Në këtë pozitë të paparashikueshme inkonstante rritet çështja e përgjegjësisë së njeriut në botën moderne. Po ashtu, në sistemin arsimor në fuqi, çdo ditë e më tepër relativizohet dimensioni moral i jetës njerëzore në Tokë. Me këtë rritet dallimi ndërmjet dijes (profanes) dhe të shenjtes (sakrales) në sistemin arsimor, duke u liruar nga rrënjët religjioze të tyre. Humanizmi shekullarist e ngadhënjeu fenë dhe shkollat i shndërroi në “kisha shekullare”.
Universalizimi dhe globalizimi i arsimimit dhe edukimit sot zgjeron edhe fushat e ndikimit të dijes në formësimin e botës dhe jetës.
Po ashtu, zgjerimi enormë i dijes në botën aktuale rrit mosdijen njerëzore. Shumica e njerëzve nuk kanë mundësi t’i mësojnë njohuritë e reja nga laboratoret, institutet dhe qendrat hulumtuese. Ky imtësim e thellim i dijes, e copëton tërësinë e botës dhe të jetës në pjesë të palidhura, dhe, edhe pse rrit informacionet, megjithatë ndikon në mjegullimin e së vërtetës. Madje, termi “e vërteta” në shkencë është fjalë “demode”.
Pra, në aspekt të arsimimit dhe të edukimit, muslimanët sot në përmasat botërore gjenden para sfidave komplekse. Ata gjenden ndërmjet kujtesës së tyre të zgjuar për traditën e tyre të madhe fetare, kulturore dhe arsimore dhe mosgjeturisë para të arriturave qytetëruese-teknologjike perëndimore.
Në pamundësi që të “ikim” nga kjo anije në mes të detit, në pamundësi për përgjigje të plotë, sepse pjesërishmëritë nuk mjaftojnë, na mbetet që të ofrojmë argumentet, dijen, këshillat tona për të cilat pretendojmë se i posedojmë dhe se kemi të drejtë.
II.
Si të bëhet ky ofrim i vlerave, ky argumentim provash, ky prezantim ideshë nga ana jonë?
Përgjigjja është tejet e rëndë dhe vërtetë komplekse. Ndryshimet e mëdha politike, ekonomike, gjeo-strategjike dhe kulturore, Kosovën në përgjithësi dhe Bashkësinë Islame në veçanti, e sjellin në pozitë çfarë e ka pasur mbase pas largimit të Perandorisë Osmane më 1912, kur Kosovën, pjesën më të madhe të trojeve shqiptare dhe rajonin e okupoi Serbia dhe blloku ortodoks. Sipas mendimit tim, me rëndësi parësore është edukimi dhe arsimimi, ndaj Bashkësia Islame gjendet para mundësive dhe sfidave serioze.
Meqenëse ky diskutim nuk ka për qëllim dhe as nuk mund të elaborojë çështje kaq komplekse dhe multidisiplinare, do të fokusohemi në rolin dhe mundësinë që mund të ofrojë revista jonë e respektuar, Edukata Islame.
Duke u mbështetur në traditën e emrit të saj dhe asaj që me fjalën edukatë nënkuptojmë, revista Edukata Islame do të duhej të shtronte ide, sugjerime e pse jo edhe projekte konkrete në këtë rrëmujë idesh e veprimesh të provenienacave të ndryshme. Por, këto porosi apo ide duhet të jenë intelektuale dhe thellësisht të studiuara. Mendoj se roli i revistës Edukata Islame duhet kërkuar jo në kthimin formal e shterpë në burime, jo kthim në rrënjët shpirtërore, shoqërore, politike dhe qytetëruese, jo në kthimin fizik dhe sipërfaqësor në burime, por as në kultivimin e shtresimeve të dëmshme kohore. Edukimi dhe arsimimi nga revista Edukata Islame duhet të bëhet duke u udhëhequr nga burimet dhe kujtesa konstitutive dhe interpretuese dhe duke shfrytëzuar të gjitha metodat diturore. Duhet pasur parasysh edhe këtë se procesi i vetëdijësimit nuk bën të shtrihet vetëm në rrafshin emocional, as shpirtëror, por tërësisht në të gjitha aspektet dhe sferat.
Mendoj se revista Edukata Islame në rrugëtimin e saj të ardhshëm duhet të bazohet në disa faktorë relevantë:
- Politika redaktuese e revistës duhet të vazhdojë të bazohet në vlerat e mirëfillta fetare. Feja në revistë duhet të jetë natyra themelore që njëmendëson raportin njeriu-Zoti. Dinamika e fesë në revistë duhet të rrjedhë nga njëmendësia e gjallë e fjalëve hyjnore, që përfshinë në veprimin e vet të mëvonshëm rritjen kozmo-historike të njeriut dhe botës. “Teologjia” në revistën Edukata Islame duhet të luajë rolin që diturisht të verifikojë dhe ndriçojë të gjitha format kreative të fesë dhe të përcaktojë të gjitha drejtimet në të cilat lëviz gjeniu i saj shpirtëror i gufuar, duke nxitur kështu edhe rritjen vetjake, praninë dhe kongjenialitetin në çdo çast historik dhe në çdo brez.
- Politika redaktuese duhet të jetë gjerë e hapur për botën e njeriut bashkëkohor dhe seriozisht t’i qaset shqyrtimit të të gjitha përvojave që fryma njerëzore i ka sajuar në vetë/zhvillimin e saj. Kjo është e nevojshme që të mund t’i kuptojë shenjat e kohës së vet, rrjedhat e transformimeve më të reja në të cilat hynë bota aktuale, sepse vetëm kështu teologjia denjësisht mund ta kultivojë praninë e Porosisë hyjnore dhe pejgamberike në shenjat përkatëse dhe ta ndërtojë atë në perspektiva të reja të botës bashkëkohore.
- Nëse shqiptarët, pra edhe revista Edukata Islame, dëshirojnë të marrin pjesë barabarësisht në kulaçin botëror, duhet të edukojnë teologë, intelektualë dhe ekspertë të atillë të cilët do të dijnë të integrojnë në pikëpamjet e tyre çdo gjë që është pozitive në përvojën aktuale botërore, në çka bën pjesë edhe parimi i personalitetit dhe individualitetit të njeriut modern, në të cilin duhet futur vlerat etike, estetike dhe aksiologjike të Islamit, nga të cilat njeriu modern gjatë kohë është i privuar.
Në fund, revista Edukata Islame do ta arrijë synimin e vet nëse do të dijë të shqyrtojë dhe të korrespondojë me rrethanat e ndryshuara në Kosovë e rajon, me rrethanat e ndryshuara politike dhe ekonomike, të korrespondojë konformë ndryshimeve politike-juridike të fesë dhe të Bashkësisë Islame në Kosovë, nëse do të dijë të korrespondojë dhe komunikojë me nevojat e besimtarëve dhe të organeve e institucioneve të Bashkësisë Islame, me mediumet e shkruara dhe elektronike në vend dhe me gjerë, nëse do të dijë të komunikojë me pluralizmin, ekonominë e tregut, nëse do të dijë t’u përgjigjet integrimeve evropo-perëndimore dhe sfidave të vlerave tradicionale dhe sektare ndër muslimanët në Kosovë, në trojet gjithëshqiptare dhe me gjerë.
Të nderuar, tema është e gjerë dhe mund të thuhet edhe shumëçka, por mendoj se revista Edukata Islame është në binarë të mirë të rritet në një institucion në vete, në personalitet në vete, të ketë identitetin e vet. Për ta arritur këtë synim asaj i duhet ndihma e të gjithë neve.
Prishtinë,
26. 03. 2008
Diskutim rasti më 26. 03. 2008, i mbajtur në Kryesinë e BIK në Prishtinë, në Tryezën lidhur me ecuritë e revistës Edukata Islame.