
Sot, kur në sipërfaqe është rishfaqur debati për rishikimin e historisë, na ka mbetur në dorë një model si Haxhi Qamili, me status ende të papërcaktuar qartë; negativ apo pozitiv, të paktën duke u nisur nga metoda e derisotme e të bërit histori jo vetëm nga linja zyrtare, ajo institucionale, por dhe nga iniciativat private, që jo në pak raste, pikërisht nga rrethanat në liri, janë shndërruar në anën tjetër të së njëjtës medalje, duke rrëzuar idhuj të rremë, por dhe duke ngritur të tillë. Për rastin e Haxhi Qamilit, Sulstarova rreket t‘i bëjë një qasje, duke eksperimentuar së pari me metodën. Në debatin për rishikimin e historisë, prirja është të flitet për spekulacione në emër të preferencave politike apo ndikimeve ideologjike, çka çon kolegët historianë që dhe ata të vihen pa dashur në skakiera politike dhe pak ose aspak flitet mes tyre lidhur me metodën. Ndaj, Sulstarova, i cili në studimin e tij nuk bën histori të mirëfilltë, por bën një trajtesë të imtësishme të mënyrës së gatimit të figurës së Haxhi Qamilit në kuzhinën e historiografisë shqiptare dhe më gjerë, është mbështetur në një metodë. Ja si shkruan Sulstarova në fillim të studimit: "Konceptet bazë që përdoren në këtë artikull janë identitetet legjitimuese, qëndrestare dhe projektuese, të zhvilluara nga sociologu Manuel Kastells. Sipas tij, identitetet legjitimuese ndërtohen prej institucioneve sunduese në shoqëri për të arsyetuar sundimin e tyre (Castells, 1997: 8). Identitetet qëndrestare gjenerohen nga individë apo grupe në pozita të pavlerësuara dhe të stigmatizuara nga logjika e sundimit. Në këtë rast, individët, duke ndjerë shtypjen, mospërfilljen apo përbuzjen që pushteti apo shoqëria ushtron mbi ta, krijojnë bashkësitë e tyre, prej të cilave marrin kuptime pozitive dhe me anë të të cilave u bëjnë ballë kundërshtarëve. Ndodh ajo që Kastells e emërton si "përjashtimi i përjashtuesve prej të përjashtuarve": nga pozita e ulët krijohet një identitet i ri pozitiv për anëtarët (po aty: 8-9). Identitetet projektuese lindin prej identiteteve qëndrestare atëherë kur aktorët shoqërorë kërkojnë të ripërcaktojnë pozitën e tyre në shoqëri dhe shndërrimin e të gjithë strukturës shoqërore (po aty: 8). Është e mundur që një identitet qëndrestar të kthehet në projektues e më pas në legjitimues, sikurse ka ndodhur me identitetet kombëtare. Të lindura fillimisht si identitete qëndrestare, ato kanë projektuar krijimin e një shteti dhe shoqërie moderne kombëtare dhe kur kanë pasur sukses e kanë legjitimuar identitetin kombëtar nëpërmjet institucioneve të shtetit dhe shoqërisë civile. Kastells thekson se nga pikëpamja e teorisë shoqërore "asnjë identitet nuk mund të jetë një thelb dhe asnjë identitet nuk ka për se vlera përparimtare apo prapanike, jashtë kontekstit të tij historik" (po aty; kursivi në origjinal). Ky është edhe qëndrimi ynë në analizën e Haxhi Qamilit, si simbol historik në tri periudha të ndryshme që do ta analizojmë: para Luftës së Dytë Botërore, pas saj dhe pas rënies së komunizmit, kur ai është vlerësuar si përparimtar apo prapanik, rebel apo hero, prej aktorëve të ndryshëm, por studimi ynë, duke qenë një interpretim i interpretimeve, nuk tenton ta klasifikojë atë në ndonjë pol. Duke nisur nga kjo metodë, Sulstarova ndërton ngrehinën e mitit historik të Haxhi Qamilit, duke sqaruar se "si çdo figurë tjetër simbolike, trashëgimia e kujtesës së Haxhi Qamilit gjykohet sipas tri akseve: spikatja, valenca dhe pronësia. Kur një figurë historike është e spikatur në kujtesën kolektive, hap përpara përdoruesit të saj, në një situatë konkrete, të tjera mundësi të ndryshme nga rasti kur figura në fjalë duhet ringjallur prej harresës kolektive. Me valencë kuptojmë atë nëse figura historike perceptohet si pozitive, negative apo neutrale. Disa figura historike shqiptare kanë fituar me kohë ngarkesë të lartë pozitive, si për shembull Skënderbeu, ose Ismail Qemali, apo ngarkesë të theksuar negative, fjala vjen Esat Pasha, ose janë ambivalente, si për shembull Ahmet Zogu. Pra edhe dhe valenca kushtëzon përdorimin e simbolit nga aktorët bashkëkohorë. Ndërsa pronësia ka të bëjë me faktin nëse simboli historik përdoret nga protagonisti, antagonisti, apo është neutral në konfliktin mes dy palëve. Përdorimi simbolik i Enver Hoxhës prej partive dhe grupimeve komuniste bashkëkohore i kundërvihet përdorimit negativ të atij simboli prej kundërshtarëve të tyre në spektrin politik. Mundësitë e suksesit të përdorimit të simboleve historike varen nga ndërthurja e këtyre tri akseve (Jansen, 2007: 963) dhe Haxhi Qamili me kryengritjen e Shqipërisë së Mesme nuk përbëjnë përjashtim". Për ta bërë më të plotë analizën e tij, Sulstarova përdor dhe atë që e quan perspektivë krahasuese, ku si shembull përngjasimi me lëvizjen fshatare të Shqipërisë së Mesme, udhëhequr nga Haxhi Qamili, merr lëvizjen ludite në Anglinë, aty nga fundi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit XIX, si dhe lëvizjen boksere në Kinë në vitet 1899-1901. Të dyja këto lëvizje, sipas Sulstarovës, përftuan vokacione pozitive vite apo shekuj më vonë, ndërkohë që ishin linçuar nga gjykime ekstreme si lëvizje rebele, si lëvizje të errësirës kundër dritës së progresit. Siç e paralajmëron dhe në titull, Sulstarova e ndan figurën e Haxhi Qamilit në tre këndpamje: rebel, hero dhe kundërhero.
Te rebeli, Sulstarova shkruan ndër të tjera: Përderisa qysh në fillimet e saj Rilindja Kombëtare idetë e përparimit, modernitetit, zhvillimit, i shihte të mishëruara te shtetet e Evropës Perëndimore, të cilat e kishin njohur Vidin si sundimtar të vendit, rebelët e Shqipërisë së Mesme u cilësuan si turmë injorante e prapanike. Ndërsa Vidi legjitimonte rendin e ri të shtetit kombëtar, rebelët digjnin shtëpitë e atyre që i mbanin për "shqiptarë". Rebelët u shpallën tradhtarë. Për shkak se sulmonin pronat dhe grabisnin pasuritë e bejlerëve, ata quheshin anarkistë, si përmbysës së rendit shoqëror dhe si irracionalë, sepse, siç shkruante gazeta "Dielli" e datës 10.03.1915, "me barinj nuk bëhet shtet" (cituar nga Shpuza, 1990: 239). Për ta përmbledhur, kryengritja e Shqipërisë së Mesme nga elita politike dhe intelektuale e kohës shihej kundërshtare e identitetit legjitimues kombëtar shqiptar, si prishëse e asaj pune madhore që nacionalistët ishin përpjekur me shumë therrori për ta realizuar dhe si rrënuese e rendit ekzistues shoqëror. Mirëpo kishte edhe zëra të veçantë, të cilët mendonin për një Shqipëri ndryshe, pa sundimtarë të huaj, pa klasa të pasura, të qeverisur nga vetë populli. Emblematik për këtë identitet projektues është artikulli "Shqiptari më i mirë" i Sali Nivicës, botuar te gazeta "Populli", më 19.03.1915. Sipas tij, shqiptari i vërtetë i atyre viteve nuk duhet kërkuar te "patriotët", por tek ai më i thjeshti, te "rebeli" i Shqipërisë së Mesme.
Te heroi, Sulstarova merr si model analize formësimin që mori figura e Haxhi Qamilit dhe e lëvizjes së tij nga gjykimi zyrtar i kohës: "Regjimi kishte nevojë për precedentë historikë që të dëshmonin ‘traditat revolucionare‘ të kombit socialist. Nuk bëhej fjalë thjesht për propagandë politike, por për themelet kombëtare dhe shoqërore të revolucionit socialist në Shqipëri, mbi të cilin ngrihej eskatologjia marksiste-leniniste e regjimit. Kryengritja e Shqipërisë së Mesme ishte çështje e së vërtetës historike dhe duhej trajtuar pikësëpari në nivelin më të lartë politiko-teorik. Prandaj vetë Enver Hoxha u angazhua që Haxhi Qamili të interpretohej si një simbol i luftës popullore kundër imperialistëve të jashtëm e armiqve klasorë të brendshëm. Diktatori, kredencialet e veta revolucionare i përforconte me anë të figurës së Haxhi Qamilit".
Ndërsa te kundërheroi Sulstarova është përqendruar te përfshirja e emrit të Haxhi Qamilit në ligjërimin politik, ku çdo lider ka akuzuar kundërshtarin për haxhiqamilizëm, ku si shembull merr ish-kryeministrin Nano, i cili në një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit flet për protestuesit e opozitës që janë mbledhur në shëtitoren pranë zyrës së tij, duke thënë: Ndoshta është një koincidencë simbolike, por prirja integruese e Shqipërisë nga Perëndimi, për të cilën Tirana natyrisht luan një rol gjithnjë e më shumë prioritar, kontraston në mënyrë të dukshme me atë të pasardhësve të lëvizjeve të Haxhi Qamilit që "Duan Babën" apo Shahin Matrakun. Po kështu dhe Edi Rama, kur siç shkruan Sulstarova, shprehet se lufta e Berishës kundër korrupsionit është si lufta e Haxhi Qamilit kundër të pafeve, kurse shtypi pranë Kryeministrit Berisha, si për shembull gazeta "55", e quan Edi Ramën si "Haxhi Qamili" në krye të Partisë Socialiste. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, për të shprehur mospranimin në qeveri të ish-aleatit të tij Nard Ndokës, thotë: "Nuk është e udhës të fusim në koalicionin tonë elementë ‘haxhiqamilistë‘ që nuk është se bartin të njëjtat vlera me ne", shkruan autori i studimit. Në fund, Sulstarova nuk shkon domosdoshmërish te një definicion mbi negativitetin ose pozitivitetin e figurës dhe rolit të Haxhi Qamilit dhe lëvizjes së tij, por i qaset saj nga disa anë dhe gjithashtu sistemeve të mendimit që e kanë shndërruar atë në figurë disavalente. Ky studim i Sulstarovës vjen pas atij kushtuar fokusit të mendimit intelektual në Shqipëri kundrejt orientit, me titull "Arratisje nga lindja", një libër i plotë studimor, si dhe pas shumë sprovave të tjera, duke i vendosur disa problematika shqiptare dhe historike në kontekste të panjohura dhe të paanalizuara më parë.