
I nderuar ministër,
Të mos respektosh parimet e një feje hyjnore, do të thotë se ju e keni ngarkuar veten me përgjegjësi që (fatkeqësisht) s’ju takojnë. Një vajzë që mban një mbulesë të tillë në shkollë, universitet a kudo qoftë, dëshmon se në zemrën e saj ka besim për të Madhin Zot, dëshmon se e do Atë dhe se i bindet Atij. Atëherë, ndoshta me të drejtë pyes, si mundet që një njeri që jeton dhe vepron komform ligjeve hyjnore të jetë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për shoqërinë në të cilën jeton, aq sa edhe të përjashtohet nga shkolla?!
Mos mendo se ajo vajzë që mban një shami të tillë në këtë kohë e ka të lehtë. Mos mendo se e ka të lehtë t’u rezistojë paragjykimeve e diskriminimeve që i bëhen, por ajo është e fortë dhe reziston, sepse e bën të tillë bindja që ka, vullneti i hekurt që posedon, shpirti i madh që e karakterizon. Të paktën për këto karakteristika, që s’mund t’i gjeni te shumica e të rinjve shqiptarë, ju duhet ta respektoni e ta nderoni.
Ajo çdo herë bën thirrje për të mirën, për të bukurën e për fisniken, që të lartësohet e drejta dhe shoqërisë sonë rinore t’i kthehet dinjiteti që i ka humbur nga sëmundjet fatkeqe të kohës. Ajo çdo herë përpiqet të jetë shembull i së mirës, i bujarisë dhe moralit të lartë, sepse s’ka si të jetë ndryshe përderisa ajo vepron me ligj hyjnor e moral njerëzor.
I nderuar ministër,
Besoj se ju dhe institucioni që ju përfaqësoni keni punë më të mëdha sesa të merreni me një mbulesë të thjeshtë, që, në fund të fundit, është zgjedhje personale dhe që çdo herë mbetet në kornizat e personales. Besoj se për ju dhe të gjithë ne (sepse mbi të gjitha është një obligim moral dhe njerëzor) është më me rëndësi që të largojmë tutje nga shkollat tona drogën dhe alkoolin. Që në shkollat tona të mos mbizotërojë “trimëria” përball mësuesit apo pedagogut, por të mbizotërojë edukata njerëzore. Kemi nevojë që shkollat tona të mos i ngatërrojmë me fabrikat që prodhojnë duhan, që studenti apo nxënësi të mbajë në xhep stilolaps në vend të paketës së cigareve apo armëve të ftohta. Kemi nevojë që në shkollat tona të bëhet mësim, jo presion të mësuesit ndaj nxënësit (apo e kundërta) për interesa personalë. Kemi nevojë që në shkollat tona të bëhet mësim, jo ekspozim provokues apo paradë mode. Kemi nevojë që në shkollat tona të mos prodhohet e të imponohet imoralitet, por të prodhohen dije, kulturë e qytetërim. Kemi nevojë që në shkollat tona të kemi infrastrukturë për të bërë mësim, kushte laboratorike e didaktike... Këto mendoj se duhet të jenë sfidat dhe prioritetet e Ministrisë së Arsimit, jo të merret me imponimin e heqjes së mbulesës apo përzënien e individëve nga dyert e institucionit arsimor.
Janë shumë të rralla në botë rastet kur përjashtohen nga shkolla vajzat me shami dhe rastet kur atyre u ndalohet e drejta për t’u arsimuar. Merreni si shembull cilindo vend në botën perëndimore, vajza e mbuluar lejohet të arsimohet e të frekuentojë shkollën, sepse është e drejtë e saj. Nga ana tjetër, edhe bota i njeh vlerat e saj, e respekton dhe i jep vendin që realisht i takon. E gjitha kjo sepse e drejta, besimi dhe njeriu si qenie e lirë janë më të shenjta se mendësia e një ministri.
Po Nënë Tereza, i nderuar ministër, pse nuk u shpërfill nga bota? Pse nuk u përjashtua edhe ajo nga institucionet, sepse edhe ajo ishte e mbuluar me shami në kokë? Pse u nderua e u respektua kudo që shkoi, në çdo vend të botës? Mos vallë edhe ajo duhej të përzihej ngaqë në kokë mbante mbulesë?! Por jo, asnjëherë nuk ndodhi një gjë e tillë, sepse bota i di vlerat e asaj që sakrifikon dhe në kokën e saj mban shami (mbulesë), e kujtdo besimi qoftë.
Turp! Është turp për Ministrinë e Arsimit, që sot, në vitin 2009, kur sapo u anëtarësuam në NATO, të përzërë nga shkolla një qytetare të thjeshtë, që paguan të gjitha taksat që i detyrohet shtetit e që shteti ia kthen me “më të mirën e mundshme” duke e nxjerrë në rrugë!... Është turp të nxjerrësh në rrugë një njeri që e do dijen (dhe që nesër do të jetë promotor i saj) e të mbash në shkollë një njeri që asesi s’e meriton! Është turp të shkelësh mbi një parim hyjnor dhe mbi dinjitetin e një vajze që me të drejtë kërkon të arsimohet e që nesër të jetë një ogur i vyer për shoqërinë në të cilën jeton...
Turp edhe për institucionin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, që s’është i aftë të përfaqësojë e të mbrojë interesat e bashkësisë së tij, por bën deklarata false dhe e lë bashkësinë të orvatet sa lart poshtë, duke mbledhur firma, dërguar letra e peticione në Presidencë, Kryeministri, zyrat e OSBE-së, ambasada etj., etj. E gjithë kjo ngase institucioni përfaqësues i myslimanëve shqiptarë është i paaftë të mbrojë interesat e komunitetit të tij, sepse mund ta zgjidhte një herë e mirë çështjen e shamive kur u bë nënshkrimi i marrëveshjes mes komuniteteve fetare dhe shtetit shqiptar, por...
Përfundimisht, shamia apo mbulesa e femrës myslimane është e shenjtë, atë s’mund ta nëpërkëmbë as një ministër, as një institucion, askush!
Nëse është e mundur, i kërkoj ministrit që të dalë publikisht dhe të na e bëjë të qartë urdhrin e tij: “Në shkolla dhe universitete s’ka vajza të mbuluara”. Të na tregojë neve që jemi pro shamisë në shkolla pse jemi të gabuar në qëndrimin tonë, por jo me deklarata të prera, duke imituar komunizmin e 1967-s, që ndaloi barbarisht besimin e shenjtë fetar. Edhe vendimi i fundit i ministrit është monizëm me emrin “Demokraci”, siç ishin më herët monizëm vendimet e “xhaxhit Enver”.
Nga ana tjetër, edhe myslimanët duhet të marrin në dorë vetë fatin dhe të mbrojnë të drejtat e tyre, madje të shkojnë aq larg sa edhe të thonë se “votën në zgjedhje” ua japim atyre që mbrojnë interesat morale dhe fetare.
Nëse feja islame është e pranuar me Kushtetutën shqiptare, atëherë ajo duhet patjetër të pranohet si tërësi e jo fragmentarisht. Shamia nuk është import nga jashtë, por një realitet fetar dhe historik shumëshekullor. Vendimet e qeverisë duhet të jenë manifestim i vullnetit të qytetarëve e jo qytetarët të jenë manifestim i vendimeve të qeverisë. Sepse qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa vlerat fetare mbesin përjetë.
Ministri, e kushdo qoftë, duhet të mbahet e të krenohet me atë që mund të ndërtojnë për të ardhmen e shoqërisë e të arsimit shqiptar e jo me përjashtime dhe nxjerrje në rrugë. Nuk është e hijshme t’ua përplasësh Kushtetutën e të mbulohesh me të, sepse, siç thoshte edhe Mark Tuen: “Shpeshherë e drejta për budallallëk mbrohet nga Kushtetuta. Kjo është garantuar ngase shumica e tyre shpalosin budallallëkun e tyre në qeverisje!”
Shkodër, më 10.04.2009