
rëndësishme që përfshijnë shërbimin pranë Ministrisë së Jashtme të Egjiptit dhe shërbimin në ambasadat e vendit të tij në shtete të ndryshme, ku spikat shërbimi në Londër, Tel- Aviv, Budapest. Ai ka qenë i ngarkuari me punë i Egjiptit në Nigeri. Ambasador në Eritrea dhe Kenia. Një vend të rëndësishëm në karrierën e tij diplomatike zë drejtimi i departamenteve të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme të Egjiptit. Përvoja dhe kontributi i tij janë përqendruar përgjatë viteve në Lindjen e Mesme, në Ballkan dhe Evropën Jugore.
Një stërnip i Naim Frashërit është ambasador i Egjiptit në Shqipëri. Dr. Refaat El-Ansary tregon se origjina e gjyshes së tij nga nëna ishte fshati Frashër i Përmetit. Adila, nëna e nënës së tij, ishte kushërirë e parë e vëllezërve me emër. I emëruar përpara dy vjetësh e gjysmë në detyrën e ambasadorit të vendit të tij në Shqipëri, Dr. El-Ansary ka kontribuar në një ndryshim të dukshëm për sa i përket intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe. Shqipëria është një partnere e veçantë dhe e parapëlqyer, për vendin mesdhetar që po njeh një rritje të madhe ekonomike dhe një zhvillim që pa frikë mund të krahasohet më atë të vendeve të Azisë Juglindore.
Në këtë intervistë dhënë gazetës, ambasadori flet për nivelin e marrëdhënieve dypalëshe dhe fokusin e së ardhmes. Por ai u shpreh edhe për mënyrën se si po e përjeton këtë mandat diplomatik në pikëpamje personale e familjare. Dr. El-Ansary, thotë se ajo që i bën më shumë përshtypje është mikpritja dhe pastërtia e shqiptarëve. Ai tregon se në jetën e tij të përditshme zë një vend të posaçëm ndjekja e aktiviteteve kulturore, sidomos aktiviteti i Teatrit të Operas. Stinët e këndshme në Shqipëri janë pranvera dhe vera, përgjatë fundjavëve të të cilave ai zhvendoset drejt Vlorës, Durrësit dhe së fundi edhe drejt Sarandës. Shpesh në Shqipëri vijnë edhe djali e vajza, të cilët kanë të njëjtën tërheqje ndaj vendit.
Kur kanë nisur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë dhe si kanë vijuar? Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Egjiptit kanë filluar pothuajse 90 vjet më parë, më 1914, dy vjet pasi Shqipëria kishte shpallur pavarësinë. Periudha nga 1939 deri më 1954 qe periudhë ndërprerjeje. Në filluam përsëri më 1954 të kishim ambasadën tonë këtu që nga kjo kohë pa ndërprerje. Historia jonë e marrëdhënieve diplomatike është një nga më të gjatat, dhe ne jemi ndër të parët vende që vendosëm marrëdhënie diplomatike me këtë vend, që kur Shqipëria është njohur e deri tani. Sigurisht edhe për shkak të marrëdhënieve të familjes mbretërore egjiptiane, mbreti Faruk dhe mbreti Fuad kishin gjak shqiptar.
Dhe ku ka qenë godina e ambasadës suaj, nëse ju keni informacion për këtë?
Me sa di unë deri më ’75 ne e kishim selinë në të njëjtën rrugë, por numri ishte 43, deri më 2005 ka qenë në këtë godinë ambasada, pra për 30 vjet. Dhe më pas morëm këtë ndërtesë, më të madhe, që është numri një në rrugën “Skënderbej”. Dhe që 1978 ne jemi në të njëjtën rezidencë, e cila është numri 49, rruga “Skënderbej”, që i përket Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në ç’nivel janë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve? Mund të specifikoni llojin dhe volumin e tyre?
Marrëdhëniet ekonomike nuk janë aq të mira sa marrëdhëniet politike, sepse nuk janë në të njëjtin standard ose nivel. Marrëdhëniet tona ekonomike në nivel bilateral të volumit të tregtisë nuk shkojnë më shumë se në masën 4,5 milion dollarë deri më 2004. Ne filluam një fushatë, që kur kam ardhur këtu me këtë detyrë. Dhe në gjysmën e vitit 2005 arritën në nivelin e 11, 5 milionë dollarëve, dhe më 2006 arritën në 19 milion dollarë. Ne organizuam një ekspozitë të prodhimeve egjiptiane, në maj 2006, ku morën pjesë 42 kompani që erdhën nga Egjipti dhe u prezantuan në Pallatin e Kongreseve. Ekspozita do të mbahet çdo dy vjet, pra hera tjetër do të jetë në maj 2008. Dhe parashikojmë të kemi më shumë se 70 kompani. Kemi filluar të përgatitemi për këtë që tani.
Ka këtu biznese nga vendi juaj që janë vendosur dhe vijojnë punën?
Ne kemi këtu biznesmenë egjiptianë, por ata nuk rrinë këtu, nuk jetojnë në Shqipëri. Kur ata filluan të prezantohen në këtë ekspozitë, po në këtë kohë ka filluar edhe prezenca e përfaqësive të disa prej bizneseve këtu dhe ky ishte një nga qëllimet kryesore të ekspozitës këtu, të kemi përfaqësi për të promovuar produkte tona. Ajo që tashmë është prezantuar janë materialet e ndërtimit, qeramika, çimentoja, gjithashtu pajisjet elektroshtëpiake, frigoriferë, soba, mikrovalë, bolierë, veshje, etj.
Gjerësisht duket se është i prezantuar turizmi juaj këtu.
Çfarë vendi zë ai?
Po, ne e kemi promovuar mjaft Egjiptin tek turistët shqiptarë. Dhe tani kemi udhëtime speciale turistike, si ato të muajve të mjaltit për të porsamartuarit, që shkojnë në Sharm El Sheik. Ne e kemi filluar këtë me chartera individualë dhe pastaj me chartera nga një kompani, pa ndërprerje nga qershori në shtator, çdo 10 ditë një charter shkon në Sharm El Sheik dhe Kajro. Rezervimet janë gjithmonë të tejmbushura. Ne shpresojmë të risjellim edhe një herë këtë mundësi për këtë vit, sepse në fakt ka provuar një shkallë të lartë suksesi, një volum mjaft të lartë për çmime vërtet të arsyeshme.
Ju thatë se marrëdhëniet politike janë në nivelin më të mirë të mundshëm, krahasuar me të tjerat...
Po. Me Shqipërinë ne kemi marrëdhënie shumë të mira dhe koordinim shumë të mirë midis dy qeverive. Ne mbështesim njëri-tjetrin në shumë fusha multilaterale, më së shumti në OKB, ne kemi një mirëkuptim mjaft të mirë. Është njëmarrëdhënie ekselente dhe nivelet e vizitave dypalëshe janë nga më të lartat. Kjo mund të “përkthehet” nëse shohim nivelin e lartë të asistencës teknike që ka Egjipti në vendin tuaj, e cila kushton më shumë se 2 milion euro në vit. Dhe ajo vjen në formën e kurseve trajnuese, për shembull kemi një kurs për 25 vetë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kurs katër javor, i cili mbahet çdo muaj dhe nëpërmjet të cilit kemi arritur të trajnojmë 300 veta për një vit. Fushat e trainimeve për Ministrinë e Punëve të Brendshme janë, mbrojtja ndaj krimit të organizuar, trafikut të drogës, terrorizmit, investigimit të krimeve, mbrojtjes personale të VIP-ave, dhe një tjetër trajnim i një tipi të veçantë, siç është mbrojtja dhe përdorimi i internetit prej krimit të organizuar për arsye terroriste. Kjo është një fushë e veçantë dhe një specifikë e re madje edhe në nivel ndërkombëtar. Çdo vit do të ketë nga një grup trajnimi për këtë.
Ne kemi kurse trajnimi dhe për median, turizmin, bankat, bibliotekat, për restaurimin e monumenteve, bujqësinë, mjekësinë, doganat. Në vitin 2006 arritëm të kishim 600 trajnime për shqiptarët, në të gjitha fushat. Dhe Shqipëria zë vendin e parë në listën e vendeve të dominuara nga ish Bashkimi Sovjetik. 20 për qind e buxhetit të programuar në dy vjetët e fundit ka shkuar për Shqipërinë. Para vitit 2004 numri i të trajnuarve ishte jo më shumë se 70 dhe ne e kemi rritur disa herë këtë numër.
Sa është numri i vizitorëve të Egjiptit nga Shqipëria në një vit dhe e anasjellta?
Afërsisht 3 mijë vetë në vitin 2005, përfshirë turizmin, biznesin dhe personat që shkojnë për studime. Egjypti ofron 6 bursa në Universitetin e Kajros për të sapodiplomuarit e shkollave të mesme të përgjithshme, po ashtu 4 bursa për pasuniversitarë po në Universitetin e Kairos dhe ofrojmë gjithashtu 20 bursa për Universitetin e Al-Azharit. Shumë studentë dhe pasuniversitarë shqiptarë diplomohen në nivele të ndryshme në Egjipt. Ata janë rreth 100, nëse flasim për një shifër të përmbledhur.
Cila është pozita e Egjiptit në Lidhjen Arabe?
Selia është në Kajro, sekretari i përgjithshëm i saj është Egjiptian, Amr Moussa është tani Sekretar i Përgjithshëm dhe ish Ministër i Jashtëm i Egjiptit.
Çfarë është Shqipëria për Egjiptin, së pari një vend musliman?
Ne nuk shikojmë ndryshime midis vendeve në këtë mënyrë, për sa u përket vendeve strategjike, ne kemi marrëdhënie shumë të mira, me SHBA, për shembull, po ashtu ne kemi marrëdhënie shumë të mira me vendet e Kombeve të Bashkuara, që mund te jene dhe katolike, protestante, ortodokse. Por në të njëjtën kohë Shqipëria është anëtare e Konferencës së Vendeve Islamike. Dhe në këtë kontekst të kësaj organizate ne kemi lidhjet tona me Shqipërinë, por konteksti kryesor është ai i marrëdhënieve bilaterale, mbi të gjitha. Dhepikërisht ky kontekst nuk bazohet tek religjioni, por tek interesat dhe mirëkuptimi për sa i përket politikës së jashtme. Politika e jashtme e Egjiptit ka qarkime të ndryshme, njëra prej tyre është bota arabe, tjetra, bota islamike, qarku tjetër është ai i kontinentit afrikan,qarku tjetër është iniciativa mesdhetare me bashkimin evropian....
Këto janë qarqet ku ne lëvizim për sa i përket politikës së jashtme. Dhe Shqipëria ka qarqet e saj, ndër të cilët ipari është përkatësia ballkanike, ajo evropiane, islamike. Pikërisht në këto qarqe ne kemi pika takimi dhe interferimi me njëri-tjetrin, pika ku interesat tona janë më pranë. Ne tregojmë kujdes ndaj rajonit të Ballkanit, të Lindjes së Mesme dhe të Mesdheut. Kështu që kemi mjaft qarqe të përbashkëta, pika takimi dhe hapësira takimi.
Cili është pozicioni juaj në lidhje me çështjen e pavarësisë së Kosovës?
Pozicioni i Egjiptit është shumë i thjeshtë, ne do të jemi dakord me çfarëdo që të vendosin palët e interesuara. Ne do ta mbështesim dhe çfarëdo zgjidhjeje që do të jepet nga palët e treta si për shembull Kombet e Bashkuara, ose Bashkimi Evropian, ose zgjidhje multiratele, ne do ta mbështesim. Do të jetë një pavarësi e plotë, apo një pavarësi e kufizuar, apo një autonomi e gjerë, për të cilat bien dakord palët... .
Cilat janë marrëdhëniet me familjen mbretërore shqiptare? Fillimi i Luftës së Dytë Botërore përkon me një ekzil të gjatë të Mbretit Zog dhe të familjes së tij, që në një pjesë të madhe të kohës u prit dhe u strehua nga mbreti Faruk.
Mbreti Zog erdhi në Egjipt më 1945, me princin Leka Zogu, deri më 1954. Ata ishin të mirëpritur dhe jetuan atje me familjen. Dhe madje edhe pas revolucionit të vitit 1952 mbreti dhe familja e tij ishin të mirëpritur. Por më 1954 Mbreti Zog dhe familja e tij vendosën të shkonin në Afrikën e Veriut. Por Leka Zogu më ka treguar se i mban mend mirë ato kohë të fëmijërisë së tij, kur ka jetuar në Egjipt. Ata erdhën për vizitë në Egjipt edhe më pas, më 1970 kur vdiq presidenti Naser. Dhe ajo që pak vetë e dinë dhe që princi Leka më ka thënë është se ai e ka quajtur të birin Anëar në emrin e Anëar Sadatit. Ky është një rast që tregon se sa të forta kanë qenë marëdhëniet e familjes mbretërore shqiptare me presidentin Sadat, ndërsa ata ishin në ekzil. Është shumë i njohur në Egjipt fakti se familja mbretërore egjiptiane ka origjinë shqiptare dhe sa duket kjo në pasqyrimin në masmedia, në programet e historisë në shkollë?
Ne kurrë nuk kemi mohuar faktet e historisë. Kështu faktet e historisë fillojnë me kohën e Muhamet Aliut, shqiptar nga origjina dhe që ne e konsiderojmë babain e Egjiptit modern. Dhe familja e Muhamed Aliut pati pasardhës deri mbretin Faruk. Në shkollë, në programet e historisë i kushtohet vëmendje epokës së Muhamet Aliut si themeluesi i Egjiptit modern. Dhe çdo student në shkollë e mëson këtë, po ashtu siç mëson se kjo familje vazhdoi me sulltan Hyseinin, mbret Fuadin dhe Farukun.
Ndoshta është ky fakt i njohur që i bën shqiptarët të kthehen me përshtypje mjaft të mira nga Egjipti. Shumë prejatyre që shkojnë atje për pushime ose për arsye të tjera, pohojnë se priten me një respekt të veçantë. Keni një opinion për këtë?
Po. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me shqiptarët, në kuptimin individual. Dhe ne kemi mjaft egjiptianë që kanë një origjinë të hershme shqiptare. Unë jam njëri prej tyre. Gjyshja ime ishte Adila Kapllan Frashëri dhe unë jam nga familja Frashëri, nga ana e nënës. Dhe ajo ishte kushërirë e parë me Naim dhe Sami Frashërin. Ne kemi një respekt të madh për familjet me origjinë shqiptare, të cilat janë egjiptiane, por nuk e mohojnë origjinën. Cili është qëndrimi juaj ndaj egjiptianëve të Shqipërisë? Ata thonë se janë egjiptianë. Fakti që nuk kanë një gjuhë të tyre nuk i rendit në nivelin e minoriteteve të njohura, por ndërkohë ata pretendojnë se janë një lloj minoriteti. Pozicioni ynë ndaj tyre? Ne kurrë nuk i kemi mohuar ata, por ne kurrë nuk kemi pasur prova se ata janë egjiptianë. Kështu që nuk mund të them se ata janë me origjinë egjiptiane, por njëherësh dikush duhet të bëjë kërkime serioze për këtë origjinë të egjiptianëve të Shqipërisë. Deri më sot askush nuk ka mundur të tregojë prova të forta dhe të vlefshme për këtë lloj prejardhjeje. Më ka ndodhur të dëgjoj për shembull për faktin e ngjyrës së lëkurës, ata thonë e kemi si egjiptianët. Për faktin se duart janë të bardha nga brenda dhe jo nga jashtë...Por jo të gjithë egjiptianët kanë ngjyrë të tillë. Ose fakti që ata janë njerëz që merren me profesione të ndryshme. Por egjiptianët nuk shquhen për profesione të veçanta, aq sa shquhen si fermerë. Këto nuk janë prova bindëse. Kështu që ne nuk mund të themi që ata nuk janë egjiptianë nga origjina, ashtu siç nuk mund të themi se janë. Kjo çështje duhet të jetë subjekt i një prove shkencore, antropologjike. Kjo është pikëpamja ime.
Skeda
Kryeqyteti: Kairo
Gjuha zyrtare: Arabisht, Arabishtja e Egjiptiane e folur
Shteti: Republikë Gjysmë-Presidenciale
Dinastia e parë: Viti 3150 Para Erës së Re
Shteti i Pavarur: 28 Shkurt 1922
Deklarohet Republikë: 18 Qershor 1953
Sipërfaqja: 1,001,449 km²
Popullsia: 82,982,364 banorë
Produkti i Përgjithshëm Bruto: sipas vlerësimeve të vitit
2004 ishte 305.253 miliard USD
Të ardhurat për frymë në raport me GDP 4317 USD
Monedha: Pound egjiptian
Kodi telefonik: + 20