
Në këtë mënyrë, delegacioni jugosllav me në krye Nikolla Pashiqin, me anë të kësaj politike kundrejt Shqipërisë, skicoi hapur bazat themelore të aksionit politiko-diplomatik antishqiptar.
Duke u akuzuar për përdorim të “politikës së ultimatumit”, pala jugosllave u detyrua të ndryshojë kërkesën për dhënien, të paktën, në favor të Jugosllavisë, të Luginës së Drinit, çka do t’i mundësonte asaj daljen në Detin Adriatik.
Për “respektimin e interesave të Shqipërisë”, delegacioni jugosllav propozoi që, pas përcaktimit të kufijve strategjikë jugosllavo-shqiptarë sipas kërkesave të mësipërme, Mbretëria SKS dhe Fuqitë e Mëdha, bashkërisht, të garantonin një “regjim special autonomije, të pavarur nga Italia, për Shkodrën dhe rrethinat e saj”. Me këtë propozim, delegacioni jugosllav ishte gati të hiqte dorë edhe nga varianti i “Një Shqipërie neutrale dhe të pavarur”.
Shkodra – “corpus separatum”
Ndër të tjera, kjo nënkuptonte edhe rekrutimin e kontigjenteve njerëzore që do të inicionin dhe më pas do të shpallnin publikisht një “solidaritet mbarëshqiptar për mbrojtjen e Ballkanit nga mbeturinat e turqve dhe turkoshakëve myslimanë”.
Për prezantimin e kësaj ekspozeje gjatë punimeve të Konferencës, pala jugosllave paraqiti argumenta politikë, strategjikë, ekonomikë, historikë dhe gjeografikë, sipas të cilave Shkodra dhe Buna duhej doemos të përfshiheshin brenda kufijve shtetërorë të Mbretërisë SKS. Shkodra u shpall “pika kruciale e interesave dhe e të drejtave kombëtare e historike të shenjta të popujve sllavë, e që “padrejtësisht” kishte mbetur brenda kufijve shqiptarë.
Përcaktimi i saj si “corpus separatum” – (trup i ndarë–shënim i përkthyesit A.K), i rrethuar nga “fise të fuqishme shqiptare”, u konsiderua nga Fuqitë e Mëdha si i pamundur, si “argument i papjekur, jashtë realitetit dhe naiv”.
“Shqipëria e Veriut – rrezik për paqen”
Megjithatë, delegacioni jugosllav këmbënguli se Shqipëria e Veriut gjithmonë ishte shfaqur si burim i pasigurisë dhe i rrëmujës e konflikteve të padëshiruara në Europë, ndaj edhe indirekt u aludua se Italia, duke e njohur këtë realitet, nëpërmjet pranisë së saj në Shqipëri, sidomos me synimet për t’iu afruar kufijve veriorë të saj, do ta shfrytëzonte këtë faktor “bombë”, duke përdorur edhe ndikimin e Vatikanit, pra edhe të Italisë, tek malësorët shqiptarë të Veriut me besim katolik, në çdo moment që ajo do të dëshironte të ndizte e shpërthente luftëra e konflikte.
Përveç “arsyeve ekonomike dhe ushtarake”, Trumbiç përdori edhe argumentet “religjiozë”, sipas të cilëve mandati italian mbi Shqipërinë, si instrument politik i një vendi katolik, ngjall dyshimet për praninë dhe përdorimin e presionit ndaj popullsisë ortodokse dhe myslimane për konvertimin e tyre të planifikuar.
Më pas Pashiqit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të përcaktonte si prioritet të veprimit në ditët në vijim, pretendimin sipas së cilit “Pika më e nxehtë e problemit shqiptar, e që do të sjellë rreziqe dhe prishjen e paqes së përgjithshme, do të ishte dhënia e mandatit të Italisë mbi Shqipërinë dhe e lejes që trupat e saj t’i afrohen kufijve veriorë shqiptaro-jugosllavë”.
Italia si “mandatore…”
Në zbatim të Memorandumit të 9 Dhjetorit 1919, Konferenca i njohu Italisë të drejtën…, e kontrollit të plotë mbi Vlorën dhe rrethinat (Vlora bashkë me hinterlandin “avec un hinterland”) dhe përfundimisht edhe mandatin mbi pothuajse të gjithë Shqipërinë, përjashtuar këtu skajet e saj jugorë. Një zgjidhje e tillë u vlerësua me termin “e kobshme” në Beograd; si vendim që krijonte “kufijtë ofensivë kundër Jugosllavisë” dhe që mundësonte “realizimin e nënshtrimit strategjik”, çka, “në thelb, minonte përfundimisht përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon dhe më gjerë”.
Këto vendime prodhuan frikën e Jugosllavisë për një supremaci të Italisë dhe hodhën “bazat strategjike për një politikë ofensive në Ballkan, si dhe mundësimin e një ndihme ofensive ndaj të gjithë armiqve të Mbretërisë SKS..., për destabilizimin e brendshëm të saj, sidomos për shkak të veprimtarisë së irredentistëve shqiptarë, brenda dhe në kufijtë e shtetit”.
Këto zgjidhje, delegacioni jugosllav i konsideroi të papranueshme dhe vetëm në këmbim të korrektimit të kufijve me Shqipërinë…
Pashiqi: Shkodra e pavarur
Pas kryerjes së këtyre korrektimeve, që i konsideronte të domosdoshme, delegacioni jugosllav propozoi dhe këmbënguli për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare të “... problemit shqiptar..., drejt një Shqipërie të pavarur (pra edhe nga Italia – shënim i A.K) dhe me një autonomi administrative”. Dhe “në rast se Italia dhe Greqia përfitonin territore në Jug të Shqipërisë, atëherë, për arsye të shumta strategjike, ekonomike, politike, historike, gjeografike dhe komunikative, Jugosllavia do të këmbëngulë për shtyrjen e kufijve poshtë shtrirjes veriore të lumit Drin”.
Në vazhdën e kësaj zgjidhjeje, Pashiqi kërkoi që “Shkodra të fitojë Statusin e Autonomisë, të njëjtë me atë që parashikohej për Rijekën”, si dhe “zgjerimin e hapësirës jugosllave mbi Liqenin e Shkodrës”. Më 8 Janar 1920, këto kërkesa iu dërguan me shkrim kryetarit të Konferencës së Paqes-kryeministrit të Francës Zhorzh Klemanso dhe kryeministrit italian Francesko Nitti.
Trumbiçi: Të vendosin shqiptarët
Në lidhje me mandatin italian mbi Shqipërinë, parashikuar nga artikulli 22 i Lidhjes së Kombeve, Trumbiç kërkoi që asgjë të mos vendosej “jashtë vullnetit të popullit shqiptar”. Madje ai shtoi se “Nëqoftëse Italia këmbëngul për mandatin mbi Shqipërinë dhe nëse një ditë marrëdhëniet e ngushta midis tyre mundësojnë shpërthimin eventual të një lufte, gjendja e Jugosllavisë jo vetëm që do të rëndohet, por do të vihet në dyshim edhe ekzistenca e saj...”.
Shqipërinë nën okupacionin italian Trumbiç e vizatoi si “taborr i koncentruar për operacione ofensive” kundër Jugosllavisë.
“Distriktet shqiptare nën Jugosllavinë”
Kërkesat e Jugosllavisë u dëgjuan me vëmendje të madhe nga Këshilli i Lartë i Konferencës. Parashtrimi, komentet dhe interpretimi i Trumbiçit, i bënë veçanërisht “përshtypje të mirë” Llojd Xhorxhit, i cili këmbënguli sidomos mbi domosdoshmërinë e “korrektimeve” të nevojshme të përbërjes së stafit të aleatëve vendim-marrës, natyrisht për të mundësuar marrjen e vendimeve sipas orekseve dhe interesave antishqiptare të mëtonjësve, për çka Zhorzh Klemanso më 13 janar 1920 e njoftoi Pashiqin dhe Trumbiçin. Ndryshimin e përbërjes së aleatëve në Këshillin e Lartë të Konferencës, Klemanso e konsideroi “sukses të madh” dhe se pas kësaj, sipas tij, ekzistonte shpresa e marrjes dhe pranimit të vendimeve të rëndësihme nga të gjitha vendet e interesuara.
Me anë të notës së 14 janarit 1920, Llojd Xhorxhi dhe Klemanso, në lidhje me Çështjen e Shqipërisë propozuan: Italia të mbajë Vlorën dhe rrethinat si dhe të marrë mandatin mbi Shqipërinë; kufijtë veriorë të Shqipërisë të korrigjohen në favor dhe sipas kërkesave të Mbretërisë SKS; “distriktet shqiptare” që do të vendosen nën Mbretërinë SKS të marrin dhe gëzojnë një regjim qeverisje si provinca autonome;
Autonomia e Mirditës katolike
Që gjatë kohës së sundimit turk, Mirdita dhe krahina të tjera katolike e ortodokse, kanë patur njëfarë statusi të veçantë autonomie religjioze, organizimi administrativ, vartësie hierarkike, raporte të privilegjuara përkundrejt sistemit fiskal të pushtetit qendror, lidhje politike, kulturore e religjioze me qendrat dhe protektorët ndërkombëtarë, gjithmonë me pëlqimin e pushtetit qendror, si dhe raporte të caktuara sasiore e cilësore në raport me organigramën administrativo-qeverisëse të pushtetit qendror dhe shtetit perandorak.
Punktet dhe garantet e proteksionizmit të këtyre krahinave dhe “enklavave” religjioze, kanë qenë Vatikani, Athina, Vjena dhe Parisi.
Mirdita prej shekujsh ka patur të rekrutuar në Portën e Lartë mjaft administratorë lokalë e qendrorë si dhe pashallarë.
Prengë Bibë Dodë Pasha
Në fundshekullin 19 dhe fillimshekullin 20, më i shquari dhe njëkohësisht kryebajraktari i 12 bajraqeve katolike të Mirditës e më gjerë, ka qenë atdhetari i shquar Prengë Bibë Dodë Pasha i derës së Oroshit, atëkohë nënkryetar i Qeverisë së Durrësit me kryeministër Turhan Pashë Përmetin. Prengë Pasha, kundërshtar i paepur i xhonturqve, grekëve, italianëve, austriakëve, serbëve, francezëve dhe besnik i përjetshëm i Shqipërisë e shqiptarëve, u vra në rrethana tejet të dyshimta dhe për arsye banale në mars 1919. Për vdekjen e tij ishin të interesuar të gjithë mëtonjësit fqinjë, por kryesisht italianët dhe serbët. Madje këta të fundit u dekonspiruan pas zellit të tepruar për të zgjedhur pasardhësin e Prengë Pashës si Kapidan-kryebajraktar, po nga dera e Gjonmarkajve të Oroshit.
Duke i kundruar zhvillimet politike në Shqipëri dhe në mbarë bajraqet që ai drejtonte, si të bashkëlidhura dhe me ndikim përcaktues për të ardhmen e shqiptarëve, pavarësisht religjionit, Prengë Bibë Dodë Pasha pas shpalljes së Pavarësisë kish konkluduar se forma e vjetër e organizimit të bajraqeve të klanit katolik prej tij si kryebajraktar i Oroshit, jo vetëm nuk ishte efektive, por shërbente thjesht por coptimin e unitetit politik dhe administrative të shtetit të ri shqiptar, për konsolidimin e të cilit ai si atdhetar i vjetër dhe i sprovuar kishte kontribuar aq shumë. Dhe ishte pikërisht kjo mendësi, arsyeja e tërheqjes së Prengë Pashës nga kontaktet intensive dhe praktikat arkaike të drejtimit të komunitetit katolik të 12 bajraqeve, ndaj të cilave ai kish reaguar duke manifestuar indiferencë në drejtimin e klanit katolik sipas stilit dhe arketipit të vjetër.
Prengë Pasha gradualisht ishte tërhequr edhe nga përdorimi dhe administrimi i pasurive dhe sistemit fiskal të Bajrakut të Oroshit, të cilat nuk kish pranuar t’i linte totalisht në dorë të kushëririt të tij të parë, Gjon Markagjonit, ndaj të cilit ushqente antipati, ndërkohë që duke mos patur trashëgimtar dhe për ta ruajtur klanin të bashkuar, deri edhe pasurinë e tij vetiake ia kish lënë në administrim dhe trashëgim bajraktarëve që i kish miq dhe kushërinjve më të afërm.
Serbët përzgjodhën Kapidanin
Pas vdekjes së Prengë Pashës, pretendenti kryesor për postin e Kapidanit-kryebajraktar ishte Gjon Markagjoni, i cili gëzonte simpatinë hapur të serbëve dhe francezëve. Ndërkohë rivaliteti në përzgjedhjen e pasuesit të Prengë Pashës ishte tejet i ashpër dhe zgjati plot 9 muaj. Pikërisht në këtë moment, Beogradi, si më i interesuari, luajti rolin vendimtar në “zgjedhjen” e Gjon Markagjonit si Kapidan trashëgimtar i 12 bajraqeve.
Në raportin e tij “Tepër sekret, Nr. 1887” të 19 janarit 1920, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, emisari sekret i Beogradit që vepronte në Shqipërinë e Mesme e të Veriut, Dr. Millojeviç, ndër të tjera thekson: “… Me gjeneralin francez Bardi De Fortu, u takova për të biseduar dhe për ta bindur të ndërhyjë edhe ai me autoritetin e tij për të qetësuar konfliktin midis Shtëpisë së Marka Gjonit dhe bajraqeve, lidhur me trashëgiminë e testamentit të lënë pas vdekjes së Prenk Bibë Dodë Pashës, për çka fiset janë në rivalitet të ashpër. Gjenerali De Fortu e pranoi propozimin tim për të ndërmjetësuar midis bajraktarëve lidhur me trashëgiminë e kryebajraktarit të Mirditës..., dhe ne vepruam me sukses…”.
(AJ, 336-28-IV-VII/12-5371).
Konflikti i Kapidanit me Tiranën
Situata ushtarake tejet e turbullt në Shkodër, luftimet dhe incidentet në të gjithë sektorin lindor të “Vijës së Demarkacionit”-Franshe d’Eperri, i kishin bërë pothuajse të pamundura shkëmbimet tregtare të mirditorëve të izoluar me tregjet e Shkodrës dhe Dibrës së Madhe, ndaj i vetmi korridor kish mbetur ai verior, drejt Prizrenit, të cilin serbët qëllimisht e kishin lënë të hapur për mirditorët. Pikërisht në këtë kohë dimri të ashpër, ekzigjenca e tepruar e zv/ministrit të Brendshëm Mehdi Frashëri për sigurimin dhe bllokimin e kufijve pas të cilit vigjëlonin jugosllavët që krijonin incidente të panumërta, si dhe njëfarë disponimi negativ i tij për komunitetin katolik, që u manifestua sidomos para zgjedhjeve parlamentare, kur Mehdiu kërkoi hapur përjashtimin nga kandidimi të Fishtës dhe Gurakuqit si tejet të implikuar me qendrime proitaliane dhe pikëpamje proteksioniste gjatë kohës së qeverisë së Durrësit dhe përfaqësimit të Shqipërisë në Versajë – u shfrytëzuan nga Kapidani për të propaganduar kundër qeverisë “xhonturke” të Tiranës. Shfrytëzimi i padijes dhe autoritetit mbi besimtarët, neglizhimi i Mirditës së varfër nga qeveria qëndrore me buxhet qesharak dhe halle të mëdha, si dhe izolimi i sforcuar i mirditorëve në mes të dimrit, ndezën flakët e pakënaqësisë dhe i dhanë kazusin Bajraktarit për t’u rebeluar ndaj Tiranës zyrtare!
Duke parandjerë rrezikun separatist të aksionit politik të Gjon Markagjonit, qeveria, për ta marë me të mirë, i propozoi atij një post të lartë në ministrinë e Brendshme, post të cilin kryebajraktari e refuzoi prerazi, për shkak të sebepit, pakënaqësive të akumuluara dhe ngaqë sipas formimit të tij katolik ai nuk mund t’i besonte asgjëje që nuk kishte lidhje me “besimin” dhe filozofinë e tij “kristiane”.
Më 28 prill 1921, i shoqëruar nga afro 60 ithtarë të flaktë, ndër të cilët edhe priftërinjtë katolikë Dom Ndoc Nikaj dhe Patër Anton Ashiku, nga disa krerë të bajraqeve të Mirditës dhe malësorë të thjeshtë, Gjon Markagjoni kaloi kufirin ushtarak shqiptaro-jugosllav dhe shkoi në Prizren.
Beogradi refuzon Tiranën
Duke parandjerë përdorimin e Gjon Markut nga jugosllavët për të shkaktuar trazira në Mirditë dhe ne Veri të vendit, qeveria shqiptare më 11 maj 1921 dërgoi në Beograd gjeneralin Ali Riza Pashë Kolonja, me një notë zyrtare e cila përmbante propozime dashmirëse e të sinqerta, me ç’rast i ofronte Mbretërisë SKS predispozicionin për të realizuar marrëdhënie reciproke të mirëbesimit dhe mirëkuptimit si dhe avantazhet që buronin nga fryma e marrëdhënieve paqësore midis dy vendeve, konform akteve dhe zgjidhjeve dypalëshe e atyre ndërkombëtare.
Por thelbi i notës së Tiranës zyrtare ishte propozimi që Jugosllavia të njihte pavarësinë e shtetit shqiptar si dhe kufijtë e tij respektivë (pra edhe ato me Jugosllavinë), përcaktuar dhe ratifikuar konform vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës më 1913, dhe, për pasojë edhe tërheqjen e trupave jugosllave nga territoret e okupuarar me pretekst Vijën e Demarkacionit.
Në notën e saj, qeveria shqiptare propozonte si kontribut paqësor mbajtjen e premtimeve për neutralitet në rastet e veprimeve luftarake ofensive e difensive të Jugoslavisë në konfliktet me shtete të tjera, si Brenda, ashtu edhe jashtë territorit të saj, duke e garantuar Beogradin se kurrrë Shqipëria nuk do të shfrytëzonte rastin për të bërë kauzë të përbashkët me shtetet armiq të Jugosllavisë për rregullimin e problemeve territoriale dypalëshe. Tirana gjithashtu shprehte gatishmërinë për të nënshkruar, sipas nevojës, edhe marrëveshje apo traktate dypalëshe në përmbushje të këtij disponimi që buronte nga politika e jashtme e fqinjësisë së mirë dhe gatishmëria e shqiptarëve për ruajtjen e paqes dhe mirëkuptimit në rajon.
Beogradi e hodhi poshtë notën e Tiranës zyrtare dhe misioni i Ali Rizait dështoi plotësisht.
Inkursioni i parë i Kapidanit
Në qershor 1921, Kapidani u kthye në Mirditë i financuar me një sasi shumë të madhe ari, të cilën filloi ta shpërndajë me bujari për të rekrutuar sa më shumë pasues të varfër dhe për të rritur reputacionin personal. Ndërkohë, propaganda e tij politike bazohej kryesisht në diskretitimin e qeverisë së Tiranës, të cilën ai e etiketonte “thellësisht myslimane, me prirje dhe frymëzime xhonturke, dhe që synonte të pengonte ushtrimin e besimit katolik nga mirditorët dhe persekutimin e organizuar të tyre”.
Pikërisht në fund të qershorit 1921, tamam në kohën që qeveria shqiptare ishte përkushtuar totalisht për të zgjidhur krizën e kufinjve, Beogradi frymëzoi dhe stimuloi shpërthimin e rebelimit.
Duke parandjerë rrezikun kërcënues të rebelimit për fatet e vendit, Arqipeshkvi i Shkodrës Imzot Jak Serreqi, famullitari i Rubikut Patër Pal Doda, si dhe deputetët katolikë të Shkodrës Patër Gjergj Fishta, Kolë Thaçi, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Pashuk Saraçi, Shuk Gurakuqi, etj., ndikuan fuqimisht në sqarimin e të vërtetave dhe rreziqeve, në qetësimin e popullit të Mirditës dhe pakësimin e radhëve të rebelimit nga kontigjentet e fshatarëve të mashtruar, në demaskimin e propagandës, frymës vëllavrasëse dhe shmangien e ndikimit serb.
Më 7 korrik Imzot Noli, në emër të qeverisë shqiptare i kërkoi Lidhjes së Kombeve shpejtimin e procedurave për definimin e kufijve të shtetit shqiptar si dhe denoncoi me tone të ashpra përpjekjet e Jugosllavisë për të shkaktuar trazira në Mirditë dhe për ta thelluar krizën ndërshtetërore të zvarritjes së mospërcaktimit dhe mosrespektimit të kufijve të shtetit shqiptar konform vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913. Sipas Nolit “… kryengritja e Mirditës ishte organizuar enkas për të krijuar pretekstin e ndërhyrjes jugosllave për pushtimin e trojeve shqiptare…”.
Pas fjalës së Nolit, përfaqësuesit jugosllav dhe grek, në sintoni kërkuan hedhjen poshtë të kërkesës për definimin e kufijve të shtetit shqiptar, me pretekstin se vetëm Konferenca e Ambasadorëve, ose Këshilli Suprem i Lidhjes, kishin kompetencë për caktimin përfundimtar të kufinjve ndërshtetërorë të Jugosllavisë dhe Greqisë me Shqipërinë.
Por ndërkohë, të trembur nga reagimet e delegatëve në sallë dhe mediave për lajmin e bujshëm, jugosllavët, tashmë të dekonspiruar në qëllimet e tyre, i kërkuan Kapidanit të kthehej menjëherë në Prizren, me shpresën e qetësimit të furisë së zemërimit të opinionit publik ndërkombëtar dhe kancelerive të mëdha.