Nga turq, në shqiptarë

Megjithatë, dhjetë vite më pas, në vitin 2004 kur punoja në Kavajë një inxhinier kavajas, një inxhinieri turk që ishte me mua që donte ti tregonte sesa të afërt janë kavajsit me turqit i thotë ne në Kavajë themi: Kavajë e kuqe, rremë Stamolli. Ndërsa një vit më vonë, në muajt e Dimrit 2005, Muftiu i Shkodrës me të cilin po bisedoja mbi situatën në qytetin e tij, ndër të tjera më tregoi një anekdodë të vjetër shkodrane ku tregohej sesi në kohët e vjetra një burrë kur shkon te myftia e pyet: Myfti efendi sa sharte ka Tyrqinia? I habitur që po dëgjoja sërisht një lidhje të këtillë të Islamit me Tyrqininë, e pyes myftiun – po Tyrqini çfarë do të thotë? Ai më tregon që në kohët e vjetra njerëzit te ne me fjalën Tyrqini kanë kuptuar Islamin. I intriguar për të kuptuar zanafillën e kësaj fjale dhe se çfarë kanë imagjinuar njerëzit me fjalën ‘turk’ në kohët e mëhershme, hapa fjalorin e Shqipes se Sotme, botimi i vitit 2002 dhe kuptimet që gjeta për fjalën Turk ishin pak a shumë ato që unë dija: Turk-u = 1. banor vendas i Turqisë ose ai që e ka prejardhjen nga Turqia. 2. Që lidhet me turqit, që është karakteristik për turqit ose që është krijuar prej tyre; i Turqisë ose i turqve. Megjithatë në fjalorin e Gjuhës Shqipe të vitit 1980, të botuar nga Akademia e Shkenca gjeta këto kuptime për fjalën Turk: 1. banor vendas i Turqisë ose ai që e ka prejardhjen nga Turqia. 2. vjet. Mysliman.
Ndërsa në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe të Tahir Dizdarit gjeta këto shpjegime për fjalën Turk: ‘1. Banues i Turkisë aziatike e ballkanike. Dhe: 2. Tue qenë se konvertimi në Islam i shumicës së madhe të popullit tonë ndodhi nën pushtimin osman, në çdo krah të vendit të konvertuemit u thirrën turk, turq, turkë, turkeshë, turkinë, tue mos pasë tjetër vështrim as qëllim veçse të cilësimit të besimtarit musliman, rrjedhimisht në bashkëfetarësi me pushtuesin.’ Me pas autori jep një seri përdorimesh të fjalës turk gjatë kohëve të parambretërisë Disa shembuj janë: “Mo, në je turk!” Dibër. “Në je turk e bir turkut, mos, se stë ka hije”. Shkodër. “Kush është turk n’Muhamenë / Të mos lshoj dervenë” VD 30. “More turk i Perëndisë:/ (M)Syna derën e xhamisë/…” – nga nji vajtim në Shkrel, ke HD. “Djali i dadës në kosh turk/ Këto dy faqe mos mi puth!/ Nkosha turk me imanë/ sti la faqet pa ti ngranë!” Malësi e Gjakovës.’
Përdorimin e ‘turkut’ për të treguar ‘shqiptarin’ musliman e hasa edhe përpara disa ditësh në shkrimin ‘Lot Gjakut’ të botuar në revistën Hylli i Dritës në 1913 nga Gjergj Fishta. Këtu autori që tregon sesi ‘Turqit e rii tuj pas baa bee me i qitë faret kryekput Shqyptarët kso jetet, me zemër qi u dha guzimi i pamarrshëm i Ervjeve dhe framasonve’, tregon pak a shumë hatatë që ‘Turqit’ e Azisë donin ti bënin ‘shqyptarëve’. Por siç duket në Shqipërinë e vitit 1913 kjo gjë mund të keqkuptohej, dhe në fund të shkrimit autori vetëmbrohet duke thënë që: nën emënin Tyrk ktu do t’merret vesht rodi, fisi i Turqve t’Azisë, e jo muslimant, ndjekësit e fees muhamedane.
Edhe pse në ditët tona për shumë shqiptarë krahasimet e mësipërme të muslimanit me turkun mund të duken të habitshme, një seri shkrimesh nga Shqipëria e para vitit 1912 por edhe më pas, tregojnë të kundërtën. Mënyra se si shumë muslimanë e kanë imagjinuar veten, por edhe janë imagjinuar, ka qënë e ndërtuar mbi bazën e konceptit ymetik të Islamit ku në rastin konkret ‘turku’ dhe ‘Turqëria’ që në termat e sotëm ne i përkthejmë në musliman dhe Islam, formonin bashkësinë e imagjinuar të miletit islam të Perandorisë Osmane ku i pari i saj ishte sulltani-kalif i Stambollit. Benedikt Anderson në librin ‘Komunitetet e Imagjinuara’ vë në pah forcën e religjionit për të konstruktuar komunitete të imagjinuara siç është rasti i Ymetit Islam, të cilat ndërtohen në përgjithësi nëpërmjet mediumit të gjuhës së shenjtë dhe të shkruar. Në rastin e shqiptarëve ku definicioni kombëtar u konsolidua pas krijimit të shtetit, mentaliteti i miletit otoman ku identiteti formësohej jo mbi gjuhën, hartën dhe mitet e krijuara kombëtare, por mbi miletet fetare, prodhoi një sërë tensionesh në Shqipërinë e shekullit të XX-të.
Problemi i të imagjinuarit vetes si ‘shqiptar’ i ka prodhuar historisë së Shqipërisë së shekullit të kaluar një varg betejash identitare dhe xhepa rezistence që janë prodhuar që nga Mirdita dhe Malësia e Madhe, në Shqipërinë e Mesme dhe në jug të vendit më levizjen vorioepiriote. Edhe pse historianët nacionalistë - komunistë këto lëvizje i kanë trajtuar thjesht si ‘tradhëtare’, ‘haxhiqamiliste’, ‘obskurantiste’ etj, pas tyre ka qëndruar në fakt beteja ndërmjet imagjinimit modern të kombit të ndërtuar mbi baza shekullare dhe etnike dhe atij para-modern mbi baza fetare.
Për të kuptuar këtë rrugë të gjatë të udhëtimit identitar të ‘turqve’ dhe ‘kaurëve’ për në ‘shqiptarë’, mendoj se libri i parë më të cilin mund ta kuptojmë këtë tranzicion është Bleta Shqiptare e Thimi Mitkos. Në botimin e saj në vitin 1878, Mitko, tregon që qëllimi i botimit të këtij libri është ruajtja e ‘këtyre këndimeve albanologjike… që t’u ipet një shkak e shtyrje bashkatdhetarëve shqiptarë për të kulturuar edhe studiuar gjuhën e tyre amtare që… edhe këta të cilivizohen edhe të kenë njësoj vleftë me vëllezërit e tjerë të tyre ellenofonë.’ Me përmbledhjen e tij, Mitko kërkon të ndërgjegjësojë shqiptarët për kombësinë e tyre, duke ju mësuar gjuhën në mënyrë që ata të mësohen me mendime greke dhe ‘të zënë rrënjë ne ay patriotismi grek’, të dojë ‘kombësin e ti greke’ dhe të ‘fshtet’te mendjen e zembrën e ti jo në Sllavët e në Italjanët po më tepër ne mëma Greqi, dyke sjellë ndër ment gjyshërit e ti Epiriotët e Maqedonët, bashkë kombëtarët e ti në Greqi të lirë...’
Megjithë dëshirën e Mitkos që do që ‘shqiptarin’ ta bëj patriot grek, do të shohim se ‘shqiptari’ musliman, në një pjesë të mirë të këngëve të Mitkos nuk e ka parë veten si ‘grek’, rrallë si ‘shqiptar’ por në shumë raste sipas ndasisë së tij fetare ‘turk’ dhe ‘kaur’ apo asaj krahinore. Në këngët e Luftës së Himarës psh. kur muslimanët luftuan kundër të krishterëve dikush lexon vargje si ‘turq dhe të kërshterëtë / të gjithë të parëtë / bejërat, agallarëtë/ të gjithë bujerëtë. Të njëjtën gjë kuptojmë edhe në këngën e Ali Pashës kundër Himarës ku lexojmë ‘Nga Nivica Koçodhutë/ Q’është i pari ndë vulë/ qe pa të s’bënetë punë / as ndë turq as ndë kahurë’. Çfarë të bie në sy në poezitë e mbledhura nga Mitko, është se këtu emri shqiptar përdoret pothuajse në të gjithë rastet për të klasifikuar të krishterët që luftojnë kundër muslimanëve, dhe përjashtim bëjnë rastet kur shqiptarët luftojnë kundër turqve. Por çfarë bie në sy është që klasifikimet që personazhet kanë në poezitë e Mitkos janë turq dhe kaurë, gegë dhe toskë, arapë, raja, halldup, mirditorë, lap, shkodranë etj. Ndërsa në këngët e sjella në Gëgërishte fjala ‘shqiptar’ mungon totalisht. Në poezitë e Bletës por edhe në të tjera të mbledhura nga Mitko çfarë bie në sy është që ‘shqiptarët’ veten e tyre kanë klasifikuar rëndom si turq dhe kaurë, dhe në poezitë e Gegërisë ‘shqiptari’ pothuaj nuk ekziston! Në këngët e mbledhura nga Tirana psh. ku flitet për ndërtimin e Urës së Beshirit, populli e quan veten turk dhe kaurë në poezinë që ja dedikon bamirësit Ali Beshiri:
Ali Beshiri prej Tirane / na shpëtoi shpyrtë, shpëtoi xhanë / Beshirit i rrut'e bija /
kodit urë me rubija / Ti moj urë, e mjera urë / që mban këlqere, mban gurë /
shkojnë turq, shkojnë kahurë / të sosurë s'kanë kurrë / Beshiri u lint me dekë /
mbenë trupat nëpër detë.
Po ashtu në një poezi tjetër nga kjo zonë lexojmë sesi besimtarët adresojnë njëri tjetrin:
‘Çohij turq, haj ne xhami / na ka ardh nji hoxh'i ri.’
Imagjinimi i vetes si turk lexohet edhe në poezitë e sjella nga Shkodra ku lexojmë këto rreshta si nga poezia e luftës me Hafës Pashën:
Gjithë thërrasim ‘ja Mahbub’ / Jena turq, e faj stë kena /
sulltan Mahmut banu vakuf / gjithë robt’ e Zotit jena.

Qemal Haxhihasani, i cili ka studiuar vjershat e Mitkos është i mendimit se fjalët Shqipëri, shqyptar dhe halldup Mitko i ka shtuar vetë nëpër vjersha për ti dhënë atyre përmbajtjen patriotike.
Por përdorimi i ‘turkut’ për të treguar muslimanin shihet edhe në përmbledhjen e Kasem Taipit të botuar në 1933, në një kohë kur ‘shqiptarizmi’ ishte politikë e kohës dhe qeveria kishte nxjerrë një seri ligjesh për të shkatërruar trashëgiminë turke në vend, dhe ‘shqiptarizuar’ si Komunitetet Fetare (Kishën Ortodokse, Komunitetin Musliman dhe Bektashian) ashtu edhe jetën publike me reformat e saja gjuhësore, ligjore etj. Megjithatë çfarë bie në sy në këngët e Taipit është sërisht prezenca e fortë e të quajturit të vetes turk dhe kaur dhe jo shqiptar. Shqiptari duket sikur nis të shfaqet në përmbledhjen e tij pas vitit 1878, në kohë të Itifakut (Lidhjes) së Prizrenit. Por edhe këtu shqiptari nuk i shpëton dot turkut dhe shpesh thotë që jam ‘turk’ safi. Një shembull është poezia e vjetit 1878 ku gjejmë fjalën shqiptar të ndërthurur me turk:
Elif – E na u fillue / në kambë u çue Shqiptarija /…
Sin – Se kenkan safi Turq / vendin kaurrit nuk ja lëshojnë.

Përshkrimin e shqiptarit musliman si turk në ngjarjet e vitit 1878 ne e gjejmë edhe në poezitë e sjella nga Xhaferr Belegu në librin e tij mbi Itifakun e Prizrenit, ku ndasia ndërmjet katolikëve mirditorë dhe muslimanëve lexohet në klasifikimet që poeti i bën muslimanit si Turki ndërsa katolikëve si Mri apo Fandë:
More pash pasha i Maxharit / Nuk i jam i mbretit, jam i kralit / Fjal i coj patër Marianit
Me i mbledhun krent e Fandit / Krent e Fandit me bajrak/ Se në kresun ç’do me i ran
Morë hoxhë façezi / Pa ferman si del në ushtri/ Hem imam hem plak haxhi
Besa Mria s’bahet turki / Ka lidh besën me shtat krali / Shtat Krali ka zan në dorë
Çon asqerin nëpër borë / Nëpër borë e nëpër shi / Nuk bahet Mria turki.

Një rast interesant që vlen për tu përmendur në përmbledhjen e Kasem Taipit është edhe Kanga e Luftës së Junanit që u drejtua nga Gani Beg Toptani në 1897 kundër Greqisë. Këtu lexojmë që banorët e Shqipërinsë së Mesme që drejtojnë luftën kundër Greqisë quhen turq:
Iptida u nis nizaja / urumi mrrini në Gjirit /
Sebep ban Bari – telqaja / për me dalë Turqinija në dritë,

Dhe nuk lexojmë askund për shqiptarë edhe pse lufta u drejtua nga shqiptarët. Edhe në poezinë që Taipi sjellë nga Shkodra për këtë luftë po ashtu lexojmë për turq dhe kaurë. Për turq dhe të kështenë flet edhe Gjergj Fishta në poezinë që ai i dedikon lumturisë që Hyrrijeti (Shpallja e Kushtetutës) në Stamboll ka shkaktuar në Shkodër në vitin 1908:
Rreh burija e trumpeta / Turk e kështenë në kambë janë çue
Padishahit ju rritët jeta / Sot mbretnin e paska pshtue…

Por çuditërisht fjala Shqiptari zëvendëson atë Turqëri, në Këngën që i dedikohet vrasjes së Gani Beg Toptanit në Stamboll në 1902, nga sadrazemi osman. Në poezinë kushtuar Xhiut të Fajës – atentatorit që Esat Pasha dërgoi në Stamboll për të marrë hak për Gani Begun lexojmë:
Xhiji i Fajës nji Kruetanë / Shqiptaris ja la nji namë/
Xhija i Fajës zog petriti / Esad Pasha e porositi…/
Xhija i Fajës nji Kruetanë / në Stamboll na ka lanë namë.

Këtë ndryshim identitar që ndodh në këngët rreth Gani Begut më mirë se kushdo ndoshta e shpjegon Hafiz Ibrahim Dalliu, i cili tregon që njerëzia nisi me çel sytë ‘kah viti 1895 kur filluen me ardhë në Tiranë gazetat që botoheshin në Tyrqi prej zhon tyrqish dhe prej shqiptarësh të arratisun.’ Vrajsa e Gani Begut në 1902 pra rreth 7 vjet pas rënies së parë në kontakt të elitës tiranase me qarqet xhon turke dhe shqiptare, dhe mediat e tyre ndoshta ka qenë shkaku i ndryshimit të mënyrës së imagjinimit nga Turqëri për në Shqiptari në poezinë më lartë. Zëvendësimi i Turqinisë e cila në këtë kohë, tironalisë i transmetohej nëpërmjet mediumit të xhamisë dhe gjuhës Turke, me Shqiptarinë e cila eksportohej nëpërmjet asaj që Benedikt Andersoni do të quante print-kapitalizmit i cili fuqizoi gjuhën vendase, dhe më pas në aspektin afatgjatë ndërtoi idenë e lashtësisë – e cila është shumë e rëndësishme në formimin e idesë subjektive të kombit.
Megjithatë siç edhe Hafiz Dalliu rrëfen në kujtimet e tija, në Tiranë deri në vitin 1908 shumica e popullit ishin indiferentë mbi identitetin e tyre. Një pjesë ishin me qeverinë e Hamidit. Dhe vetëm një pakicë ishte që donte ndryshimin e qeverisë dhe mundoheshin me përhapë idenë kombëtare, të cilët quheshin shqiptarë. Ama sipas Dalliut, personat që ishin ‘shqiptarë’në atë kohë ishin 150 vetë në një qytet prej pesëmbëdhjetë mijë banorësh. Dhe për më tepër ‘shqiptarë’ në shumicën e rasteve ishin bejlerët, ndërsa kundër shqiptarëve ishin qeveritarët, oficerët, myderrizat, tregtarët dhe pasanikët.
Problemi i banorëve të Shqipërisë Otomane për t’u bërë shqiptarë dhe ndarë nga koncepti i ‘turkut’ ka qënë i madh. Mehdi Bej Frashëri, vë në dukje që në Shqipëri shumica e ortodoksëve të jugut ndjeheshin grekë. Por e njëjta situatë ekzistone edhe në Shkodër ku katolikët dhe muslimanët, moralisht dhe shpirtërisht ishin thjeshtë turq edhe kaurë. Hafiz Dalliu tregon që në vitin 1908 kur Refik Bej Toptani që ishte kryetar i Xhemijetit (Xhon Turqve) të Tiranës dhe një nga pak propagandistët e shqiptarizmit, nisi të shpërndajë disa abetare me gërma latine në qytet, u përballë me rebelimin e popullit, hoxhallarëve, oficerëve, qeveritarëve, tregtarëve dhe pasanikëve. Propaganda kundër të mësuarit të gjuhës shqipe dhe të qenit shqiptar ishin aq të mëdha saqë hoxhallarët thonin: Shqipja të ban kaurr, të ban me marrë për grue i vëllai motrën, të ban me shembë teqe e xhamija, të ban me lanë Kuranin, agjinesën, të lamen e të tjera. Një nga myderizat e sajoi edhe një vjershë: Tirande vardër ej babam, I a dinçei tahsin ider. Në rrugët e Tiranës, fëmijët ju bërtisnin ‘shqiptarëve’ ‘Ngordhi shqipja jahu!’ Ndërsa halldupët e Tiranës këndonin: Gjithë të zezat i kam punue / por shqip shyqyr s’kam këndue. Biles katunaria e Tiranës e cila ishte urdhëruar nga Xhon Turqit e Tiranës për të vrarë ‘kaurët shqiptarë’ kur del në qytet dhe takojnë Refik Bej Toptanit e pyesin: - zotni, po na thonë se jeni ba shqiptar.
Problemin e të bërit shqiptar duket që e kanë patur më të madh të krishterët. Në një letër që Kostandin Kristoforidhi i con Nikolla Naços në vitin 1888 i tregonte që në Shqipëri shumica e njerëzve nuk donin të bëheshin shqiptarë. Ai tregon që në mesin e Turqve Muhamedanë kishte disa që kishin dëshirë për të zhvilluar gjuhën e tyre dhe dalluar nga turqit, pasi këta frikësoheshin se një ditë që Evropa do dëbonte Turqinë drejt Azisë, këta deshën ti provojnë asaj se janë ndryshe nga grekët në mënyrë që të mos dëbohen nga Shqipëria. Ama kështu mendonte vetëm gjysma e Turqve Muhamedanë. Por nga ana e ‘të kërshterëve’ vetëm 1 në 10 vetë donte të bëhej shqiptar. Pse të kërshterët, dhe në veçanti kleri dhe të pasurit flisnin greqisht dhe shpresonin që një ditë vendin ta marrë Greqia dhe këta të merrin pronat e tyre, ndërsa turqit e Shqipërisë ti gjejë fati i turqve të Bosnjes, Bullgarisë dhe Thesalisë.
Mosnjohjen e konceptit të shqiptarisë e rrëfen edhe Dom Ndoc Nikaj në kujtimet e tija, ku ndër të tjera tregon se fanatizma fetare kishte bërë ‘muslimant… të lidhur me rrajë me besimin muhametan qi nuk e dalloshin dot në kujtim se shkputja nga sundimi i Sulltanit ishte sikur mohimi i besimit të tyne… Shqyptar n’at kohë, prej të shumve, ishte nji fjalë qi i pershtatej vetëm Krishtianve.’ Këtë fakt e tregon edhe Eqerem Bej Vlora i cili tregon se:
botëkuptimi i shumicës dërrmuese të shqiptarëve në vitet 1900 deri 1906 ka qenë për të ardhur keq. Askush nuk e ndjente veten pjesëtar të një populli: kudo që të ishte popullsia ndahej në dy kampe, të ndara e të prera si me thikë. Në njërin bënin pjerë ato tre të kartërta që pyetjes se çfarë ishin, i përgjigjeshin ‘tyrk elhamdylillah’ (turk, i qofshim falë Zotit)… çereku tjetër, shqiptarët ortodoksë dhe hera herë, (por rrallë) edhe katolikë quheshin gjaurr (kaurrë), emërtim që jo vetëm i përçmonte, por edhe i ndante nga tërësia e popullit shqiptar, si një element i ndryshëm, madje, do të thosha i huaj.

