Prosperiteti i Kosovës një varësi serioze nga koekzistenca fetare dhe etnike

Janë të shpeshta pohimet se Kosova është e kosovarëve, përkatësisht e banorëve të saj. Kjo nuk mund të jetë asgjë tjetër pos një indikacion që atribuon përgjegjësin e tyre që ata duhet ta kenë ndaj Kosovës dhe lundrimit të saj në valët kohore.

Kosova në retrospektivë:
Tani me formimin e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, ne të gjithë jemi duke parë përpjekjet e qytetarëve të saj për anëtarësimin dhe inkuadrimin e Kosovës drejt strukturave më të larta Ndërkombëtare. Megjithëse e “viktimizuar” disa herë gjatë historisë në periudha të ndryshme kohore, ajo sërish nuk ndalet për të vajtuar të kaluarën, por në vazhdimësi është duke kontribuar për një të ardhme me të ndritur për qytetarët e saj.
Lëndimet e marra gjatë luftës së fundit nuk qenë të limituar vetëm për një kohë të caktuar, bie fjala vetëm gjatë atij konflikti të armatosur, por se ato ende mbizotërojnë si gjurmë serioze dhe me pasoja të pa shërueshme për shoqërinë dhe të ardhmen e Kosovës. Madje pasojat e luftës tani po shfaqen përherë e më shumë, varret e zbuluara, listat e të zhdukurve, sërish janë fakte rrëqethëse që trazojnë ndjenjat e shqiptarëve. Traumat e përjetuara në ato ditë të mynxyrës serbe ende nuk do të zhduken plotësisht, sidomos tek fëmijët të cilët ishin viktimat më të pakursyera të kësaj mynxyre. Tani, ne të gjithë sa do të donim që ajo e kaluar të mbetet pa “koment” për faktin se karakterizimi i luftës ishte me ata që sot megjithatë janë element i pashmangshëm për sendërtimin e imazhit të Kosovës, po aq edhe do të donim që ajo të mbetet një leksion i mirë dhe profitabil në hapat tonë drejtë së ardhmes. Kjo do të thotë se ne mund të ecim përpara edhe duke shikuar mbrapa, por jo me përfytyrime emocionale të së kaluarës, sepse në vazhdimësi do të jenë motiv çrregullues për shoqërinë në përgjithësi. Nga kjo e fundit marr shkas të them se: një pjesë e trupit e lënduar për herë të parë me shumë lehtësi mund të shërohet se sa ajo që shërohet për së dyti. Dhe tani akoma pa harruar luftën tmerruese të fundit në Kosovë, jo larg nga ajo rikujtojmë edhe trazirat e 17, 18, 19 Marsit të vitit 2004, të cilat qenë një leksion i qëndrueshëm se veprimet mbi baza emocionale janë të paarsyeshme dhe të dëmshme për proceset që çojnë drejt zhvillimit dhe stabilitetit të një rajoni. Kujtoj, se pasojat e dala nga ato dy tri ditë trazirash ishin jo më pak se dhjetëra të vdekur e qindra të lënduar, s’duhet harruar se edhe kostoja e riparimeve të shkatërrimeve materiale ishte një shumë e madhe të hollash. Tani, pas kësaj, kush mund ta rikthej besimin e humbur të të huajve që kishin fituar për kosovarët si një popull bujar, i qëndrueshëm, paqedashës etj? E gjitha kjo thuajse u rrënua brenda një dite, pastaj, çka fitoi Kosova nga kjo, pos që humbi.
Cilësimi i Serbisë nga qarqe botërore si gjakatare dhe cenuese e paqes në rajon për shkak të veprimeve anti njerëzore të ndërmarra gjatë luftës në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë, si dhe kryeneçësia e saj ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, nuk duhet të na shërbejnë neve si model i shkëlqyer se si bëhet lufta, por duhet të na vetëdijeson për një kooperim më të përafërt ngase për të mos u etiketuar si të tillë, ne duhet bërë përpjekje të vazhdueshme për një kultivim koekzistence me fqinjët tanë e të gjitha konfesioneve, etnive etj. Plagët e mara nga Serbia vite me radhë e në veçanti gjatë konfliktit të fundit, janë monstruoze dhe shumë rrëqethëse, këtë askush se mohon. Por, në këto kohë paqeje dhe të pas pavarësimit, Kosova është duke dhënë shembullin e një nxënësi të shkëlqyer se si është duke menaxhuar punën e saj. Praktika duhet ndërtuar gjithmonë në bazë të një teorie të mirë. Teoria e saj ishte periudha disa vjeçare e kaluar brenda një mbikëqyrësi “legjitim” UNMIK, ndërsa praktika e saj është, aktivizimi drejtpërdrejt në të gjitha organet vendimmarrëse në strukturat vendore dhe ndërkombëtare. Ndonëse nuk është ende kohë e rezultateve përfundimtare, shpresat për rezultate të mira janë në favor të pozitivitetit - optimizmit.

Kosova nën hijen e vizionit të ri:
Kosova ndonëse nuk e ka epitetin e një nxënëseje shembullore, megjithatë duket se ka kaluar madje edhe më lartë se suksesin e mirë. Mbase edhe të cilësuarit e saj si shembullore nuk do të paraqiste kurrfarë gabimi, kur dihet se ajo ka tejkaluar disa “provime” të tranzicionit të cilat konsiderohen si shumë të rëndësishme për shqiptarët, kujtojmë këtu, zgjedhjet lokale dhe parlamentare, si dhe finalizimi e Statusin të Kosovës që konsiderohet si kapitulli më i rëndësishëm që karakterizon një pjesë të caktuar të historisë sonë. S’këndejmi, Kosova është kjo që është, ajo ka të gjitha elementet dalluese dhe shtetëformuese që e cilësojnë si një shtet legjitim dhe i pranuar nga një pjesë e caktuar shtetesh botërore. Vizioni i kosovarëve duhet të jetë i qartë, të gjithë duhet të jemi unik në punët dhe angazhimet tona në mënyrë që edhe shteti ynë të marrë pamjen e një shteti që di të tregojë dhe të japë vlera si dhe di të bëjë zgjidhje për të gjithë. Tashmë të gjithë kosovarët duhet të vetëdijesohemi që shtetin tonë ta konsiderojmë si pronë tonën dhe të mundohemi të punojmë aq sa mundemi, siç të gjithë punojmë për shtimin e pasurisë personale ashtu duhet menduar edhe për pasurin e Kosovës. Tash më kur timoni është në duart tona dhe ne jemi udhëheqës duhet dhënë shembujt më të mirë të një udhëheqje perfektë. Kosova shihet se ballafaqohet me probleme të mëdha të natyrave të ndryshme, si droga, prostitucioni, trafikimi i krijesave njerëzore etj, janë një problem që duhet konsideruar problem serioz nga të gjithë shtresat e shoqërisë, duke filluar prej qytetarit më të thjeshtë e deri te institucionet përkatëse që mund të ndikojnë në mënjanimin e deri edhe në shmangien totale të të gjithë atyre që shkatërrojnë shoqërinë dhe dëmtojnë imazhin e një shteti. Institucionet ekzekutive janë më me peshë për këtë, por atyre duhet t’u ofrojmë ndihmë dhe bashkëpunim të mirëfilltë në identifikimin e shkaktarëve dhe shërimin e pasojave të shkaktuara.



Stimulimi i koekzistencës:
Prej hapave parësor që duhet ndërmarrë shoqëria kosovare është akti i kompromisit në mesë të zënkave dhe armiqësive në baza etnike dhe fetare. Ndonëse shqiptarët mbajnë epitetin e një populli tolerant, dhe me që i takojnë një shumice absolute myslimane, ata asnjëherë nuk kanë qenë në zënka me fqinjët e tyre katolik e ortodoks. Shikuar sipas studiuesve të ndryshëm të marrëdhënieve ndërfetare e ndërqytetërimore, mes çështjeve gjithherë aktuale, si te ne ashtu edhe në qarqet botërore, vazhdon të jetë edhe tema e bashkekzistencës - në rrafshin burimor e teorik - ndërmjet Islamit dhe feve, ideologjive ose botëkuptimeve të tjera; dhe në rrafshin praktik e historik - ndërmjet myslimanëve, krishterëve dhe feve a ideologjive të tjera. Ky aktualitet qëndron në faktin se shumë qarqe politike botërore, me anë të mekanizmave të veta, e shtrojnë këtë çështje në kontekstin negativ, dhe si burime shfrytëzojnë pjesë kuranore të shkëputura nga tërësia, duke bërë nga Islami përbindëshin e llojit të vet, si dhe në veprat propagandistike, me fushatat e tyre perfide.
Sidoqoftë, progresi nuk arrihet në hakmarrje, sepse hakmarrja jo vetëm se e përforcon konfliktin, por në këtë rast edhe bënë fundosjen e vlerave dhe ajo hap konflikte të reja me pasoja të pa paramenduara.
Shembujt islam që sjellë e kaluara dëshmojnë se Islami çdo herë ka qenë zgjidhje për të gjithë. Pejgamberi a.s me rastin e hixhretit (shpërnguljes) nga Mekka në Medine, hapat e parë që kishte ndërmarr, ishte pajtimi në mes të myslimanëve – ensarëve (ata që e ndihmuan Pejgamberin a.s në Medine) dhe muhaxhirëve (ata që e shoqëruan Pejgamberin a.s gjatë shpërnguljes prej Mekkes) dhe kompromisi me jo myslimanët përmes integrimit të tyre, madje ai edhe e stabilizoj jetën në Medine me një shoqëri multietnike dhe multifetare brenda saj.
Këtë veprim Muhamedi a.s e finalizoi më përpilimin e një “traktati” të njohur që përbëhej nga pesëdhjetë e dy nene, dhe me të cilën u rregulluan në mënyrë të detajizuar marrëdhëniet në mes të shoqërisë medinase dhe me këtë Medine-ja de facto merr edhe formën e një shteti të vërtet. Ky traktat apo Kushtetutë, konsiderohet edhe Kushtetuta e parë ne histori.
Në këtë traktat, Pejgamberi Muhamed a.s kishte ofruar zgjidhje dhe pikëpamje jo vetëm për myslimanët (sepse kjo edhe nuk ishte problem), por zgjidhje edhe për jomyslimanët, për jetesën e tyre të përbashkët tash më me fqinjët myslimanë, dhe duke shpall Medinën si vend të tyre që secili duhet mbrojtur atë. Cituar sipas nenit 48. të këtij traktati thuhet: “Myslimanët dhe çifutët duhet t’i dalin njëri tjetrit në ndihmë kundër çdo njërit i cili e sulmon Medinën”. Edhe pse Pejgamberi a.s me pozitën që kishte, ishte person i pa dëshiruar (non grata) te jo myslimanët e fiseve të ndryshme çifute që jetonin në Medine dhe madje ai ishte luftuar drejtpërsëdrejti nga një pjesë e tyre, megjithatë për hir të ruajtjes së stabilitetit në vend, për hir të mirëqenies njerëzore dhe për hir të mbretërimit të paqes, u ofroi bashkëjetesën e jo luftën. Ju ofroi kompromis e jo kundërshtim. Fundja, ky ishte edhe mesazh i Zotit tek një misionar i tij për marrëdhënie të mira dhe mbretërim paqeje.
Akti tjetër që meriton të përmendet që është i një rëndësie të jashtëzakonshme, është edhe rasti me çlirimin e Mekës, rasti ku të gjithë prisnin se ai do t’ua kthej të gjithë trysnit dhe persekutimet që i kishin bërë bashkëkombësit e bashkëvendësit e tij. Me hyrjen e tij në Mekke (në vendlindje e tij) pas tetë vitesh, të cilën e kishte lëshuar në mënyrë të dhunshme, pas pastrimit nga idhujt të tempullit të shenjtë Qabesë dhe ibadetit (lutjes) - rëndom, ai bëri atë që s’do ta bënte askush. Të gjithë mekasit ishin tubuar rreth Qabesë dhe prisnin se si do të veproj Pejgamberi a.s me ata, njeriu - me epitetin e krijesës më të dashur tek Zoti, me cilësimin e tij si besnik të shoqërisë, me bujarinë dhe zemërgjersin ndaj të gjithëve, ai iu drejtua Mekasve: “O kurejsh, Allahu e largoi prej jush injorancën dhe lartësimin me stërgjyshër. Njerëzit janë prej Ademit e Ademi është prej toke. O kurejsh çka mendoni se do të bëjë me ju?” Ata thanë: ne presim mirë pasi ti je vëlla i ndershëm dhe djalë i vëllait të ndershëm. Pejgamberi a.s tha: “Nuk ju qortoj sot, Zoti ua pastë falur të metat”.
Të gjithë këta shembuj dhe shumë të tjerë nga historia islame pasqyrojnë se koekzistenca me ata që mendojnë ndryshe nga ne është prej tipareve islame dhe si e tillë duhet mbështetur.
Toleranca fetare e popullit shqiptar mbështetet në vetëdijen kombëtare, në faktin se të gjithë shqiptarët e të gjitha besimeve janë të një gjaku dhe të një gjuhe, kanë origjinën, historinë, truallin dhe traditën e përbashkët, janë pra një vëllazëri e gjerë, një popull. Kjo vetëdije ka ndikuar fuqimisht në kohezionin kombëtar me përmasa më të gjera, dhe e ka mobilizuar popullin shqiptar gjatë historisë për t’u bërë rezistencë përpjekjeve të vazhdueshme të të huajve që ta përçajnë dhe sundojnë atë. Shqiptarët e kanë parë se të huajt e shfrytëzojnë fenë për ta përçarë popullin. Kështu, feja e keqpërdorur nga armiqtë, ka marrë nga ky aspekt kuptim negativ, rol antikombëtar, të cilin ia kanë ngarkuar pushtuesi i trojeve shqiptare, megjithëse mësimet dhe parimet e tri konfesioneve janë humane, pozitive, me etikë të lartë, me respekt dhe tolerancë ndaj të gjithë atyre që besojnë në një Perëndi, pra ndaj besimtarëve të krishterë dhe myslimanë.
“E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t’i dëgjoj fjalët e Allahut (Kuranin) e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt. Këtë ngase ata janë popull që nuk e dinë (të vërtetën e fesë islame).” Et-Tevbe: 6

Roli besimit islam në parandalimin e dukurive negative:
Si në të kaluarën ashtu edhe tash roli i fesë në raste vendimmarrëse është i pakontestueshëm. Feja gjithnjë jep një vizion të qartë për çdo rrethanë dhe situatë. Finalizimi i statusit të Kosovës dhe shpallja e saj shtet i pavarur dhe sovran, numëron edhe kontributin e Bashkësisë Islame si dhe komuniteteve tjera fetare. Bashkësia Islame vazhdimisht ka mbajtur lidhje me qarqe të ndryshme botërore, e sidomos me Gadishullin Arabik, duke lobuar për pavarësimin e plotë të Kosovës. Tani kur akoma nuk është kompletuar lista e shumicës së shteteve të Botës që duhet njohur pavarësinë e Kosovës Bashkësia Islame dhe institucionet e saja janë duke kontribuar në mënyra të vazhdueshme nëpërmjet delegacioneve të njëpasnjëshme që dërgojnë aty ku ndihet nevoja në mënyrë që kontributi i tyre të jetë në dobi të atdheut dhe të qytetarëve të saj. Delegacionet e udhëhequra nga myftiu i Kosovës Mr. Naim Tërnava dhe dekani Fakultetit Studimeve Islame në Prishtinë Dr Rexhep Boja, në fillim të muajit qershor në Mekke të Arabisë Saudite si dhe delegacioni i para disaditësh nisur në drejtim të Amanit udhëhequr nga publicisti Veton Surroi, Muhamet Musatafa nga instituti Riinvest si dhe Qemajl Morina nga Bashkësia Islame e Kosovës, dëshmon edhe njëherë se Bashkësia Islame dinë të japë vlera të mirëfillta gjithherë, e sidomos kur është në pyetje Atdheu.
E mira dhe e dobishmja për shoqërinë janë simbol i besimit dhe janë rrjedhojë e besimit. Nuk pretendojmë se mund të hyje në emrin fe një doktrinë apo ideologji e caktuar nëse ajo kontribuon ndaj dukurive negative si dhe qëndron indiferente në eliminimin e tyre. Natyra e besimit islam është e tillë që kultivon qetësinë, prosperitetin, dashurinë mes njerëzve, harmonin me të gjithë, kompromisin, faljen etj.
Besimi islam me direktivat e veta të një besimi të arsyeshëm për çdo vend dhe çdo kohë, gjithherë insiston në përmirësimin dhe eliminimin absolut të atyre që shkaktojnë çrregullime, madje pa përjashtuar edhe mundësitë sanksionuese për deliktet e shkaktuara. Çdo shkak e ka edhe arsyen e vet. Në përmasat jetike njeriu është shkaktar për valëvitjen e regresit dhe progresit shoqëror, sipas asaj që vepron, sipas saj pritet edhe rezultati – shpërblimi i punës. Ajeti i përmendur në këtë kontekst: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj)... Err-Rrum: 41 Janë një indikacion që na vetëdijeson rezultatet e punës tonë nga moskujdesi i veprimeve njerëzore karshi besimit islam.
Feja islame me metodat e saja parimore vazhdimisht insiston në vetëdijesimin e shoqërisë në përputhshmëri me mësimet pejgamberike. Ligjëratat në xhami, dhe shumë tribuna të tjera të organizuar nga fondacione e shoqata, nuk kanë karakter tjetër pos kësaj, se si njeriun ta përgatitin për veprime të mira në çdo drejtim. Rrjedhimisht, asnjëherë ne nuk duhet të na kënaq kjo formë e edukimit, ne presim që në një të ardhme të afërt të mundësohet dhe të ligjësohet edukata fetare në arsim të ulët dhe të mesëm, në mënyrë që potenciali dhe kapacitete e fesë të depërtojnë te individi dhe shoqëria në dimensione shkencore, e jo feja të kultivohet në model të traditës tek brezat e ardhshëm. Përmes kësaj rruge, e që ne fuqimisht besojmë se do të jetë një digë e fortë për t’iu thënë stop dukurive negative, ne do të mund që të kultivojmë gjenerata të arta të cilat do të jenë lider të së nesërmes. Për sa kohë që ne do të neglizhohemi në këtë aspekt, për aq kohë do të viktimizohemi dhe do t’i ndjejmë në vete pasojat e marra. Kosova nuk ka nevojë për modele të viteve 1967 kur Shqipëria shpalli veten si të vetmin shtet ateist në Botë, ne nuk dëshirojmë që ajo e kaluar as të imagjinohet, por si duket gjurmët e saja ende janë të pranishme në mes nesh. Andaj apelojmë te të gjitha institucionet më të larta udhëheqëse në Kosovë, që edukata fetare pa shmangshëm duhet të bëhet pjesë e plan programit edukativo-arsimor në shkollat tona, në këtë mënyrë ne do të mund të largonim dhe të mënjanonim në tërësi ato dukuri të dëmtuara që janë në rritje e sipër në shoqërinë tonë.
Themi; në histori metodat e largimit apo evitimit të sëmundjeve shoqërore të krijuara nga shoqëria rrallë herë ose fare nuk kanë qenë dobiprurëse për individin dhe shoqërinë, madje në disa raste ato janë treguar tejet të mangëta dhe jo efikase, derisa ato nuk janë zëvendësuar me metoda të vendosura nga Krijuesi i Botëve, ngase është shumë afër mendjes të kuptohet se askush nuk e njeh më mirë produktin e huaj, sesa prodhuesi vet, prandaj edhe ne themi se metodat edukative të cilat janë përcaktuar nga Krijuesi i Botëve - Allahu xh.sh, janë i vetmi shpëtim për mbarë shoqëritë ekzistuese, sepse vet ato janë produkte të një vullneti Hyjnor.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme