lejohej për të ruajtur integritetin territorial. Qe një goditje e rëndë për mua, por më e keqja pritej të vinte, sepse ditën që u nisa nga Parisi për në Londër , më erdhi lajmi i dorëzimit të Shkodrës malazezëve, nga ana e Esad Pashës. Disfata, që ndodhi pikërisht kur Flota e Gjashtë Fuqive të Mëdha po përgatitej që të manovronte për ta detyruar Mbretin Nikolla të tërhiqte rrethimin, rrezikoi integritetin dhe, ndoshta, edhe vetë ekzistencën e Shqipërisë. Për këtë shkak, problemi i kandidaturës për fronin ra në vend të dytë dhe të gjitha sforcimet e mia iu kushtuan çështjes tokësore.
Sapo mbërrita në Londër, po atë mbrëmje, ndjeva një kënaqësi duke u gjendur sërishmi në atë atmosferë të ngrohtë, me të cilën isha pritur gjithmonë në atë vend, dhe m’u përtëritën forcat për ndeshjet politike në favor të të drejtave të popujve të Lindjes. Simpatia e sinqertë që paraqiti shtypi dhe opinioni publik britanik, kundrejt çështjes sonë kombëtare, si dhe pritja e përzemërt që më rezervuan ministrat dhe politikanët e atij vendi të madh, më bënë të shpresoj se të drejtat tona të padiskutueshme të cilat, në përgjithësi, nuk binin ndesh në asnjë drejtim me interesat politike të Evropës dhe, në veçanti, as me fqinjët tanë, do të njiheshin nga konferenca. Kurrë nuk u ishte besuar këtyre Fuqive një detyrë kaq fisnike; kurrë një zgjidhje nuk kishte qenë kaq e domosdoshme dhe asnjëherë nuk kishim pasur kaq shumë shpresa sa në ato çaste kur, për herë të parë, ishin thirrur këto Fuqi për të krijuar një Kongres, detyra e të cilit ishte jo vetëm për të pajtuar interesa në kundërshtim me njëra-tjetrën, por edhe për të vepruar si një Gjykatë e Lartë ndërkombëtare e drejtësisë.
Sipas meje, ndër të gjitha argumentet që trajtoi Konferenca mbi Ballkanin, më kryesori, më interesanti e, sidomos, më esencialisht evropiani, ishte ai i Shqipërisë. Nuk u duk e mundimshme të shpresonim se një popull, që meritonte interesimin për lashtësinë e vet, për vlerën dhe shërbimet që i kishte bërë Evropës, në fillim duke e mbrojtur nga pushtimet turke, më pas duke pranuar privime për vete, të cilat i shërbyen ekuilibrit evropian, një popull i tillë, pra, e kishte me hak të bëhej zot i shtëpisë së tij dhe të fitonte pavarësinë kombëtare. Shqiptarët, të çliruar nga zgjedha turke, e cila i kishte bërë, gjatë shekujve, më shumë viktima se sa instrumente të saj, do të kishin qenë të lumtur të rifitonin lirinë dhe pavarësinë, pra qetësinë që e dëshironin aq shumë. Ata s’kishin kërkesa e pretendime të tjera. Ata donin që rigjenerimi të përfshinte të gjithë popujt ballkanikë, si edhe ata vetë; që urrejtja dhe zilia të merrnin fund; që të gjitha të drejtat e ligjshme të bëheshin të shenjta dhe që çdo veprim dhe ambicie e padrejtë të dënohej nga një garanci, që do të kishte solidaritetin e Fuqive të Mëdha. Të sigurt në legjitimitetin e kërkesave tona, prisnim, me besim të plotë, vendimin e Konferencës së Fuqive.
Por simpatia që më treguan gjatë misionit tim, qe i vetmi ngushëllim për zemrën e plasur të Shqipërisë, kur mësuam vendimet që mori Konferenca e Londrës. Më shumë se gjysma e territorit të vendit tim iu dha Serbisë, Malit të Zi e Greqisë. Qytet më të lulëzuara dhe rajonet më prodhimtare na ishin shkëputur. Shqipërisë i kishin mbetur, në përgjithësi, zonat më të thata dhe më shkëmbore. Kështu, të përplasur edhe një herë në një dëshpërim të thellë dhe me vizionin e një të ardhmeje kaq të errët për vendim tim që posa kishte rilindur, na mbeti ngushëllimi që të dëgjonim se duhej të sakrifikoheshim për interesat e përgjithshme të Evropës. I nënshtruar fatit, por jo me kurajë të humbur, u riktheva në atdhe, i mbajtur vetëm nga mirazhi se kushte më të favorshme do t’i lejonin Shqipërisë në të ardhmen që të realizonte aspiratat e saj të ligjshme.
Me kthimin tim në Vlorë, në qershor 1913, Qeveria e Përkohshme dyfishoi energjitë e veta për organizimin e vendit dhe vendosjen e rendit. Ishte një detyrë që dukej e pamundshme, por që lehtësohej nga karakteri i shqiptarit, durimi i të cilit, urtësia dhe patriotizmi i pashtershëm, në mes të gjithë këtyre ngatërresave e shqetësimeve, nuk mund të çmohet aq sa duhet. Janë pikërisht këto virtyte që i dhanë mundësi Qeverisë sime të vendoste stabilitetin shtetëror dhe të siguronte një administratë normale, në një vend me kufij të papërcaktuar, ku propaganda subversive synonte të provokonte çrregullime dhe ku vendimet evropiane pritnin vazhdimisht zbatimin e tyre.
Por, me gjithë këto rezultate të kënaqshme, duke qenë se çështja e Sovranit nuk po zgjidhej akoma, e ardhmja paraqitej e errët dhe e pasigurt. Për këtë arsye, u drejtova një apel urgjent Fuqive, pak a shumë në këto shprehje:
“Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë, edhe pse ka luftuar për njëmbëdhjetë muaj, përmes vështirësish të panumërta, duke qenë e aftë të sigurojë rendin dhe sigurinë relative në një vend të molepsur nga të gjitha anët prej armiqve, të përbetuar për ta shkatërruar atë, nuk kërkon t’i njihet asnjë meritë, gjë e cila i takon, pa diskutim, patriotizmit dhe durimit të popullit shqiptar.
Por kjo gjendje e përkohshme s’mund të vazhdojë përjetësisht, pa u ndeshur me vështirësi të pakapërcyeshme. Ne jemi të mendimit se durimi i popullit ka kaluar çdo kufi dhe për këtë nxitojmë t’ju kërkojmë që Qeveria Juaj të marrë në konsideratë dëshirën unanime të popullit dhe të Qeverisë për caktimin dhe vendosjen në fron të një Sovrani, prezenca e të cilit do të mjaftonte për të bashkuar të gjitha klasat e popullsisë në veprimtarinë e konsolidimit të Shqipërisë dhe të riorganizimit të administratës së saj.
Duke pasur besim që fuqitë garante do të marrin në konsideratë të thellë kërkesën tonë, Qeveria e Përkohshme është e gatshme të japë kontributin e saj për të shpejtuar evenimentin fatlum që shqiptarët e presin me aq padurim”.
Menjëherë pas dërgimit të këtij telegrami, emri i Princ Wied-it u përmend, për herë të parë, i lidhur me emrin e Shqipërisë, ndërkohë që filluan të dëgjoheshin zëra për kandidaturën e tij...
Megjithatë, edhe pse gjithçka u përgatit, Princ Wied-i as që ndihej i interesuar për çështjen e Shqipërisë. Edhe pse e prisnim çdo ditë; edhe pse nisja e tij ishte lajmëruar, prapë ai s’po vinte. Kjo vonesë, e pashpjegueshme, u shfrytëzua nga xhonturqit, që rifilluan me hov më të madh se më parë fushatën në favor të një princi turk. Atëherë iu drejtova Komisionit të Kontrollit, duke e lutur që të ndërhynte pranë Fuqive të Mëdha, për nevojën urgjente të kurorëzimit të Sovranit të ri. Nëse arsye të veçanta e serioze shkaktonin vonesën e ardhjes së Princit, kërkova që një “I dërguar i posaçëm” duhet të merrte drejtimin e Qeverisë në emër të tij ose Fuqitë të autorizonin Komisionin e Kontrollit të merrej me qeverisjen e vendit, për llogari të tyre. Sipas mendimit tim, vetëm një nga këto mënyra do të shërbente për të zbutur vështirësitë e brendshme dhe për t’u dhënë fund intrigave, që nxitnin krijimin e trazirave në vend. Së fundi, kërkesa ime u pranua nga Fuqitë dhe delegatët erdhën të më njoftonin se ishin të autorizuar nga qeveritë përkatëse që të merrnin pushtetin, nëse do të isha gjithnjë i mendimit për një hap të tillë. Ndërkaq, po aty, u nënshkrua protokolli që vijon:
"Sot, 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u mblodh në prezencën e Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Beut. Presidenti i Qeverisë së Përkohshme, duke qenë i bindur se e vetmja mënyrë për t'u dhënë fund çrregullimeve dhe anarshisë në vend është krijimi i një Qeverie të vetme për të gjithë Shqipërinë dhe se në kushtet e tanishme mund të arrihet vetëm nëse Ai i kalon Pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, që përfaqëson Fuqitë e mëdha, përsëriti, në prezencë të ministrave, kërkesën që i kishte paraqitur më parë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, për të marrë përsipër këtë detyrë dhe të pranojë të marrë në dorë pushtetin. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit nderon dhe ngre lart ndjenjat patriotike që kanë diktuar veprimet e Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Beut, pranon këtë delegim të pushtetit, rregullisht të autorizuar nga Fuqitë e Mëdha, dhe merr përsipër administrimin e Shqipërisë në emër të Qeverive që përfaqëson.

Vlorë, 22 janar 1914
Firmosur:
Ismail Kemal, Nadolny, Petroviç,
Krajewski, Harry Lamb, Leoni, Petriaew"



[*] "Accounts and Papers", 1880, Turkey No.15, Vol. Ixxxi
** Shtrirja dhe kufijtë e saj u përcaktuan nga Lordi E. Fitzumaurice i cili, më 1880, i shkroi Foreing Office- it, për sa vijon: " 26 maj 1880. Rajoni që nënkuptohet me shprehjen gjeografike ( Shqipëri) përfshihet, sidomos, në dy vilajetet e Shkodrës dhe të Janinës, por shtrihet edhe në drejtimin e lindjes, përtej ujërrjedhave të maleve që ndajnë rrjedhjet e ujërave që derdhen në Adriatik nga ato që derdhen në Egje dhe përmban pjesë të vilajetit të Bitolësose të Manastirit dhe të Prishtinës. Shtrirja e popullatave shqiptare në drejtimin veri-lindor, drejt Prishtinës dhe Vranjës, është me rëndësi të madhe dhe plotësisht e njohur dhe në hartat si ajo e Kiepert-it, që njihet përgjithësisht si tepër e favorshme për elementin sllavsi edhe ajo tjetra e publikuar nga Stanfordi, në interes të rivendikimeve

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme