Të prekësh ëndrrën…

Ku po shkoj ? Si po shkoj? Çfarë kam ngarkuar në rimorkion e veprave të mia ? Si do të paraqitem ? A do të di të jem i përpiktë me obligimet e mia ? A do të duroj ? Sa do të sakrifikoj ? A do të jem i pranuar unë dhe ajo çfarë do të bëj ? Si do të kthehem dhe… a do të kthehem ?

Pak a shumë kjo është gjëndja e një kandidati për haxhi i cili duke numëruar ditët deri në datën e nisjes, i duket se koha ka ndalur dhe ajo datë pothuaj ka “harruar” të afrohet. – “Je përzgjedhur që të nisesh për haxh” – frazë që peshon jo pak në ndërgjegjen fetare të një muslimani që në këtë realitet të vështirë, përditë kalon orët duke dyshuar se a ishte i tillë ai sot apo jo. Papritmas, gjithë ajo panoramë e vendeve të shenjta që ishin stampuar në mendjen tënde vetëm nga dhjetra fotografi, fillojnë të lëvizin dhe të marrin formën reale në subkoshiencën tënde. Edhe pse akoma nuk je nisur, ti e shikon veten si pjesë e kahershme e fotografisë duke të dhënë një ndjenjë sigurie por edhe frike, frikë nëse do të jesh edhe pas kësaj i merituar për të qenë pjesë e kësaj tabloje.

Ti pret, pret që të të ndodhin gjëra të cilat nuk ke pasur kurrë luksin që t’i provosh, dhe padurimi, dëshira dhe ankthi luajnë kukamçefti në mendjen tënde.


* * *

Pagjumësia dhe kureshtja së bashku me zhurmën e motorëve të avionit në frenim e sipër, ankorojnë në Aeroportin e Xhides, porta kryesore e haxhinjve fluturues që vijnë nga vende të ndryshme në drejtim të tokës së shenjtë. Era e ngrohtë e Lindjes depërton në mushkritë e haxhinjve shqiptarë që kishin lënë pas bashkë me të ftohtin edhe acarin e marrëdhënieve politike shqiptare, duke u zhytur kështu në të përqëndruarit e asaj që i priste.

Kur udhëton për herë të parë në një vend ku rëra pothuaj është e barabartë me ajrin dhe malet e fushat që ëndërrojnë të kenë një pemë, të krijohet përshtypja se po udhëton në një planet tjetër ku ti si vizitor i parë i tij eksploron peisazhe të reja. E gjithë kjo zgjat për pak kohë deri kur në horizont fillojnë e shfaqen kodrat hijerëndë të Mekës, atëherë e kupton se këtu ti nuk je i pari që shkel, burra më të mirë dhe më të devotshëm kanë lënë gjurmë aty, dhe menjëherë në imagjinatën tënde fillon të konfigurohet ajo pjesë e lavdishme e historisë së muslimanëve që si kulminacion kishte pikërisht këtë vend.

Përmes kodrave të zhveshura, shfaqet Meka, një qytet pothuaj i ri, ku betoni, rifinitura, fasada xhami, infrastruktura rrugore, makinat luksoze dhe supermarketet, kishin sfiduar të shkuarën. Megjithatë madhështia e këtij qyteti kishte qëndruar akoma e fortë. Mjafton të dëgjosh se si lugina e Mekës ushton nga një zinxhir ezanësh magjepës dhe ti e kupton se qëllimi i udhëtimit tënd ndodhet shumë afër. Meka e ëndërrave tani shtrihet përballë teje duke gjarpëruar mes kodrash. Ajo konfiguron në ndërgjegjen e çdo muslimani origjinën e besimit të tij, zanafillën e ndryshimit të realitetit. Në një klimë më shumë se pranverore, secili ndihet i qetë dhe i lirshëm, ndoshta edhe nga efekti që të jep ihrami duke çliruar nga barra e rrobave firmato të kamurit dhe nga barra e varfërisë të skamurit. Me të vërtetë ihrami është emblematik, i mbështjellë në rrobën e bardhë i çliruar nga shtresëzimi, inferioriteti dhe superioriteti në aspektin individual është lehtësues dhe në të njëjtën kohë frymëzues, ndërsa në apektin kolektiv bën që pabarazia dhe padrejtësia sociale e qënies njerëzore të kërkojë azil diku larg në një qoshe të mendjes së secilit.

Të arrish në tunelin i cili depërtonte kodrën e cila “mizorisht” ndante Qaben nga kërshëria dhe dëshira e një haxhiu, ishte një sipërmarrje shumë e vështirë për shkak të një trafiku eksodik. Pavarësisht kësaj imagjinata nuk kishte respektuar fare semaforët dhe tashme ajo ndodhej atje. Por duhet thënë se jo gjithmonë padurimi nuk shpërblehet. Pas shpresash të humbura për ta parë Qaben pas çdo kthese që kalonte, së fundmi para teje shfaqet një pamje që pak lidhje ka me normalen. Nata nuk ekzistonte më. E verbuar nga ndriçimi dhe nuri i Xhamisë së Shenjtë ajo ishte fshehur turpshëm diku në cepat e qiellit. Ti përballesh me një strukturë gjigante, një përzierje mistike e mermerit me dritën, bardhësisë me adhurimin, ku qindra mijëra vetë e popullojnë atë. Nuk vonon të kuptosh se koha dhe realiteti nuk ekzistojnë më dhe se një atmosferë hyjnore kishte zaptuar shqisat e secilit. Është pikërisht ajo që të gjithë e mendonin por kurrë më parë të provuar dhe të formësuar në praktikë. Një mjedis që kujton direkt botën tjetër ku madhështia e Xhamisë së Shenjtë u imponohej vizitorëve të vet. Në mes një mizërie adhuruesish shfaqet brendësia e xhamisë me të gjithë bukurinë e hijeshinë e saj. Padyshim që gjithçka kapërcente përceptimin normal të rëndomtë, të përditshëm, thjesht është një situatë e jashtëzakonshme…

Qabja ndodhej atje edhe pse ti nuk ke qenë më parë, ajo gjithmonë atje kishte qenë. Në qëndër të tauafit të pandërprerë.Ti je vetëm një në miliarda të tjerë që ndoshta edhe pse i vonuar, po rrekeshe të adhuroje Zotin e kësaj shtëpie dhe të çdo shtëpie. Sot je një me historinë. Aty kishte shkelur profeti Ibrahim, Ismail, Profeti Muhamed, sahabët kishin adhuruar Zotin njësoj. Rrotullimi rreth Qabes vetëm se e vërteton këtë. Lutje, pendime, falenderime, lavdërime…. me të vërtetë nuk mund të gjeje asnjë pikë tjetër të rruzullit ku njëkohësisht dhe prej një pafundësi njerëzish të shqiptoheshin fjalë më të mira. Sa më shumë të adhuroje aq më shumë e kuptoje se distanca mes teje dhe mëkateve të së shkuarë që zvarriteshin nga pas, sa vinte e zmadhohej, pikërisht në këtë vend ku përveç mermerit gjithçka kishte qenë ndërtuar edhe me adhurim.

Menjëherë ky realitet bëhet pjesë e jotja dhe e kupton se ti nuk je i fundit i mbërritur, por ke pas qenë pjesë e kësaj tabloje. Ajo ka qenë gjithmonë shtëpia jote dhe vetëm tani, ti po e kupton këtë. Orët kthehen në minuta dhe nuk ngopesh së përceptuari. Ajo që të është dukur e vështirë më parë tani është fare e lehtë, lodhja ka humbur kuptimin dhe pagjumësia është fshehsur tashmë.

Çdo fjalë dhe vepër në këtë vend, merr vlera të veçanta, dhe kur je i ndërgjegjshëm për këtë, atëhere do të dëshiroje që koha të mos kalonte ndryshe, por vetëm në formën e ngadalësuar të një replay. Lotët janë shoqëruesit më të mirë dhe pendimi rrugëdalje e frytshme, lutja shprehëse e fjalëve të zemrës dhe lavdërimi për Krijuesin natyrshmëri.

Në këtë centrifugë adhurimi, shkallët e të kuptuarit marrin vlera të reja dhe hyjnorja ngadalë ngjyros realitetin. Sa të pakuptimta, sa boshe të duken një pjesë jo e vogël e asaj që ke bërë jashtë këtij realiteti hyjnor, atje tej, larg, në botën e përditshme ku në qëndër të centrifugës adhuruese nuk është më hyjnorja, por materialja, interesi utilitar i nxituar, meskin dhe afatshkurtër.

Nën lajtmotivin e këtij ashurimi kolektiv, racat, ngjyrat, gjinitë, mendësitë, diferencimet, kombësitë, fashiten nën korin unison të adhurimit për të vetmin Krijues. Nuk ka vend tjetër në të cilin ingranazhi i madh i qënies njerëzore të funksionojë aq mirë dhe harmonishëm i grasatuar nga pengesat dhe obsesionet. Qabja përfaqëson simbiozën e trashendentales me materialen, konkreten. Pa sfondin e saj hyjnor ajo do të ishte thjesht një ndërtim modest prej guri. Ajo që e bën të rëndësishme atë më shumë se egzistenca materiale e saj, është se ajo përbën një pikë orientuese kah hyjnorja, është shenjë e Krijuesit. Njeriu si qënie edhe materiale, instiktivisht ka nevojë edhe ta materializojë hyjnoren brënda tij. Qabja qëndron krejt e pastër ndaj çdo adhurimi të shtrëmbër, ajo thjesht është drejtim për nga Zoti yt, është njëkohësisht provë e një vazhdimësie të pa ndryshuar dhe të përpiktë adhurimi në shekuj.



***

Larg të qënurit një ekskursion apo një vizitë turistike kureshtare eksploruese e vendeve apo popujve të tjerë, Haxhi është sipërmarje jo e lehtë me ngarkesë të dyfishtë shpirtërore por edhe materiale. Ngarkesat më të mëdha ndodhin në kulminacione dhe kulminacionin e Haxhit do ta gjesh në Mina dhe sidomnos në Arafat.
Zakonisht ti je mësuar të shohësh lugina e kodra plot me bar apo bimë, në raste të mira plot edhe me pemë, por, lugina dhe kodra plot me miliona njerëz, nuk ka vend dhe kohë tjetër ku mund ti vështrosh, përveç Haxhit. Një grumbullim unik i papërsëritshëm për asnjë shtresë, komb, racë që të paktën njihet deri më tani. Të veshur të gjithë në të bardhë, me një bindje dhe një nënshtrim, me hapat e tyre në të njëjtin drejtim, vulosin përfundimisht vërtetësinë e besimit.

Mohuesit heshtin, skeptikët fshihen, hipokritet nxihen, armiqtë frikësohen dhe të shthururit alarmohen. Përballë kësaj pamje çdo sharje avullon, çdo akuzë bie, çdo karikaturë turpërohet. Padyshim nuk mund të ketë forcë tjetër përveç asaj të një Krijuesi që të mund të shpalosë një manifestim kaq të sinkronizuar dhe gjigant, nuk mund të jetë vepër apo mësim i një profeti të rremë, apo të një epileptiku, as e ndonjë shpate që u këput kokat. Kjo padyshim është vepër e një mesazhi hyjnor që thellë depërton nën petkun e bardhë në thellësi të zemrave të çdonjërit, që bën që mendjet të kthjellohen, zemrat të zbuten dhe kokat të përulen.

Lumenj të pafund njerëzish në të bardhë që lëvizin pa pushim dhe pa mbarim. Po,po… egzagjerimi këtu do të kishte ikur nga frika. Madhështia e këtij momenti do të joshte mbretër, sundues dhe çdo superfuqi. Praktikisht ky ishte një realitet që ato vetëm e kishin ëndërruar, por kurrë të realizuar në të tilla përmasa dhe në këtë harmoni. I ndodhur në mesin e tyre dhe duke ecur në të njëjtin drejtim, e kupton se tashmë historia e muslimanëve ka pasur vetëm fillim. Madhësia marramendëse e numrit çdo vit në rritje të muslimanëve në botë, tregon se realiteti që ato përfaqësojnë, tashmë është pjesë e pandarë e këtij planeti dhe përcaktuese gjithmonë e më tepër.

Saktësia e kryerjes së ritualeve të Haxhit nga miliona njerëz në veçanti dhe i kryerjes së riteve të përditshme të Islamit nga miliarda të tjerë në përgjithësi, në kohë dhe në formë të përpiktë përgjatë këtyre dy mijëvjeçarëve, pa ndryshuar as në detajet më të vogla, është provë e pakundërshtueshme e vërtetësisë dhe kujdesit hyjnor në ruajtjen e rrugës së drejtë për njerëzit në këtë botë plot kryqëzime e devijime, që më shumë se prosperitet, kanë shkaktuar një rrëzim aksidental në humnerat morale të rendeve shoqërore përgjatë historisë.

Në të vërtetë një nga misionet e Haxhit është pikërisht ky për të treguar se ndonëse të ndryshëm, mundemi lehtësisht të jemi bashkëpunues, mundemi të njohim njëri-tjetrin përtej perdes së paragjykimit, mundemi të jemi ndërtues të vlerave më të mira, udhëheqës drejt drejtësisë, nëse do të kuptonim qëllimin egzistencës sonë.

Pasi mbarojnë ritet e Haxhit, në mes të kurbanit dhe përshëndetjes së Qabes, qëndron muslimani tashmë më i bindur për identitetin e tij.


***

Hixhra portative e haxhinjve nga Meka në Medinë për vetëm 4 orë dhe 4 ditë, shoqërohet me disa mjete apo “deve” me kondicioner të rracës “mercedes”,që në mënyrë të njëtrajtshme dhe të shpejtë, shkurtojnë ndarjen midis dy epokave të historisë së hershme islame. I mbrujtur në Mekë, i stërvitur në Mina dhe i çimentuar në Arafat, do ta gjesh shpitin e haxhiut plot mall për të takuar të dashurin e zemrës, Profetin hero Muhamed a.s.

Me një paraqitje të ndryshme nga Meka, Medina kishte grumbulluar rreth vetes, përveç pastërtisë edhe ato pak kodra të largëta që më shumë i japin asaj pamjen e një qyteti fushor. Nuk do të duhet ndonjë sforco e madhe për të kuptuar se përballë teje lartësohet Xhamia e Shenjët e Profetit Muhamed a.s, madhështore deri në detaje. Respekti, konsiderata dhe dorëlëshimi shoqëronin infrastrukturën e xhamisë, pasqyruar në punimet e mrekullueshme të rifiniturës, në mermerin e pafund dhe në arin përallor që kishte kapur për qafe qindra kolona dhe stampuar dhjetra dyer. Një atmosferë ngazëllyese pushton mysafirët e kësaj xhamie të shenjtë. Zgjerimi I saj kishte shkuar paralel me zgjerimin e Islamit. Në brëndësi të saj në qëndër të vëmendjes së secilit ndodhen dy emblema: varri i Profetit dhe vendfalja e tij dhe e shokëve të tij.

Mizëria e njerëzve që ishte transportuar nga Meka në Medine, tashmë e bënte gjithçka më të vështirë, megjithatë vendosmëria dhe dashuria për të qenë më afër me njeriun absolutisht më të mirë të qënies njerëzore, kapërcente ngërçet dhe bënte që durimi ta hermetizonte nefsin.

Përshëndetje më mbresëlënëse vështirë të gjesh. Nga fytyrat e njerëzve, kuptoje se ata nuk kishin pasur takim me një të vdekur, pëkundrazi vrulli i tyre të lë të kuptosh të kundërtën. Sa e madhe dëshira për të prekur gjithçka që kishte lidhje me Profetin dhe shokët e tij, paçka se infrastruktura moderne kishte shkelmuar provat historike dhe zbehur kujtesën e saj, veprat e atyre njerëzve të mëdhenj ishin prezent në pëditshmërinë e adhuruesve. Një shoqëri totalisht në funksion të adhurimit, ku gjithçka e mbrujtur me mirësi dhe paqe, bënte dhe vështirësonte pa masë prezencën e mëkatit. Ndryshe nga shoqëritë tona ku ne jemi pjesë e pandarë dhe në të cilën dëshira për tu arratisur nga mëkati shoqërohet më një sforco titanike individuale dhe kolektive, në shoqërinë medinase, për atë që do të dëshironte, arratisja ndaj mirësisë dhe virtytit kthehej në pamundësi. Një kafaz gjigant ndaj nefsit, një autstradë ndaj bamirësisë, bën që të kuptosh se nuk ka humbur modeli i rendit perfekt shoqëror dhe se njeriu i struktur pas justifikimit të boshtit qytetërues dominues perëndimor, kishte ikur shumë larg, aq sa zemra e tij nuk mund ta arrinte.


***


Në aeroportin e Rinasit e njëjta pamje, të njëjtët haxhinj. Ndryshimin e gjen në fytyra dhe në bagazhe. Çdo lloj kthimi natyrisht që shoqërohet me një tërësi ndjenjash përzierje kujtimesh dhe përshtypjesh, një këndvështrim të ri të realitetit, por kthimi nga Haxhi përveç këtyre shoqërohet edhe me një botëkuptim të ri që lë gjurmë të pashlyeshme për të ardhmen e tyre. Ky nuk ishte një udhëtim çfarëdo dhe si i tillë nuk pasqyrohet me ndjenja të zakonshme. Ndaj dhe çdo haxhi i kthyer është një tullë e pjekur mirë në murin e moralit kombëtar, një garanci për ruajtje vlerash në këtë shoqëri harracake ku kujtesa, interesi dhe morali kufizohet vetëm me të sotmen, ku më shumë se asgjë tjetër ka nevojë për sakrificë, për zemra të hapura dhe për bëshkëpunim.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme