Çfarë u tha, kohëve të fundit, në lidhje me të ardhmen e Kosovës?
- Deklarata zyrtare e Treshes ndërmjetësuese u shpreh se, “Duke punuar brenda parametrave të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe parimeve udhëheqëse të Grupit të Kontaktit, Trojka vazhdon të punojë për një zgjidhje të negociuar mes palëve”.
- Propozimi i delegacionit serb për “modelin e Hong-Kongut” për zgjidhjen e statusit të Kosovës, u arsyetua nga kryeministri Koshtunica, si “ofertë e fundit, më serioze e Serbisë”, ofertë që paraqet “vijën e kuqe të cilën Beogradi zyrtar nuk do ta shkelë, sepse më shumë nuk mund të ofrojë për statusin e Kosovës”.
- Propozimi i CEPS parashikon “negocimin e statusit të ri të BE-së me Kosovën, me aranzhimet e brendshme dhe të jashtme institucionale të bazuara në planin e Ahtisaarit”.
- Modeli gjermano- gjerman sugjeron si një udhë tranzitore deri në zgjidhjen e plotë të statusit të Kosovës.
- Propozimi i z.Ishinger për një “status neutral” të Kosovës rekomandon vendosjen e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, pa u përmendur fare statusi i Kosovës.
- Deklarimi i numrit tre të Departamentit të Shtetit amerikan, Nicholas Burns, se bashkësia ndërkombëtare “do të duhej t”i marrë përgjegjësitë e saj për Kosovën”, sikur paralajmërojnë se çështja e Kosovës “po hyn në fazën e fundit” të marrjes së një vendimi për të.
- Paralajmërimi nga kryeministri slloven, Jansha, vendi i të cilit nga viti i ardhshëm merr kryesimin e BE-së, se Bashkimi Evropian “do të shtojë kufizimet e pavarësisë së Kosovës” do “të detyrojë” Kosovën të bëjë koncesione të reja dhe ”të pranojë” kompromise të tjera.
Shumësia e opsioneve - çka pas 10 dhjetorit 2007?
Ndërkohë që shqiptarët presin 10 dhjetorin 2007, ditën e “mbylljes zyrtare të negociatave”, shtrojnë pyetjen : Çka, pas?
Nëse i referohemi këtyre pesë “burimeve të informatave”, nga të cilat “rrjedhin”opsione të ndryshme për të ardhmen e Kosovës, mund të nxjerrim disa përfundime të cilat, në mos asgjë tjetër, çojnë tek një përfundim i përgjithshëm se vazhdojnë katandisjet e statusit të Kosovës.
Nga Deklarata zyrtare e Treshes ndërmjetësuese, shqiptarët, do të mund të nxirrnin, këto përfundime:
E para, se Trojka vazhdon të punojë “brenda parametrave të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së” dhe “parimeve udhëheqëse të Grupit të Kontaktit”.
E dyta, se Trojka vazhdon të punojë “për një zgjidhje të negociuar mes palëve”.
E treta, se Trojka vazhdon “të hulumtojë opsionet e ndryshme me palët”.
E katërta, se procesi i Trojkës “do të përmbyllet me raportimin nga Grupi i Kontaktit të Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së deri më 10 dhjetor”.
E pesta, se Trojka ripohon “përkushtimin e saj për të bërë një përpjekje vigane dhe proaktive që të arrihet një marrëveshje mes palëve”.
Nga raportimet nga Vjena, ku delegacioni serb propozoi “modelin e Hong-Kongut” për ”zgjidhjen e statusit të Kosovës”, do të mund të nxirreshin, më së paku, këto përfundime:
Një, se Serbia vazhdon ta shantazhojë procesin, me qëllimin e fundit që ta shtyjë sa më shumë që të jetë e mundur.
Dy, se Serbia “po përdor atutë e fundit” për “të ruajtur sovranitetin mbi Kosovën”.
Tre, se Serbia propozimet e veta po përpiqet “t’i përshtatë” me “Traktatin e fqinjësisë së mirë” të cilin e ka ofertuar delegacioni i Kosovës, në mënyrë që “të përfitojë përkrahje ndërkombëtare”.
Nga propozimi i CEPS, do të mund të nxirrnim, gjithashtu, disa përfundime:
Së pari, se CEPS “situatën e tanishme në Kosovë” e kualifikon si “të paqëndrueshme dhe shumë të rrezikshme”.
Së dyti, se CEPS konsideron se “pavarësia klasike e Kosovës, e përfaqësuar me flamur në OKB është e pamundur për momentin dhe në një të ardhme të afërt”.
Së treti, se sipas CEPS, shpallja unilaterale e pavarësisë është qartazi “jotërheqëse dhe mund ta destabilizojë rajonin më të gjerë, si dhe Serbinë dhe vetë shqiptarët e Kosovës”.
Së katërti, se sipas CEPS, “shkëputja e Kosovës nga Serbia është e justifikueshme” .
Së pesti, se sipas CEPS, zgjidhja “është anashkalimi i OKB-së dhe vendosja e çështjes në kornizën e integrimit evropian”.
Nga sugjerimi i modelit gjermano-gjerman të vitit 1972 për statusin e ardhshëm të Kosovës do të mund të nxirrej përfundimi më i përgjithshëm se Kosova do të mund të ballafaqohet me një status tjetër kalimtar.
Nga propozimi i z.Ishinger për një “status neutral” të Kosovës do të mund të nxirrej përfundimi se, së paku, për një periudhë, “hiqet nga agjenda” e bashkësisë ndërkombëtare çështja e statusit të Kosovës.
Katandisjet e statusit të Kosovës “dalin sheshit” në të pesë “burimet e informatave”, qoftë nga Deklarata zyrtare e Treshes ndërmjetësuese, qoftë nga propozimi i delegacionit serb për “modelin e Hong-Kongut” për zgjidhjen e statusit të Kosovës, qoftë nga propozimi i CEPS për “statusin special të Kosovës brenda BE-së”, qoftë nga sugjerimi i modelit gjermano-gjerman të vitit 1972 dhe qoftë nga propozimi i z.Ishinger për një “status special” të Kosovës.
Nga ana tjetër, Kosova “trimërohet” me “mbështetjen amerikane”, por shqetësohet me paralajmërimet sllovene për “kufizimet e mëtejshme” të pavarësisë eventuale, ndërsa është “përpara dilemave”: Çfarë “të ndërmarrë pas 10 dhjetorit 2007 dhe “të veprojë pa sinjalin e bashkësisë ndërkombëtare” apo “të hyjë në pritje të reja”“
Ç’është e papranueshme për Kosovën?
Nga të pesë këto “burime të informatave” për të ardhmen e Kosovës “nuk shihen në horizont” as “zgjidhja e menjëhershme” dhe as “zgjidhja e plotë” e çështjes së Kosovës dhe asnjëri prej burimeve nuk ka si komponentë nismëse të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje. Në fakt, në të pesë variantet, Kosova privohet nga mundësia që vetë ajo të vendos për ardhmëninë e saj.
Është e papranueshme për Kosovën që Trojka “vazhdon të punojë brenda parametrave të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së”, duke pasur parasysh se cila është komponentja nismëtare e saj, në thelb e pafavorshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
”Thirrja” e vazhdueshme e Trojkës në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së mund të jetë paragjykuese për të ardhmen e Kosovës dhe këtë fakt, shumë domethënës, duhet ta ketë parasysh delegacioni i Kosovës, në mënyrë që, “në fund të bisedimeve”, të mos dal “i befasuar” dhe i indinjuar në Trojkën, në Grupin e Kontaktit dhe, përgjithësisht, në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes.
Është i papranueshëm çdo model i zgjidhjes së statusit të Kosovës që e privon atë nga të qenit shtet sovran dhe i pavarur, me të gjitha prerogativat e shtetit dhe me shtrirjen e institucioneve të tij dhe zbatimin e ligjit unik në të gjithë territorin e Kosovës dhe me njohjen e subjektivitetit politik dhe juridik- ndërkombëtar të saj.
Propozimi i delegacionit serb për “modelin e Hong - Kongut” për “zgjidhjen e statusit të Kosovës” është shumanshmërisht i papranueshëm për Kosovën.
E para, se historikisht dhe aktualisht, Serbia nuk ka pasur dhe nuk ka një “sovranitet të legjitimuar” mbi Kosovën.
E dyta, se historikisht dhe aktualisht, nuk ka pasur dhe nuk ka një ndërlidhje të çështjes së Kosovës me Hong-Kongun.
E treta, se historikisht dhe aktualisht, Kosova ka synuar dhe synon të bëhet “zot i vetvetes”.
E katërta, se Kosova, historikisht dhe aktualisht, nuk kishte dhe nuk ka asnjë interes që “të bashkëjetojë” me Serbinë, në çfarëdo lidhje qoftë ajo.
E pesta, se Kosova, vetëm mbi parimin reciprok të sjelljeve të Serbisë, mund të mbajë marrëdhënie me Serbinë, si dy vende fqinje, me kusht që, paraprakisht, Serbia t’i bëjë një llogaridhënie Kosovës për luftën dhe dëmet e shkaktuara nga lufta në Kosovë.
Historia e “modelit të Hong-Kongut”
Ndoshta, mund të jetë me interes për lexuesit, historia e “modelit të Hong-Kongut”.
- Hong-Kongu, për gjatë historisë ka qenë koloni e Britanisë së Madhe.
- Hong-Kongu, në një të kaluar, jo shumë të largët, më 1997, “i është dorëzuar autoriteteve kineze”.
- Është arritur marrëveshja që Hong-Kongu për 50 vjetët e ardhshëm, të qeverisë vetveten, por të mos pavarësohet.
- Në Hong-Kong, shumicën e popullatës e përbëjnë kinezët që flasin po të njëjtën gjuhë si në Republikën Popullore të Kinës.
- Hong-Kongu funksionon sipas një formule “një shtet dy sisteme”.
- Hong-Kongu ka të drejtën e flamurit dhe të stemës së vet.
- Hong-Kongu nuk gëzon të drejtën e përfaqësimit diplomatik dhe të ushtrimit të politikës së jashtme.
- Hong-Kongu nuk ka ushtri të vetën.
- Rendi dhe qetësia në Hong-Kong ruhet përmes policisë vendëse.
Në marrëveshjet bilaterale me vendet e tjera, Hong-Kongu përdor emërtimin “Hong-Kong “Kina”.
“Statusi special” i Kosovës brenda BE-së, nuk do të dërgonte
Kosovën në “stacionin e fundit”
Për Kosovën është i papranueshëm edhe “statusi special” i saj brenda BE-së. Megjithëse i motivuar nga nevoja e zhbllokimit të zgjidhjes klasike të çështjes së Kosovës nëpërmjet të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, propozimi i CEPS që Kosova të ketë një “status special brenda BE-së”, sado që, në dukje të parë, tregon për përkushtimin e BE-së për të integruar në gjirinë e vet edhe këtë pjesë të rajonit të Ballkanit, në mos asgjë tjetër, do të krijojë një mentalitet të ri vartësie në Kosovë, por jo vetëm këtë.
Statusi special i Kosovës brenda BE-së do të mund të siguronte vetëm një “njohje funksionale” të Kosovës dhe asgjë më shumë. Kosova do t”i nënshtrohej zbatimit të ligjeve të BE - së dhe do të vendosej nën juridiksionin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, “në sferat që do të vendoseshin bashkërisht mes BE- së dhe Kosovës”. Administrimi i Kosovës nga ana e BE-së do të shtrihej në administrimin e politikave dhe të programeve të saja, “përfshirë këtu edhe financimin strukturor”, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.
Përgjithësisht, Kosova do të gëzonte një lloj të “përfaqësimit të përhershëm” në BE, sa “për të konfirmuar statusin e saj special”, ndërsa do të përkufizohej “si një rajon special i BE-së, një territor, ose një territor apo shtet i lidhur”.
Pra, ai status nuk do të dërgonte Kosovën në “stacionin e fundit”, por do të adresonte vonesa, ngecje dhe paqartësi të reja që do të mund ta tensiononin gjendjen në Kosovë në “shkallën më të lartë”. Kjo udhë e “zgjidhjes së çështjes” së Kosovës do të mund të kërcënonte me rrezikun:
E para, të “përsëritjes së UNMIK-ut, nëpërmjet të BE-së”;
E dyta, të “përsëritjes së Bosnjës” në Kosovë.
Nëse do të vendosej Kosova nën një “status special brenda BE-së”, vetë ai status do ta komplikonte statusin e ardhshëm të Kosovës dhe, në vend se ai të përmbyllte shumë çështje, do t’i lëntë të hapura shumicën prej tyre. Në atë mënyrë, në vend se zgjidhja të rrumbullakohej dhe statusi tërësisht të përkufizohej, Kosova do të ballafaqohej me zgjidhje të parrumbullakuar dhe me status përfundimisht të pacaktuar.
Procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës nuk do të mbyllej edhe për një kohë relativisht vështirë të caktuar, pra nuk “do të përfundohej” as “në mënyrën më të qartë” dhe as me “përmbajtjen më të plotë”. Ç’është e vërteta, ai status do “të krijonte një bazament” për të ardhmen, do “ta nxirrte Kosovën nga një marrëdhënie e dominimit”, pra e të qenit “e dominuar nga Serbia”, por, nëse do të kërkohej zbatimi konsekuent i planit Ahtisaari, pozicioni i Serbisë ndaj Kosovës nuk do të përmbyllej, nëse me të do të përligjej prania, ndërhyrja dhe ndikimi i pushtetit serb në Kosovë “në emër të decentralizimit” ; “në emër të ruajtjes së trashëgimisë” dhe “në emër të diskriminimit pozitiv” që, edhe atë status “të lëndueshëm” do ta bënin edhe më “të invalidueshëm” .
Modeli gjermano-gjerman i vitit 1972 është në shpërputhje me
vullnetin e plotë të popullit shqiptar
Është në shpërputhje me vullnetin e plotë të popullit shqiptar të Kosovës edhe modeli gjermano-gjerman i vitit 1972, edhe pse i supozuar se do të vendoset ndërmjet “dy shteteve të pavarura”, duke pasur parasysh se Kosova dhe Serbia nuk duhet të kenë asnjë lidhje funksionale në mes tyre.
Është i papranueshëm “statusi neutral” i Kosovës , sepse ai nuk do të vendoste statusin e Kosovës dhe në këtë mënyrë, vetë statusi do të mbetej sfida më e madhe e të ardhmes së saj.
Kosova është në fokus të zhvillimeve të diplomacisë botërore
Kosova është në “pritje të madhe” të një statusi të ri të saj, i cili do të mund ta nxirrte nga një “rreth i mbyllur” në të cilin është për afro tetë vjet, por ajo do të mund edhe të mbahej peng i një statusi të ri, i cili nuk do të rrumbullakohej dhe, si përfundim, nuk do të përmbushte vullnetin e plotë të popullit.
Kosova, e cila, edhe ashtu, ka bërë mjaft koncesione në procesin negociator nëpërmjet të përfaqësuesve të saj, do të mund të detyrohej që “e shtyrë për muri” të miratojë zgjidhje që do të cungonin vetëqeverisjen e saj, po qe se oferta ndërkombëtare nuk do të përkonte e tëra me kërkesat e saj. Po qe se do të ndodhte kjo, atëherë Kosova do të mund të ballafaqohej me shumë sfida të vetë statusit dhe të zbatimit të tij, e vetëdijshme se edhe pavarësia eventuale e shpallur prej saj nuk do të ishte çelësi i vetëm i përballimit të tyre.
“Territorializimi etnik i Kosovës” sipas modelit të Dayton-it do
të gjeneronte kriza të trashëguar deri në 1999
Nëse zgjidhja e ofruar për Kosovën do të ndiqte “trajektoren e Marrëveshjes së Dayton-it në Bosnjë- Hercegovinë” që, me të, të vendosej “territorializimi etnik i Kosovës”, si parim themelor, do të mund të kërcënohej me rrezikun që epilogu i statusit të ardhshëm të Kosovës të mos ishte “ai i përfundimit të krizës çfarë do të mirëpritej nga të gjithë”, por do të hapte një kapitull të ri ku “kriza e trashëguar nga 1999 - ta thjesht do të zhvendosej në premisa të reja dhe do të merrte një dinamikë tjetër”.
Në atë mënyrë, “konflikti me Serbinë nuk do të përmbyllej”, por siç shprehet me të drejtë një analist i yni, “do të kalonte në premisa të tjera”. Nëse do të krijohej një “gjendje e kërcënimit të përhershëm të krizës”, Kosova, qoftë edhe “formalisht e pavarur”, në vend se “të ecte drejt procesit të mënjanimit të kontrollit të jashtëm politik” (çfarë do të duhej të ndodhte me një shtet sovran), ajo do të vazhdonte të zhytej nën një “kolonizim politik postmodern”, për shkak të një projekti të decentralizimit etnik që do të mund ta shpinte Kosovën në një “konflikt të territorializuar etnik”, me gjasa shumë reale “të rritjes së dukshme të rolit politik të misionit të ri ndërkombëtar në Kosovë”.
Tri situata, në rast të pavarësimit eventual të Kosovës
Edhe në rast të pavarësimit eventual të Kosovës, do të mund të paraqiteshin, tri situata.
E para, nëse Kosova “do të pavarësohej” me një entitet serb në veriun e saj, ajo zgjidhje do të mund të përligjte, herët a vonë, ndarjen dhe do të mund të paraqiste një hap drejt legalizimit të strukturave shtetërore serbe “në një pjesë të territorit të Kosovës”.
E dyta, nëse Kosova “do të pavarësohej” me “një proces të thellë të decentralizimit” , që do t”i shpërthente kufijtë e domethënies së tij, do të mund të vështirësohej dhe, pothuajse, të pamundësohej funksionaliteti i institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj.
E treta, nëse Kosova “do të pavarësohej” me një, të thuash, “zgjidhje reale”, që do të mundësonte shtrirjen e institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj, do të rriteshin mundësitë e integrimit të pjesës veriore, po sërish, pa iluzione se ai do të mund të arrihej lehtë dhe pa probleme, me ç”rast zbatimi i ligjeve unike në gjithë territorin, përfshirë aty edhe atë të “komunave serbe” ose “me shumicë serbe”, do të mund të përbënte “çelësin kryesor”.
„Kufizimi i pavarësisë së Kosovës” nuk përbën “kërkesën e shtetit
për vetëqeverisje të plotë”
Paralajmërimi nga kryeministri slloven, Jansha, se “do të shtohen kufizimet e pavarësisë së Kosovës” vetëm se do të mund të vërtetojnë tezën mbi invalidimin, deri në pakuptim, të krijesës së re të Kosovës.
Kur bëhet fjalë për statusin e ardhshëm të Kosovës, çështje mbi çështjet do të jetë sovraniteti i Kosovës, i cili do të mund të fitohej nëpërmjet njohjes nga vendet e tjera.
Vështruar nga këndi teorik, sovraniteti përbën një cilësi të subjektit të së drejtës ndërkombëtare mbi bazën e së cilës ai subjekt e ka pushtetin më të lartë, i cili është i pavarur nga çdo pushtet tjetër.
Sovraniteti është, siç shprehet Fjalori politik i Oksfordit, “kërkesa për të qenë autoritet i fundmë politik, që nuk i nënshtrohet asnjë pushteti më të lartë për sa i përket marrjes dhe zbatimit të vendimeve politike”. Pra, sovraniteti nënkupton “kërkesën e shtetit për vetëqeverisje të plotë”.
Edhe pse edhe në doktrinë, edhe në praktikë, ndonjëherë përdorët si sinonim i sovranitetit, pavarësia, megjithatë, ka një domethënie të veçantë, si e drejtë e qeverisjes së lirë dhe të mëvetësishme dhe të vendimmarrjes së mëvetësishme të shtetit në marrëdhëniet ndërshtetërore. Në fakt, pavarësia përbën njërën prej të drejtave themelore të shtetit.
Edhe pse as sovraniteti dhe as pavarësia nuk janë absolutisht të pakufizueshme, në shembullin e Kosovës, qoftë për shkak të pranisë ushtarake dhe civile ndërkombëtare relativisht të theksuar, qoftë edhe për shkak të pamundësisë së menjëhershme po se po, por edhe të mëvonshme eventualisht, të shtrirjes së institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj, kufizimet e sovranitetit dhe të pavarësisë eventuale do të mund të reflektoheshin drejtpërsëdrejti në funksionalitetin e një krijese të re, që “do të mund të emërtohej shtet”, por që nuk do të mund të shprehej me të gjitha atributet që e karakterizojnë një shtet, në kuptimin e plotë të tij. Së paku, për një periudhë e cila, vështirë se do të mund të parashikohej dhe në të cilën do të mund të krijohej një mentalitet i ri vartësie në Kosovë.