Mbi identifikimin e njerëzve me diçka tjetër nga ‘shqiptari’ në Shqipëri flet edhe personi që shkruante me pseudonimin Lap Martallozi, nga Sofia në vitin 1908. Shkruesi në fjalë që sulmonte politikat osmane në Shqipëri ndër të tjera ironizon edhe mënyrën sesi njerëzit mësoheshin nëpër shkolla. Kështu ai tregon se nëpër meqtepë, shqiptarëve ju mësonin që sulltanët turq ishin të shenjtë dhe janë dërguar në kahuristanë për të bërë feth nga Zoti, që Skënderbeu sqe tjatër përveç se një hajdut, se hoxhët kishin gjetur në një qitap arabisht që tregonte që shqiptarët ishin arabë dhe një mijë e një e treqint vjet më parë ju zemëruan halifesë hazretit Ymer dhe u bënë muhaxhirë në Shqipëri. Lap Martallozi tregon që i njëjti problem ekzistonte edhe nëpër skolitë e grekut ku njerëzia mësonte që gjith njerzit e mbëdhenj janë grekë, le Filipi, Leka i madh, Batlemeu, Pirua dhe Skënderbeu, po aq edhe Krishti.
Problemi i të ndryshuarit të identitetit të osmanllive në shqiptarë tregohet në mënyrë shumë origjinale nga një letër që Kostandin Kristoforidhi i dërgon Lef Nosit në 23 Kallnur 1909 nga qyteti i Durrësit. Në këtë letër Kostandini rrëfen që ortodoskët dhe myslimanët jo vetëm që refuzonin të mësojnë të shkruajnë gjuhën me gërma latine, por thotë se:
Myslimanët prap as ta nëgjojnë emnin Shqiptar e fjalën Gjuha shqip nuk dunë; kaq shumë i ka myt fanatizma e xhonturklluku; kan ideen se gjith klubet shqiptar qi jan sot, kane mrena njerzë të pa bes hajdutë e bukshkal qi dunë me u damun më yte nga Osmanlli qi na ka dhan këtë liri; t’ishin shqiptar thonë ato atëhere gjante shqipe e ta shkruine me shkronja Tyrkshe e jo me shkronja latinshe.

Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij tregon që problemet e shqiptarisë në vigjilje të krijimit të shtetit shqiptar ishte kudo. Ndasia ekzistonte si në veri ku muhamedanët ishin pro-Turqisë dhe katolikët e Malësisë së Madhe merrnin anën e Malit të Zi, në Shqipërinë e Mesme, dhe po ashtu në jug me vorio-epiriotët. Vllamasfi rrëfen që ‘populli i Shqipërisë së Mesme me një karakter muskular dhe thellësisht fetar’ jo vetëm që nuk kishte ndërgjegje kombëtare ose shumë pak të zhvilluar, por patriotët i konsideronte si të pafe, të pamoral dhe tradhëtarë. Kriza e të qënit shqiptar nuk ishte vetëm në Shqipërinë Muslimane. Nathalie Clayer rrëfen që kriza e shqiptarisë ekzistonte edhe në Korçë në mesin e të krishterëve ku ajo tregon që ‘sipas konsullit austro-hungarez, në dimër të viti 1909, “partia shqiptare” në këtë qytet kishte në gjirin e saj njëqindepesëdhjetë familje, ndër të cilat ato të Kosturit, të Bimblit dhe të Gramenove, si edhe rreth dyqind familje vllehe. Ndërsa “Partia greke” që ishte kundërshtare e saj ishte shumë më e fortë. Ajo përmblidhte afërsisht dymijë familje shqiptare nga Korça dhe katërqind familje vllehe nga Voskopoja, Moskopolisi i vjetër.’ Rasti i Petro Nini Luarasit, kur ai nisi t’u mësojë sesi të shkruajnë shqip fshatarëve të Luarasit dhe Mitropoliti i Kosturit e akuzoi si ‘mason dhe protestant’, dhe e ç’kishëroi tregon vështirësinë e madhe që proçesi i konvertimit të otomanëve në shqiptarë kishte në fillimin e shekullit të XX-të në Ballkan.
Lufta ndërmjet konceptit të turkut dhe kaurit me shqiptarin e imagjinuar të Rilindjes u intesifikua edhe më shumë pasi në nëntor të vitit 1912 dy krahinat otomane, Gegëria dhe Toskëria u deklaruan të pavarura, dhe u bashkuan nga Fuqitë e Mëdha për të krijuar Shqipërinë në 1913. Ndërsa një pjesë e shqiptarëve me në krye Esat Pashën dhe Mahmut Hajret Pashën luftonin për të mbrojtur Devletin, deklarimi i pavarësisë nga grupi i nacionalistëve të Ismail Qemalit u prit me habi në të gjithë vendin. Kjo gjë mund të lexohet edhe në telegramet osmanisht të shkëmbyera në këtë kohë ndërmjet vetë rrjetit të nacionalistëve që shpallin pavarësinë. Në telegramet e dërguar në një seri qytetesh në Shqipëri arsyeja e shpalljes së pavarësisë nga Turqia jepet e lidhur me pushtimi serb, dhe se Shqipëria duke shpallur pavarësi nuk duhej të luftohej nga Serbia. Disa nacionalistë si Refik Bej Toptani pyesnin Haxhi Ali Elbasanin që ishte kreu i Xhon Turqve në Shqipëri nëse një shpallje e këtillë pavarësie mund të sillte ndonjë përfitim. Dhe kur në Tiranë më 26 Nandor 1912 u shpall pavarësia fjalimi i mëposhtëm i Refik Toptanit tregon arsyen:
- O vllazën! Me hidhërim të madh po ju them se e pru puna me u nda prej vllazënve tanë turq dhe me e zbrit bajrakun e atyne që ka value këtu me qindra vjetsh dhe me ngref qeverinë kombëtare e me ngrejtë flamurin e Shqipnisë. Dhantë Zoti e u puqshim kështu si sot gojë ndër gojë që ashtu të mundemi me e ruejtë atdheun tonë nga të shkelunit e anmikut. Rroftë Shqipnia në vetë, rroftë vllaznimi, rroftë flamur kombëtar!

Kryetari i Bashkisë, myftiu dhe kryetari i komisionit për mbrojtje kombëtare të Gjirokastrës përfaqësuesit e saj që kishin shkuar në Vlorë i autorizonte që ‘të mbronin të drejtat e të Fortës Mbretnië Ottomane e Atdheut tonë të përbashkët.’ Ndërsa në një telegram që Vlora i dërgonte Gjirokastrës, Tepelenës, Delvinës dhe Pogonit në datë 20 Vjeshta e Tretë 1912 shkruan që Qeveria e Përkohshme e Vlonës u shpall nga nevoja. Por ‘lidhjet tona me të Naltin Hilafet të Islamismës do të jenë të patundme deri në Ditën e Kiametitm ashtu edhe për vazhdimin e vllaznimit me të Naltën Mbretënië Ottomane nuk do të pushojmë së përpjekuni me sinqeritet edhe Ottomanët sa të jetë jeta do të jenë vllaznit tonë.’ Por në anën tjetër Këshilli Juridik dhe gjykatat e Gjirokastrës dhe Pogonit dënonin këtë akt ndarje nga Perandoria Osmane të kazave të Beratit dhe Gjirokastrës dhe kërkonin ndërshkimin e fajtorëve. Ndërsa Ismail Qemali në një letër dërguar Esat Pashës dhe forcave mbrojtëse të Shkodrës, shpalljen e pavarësisë e argumenton si formën e vetme për të ruajtur Shqipërinë dhe Islamismën në Evropë me kushtet e krijuara.
Edhe pse në Shqipëri kushtet ndryshuan pasi në Gusht 1913 Fuqitë e Mëdha, vendosën përfundimisht për të shpallur krijimin e Shqipërisë, nga shkrimet e kohës duket që në Shqipëri populli në shumicën e tij nuk e kishte fort idenë e këtij ndryshimi i cili duhet të sillte edhe një zhvendosje masive në imagjinatën e njerëzve nga otomanë në shqiptarë. Kristo Floqi deklaronte më në numrin e 3-të të Përlindja e Shqipnies që botohej në Vlorë se tani që: Shqipëria u bë, duhen bërë edhe shqiptarët. Ai dhe veprimtarë të tjerë të qeverisë së Vlorës iu desh të përballen me një popull që nuk dinte gjuhën e tij por komunikonte ende në Osmanisht, që nuk njihte vendimet e Vlorës dhe më pas Durrësit dhe që në shumë raste nuk kuptonte dot se çfarë kishte ndodhur. Konvertimi juridik i otomanëve në shqiptarë u krye në Prill 1914 kur Statusi Organik i Qeverisë së Vidit në kapitullin III, pika 1 e popullsisë deklaronte që: ‘shqiptarë janë të gjithë ata që kanë lindur apo banuar në territorin shqiptar përpara 28 Nëntorit dhe gëzonin në periudhën osmane, nënshtetësinë osmane.’
Megjithatë kryengritja e osmanllive të Shqipërisë së Mesme e cila nisi në këtë kohë, dhe deklaruan veten otomanë dhe bashkim me Turqinë, Haxhi Qamili që i kërkonte Grigor Nosit që ishte ‘një copë kaurr’ që të bëhet ‘turk’, deklarata e Spiro Milos në 22 shkurt 1914 kur himariotët nuk pranonin të jetojnë me turko – shqiptarët, dhe shtatë vite më vonë e Gjon Marka Gjonit në Mirdit kur mirditorët deklarojnë se: Nuk e dona ycymetin e Turkijes t'Tirans! tregon sesa i vështirë dhe i gjatë ka qënë proçesi i ndarjes së turkut dhe kaurit nga një perandori në tërheqje, për të prodhuar shqiptarin e shtet-kombit që u shpik në vitin 1913.

Fjalor i Shqipes se Sotme, Akademia e Shkencave e Shqiperise, Instituti i Gjuhesise dhe i Letersise, Botim i dyte i ripunuar, Toena, Tirane, 2002, p. 1374.

Fjalori i Gjuhes se Sotme Shqipe, Akademia e Shkencave te Shqiperise, Tirane, 1980, p. 2042

Tahir N. Dizdari, Fjalor i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Organizata Islame për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (ISESCO), Tiranë, 2005, fq. 1054-1056

Gj. Fishta, Lot Gjakut, Hylli i Dritës, Nr. 1, 1913, fq. 21

Anderson, Imagined Communities, 12 – 13

Mitko Thimi (1924 b), Bleta Shqiptare e Thimi Mitkos, Vjene

Ibidem, hyrja

Mitko, Bleta Shqiptare, P. 114

Ibid 124

Shembull Kenga e Ibrahim Pashe Misirliut. Fq. 156

Haxhihasani, op. cited, p. 336

Mitko, 218

cituar sipas Jane C. Sugarman (1999), Imagining the Homeland: Poetry, Songs, and the Discourses of Albanian Nationalism, Ethnomusicology, fq. 425

Kasem Taipi. Zana Popullore (Kange Popullore), vol I, Shkoder, 1933, qf. 112 – 113

Xhafer Belegu (1939), Lidhja e Prizrenit e veprimet e saje, 1878 – 1881, Tirane, 44

Taipi 137

Ibid. 204 – 205

Ibid. 174

Anderson. 44 – 45

H. Ibrahim Dalliu, Patriotizma në Tiranë, 1995. fq. 21

Ibid. 28

Mehdi Frasheri, Problemet Shqiptare, Liria, pp. 49 – 54

Dalliu. 28 përkthimi: në Tiranë or bab ka njerëz që duan me na nxjerr nga dini.

Ibid. 8

Ibid. 33

AQSH, f.29, D.1. Leter e Kostandin Kristoforidhit Nikolla Naços, 1888 pp. 24 – 25

Dom Ndoc Nikaj, Kujtime te nji jetes se kalueme,Plejad, 2003, p. 74

Eqrem bej Vlora: “KUJTIME”, “Shtëpia e botimit dhe e komunikimit”, fq 151 - 152

Lap Martallozi, Liria dhe zgjedha, Drita, nr. 96, 15 january 1908, Sofia.

Ibid

AQSH, F. 32, D. 55, Leter of Kristoforidhi to Lef Nosi, 23 Kallnuer 1909

Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike ne Shqiperi, Neraida, 2000. 99 – 117

NATHALIE CLAYER, Aux origines du nationalisme albanais. La naissance d’une nation majoritairement musulmane en Europe, Paris, Karthala/CERI, coll. « Recherches internationales », 2007

Petro Nini Luarasi, Mallkim i Shkronjavet Shqipe dhe çpërfolja e Shqipëtarit, 1911, 15

Shiko telegramet cuar Elbasanit 15 Vjeshta e Trete 1912, f. 201, telegram 13 Vjeshta e Trete, fq 105, telegrami i dates 14 Vjeshta e Tretë 1912 cuar nga Peqini në Dokumenta për Historinë Kombëtare nga Lef Nosi, 1924 - 1925

Ibid. 71

Dalliu, 88

Dokumenta për historinë kombëtare…, fq. 135 - 136

Ibid. Telegram i datës 20 Vjeshta e Tretë 1912, f. 143 - 144

AQSH, F 486, D. 976, viti 1912, Kopje Vendimi e Keshillit Juridik

Shiko Leter e Ismail Qemalit për Esat Pashën, AQSH, F. 70, D. 15

Kristo Floqi, Gjyqësia në Shqipërië, Përlindja e Shqipnies, nr.3, fq. 2

FO 421 - 293 - Prill 1914, Organic Statute for Albania.

Lef Nosi, Dokumente Historike 1912 – 1918, Tirane 2007, 321

FO 421 - 292 - viti 1914, Proclamation of Autonomy of Epirus, fq 116

AQSH, F. Vllazen Kshtenim Mirdit e tan Dukagjni!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme