INSTITUCIONET ISLAME TË TIRANËS

Në një variant tjetër të kësaj legjende, shkruar në shekullin e 20-të nga konsulli francez në Shkodër, A. Dëgran, ngjarjet e themelimit të këtij qyteti trajtohen në një sfond historik dramatik. Kështu, ndërsa në legjendën e mëparshme, Sulejman pashë Mulleti e fut në dorë truallin e Tiranës pa vështirësi e pa konflikte, në variantin e dytë ai e siguron sundimin e tij në këtë vend me dhunë, me dredhi, me përkrahjen e ndihmën e miqve të tij të fuqishëm në Stamboll. Autori francez na thotë se këtë qytet të ri Sulejman Pasha e quajti Tehran, për kujtim të fitores ushtarake që kishte korrur në Iran. Më vonë, thotë ai, emri Tehran, dalëngadalë u kthye në Tiranë.
Mbi themelimin e Tiranës ka legjenda, pra, në disa variante me pak ndryshime ndërmjet tyre. Në njërën prej tyre, emri i Tiranës nuk lidhet fare me atë të Teheranit të Persisë. Sipas këtij varianti, Sulejman pashë Mulleti, mbasi mori fermanin nga Stambolli për të ngritur një qytet në mes të Lanës dhe Riglatës[2], kërkonte një emër për qytetin e ri që po themelonte. Duke vëzhguar vendin, Sulejman Pasha paska ndeshur, gjithnjë sipas legjendës, një plakë që tirrte li pranë kasolles së vet buzë Lanës. Pyetjes së Sulejman Pashës se ç’po bënte buzë Lanës, plaka i qenka përgjigjur: “Po tir’anë”; përgjigja “tir’anë” e paska frymëzuar pashën e Mulletit ta pagëzojë qytetin e ri me emrin “Tiranë”.
Me interes të veçantë paraqitet edhe tradita gojore e ruajtur nga fshatarët e Benës[3]. Malësorët e Benës ruajnë kujtimin se në perëndim të Tiranës, atje ku ka qenë shtrirë fusha e aviacionit (te “21 dhjetori”) ka qenë qysh në shekullin e 15-të një qytet me emrin Tiranë. Malësorët thonë se atje ka qëndruar Skënderbeu, sa herë shkonte e vinte prej Kruje në Petrelë.[4] Këto legjenda e të tjera që nuk i përmendëm, tregojnë vetëm një pjesë të së vërtetës, sepse emri i Tiranës ndeshet shumë shekuj para ngjarjeve të Sulejman Pashë Bargjinit.

II. Islamizimi

Në trevën e Tiranës fenomeni i islamizimit në masë ndodhi aty nga mesi i shekullit të 17-të, siç dëshmohet nga raportet e relatorëve katolikë, që i kanë vizituar këto treva gjatë këtij shekulli. Por në qytet ngrihet Xhamia e Vjetër, objekt i parë, simbol i themelimit të Tiranës, më 1614. Kështu, shumë fshatra, të cilat deri në vitin 1642 relatori katolik M. Skura[5] i gjeti akoma të krishtera – Tujanin, Kusin, Bastarin, Priskën, Kërrabën etj., në vizitën e dytë që bëri më 1648 dhe në të tretën më 1652, i gjeti gjysmë të islamizuara,[6] ndërsa disa vjet më vonë, vizitori tjetër katolik, S. Gaspari[7] i gjeti tërësisht të islamizuara. Të dhënat e këtyre vizitorëve përfshijnë pak a shumë tërë fshatrat e rrethit të Tiranës, duke mos përjashtuar këtu as fshatrat e malësisë së Benës e të Tamadhesë.
Në trevën e Tiranës, më parë, popullsia ndiqte kryesisht ritin katolik, por nuk mungonin fshatarë, sidomos në malësi, të ritit ortodoks. Në të dy rastet administrata kishtare ishte kryesisht e shthurur, gjë që influencoi në ritmin e islamizimit. Sipas prelatit të Tivarit edhe në viset e brendshme të Shqipërisë së Mesme më 1610, gati të gjitha fshatrat ishin të banuar nga të krishterë, kurse myslimanët ishin të paktë. Islamizimi në masë mori përpjesëtime të papërmbajtura pas vitit 1621. Brenda 20 viteve besimi katolik u likuidua plotësisht në viset fushore të trevës së Tiranës. Kisha katolike bëri përpjekje të mëdha për ta frenuar këtë fenomen, por pa rezultat.. Më 1641 treva dhe malësia e Tiranës e kishin humbur ngjyrimin e vjetër fetar. Atë vit, të gjitha fshatrat e trevës i gjejmë të islamizuara krejtësisht, me përjashtim të Bërrarit, i cili kishte ende 5 frymë të krishterë dhe, pak vite më vonë, edhe këta i gjejmë të islamizuar. Vizitori katolik S. Gaspari, i cili e përshkroi këtë trevë gati tre dhjetëvjeçarë më vonë, në vitin 1671, raportonte se këtu nuk gjeti asnjë banor të krishterë[8]. Gjithashtu, edhe Tujani, i cili më 1641 kishte akoma 114 frymë të krishterë, më 1652 kishte vetëm 110 frymë të krishterë. Priska e Madhe, e cila më 1641 kishte akoma 10 frymë të krishterë, më 1652 paraqitet krejtësisht e islamizuar. Pra, brenda 10 viteve popullsia e trevës së Tiranës ishte krejtësisht e islamizuar. Me një vonesë relativisht të vogël, por me ritme gjithashtu të papërmbajtura, ky proces, veproi edhe në trevën malore të Tiranës. Peshkopi dhe shkrimtari Frang Bardhi në raportin e vet të vitit 1637 na lë të kuptojmë se në këto vise të Shqipërisë së Mesme kishte ende një popullsi të përzier nga pikëpamja fetare. Më 1641 M. Skura shkruan se në dioqezën e Bendës kishte vetëm 2988 frymë të krishterë, por pa peshkop e pa kanonikë. Sipas tij, popullsinë e krishterë më të shumtë e kishte Shmërtiri (Martaneshi), seli e një abacie të lashtë, me 1050 frymë të krishterë, por, pak më vonë, të gjithë burrat, nën shembullin e priftit të tyre, u kthyen myslimanë, duke mbetur të krishtera vetëm gratë, të cilat e ruajtën fenë e mëparshme deri në vitin 1672. Ky fenomen ndodhi edhe në fshatra të tjera të Tiranës dhe në përgjithësi të Shqipërisë së Mesme.
Islamizimi i fshatrave të Tiranës e lehtësoi deri në njëfarë shkalle zbritjen e fshatarëve nga malësia, ku kishte mungesë tokash, në trevën fushore me popullsi akoma të pakët. Nga gjallërimi i mëtejshëm dhe i shpejtë i trevës, natyrisht përfitoi edhe qyteti, të cilin e favorizoi jo vetëm pozita gjeografike, por edhe caktimi si qendër administrative (shehër). Si rrjedhim, edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 17-të, Tirana u rrit me ritme më të shpejta se shoqet e saj në Shqipërinë e Mesme. Këtë e shohim te popullsia që pati Tirana në fillim të shekullit të 18-të. Në listën e qendrave të banuara, të hartuara më 1703, Tirana me Varoshin, shënohet me rreth 500 shtëpi myslimane dhe me 4000 frymë[9]. Nga të dhënat e kësaj liste rezulton se Tirana brenda 90 viteve arriti Krujën e cila, së bashku me Varoshin, më 1703 kishte 500 shtëpi myslimane me 4000 banorë. Me këtë numër banorësh e shtëpish ajo e tejkaloi Durrësin i cili, së bashku me fshatrat e afërta, kishte 400 shtëpi myslimane me 3000 frymë.
Mjeku ushtarak austriak Josef Myler, i cili e vizitoi Tiranën në fund të viteve ’30 të shekullit të 19-të, në veprën e vet të botuar më 1844, ndër të tjera, shkruan: “ ...Tirana është kaza (bezirk)... Qyteti, seli e qeveritarit, sot ka 8000 banorë... Qyteti, para vuajtjeve të luftës civile të vitit 1830, kishte 13000 banorë, gjë që duket edhe nga numri i shtëpive (1000) dhe i dyqaneve (727), prej të cilave tani shumica janë të zbrazura. Qyteti i madh, i cili ka një pamje të trishtueshme, tani pa tregti dhe industri, ka 8 xhami, prej të cilave xhamia – mekteb (xhamia e Haxhi Et’hem Beut), në afërsi të sheshit të kalasë, është më e rëndësishmja... Ndërtesat e tjera, qofshin publike ose private, janë të vogla dhe nuk bien në sy, saqë minaret e xhamive, ashtu dhe ullinjtë ose selvitë, ngrihen shumë mbi to...”[10].
Për sa i përket organizimit gjyqësor, mund të evidentojmë se në krye të pushtetit gjyqësor ndodhej Këshilli i Sheries që drejtohej nga kadiu – kryetar i gjykatës, i cili ndihmohej nga disa ndihmës (naibë). Kadiu drejtonte seancat gjyqësore dhe jepte vendime të formës së prerë, të cilat mund t’i ndryshonte vetëm sulltani. Ai kishte në dorë Sixhilatin e Sheries – regjistrin, ku, përveç vendimeve gjyqësore të Sheries lokale, regjistroheshin të gjitha urdhrat që vinin nga organet qendrore perandorake, përfshirë edhe fermanet. Asnjë vendim i pushtetit qendror ose lokal nuk mund të zbatohej, në qoftë se nuk ishte regjistruar më parë në sixhilatin e kazasë.
Feja islame drejtohej nga Këshilli Islam, prej nga vareshin të gjitha institucionet fetare të kazasë. Në krye të tij qëndronte myftiu i Tiranës, i cili rrethohej nga një varg funksionarësh të fesë islame siç ishin: ulematë (dijetarët e fesë), sulehatë (të urtët e fesë islame), imamët (funksionarët e fesë islame), hytebatë (lexuesit e hytbeve – predikimeve, ditë të premte ose në bajrame në xhami), myderrizët dhe hoxhallarët e tjerë.



III. Disa nga institucionet islame

Burimet dokumentare të shekullit të 18-të, traditat gojore, mbeturinat e ndërtesave të vjetra, sidomos pozitat e institucioneve islame, na japin mundësinë të hetojmë afërsisht planimetrinë e Tiranës. Të paktën 2 janë lagjet për të cilat ekzistojnë informacionet qysh në shekullin e 17-të – lagjja e Mujës dhe lagjja e Pazarit. E para ndodhej në krahun lindor të rrugës së Elbasanit dhe për këtë thuhet se ka qenë lagjja më e lashtë e Tiranës. Kjo lagje ndodhej në të majtë të Lanës (në krahun juglindor të qytetit), në lindje të rrugës së Elbasanit (në rrugën që sot të shpie në “Qytetin Studenti”), gati 500 m larg xhamisë së Sulejman pashë Bargjinit.
Për Xhaminë e Reçit dhe për Xhaminë e Mujos (sot inekzistente), të cilat ndodheshin në këtë pjesë të qytetit, pleqtë thoshin se janë ndërtuar përpara xhamisë së Sulejman pashë Bargjinit. Xhamia e Mujës – një faltore e tipit mesxhide, që ka pasë qëndruar në këmbë deri nga fillimi i viteve ‘70-të të shekullit të kaluar, tashmë e zhdukur nga ndërtimet urbanistike, dihet se është ndërtuar nga njëfarë Haxhi Hasan Qose prej Shkupi, siç na e dëshmon një berat i sulltan Mahmud Hanit I (1730-1754), lëshuar nga Stambolli më 4 dhilkade 1149 (5 mars 1737) dhe që bën fjalë për emërimin e njëfarë Mustafa Kalifi si kaj’jim (shërbyes) i kësaj xhamie[11]. Mustafa Kalifi, ndoshta, mund të jetë pasardhës i misionarëve islam, që erdhën në Ballkan. Në lagjen e Mujos grumbulloheshin vetëm shtëpitë e banorëve, ndërsa në lagjen e Pazarit (Pazari i Vjetër i dikurshëm) – dyqanet dhe anës tyre selia e bejlerëve Bargjinas. Të dyja këto lagje ndaheshin midis tyre prej një fushe të zbrazët, midis së cilës kalonte Lana. Ndarja e lagjes nga ajo e tregut është karakteristike e tërë qyteteve mesjetare turke..
Në fillim të shekullit të 18-të Tirana kishte filluar të përhapet edhe nga ana veriore e pazarit. Në mbishkrimin që ka mbajtur Xhamia e Beshirit, thuhet se ajo ka qenë ndërtuar për herë të parë më 1707 prej Mehmet Fires, gjë që dëshmon se rreth xhamisë ishte ngritur një lagje e re. Ekzistencën e disa lagjeve e vërteton edhe berati i sulltan Mahmud Hanit, që u përmend më parë, në të cilin bëhet fjalë për “lagjen e Mujos si një nga lagjet e qytetit të Tiranës”, pra Tirana qysh në kohën e këtij dekreti duhet të ketë pasur disa lagje. Më vonë, lagjet e mëhallët morën emrat e xhamive, që u ndërtuan brenda tyre, në vendet më të zgjedhura, si mëhalla e Sulejman Pashës, e Mujos, e Fires, e Zajmit, më vonë mëhallë të tjera si ajo e Karrapicit, Bërxollit, Kakonosit, Vathit etj. Dy mëhallë morën emrin e esnafëve – e Tabakëve dhe e Terzive, sepse ato u bënë qendra e banesës së zejtarëve të këtyre esnafëve. Një tjetër faltore e ndërtuar në shekullin e 18-të, është ajo e Kakonozit. Për herë të parë emrin e saj e ndeshim në shkresën drejtuar El Haxhi Hasanit, para vitit 1770, me të cilën qirixhiu Mustafa Këllezi detyrohej t’i jepte kundrejt patentës së qirinjve 6 akçe në ditë hatibit të xhamisë së Kakonozit.[12]
Gjatë shekullit të 18-të dy tarafet esnaforë (tarafi i terzive dhe tarafi i tabakëve), ndërtuan secili më vete nga një xhami. Xhamia e tarafit të terzijve u ndërtua në afërsitë perëndimore të Pazarit, në fillim me emrin xhamia e Esnafit, por pas restaurimit, që familja Karrapici i bëri asaj, rreth mesit të shekullit të 19-të, u quajt Xhamia e Karrapicit. Kjo xhami u prish më 1930 për t’ia lënë vendin ndërtimit të Bashkisë së kryeqytetit, e cila, gjithashtu u shemb në vitet ’70-të të shekullit të kaluar. E dyta, Xhamia e Tabakëve u ngrit në krahun e majtë të lumit të Lanës, në krahun jugor të rrugës së Shëngjergjit, sot “Ali Demi”, e cila, me ardhjen e demokracisë, u restaurua dhe ruan edhe sot emrin e saj të vjetër – xhamia e Tabakëve.
Zemrën e qytetit të Tiranës e përbënte Xhamia e Vjetër me sheshin rreth saj. Hëpërhë mund të thuhet se rruga e sotme e Barrikadave, dikur përbënte aksin kryesor të strukturës urbanistike të qytetit. Anës saj qenë rreshtuar përveç Xhamisë së Vjetër edhe disa institucione të tjera islame. Njëra prej tyre, teqja e Sheh Muharremit e sektit halveti, ndodhej fare pranë xhamisë, buzë rrugës, në krahun lindor të rrugës së Barrikadave. Të tjerat rreshtoheshin buzë rrugës në anën perëndimore të saj – teqja e Sheh Pazarit, teqja e Sheh Dyrrit (Horasanit), xhamia e Firës, teqja e Dervish Hatixhesë dhe në fund Xhamia e Kodrës së Kuqe, në afërsi të maternitetit të Tiranës. Rreth secilës prej tyre formohej një lagje banesash qytetare, të cilat shtriheshin edhe në krahun lindor të rrugës së Barrikadave. Në krahun lindor të rrugës së “Barrikadave”, larg qendrës, kishte dhe disa lagje të veçuara – rreth Xhamisë së Zajmit, apo rreth mesxhideve të thjeshta. Xhamia e Vjetër, Pazari i Vjetër, Xhamia e Et’hem Beut, Xhamia e Karrapicit dhe teqja e Sheh Pazarit përbënin qendrën e Tiranës. Në vitin 1225 hixhri (1840), brenda Pazarit të Vjetër u ndërtua Xhamia e Stërmasit.
Arkitektura e xhamive të Tiranës njohu dhe zhvilloi dy tipat kryesore, xhaminë me sallë unike të orientuar në aksin gjatësor në drejtim të kibles (Mekës) dhe të mbuluar me çati druri dhe tjegulla dhe tipin e xhamisë së vogël monumentale me kupolë gjysmësferike të mbuluar me fletë plumbi. Por, në të dy rastet, xhamitë kishin portikë arkadash me kolona dhe harqe rrethorë përpara hyrjeve që shërbenin për hajate dhe me nga një minare në krahun e djathtë të hyrjes. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i faltoreve islame në Tiranë ka qenë pasuria e madhe artistike e përbërë nga dekoracione me motive floreale, me peizazhe të pikturuara dhe gdhendje druri e guri në kolonat, kapitelet, tavanet, mafilet etj. Që, në përgjithësi, janë shumë të përafërta me qëndisjet e kostumeve popullore të Shqipërisë së Mesme. Kjo përmbajtje artistike paraqitet si diçka origjinale.
Një objekt tjetër karakteristik i Tiranës ka qenë edhe “Fusha e Namasgjasë” – një vend i hapur për falje, e ndërtuar nga i biri i Abdurrahman Toptanit, Ahmet bej Toptani. Ky vend ishte një shesh i gjelbëruar, i rrethuar me mur prej guri dhe me selvi karakteristike, të cilat pjesërisht janë edhe sot. Namasgja-ja është dhuruar me destinacion të përcaktuar mirë dhe gjatë shekujve ka shërbyer si vend faljesh për banorët e Tiranës, qytetarët. Aty faleshin namazet e ditëve të bajrameve, edhe në vitin 1946 aty është falur namazi i Bajramit.
Qytetarët e mëkëmbur të Tiranës e kishin zakon të ndërtonin edhe tyrbe. Sot qëndron në këmbë vetëm tyrbja e Kapllan pashë Toptanit, e cila ndodhej përballë tyrbes së Sulejman pashë Bargjinit dhe Xhamisë së Vjetër. Ajo tyrbe ka arritur deri në ditët tona, në formë tetëkëndëshi, mjaft interesant për kolonat monolite, për kapitelet e stilizuara korintike dhe për tetë harqet e dekoruara. Kjo tyrbe është e hapur, pa çati dhe pa kube.
Faltorja më e vjetër islame ka qenë pa dyshim Xhamia e Vjetër, e ndërtuar nga Sulejman pashë Bargjini në vitin 1614, e cila formonte bërthamën qendrore të qytetit. Teqeja e Kubatit, një nga faltoret më të hershme (sot e zhdukur), themeluar sipas traditës nga Sheh Rexhep Kubati i sektit kadiri, ndodhej rreth 500 metra në perëndim të Xhamisë së Vjetër, në krye të rrugës së Kavajës, mbrapa selisë së Bankës së Shqipërisë. Një tjetër teqe është ajo e Horasanit ose e Muharremit (siç duket themeluesi i saj ka qenë Muharrem Horasani), e cila ndodhej fare pranë Xhamisë së Vjetër. Sipas traditës gojore, themeluesi i saj ka qenë një sheh iranian (Horasani është krahinë e Iranit), thuhet se ka qenë vendosur në Tiranë që në kohën e themelimit të qytetit. Një teqe tjetër, që përmendet që në shekullin e 18-të, ka qenë teqja e Sheh Dyrrit, pranë shkollës së mesme “Sami Frashëri”. Pjesës së parë të shekullit të 18-të i takon edhe teqja e Pazarit e sektit halveti, e cila ndodhej në rrugën e Barrikadave, në fillim të Pazarit të Vjetër.
Në vitin 1118 hixhri (1707-1708) u ndërtua një xhami nga Mehmet Fira, rreth 500 m në veri të Xhamisë së Vjetër, në truallin e saj më vonë u ndërtua shkolla e mesme “Sami Frashëri”. Kjo xhami u quajt në fillim xhamia e Firës. Më vonë ajo mori emrin e dyfishtë: Xhamia e Beshirit pas rindërtimit që i bëri asaj Haxhi Selman Beshiri. Këto të dhëna dalin nga mbishkrimi osmanisht i skalitur në portalin e xhamisë (i zhdukur). Në atë mbishkrim thuhej: “E ndërtoi Mehmet Dede Nallban Fira më 1118 hixhri dhe e rindërtoi për së dytë Haxhi Selman Beshiri më] 1275 hixhri”.

IV. Xhamia e Vjetër

Se sa e bukur ka qenë xhamia e Sulejman pashë Bargjinit ose Xhamia e Vjetër, siç thirrej, mjafton të shohim pikturën e mrekullueshme të piktorit anglez me famë, Eduard Lir, si dhe përshkrimet që bëjnë për të udhëtarët e huaj, që kanë vizituar Tiranën gjatë shekujve 18-19-të. Kjo xhami ka pasur një planzgjidhjeje drejtkëndore me brinjë 16x13 metra. Sipërfaqen më të madhe e zinte salla e lutjeve dhe pjesën që mbetej, e zinte sofaja ose portiku që, në formën e germës L, shtrihej në fasadën lindore të objektit. Volumi ishte një paraleloid më shumë i shtrirë se sa i lartë, i ngritur nga toka afro 9 metra. E gjithë fasada e xhamisë, harqet, timpani, pjesa e mureve dhe e portikut, pjesa e sipërme e sallës së lutjeve, pra të gjitha këto i ka pasur të zbukuruara me afreske shumëngjyrëshe, me motive lulesh e frutash si dhe me peizazhe që paraqitnin pamje nga Stambolli. Ajo xhami përshkohej nga aplikimi i artit islam duke filluar nga pikturimi në mure, punimi i dyerve dhe i dritareve deri në mbërthimin e copave të tavanit. Kushdo që e ka vizituar, ka konstatuar në realizmin e saj një art nga më të bukurit e kohës. Pjesë përbërëse e xhamisë ishte oborri i rrethuar e i formuar nga gjelbërimi i selvive shekullore. Në të gjendeshin çezma-pus për të marrë abdes si dhe varre të parisë së vendit, që, të gjitha së bashku, i jepnin tipare sa piktoreske aq edhe mistike dhe kjo e bënte të radhitej ndër xhamitë më të bukura. Pashai, ndërtues i saj, siç duket, ka qenë merakli dhe për veprën e tij, duke qenë i ndërgjegjshëm se po ndërtonte një ndër objektet më të rëndësishme të kohës, për zbukurimin e saj ka thirrur mjeshtër nga më të mirët që njiheshin në atë kohë. Zbukurimet e saj kanë qenë të stilit arabo-moresk, i cili është përdorur edhe në shumë vende të tjera.[13]
Meqë Xhamia e Sulejman Pashës ka qenë monumenti më i vjetër i kryeqytetit tonë, e vlen t’i bëjmë një përshkrim, duke u bazuar në dokumentet që disponohen. Në Xhaminë e Vjetër është falur namazi i xhumasë së parë pas Kongresit të Parë Mysliman të vitit 1923. Dhe kjo ka rëndësinë e vet, sepse Haxhi Vehbiu mbajti hytben e parë pas Kongresit, duke sqaruar fetarisht, në prani të autoriteteve më të larta të kohës, përmbajtjen e dashurisë që kanë besimtarët islamë për atdheun. Po në këtë xhami zhvilloi punimet Kongresi i Dytë mysliman me 15 qershor 1925. Aty Kryemyftiu i kohës, i nderuari dhe i mirënjohuri Haxhi Vehbin, në seancën e hapjes së Kongresit iu drejtua delegatëve të Kongresit dhe popullit mysliman shqiptar me pyetjet retorike: “Vëllezër! Cila është ajo që siguron njësinë e shumicës së popullsisë të vendit tonë? Cila është ajo që siguron mbledhjen e shumicës në një fjalë? Cila është ajo që siguron jetesën e shumicës si një trup? Cila është ajo që siguron drejtësinë? Cila është ajo që përmirëson moralin? Cila është ajo që plotëson Bashkimin ?” Dhe përgjigjen e jep po vetë: “Është besimi, është feja… Feja është çelësi i jetimit; Feja është ndërtesa e shpëtimit; Feja është lulishtja e përparimit; Feja është shkaku i madhnisë; Feja është themeli i vëllazërimit...”
Ndërtesa e parë e qytetit të ri, Xhamia e Vjetër u ndërtua me 1614, datë që merret si data e themelimit të Tiranës[14]. Të mbështetur fort në parimet e shenjta, banorët e Tiranës themeluan qytetin e tyre me tri simbole qytetare e kulturore, të nevojshme për jetën e lumtur si myslimanë të vërtetë: Me Xhaminë e Vjetër – simbol i shenjtë i pastërtisë shpirtnore, me hamamin – simbolin e pastërtisë trupore dhe me furrën e bukës – simbolin e solidaritetit dhe të altruizmit, bamirësisë njerëzore, bamirësi në lehtësimin e përballimin e jetesës dhe sigurimin e të mirave materiale. Pra tiparet e themelimit të Tiranës janë veçanti e ndërtimit të një qyteti islam: Xhami – adhurim ndaj Zotit, furrë buke – ushqim për të varfrit, sepse, siç tregohet, kujtdo që falej, veçanërisht në sabah, Pashai kishte dhënë porosi që t’i jepej një parur gratis dhe, nëse kishte nevojë, le të bënte dhe një banjë se hamami aty ishte – shenjë qytetërimi.

V. Xhamia e Haxhi Et’hem Beut

Nga tetë xhamitë e mëdha të ndërtuara në Tiranë gjatë shekujve 18 – 19-të, ajo që ka arritur e paprekur që nga koha e ndërtimit është Xhamia e Haxhi Et’hem Beut. Për hir të bukurisë dhe vlerës së saj artistike dhe arkitektonike, para Luftës së Dytë Botërore urbanistët e Tiranës hartuan planin e ri rregullues të kryeqytetit, në mënyrë të tillë që ajo të ishte në sheshin e ri qendror (Sheshi “Skënderbej”), i cili zëvendësoi sheshin e mëparshëm qendror, që ndodhej para Xhamisë së Vjetër. Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, për vlerën e saj artistike, u shpall pas Luftës së Dytë Botërore monument kulture. Si rrjedhim nuk u rrënua gjatë luftës që iu bë monumenteve fetare në vitet ‘60-të të shekullit të20-të. Ajo vazhdon të tërheqë gjithnjë admirimin e vizitorëve shqiptarë e të huaj dhe si e tillë ajo vlen të trajtohet në mënyrë të veçantë.
Njoftimet kryesore për historinë e ndërtimit të xhamisë dalin nga 4 mbishkrime në gjuhën osmane, që gjenden të skalitur në muret e saj. Vijnë pas këtyre, njoftimet që dalin nga burimet dokumentare të kohës – në fakt të pakta, si dhe nga kujtimet e ruajtura nga tradita gojore tiranase të regjistruara që në shekullin e 20-të.[15]
Sipas mbishkrimeve që përmban Xhamia e Et’hem Beut, themelet e saj i vuri në fund të shekullit të 18-të Molla Beu, kurse faltoren e plotësoi i biri i tij, Haxhi Et’hem Beu në çerekun e parë të shekullit të 19-të. Që të dy, at e bir qenë personalitete të shquara të jetës politike të Tiranës të kohës së tyre. Haxhi Et’hem Beu ishte njëkohësisht edhe personalitet i jetës kulturore të qytetit. Sipas traditës gojore, Molla Beu ishte nga Petrela, i vendosur në Tiranë dhe mbahej nga vija femërore si pasardhës i Bargjinollëve – për A. Degrandin vetë Molla Beu ishte dhëndër i Ahmet pashë Bargjinollit. Pra, sikurse konstatohet nga mbishkrimet që përmbajnë pllaka e vendosur mbi portalin jashtëm dhe ajo e vendosur mbi portën e brendshme të xhamisë[16], themelet e faltores i vuri Molla Beu në vitin 1207 hixhri (fillon nga gushti i 1794-ës deri në korrik 1795), i cili arriti të ndërtonte xhaminë deri në përfundimin e kubesë, pa mundur të plotësonte minarenë dhe të përfundonte sofanë (portikun, hajatin), suvatimet dhe dekoracionet, pasi vdiq. Nga mbishkrimi kuptohet se autori i tekstit është njëfarë Zijai. Këto të dhëna plotësohen nga një mbishkrim tjetër që është vendosur në portalin e jashtëm. Në këtë mbishkrim thuhet se Molla Beu nuk arriti ta plotësonte krejtësisht ndërtimin e xhamisë me minaren dhe dekoracionet, pasi vdiq në vitin 1222 hixhri (që nga marsi i vitit 1807 deri në fund të shkurtit 1808), por që i biri, Haxhi Et’hem Beu, e plotësoi duke përfunduar xhaminë e çatinë, duke ndërtuar minarenë e sofanë dhe duke e zbukuruar me pikturat e ornamentet. Në fund të mbishkrimit thuhet se me këtë xhami qëllimi i ndërtuesve të saj ishte t’i jepnin Tiranës një bukuri të përjetshme, ashtu si Shën Sofia i kishte dhënë Stambollit. Faltorja përfundoi së ndërtuari në vitin 1236 hixhri, vit që fillonte më 30 tetor 1820 dhe mbaronte në ditët e fundit të shtatorit 1821. Nga sa u tha, kuptohet se pjesët artistike të xhamisë u ndërtuan nga Haxhi Et’hem Beu, i cili, pasi mbaroi xhaminë, bëri edhe një medrese në vendin ku sot ndodhet sheshi ndërmjet Partisë Demokratike dhe Rrugës 28 Nëntori, ku gjendet si relike e asaj kohe, tyrbeja e Kapllan Pashës, një monument kulture.
Xhamia qëndron mbi themele në formë kuadrati me gjatësi e gjerësi 18,70 x 16,10 m, pra zë një sipërfaqe 301 metra katrorë. Është ndërtuar me gurë të prurë nga fshati Shtish-Tufinë, që ndodhet në afërsinë lindore të Tiranës. Asnjë nga të katër fasadat nuk i ngjan njëra-tjetrës, gjë që tregon aftësinë krijuese të mjeshtrit arkitekt. Tipi i xhamisë është me sofa (portik), e cila ndodhet në formë L-je në anën lindore dhe veriore të faltores. Sofaja është rrethuar nga ana e jashtme me 16 kolona prej gurësh monolitë 2,90 m të lartë, secila me nga një kapitel korinthik prej 0,60 m dhe me një bazament prej 0.25 m. Mbi kolonat e rrumbullakëta, të punuara me shije e saktësi, qëndron një arkadë e përbërë prej 5 harqesh (7 në anën lindore, 5 në anën veriore dhe 3 në anën perëndimore) jo në formë të mprehtë (jo me majë), por në formë gjysmërrethi, ndërtim i përhapur në Shqipëri qysh në kohët antike. Kolonat janë të pajisura me kapitele të dekoruara me ornamente motivesh vegjetale të skalitura në reliev, të cilat vetëm tek-tuk i ngjajnë njëra tjetrës. Kolonat janë të lidhura midis tyre me kangjella prej hekuri, të punuara me siguri nga farkëtarët vendës. Hyrja e sofasë (portali i jashtëm) si dhe hyrja në faltore (portali i brendshëm) ndodhen në anën veriore të xhamisë. Në të dy anët e hyrjes së portalit të jashtëm ndodheshin dy varre – në të majtë, varri (nuk ekziston më), i Haxhi Et’hem Beut[17] dhe fare pranë tij ka qenë pusi për të marrë abdes, ndërsa në të djathtë varri i së shoqes, Ballkizi, varr që ekziston edhe sot. Të dy varret me pllaka guri dhe me nga dy lapidarë secili, janë të zbukuruara me ornamente vegjetale e floreale (trëndafila, rrush, hurma etj.), të skalitur në reliev dhe me nga një mbishkrim me anagram datat e vdekjes së tyre[18].
Brenda faltores në anën jugore ndodhet mihrabi; në të majtë të tij është minberi; përkundrejt tyre është mafili, që zgjatet në gjithë anën veriore të faltores, i mbështetur mbi dy pilastra guri të bardhë mbi kapitele, gjithashtu të dekoruara. Faltorja ka 18 dritare në dy rreshta horizontale, të cilat, me gjithë numrin e madh, i japin asaj dritë të kufizuar dhe kështu krijojnë një ambient mistik, të cilin e plotëson kubeja, e cila, nga pikëpamja arkitektonike, është ndërtuar mjaft mirë dhe mbulon të gjithë hapësirën e brendshme të faltores. Nga jashtë kubeja, e cila ngrihet mbi një pullaz në një bazament tetëkëndësh, respekton stilin arabik, por streha e xhamisë, shumë e gjerë (1,20 m), është ndërtuar nën ndikimin e traditës arkitektonike lokale.
Gjymtyrë e bukur e xhamisë është minareja, tepër e hollë dhe shumë elegante, që ngrihet lart me finesë e thjeshtësi dhe duket sikur kërkon të prekë qiellin dhe të matet me Dajtin. Ajo mbështetet mbi një kullë të veçantë gati të shkëputur nga faltorja, 2, 25 m e gjatë, 2 m e gjerë dhe 9 m e lartë. Kulla është e përbërë prej 37 rreshtash gurësh; në rreshtin e 17-të ka pesë gurë mermeri të skalitur me motive gjeometrike dhe në rreshtin e 36-të ka 3 gurë të tjerë të skalitur me motive vegjetale, të punuara me kujdes, element ky që, gjithashtu, është marrë nga tradita shqiptare. Gjithë minareja ka 101 shkallë (deri në kazan ka 90 shkallë). Ka gjithsej 6 frëngji nga hyn drita. Kazani me portalin e vet, 47 x 190 cm – mjaft elegant, e stolis si një kurorë e bardhë minarenë. Pjesa e sipërme e minaresë u dëmtua rëndë dhe, për pasojë, u shemb gjatë luftës për çlirimin e Tiranës, në nëntor 1944, por, në sajë të punës së kujdesshme që bëri më 1945-ën mjeshtri plak Adem Mata, i sponsorizuar nga besimtarët bamirës të qytetit të Tiranës, minareja u riparua në gjendjen që është sot.
Përveç ornamenteve skulpturore, Xhamia e Haxhi Et’hem Beut ka plot zbukurime pikturore me ajete kur’anore dhe me arkade. Si përfundim, Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, në kompozicionin e vet arkitektonik, me volumin thellësisht harmonik, me minarenë e bardhë dhe elegante, me kupolën dhe dekoracionet e saj me ajete kur’anore, me portikun solid e të ëmbël, me dekoracionet dhe ornamentet e saj mund të radhitet ndër monumentet më të bukura të fesë islame, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë.
Me shtimin e popullsisë, qyteti u përhap. Nëpër lagjet e reja që u formuan, u ndërtuan edhe disa xhamia të reja, në mes të të cilave meriton të përmendet – Xhamia e Zajmit, themeluar sipas mbishkrimit që ajo ka pasur, nga Mehmet bej Zajmi më 1189 hixhri (1776-1777), ku ndodhej edhe varri i tij. Kjo xhami, pavarësisht se ishte e vogël, kishte një minare elegante, e ndërtuar me gurë që nuk para gdhendeshin, por, duke u suvatuar, humbi një pjesë të bukurisë së saj. Kështu që mbas Xhamisë së Vjetër, ajo e Zajmit ka qenë ndër xhamitë e para të Tiranës, e cila u rezistoi kohëve derisa komunistët e shembën më 1967.
Përveç mesxhideve (xhami të thjeshta, pa minare, dhe teqeve), në fund të shekullit të 18-të në Tiranë përmendet edhe një teqe modeste, por me emrin e një gruaje mjaft të njohur për banorët e vjetër tiranas – teqja e Dervish Hatixhesë. Dervish Hatixheja nga familja tiranase e Skënderajve, lindur rreth vitit 1726, martuar me Adem Halepçinë, edhe ky tiranas, por nga mbiemri duket si nga Halepi i Sirisë, kur qe 20 vjeçe u bë dervishe e sektit kadiri, pastaj themeloi teqenë që mban emrin e saj. Kur arriti moshën 30-vjeçare, afërsisht rreth vitit 1756 Hatixheja u bë shehe e teqesë, duke fituar të drejtën të drejtonte teqenë dhe komunitetin e dervishëve të sektit kadiri – gjë e pazakontë në vendin tonë. Emri i saj është i lidhur sidomos me anën humanitare. Kur në Tiranë ra murtaja, njerëzit ruheshin shumë se mos infektoheshin dhe puna arriti deri aty sa edhe të vdekurit mbeteshin të pavarrosur. Dervish Hatixheja, së bashku me ithtarët e sektit të vet, mori përsipër që, për hatër të Zotit, vullnetarisht, të bënte varrimin e tyre.[19]
Historiku i xhamive të Tiranës është i lidhur me predikime e ngjarje shumë të rëndësishme të fesë islame te ne. Në xhamitë e Tiranës kanë predikuar teologë e hoxhallarë nga më të shquarit e vendit. Ato kanë zier nga pjesëmarrja e besimtarëve për të dëgjuar predikimet e Mulla Hysen Shehrit – “profesorit të profesorëve tanë”, siç e kanë cilësuar atë nxënësit e medresesë së asaj kohe në fjalimet e ceremonisë mortore, të Ali efendi Derhemit, i zgjedhur nënkryetar i Komunitetit Mysliman në Kongresin e Parë të vitit 1923, të Hafiz Ibrahim Dalliut, të Sulejman Kadiut, të Haxhi Hafiz Mahmut Dashit, të Haxhi Tahir Hallullit, të Ali efendi Kazazit – hoxhallarë të dëgjuar tiranas, që kanë jetuar gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Por populli fetar i Tiranës në xhamitë e qytetit të vet ka dëgjuar edhe predikimet e Haxhi Vehbi Dibrës, të Hafiz Ali Korçës, të Hafiz Ismet Dibrës, të Sheh Qazim Hoxhës e sa e sa të tjerëve; ka dëgjuar zërat melodioz të hafizëve që këndonin Kur’an dhe veçanërisht gjatë muajit të shenjtë të ramazanit mukabele dhe mevludi sherifi.
Për sa dihet, deri tani, faltorja e parë islame në Tiranë ka qenë kompleksi i tipit “hullie”, i ndërtuar me porosi të Sulejman Pashë Bargjinit. Nëse do të rendisnim kohën e ndërtimit të tyre, do të kishim këtë radhë: Bashkëkohëse të xhamisë së parë kanë qenë disa teqe si: teqja halvetiane e Horasanit, teqja Kadiri e Kubatit dhe ajo e Pazarit.. Pas tyre vinin Xhamia e Mehmet Fires 1118 hixhri (1707), Xhamia e Mehmet bej Zajmit e pajisur me minare më 1189 (1774), Xhamia e Muhmud agë Kokonozit[20] dhe Xhamia e Haxhi Et’hem Beut 1207 (1794), teqja e Kadiri e Sheh Dyrrit rreth vitit 1700, teqja Saadi e Sheh Radës dhe Xhamia e Mahmud Musin bej Stërmasit më 1255 hixhri (1837), Xhamia e Karapicit, si dhe ajo e Bërxollit në mesin e shekullit të 19-të. Sikurse shihet, xhamitë mbajnë mbiemrat e familjeve autoktone tiranase, të cilat edhe i kanë ndërtuar. Në Tiranë feja islame ka pasur rrënjë të forta. Të parët e familjeve që kanë ndërtuar këto xhami, nuk janë mjaftuar vetëm me dhurimin e truallit. Ata kanë dhuruar troje për të ndërtuar xhamitë në vendet kyçe të qytetit të asaj kohe dhe është për t’u evidentuar se disa prej këtyre xhamive, fatkeqësisht, pasi Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë, për shkak të planeve rregulluese, u prishën, për t’u lënë vendin zgjerimit të rrugëve etj. Ndërsa në kohën e regjimit komunist, ato xhami që nuk qenë prekur nga planet rregulluese të qytetit, u prishën, duke u nisur vetëm nga fakti se ishin objekte fetare.
Kur xhamitë janë shembur, tabelat – pllakat treguese, që gjendeshin në to, u zhdukën. Megjithëkëtë, për disa prej tyre, shënimet e tabelave në fjalë kanë ardhur deri në ditët tona. Dhe, nëpërmjet tyre ne njihemi jo vetëm me bamirësin e kohës që ka ndërtuar xhaminë, por herë-herë edhe me një historik të shkurtër të ndërtimit të saj[21].

VI. Tirana në shekullin e 20-të

Tirana, që nga koha e islamizimit në vazhdimësi, ka qenë shumë e lidhur me objektet fetare të kultit islam.[22] Në të, përveç qytetit, bënin pjesë edhe Malësia e Tiranës. Kazaja në vitin 1901 numëronte 31.383 myslimanë = me 97 %, 990 ortodoksë = me 3 % dhe 43 banorë katolikë[23]. Vetë qyteti i Tiranës më 1897 kishte 15.000 banorë, të ndarë në 12.000 myslimanë, 1.300 ortodoksë dhe disa katolikë.[24] Për vitin 1916 jepen 9.468 banorë myslimanë = me 93 %; 757 banorë ortodoksë = me 7 % dhe 18 katolikë[25].
Përsa i përket Tiranës në kohën e “Hurrijetit” – Lirisë, të shpallur nga Turqia, duke u bazuar te Hafiz Ibrahim Dalliu, konstatojmë se në atë kohë Tirana ka qenë një nënprefekturë që lidhej me prefekturën e Durrësit dhe me vilajetin e Shkodrës; ajo ka pasur mbi 15.000 frymë, njëqind e sa shtëpi ortodokse, të instaluara brenda në qytet dhe pesë a gjashtë shtëpi katolikësh. Pjesa tjetër e të gjithë popullsisë ishte myslimanë shqiptarë, ehli syn’net. Në Tiranë ka pasur 12 teqe të sektit kadiri e halveti dhe 3 – 4 shtëpi bektashinjsh; populli ishte i lidhur shumë pas Medresesë ku kishte tre myderrizë (profesorë). Populli i Tiranës ka qenë shumë besimtarë. Në Tiranë, ka pasur gjithsej 19 faltore të mëdha e të vogla.[26]

VII. Disa ndryshime urbane

Në vitin 1922 u hap rruga e re e Durrësit, rruga e vjetër kalonte nga Xhamia e Et’hem Beut, futej aty ku sot fillon rruga e Kavajës dhe kthente pas godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve, në atë që sot quhet rruga “Mihal Duri”. Me hapjen e kësaj rruge u prish Xhamia e Karrapicëve dhe në vend të saj u ndërtua Bashkia e Tiranës dhe lulishtja rreth saj – sot Muzeu Kombëtar. Me hapjen e Bulevardit të Madh, që shtrihet nga Universiteti i Tiranës e deri në Stacionin e Trenit, u ngushtua ndjeshëm trualli i Xhamisë së Et’hem Beut, i cili ka qenë i kufizuar me Rrugën e Vjetër të Durrësit, Rrugën e Saukut, hendekun dhe Shallvaret, pra ka qenë një hapësirë goxha – rreth 8 dynymësh. Ky truall u përdor për rrugët e këtij bulevardi si dhe në ndërtimin e lulishtes te Sheshi “Skënderbej”. Nga ajo kohë, kjo xhami mori pamjen që ka sot – e rrethuar nga tri drejtime me rrugë të asfaltuara dhe vetëm nga jugu me godinën e Bashkisë. Hapja e Bulevardit të Madh, që përmendëm më sipër, në anën veriore prishi Xhaminë e Jasës. Trualli i saj përfshinte një sipërfaqe prej rreth 5 dynymësh dhe shtrihej ndërmjet Maternitetit dhe Fushës së Zezë në lindje dhe rrugës së Brrakës në Veri.
Me fillimin e ndërtimit të rrugëve, ndër të parat që u zhdukën, qenë varrezat që ndodheshin pranë çdo xhamie, p.sh., mbi truallin e varrezave të Xhamisë së Vjetër dhe të Medresesë së Vjetër, u hap Rruga Mbretërore (rruga e Barrikadave) dhe Rruga 28 Nëntori. Në këtë mënyrë Xhamia e Vjetër si dhe Medreseja u kufizuan brenda një hapësire të ngushtë. Xhamia e Vjetër si dhe tyrbja mbi varrin e themeluesit të saj, Sulejman Pashës, u dogjën dhe u dëmtuan rëndë gjatë luftës që u zhvillua për çlirimin e qytetit (30 tetor- 17 nëntor 1944). Pas Çlirimit, regjimi i kohës e rrafshoi përtokë dhe në vendin e saj u vendos më 1952 Monumenti “Partizani”.
Zgjerimi i rrugës së Kavajës, në përmasat e sotme, gjatë viteve 1928-1929, prishi teqen e Adem Idrizit dhe, mbi truallin e saj, u ndërtua godina e Oficerëve – Lidhja e Shkrimtarëve. Ky ka qenë një truall goxha i madh – rreth 7000 metra katrorë. Po mbi këtë truall u ndërtua edhe godina njëkatëshe e Dhomës së Tregtisë dhe, më pas, “Xhamia e Re”, e cila, në fakt, u ndërtua mbi truallin e dhuruar nga Dine Hoxha.
Me zgjerimin e rrugës “Xhemal pashë Zogu” – rruga e Dibrës, më 1925-ën, u prishën disa varreza të vjetra që kalonin pranë vijës së mullirit dhe që ishin prona të familjeve Horasani, Gjinali, Bega dhe u ngushtua trualli i teqes së Toqit, që gjendej në kryqëzimin e kësaj rruge me rrugën e Saraçëve – dikur aty ka qenë posta e lagjes dhe sot është zënë me kioska. Në vazhdim të zgjerimit të kësaj rruge mbi truallin e varrezave të Halliasit, u ndërtua më 1931, godina trekatëshe e Medresesë së Përgjithshme (sot Medreseja “Haxhi Mahmud Dashi”). Medreseja, në fund të viteve ‘40, u shpërngul në ish-ndërtesën e doktor Sabri Teofikut, pranë Varrit të Bamit. Dhe, më në fund, me vendim të Qeverisë me datë 27 dhjetor 1965 ambientet e kësaj godine për shumë vjet u vunë në përdorim të Fakultetit të Mjekësisë – dega e stomatologjisë dhe e farmacisë. Me përpjekje të jashtëzakonshme, duke kaluar nëpër gjyqe, më në fund iu njoh pronësia Komunitetit dhe sot është kthyer siç ka qenë.
Hapja e Pazarit të Ri (sot Sheshi Avni Rustemi), që lidhte disa rrugë të qytetit, prishi varrezat që gjendeshin aty dhe i dha një pamje të re edhe Xhamisë së Kokonosit, duke e nxjerrë në pah, por pas Çlirimit në truallin e saj u ndërtuan godina shumëkatëshe, dyqane, magazina, që i zënë frymën, ndërsa vetë xhamia më 1966 u shndërrua në depo, duke iu shembur edhe minarja. Pas vitit 1991, kjo xhami qe ndër të parat që, së bashku me Xhaminë e Et’hem Beut, u kthye në identitet, pra filloi që të shërbejë si vend faljeje për besimtarët myslimanë dhe më vonë iu rindërtua edhe minarja. Por të hysh në të është vështirë, se dyqanet, dikur pronë e vakëfit, me ardhjen e demokracisë u privatizuan së bashku me rrugën që të shpinte në xhami!
Në vitin 1960, u shembën dy objekte shumë të rëndësishme të kultit mysliman: Xhamia e Stërmasit dhe teqja e Sheh Ali Pazarit. Kështu, me zgjerimin e Rrugës “28 Nëntori” në harkun e lidhjes së saj me rrugën e Barrikadave (ish-Mbretnore), në mjaft prona që mbetën në kufijtë e pronave të Xhamisë së Vjetër, të Medresesë së Vjetër, të Xhamisë së Stërmasit dhe buzë rrugëve të reja, u bënë ndërtime njëkatëshe, që shërbyen si dyqane artizanati, manifakture e tregtimi artikujsh të ndryshëm në të dy anët e Rrugës “28 Nëntori”, në Rrugën e Dibrës, në atë të farkëtarëve, argjendarëve, drithërave etj. dhe, një pjesë e mirë e të cilave, bashkë me truallin e xhamisë, ndodhen aktualisht në sheshin-lulishte (ish Pazari i Vjetër) ndërmjet Pallatit të Kulturës dhe Rrugës së Barrikadave.
Në kuadrin e luftës që iu bë feve, u realizua edhe tjetërsimi i objekteve të kultit e të trojeve të tyre, kështu, në Rrugën Ali Demi, në vendin e Xhamisë së Tetovës, u ndërtua shkolla tetëvjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, ndërsa në rrugën e “Barrikadave”, në vendin e Xhamisë së Met Fires dhe të teqes së Sheh Dyrrit, u ndërtua shkolla e mesme “Sami Frashëri”. Po kështu, në rrugën e Fortuzit – ish rruga “Asim Vokshi”, pranë bashkimit të saj me rrugën “Mine Peza”, u prish Xhamia e Islam Allës dhe në vend të saj u ndërtua shkolla “Jeronim de Rada”. Edhe shkolla “Kristoforidhi” në rrugën “Shyqyri Bërxolli” është ndërtuar në vendin e xhamisë dhe të Teqes së Sheh Zelës.
Me vendime të veçanta të autoriteteve lokale të asaj kohe, u ndërtuan pallate banimi disakatëshe dhe, duke zënë trojet e objekteve të kultit me to, u zhduk çdo mundësi për rindërtimin e objekteve të kultit. Kështu p.sh., u ndërtuan pallate në vendin e xhamisë dhe të teqes së Vathit – në rrugën “Qemal Stafa”, përballë shkollës “Kongresi i Lushnjës”. Në rrugën e Zajmit, dikur “Thanas Ziko”, që lidh rrugën “Qemal Stafa” me “4 Dëshmorët”, në truallin rreth Xhamisë së Zajmit, fillimisht u ndërtua një çerdhe ditore, ndërsa më pas në vendin e xhamisë, e të çerdhes, sigurisht në ish-truallin e xhamisë, u ndërtua një pallat pesëkatësh. Në rrugën “Hoxha Tahsin” u prish Xhamia me Teneqe dhe u ndërtua një ndërtesë katërkatëshe, ndërsa në rrugën “Budi” të njëjtin fat pësoi Xhamia e Mujës.
Në lindje të rrugës “Qemal Stafa” kanë ekzistuar “Varrezat e Bamit” dhe në hyrje xhamia e teqja e tyre. I gjithë trualli i tyre, përfshirë varrezat, u shndërrua në shesh ndërtimi për banesa. Qytetarëve iu dha mundësia për të shpërngulur eshtrat e të afërmve të tyre, por një pjesë mbeti në themelet e pallateve që u ndërtuan. Po kështu, në vendin e ish-godinës së Komunitetit Mysliman në rrugën e “Barrikadave”, pranë ish-kinema “Partizani”, u ndërtuan godina pesëkatëshe; të njëjtin fat pësoi edhe teqja e Sheh Muharremit aty pranë. Edhe teqja e Dervish Hatixhesë në veri të kësaj rruge u prish dhe pranë saj u ndërtua një godinë pesëkatëshe. Sot kjo teqe është rindërtuar më brenda.
Ndërmjet godinës së Bankës Kombëtare në lindje dhe ish-kinema “Republika”, e riemërtuar “Milenium” në perëndim, ndodhet blloku i ndërtesave disakatëshe, të ndërtuara në truallin e teqes së Sheh Kubatit. Edhe në vendin e teqes së Sheh Kasem Tabakut, në rrugën “Shyqyri Ishmi” dhe teqes së Sheh Dede Klosit, në rrugën “Ali pashë Guxia”, janë bërë ndërtime. Trualli i disa objekteve të tjera kulti, pas shembjes së tyre, u përdor për banesa të personave privatë, si p.sh., në vendin e Xhamisë së Sheh Voglit në rrugën “Vllazën Huta”, trualli i Xhamisë së Balit në rrugën “Mihal Grameno”, i Xhamisë së Berxollit në rrugën “Ali pashë Guxia” etj.
Fenomenet e dëmtimit të objekteve të kultit qenë nga më të ndryshmet. Kështu, disave prej tyre iu prish minarja dhe ambientet shërbyen për një kohë relativisht të gjatë për destinacione nga më të ndryshmet; ambientet e Xhamisë së Tabakëve, pasi iu prish minarja, përdorën si vend ku banda muzikore frymore ushtronte stërvitjet e saj përgatitore, por një pjesë e truallit të saj u përdor për ndërtime pesëkatëshe. Edhe Xhamisë së Kokonosit në sheshin “Avni Rustemi” në Pazarin e Ri, iu prish minarja dhe ambientet e saj shërbyen si magazina për ndërmarrjen ushqimore, ndërsa në hyrje dhe rreth saj, sikurse e evidentuam, u ndërtuan në truallin e xhamisë dyqane artizanati, të cilat më vonë ua shitën privatëve, duke mbyllur kështu derën, ku dikur ka qenë hyrja e xhamisë, por edhe duke përvetësuar pa të drejtë pjesë të truallit të saj. Edhe në lidhje me xhaminë që ndodhet në rrugën e Kavajës, pasi iu prish minarja, ambientet e xhamisë iu dhanë ndërmarrjes së dekorit të qytetit dhe piktorët punonin aty duke bërë banderola që përdoreshin për ditë festash. Për rastet kur xhamitë qenë tjetërsuar, puna ka qenë më e lehtë për t’i rehabilituar ato dhe për t’i kthyer në identitet, pra si objekte kulti.
Edhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane gjatë kësaj periudhe iu nënshtrua një persekutimi të paparë. Krahas xhamive, kudo në vendin tonë, u prishën edhe teqet bektashiane, duke u shndërruar në depo apo për qëllime të tjera. Vetë ndërtesa madhështore e Kryegjyshatës, që ndodhet në rrugën “Ali Demi”, u shndërrua në azil pleqsh dhe më vonë në zyra të fermës bujqësore. Sot ajo është rehabilituar e kthyer në identitet duke marrë pamjen e dikurshme si qendër e bektashizmit botëror, por në pronësi të kufizuar, sepse edhe shumë troje të saj janë zënë me ndërtime që në kohën e monizmit.
Pas viteve ’90, gradualisht në Tiranë u vunë në funksionim disa xhami, ndërmjet tyre vetëm Xhamia e Et’hem Beut ishte mirëmbajtur si muze, ndërsa të tjerat si ajo e Kokonosit, e Tabakëve dhe e Rrugës së Kavajës patën nevojë për investime të mëdha rehabilituese. Më vonë u ndërtua pothuajse në periferi të qytetit, tek “Oxhaku”, Xhamia e Xhyrës, trualli i së cilës u dhurua nga familja me të njëjtin emër. Kjo xhami është bërë bashkëkohore jo vetëm për sallën e faljeve që është e bollshme, me zbukurimet e veta të brendshme, por, ç’është më e rëndësishme, sidomos me ambientet e shumta komode që ka pranë, të cilat janë ndërtuar për t’u vënë në shërbim të saj. Po kështu, është ndërtuar xhamia në bllokun e ndërtesave të Al’Maku-t dhe INSIG, truallin e së cilës e dhuroi familja Kallçiu. Është përshtatur mjaft mirë për falje edhe një sallë në Medrese, që quhet Xhamia e Medresesë, që u nis vetëm për nxënësit e shkollës, të cilët aty falin 5 vaktet, por në të falen edhe shumë nga xhema’ati i lagjes ku ndodhet xhamia. Më në fund, duam të evidentojmë zgjerimin e xhamisë së Dine Hoxhës, të Kokonosit etj. kapaciteti i të cilave është dyfishua.
Në të hyrë të rrugës së Elbasanit, rrugës së parlamentit të sotëm dhe bulevardit Zhan D’Ark dhe ish-shtëpisë së Oficerëve shtrihet trualli i vakëfit me emrin Namazgja-tradicionalisht vend faljeje kolektive e besimtarëve islamë. Brenda këtyre kufijve sot, pas zgjerimit të rrugës së Elbasanit në kurriz të Namazgjasë, trualli i mbetur është afro 4.000 metra katrorë. Në anën veriore të këtij trualli, gjendet një gur përkujtimor me mbishkrimin në gjuhën shqipe e arabe ku lexohet: “Xhamia Al Fozan (Namazgjasë), u vendos ditën e premte me 11.01.1414 (24.12.1993) nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë”. Nga ajo kohë e deri sot u ndërruan shumë kryetarë bashkie në Tiranë, ministra e kryeministra, të gjithë, në çdo vizitë që bëjnë me raste festash në Komunitet, premtojnë se së shpejti do të rijepet leja, e cila zyrtarisht nuk është anuluar asnjëherë, por deri më sot gjithçka ka mbetur në rangun e premtimeve! Në këtë mënyrë besimtarët myslimanë të qytetit të Tiranës, në fillim të mijëvjeçarit të tretë kanë vetëm një pjesë të papërfillshme në krahasim me besimtarët praktikantë të objekteve të kultit që kishin në fillim të shekullit 20-të, por duhet të evidentojmë se në krahasim me ato kohë popullsia e Tiranës është rritur me dhjetëra herë!
_________________________________
Bibliografia: Vëllime
9.Bartl P. Myslimanët shqiptarë në kohën e lëvizjes së Pavarësisë (1878 – 1912), 1967.
5. Dalliu, Hafiz Ibrahim. Patriotizma në Tiranë. Tiranë, 1995.
6. Myderrizimi Osman. Tirana, 1604 – 1937. Botim special i Bashkisë së kryeqytetit.
8. Frashëri Kristo. Historia e Tiranës si qytet deri më 1920. Vëll. I, Tiranë, 2004.
Periodiku: Revista, gazeta
1)Kristo Frashëri. Fillimet e historisë së Tiranës. Buletin për Shkencat shoqërore II, 1955.
2.Kultura islame. Viti I, nr. 3-5, nëntor – mars 1942 – 1943. Viti I, nr. 11, korrik, 1943.
4.Prof. dr. Muzafer Kazazi. Drita islame. Nr. 13 (169), nr. 15 (170).
7.Xhavit Maçi. Drita islame nr. 2 (157), shkurt, 1999.




[1] Ato janë disa dhe për përmbajtjen e tyre shiko: Shemsedin Sami Frashëri. Kamusula’ëlam – Dictionnaire universel d’histoire et de geografie. Mihran, Costantinople, 1893, vol. III. fq. 1717. A. Degrand. Souvenirs de la Haute-Albanie. Paris, Welter, 1901, fq. 205-207. “Kalendari i vjetëve 1920”, Shkodër, 1919, 44-45. O. Myderrizi. Tirana 1604-1937. Botim special i Bashkisë së Kryeqytetit me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë. Shtypur “Luarasi”, Tiranë 1937, 8-10, Kristo Frashëri. Fillimet e Historisë së Tiranës. Në: Buletin për shkencat shoqërore, 1955, nr. II. 126; Kristo Frashëri. Historia e Tiranës. Si qytet deri më 1920. Vëll. I. Botimet Toena. Tiranë, 2004.
[2] Njihet edhe me emërin Lumi i Tiranës.
[3] Benë ose Bendë është pjesa jugore e malësisë së Tiranës, në lindje të kryeqytetit, tej Dajtit. Pjesa veriore e kësaj malësie quhet Tamadhë. Benda përmendet në dokumentete arkivale qysh në shekullin e 14-të. Më 1404 përmendet emëri i Bendës pranë emërit të Priskës.
[4] O. Myderrizi. Vepër e përmendun, fq.
[5] M. Scura në relacioni drejtuar Propaganda Fides. Në: F. Cordignamo. Geografia ecclesiastica dell’Albanie (“Orientalia Christianna” vëll. XXXVI-4, nr. 99, 1934) fq. 262-263.
[6] Po aty, fq. 261-262, 253-261.
[7] S. Gaspari. Po aty, fq. 99-103.
[8] Një dorëshkrim i vjetër 1761 në Shqypni. Në: “Hylli I Dritës”, 1932, fq. 99.
[9] Spomenik. Sipas Kristo Frashërit. Historia e Tiranës, fq. 80.
[10] J. Muller. Albanian, Rumelien und die Osterreichisch montene grinische Grace. Pragë, 1844. Sipas Kristo Frashëri. Tirana, fq. 159-160.
[11] “Në xhaminë që ndodhet në lagjen e Mujos, një nga lagjet e qytetit (shehrit) të Tiranës, që varet nga kazaja e Akçe-Hisarit, xhami që e ka ndërtuar dhe e ka lënë vakf Haxhi Qose Shkupjani, meqenë

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme