
Xhamia e vjetër Sulejman Pashë, e shkatërruar në 1952,
Pikturë nga Eduard Lir
Ku qëndron problemi?
Fillimisht për të gjithë ata që nuk kanë dijeni duhet marrë parasysh se një term i tillë mund të përdoret nga Kisha, - e theksojmë këtë nga Kisha Katolike, për të dalluar njësitë administrative të saj nëpër botë. Por a është e drejtë që një qytet si Tirana të vihet në të njëjtën linjë me Madridin e Lisbonën, të cilat njihen si qendra botërore të katoliçizmit, me një popullsi mbi 95% katolike?
Pavarësisht nga qëllimi, vetë termi i përdorur është shumë sugjestionues. Ai të lë përshtypjen se shumica e popullsisë së kryeqytetit shqiptar është kthyer në besimin katolik, kur as 5% nuk janë të tillë. Kushdo që do ta dëgjonte këtë emërtim, qoftë edhe katolik, dashur padashur do të habitej sikurse edhe do të dyshonte në vërtetësinë e këtij njoftimi kaq të bujshëm. Mendoj se problemi fillon që tek kriteret e përdorura për të klasifikuar një qytet si metropol katolik. Pika e parë ishte ekzistenca e të gjitha shkallëve të organizimit kishtar si dhe hapja e qendrave të stabilizimit, klinika private etj. Në lidhje me këtë pikë lindin disa çështje për diskutim. Kisha Katolike është dalluar gjithmonë për mirëorganizim. Në Evropën e mesjetës së hershme kur mbizotëronin mbretëritë gjysmëprimitive barbare, kjo kishë ishte i vetmi faktor unifikues. Murgjit ishin të vetmit njerëz të shkolluar, ndaj institucione si arsimi, mjekësia dhe ato bamirëse ishin ekskluzivitet i saj. Reformacioni i madh i shek. XVI, i tronditi disi themelet e saj, por pikërisht kjo tronditje bëri që kisha të mblidhte të gjitha forcat dhe të përdorte të gjitha mjetet e nevojshme për të mbijetuar. Kështu lindi lëvizja që në histori njihet me emrin Kundërreformacion. Në saj të tij u përsos mënyra e organizimit kishtar dhe e propagandës e në një kohë të shkurtër, Kisha ia doli t’i rimerrte të gjitha ato që kishte humbur. Ndaj nuk është ndonjë çudi që kisha katolike të krijojë gjithë këtë organizim në Tiranë. Gjithë këto shekuj eksperiencë dhe dije i japin asaj mundësi që jo vetëm në Tiranë, por edhe në shumë kryeqytete të botës ajo të bëjë të njëjtën gjë. Në këtë rast të gjithë këta në bazë të logjikimit të tyre mund të thirreshin "metropole katolike"! Porse kjo gjë nuk do të ishte as e drejtë, as e logjikshme.
Ortodoksët apo katolikët?!...
Një çështje tjetër që lind për diskutim në këtë pikë është se në Tiranë komuniteti ortodoks është më i vjetër dhe më i lashtë se ai katolik. Në fillimet e tij ky komunitet i përket bashkësisë vllehe. Kjo bashkësi dokumentohet të ketë ardhur për herë të parë në tokat rreth qytetit të Tiranës në fillim të shek. XVIII, kur qyteti kishte rreth 100 vjet jetë. Rreth viteve ’80-’90 të po këtij shekulli atyre iu dha leje nga Porta e Lartë për të ndërtuar edhe kishën e tyre, megjithëse ishte një ngjarje e rrallë për kohën ndërtimi i kishave në një vend që fillimisht ishte banuar vetëm nga muslimanë dhe ku nuk kishte patur asnjë kishë apo bashkësi të krishterë. Që nga ajo kohë arumunët e Tiranës u organizuan në një bashkësi me të gjitha organet drejtuese të saj, duke filluar që nga kuvendi, këshilli i pleqve, epitropi (mbajtësi i financave të bashkësisë) etj. Më pas ata u integruan tërësisht në jetën e qytetit, ushtronin zejet dhe zanatet e tyre, kishin dyqane në pazar, kishin organizur edhe esnafet e tyre. Për të plotësuar sa më mirë kërkesat e tyre, iu dha leja për të ndërtuar një kishë të dytë, tashmë në qendër të Tiranës, kishën e Evangjelizmoit. Edhe sot e kësaj dite ortodoksët e Tiranës vazhdojnë të jenë të mirëorganizuar, madje me një numër më të madh besimtarësh sesa ata katolikë. Në këtë mënyrë atyre do t’u lindte e drejta më shumë se katolikët që ta pretendonin titullin metropol ortodoks. Në Tiranë kanë qendrën për të gjithë Shqipërinë gjithashtu edhe Dëshmitarët e Jehovait, Kisha Evangjeliste e të tjera kisha si këto që janë shtuar si kërpudhat pas shiut këto kohët e fundit dhe që pretendojnë që dinë gjithçka. Edhe këto kisha i kanë ngritur të gjitha nivelet e hierarkisë së tyre të brendshme. Me këtë llogjikë të gjithave prej tyre mund t’u lindë dëshira të përvetësojnë metropolin tonë të dashur Tiranën.
* * *
Jo më kot komunitetin musliman e lashë për në fund.
Kur flas për komunitet, nuk e kam fjalën për institucionin me të njëjtin emër, por për bashkësinë e njerëzve me këtë përkatësi fetare e që sot përbën mëse 80% të popullsisë së përgjithshme të Tiranës.
Pas vënies së tokave shqiptare nën sundimin e Perandorisë Osmane, filloi edhe procesi i islamizimit të shqiptarëve. Se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe ç‘nënkuptohet më me hollësi nën këtë term, është një çështje që kërkon shumë studime dhe mbi të cilën mund të shkruhen faqe të tëra monografish. Ajo që ne na intereson mbi temën që po trajtojmë, është fakti se në fund të shek. XVI e gjithë krahina rreth fushës së Tiranës ishte islamizuar. Zonat fushore fshatare, ndoshta janë ndër të parat që i janë nënshtruar këtij procesi, mbasi ato kanë qenë në rrugën e kalimit të ushtrive osmane (Ohër, Qafëthanë, Lugina e Shkumbinit, Durrës, Tiranë, etj.), për nënshtrimin e Arbërisë Qëndrore e Veriore. Në Peqin, në Librazhd, në Rrogozhinë, në Tiranë, nuk ka mbetur asnjë fshat i vetëm në besimin e krishterë, ndërsa në Durrës, numri i tyre është tepër i kufizuar. Përhapja masive e Islamizmit në një farë mase, pati pasoja në mënyrën e jetesës, në kulturën tradicionale etj., të cilat pothuajse u njësuan dhe hapi një rrugë më të gjerë huazimeve, qofshin këto në mënyrën e organizimit të rrugëve e rrugicave të qytetit, të pazarit, të zejeve, dhe mënyrës së organizimit dhe të funksionimit të tyre etj. Në lidhje me themelimin e Tiranës është shkruar shumë. Nuk ka autor që të shkruajë mbi të e të mos përmendë legjendën e Sulejman pashë Bargjin Mulletit. Në thelb të saj vihet fakti se Sulejman Mulletit iu dha e drejta prej Sulltanit që të themelonte një qytet. Duke parë bukurinë dhe pjellorinë e pjesës lindore të fushës së Tiranës, ai vendosi që aty të ndërtonte qytetin e ëndërruar dhe hodhi kështu në vitin 1614 themelet e xhamisë. Pas disa vitesh ishin ndërtuar xhamia, hani, furra dhe hamami, si dhe shtëpia e Sulejman Pashës, që e mori këtë titull për kontributin e madh të dhënë prej tij në fushën ushtarake për Perandorinë Osmane. Këto ndërtesa shërbyen si bërthamë e kryeqytetit të ri të ardhshëm.
Nuk do të futemi thellë në këtë çështje, por duhet theksuar se këto ndërtesa kanë ekzistuar vërtetë deri në mesin e shek. XX. Pllaka e Xhamisë së Vjetër mbante datën 1024 h. (1614) dhe emrin e porositësit të saj Sulejman Bargjin Mulleti. Trinomi Tiranë – Xhami e Vjetër – Sulejman pasha është i pandashëm, megjithëse shekujt kalojnë dhe Xhamia e Vjetër po bën 60 vjet që është shembur. E si mund të shpallet pra, Tirana metropol katolik? Studimet e disa etnologëve shqiptarë kanë arritur në përfundimin se Imareti nuk u ngrit në një truall të virgjër, por se aty kishin zbritur disa familje dhe kishte nisur jetën një treg. Ndërtimi i tij u bë katalizator për zhvillimin e jetës qytetare. Popullsia e islamizuar e krahinës së Tiranës u bë edhe themeli i qytetit të ardhshëm. Kryeqyteti shqiptar është nga ata qytete që që në fillimet e veta kishte një popullsi 100% muslimane. Vllehët ortodoksë të ardhur më vonë u integruan në jetën qytetare në fillim të shek. XIX dhe kjo falë tolerancës për të cilën ishte e dalluar Perandoria Osmane si dhe asaj zemërbardhësie që ka karakterizuar gjithmonë qytetarët e Tiranës dhe të gjithë zonave përreth. Tirana ka qenë gjithashtu e përmendur për numrin e madh të xhamive të saj.
Në vitin 1856 për herë të parë u ndërtua një kishë katolike, në një kohë kur vetëm 6 familje i përkisnin këtij besimi. Arsyeja kryesore e ndërtimit të saj ishte se Perandori Austriak kishte fituar të drejtën për mbrojtjen e popullsisë katolike të Perandorisë Osmane. Vetë katedralja katolike u ndërtua me sponsorizimin personal të tij.
Kohët e fundit ka patur përpjekje për t’i nxjerrë rrënjët e qytetit në mesjetë e deri në lashtësi. Disa gërmime arkeologjike të bëra kohët e fundit të japin përshtypjen se në këtë vend ka patur në lashtësi një qytet. Të tjerë hedhin idenë se qyteti i lashtësisë nuk pushoi kurrë së ekzistuari deri kur erdhën turqit osmanë, të cilët e shkatërruan dhe më pas Sulejman Pasha, në gjurmët e qytetit të vjetër rindërtoi të riun. Ka edhe një sërë fantazish të tjera, të cilat nuk po marr mundimin t’i paraqes.
Në lidhje me qytetin e antik, nuk është çudi që këtu të ketë pasur ndonjë qytet të vogël. Të gjithë tezat e tjera mbi ekzistencën e qytetit deri në kohën e turqve, shembja prej tyre dhe rindërtimi në kujtim të qytetit të vjetër nuk janë tjetër vetëm se ëndrra romantike të atyre që përpiqen të mohojnë çdo arritje të Shqipërisë gjatë periudhës osmane dhe çdo dukurie mundohen t’ia gjejnë rrënjët në qytetërimin e krishterë. Ky grup njerëzish duhet ta ndjejë veten shumë të nderuar nga shpallja e Tiranës "metropol katolik".
Për të përfunduar, mendoj se titulli "metropol katolik" që i është vënë kryeqytetit shqiptar nuk ka baza. E kaluara historike flet për një Tiranë thellësisht muslimane, me një pakicë vllaho-ortodokse. E tashmja flet për një metropol kozmopolit ku ndodhen të gjitha organizmat fetare të vendit, por ku sërisht bashkësia muslimane mbisundon. Këto që sapo i shkrova më sipër çdokush mund t’i kontrollojë lehtësisht në librat e historisë dhe më pas të bindet për to.Nuk e di se çdo të bëhet më tej me këtë emërtim, por di një gjë: për një arsye apo për një tjetër ai nuk mund t’i përkasë kryeqytetit të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, Tiranës.