Konflikti më shumë se 2500 vjeçar ndërmjet

Prapa të gjithë këtyre konflikteve realë qëndronte një mitik, ndoshta lufta më e famshme në histori, e luftuar ndërmjet grekëve dhe një populli thuajse legjendë në Azinë e Vogël të quajtur trojanë, një luftë që zhvillohej për të rivendosur nderin e një mbreti spartan të quajtur Menela, bashkëshortja e të cilit, Helena ishte rrëmbyer nga një plejboj trojan, i quajtur Paris Aleksandër. Ashtu si lufta trojane, luftërat perse erdhën e u panë si një betejë mes dy botëve, mes Azisë dhe Evropës.
Fillesat e luftës ishin shumë të qarta. Në vitin 99, qytete grekë të Jonias, atëherë nën sundimin pers ishin ngritur kundër sundimtarëve. Vitin tjetër athinasit kishin dërguar një flotë në Jonia. Ushtria greke arriti të shkojë larg deri në kryeqytetin pers të Sardis, aty ku shkatërroi tempullin e perëndeshës Cibelë. Sipas Herodotit, ky ishte “fillimi i të këqijave për grekët dhe barbarët”. Kur perandori pers Dari dëgjoi për këtë mizori, ai u betua se do të hakmerrej kundër grekëve dhe urdhëroi një prej shërbyesve të tij që t’i përsëriste tre herë çdo ditë që ulej për të darkuar fjalët: “Zotëri, mos harroni athinasit”. Që atëherë, deri në betejën e Plateas në vitin 479 para Krishtit një seri ushtrish perse, në fillim nën komandën e Darit I dhe më pas birit të tij Kserksit do të përpiqeshin të pushtonin Greqinë. Çdo herë u sprapsën nga forca greke shumë më të pakta në numër: fillimisht në Maratonë, në vitin 490 para Krishtit dhe më pas në betejën e madhe detare të Salaminës dhjetë vjet më vonë. (Beteja e Termopileve në gusht 480, ndonëse është kremtuar në shekuj si një triumf i grekëve, e si pasojë heroizëm evropian, në fakt ia doli vetëm të vonojë për disa ditë Kserksin”.
Gjatë luftërave, doli në pah një imazh i thjeshtë i dy palëve – të paktën në Evropë. Për grekët, popujt e Azisë ngjanin si hordhi të nënshtruarish, që nderonin mbretërit sikur këta të ishin perëndi. Ata ishin gjithashtu shumë të pasur, shumë mirë të veshur dhe disi të femërzuar. Vetë grekët, ndonëse të ndarë dhe shpesh herë mes zënkave e sherreve, adhuronin lirinë dhe barazinë dhe ata jetonin sipas ligjeve që kishin bërë vetë dhe jo sipas tekave arbitrare të mbretërve. Virtytet e tyre kishin siguruar lirinë e Evropës, apo, siç do të quhej më vonë teksa zgjerohej për të përfshirë popullsitë e vendbanimeve të Evropës përtej detit “Perëndimin”. Ai që kish nisur si një konflikt për sovranitetin, u zhvillua në një betejë titanike mes dy kulturave, dy mënyrave të jetesës, dy mënyrave të kuptimit të marrëdhënies mes njerëzores dhe hyjnores. Siç mendohet të ketë thënë Kserksi, mes Evropës dhe Azisë “nuk mund të ketë një rrugë të mesme”. Kur filozofi liberal i shekullit 19, John Stuart Mill vërejti se beteja e Maratonës kish qenë një ngjarje më e rëndësishme në historinë e Anglisë se sa Beteja e Hastings, ai donte të thoshte se pa Maratonën, të gjithë vlerat e lidhura me lirinë angleze dhe që ai besonte se buronin nga Greqia, nuk do të kishin ekzistuar asnjëherë.
Praktikisht, grekët kishin fituar luftërat perse. Kur në vitin 334, Aleksandri i Madh përmbysi situatat duke pushtuar Azinë, e bëri këtë duke imituar heroin e tij të preferuar Homerian, Akilin, armaturën e të cilit – të paktën kështu besohej – ai e vishte në beteja në kërkim të hakmarrjes ndaj djegies prej Kserksit të Akropolit në Athinë. Megjithatë, Aleksandri dëshironte më shumë se hakmarrje. Ai kish ardhur gjithashtu në Azi – të paktën kështu ka thënë biografi i tij romak i shekullit të dytë, Plutarku – për të shëruar armiqësinë e përjetshme mes grekëve dhe persëve dhe për të transformuar Lindjen dhe Perëndimin në një botë të vetme kozmopolitane. Ishte Aleksandri, sipas Plutarkut “që i bënte thirrje njerëzimit të konsiderojnë si tokë mëmë të gjithë Tokën e banuar”. Ndoshta një imazh i pamundur; por ai ka rezistuar në versione të ndryshëm dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Por përpjekjet e Aleksandrit për pajtim dhe unifikim nuk i mbijetuan vdekjes së tij në 323 para Krishtit. Në shekujt që do të pasonin, dallimet mes Evropës dhe Azisë – mes perëndimit dhe lindjes – u bënë gjithnjë e më të dukshme deri kur në shekullin e dytë para Krishtit, studiuesi romak Varro e pati të mundur të shprehet kategorikisht se “bota është e ndarë në tokë dhe ajër, ndërsa e gjithë toka është e ndarë në Azi dhe Evropë”.
Perandoria romake solli një farë paqeje dhe bashkimi në Evropë dhe një pjesë të madhe të Azisë. Edhe në kulmin e saj në shekullin e dytë, ajo përballej ende me një kundërshtar të frikshëm aziatik, partianët por deri në shekullin e shtatë, rreziku i vërtetë ndaj sigurisë së Evropës vinte jo nga Lindja por nga Veriu. Ishin tributë nomade gjermanike që shkatërruan perandorinë romake dhe bashkë me të edhe kohezionin kulturor dhe politik të perëndimit. Pjesa lindore e perandorisë romake – perandoria bizantine – mbeti kryesisht e paarritshme për këta plaçkitës dhe pavarësisht konflikteve kufitarë të vazhdueshëm, edhe e sigurt nga fqinjët e vet aziatikë, deri në fillim të shekullit të shtatë.
Në vitin 628, një njeri me emrin Dihya bin Khalifa al-Kalbi u paraqit tek perandori bizantin Heraklius në Jeruzalem. Ai kish me vete një letër që përmbante një mesazh të thjeshtë nga padroni i tij, një profet me emrin Muhamed dhe lider i një komuniteti të panjohur në gadishullin arab. Mesazhi thoshte që nëse perandori do të pranonte fenë e këtij profeti, që quhej thjeshtë “Islam” ose “bindje”, ai dhe mbretëria e tij do të jenë të sigurt dhe Zoti do t’i ofrojë një “shpërblim të dyfishtë”. Nëse jo, ai do të shkatërrohej. “Mbreti të mbretërve” në Persi iu dërgua një letër e ngjashme; po kështu edhe Negusit të Etiopisë. Ajo që kish qenë një konflikt kulturash mes Azisë dhe Evropës po transformohej tashmë në një konflikt mes feve.
Ndoshta historia është e sajuar, dhe e kotë të thuhet se asnjëri prej tri sundimtarëve nuk i kushtoi vëmendje kërkesave të Mohamedit. Megjithatë, pas më pak se një shekulli, ushtritë myslimane kishin vërshuar në pjesën më të madhe të botës bizantine, absorbuar perandorinë e madhe perse dhe kushin pushtuar Gadishullin Iberik deri në Narbonë, në Francën jugore. Duke hedhur sytë pas më shumë se një mijë vjeçar më vonë, Edmund Gibon reflektonte se deri në mesin e shekullit të tretë, e ardhmja e Evropës dukej e tillë që shumë shpejt “...interpretimi i Kur’anit do të mësohej tashmë në shkollat e Oksfordit dhe studentët do të ishin në gjendje t’u mësonin njerëzve shenjtërinë e të vërtetës së zbulimit të Muhamedit”.
Për të krishterët, Muhamedi nuk ishte asgjë më shumë se sa një profet fals, që adhurohej nga ndjekësit e tij si një perëndi në një panteon që ndonjëherë përfshinte edhe Kur’anin. Sipas një rrëfimi, ai ishte madje një kardinal i hidhëruar që, pasi nuk ishte preferuar dhe votuar për t’u bërë papë kish krijuar fenë e tij në shkretëtirë. Myslimanët, nga ana e tyre i bënin kristianët përgjegjës se kishin shtrembëruar mësimet e Jezusit (i cili në Kur’an pranohet si një profet i vërtetë), duke e bërë atë një njeri-perëndi si dhe për shpikjen e një përralle për kryqëzimin e tij. Pavarësisht përpjekjeve aty-këtu për pajtim, deri në shekullin 18 asnjëra palë nuk shprehu ndonjë interes të veçantë në kulturën e tjetrës. Kur’ani u përkthye në latinisht që në 1143, por dorëshkrimi mbeti i harruar në librarinë e madhe në kishën e Klënit për më shumë se 500 vite.
Ndonëse kujtimi i tyre është shumë i gjallë në Lindjen e Mesme sot e kësaj dite, kryqëzatat, xhihadi i të Krishtërimit – “monumenti më i qëndrueshëm i marrëzisë njerëzore që është shfaqur në ndonjë epokë apo komb”, siç i ka quajtur Dejvid Hume – kishin një impakt relativisht jetëshkurtër në marrëdhënien mes dy palëve. Ishte mbërritja e turqve otomanë që do të rezultonte vendimtare në ndryshimin e ekuilibrit mes Lindjes dhe Perëndimit. Deri në 1453, otomanët kishin pushtuar gjithë sa mbetej nga perandoria bizantine dhe ishin vendosur tashmë në kryeqytetin dikur madhështor, Kostandinopojë. Kur në vitin 1462, sulltani otoman Mehmeti II pushtues i Kostandinopojës vizitoi vendin ku mendohej se qe zhvilluar Lufta e Trojës, ai qëndroi në bregun ku pushtuesit grekë kishin ankoruar anijet e tyre dhe deklaroi se, falë tij, pasardhësit e po atyre grekëve ishin detyruar të merrnin “ndëshkimin e duhur , pas një periudhe të gjatë vitesh, për padrejtësinë e tyre ndaj ne aziatikëve në atë kohë dhe shumë shpesh në kohëra të mëvonshme”. Tani, ai dhe pasardhësit e tij, do ta shtrinin këtë ndëshkim në pjesën tjetër të Evropës.
Deri në fund të shekullit 16, otomanët kishin pushtuar të gjithë Evropën Lindore deri në Beograd dhe Budë. Në 1529 ata kishin rrethuar Vjenën. Deri në 1577, ata kishin privuar Venecian nga pjesa më e madhe e ishujve që ajo kontrollonte dikur në Mesdhe, dhe në verë flotat e tyre sulmonin vazhdimisht brigjet e Spanjës dhe Italisë. Deri lart në Islandë, të krishterët luteshin që të shpëtonin nga “terrori i turqve”. Deri në fund të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, shanset për një Evropë myslimane të dominuar nga turqit dukej po aq real sa imazhi i një Evrope të dominuar nga arabët tetë shekuj më herët. “Perandoria e lavdishme e turqve, shkruante atëherë historiani bashkëkohor anglez Ricard Knols, ishte bërë “terrori aktual i botës”.
Në sytë e evropianëve, turqit shfaqeshin, ashtu si arabët dhe persët para tyre, si një popull i fuqishëm por i nënshtruar. Mendohej se sulltani qe pronar i atyre që udhëhiqte. Ligji otoman thjeshtë reflektonte tekat e sundimtarit. Turqit, ka thënë Volteri (i cili në tërësi kish një pikëpamje pozitive për Perandorinë Osmane) gjithashtu nuk dinin asgjë për ekonominë moderne, taksimin e jashtëzakonshëm apo huat e avancuara. “Këta”, thoshte ai për osmanët në 1740, “dinë vetëm si të grumbullojnë flori dhe gurë të çmuar, siç kanë bërë që në kohën e Kirit” . E tyrja ishte një perandori e bazuar në plaçkitjen, gjithnjë në stanjacion dhe e pandryshueshme. Pavarësisht gjithë fuqisë së tyre, popujt e Azisë nuk kishin mësuar kurrë, ashtu si popujt luftëdashës të perëndimit, se si të ndryshonin. Në fund do të qe pikërisht ky faktori që do të shkaktonte shthurjen e tyre.
Në vitin 1682, Sulltani Mehmet IV bëri një përpjekje të dytë për të pushtuar Vjenën. Kjo rezultoi në një humbje spektakolare për ushtrinë më të madhe që osmanët kishin bërë ndonjëherë bashkë. Një historian bashkëkohës osman shkruante se “qe sprapsja më e madhe që ish parë që nga dita e parë kur ish shfaqur shteti osman”. Dhe bashkë me këtë, era nisi të fryjë në drejtim të kundërt. Ushtritë osmane pësuan humbje të tjera në Buda në 1686 dhe dhjetë vjet më vonë në portin e Azvit në Detin e Zi. Në dekadat e fundit të shekullit XVII, perandoria osmane dikur e gjithëfuqishme dukej qartë se kish marrë pozicion mbrojtës. Në të njëjtën kohë, nisi të shfaqet një fuqi e re, gjithashtu kristian por më pak “Perëndimore”: Rusia, “Turku i Veriut”, siç e quante filozofi gjerman Laibnic (1646-1716).
Në 26 janar 1699, në Karlovic, Sulltan Mustafai II u detyrua të firmoste një marrëveshje paqeje me Rusinë dhe aleatët e saj perëndimorë. Traktati i Karlovicit nuk ishte një dorëzim total. Por ai privonte osmanët nga pjesa më e madhe e Hungarisë dhe Transilvanisë. Ishte hera e parë në histori që Sulltani, “Komandanti i besimtarëve” dhe pasardhës i supozuar i kalifatit ishte detyruar të firmoste një marrëveshje me armiqtë e tij. Duke bërë këtë, Mustafai kish rënë praktikisht dakord që t’u bindej parimeve të ligjit ndërkombëtar siç kuptoheshin në perëndim. Ishte një lëvizje e paprecedentë për një kulturë politike dhe fetare për të cilën lufta kundër të gjithë jobesimtarëve ishte një detyrë e domosdoshme si dhe detyrim i përjetshëm i çdo sundimtari.
Karlovici u solli osmanëve një vetëdije të re për fuqinë e mundshme të Perëndimit dhe bashkë me të një qasje të re në perandorinë osmane kundrejt armikut të lashtë. Një seri sulltanësh nisën të reformojnë shtetin përgjatë linjave perëndimore. Në 1719, Veziri i Madh, Damad Ibrahim Pasha dërgoi një ambasador në Paris me udhëzime për “të bërë një studim tërësor të mënyrave të qytetërimit dhe arsimit si dhe të raportonte për ato që mund të zbatheshin”. Taktika të reja ushtarake si dhe armë të reja nisën të futen në përdorim. U ndërtua në shtypshkronjë në 1727 si dhe një punishte për prodhim orësh (sipas të birit, babai i Zhan Zhak Rusosë ka qenë i pari orëprodhues zyrtar i Pallatit). Më e rëndësishme nga të gjitha, kodet e ligjeve u ndryshuan, duke i distancuar vazhdimisht nga ligji islamik, deri kur në 1839 Sulltan AbdylmecidI inauguroi ato që do të quheshin “Reformat e Tanzimatit”. Këto futën një kod të ri penal i cili pretendonte se ofronte “për bariun në mal dhe ministrin” (ndonëse jo ende jo sulltanin) barazi para ligjit, si dhe prezantoi nj sistem parimesh – në mos tamam të drejtash – për jetë, dinjitet dhe të drejtë prone, si dhe të drejtën për një gjyq të drejtë për të gjithë. Tanzimati vendosi barazi të të gjithë feve, duke shfuqizuar në këtë mënyrë pozicionin ligjor dhe fiskal të privilegjuar që gëzonin të gjithë myslimanët. Kulmi ishte krijimi, për herë të parë në një shtet islamik të një kodi civil.
Tanzimati përfshinte një ndarje mes drejtësisë dhe fesë. Ishte në fakt shkelja e parimit më të shenjtë të Islamit: që ligji është, dhe mund të jetë vetëm komandat e Perëndisë siç i janë transmetuar njerëzimit përmes të fundmit të profetëve të tij. Kur në vitin 1841, ministri Mustafa Rashid Pasha futi një kod të ri tregtar që buronte pothuajse tërësisht nga modelet francezë, atij iu kërkua nga pjesëtarët e komunitetit të studiuesve fetarë, njohu si Ulema, nëse ishte në pajtim me Ligjin e Shenjtë. “Ligji i Shenjtë nuk ka aspak të bëjë me këtë çështje”, u përgjigj ai shkujdesur. “Blasfemi”, thërriti Ulema. Poterja e shkaktuar detyroi Sulltanin të shkarkojë Rashid Pashën, dhe procesi i reformave u pezullua për pak kohë, por ai nuk mund të ndalej. Në 1847 u krijuan gjykata të përziera civile dhe penale, me një numër të barabartë gjykatësish evropianë dhe osmanë si dhe me rregulla provash dhe procedurash të marra nga praktika evropiane dhe jo islamike.
Një transformim i ngjashëm kish pushtuar provincën e vetme më të rëndësishme të perandorisë osmane. Pushtimi i Egjiptit nga Napoleoni në vitin 1798, një ngjarje donkishoteske dhe me shumë bujë, në të cilin, pas Aleksandrit, Napoleoni kish për qëllim të bashkonte Lindjen dhe Perëndimin, ishte jetëshkurtër. Por ai la pas një elitë të fuqishme të udhëhequr nga një shpirt me emrin Mehmet Ali (pasardhësit e të cilit do të qeverisnin Egjiptin deri kur të dëboheshin nga revolucioni i Naserit në 1952) vendosi të transformojë Egjiptin në një shtet modern perëndimor. Në prag të Luftës së Parë Botërore, perëndimi dukej se kish fituar luftën kulturore, dhe shumë shpejt do të fitonte edhe atë politike.
Mposhtja e osmanëve gjatë Luftës së Parë rezultoi faza përfundimtare në shembjen e asaj që tashmë thirrej “i sëmuri i Evropës”. Kur, në fundin e luftës trupat britanike dhe italiane hynë në Stamboll, shumëkush – mes tyre Uinston Churchilli – mendoi se kjo qe “Rënia e dytë e Kostandinopojës”, që do të shënonte fundin e “armiqësisë së përjetshme” mes Evropës dhe Azisë. Aleatët u larguan sërish pas vetëm pesë vitesh, por perandoria osmane nuk ekzistonte më. Në vend të saj u shfaq një koleksion i shpërndarë varësish perëndimore në të gjithë Lindjen e Mesme, të cilët brenda pak viteve do të shndërroheshin në kombe të stilit perëndimor.
Modernizimi ose “Perëndimizimi” i Azisë ka marrë shumë forma, disa prej të cilave, si për shembull pranimi i teknologjive të reja janë përthithur në mënyrë relativisht të lehtë pa ndryshuar shumë edhe shoqëritë më tradicionale. (Në fund të fundit, talebanët nuk kanë pasur vështirësi me raketë hedhësit dhe fuoristradat Toyota). Por në qendër të betejës për modernizimin qëndron çështja e fesë. Të jesh modern, siç e dinin mirë sulltanët reformues osmanë dhe vezirët e tyre, do të thotë praktikisht të jesh perëndimor, dhe kjo nënkuptonte krijimin e një shoqërie laike. Teokracia dhe moderniteti ishin të papajtueshme. Askush nuk e kupto më mirë këtë, apo nuk e çoi procesin aq larg, se sa themeluesi i Republikës moderne të Turqisë: Qemal Ataturku. Ai prezantoi një sistem ligjor që, më së fundi pastroi të gjithë gjurmët e mbetura të ligjit islamik. Laicizmi i vendos si një prej gjashtë parimeve kryesor të shtetit të ri, gratë ndaloheshin të mbuloheshin me vello në publik dhe burrave nuk u lejohej të mbanin festen. Popujt e ish perandorisë do të merrnin një identitet të ri kombëtar si “turq” – pavarësisht se kujt besimi fetar apo etnie i përkisnin. Kryeqyteti u transferua nga Stambolli në qytetin atëherë jo shumë premtues të Ankarasë. Shkrimi arab u braktis në favor të një versioni të modifikuar të alfabetit latin, dhe të gjithë turqve iu kërkua të kenë emra dhe mbiemra. Askush nga shtetet e tjerë myslimanë që u krijuan pas luftës së parë nuk shkuan kaq larg. Por shumica u shtynë të miratojnë disa masa laicizimi, me shpresën se kjo do t’i lejonte të konkurronin me fuqitë perëndimore.
Sidoqoftë, nuk funksionoi. Nacionalizmi rezultoi një transplantim perëndimor po aq i paqëndrueshëm sa të tjerët. Ai ekziston edhe sot, por siç ka treguar lufta e sotme në Irak (një “komb” i bërë bashkë prej britanikëve nga ish provincat osmane të Basrës, Bagdadit dhe Mosulit) – nuk është aspak në gjendje që të mbajë të bashkuar grupe etnikë dhe fetarë të tjetërllojshëm në një komunitet të vetëm politik.
Lëvizjet moderne xhihadiste dhe islamiciste janë kapur fort pas kësaj teorie. Për ta, të gjithë telashet aktuale të botës myslimane duket se burojnë nga refuzimi i mënyrave të vjetra, mbi të gjitha refuzimi i ligjit islamik në favor të kodeve laikë. Islami, u kujtojnë ata pasuesve të tyre, u krijua nga ligji i Perëndisë.
Eksponenti më i fuqishëm dhe me ndikim i kësaj pikëpamjeje ka qenë Said Kutb, një egjiptian i cili u ekzekutua nga Naseri në vitin 1966. Kutbi është në shumë drejtime shenjti mbrojtës i lëvizjes moderne xhihadiste, dhe vepra e tij më radikale “”Moment historik” (1864) mbetet një bestseller në botën myslimane. Për Kutb, armiku i vërtetë i botës islamike nuk është vetë Evropa, aq më pak feja kristiane; është shteti nacionalist që perëndimi ka krijuar dhe eksportuar në Lindje. Islami kish zëvendësuar të gjithë traditat e mëparshme, pagane, kristiane apo hebreje. Kish qenë, sipas Kutb “një krijim spontan, një lindje e re dhe një realitet i veçantë”. Tradita më e rëndësishme që islami kish zëvendësuar ishte nocioni fillimisht kristiane më pas përgjithësisht perëndimor i ndarjes së fesë dhe shoqërisë. Duke pranuar një dallim të tillë mes ligjeve të njeriut dhe komandave të Perëndisë, nacionalistët myslimanë e kishin zhytur përsëri botën myslimane në gjendjen që kish qenë përpara ardhjes së Profetit dhe që tani paraqitej në formën e jetesës në skllavëri prej “qytetërimit perëndimor”.
Sipas Kutb, myslimanët që favorizonin perëndimin kishin “... krijuar versionin e tyre të islamit, të ndryshëm nga ai që Perëndia dhe Mesazheri i Tij kish urdhëruar dhe shpjeguar dhe e quajnë atë, për shembull, “Islam progresist”.
Kutb nuk ishte aspak armiqësor ndaj shkencës perëndimore. “Gjenia e Evropës”, pranonte me gatishmëri ai, kish “krijuar vepra të mrekullueshme në shkenca, kulturë, ligje dhe prodhime materiale, falë të cilave njerëzimi ka përparuar në lartësi të reja krijueshmëria dhe rehatie materiale”. Për të, nuk është e lehtë të bësh fajtor “shpikësit e gjërave të tilla të mrekullueshme”. Problemi ishte se ato kishin qenë të gjitha të bazuara në “tradita të krijuara prej njeriut” dhe kishin larguar të gjithë “ato vlera jetësore që janë të domosdoshme për progres real”, vlera që gjenden vetëm tek Islami. Pavarësisht të gjithë të mirave materiale që i kanë dhënë njerëzimit, vlerat e versionit modern të sistemit që ekzistonte para ardhjes së Profetit janë gjithsesi “rrënjësisht të ndryshme nga Islami”, argumentonte ai dhe këto “me ndihmën e forcës dhe shtypjes, nuk po na lejojnë që të jetojmë atë lloj jete që na e kërkon Krijuesi”.
Detyra e brezit të ri Kur’anor, që Kutb kish frymëzuar, do të ishte të “shpallte natyrën hyjnore vetëm të Zotit de të merrte pushtetin nga duart e uzurpatorëve humanë dhe t’ia rikthente Zotit” si dhe të shpallte “supremacinë e ligjit hyjnor dhe anulimin e të gjithë ligjeve njerëzorë”. Ai pranonte se do të duhet kohë që brezi i ri islamist të arrijë nivelet e sukseseve materialë e shkencorë të arritur nga perëndimi. Por ai qe i sigurt se kjo do të ndodhë. “Distanca mes ringjalljes së Islamit dhe udhëheqjes botërore”, paralajmëronte ai, “mund të jetë shumë e madhe dhe mund të ketë vështirësi të mëdha rrugës; por duhet të ndërmerret hapi i parë për rigjallërimin e Islamit”.
Parë në sfondin e historisë së gjatë të armiqësive mes Evropës dhe Azisë, mes “Lindjes” dhe “Perëndimit”, ndjenja të tilla nuk janë absurde. Ato reflektojnë ambiciet jo vetëm të grupeve të ndryshëm terroristë por edhe të Iranit modern, programi bërthamor i të cilit është po aq shumë një përpjekje për të sfiduar supremacinë ushtarake të perëndimit, sa edhe për të vërtetuar se një shtet islamik i qeverisur sipas “vetëm supremacisë së ligjit hyjnor” mund të jetë gjithashtu një fuqi teknologjike moderne si dhe një lider potencial botëror.
Sigurisht, kjo nuk është ajo çfarë dëshiron perëndimi modern – qoftë edhe po të supozosh se është e mundur. Por do të ishte gabim të supozonim se Irani, apo shteti i ri Shiit iraken kur më në fund të nisë të ekzistojë, apo xhihadistët do të heqin dorë së afërmi nga kjo përpjekje.
Vijat e betejës që u hoqën gjatë luftërave perse më shumë se 25 shekuj më parë janë ende, në po atë qoshe të botës, të pandryshuara.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme