
Mark Marku duket se nuk e ka sensin e diskrecionit, kur shkruan: «Romani modern shqiptar zë fill pikërisht në momentin kur një gjeneral italian merr urdhrin e nisjes për në Shqipëri për të mbledhur eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aventura e gjeneralit personazh e treguar nga një shkrimtar i ri 26-vjeçar i quajtur Ismail Kadare, shndërrohet në romanin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", roman, i cili paralajmëronte ardhjen e një shkrimtari të pazakontë në letërsinë e shekullit të XX». (gazeta “Panorama”, 17 nëntor 2007, f. 1-29) Si mundet që letërsia moderne e një vendi të fillojë me një ngjarje të tillë? Që romani është i pazakontë, për këtë pajtohem me këtë Markun në katror, pasi nuk ka ndodhur në historinë e letërsisë botërore që një shkrimtar të frymëzohet për të bërë një roman nga një ngjarje e tillë, pra nga ardhja e një gjenerali të huaj në vendin e vet, me misionin për të mbledhur eshtrat e ushtarëve të vet të vrarë në luftë në vendin tjetër. Lufta kishte mbaruar tashmë prej kohësh dhe mes dy vendeve Shqipërisë dhe Italisë ishte nënshkruar prej vitesh traktati i paqes dhe të dy vendet kishin marrëdhënie diplomatike. Tradita e hershme, dhe e mirë e popujve të qytetëruar, që është edhe shqiptare, për respektimin e të vdekurve, edhe kur ata janë ushtarë armiq të një lufte të dikurshme, kërkonte që ky gjeneral të lihej i qetë të bënte punën e vet, dhe t’u çonte nënave, motrave, fëmijëve, eshtrat e bijve dhe prindërve të tyre. Në fakt kështu veproi regjimi komunist i cili nuk e përcolli ardhjen dhe qëndrimin në Shqipëri të këtij gjenerali italian dhe misionit të tij me mbulim nga mjetet e propagandës së kohës, gazetat, radiot etj., apo me komente në fjalimet e liderëve të regjimit komunist shqiptar. Por ndryshe veproi Kadare, i cili shkroi romanin e vet të parë duke u bazuar mbi këtë ngjarje. Linja kryesore në këtë roman të Kadaresë është kërkimi nga ana e misionit ushtarak italian që pati ardhur në kohën e komunizmit në Shqipëri për të mbledhur eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore i eshtrave të kolonelit italian Z, i cili figuron i humbur. Më në fund, në një skenë mjaft melodramatike, gjenerali që kryesonte misionin i gjen eshtrat e kolonelit në ballafaqimin me një plakë shqiptare (Nica), e cila e pati vrarë kolonelin me sëpatë, pasi ai i pati përdhunuar vajzën e saj 14-vjeçare, e cila pas kësaj fatkeqësie i dha fund jetës, ndërsa plaka Nicë e varrosi kolonelin tek pragu i portës së vet. Kur në fshatin e saj erdhi gjenerali italian që mblidhte eshtrat, Nica i nxori eshtrat e kolonelit të mbledhura në një thes dhe ia hodhi gjeneralit para këmbëve, në mes të një dasme shqiptare ku ai pati shkuar, i paftuar. Në kohën e regjimit komunist, në Shqipëri janë thënë të gjitha të zezat për ushtrinë italiane që okupoi Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është thënë se italianët arrestonin, internonin, torturonin dhe vrisnin antifashistët shqiptarë, se digjnin shtëpitë e tyre për reprezalje, por kurrë, në asnjë botim të kohës së regjimit komunist në Shqipëri nuk është pretenduar se ushtarakët italianë kanë përdhunuar femrat shqiptare, të mitura ose në moshë madhore qofshin. Në të 3112 (tre mijë e njëqind e dymbëdhjetë) faqet e librit me katër volume “Historia e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar”, i botuar në kohën e komunizmit, dhe ku tregohet lufta që u zhvillua në Shqipëri deri në detaje, nuk thuhet asgjë e tillë, pra përdhunim femrash shqiptare, të çdo moshe nga ana e italianëve. Unë që i kam lexuar të gjithë librat me kujtime të shkruar nga ish-partizanë dhe të botuar në kohën e komunizmit në Shqipëri, e them me përgjegjësi të plotë se atje nuk tregohet asnjë rast kur oficerët ose ushtarët italianë të kenë përdhunuar vajza të mitura, ose femra shqiptare në përgjithësi. Në rast se një episod i tillë do të kishte ndodhur, propaganda e regjimit komunist shqiptar nuk kishte përse mos ta përmendte. Fakti që ajo nuk e shpiku, duke përjashtuar romanin e Kadaresë, është mjaft kuptimplotë, për të treguar se edhe regjimi komunist kishte limitet e veta. Por, atë akuzë që ushtrisë italiane nuk ia ka bërë propaganda e Enver Hoxhës, ia ka bërë Ismail Kadare në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Duke sajuar me fantazinë e vet prej shkrimtari episodin kur një oficer i lartë italian, koloneli Z, përdhunon një vajzë të mitur shqiptare, Ismail Kadare e ka kapërcyer dhe poshtërimin dhe fyerjen që propaganda e regjimit komunist shqiptar i ka bërë ushtrisë italiane që okupoi Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht se Italia e asaj periudhe qe një vend fashist, kjo nuk do të thotë se shteti italian i pasluftës dhe kombi italian, nuk i nderon të rënët e vet që u vranë në këtë luftë. Për këtë mjaft të përmenden fjalët që tha në vitin 2002 Presidenti i asaj kohe i Italisë, Carlo Axelio Ciampi, në tubimin përkujtimor zyrtar mbajtur në El Alajmen, në Egjipt, në vendin ku u bë beteja midis ushtrisë italiane dhe asaj britanike, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti italian u shpreh për pjesëmarrjen e trupave italiane në këtë betejë: “Mungoi fati, por jo trimëria”. E pra, Ciampi u zgjodh President në 1999 kryesisht me votat e mazhorancës së majtë që e mban veten si trashëgimtare të antifashizmit të pakompromis. Por, kurrkush në Itali nuk e kritikoi Ciampin për këto fjalë. Fjalë shumë dinjitoze. Me këtë Presidenti italian i tha Italisë dhe botës, më qartë se çdo shtetar i lartë italian paraardhës, se Italia kishte të drejtën dhe detyrimin t’i nderonte të rënët e vet, pavarësisht simboleve me të cilët ata patën luftuar. Tek e fundit Italia e Luftës së Dytë Botërore dhe fushatat ushtarake të saj, duhen gjykuar nga pikëpamja e kohës. Në rast se fuqitë e tjera europiane i jepnin të drejtë vetes të mbanin perandori koloniale, kundër vullnetit të popujve të kolonizuar, Italia kishte të drejtë që, sipas moralit të kohës, të bënte luftëra me to për të krijuar perandorinë e vet koloniale. Franca demokratike dhe antifashiste bëri luftëra koloniale të përgjakshme në Azi dhe Afrikë për shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1962. Italianët e sotëm, populli në përgjithësi dhe posaçërisht ushtarakët, i nderojnë të rënët e italianë të të gjitha kohërave, pavarësisht se ku kanë rënë dhe nuk u vjen mirë kur ata poshtërohen dhe fyhen, duke u shpifur për ta gjëra që nuk i kanë bërë. Prandaj, italianët me siguri që ndihen të fyer nga romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, botimi i të cilit në italisht nuk duhet parë si pëlqim i italianëve për këtë libër, por si dëshirë e tyre për të njohur se ç’thuhet për ta. Kur shpifet dhe fyhet ushtria e një vendi, për gjëra të paqena, shumë të ndyta, është poshtëruar dhe fyer kombi përkatës, pasi ushtria është një nga shtyllat, simbolet kryesore të një kombi. Kur shpifet dhe fyhet për ushtarakun e lartë të një ushtrie, gjëra të paqena, shumë të ulëta, siç është rasti i një koloneli italian në romanin e Kadaresë, atëherë, atëherë është fyer ushtria e këtij vendi. Ishte dashur që Ismail Kadare pas rënies së komunizmit t’i kërkonte publikisht falje kombit italian për këtë poshtërim dhe fyerje që i ka bërë. Ishte dashur që së paku Kadare, në botimet që i janë bërë romanit të vet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” pas rënies së komunizmit, ta hiqte historinë e kolonelit italian që përdhunon vajzën e mitur shqiptare dhe vritet nga gjyshja e saj që e varros tek pragu i shtëpisë për t’ia dhënë shumë vite më vonë gjeneralit italian në një thes, në mes të një dasme. Ismail Kadare me kryeneçësi nuk ka bërë as njërën as tjetrën. Kjo e bën dhe më të rëndë poshtërimin dhe fyerjen e tij për kombin italian. Ismail Kadare ka të drejtë që, jo vetëm mos të kërkojë falje, por edhe të vazhdojë ta potencojë fyerjen dhe poshtërimin e vet për ushtrinë dhe kombin italian. Por Kadare këtë roman nuk shkroi ashtu thjesht nga mendja e vet, por me porosi të regjimit komunist dhe nëse Kadare do të tregohej i sinqertë, do të shënonte si bashkautor në romanin e vet të parë, Sigurimin e Shtetit. Romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nëse mund të quhet një kryevepër, ishte në fakt një kryevepër e Sigurimit të Shtetit, policisë sekrete të regjimit komunist shqiptar. Kur misioni ushtarak italian erdhi në Shqipëri në fillim të viteve ’60, për të tërhequr eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore, një nga gjërat që italianët kërkuan të dinin ishte vendvarrimi i kolonelit Gamucci dhe i repartit të tij. Italianët kishin të dhëna të sakta për vendet e varrimit të ushtarëve të tyre në Shqipëri, ndërsa për rastin Gamucci, nuk kishin asnjë të dhënë. Ata e dinin vetëm që qenë dorëzuar tek partizanët dhe ka qenë pushkatuar prej këtyre të fundit. Ne atë kohë në Romë u bë dhe një gjyq për këtë çështje ku me prova u nxor fajtor vetë kreu i regjimit komunist shqiptar Enver Hoxha, si urdhërues i pushkatimit të robërve italianë. Regjimi komunist u vu në situatë të vështirë pasi pushkatimi i robërve qe një krim lufte dhe në gjyqin e Nurenberg-ut pati qenë pjesë e akuzës kundër nazistëve edhe një rast i pushkatimit të 30 robërve italianë në Shqipëri. Krimi bëhej dhe më i shëmtuar nëse karabinierët italianë qenë varrosur lakuriq, pasi më parë i patën urdhëruar t’i zhvishnin për tu marrë rrobat. Kadri Hoxha, ish-komandant i qarkut të Elbasanit, do të dëshmonte për këtë krim në vitin 1991 para medias italiane. Sigurimi i shtetit natyrisht që i raportonte udhëheqjes komuniste për zhurmën qe bëhej në Itali për “kolonën Gamucci”, siç njihej reparti i karabinierëve të pushkatuar. Regjimi u vu në vështirësi dhe nga insistimi i misionit ushtarak italian në Shqipëri për të mësuar vendin e varrimit të këtij grupi. Për ta shpëtuar regjimin komunist nga turpi i krimit Sigurimi i Shtetit sajoi një legjendë sikur kolona Gamucci nuk pranoi të bashkohej me partizanët, por endej nëpër fshatra duke bërë krime dhe grabitje, për çka u asgjësua nga banorët e zonës. Natyrisht Sigurimi sajoi dhe skenarin ku fshatarët e thjeshtë ia treguan këtë përrallë gjeneralit italian që erdhi në Shqipëri. Kuintesenca e kësaj legjende të Sigurimit të Shtetit qe romani i Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” (1963). Në qendër të romanit është historia e kolonelit Z, i cili rezulton i humbur dhe varri i tij, ashtu si i Batalionit Blu që drejtonte, nuk dihen. Gjatë gjithë romanit Gjeneralin e mundon gjetja e eshtrave të Kolonelit Z. dhe Batalionit Blu, të humbur pa lënë gjurmë bashkë me komandantin. Historia romaneske është shumë e ngjashme me atë të kolonelit Gamucci dhe të repartit të vet të karabinierëve, me uniforma blu që qenë zhdukur pa lënë gjurmë dhe që ishin një nga preokupimet kryesore të misionit kërkues Italian. Po ashtu shumë e ngjashme është historia e Kolonelit Z, siç e paraqet Kadare, me legjendën që sajoi Sigurimi i Shtetit për fundin e kolonës Gamucci. Kadare thotë se Koloneli Z dhe batalioni i tij u zhdukën nga fshatarët, të cilët u hakmorën për vrasjet, plaçkitjet dhe përdhunimet e bëra nga Koloneli Z dhe forcat e tij. Të gjitha këto analogji e bëjnë të dyshimtë këtë roman të Kadaresë. Si i mësoi ai atëherë sekretet e sigurimit? Me sa duket sigurimi i Shtetit është bashkautor në këtë roman të parë të Kadaresë. Që të sqarohen të gjitha këto enigma, e mira do të ishte që gazeta “Panorama”, e cila ka dhënë dhe po jep prova se ka akses të posaçëm në arkivat sekrete, të na mundësojë që të njihemi me dosjen që ka pas hapur Sigurimi i Shtetit për survejimin e Misionit Ushtarak Italian që erdhi në Shqipëri për të mbledhur eshtrat e ushtarëve dhe posaçërisht për çështjen e kolonel Ganucci. Në rast se Sigurimi i shtetit ka ndërtuar një legjendë të ngjashme me historinë që jep Kadare, atëherë del se Kadare që në vitin 1963 është njohur me dosjen e Sigurimit për këtë çështje dhe praktikisht ka bashkëpunuar me të. Këtë aspekt të së shkuarës së Kadaresë duhet të na zbulojë dhe Fahri Balliu në gazetën “55”, me anë të drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme-gazetar të tij, Kastriot Dervishi, i cili boton shumë dokumente sekrete me të cilat tentohet të provohet se Sigurimi i Shtetit survejonte Kadarenë. Më tutje Mark Marku në hosananë e tij për Kadarenë shkruan: “Rrethanat e pazakonta të kësaj shfaqje e bënin edhe më të rëndësishme dukurinë e re letrare që ishte shfaqur. Libri del në qarkullim në vitin 1963. Ai e sheh dritën e botimit në një kryeqytet të vogël të zhytur në provincializëm kulturor dhe prapambetje intelektuale si Tirana, ku shkrimtarët i ishin përveshur punës për të realizuar direktivat e partisë nëpër veprat e tyre letrare, dhe për më tepër në kryeqytetin e një vendi ku gjithnjë e më shumë po rëndonte pesha e një diktature të egër dhe primitive, si ajo e sistemit komunist të Enver Hoxhës. Nëse shkrimtari do të kishte respektuar atë çfarë shkruhej asokohe në Shqipëri, udhëtimi i gjeneralit do të kishte qenë krejt tjetër, atmosfera e romanit do të qe heroike, peizazhi i qeshur, nëpërmjet romanit do të ishte rrëfyer epopeja e partizanëve shqiptarë, madje vetë gjenerali, nuk do të ishte gjë tjetër veçse një personazh i përmbysur i heroit kryesor, natyrisht një partizan ose komisar që do të zinte gjysmën e romanit me retorikën e fryrë të personazheve të realizmit socialist”. (gazeta “Panorama”, 17 nëntor 2007, f. 29) Romani u botua në vitin 1963, më pak se dy vite pasi u shpall prishja e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe kur shumë njerëz në Shqipëri shpresonin ende se, pavarësisht deklarimeve të Enver Hoxhës, regjimi do të detyrohej që të orientohej nga Perëndimi për shkak të krizës ekonomike. Pra, që t’i jepej fund çdo iluzioni për afrimin me Perëndimin pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, 27-vjeçari Kadare, në vitin 1963, dy vite pas prishjes me Bashkimin sovjetik shkroi një roman ku personazhet kryesore qenë dy të huaj nga një vend perëndimor, aq më tepër që këta të dy qenë një gjeneral dhe një prift, pra, në sytë e regjimit komunist, përfaqësuesit e dy shtyllave të një vendi kapitalist, të ushtrisë dhe të fesë. Në roman, gjenerali dhe prifti paraqiten si dy racistë të skajshëm antishqiptarë. Është e tepërt të thuhej që kjo bëhej me porosi. Synimi ishte që shqiptarëve t’u jepej mesazhi se perëndimorët na urrejnë dhe duan që të na zhdukin, prandaj nuk ka kuptim që të bëhet fjalë për afrim me Perëndimin. Më pas, në periudhën paskomuniste, Ismail Kadare, në një intervistë të gjatë që i jep Denis Fernandez Recatala dhe që përbën librin “Kohë barbare”, thotë se romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u kritikua ashpër në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe qe një fat që u botua: «Për ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’ kritikat më të ashpra bëheshin për faktin se nuk përmendja në roman partinë komuniste. Dhe kjo është e vërtetë. Nuk tregoja urrejtje ndaj gjeneralit Italian, përkundrazi, për të ndjeja mëshirë». (“Kohë barbare”, “Onufri”, Tiranë 2005, f. 33.) Por, synimi i këtij romani qe krejt tjetër. Ndryshe nga ç’thotë Ismail Kadare, regjimi nuk donte thjesht që ky roman të përcillte urrejtjen e shqiptarëve për të huajt perëndimorë, të konsideruar armiq, por urrejtjen e të huajve perëndimorë për shqiptarët. Në romanin e Kadaresë zhvillohet ky dialog midis gjeneralit dhe priftit:
«-Ju i urreni shqiptarët?-pyeti ai papritur.
Prifti buzëqeshi hidhur.
-Jo. Pse?
Gjenerali i afroi fytyrën te veshi. Prifti bëri një shenjë të lehtë neverie kur ndjeu erën e alkoolit.
-Si pse?-ja bëri me zë të ulët gjenerali sikur të thoshte një të fshehtë-Ne të dy i urrejmë ata, por tani për tani nuk e themi dot se kështu është puna». (Ismail Kadare: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1971, f. 29.)
Pra, Perëndimi na urren, u thotë Kadare shqiptarëve, edhe sikur mos të duam nuk kemi alternativë tjetër veç izolimit. Një tjetër dialog midis priftit dhe gjeneralit është ky: «Pas grindjes me Bashkimin Sovjetik, ata kanë mbetur në Evropë krejt të vetmuar.
-Si gjithmonë». (po atje: f 38)
Pra, këtu ideja izolacioniste antiperëndimore e përpunuar nga Enver Hoxha dhe e letrarizuar nga Kadare jepet me gojën e një të huaji perëndimor, për ta bërë më të besueshme për shqiptarët. Në një tjetër dialog midis tyre, prifti dhe gjenerali i përshkruajnë shqiptarët si një popull të egër, primitive, me një kompleks dhune që shkon deri në vetshkatërrim: «Jua kam thënë dhe njëherë, pa luftë dhe pa armë ky popull do të vyshkej dhe do t’i thaheshin rrënjët dalëngadalë dhe si rrjedhim do të zhdukej.
-Kurse me armë dhe me luftë do të ripërtërihej?
-Ata kujtojnë kështu, kurse në fakt nga arma ata do të zhduken akoma më shpejt.
-Sipas jush, lufta është për ta një farë gjimnastike mëngjesi, që u çmpin gjymtyrët dhe u gjallëron frymëmarrjen.
-Përkohësisht-tha prifti.
-Domethënë me armë ose pa armë ky popull është i destinuar të zhduket.
-Me sa duket-tha prifti.-Prirjen e lashtë të shqiptarëve drejt luftës qeveria e tyre e sotme e ka ngritur në parim, në politikën e saj dhe është një fat për fqinjët që ata janë vetëm dy milionë». (po atje: f. 127)
Në një tjetër dialog midis tyre gjenerali dhe prifti shprehen në mënyrë shumë denigruese për kulturën shqiptare dhe për psikologjinë nacionale shqiptare, për simbolet nacionale shqiptare:
«-Ju kujtohen këngët që këndonin punëtorët e komunales në ato net kur flinim në çadër, në mal? Ju kujtohet ç’mërzi dhe trishtim na pllakoste kur i dëgjonim?
-Më kujtohet, -tha gjenerali-është vështirë t’i harrosh ca gjëra.
-Ato këngë i këndonin kryesisht shkatërrimit dhe vdekjes, vazhdoi prifti. Kjo është karakteristikë e artit të tyre. Këtë e gjen në këngë, në veshje dhe në çdo gjë. Pak a shumë kjo është karakteristikë e popujve ballkanikë, port e shqiptarët është më e theksuar. Bile edhe flamuri i tyre nacional nuk simbolizon gjë tjetër veçse gjakun dhe zinë. (po atje: f. 127-128) Me këtë kërkohet t’u thuhet shqiptarëve se ata duhet ta pranojnë artin e realizmit socialist, që, duke pasur si parim luftën e klasave, kryesisht ka pasur si motiv shkatërrimin, vdekjen dhe që ka pasur një thatësi të tmerrshme, duke e paraqitur këtë si traditë shqiptare. Kadare u thotë shqiptarëve, me gojën e dy personazheve të veta perëndimore se Perëndimi i sheh shqiptarët si një popull primitiv dhe pret dhe dëshiron me cinizëm asgjësimin e popullit shqiptar: «shqiptarët prej natyre janë të prirë për luftë, tha prifti, ata e përqafojnë atë me ndërgjegje të plotë. Lufta është bërë pjesë organike e këtij kombi, ajo ia ka helmuar gjakun si një njeriu të alkoolizuar». (po atje: f. 126)
Dhe më tutje: «Ata në luftë i shtyn instinkti i vjetër. Kjo është një nevojë e diktuar nga natyra e tyre. Në paqe ata trullosen e përgjumen ashtu si gjarpri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Gjenerali tundi kokën.
-Lufta është gjendja normale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe bëjnë dëm më tepër se ç’ duhet.
-Domethënë ky popull, me këtë etje që ka për asgjësim ose vetasgjësim, është i destinuar të zhduket-tha gjenerali». (po atje: f. 128)
Ja pre sesi Kadare, me gojën e personazheve të veta, u jep shqiptarëve kumtin që regjimi do që ata të besojnë për mënyrën sesi i gjykon Perëndimi. Dhe kjo përsëritet: «Prifti vazhdoi të fliste, por gjenerali nuk po e dëgjonte më. Ne sikur po flasim shumë për ta-tha më në fund-E ç’na duhen punët e tyre? Nuk e kanë zhdukur njëri tjetrin një sahat e më parë?» (po atje: f. 130) Dhe specialisti shqiptar i misionit, që ka për detyrë t’i masë dhe dezinfektojë eshtrat, pasi njihet me një bisedë të tillë, merr përsipër dhe rolin e zëdhënësit filozofik të regjimit, duke u dhënë priftit dhe gjeneralit një përgjigje për këto gjëra, çka tekefundit është një mënyrë me të cilën autori kërkon që të potencojë idenë e mësipërme se Perëndimi kërkon asgjësimin e popullit shqiptar: «Qëllimi i vërtetë i tyre është që të përgatisin opinionin dhe të propagandojnë idenë e asgjësimit të njeriut shqiptar». (po atje: f. 130)
Që ata që i përpunojnë dhe qarkullojnë tezat e mësipërme që vihen në gojën e priftit dhe të gjeneralit kanë këtë qëllim, kjo është e vërtetë. Por historikisht ata që e kanë bërë këtë nuk kanë qenë perëndimorë, por sllavë dhe grekë, të cilët janë përpjekur t’ua fiksojnë këto ide edhe perëndimorëve. Kadare këtu qëllimisht spekulon duke i paraqitur këto teza si të përpunuara nga perëndimorët. Me këtë roman Kadare ka dashur të letrarizojë atë që unë e kam quajtur paradigma izolacioniste antiperëndimore e regjimit, në një shkrim që e kam botuar në vitin 2005, koncept të cilin ma ka vjedhur Fatos Lubonja duke e paraqitur si të vetin në një debat të bërë shumë muaj më pas në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan. Më tutje Mark Marku shkruan: “Pas ribotimit të veprës në vitin 1967, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" njeh shumë përkthime, duke u shndërruar në romanin e parë shqiptar me një sukses ndërkombëtar të shtrirë në gjithë globin. Kritika e priti mjaft mirë librin, duke e vënë përkrah veprave më të mira të letërsisë botërore të shkruar në gjysmën e dytë të shekullit të XX. Projekti dhe eksperimenti modern i shkrimtarit kishte funksionuar dhe romani, ndonëse nuk është romani më i mirë i shkrimtarit, është një nga më të rëndësishmit e tij për shkak të rolit përcaktues që ai luajti në veprën e tij të mëtejshme. Ky roman është i pari element i një strukture romaneske, mbi të cilin ngrihet gjithë krijimtaria e tij, ose më saktë gjithë projekti i tij i madh letrar. Suksesi i tij paralajmëron jo vetëm shfaqjen e një shkrimtari me një talent të jashtëzakonshëm, por edhe të një shkrimtari që e ka një strategji autoriale apo një projekt madhor, i cili i tejkalon kufijtë e letërsisë kombëtare, madje që kapërcen edhe kufijtë e vetë letërsisë. E thënë më saktë, jemi para një autori modern që synon të krijojë njëkohësisht edhe letërsinë moderne dhe lexuesin modern”. (gazeta “Panorama”, 17 nëntor 2007, f. 29) Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është i pari roman i Ismail Kadaresë që u botua në Perëndim, në Francë, në vitin 1970, nga Shtëpia botuese “Albin Michel“ dhe që atëherë ka njohur dhe gjashtë botime të tjera. Botimi i romanit u bë me financimin e qeverisë franceze, e cila çdo vit ndan një shumë të madhe për sponsorimin e botimit të librave nga vendet frankofone ose të librave të huaj të pëlqyeshëm për Francën. Në këtë financim përfshihen dhe shpenzimet për t’i bërë publicitet librit të botuar. Botimi në Francë i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte një çështje e asaj që francezët e quajnë “raison d’état”, pra arsye shtetërore. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i pëlqeu shumë burokracisë kulturore franceze, e cila vendoste për sponsorizimin e botimit të librave të huaj në frëngjisht, pasi romani i Kadaresë u pa si një hakmarrje për romanin e Alberto Moravios “La Ciociaria”, i botuar në vitin 1958 dhe që bëri një bujë të madhe. Mbi bazën e këtij romani u bë në vitin 1960 edhe një film i suksesshëm. Francezët e panë librin dhe filmin “La Ciocaria” si një fyerje për Francën dhe posaçërisht për ushtrinë franceze. Në romanin e Moravias tregohet historia e dy femrave, nënë e bijë, të cilat enden në Italinë kaotike të kohës së luftës së Dytë Botërore, të shndrruar në fushëbeteje. Të dy femrat, nëna dhe vajza e saj e mitur përdhunohen nga goumier-ët, ushtarët francezë me origjinë marokene, që luftonin në anën e aleatëve (britaniko-amerikanëve) kundër gjermanëve. Nga kjo vajza pëson një shok nervor. Edhe pse përdhunuesit qenë arabë, francezët e panë librin si poshtërues, pasi këta arabë ishin pjesë e ushtrisë franceze dhe luftonin nën flamurin francez. Në libër Franca akuzohej sikur solli barbarët në Itali, me këta arabo-francezë që në libër paraqiten më të këqij se gjermanët të cilët nuk paraqiten si përdhunues femrash. Në këto rrethana, kuptohet se dalja e romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, do t’u pëlqente shumë francezëve për faktin se në këtë roman në një skenë mjaft melodramatike, gjenerali që kryesonte misionin i gjen eshtrat e kolonelit në ballafaqimin me një plakë shqiptare (Nica), e cila e pati vrarë kolonelin me sëpatë, pasi ai i pati përdhunuar të vajzën e saj 14-vjeçare, e cila pas kësaj fatkeqësie i dha fund jetës, ndërsa plaka Nicë e varrosi kolonelin tek pragu i portës së vet. Kur në fshatin e saj erdhi gjenerali italian që mblidhte eshtrat, Nica i nxori eshtrat e kolonelit të mbledhura në një thes dhe ia hodhi gjeneralit para këmbëve, në mes të një dasme shqiptare ku ai pati shkuar, i paftuar. Për francezët kjo ishte pikërisht ajo që kërkonin. Tash ata mund t’u thoshin italianëve se ju para se të na fajësoni ne për përdhunimet e arabëve me uniformë franceze që luftuan në Itali, bëni mirë të pranoni përgjegjësinë për ato që kanë bërë ushtarët tuaj në vendet e tjera, pasi ju me invazionet tuaja u bëtë shkak që Italia të bëhet fushëbeteje. Prandaj francezët e botuan librin në Francë dhe me mënyrat e tyre i bënë shumë publicitet në botë, duke nxitur indirekt botimin e tij në shumë vende të botës, duke dashur që të kundërbalanconin efektin e “La Ciocaria“. Gjithsesi, romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nuk u pëlqye kurrë vërtet nga publiku në Francë dhe në vende të tjera dhe këtë e tregon fakti që numri i kopjeve të shitura të tij nuk është bërë kurrë i ditur. Problemi me romanin e Kadaresë ishte se, derisa historia që tregohej tek “La Ciocaria“ ishte e vërtetë, historia që tregohej në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte një trillim. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është romani më i njohur i Ismail Kadaresë në Perëndim, kuptohet në krahasim me librat e tjerë të tij, për faktin se i konvenuar një superfuqie kulturore, siç është Franca, që ta pompojë artificialisht këtë roman. Shumëkush që i lexon këto rreshta mund të pyesë se në rast se Francës i konvenonte kaq shumë romani i Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” pse priti 8 vite nga botimi i tij në shqip (1962) për ta botuar në frëngjisht (1970). Përgjigjja është se Franca e De Gaulle, duke qenë se atëherë kishte marrëdhënie të mira me Bashkimin Sovjetik, me të cilat kundërbalanconte sfidën që u bënte SHBA-ve, nuk donte që t’i bënte të pakënaqur rusët duke botuar me financim shtetëror një libër nga një vend si Shqipëria që nga njëra anë ishte anëtar i Traktatit të Varshavës, ndërsa në anën tjetër nuk ishte i dëgjueshëm politikisht ndaj Moskës. Me daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës në 1968 kjo pengesë u eliminua dhe tash francezët mund ta botonin librin pa pasur drojë se do t’i bënin rusët të pakënaqur, gjë që e bënë në 1970. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua dhe në Itali, por këtu jo me financim shtetëror si në Francë, por në mënyrë private. Italianët me siguri që ndihen të fyer nga romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, botimi i të cilit në italisht nuk duhet parë si pëlqim i italianëve për këtë libër, por si dëshirë e tyre për të njohur se ç’thuhet për ta. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është romani që e bëri Kadarenë të pëlqyeshëm për regjimin komunist dhe i pari roman i Kadaresë që regjimi investoi për ta botuar në Perëndim. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u pëlqye menjëherë prej armiqve historikë të nacionit (kombit) shqiptar, serbëve dhe grekëve. Ky roman u përkthye në serbisht që në vitin 1968 dhe jo nga ndonjë shtëpi botuese e federatës jugosllave në Beograd, por nga shtëpi botuese e qytetit Krushevac, të Republikës së Serbisë. Është e kuptueshme se përse serbët e pëlqyen këtë libër. Ata e bënë këtë për shkak se në këtë libër shkrimtari shqiptar më i njohur i kohës i paraqet gjërat sikur Perëndimi i urren shqiptarët dhe kërkon zhdukjen e tyre. Kështu, serbët mund të gjenin lehtësisht alibi për të gjitha planet dhe fushatat e tyre për zhdukjen e shqiptarëve, madje kështu i jepej kurajo popullit serb që t’i zbatonte këto plane në të ardhmen, sikur ndodhi në vitet 1998-1999, pasi, derisa shqiptarët janë të bindur se Perëndimi kërkon t’i zhdukë, atëherë serbëve nuk u mbetet tjetër veç ta përmbushin këtë vullnet të Perëndimit. Për të njëjtat arsye romani i Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua dhe në Greqi, që në vitin 1972, pra në kohën kur në Greqi qe në pushtet një diktaturë nacionaliste, e ashtuquajtura junta e kolonelëve. Kadare shpesh në librat e veta flet për fantazma: Fantazma e Kolonelit Z që i del në ëndërr Gjeneralit, fantazma e Koçi Xoxes që hyn në darkën në Pallatin e Brigadave, fantazma e Stalinit në Kremlin etj. Por dhe Kadare ka fantazmën e vet që e ndjek Kolonelin Gamucci dhe ushtarët e pafajshëm të Batalionit Blu që i kërkojnë llogari për krimin që fshehu, duke i fyer. Ata do ta ndiqnin deri në sallën ku jepet çmimi "Nobel", në rast se dikur do të arrinte ta marrë atë, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë. Me këtë shkrim, Marku Marku u konfirmua si ushtar i “ushtrisë së vdekur” të admiruesve të “gjeneralit” të letërsisë komuniste, Ismail Kadare, përkrah Fahri Balliut, Piro Mishës, Virgjil Muçit, Sadik Bejkos, Blendi Fevziut, Remzi Lanit etj. Vepra e Kadaresë, duke qenë se ka mbetur si kufomë e zbuluar e letërsisë së kohës së komunist që ka qenë aspekt i propagandës së regjimit, ka nevojë për një proces të kundërt nga ai që tregohet në librin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku gërmohet toka për t’u nxjerrë eshtrat. Tash mbetet që koha ta varrosë veprën e Kadaresë, së bashku me «kufomat» e zbuluara të hosanave për veprën e Kadaresë që vazhdojnë dhe sot të bëjnë njerëz si Mark Marku. Vepra e Kadaresë është putrefaksion i kufomës së propagandës komuniste në aspektin letrar të saj. Sado të përpiqen vuduistët kadareanë, t’i japin jetë veprës së Kadaresë si një zombie letrar, ajo e ka vendin në varrezat intelektuale.