
ISLAMI DHE DEMOKRACIA
Në tërë botën është i shtrirë mendimi se qeverisja demokratike në Perëndim është regjimi më i mirë i mundshëm deri te i cili njerëzimi ka mund të arrijë. Në krahasimin e regjimeve – në qoftë se mendohet që përkundër demokracisë qëndron monarkia e individëve, dinastia apo aristokracia e cila shumicën e popullit me të cilin qeveris e shpie në rrafsh të të marrëve, apo edhe teokracia në të cilat klerikët (priftërinjtë) konsiderohen të pagabueshëm – demokracia, në zgjedhjen e shumicës së njerëzve, pa dyshim do të marrë vend parësor.
Mirëpo, nëse dëshirohet të mbrohet mendimi se demokracia është regjimi më i mirë, atëherë ajo nuk mund të krahasohet me monarkitë, aristokracitë dhe teokracitë, por, marrë në përgjithësi, me idealet koherente brenda vetë modelit; duke i marrë parasysh idealet e ngjashme në historinë e njerëzimit, duhet hulumtuar se a i kanë arritur sistemet tjera politike idealet e veta për të cilat edhe sot flitet, dhe vetëm me këtë arrihet vlerësimi i drejtë.
Në Perëndim, i cili në themele të kulturës së vet manifeston vetëkënaqësi dhe narcisoiditet, konsiderohet se idealet që i përmban demokracia e atjeshme, në mënyrë speciale janë rezervuar për Perëndimin dhe se njerëzit, pasi që e kanë njohur demokracinë perëndimore, kanë mësuar për atë që, gjoja, ato i karakterizon: zgjedhjet, aktivitetet politike, opozita, organizimi, ekzistimi i feve, kulturave dhe bashkësive etnike të ndryshme në shoqëritë pluraliste dhe grupacionet tjera shoqërore; pra, të përsiaturit e tillë, mediumet perëndimore për çdo ditë e përsërisin dhe me këmbëngulje qëndrojnë në të.[1]
Kurse, në të vërtetë, sjelljet politike për të cilat flitet u janë të njohura edhe kulturave dhe traditave tjera: në disa ato janë mjaft të suksesshme, e në disa të kënaqshme.
Shumë orientalistë perëndimorë pranojnë se tradita e fiseve të vjetra arabe bart një karakteristikë demokratike; prijësi (kryepari) i zgjedhur konsiderohej i pari ndër të barabartit dhe të gjitha vendimet më të rëndësishme i merrte pas konsultimeve. Format e sjelljes së këtillë politike, me anë të mbrojtjes juridike në suaza të Islamit, janë ngritur në shkallë të pyetjeve mjaft të rëndësishme dhe nëpërmjet institucioneve me ndikim aplikoheshin në jetë, madje i kanë mbrojtur harixhitët, mu’tezilitët, zejditët dhe disa mendimtarë sunnitë e shiitë.[2]
Marrë objektivisht, ardhja e Muhammedit – alejhis-selam (a.s.) në Medine në vitin 622 sipas Hixhretit dhe hartimi i tij i Kartës së Medines, të cilën e kanë pranuar dhe nënshkruar muslimanët, hebrenjtë dhe mushrikët, paraqet dokumentin e parë juridik, përgjithësisht i shkruar në bazë të të drejtave të barabarta për të gjithë dhe mbrojtjes së vlerave demokratike, dhe ky dokument është shumë më i vjetër nga ato që paraqiten në shekullin XVII dhe XVIII. Specificiteti i qartë i Kartës së Medines është në atë që ajo u jep përparësi veçorive fetare, juridike dhe kulturore, e mbështet modelin pluralist dhe atë pluralizëm e vë nën garanci kushtetuese.
Në qoftë se Karta e Medines, e cila përveç unifikimit të veçorive fetare, juridike dhe kulturore, mundëson që grupacionet e ndryshme shoqërore si bashkësi specifike juridike të ekzistojnë në paqe njëri pranë tjetrit, do të krahasohej me sistemet pluraliste dhe demokratike të Perëndimit, do të shihet se demokracia perëndimore përfaqëson filozofi politike mjaft dekadente. Sipas meje, nëse dëshirojmë të vijmë deri te përfundimi i drejtë për vlerat e demokracisë, atë para së gjithash duhet krahasuar me Kartën e Medines – frytin e një kulture politike tjetërfare, e pastaj të testohet sendërtimi i saj i idealeve që i ka paraparë në praktikë.
* * *
Përgjithësisht, në qarqet e atyre që i ofrojnë përkrahje parezervë demokracisë, në aspekt të definimit të saj ekziston konfuzion. Sipas sociologut italian Paret XE "Paret" it, demokracia është, më së paku, një percepcion i paqartë sikur edhe “feja”, kurse reputacioni i saj është më i rëndësishëm se vetë ajo. Duke e theksuar lirinë e vet, Perëndimi dhe KSBE (Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, prej para do kohe Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE, N.I.), kanë deklaruar tre standarde: të drejtat njerëzore, demokracinë dhe ekonominë e tregut të lirë. Mirëpo, nuk është sa duhet e qartë përse ndërmjet këtyre tri vlerave detyrimisht shtrohet njëfarë lidhshmërie. Sepse, në bazë të përvojës sonë shohim që as gjatë historisë, as në epokën bashkëkohore nuk kemi argumente të forta për ekzistueshmërinë e obligueshme të lidhshmërisë ndërmjet tri vlerave të cekura; pikërisht e kundërta, në zgjidhjen përfundimtare, në lëmin e të drejtës së Sheriatit (civile, qytetare), nëse tashmë jo edhe në të drejtën zyrtare (örf), së bashku me rendin e vet të sulltanatit, qeveria osmane obligativisht i ka respektuar të drejtat njerëzore dhe atë gati gjatë tërë historisë së vet dhe me kujdes ka ruajtur cilësinë e respektit të shtetit. Natyrisht, nuk mund të thuhet se në qeverinë osmane sulltani është zgjedhur në bazë të parimeve demokratike dhe votave të zgjedhësve, por megjithatë, me sistemin e vet të sulltanatit dhe hilafetit qeveria osmane ka qenë shtet që, në planin e përgjithshëm, të drejtave njerëzore u ka kushtuar vëmendje së paku sa edhe qeveritë e tashme perëndimore (politike). Duke u kthyer prapa, gjendja e këtillë haset edhe te Selxhukët, Abasitët dhe Emevitët.[3]
Prandaj, insistimi këmbëngulës në ekzistimin e lidhshmërisë së fortë të të drejtave njerëzore dhe demokracisë si sistem politik i pjesës më të madhe të bashkësisë njerëzore, paraqet vetëm qëndrimin teorik dhe dëshirën e individëve.
Lansimi i mendimit se të drejtat njerëzore janë të respektuara dhe të mbrojtura vetëm në vendet e tregut të lirë ekonomik, është propagandë e thjeshtë. Krejtësisht e kundërta, ligjet e tregut të lirë, që vlejnë vetëm në demokracitë politike, në thelb kanë karakter garues, por sendërtohen dhe prosperojnë edhe jashtë këtij garimi. Ky është realitet dhe ne këto do t’i shqyrtojmë në kaptinat vijuese.
Përktheu Nexhat Ibrahimi
--------------------------------------------------------------------------------
Fusnotat
[1] Edhe sikur disa hulumtues nga Perëndimi të pohojnë se nuk është ashtu, kjo është krejt e pamjaftueshme. Pjesëmarrja gjithëpopullore në zgjedhje dhe në pushtet nuk aplikohet vetëm në shoqëritë perëndimore dhe nuk është e saktë se për herë të parë paraqitet te grekët e vjetër. Më gjerësisht për këtë shih: C. Narthcote Parkinson, Siyasal Dü½üncenin Evrimi (Evolucioni i mendimit politik), përktheu në turqishte M. Harmancı, Stamboll, 1976, fq. 7 e tutje.
[2] Shih: Dr. Nevin A. Mustafa, ¡slam Siyasi Dü½üncesinde Muhalefet (Opozita në mendimin politik islam), përktheu në turqishte dr. V. Akyüz, Stamboll, 1990.
[3] Për demokracinë, të drejtat njerëzore dhe ekonominë e tregut dhe theksimin e tyre permanent si vlera dominante të Perëndimit si dhe për qeverisjen te osmanlinjtë, gjerësisht shih: Ali Bulaç, ¡slam ve Fanatizm (Islami dhe fanatizmi), Stamboll, 1993; kurse për kategoritë e Sheriatit (të drejtës qytetare të vlefshme për mbarë shoqërinë) dhe örfit (të drejtës zyrtare dedikuar vetëm për anëtarët e pallatit) shih: Ibid, fq. 2 dhe 3.