Ismail Kadare, përdhosësi i nobelistit Pasternak dhe imituesi i nobelistit Andriq, ëndërrues i Nobel

Në të gjithë këtë përshkrim, një lexues jo shumë i vëmendshëm nuk do të gjente asgjë të keqe përveç ndoshta faktit që Kadare, i cili në novelë shprehet në vetën e parë, në një bisedë me një militant komunist grek, që gjithashtu studionte në Moskë, pajtohet me mendimin e tij se fushata kundër Pasternakut bëhet për të frenuar pak djajtë që u nxorën nga shishja në erën e Hrushovit për fushatën kundër Stalinit. Pra, Boris Pasternak quhet një djall i nxjerrë nga shishja që tashmë kërkojnë ta përmbajnë se ka shkuar tepër larg. Por kjo nuk është më e keqja. Më e keqja është se në këtë vepër Kadare i bën një përdhosje nobelistit disident Pasternak pas vdekjes. «Përdhos» është fjala më e saktë shqip që më bie ndërmend me kuptimin e fjalës anglisht «desecrate», që shenjon edhe cënimin që i bëhet një të vdekuri dhe gjërat që lidhen me të. Në novelën e Kadare ka një zhvendosje në kohë të ngjarjeve, ashtu që shpallja e Pasternak fitues i Çmimit Nobel, që ka ndodhur në 1958, dhe fushata zyrtare denigruese ndaj tij, që pasoi fill këtë gjë, janë zhvendosur nga viti 1958 në vitin 1960. Autori nuk jep vitin kur zhvillohen ngjarjet në novelë, por kjo kuptohet tërthorazi, se para se të përshkruajë ngjarjet me Pasternakun, autori tregon një bisedë me kolegun e vet, shkrimtarin komunist grek Anteos: «S’ka pak kohë, ka filluar një mbledhje në Bukuresht,- tha ai- Një shoku im, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë sonë, diçka më tha». (cituar sipas: «Ura me tri harqe», triptik, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1978, f. 427) Mbledhja e Bukureshtit e partive komuniste, siç dihet është mbajtur në qershor të vitit 1960. Në novelën e Kadaresë episodi kur përshkruhet shpallja e Pasternak si fitues i Çmimit Nobel, vjen pas këtij episodi. Pra, sipas kronologjisë së ngjarjeve në novelë i bie që Pasternak ta ketë fituar Çmimin Nobel në tetor të vitit 1960. E vërteta është që Boris Pasternak u shpall fitues i Çmimit Nobel në vitin 1958 dhe jo në vitin 1960. Këtu e imagjinoj lehtësisht sesi kërcejnë ithtarët kokëboshë të Ismail Kadare për të thënë se kjo s’ka rëndësi, pasi në një vepër letrare bëhen zhvendosje të ngjarjeve, pasi ajo nuk është vepër historike. Por problemi i parë është se këtu kemi të bëjmë jo me personazhe letrare, krijim i fantazisë së autorit, por me personazhe reale, pra që janë persona që kanë ekzistuar vërtet, siç është rasti i Pasternak. Dhe ç’është më e keqja Boris Pasternak kishte vdekur në 30 maj 1960, ndërsa Ismail Kadare në novelë e vet e ngjall në tetor të vitit 1960 dhe e bën të shpallet fitues i Çmimit Nobel në këtë vit, si dhe e bën të përballojë një fushatë denigruese kundër tij dhe t’i rezistojë presionit që i bëhet për të refuzuar Çmimin Nobel. Kështu, Kadare e përdhos nobelistin disident Pasternak, dhe këtë e bën nga pozita e stalinistit. Në novelën e Kadare ruhet korrektësisht kohëndodhja e ngjarjeve, me përjashtim të rastit të Pasternak. Kështu pas Mbledhjes së Bukureshtit të qershorit 1960, bëhet fjalë për përgatitjet e Mbledhjes së Moskës të 81 partive komuniste, që siç dihet u mbajt disa muaj pas asaj të Bukureshtit, në nëntor 1960. Gjithashtu bëhet fjalë për ardhjen e Enver Hoxhës për të marrë pjesë në këtë mbledhje të Moskës. Zhvendosja në kohë e ngjarjes me Nobelin e Pasternak bëhet për të pasur mundësi autori të atakojë Rusinë e Hrushovit, nga pozita e stalinistit. Se autori i përshkruan gjërat sikur fushata zyrtare kundër Pasternak ishte një farsë: «Kishin kaluar plot njëzet e katër orë dhe fushata kundër Boris Pasternakut vazhdonte në tërë BRSS-në. Radioja duke filluar nga ora pesë e mëngjesit, e deri në mesnatë, emisionet televizive, të gjitha gazetat dhe revistat, duke përfshirë dhe ato të fëmijëve, ishin të mbushura me artikuj dhe sulme kundër shkrimtarit renegat... Shumica e kursit tonë kishin dërguar gjithashtu deklarata dhe prisnin radhën e botimit... Sonte pritet që ai ta refuzojë çmimin Nobel,-tha Mackjavicusi.-Në qoftë se gjer në orën tetë të mbrëmjes nuk pranon të bëjë refuzimin, nesër fushata do të jetë më e fortë».(cituar sipas: «Ura me tri harqe», triptik, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1978, f. 455-467) Dhe më tutje Kadare shkruan: «Fushata u ndërpre po aq befasisht, sikurse dhe filloi... -Ç’është kjo?- e pyeta Anteosin.-Mos vallë kjo është faza e katërt që thoshte Mackjavicusi?» (cituar sipas: «Ura me tri harqe», triptik, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1978, f. 475) Pra, në novelën e Kadare gjërat paraqiten sikur regjimi hrushovian bëri një zhurmë sa për sy e faqe kundër Pasternakut dhe një presion të rremë për ta detyruar që ta refuzonte Çmimin Nobel dhe se pas disa ditësh fushata zyrtare u ndërpre befasisht. Për lexuesin krijohet përshtypja sikur Pasternaku nuk u detyrua që ta refuzojë Çmimin Nobel. Ndërsa në realitet ka ndodhur ndryshe. Gjashtë ditë pasi u shpall fitues i Çmimit Nobel, Pasternaku, i gjendur në shënjestrën e një fushate shtetërore që shpallte Çmimin Nobel të dhënë atij si një konspiracion imperialist kundër popujve dhe letërsisë sovjetike dhe që i kërkonte Pasternak të distancohej nga ky konspiracion, u thye dhe i çoi Akademisë Mbretërore Suedeze këtë telegram: «Duke konsideruar kuptimin që këtij çmimi i është dhënë në shoqërinë së cilës unë i përkas, mua më duhet ta kundërshtoj këtë çmim të pamerituar që më është ofruar mua. Ju lutem, mos e merrni me pakënaqësi kundërshtimin tim të vullnetshëm». Siç shihet, ky është një tekst i shkruar me shumë fisnikëri dhe që ka një nënkuptim, të cilin Pasternak nuk ka bërë shumë përpjekje që ta fshehë, dhe që kumton se shkrimtari e bën refuzimin e tij nën presion. Akademia Mbretërore Suedeze reagoi kështu: «Ky refuzim, sigurisht që në asnjë mënyrë nuk e tjetërson vlefshmërinë e akordimit të çmimit. Gjithsesi, akademisë i mbetet të njoftojë me keqardhje që dorëzimi i çmimit nuk mund të bëhet». Pasternak njihet si fitues i Çmimit Nobel, edhe pse ai vdiq, 17 muaj pasi u shpall fitues, pa e marrë në dorëzim Çmimin Nobel. Pra, Kadare në novelën e vet bën dhe një falsifikim tjetër duke i paraqitur gjërat sikur Pasternak e mori në dorëzim çmimin. Gjëja më indinjuese është se Kadare këtë version të tjetërsuar të ngjarjeve e ruan dhe në botimet që i janë bërë novelës së tij pas rënies së komunizmit, kur ai ka bërë ndryshime në librat e veta. Ismail Kadare, duke e ngjallur së vdekuri nobelistin Pasternak dhe duke e bërë të veprojë sipas formulave staliniste antihrushoviane të llojit Enver Hoxha-Ismail Kadare, tregohet edhe më cinik se vetë Stalini, i cili në kohën e spastrimeve të përgjakshme të viteve tridhjetë në Bashkimin Sovjetik, i hoqi vizë emrit të Boris Pasternak në një listë e zezë me emra intelektualësh që do të arrestoheshin dhe pushkatoheshin, duke thënë: «Mos e prekni këta banor të mjegullave!» Me sa duket shpirti i komplikuar i diktatorit-demon kishte përftuar një trill të favorshëm për poetin-autor të vëllimit me poezi «Jeta e motrës sime», i botuar në vitin fatidik 1917 dhe që mbahet nga kritika si libri më i mirë me poezi ruse i shekullit XX. Stalini hezitoi ta prekte «banorin e mjegullave», për ta çuar në varr, ndërsa Ismail Kadare nuk heziton ta prekë «banorin e mjegullave», duke e ngritur nga varri dhe duke e bërë të luajë një rol në tragjikomedinë kadareane të letrarizimit të propagandës staliniste enveriane antihrushoviane. Kadare është pikërisht antipodi i Pasternak. Pasternak, kur në Bashkimin Sovjetik filloi të dominojë stalinizmi brutal, në vitet tridhjetë, hoqi dorë nga letërsia dhe filloi të botojë vetëm përkthime, pasi nuk donte t’i shërbente regjimit gjakatar. Kadare, në 1975 shkroi dhe çoi për botim poezinë e vet “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” (e emërtuar si «Pashallarët e kuq»), ku ai i bëri jehonë letrare sloganit zyrtar të luftës kundër burokratizmit, duke shkuar deri atje sa t’ i barazonte burokratët me komplotistët. Në autokritikën që bëri Ismail Kadare kur poezia e tij u diskutua në një mbledhje të zgjeruar në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH, në 25 tetor 1975, mbledhje që u kryesua nga sekretari i KQ të PPSH për ideologjinë, Ramiz Alia, Ismail Kadare u shpreh: “Ngatërrimi i burokratizmit dhe komplotizmit, që në fillim m’u duk si gabim i falshëm, ishte fatal. Me një mendjelehtësi të pafalshme unë arsyetova: si burokratizmi, si komplotizmi, janë aty-aty; komplotizmi është një stad më i lartë i burokratizmit, pra mund të trajtohen në një plan, aq më tepër që jemi në terrenin e poezisë. Mirëpo ky i ashtuquajtur “gabim i falshëm” më çoi mua në krijimin e kësaj vjershe të zezë”. (Shaban Sinani: “Një dosje për Kadarenë”, “Omsca-1”, Tiranë 2005, f. 238.) Shikoni pra sesi shprehet Ismail Kadare. Ai kur shkroi poezinë e vet me vetëdije e pati barazuar burokratin me komplotistin! Dhe Kadare e dinte mirë se komplotistin regjimi komunist e dënonte me vdekje. Shikoni se çfarë cinizmi dhe sadizmi të skajshëm ka pasur në mendimin e këtij njeriu: Burokratizëm=komplotizëm! Pra, burokrat=komplotist. Kadare po ua vinte këtë etiketë kobndjellëse (burokrat=komplotist) së paku 30 mijë vetëve, aq sa ç’qe shpallur nga Enver Hoxha ushtria e burokratëve (kjo ushtri mund të shtohej dhe me të tjerë njerëz), çka në atë kohë do të thoshte që ta pësonin 30 mijë familje. Koncepti burokratizëm=komplotizëm është një koncept ultrastalinist, madje me thënë të drejtën është një koncept metastalinist (tejstalinist), pasi tek ky koncept nuk arriti as vetë Stalini dhe as Enver Hoxha. Këtij koncepti iu afrua vetëm Pol Poti, i cili pikërisht në vitin 1975 kur Kadare shkroi dhe çoi për botim këtë poezi, pati ardhur në pushtet në Kamboxhia, ku brenda katër viteve ushtroi një gjenocid të paparë, duke zhdukur një të katërtën e popullsisë dhe pjesën më të madhe të inteligjencës. Ismail Kadare në këtë poezi shkruan: «Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha, dhe në ditëlindjen e veteranit tornitor. Je për socializëm? Vrapo në rreshta! Shpall kudo dhe mbi këdo kontroll punëtor! Bjeri ditë e natë burokratizmit, Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj! Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit Të të vejë në mur tek bulevard i madh!» (cituar sipas: Shaban Sinani: “Një dosje për Kadarenë”, “Omsca-1”, Tiranë 2005, f. 235.) Dilema për Kadarenë paraqitet kështu: Ose t’i biem burokratizmit ose ai do të vejë para skuadrës së pushkatimit. Por me çfarë i duhet rënë atij që kërkon t’i vejë të tjerët para skuadrës së pushkatimit? Me armë, sigurisht. Edhe ai duhet nxjerrë para skuadrës së pushkatimit. E, pra nga një njeri që ka të tilla vizione makabre, nuk duhet pritur me habi, që ta ngjallë Pasternakun, për ta bërë të fitojë Çmimin Nobel atëherë kur i duhet propagandës enveriane të letrarizuar nga Kadare. Boris Pasternak me kryeveprën e vet «Doktor Zhivago», libër për të cilin Kadare thotë në novelën e vet se ka pasur rastin ta shfletojë në Moskë ku qarkullonte në mënyrë klandestine, nuk ushtroi asnjë ndikim mbi Kadare. Përndryshe, një tjetër shkrimtar që fitoi Çmimin Nobel për letërsi, në vitin 1961, tre vite pas Pasternak, ushtroi një ndikim të madh mbi Ismail Kadare. Ivo Andriç e fitoi Çmimin Nobel për shkak të paraqitjes shumë të ndjerë dhe mjeshtërore që i bën në librat e vet dhe posaçërisht në «Ura mbi Drinë» realitetit të Bosnjës së kohës osmane dhe pas saj, me legjendat, doket, ngjarjet e vrullshme, bashkëjetesës gjeografike të popujve të kulturave të ndryshme dhe konflikteve që vijnë nga përplasja e tyre etj., të gjitha këto gjëra shumë ekzotike për perëndimorët, që atëherë mund t’ia lejonin vetës të shpërblenin një shkrimtar-po ta quajmë në terma të kohës së sotme huntingtonian-se atëherë paradigma e përplasjes së qytetërimeve nuk shqetësonte njeri, se historia ishte futur në «frigoriferin» e «Luftës së Ftohtë». Ismail Kadare gjithashtu e ëndërronte suksesin në Perëndim dhe Çmimin Nobël. Këto ëndrra iu shtuan edhe më tepër kur Enver Hoxha, në një takim me shqiptarët në vitin 1961 për t’iu kompensuar mungesën që iu solli atyre prishja me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të kampit socialist, ku ata kishin mundësi të botonin librat e tyre, i joshi me perspektivën e botimit të veprave të tyre në Perëndim, kuptohet kryesisht nga shtëpitë botuese të kontrolluara nga lëvizjet komuniste pro Pekinit dhe Tiranës. Kadare, pasi Andriç mori Çmimin Nobel, e kuptoi me intuitë se çfarë pëlqente Perëndimi nga letërsia ballkanike. Perëndimi nga letërsia ballkanase pëlqente atë që përshkruante ekzotikën ballkanase dhe më tepër se të tashmen donte të shkuarën osmane, kur historia përzihej me legjendat. Ismail Kadare e kuptoi se sensi ekzotik i të huajve, posaçërisht perëndimorëve, kur ishte fjala për Shqipërinë, përmbushej nga realiteti i Shqipërisë së Veriut me Kanunin, legjendat, shoqërinë fisnore të ruajtur si në lashtësi, eposin, veshjet ekzotike, mentalitetin e trashëguar të vendasve ku perëndimorët gjenin vetveten siç kishin qenë në kohët e vjetra. Kështu Kadare shkroi «Kronikë në gur», që ngjan shumë me romanin e Andriç për përshkrimin që i bën ngjarjeve ekzotike të një qyteti, sipas përjetimit të ngjarjeve nga një banor i tij. Më pas nga Kadare vijuan romanet dhe novelat «Kështjella», «Ura me tri harqe», «Kush e solli Doruntinën», «Prilli i thyer», «Breznia e Hankonatëve», «Viti i mbrapshtë», «Pashallëqet e mëdha», «Pallati i ëndrrave», «Dosja H», «Lulet e ftohta të marsit», ku në të gjitha këto Kadare imiton Ivo Andriçin. Në të gjitha këto ngjarjet zhvillohen ose në kohën osmane, ose në një mjedis me influenca të forta osmane, përveç «Kush e solli Doruntinën» të cilën autori e vendos në një mjedis bizantin. Dhe përgjithësisht ngjarjet zhvillohen në Shqipërinë e Veriut. Gjërat ekzotike nga bota e Shqipërisë së veriut dalin shumë dhe në romanet e tjera të Kadare si «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», «Dimri i madh», «Koncert në fund të dimrit» etj. Por Andriç pati sukses se ai në librat e vet dhe posaçërisht në kryeveprën e vet «Ura mbi Drinë» përshkruan realitetin e përjetuar prej tij në fëmijërinë dhe rininë e vet. Ivo Andriç lindi në Bosnje dhe u rrit në qytetin Vishegrad, ku zhvillohen ngjarjet e romanit «Ura mbi Drinë» dhe ku autori jetoi që nga mosha dy vjeç. Bota e romaneve të Andriç, «Ura mbi Drinë», «Kronikë bosnjake», «Elefanti i Vezirit», «Zonja nga Sarajeva», «Ditët e konsullit» është bota bosnjake ku Andriç lindi dhe u rrit. Ismail Kadare ngrihet në nivelin e Andriç tek «Kronikë në gur» apo «Breznia e Hankonatëve» ku Kadare përshkruan botën e qytetit ku lindi dhe u rrit, Gjirokastrës. Por në librat e Kadaresë ku ngjarjet vendosen në Shqipërinë e Veriut duket se autori është jashtë botës së vet jetësore dhe se ato janë artificiale, të pandjera. Nuk është e rastit që tek «Prilli i thyer» apo «Dosja H» Kadare i përshkruan ngjarjet që vendosen në Shqipërinë e Veriut, nga pikëpamja e një udhëtari që vjen nga jashtë kësaj bote, një shkrimtari që vjen nga kryeqyteti në rastin e parë dhe dy udhëtarëve perëndimorë në të dytin. Derisa «Kronikë në gur» dhe «Breznia e Hankonatëve» mund t’i shkruajë vetëm një njeri që ka lindur dhe është rritur në Gjirokastër, librat me temë nga Shqipëria e Veriut, «Ura me tri harqe», «Kush e solli Doruntinën», «Prilli i thyer», «Breznia e Hankonatëve», «Viti i mbrapshtë», «Pashallëqet e mëdha», «Pallati i ëndrrave», «Dosja H», «Lulet e ftohta të marsit», mund t’i shkruante, në një mënyrë ose tjetër edhe një shkrimtar i huaj që ka lexuar për Shqipërinë. Edhe lexuesi që lexon librat e Kadaresë për Gjirokastrën dhe ato për Shqipërinë e veriut, e ndjen se tek të dytat ka diçka që nuk shkon. Kjo ka ardhur prej faktit se Kadare nuk bëri përpjekje për ta njohur mirë Shqipërinë e Veriut, edhe pse kishte vendosur të shkruante shumë për të. Dy herë që Kadare shkoi jashtë Tiranës në kohën e regjimit komunist, për një kohë relativisht të gjatë, ai zgjodhi të shkonte në Shqipërinë e Jugut, në Berat në 1967 dhe në Lushnje në 1975. Në Shqipërinë e Veriut ai nuk kishte kaluar veçse pak ditë, dhe sigurisht që e njihte atë më pak se udhëtarë të huaj si Edit Durham, apo baroni Franz Nopça. Kjo është një gjë shumë e çuditshme dhe qesharake. Shkrimtarët e mëdhenj na kanë dhënë kryevepra për një botë ku ata nuk kanë lindur dhe janë rritur, por ama kanë jetuar gjatë atje, siç bëri Heminguej që na dha kryeveprën «Për kë bien këmbanat» për Spanjën, ku jetoi gjatë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme