
Në letërsinë botërore, ka kryevepra të cilat kanë një temë të ngjashme, siç është «Viti 93» i Victor Hugo, apo «Lufta dhe paqja» e Leon Tolstojt. Të dy këta krijojnë ngjarje dhe personazhe me fantazinë e tyre, por ruajnë me korrektesë linjën e përgjithshme historike të ngjarjeve, aq më tepër që personazhe reale historike janë personazhe të veprës së tyre letrare. Përkundrazi, Ismail Kadare, në novelën apo romanin e vet «Viti i mbrapshtë», nuk e repekton fare linjën historike të ngjarjeve, por thur një «rrjetë merimange» falsifikimesh historike të çuditshme dhe që bën që shqiptarët të duken si një komb i përfshirë nga një delir kolektiv. Ismail Kadare sikur ka pasur një kënaqësi perverse për t’i bërë dhe më kaotike dhe paranojake ngjarjet historike të asaj kohe. Për të kuptuar kaosin paranojak që bën Kadare me ngjarjet historike po citoj këto fragmente nga novela apo romani i tij «Viti i mbrapshtë», ku ai e përshkruan kështu Shqipërinë e kohës: «Ushtri e banda të ndryshme e përshkonin kryq e tërthor nga njëri cep në tjetrin. Nga veriperëndimi marshonte ushtria austriake me topa fushore, me rregulla e me urdhra të shkurtra, tamam ushtri. Në lindje vërtiteshin trupa franceze… Ushtria lindore malazeze, me këngë me avaz të vjetër, lëvizte ngadalshëm në verilindje. Në pyjet e Mamurrasit zdërhalleshin bandat e Tur Kusarit dhe më tej ushtria veriore me tirq të zinj e Uk Bajraktarit. Ushtria serbe, me qerre me municion lëvizte në drejtim të kundërt, duke lënë pas gropa gëlqereje, me të cilën spërkatnin kufomat e të vdekurve nga murtaja. Bandat myslimane të Esad Pashës, që kërkonin rikthimin te Turqia, vinin vërdallë në Shqipërinë e Mesme nën zhurmën e daulleve, britmave Dum Babën, domethënë Sulltanin turk dhe duke kënduar këngë të zymta molisëse: Për xhenet u nisëm, sosëm në xhehenem, Shqipëri, moj kuçkë, ç’na bëre verem. Së fundi ushtria e shtetit të porsaformuar shqiptar, më e brishta e të gjithave, me oficerë holandezë, që s’kuptonin asnjë fjalë shqip dhe që pinin mbrëmjeve nga dëshpërimi». (cituar sipas: Ismail Kadare, «Viti i mbrapshtë», tek «Koha e shkrimeve», përmbledhje me tregime dhe novela, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1986, f. 272-273) Dhe më tutje Kadare shkruan: «E kuptonte që ushtria serbe ishte kundër ushtrisë kombëtare shqiptare të Princ Vidit, ose hallandezkës, por nuk ia nxinte mendja se përse serbët, duke qenë armiq me turqit, ishin aleatë me esadistët, që s’ donin veç rikthimin e Turqisë në Shqipëri… po mbi të gjitha, më i pakuptueshëm se çdo gjë ishte qëndrimi i njëfarë Haxhi Qamili, fshatar mysliman, rebelët e të cilit luftonin me të njëjtin tërbim si kundër ushtrisë kombëtare të princit, si kundër esadistëve». (cituar sipas: Ismail Kadare, «Viti i mbrapshtë», tek «Koha e shkrimeve», përmbledhje me tregime dhe novela, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1986, f. 288) Ndërsa më tutje Kadare shkruan: «dihej se trupat austriake, franceze, italiane dhe ushtria kombëtare shqiptare, sado që nuk shiheshin dot me sy, nuk ndesheshin me njëra-tjetrën. Disi më e paqartë ishte gjendja e ushtrive të fqinjëve, me të cilat ushtria kombëtare shqiptare qëllonte të ndeshej, por jo me atë kokëfortësi si me bandat esadiste. Ajo ishte përpjekur më kot që të bënte për vete arradhet e Haxhi Qamilit që ishin armiqtë e armiqve të saj, esadistëve, por s’ishte e mundur. Thuhej se princ Vidi kishte qëndruar një natë pa gjumë, pa e kuptuar dot se përse Haxhi Qamili, që i urrente për vdekje si Esad Pashën, si serbët, nuk bashkohej me të».(cituar sipas: Ismail Kadare, «Viti i mbrapshtë», tek «Koha e shkrimeve», përmbledhje me tregime dhe novela, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1986, f. 302) Dhe në fund Kadare shkruan: «Përveç qeverisë mbretërore të njohur prej Fuqive të mëdha, qeveri e administrata të tjera bënin ligjin atje ku mundnin. Republika Katolike e Lezhës, me varrin e Skënderbeut, me emblemë dhe me prijës monsinjor Prenushin. Republika Autonome e Korçës, protektorat francez, e nde pa flamur. Qeveria ndërkombëtare e Shkodrës (emërtimi i saj ishte i pashpjegueshëm), me njësi monetare frangun zviceran. Principata ose Pashallëku Islamik i esadistëve në Shqipërinë e Mesme, me dy kryeqytete: Elbasanin dhe Shijakun. Deklarata e Sektit Bektashi, i cili duke përfituar nga rezidenca e kryegjyshit botëror në Shqipëri, kishte shpallur Emiratin e sulltanin e vet, me kryeqytet Malin e Tomorrit. Principata Ortodokse Separatiste e Vorio-Epirit, me kryeqytet Janinën, që ndodhej jashtë kufijve shtetërorë. Principata kanunore e Oroshit, e mbiquajtur e amshueme, me flamur mesjetar të Lek Dukagjinit, me shqiponjë të bardhë. Krahina serbe, ose siç u quajt në shtyp shteti në formë korridori, për shkak të formës e të qëllimit (hapja e një korridori drejt detit), pa kryeqytet. Së fundi Republika Shqiptare, që njihej vetëm nëpërmjet gazetës së vet Shqipëri e pafat, por që s’ dihej ku gjendej». (cituar sipas: Ismail Kadare, «Viti i mbrapshtë», tek «Koha e shkrimeve», përmbledhje me tregime dhe novela, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1986, f. 347) Për të kuptuar falsifikimet historike që bën Kadare, po i jap lexuesit kronologjinë e rregullt të ngjarjeve që ai përzien në novelën apo romanin e tij: -Princi Wied erdhi në Shqipëri në 7 mars 1914 dhe qëndroi deri në 3 shtator 1914, në kryeqytetin e shtetit shqiptar që ishte Durrësi. Pas kësaj date nuk ekzistonte më ushtria e shtetit shqiptar, e instruktuar nga holandezët. -Misioni ushtarak holandez prej 17 oficerësh ndërpreu detyrën e vet pranë qeverisë shqiptare, në prag të fillimit të luftës botërore, që tashmë pritej, pasi në ndërkohë austro-Hungaria i kishte dhënë ultimatum Serbisë që e kishte refuzuar, dhe në fakt lufta filloi të nesërmen e ndërprerjes së misionit holandez. Oficerët holandezë u larguan nga Shqipëria në 3 gusht 1914. -Rebelët islamikë e pushtuan Durrësin në 5 shtator 1914 dhe vendosën atje pushtetin e tyre të llojit të një pashallëku islamik. -Esad Pashë Toptani hyri në Durrës në 2 tetor 1914, duke i dëbuar prej andej rebelët. -Kryengritja e Haxhi Qamilit filloi në 30 nëntor 1914 kundër qeverisë së Esat Pashës. -Forcat ushtarake serbe erdhën në Shqipëri në qershor 1915, për të siguruar rrugkalimin për tërheqjen e ushtrisë serbe nëpërmjet detit nga portet shqiptare, pasi ushtria serbe po e përballonte me vështirësi luftën me Austro-Hungarinë dhe pritej që kundër saj të vepronin dhe forcat gjermane dhe ato bullgare. Më pas ushtria serbe erdhi së dyti në Shqipëri, në fillim të vitit 1916, kur u tërhoq e shpartalluar, e ndjekur nga ushtritë austro-hungarezo-gjermane, që pushtuan Serbinë, por këtë herë ushtria serbe nuk qe faktor në luftime, dhe thjesht ngutej të largohej nëpërmjet detit. -Haxhi Qamili u arrestua në Shijak në 8 qershor 1915 dhe u var në 16 gusht 1915. -Ushtria austro-hungareze hyri në Shqipëri në janar 1915 dhe duke ndjekur ushtrinë serbe pushtoi Shqipërinë deri në Vjosë. -Forcat ushtarake franceze hynë në Korçë në tetor 1916 dhe Krahina Autonome e Korçës u shpall në dhjetor 1916. -Në 27 tetor 1914 Greqia shpalli aneksimin e Vorio-Epirit dhe qeveria e vetëshpallur e këtij të fundit pushoi së funksionuari. -Administrata ndërkombëtare e Shkodrës, e cila mbështetej dhe nga një forcë paqeruajtëse e përbërë nga forca të gjashtë Fuqive të Mëdha dhe që u krijua pasi Shkodra u lëshua nga Mali i Zi, në maj 1913, u shkri me fillimin e Luftës së Parë Botërore, në korrik 1914, pasi Fuqitë e Mëdha që përbënin administratën dhe trupën ushtarake ndërkombëtare të Shkodrës, ishin palë ndërluftuese në Luftën e Parë Botërore. Është me të vërtetë absurde sesi Kadare imagjinon që francezët, italianët dhe austro-hungarezët, që në librin e tij luftojnë kundër njëri-tjetrit, të bashkëpunonin në ndërkohë në administratën dhe forcën ndërkombëtare të Shkodrës. Duke i parë ngjarjet e novelës apo romanit të Kadaresë nën dritën e kësaj kronologjie të saktë historike, mund të zbulosh se çfarë shtrembërimesh ka bërë Kadare, duke marrë ngjarje të viteve 1915, 1916, dhe duke i ngjeshur në vitin 1914. Duket sikur Kadare ka pasur dëshirë që ta bëjë sa më të mbrapshtë dhe më të keq vitin 1914 për Shqipërinë. Kadare krijon një kaos diabolik ku në Shqipëri luftonin në të njëjtën kohë ushtria e shtetit shqiptar, ajo esadiste, ajo e rebelëve të Haxhi Qamilit, ushtria serbe, austro-hungareze, franceze, malazeze, ku qeverisnin në të njëjtën kohë Princi Wied, Republika e Korçës, regjimi i Haxhi Qamilit, qeveria e Esad Toptanit, dhe disa qeveri të tjera, religjioze katolike, sunite, bektashiane, gjë që nuk ka qenë e vërtetë. Kadare e ka shtuar rrëmujën duke i bërë të veprojnë në të njëjtën kohë forcat e princit Wied, ato të Haxhi Qamilit dhe ato esadiste. Kur filloi rebelimi i drejtuar nga Haxhi Qamili Princi Wied kishte ikur prej tre muajsh, ndërsa kur erdhën serbët kishte ikur prej dhjetë muajsh. Pra, Kadare kot na e paraqet Princin Wied duke qëndruar pa gjumë për të zbuluar përsenë e sjelljes së Haxhi Qamilit. Në fakt duket se ai që ka qëndruar pa gjumë është Kadare, për të ngatërruar historinë. Kadare gjithashtu mashtron kur thotë se Imzot Prenushi, kishte krijuar një principatë katolike separatiste në Lezhë. Imzot Prenushi është një person real, një shkrimtar i madh shqiptar, që vdiq në burgjet e regjimit komunist, dhe duket se Kadare duke i atribuuar këtë bëmë të paqenë kërkon ta denigrojë pas vdekjes edhe politikisht, pasi e ka denigruar si shkrimtar në libra të tjerë. Një tjetër gafë e Kadaresë është që shtetin e Mirditës të krijuar në 1921 nga disa aventurierë e bën sikur ka ndodhur në vitin 1914, gjë që nuk ishte e vërtetë se atëherë mirditorët me në krye Prengë Bibë Dodën mbështetën Princin Wied dhe shtetin shqiptar. Një gafë tjetër historike është kur Kadare shpik nga fantazia një shtet bektashi me kryeqytet Malin e Tomorrit, për sajimin e të cilit ai zhvendos një ngjarje reale, ardhjen në Shqipëri të selisë botërore të bektashinjve, kryegjyshatës botërore, nga vitet njëzet kur ka ndodhur, në periudhën para vitit 1914. Me falsifikimet historike që ka bërë Kadare, krijon përshtypjen tek të huajt që lexojnë librin dhe shikojnë filmin, se shqiptarët e copëtuan shtetin e tyre në shumë principata fetare, që ishin mes tyre në një konflikt paranojak, gjë që nuk ka qenë e vërtetë. Esad Pasha ka fajet e veta, por në 1914 ai nuk krijoi një principatë islamike, të cilën donte ta bashkonte me Turqinë, por luftoi kundër rebelëve islamikë, dhe krijoi një qeveri laike. Esad Pasha nuk krijoi një pashallëk islamik me qendër Elbasanin dhe Shijakun, siç thotë Kadare, por ai e quajti pushtetin e vet vazhdues të qeverisjes së Princit Wied, dhe kryengritësit islamikë kur i kapi, i dënoi për rebelim ndaj Princit Wied. Esad Pasha ruajti laicitetin e shtetit dhe qeveria e tij u njoh nga fuqitë e Antantës. Ajo që thotë Kadare se Esad Pasha në atë kohë ishte filoturk dhe donte ta bashkonte Shqipërinë me Turqinë, është marrëzi që nuk i përgjigjet historisë. Esad Pasha në atë kohë u dënua me vdekje në Turqi për shkak se ishte aleat i Antantës, me shtetet e së cilës Turqia hyri në luftë në nëntor 1914. Qeveria e Esad Pashës u njoh nga fuqitë e Antantës si fuqi shoqe, dhe Esad Pasha u prit në Romë, Paris dhe Londër si kryetar i një qeverie aleate. Kjo është e vërteta historike dhe i duhet njohur si meritë Esad Toptanit. Për të këqijat që ka bërë le të marrë vlerësimin që meriton. Është interesante se kështu siç po e paraqes unë këtu tregohet historia e asaj kohe edhe në tekstet e historisë zyrtare të kohës së komunizmit, kur Kadare botoi «Viti i mbrapshtë» (1986). Kadare pra nuk kishte pse ta denigronte Esad Pashën më tepër se ç’e ka denigruar historiografia e kohës së komunizmit. E keqja më e madhe është se falsifikimet historike të Kadaresë qarkullojnë sot në botë të legjitimuara me emrin e tij, dhe tash do të përhapen dhe me anë të filmit. Ata që kanë shkruar skenarin e filmit kanë përgjegjësi nëse i ruajnë shtrembërimet historike që ka bërë Kadare dhe që krijojnë një imazh të keq për shqiptarët në botë. Është për t’u habitur sesi një libër me falsifikime kaq paranojake të historisë si «Viti i mbrapshtë» të quhet kryevepër! Ata që e thonë këtë gjë janë ose injorantë që nuk e njohin historinë, ose paranojakë! A mund të quhej kryevepër «Viti 93» nëse Victor Hugo do të përziente atje edhe perandorin Napoleon, edhe futjen e ushtrive ruse në Paris, pas rënies së Napoleonit, edhe betejën e Vaterlosë, e ku e di unë se cfarë tjetër, apo sikur Leon Tolstoj të kishte futur tek «Lufta dhe Paqja» edhe Luftën e Krimesë, apo edhe Revolucionin e Tetorit? Sigurisht që jo! Ismail Kadare nuk mund të heshtë për këto gjëra, duke mbajtur një heshtje shpërfillëse olimpike, se dëmi që ai bën me to është real.