
Por pavarësisht kësaj, tre muaj më parë, në një letër që ia drejtonte një të besuari shpirtëror, atë Michael van der Peet, letër kjo që vetëm tani është bërë publike, ajo shkruante me një familjaritet të lodhur për një Krisht ndryshe, një Krisht që mungonte. "Jezusi ka dashuri të veçantë për ty. Ndërsa për mua, heshtja dhe boshllëku janë aq të mëdha saqë unë hedh sytë dhe nuk shoh gjë. Dua që të lutesh për mua, që ta lë Atë që të ketë dorë të lirë", i shkruante ajo atij. Letrat e saj janë shumë joharmonike. Të marra së bashku ato japin figurën e një portreti befasues të kontradiktave me veten, atë të një ikone të madhe të 100 viteve të fundit, veprat e shquara, të së cilës dukeshin në mënyrë të pazgjidhshme të lidhura me afërsinë e saj me Zotin. Një libër i ri i titulluar në mënyrë të joarmiqësore "Nënë Tereza: Ji drita ime", përbëhet kryesisht nga korrespondenca ndërmjet Terezës dhe rrëfyesve dhe superiorëve të saj në një periudhë rreth 66-vjeçare. Në këtë libër shfaqet sfondi shpirtëror i një jete të njohur më së shumti nëpërmjet veprave. Letrat, shumë prej tyre të ruajtura kundër dëshirës së saj (ajo kishte kërkuar që ato të shkatërroheshin, por kisha e saj nuk e kishte zbatuar këtë dëshirë), dëshmojnë se për pothuajse gjysmëshekulli të jetës së saj ajo nuk e kishte ndier prezencën e Zotit – apo siç shkruan redaktori i librit, atë Brian Kolodiejchuk, "as në zemër dhe as në rite".
Ajo mungesë duket se ka filluar në të njëjtën kohë kur ajo filloi të kujdesej për të varfrit dhe të sëmurët për vdekje në Kalkutë, dhe, përveç një pushimi 5-javor në vitin 1959, kurrë nuk u mposht. Edhe pse dukej gjithnjë e qeshur në publik, Tereza e letrave jetoi në një dhimbje të thellë dhe të qëndrueshme shpirtërore. Në më shumë se 40 letra, pjesa më e madhe e të cilave nuk janë publikuar kurrë, ajo vajton për "thatësirën", "errësirën", "vetminë" dhe "torturën" që po kalonte. Ajo e përjeton eksperiencën me ferrin dhe në një pikë thotë se e ka bërë të dyshojë ekzistencën e parajsës, madje dhe të Perëndisë. Ajo është mjaft e ndërgjegjshme për mospërputhjen mes gjendjes së brendshme dhe sjelljes publike. "Buzëqeshja", shkruan ajo, është "një maskë" apo një mantel që mbulon gjithçka. Në mënyrë të ngjashme, ajo pyet nëse është përfshirë në mashtrime verbale. "Fola sikur zemra ime ishte e dashuruar me Perëndinë, e butë, me dashuri personale", i thotë ajo një këshilluesi. "Nëse ju do të ishit atje, do të kishit thënë "çfarë hipokrizie". Reverend James Martin, një redaktor i revistës jezuite "America" dhe autori i "Jeta ime me shenjtorët", një libër që merret me raportet e shkurtra në vitin 2003 të dyshimeve të Terezës thotë: "Nuk kam lexuar kurrë jetën e asnjë shenjtori, ku shenjtori të ketë një errësirë kaq të thellë shpirtërore. Askush s'e dinte se ajo po vuante".
Kolodiejchuk, redaktori i "Eja bëhu drita ime", kujton: "Kam lexuar një letër të Motrave (të misionareve bamirëse të Terezës), dhe gojët e tyre u hapën. Do t'i japin një dimension krejt të ri mënyrës si njerëzit e kuptojnë atë".
Libri vështirë se është puna e ndonjë reporteri hetues anti-fetar, i cili grumbulloi korrespondencën e Terezës. Kolodiejchuk, një anëtar i Misionit të Bamirësisë, është përgjegjësi për kërkesën e shenjtërisë së saj dhe mbledhjes së materialeve mbështetëse. (Deri tani ajo është lumturuar; hapi tjetër është kanonizimi). Letrat në libër janë mbledhur si pjesë e këtij procesi.
Dy katolikë shumë të ndryshim parashikojnë se libri do të jetë një pikë referimi. Reverendi Matthew Lamb, kryetari i Departamentit të Teologjisë në Universitetin konservator "Ave Maria" në Florida, mendon se "Eja bëhu drita ime", do të renditet me "Rrëfim" të St. Augustine dhe "Mali me katër kate" të Thomas Merton, si një autobiografi me theks shpirtëror. Martini i Amerikës, një institucion më shumë liberal, e quan librin "një shërbesë e re për Nënë Terezën, një shërbesë e shkruar e jetës së saj të brendshme", dhe thotë: "Mund të kujtohet në mënyrë po kaq të rëndësishme si shërbesa ndaj të varfërve. Do të jetë një shërbesë ndaj njerëzve që kanë përjetuar dyshim, mungesë të Perëndisë në jetën e tyre. Dhe e dini se kush janë këta? Gjithkush. Ateistët, dyshuesit, kërkuesit, besimtarët, kushdo".
Jo të gjithë ateistët dhe dyshuesit do të jenë dakord. Edhe Kolodiejchuk edhe Martin supozojnë se paaftësia e Terezës për të perceptuar Krishtin në jetën e saj nuk do të thotë se Ai nuk është atje. Në të vërtetë, ata e shohin mungesën si pjesë të dhuratës hyjnore që e aftësoi atë të bëjë një punë të madhe. Por për kategorinë e kuadrove ateistë amerikanë, ky argument duket absurd. Ata do ta shohin librin e Terezës më shumë si gruaja në këngën tipike "countri", e cila mban një pishtar për burrin e saj 30 vjet pasi ai është larguar të blejë një pako cigaresh dhe kurrë nuk është kthyer. Christopher Hitchens, autori i "Pozita e misionarit", një polemikë e ashpër për Terezën, dhe kohët e fundit i manifestës ateiste "Perëndia nuk është i madh", thotë: "Feja është një prodhim njerëzor dhe se kura e saj për rrëfimin e besimit do ta kishte thelluar pusin që ajo kishte gërmuar për vete". Ndërkohë, ata që e njihnin energjinë e jashtëzakonshme të buzëqeshjes së Nënës mund ta diagnostikojnë sëmundjen e saj më pak si një dhuratë të Perëndisë se sa si tentativë të nën-ndërgjegjshme për llojin më radikal të përulësisë: "Ajo e dënoi veten me një dështim gjymtues për të ekuilibruar sukseset e mëdha".
"Eja bëhu drita ime" është ajo gjëja e rrallë, një autobiografi pas vdekjes që mund të shkaktojë një rikonsiderim në masë të figurës së madhe publike, në një mënyrë apo në tjetrën. Ngre pyetje për Perëndinë dhe besimin, motorin pas arritjes së madhe, dhe qëndrueshmërinë e dashurisë, hyjnore dhe njerëzore. Këtë e bën jo vetëm në një formë të organizuar dhe të qëllimshme, por si një turli me shënime të dëshpëruara që s'duhet ta shihnin dritën e diellit dhe që do t'i lërë lexuesit edhe më të bindur se është autentike, dhe se ata, në një farë mënyre shokuese, po prekin jetën e vërtetë të brendshme të një shenjti modern.
Letrat e nene terezes
¨ Jezusi: Do refuzosh ta bësh një gjë të tillë për mua?... Ti je bërë Gruaja ime për dashurinë time – ti ke ardhur në Indi për Mua.
Etja që ke për shpirtrat të solli këtu. A ke frikë të bësh një hap më tepër për Bashkëshortin tënd, për mua, për shpirtrat? A është ftohur bujaria jote? A jam dytësor për ty?
¨ Tereza: Jezus, Jezusi im, Unë jam vetëm Jotja. Unë jam aq budallaqe. Unë nuk e di çfarë të them, por bëj me mua atë që Ti dëshiron, ashtu si Ti dëshiron, për aq kohë sa dëshiron. Por, pse unë nuk mund të jem si gjithë të tjerët?
¨ Jezusi: Unë dua që Murgeshat Indiane, Misionaret e Bamirësisë, të jeni zjarri im i dashurisë ndër të varfrit, të sëmurët, ata që po vdesin dhe fëmijët e vegjël… E di se je personi më i paaftë, i dobët e mëkatar, por pikërisht se je kështu, dua të të përdor për lavdinë Time. A do të refuzosh?
Në një dialog lutësor rrëfyer Kryepeshkopit Ferdinand Perier, Janar 1947
¨ Më thuaj Atë, pse ka aq shumë errësirë dhe dhimbje në shpirtin tim?
Drejtuar atë Lawrence Picachy, Gusht 1959
¨ Të lutem shkatërroji të gjitha letrat apo çdo gjë që unë kam shkruar.
Drejtuar: Picachy, prill 1959
............
Letrat e nene terezes
¨Zot, Perëndia ime, kush jam unë që Ti të më falësh? Fëmija i dashurisë tënde që tani është bërë më e urryera, ajo që Ti e ke hedhur mënjanë si të padëshirueshme, të padashur. Unë të thërras, unë kapem pas teje dhe nuk ka Asnjë që të më japë përgjigje, Asnjë ku unë të kapen, jo, Asnjë. Vetëm...
Ku është Besimi im, edhe thellë brenda meje, s'ka asgjë, përveç boshllëkut dhe errësirës. Zoti Im sa e dhimbshme është kjo dhimbje e panjohur. Unë nuk kam Besim. Unë nuk guxoj t'i pëshpërit këto fjalë dhe mendime që kanë zënë vend në zemrën tim dhe më bëjnë të vuaj në një agoni që s'rrëfehet.
Aq shumë pyetje pa përgjigje jetojnë brenda meje, sa Unë kam frikë t'i zbuloj ato, për shkak të blasfemisë. Nëse ka Zot, të lutem më fal. Kur përpiqem t'i ngre mendimet e mia drejt Parajsës ka vetëm një boshllëk fajësues që i bën mendimet e mia të kthehen në thika të mprehta e të më plagosin shpirtin.
Më kanë thënë që Zoti më do dhe prapë errësira, ftohtësia dhe boshllëku janë aq të mëdha, saqë asgjë nuk e prek shpirtin tim. A mos kam bërë gabim që i jam dorëzuar aq verbërisht Thirrjes së Zemrës së Shenjtë?
Adresuar Jezusit
¨ Nuk e shpreh dot me fjalë mirënjohjen që kam për ty, pikërisht prej mirësisë tënde ndaj meje, për herë të parë… ndër vite. Unë kam filluar ta dua errësirën sepse besoj tashmë se ajo është pjesë e çdo pjese të vogël të Jezusit, errësira dhe dhimbja në tokë. Ti më ke mësuar ta pranoj atë si një pjesë shpirtërore të veprës. Sot kam ndier gëzim të thellë, që Jezusi s'mund të kalojë më në agoni, por se Ai do ta kalojë atë nëpërmjet meje.
Drejtuar Neuner, rreth vitit 1961
¨ Nëse kjo të sjell lavdi, nëse shpirtrat vijnë para teje, me gëzim unë pranoj gjithçka deri ë fund të jetës sime.
Jezusit