
Konceptimi i Realitetit nga ana e njeriut, përgjigjjet në këto dhe në pyetje të ngjashme, nuk është më pak i rëndësishëm se sa gjeturia e tij në kozmos, nga perceptimi i tij i vendit dhe i rolit që duhet ta luajë në te. Në këto postulate zë fill tërë konceptimi: çka është qenia njerëzore dhe çka synon të jetë. Në to është e unjësuar lidhja me karakterin e qenies së vet me botën që e rrethon dhe, mbi të gjitha, me Krijuesin. (4)
Edhe sot shumë njerëz pyesin: a ekziston njëmend Dikush atje apo jo? Nëse ekziston, sa është kjo e rëndësishme? Pyetjet e këtilla kanë pasqyruar tëhuajësim më të plotë të njeriut nga vetvetja, nga Burimi i vet dhe si rezultat i tërë kësaj, nga totaliteti i botës dhe i njerëzisë. Mjedisi i orientuar, i teknologjizuar i botës perëndimore i ka mësuar shumë njerëz të mos besojnë në atë që cilësohet si ‘mbinatyrore’ qoftë edhe po këta njerëz deklarohen si besimtarë. Shkenca, si një prej hyjnive më të mëdha të njeriut të sotëm, na mëson se e vërtetë është vetëm ajo që mund të shihet, të vërehet, të matet apo të ndjehet me anë të shqisave, të aftësive mentale ose të shpikjeve të njeriut. (5) Për këtë shkak shumë njerëz në Perëndim atëherë kur nuk janë të aftë tërësisht ta mohojnë diçka që momentalisht nuk janë në gjendje ta absorbojnë, sillen sikur kjo edhe nuk ekziston. Tërë këtë e injorojnë, e herë-herë, edhe pse në heshtje pranojnë se diç ekziston, sipas tyre kjo është e parëndësishme për rendin e përgjithshëm të sendeve. (6)
Shumë njerëz deklarojnë se ‘besojnë’ në Zotin, por kjo shpesh është besim statik, bindje e thatë se Zoti ekziston para se të mos ekzistojë Ai, që nuk rezulton kurrfarë pasojash praktike dhe në asnjë mënyrë nuk ndikon në sistemin e jetës së tyre vetjake. Të tjerët sërish mjaft fuqishëm besojnë në ‘mbinatyrësi’. Mirëpo, besimi i tyre është jo i plotë, jo i denjë dhe kryesisht i kushtëzuar me supozime. Rregullësia dhe vlefshmëria e besimit të tillë në asnjë rast nuk mund të varet nga ajo që ai zë fill në përvojën subjektive të dikujt, dhe nuk mund të pranohet për premisë serioze në konceptimin korrekt të Realitetit sipëror të ekzistencës, veçan të Zotit, si pikëqendër dhe burim të këtij Realiteti, as për konstituimin e udhëzimit të vlefshëm për jetësimin e jetës njerëzore. (7) Preokupimi aktual me fenomene ekstrasenzore do të mund të shkojë në hap me pranimin e Realitetit, i cili e ngadhënjen kozmosin, por në masë të madhe ai përbëhet prej spekulimeve, së bashku me tentimin e nënshtrimit të fenomeneve materiale analizave shkencore të cilat, në fund, për shkak të natyrës së studimit material, veten e vet e eliminojnë. Me këtë në asnjë mënyrë nuk mund të arrihen përgjigjet në pyetjet mbi natyrën dhe atributet e Zotit, madje as ekzistimi i Tij. (8) Ekziston mundësi e madhe se me kundërshtinë e këtillë shpirtërore të vendoset lidhja me shejtanin dhe se ai i nxitë në këtë. Së këndejmi, shfaqjet e tilla janë bazë mjaft të pasigurta dhe të rrezikshme edhe për besim dhe për jetesë dhe nuk kanë lidhje me përvojat shpirtërore të lidhura me Zotin.
Islami krejt qartë dhe haptazi merret me të gjitha këto probleme. Në realitet, vetë islami i shtron të gjitha këto pyetjet e cekura dhe kërkon që secili që posedon arsye të gjejë përgjigje përkatëse në to, përgjigje që janë të lidhura me shfaqjet e dukshme në kozmos dhe me arsyen. (9)
Islami proklamon se ekziston fushë e jetës që nuk është e kapshme për shqisat e njerëzve, as për vetëdijen njerëzore, por nuk është e përcaktuar as me kufijt e intelektit njerëzor. Kjo botë, që është jashta fushëveprimit të percepcionit njerëzor, quhet el-gajb, që do të thotë: “ajo që është e fshehtë”, apo “ajo që nuk shihet”, deri sa ajo që është e njohur dhe që mund të shihet quhet “esh-shehadeh” “ajo që është e dukshme”, apo “ajo që është e qartë”. Në islam besimi në ekzistimin e asaj që nuk shihet është parakusht për besimin në Zotin dhe për të kuptuarit e Zotit dhe të asaj pjese të realitetit të Zotit që shqisat dhe aftësitë njerëzore nuk mund t’i kuptojnë, por të cilat janë me rëndësi fundamentale për ekzistimin e njeriut. Në kaptinën mbi konsituencat e fesë kemi aktualizuar problemin e këtyre botave të padukshme. (10)
Islami pohon se ajo që është e dukshme dhe e kapshme për aftësitë e njeriut, esh-shehadeh, është vetëm një pjesë, dhe këtë ndoshta pjesa e vogël dhe e parëndësishme e asaj që ekziston. Ndonëse njeriu kognitivisht nuk mund ta përfshijë totalitetin e ekzistencës, këtë në asnjë mënyrë nuk e mohon Realitetin e asaj që ai nuk është i aftë ta kuptojë - hiç më pak se që, të themi, një bubrrec apo elefant nuk mund ta determinojnë tërësinë e asaj që ekziston në bazë të përvojave të veta të kufizuara dhe aftësive të percibilitetit. Fakti të cilin shumica jonë me dhembje e pranojnë është se njeriu është tërësisht qenie përfundimtare dhe e kufizuar, me aftësi dhe arsye që kanë mundësi të njohin dhe të kuptojnë vetëm në kufijë të caktuar dhe asgjë më shumë. Kurse kjo ‘më tepër’ është ai realiteti më i gjerë, ai totalitet i cili është i njohur vetëm për Krijuesin e tij. Për ekzistimin e këtij Realiteti më të gjerë, ndonëse është e pamundur drejtpërdrejt të perceptohet, ekzistojnë një varg dëshmishë për ne të njohura. Ndër to është edhe vetë gjithësia fizike, që ofron shumë dëshmi mbi fuqinë, urtësinë e paimagjinueshme dhe mbi forcën kreative të Zotit. Qenia njerëzore është edhe një shembull i qartë. Ajo vjen prej diku nga hiçi në ekzistencë dhe, kur vdesë, është e qartë se pjesa më vitale e saj fiket. Në virtytet shpirtërore dhe në sakrifikimet e tij njeriu synon drejt më të thellës dhe më të lartës se sa fusha materiale, ku parandjenë ekzistimin e botës jomateriale me rëndësi më të madhe, me të cilin qenia njerëzore në një mënyrë të panjohur aq afërsisht e lidhur – se injorimi dhe refuzimi i tij duhet patjetër negativisht të manifestohet edhe në individin edhe në shoqërinë në të cilën jeton.(11) Ndjenjat religjioze, mënyrat e manifestimit të tyre dhe lëvizjet të përbashkëta me të gjitha qeniet njerëzore dhe shumë prej tyre posedojnë forma dhe karakteristika të ngjashme. Veçan, religjionet e mëdha monoteiste - judaizmi, kristianizmi, islami - manifestojnë ngjashmëri mjaft të qarta, duke dëftuar qartë në prejardhjen e përbashkët nga Burimi i njëjtë, nga Zoti i Lartësuar.(12) Dhe, më në fund, fenomenet e shumta ekstrasenzore, ndër të cilat mund t’i përmendim ëndërrat dhe parandjenjat lidhur me ndodhitë e ardhshme dhe shumë tregues tjerë ekspresivë të ekzistimit të botës jomateriale, na ofrojnë pikëmbështetje në pikëpamje të Njëmendësisë së Padukshme.
Në islam Zoti është pika qendrore e këtij Realiteti. Ai në të vërtetë është Ky Realitet: Zoti është ai i cili i vetmi çdo gjë mundet, Krijues dhe Mbajtës i të krijuarës, Furnizues i të krijuarës me atë që nevojitet për ekzistim. Ai është ai që ndanë natën dhe ditën, Ai i cili krijon çka dëshiron në meteriqë të nënës, Ai që ngjallë tokën pas vdekjes së saj dhe bën që nga ajo me ndihmën e shiut nga qielli dhe ushqimit nga toka të rritet ajo që është ushqim për njerëzit dhe kafshët. Ai është ai që u jep kufijë të jetës krijesave të Veta ashtu si mendon ai se duhet. Ai është Ai që do të qetë në shesh trupat e njerëzve nga varret dhe do t’i bashkojë me shpirtërat e tyre atë Ditë të tmerrshme, në të cilën nuk ka kurrfarë dyshimi, kur bota të arrijë në fund. Ai është ai që do t’ju gjykojë sipas kritereve më të përsosura dhe më të drejta të drejtësisë dhe mëshirës. Ai është më i madhi. Ai është ai të cilin nuk mund t’i rezistohet. Ai di çdo gjë. Ai është më i mençuri. Ai është ai I cili askujt nuk i përgjigjet, por të cilit të gjithë i japin llogari. Me krijsat e veta Ai bën ç’dëshiron dhe para Tij çdo gjë përulet. Njëkohësisht Ai është i mëshirshëm dhe mëshirëplotë, Ai i cili dashuron dhe i cili falë.(13)
Ky është konceptimi islam i Realitetit. E ndjekin muslimanët përgjatë tërë botës. Të kuptuarit e tillë që nga ditët e para të fëmijërisë formojnë një pjesë mjaft të rëndësishme të vetëdijes së besimtarit.(14) Besimtari rritet me vetëdijen mbi ekzistimin e Zotit dhe mbi fuqinë, bujarinë dhe mirësinë e Tij ndaj krijesave të Tij, i vetëdijshëm se kjo jetë është vetëm një pjesë mjaft e vogël e ekzistencës dhe se intelektin e tij njerëzor nuk mund ta kuptojë madje as pjesëza e tij më e vogël.(15) Krahas kësaj është e pranishme edhe njohja se jeta nuk është pikëpamje përfundimtare të jetesës së njeriut. Sepse ka ekzistuar koha kur, sipas fjalëve kur’anore, “Vërtetë ka kaluar një periudhë kohor, që njeriu nuk ekzistonte fare si një diçka i përmendur” (76,1). Zoti e nxorri nga joekzistimi në ekzistim, … dhe nga këtu shkon në botën tjetër, që do të bëhet gjendja përfundimtare e të gjithë njerëzve. Në këtë jetë ata që kanë pranuar Zotin për krijues të Tij, të cilët e kanë ndjekur udhëzimin e Tij dhe janë përpjekur që Ai të jetë i kënaqur me ta – të jetë në gjendje të lumturisë dhe bekimit të amshueshëm çfarë intelekti njerëzor as nuk mund ta imagjinojë. Kurse ata që e kanë refuzuar dhe kanë kërkuar hyjni të tjera, duke refuzuar Udhëzimin e Tij dhe duke jetuar për këto hyjni, apo për kënaqësitë dhe epshet e veta, do të jenë në gjendje të tmerrshme të agonisë dhe vuajtjes në pajtim me gjendjet e shpirtërave vetjakë.(16)
Islami poashtu proklamon se natyra njerëzore ka realitetin njerëzor. Deri sa filozofitë dhe teoritë e ndryshme perëndimore mbi njeriun e trajtojnë njeriun si makinë të përkryer, qenie që reagon mekanikisht, sikur është “programuar” me emocionet, rrethinën apo me proceset e veta biokimike, apo, anasjelltas, si lloj më të lartë shtazor, pikëpamja islame e njeriut është plotësisht tjetërfare dhe qasjet e tilla materialiste konsiderohen për koncepte skajërisht të gabueshme mbi natyrën e mirëfilltë të njeriut, sepse në islam njeriu është krijesë unikale e Zotit,(17) që posedon fenomenalitetin evident jashtësor: trupin fizik dhe pjesën e fshehtë, të brendshme të vetes: intelektin, emocionet dhe shpirtin. Unikalësia e natyrës së njeriut qëndron në faktin se ai është dhuruar me lirinë e zgjidhjes(18) dhe të vendosjes ndërmjet të drejtës dhe të gabuarës, me aftësinë e përsiatjes,(19) përcjelljes së diturisë, të ndjenjave dhe të veprimit, që të gjitha nuk i janë dhënë krijesave të tjera, dhe me shpirtin e pavdekshëm, që vazhdon të jetojë pas vdekjes së trupit fizik. Njeriu është, sipas kësaj, sistem i shumë aspekteve, niveleve dhe funksioneve, gjithëpërfshirja e së cilës është vetë realiteti i natyrës së njeriut.
Në islam mësojmë se Zoti e ka krijuar njeriun me natyrë të këtillë shumëfish të ndërlikuar ashtu që nuk mund të shpërthejë konflikt apo përçarje ndër sistemet e ndryshme, por të gjitha ato me synim sipëror janë harmonizuar në një tërësi funksionuese harmonike. Të jesh njeri, vetëvetiu, është obligim i madh dhe provokim kulmor. Çdo element i natyrës njerëzore ka rol me të cilën konfirmohet dhe ligjshmëritë me të cilat sendërtohen nevojat dhe të drejtat kongenitale në plotësimin e tyre. Që në mes tyre të arrihet harmonia të cilën ua destinon Zoti, njeriu do të sakrifikojë fuqinë e vullnetit vetjak dhe do të sundojë me të gjitha elementet e veta sipas ligjeve të cilat Zoti, për të mirën e tij, i ka vendosur. Kështu, ai brenda personalitetit të tij i mban tok, duke sendërtuar sintezën dhe tërësinë e tyre të plotë. Ky është shkaku që islami nuk ndanë tërësinë jetësore në sakrale dhe profane, nuk merret vetëm me gjerat ‘religjioze’ dhe ‘shpirtërore’, por me të gjitha aspektet e jetës së njeriut, në kuptim të porosisë kur’anore “O Krijuesi ynë, na jep në këtë botë të mirëpn dhe në botën tjetër të mirën”. Çdo pjesë është në suaza të religjionit në kuptimin islam të këtij nocioni dhe njeriu merret si tërësi e pandashme, organike, në pajtim me realitetin e natyrës së tij unikale njerëzore. Perceptimi korrekt i natyrës së mirëfilltë njerëzore dhe të vendit të njeriut në rendin e përgjithshëm të sendeve (sunet’ull-llah) ka, pra, rëndësi mjaft të madhe në islam. Me ndihmën e udhëzimit të Zotit, të përcjellë me anë të pejgamberit, njeriut i është dëftuar se si realiteti i natyrës së tij harmonizohet në Realitetin Absolut.(20) Ai është i informuar për atë se ç’pritet prej tij në aspekt të këtij Realiteti, epidendra e të cilit është Zoti i lartësuar. Në këtë mënyrë do të ketë mundësi të jetojë në harmoni dhe në baraspeshë e jo në konflikt dhe kaos gjatë udhëtimit të tij të shkurtër nga një fazë e këtij realiteti të kësaj jete tokësore, në fazën vijuese, në jetën e amshueshme të Botës tjetër. Tok me të do t’i sendërtojë vlerat dhe sukseset e vërteta në këtë dhe në botën e ardhshme.(21)
[1] El-Insan’ul-akil (Njeriu që ka mend, njeriu i arsyeshëm), në: Xhemil Saliba, El-Mu’xhem’ul-felsefij, I, Bejrut, 1414 h./1994, fq, 175.
[2] El-Kur’an: “Ne nuk e krijuam qiellin, tokën e çdo gjë çka ka në mes tyre shkel e shko (pa qëllim të caktuar).” El-Enbija, 16; “Dhe i cili përcaktoi e orientoi” El-A’la, 3. Shih: Susanne Haneef, Islamsko vidjenje stvarnosti, Nur – casopis za kulturu i islamske teme, nr. 1/1991, Beograd, fq.26. Krhs.: M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, I, Zagreb, 1988, fq. 159-175.
[3] Për aspektet e ndryshme të besimit (metafizik, moral, akaidologjik, historik shih studimin tejet interesant dhe kontemplativ: R. Hafizovic, O nacelima islamske vjere, Zenicë, 1996.
[4] Susanne Haneef, op. cit., fq.26. Krhs.: Abu-Hamid Muhammed Al-Gazali, Znamenja u Allahovim stvorenjima, Sarajevë, 2001, fq. 7-118.
[5] Ismet Ozel, Tri çështjet: Shkenca, teknika dhe tëhuajësimi, Shkup, 1998.
[6] Muhammed el-Gazali, Besimi musliman, Shkup, 2001.
[7] Resid Hafizovic, op. cit., fq. 49-55.
[8] Martin Lings, op. cit., fq.67-68.
[9] Mahmud Ebu’l-Fajd El-Menufi, Filozofija islama, Sarajevë, 1983, fq. 45-74.
[10] Muhammed Ikbal, Obnova vjerske misli u islamu, botimi II i plotësuar dhe i ndryshuar, Sarajevë, 2000, fq. 85-117.
[11] Muhammed Ikbal, op. cit., 119 e tutje.
[12] Susanne Haneef, op. cit., fq. 27.
[13] Shih qëndrimet e Imam Maturidiut rreth Zotit në besimin islam: Imam El-Maturidiu, Jeta, vepra dhe mësimi, Prishtinë, 2003, fq. 43-93. Abu-Hamid Muhammed Al-Gazali, op. cit., fq. 115-118.
[14] “Çdo fëmijë lindet në fe të pastër, natyrore), kurse prindërit e edukojnë në hebraizëm, kristianizëm apo në zoroastrizëm.” Sipas: Jakup Memic, Izbor poslanikovih hadisa, Sarajevë, 1985, hadithi nr. 1193, fq. 276.
[15] “Urdhëroni fëmijët tuaj të falin namaz kur t’i mbushin shtatë vjet. (Nëse nuk dëgjojnë) ndëshkoni dhe detyroni kur t’i mbushin dhjetë vjet …”. Sipas: Jakup Memic, nr. i hadithit 1487, op. cit., 334.
[16] Susanne Haneef, op. cit., fq. 28.
[17] “Unë po krijoj në tokë një zëvendës.” El-Bekare,30.
[18] “E ti thuaj: E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë le të besojë, e kush të dojë le të mohojë.” El-Kehf, 29.
[19] “Në këto ka argumente pëpr njëp popull që vështron.” En-Nahl; 11; “Ty ta zbritëm Kur'anin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur'anin).” En-Nahl, 44.
[20] Namazi, agjërimi, zekati, haxhi, urdhëri për të mirë dhe ndalimi i të keqes e të tjera janë rrugët e harmonizimit të botës humane me Absolutin.
[21] Susanne Haneef, op. cit., fq. 28.