Pa brigje dhe pa majtas e djathtas - Jeta dhe vepra Milazim Krasniqit -



I. Si e njoh autorin



Dr. Milazim Krasniqi (1955, Prishtinë) aktualisht është njëri ndër intelektualët më të dalluar dhe më të frytshëm shqiptarë. Ai dallohet në poezi, dramë, roman, publicistikë, analiza politike, e kohëve të fundit dallohet edhe me studime në fushën e islamologjisë. Ai ka dhanti të rrallë për të observuar, për të perceptuar, për të rrëfyer lehtë, qartë dhe thjeshtë. Me një lehtësi magjike dhe mahnitëse ai futet dhe depërton në sferat më të errëta, në labirintet e historisë dhe të historisë së mendimit njerëzor. Dr. Milazimi është natyrë krijuese nga e cila rrezaton heshtje dhe qetësi e brendshme, urti mirëkuptimi për njeriun dhe botën, njësoj si guximi intelektual për t’i emërtuar gjërat vetëm me emrin e vet. Perspektiva nga e cila i artikulon dr. Milazimi observimet e veta, rrezaton intelektualin që është larg ngasjeve për zhurmë e pikanteri, larg etjes për të qenë i pranishëm e për t’u rënë në qafë të tjerëve.





II. Vepra “Dhuna dhe qytetërimi perëndimor – Islami

si fillim i historisë”



Libri më i ri i dr. Milazim Krasniqit Dhuna dhe qytetërimi perëndimor – Islami si fillim i historisë, i botuar nga Logos-A në Shkup, ditëve të fundit, sjell reflekse që zateten dhe fërkohen me probleme nga e kaluara dhe përditshmëria botërore, rajonale dhe shqiptare, me personalitete, me elitë dhe me fundërinë politike, kulturore e morale. Vepra me vëllimin që ka paraqet tërësi homogjene e përmbajtësore dhe shtrihet brenda disa njësive – nëntitujve. (…)











III. Disa përsiatje rreth përmbjajtjes së veprës



Islami si çelës i konceptimit të drejtë



Do të filloj nga citati i dr. Milazimit, se “pa frymëzimin me burim islam kurrë nuk do të arrija të kuptoja esencën e deformimeve dhe nuk do të mund të propozoja zgjidhje të drejta,” (fq. 9) për t’i shtuar këtij citati se këtë gjendje mund ta vërejnë vetëm njerëzit që gjithnjë janë në shërbim të dijes në emër të Zotit.

Në vitin 2001, pas leximit të një raporti nga Rojtersi, në të cilin thuhet se “dhuna është pjesë e brendshme e qytetërimit perëndimor dhe se ajo ishte edhe një faktor i progresit të këtij qytetërimi.” (fq. 9), dr. Milazimi, me sens prej analisti, filloi të meditojë e analizojë. Dhuna individuale apo institucionale e përditësuar, e shtyri autorin që t’i qaset më seriozisht temës së dhunës, burimeve të dhunës, bartësve të dhunës, reflektimit të saj në histori, kulturë, përditshmëri etj.etj.. Preokupimi i autorit dha edhe rezultatin që e kemi para nesh, një vepër të shkëlqyeshme, që u ngjason krijimeve të bejtexhinjve.

Por, i vetëdijshëm se rezultatet e hulumtimit dhe meditimet e tij mund të keqinterpretohen si “antiperëndimore”, autori thekson se ky studim nuk ka atakuar çdo gjë perëndimore, por vetëm ato segmente që “gjenerojnë dhunë.” (fq. 10).





Kushtet që Perëndimi të dalë nga kaosi i dhunës



Kriza e gjithëmbarshme në Perëndim është e qartë për të gjithë. Shumë autorë e intelektualë evropianë kanë dhënë diagnostifikim të saktë se Perëndimi është në greminë të sigurtë (O. Spengleri, M. Hajdegeri, Zh. P. Sartri, R. Garodi, R. Genon etj.).

Dhe në vend që Perëndimi të ndjekë terapiumin përkatës: efikas dhe afatgjatë, të përshkruar nga intelektualët, Perëndimi zgjodhi sërish rrugën e dhunës si dalje nga kriza. Sipas bindjes sime autori me të drejtë identifikon dhe refuzon reçetat e ofruara nga autorët si S. Hungtingtoni (i cili shpall “përplasjen e qytetërimeve”) dhe F. Fukujama (i cili profetizon “fundin e historisë”). Këta dy autorë të njohur, që shkruajnë sipas porosisë së qendrave të ndikimit dhe idetë e tyre i propagandojnë me tërë mekanizmat e mundshëm, i shërbejnë dominimit dhe eksploatimit të mëtejmë të botës, sidomos të dominimit dhe eksploatimit të botës islame. (fq. 13).

Autori fokusohet në dukurinë e dhunës aktuale të shkaktuar nga Perëndimi, për të pohuar se ajo është një vazhdimësi e dhunës perëndimore që nga kohët e lashta. Filipinet, Kashmiri dhe Xhamu, Çeçenia, Iraku, Afganistani, Bosnja dhe Kosova janë vetëm disa ekzemplarë jo vetëm për eksploatimin ekonomik por edhe për ridisenjimin gjeopolitik të proveniencës kulturore historike muslimane, me koncepte të qarta deislamizuese. (fq. 15). Këtë e shohim qartë nga fjalët e H. Kolit gjerman se “Turqia muslimane nuk mund të bëhet pjesë e Europës kristiane” apo nga fjalët e Zhan Shirakut se “Turqia duhet të bëjë ndryshime kulturore për të dëshmuar vlerat që e lidhin me kontinentin evropian.” (fq. 16).

Diplomati turk Abdullah Gyl u përgjigj në këto deklarata islamofobike: “Në kohën e luftës së ftohtë, ne ishim ata që i mbronim interesat e Europës, ndërsa matanë perdes së hekurt ishin shtetet që tash janë në Bashkimin Evropian dhe që tash vendosin për fatin tonë”. (fq. 16).





Faktorët që ndikuan në konfrontimin Islam – Perëndim janë:



Në vazhdim autori shtron meditimet e tij rreth faktorëve që e konfrontuan botën perëndimore me atë islame. Ai mendon se aktualisht janë dy faktorë esencial që i tensionojnë raportet ndërmjet veti:

1) Nacionalizimi – si prodhim perëndimor që filloi të importohet gjatë shek. XIX-XX dhe;

2) Demokratizimi i vendeve arabo-islame sipas standardeve perëndimore.

Egjipti, Turqia, Tunizia, Arabia, Kuvajti, të gjitha këto dhe shtete te tjera, janë produkte perëndimore, me qeveri perëndimore, ndaj është absurd të luftohet kundër qeverive sajues të të cilave është vetë Perëndimi, pos nëse nuk janë si pretekst për dhunë të re, që në fund edhe vetë Perëndimi të bëhet viktimë e dhunës vetjake.





Para Perëndimit janë tri alternativa:



Duke analizuar krizën e thellë perëndimore në rrafshin religjioz, moral, politik, ekonomik e kulturor, dr. Milazim Krasniqi ofron edhe rrugën e shpëtimit për qytetërimin perëndimor dhe këtë e sheh para së gjithash në:

1) “Rruga e vazhdimit të dhunës që do të çojë në shkatërrimin e Perëndimit”;

2) “Rruga e partneritetit të Perëndimit me Islamin” (fq.10) dhe;

3) “Rruga e integrimit të Perëndimit me vlerat e mirëfillta hyjnore” (fq. 24),

si të vetmin program unik, të qëndrueshëm dhe shpëtimtar për njerëzit e për njerëzimin në të dyja botët.” (fq. 10).

Ndoshta këto alternativa në shikim të parë duken pak sa idealiste, pak sa utopiste, por kjo është rruga e vetme …

Është interesante teza e elaboruar e dr. Milazimit se nëse shtetet aktuale muslimane nuk kanë platformë dhe program për t’ia ofruar Perëndimit dhe nuk janë në horizont ndryshimet pozitive në doktrinat oficiele apo në ato opozitare, vallë a nuk është i mundur që ky ndryshim të bëhet në kahjen tjetër, që Perëndimi t’i qaset Islamit dhe muslimanëve. Kjo d.m.th. që:

pikërisht qytetërimi perëndimor, i transformuar nga pranimi i Islamit, të jetë bartës i një lulëzimi të ardhshëm edhe të Islamit ndër arabë dhe ndër muslimanët në tërësi.” (fq. 27).

Shembuj të tillë të suksesshëm kemi me persianët, mogullët, turqit, berberët etj..

Të themi të drejtën, kjo nuk është tezë e re si e tillë. Por, i ri, origjinal dhe sfidues për të gjithë është akcesi, mënyra e prezantimit dhe rrethanat kulturore-shoqërore kur shprehet ideja e këtillë.

Perëndimi duhet ta merrë këtë përgjegjësi me seriozitetin më të madh për hir të ardhmërisë së vet dhe të ardhmërisë botërore. Sepse, botëkuptimi perëndimor se dhuna është pjesë përbërëse e natyrës njerëzore dhe se dhuna është faktor i progresit të zhvillimit të këtij qytetërimi është absurd dhe vetëshkatërrues. Zhvillimi dhe progresi është evident në qytetërimin perëndimor, por dhuna e ushtruar gjatë kohës së romakëve, të kryqëzatave, inkuizicionit, luftërave sektare, dy luftërave botërore, luftërave rajonale, mendoj se e kanë amortizuar dhe penguar zhvillimin e vërtetë, human e moral.





Dhuna si pjesë përbërëse e Perëndimit



Dr. Milazimi ka vërejtur se kur Perëndimi posedonte fuqi ka pushtuar dhe asimiluar. Këtë gjendje të pushtimit dhe asimilimit Miniciuz Felix e ka cilësuar si vijon: “Roma ka qenë e bazuar mbi krimin dhe se ajo u zhvillua mbi bazë të mizorisë dhe të terrorit”. (T. Mastnak). Njëjtë ka vepruar edhe Bizanti. Por, kur u mungonte fuqia e mjaftueshme për pushtime, dhunën e kanë drejtuar kundër njëri-tjetrit, duke shkaktuar gjakderdhje të mëdha.

Duke u thirrur në të dhënat e Shoqatës Gjermane e Psikoanalizës …, në vitin 2001, për dhunën dhe qytetërimin, ku thuhet se “dhuna nuk është një dukuri që vjen nga jashtë, që është e huaj dhe e pashjegueshme, por duket se ajo është pjesë e brendshme dhe ndoshta me një rëndësi të madhe për qytetërimin tonë të orientuar drejt progresit.”, dr Milazimi nxjerr në pah defekte serioze në këtë përkufizim, diç janë: mëkati fillestar, natyra e dhunshme e njeriut etj. (fq. 33)

Do të vërejmë edhe ne se “e keqja” nuk trashëgohet, se e keqja nuk është kongjenitale, por e jashtme, si rezultat i tëhuajësimit të njeriut, si pasojë e shkëputjes së lidhjeve vertikale të njeriut me Krijuesin dhe lidhjeve horizontale te njeriut dhe krijesave. Kjo shkëputje apo kjo harresë e lidhjeve vertikale-horizontale edhe rezultoi paraqitjen e ideologjive më monstruoze, si racizmin, marksizmin, fashizmin, antropologjinë raciste etj. (fq. 38). Qartë, dhuna nuk prodhon progres afatgjatë e të mirëfilltë dhe zakonisht kthehet si bumerang. Degjenerimet dhe devijimet aktuale në një masë duhet kuptuar si pasojë e dhunës perëndimore të praktikuar gjatë historisë.





Burimet e dhunës …



Burimet e frymëzimit të dhunës Perëndimi i gjen në artin antik grek, në dhunën dhe në politeizmin vullgar të tyre (Iliada dhe Odiseja). Me mileniume kjo trashëgimi ka ndikuar në deformimin e botëkuptimit të shumë qytetarëve evropianë lidhur me Zotin dhe botën tjetër.

Si duket, për fat të keq, tradita greke, me gjithë dhunën, politeizmin etj. që ofronte, ishte më e afërt për evropianin se sa me monoteizmin të cilin e ofroi Isai a.s. Evropa pranoi më me dëshirë fanfarat luftarake se sa besimin monoteist. Nga evropianët më parë pranohet porosia e Kronit, babait të Zeusit, që i hante fëmijët e tij nga frika prej tyre, se sa të pranohen vlerat e mirëfillta. Evropa më parë pranoi dhunën e Zeusit që grabiti princeshën fenikase Evropën, e dërgoi në Kretë dhe bëri disa fëmijë me të (T. Mastnak), se sa dëlirësinë dhe pastërtinë morale.

Ky trend i filluar në renesansë do të identifikohet edhe në shekujt e mëvonshëm të historisë, madje deri sot (fq. 50-51). Veprat artistike ndikuan jo në katarsën e njerëzve, por në fatkeqësinë e tyre (shih jetën amerikane, fq. 63-68).

Burimi tjetër i dhunës është “shtylla judeo-kristiane”, kundër hebrenjve apo kundër vetvetes. Rritja e dallimeve mes jahudive dhe pasuesve të Isait, sidomos pas fitores së Palit, solli deri te ndarja e thellë. Kristianët akuzuan hebraikët për mundimet e Jezusit. Me këtë filloi edhe ideja antihebreje, që vazhdon deri sot. (fq. 79-80).

Shtylla judeo-kristiane prodhoi tragjedi në vetë Evropën, dhe vazhdon të prodhojë edhe tash. Imponimi me dhunë i sistemit të vlerave mbi themelet e devijimit të rëndë është tipari kryesor i frymës së Rendit të Ri Botëror me globalizmin si ideologji e re neoimperialiste. (fq. 84).

Burimi vijues i dhunës së Perëndimit në shek. XX e këndej nuk ka baza të drejtpërdrejta fetare, është dhunë laike, si pasojë e brakstisjes së fesë, largim nga programi hyjnor dhe pasojë e lidhjes së Perëndimit me botën e mitologjive politeiste antike greko-romake. (fq. 87-88). Ky model që tashmë jeton 2000 vjet është vështirë të braktiset, ndër të tjera edhe për shkak të favoreve që i ka sjellë këtij qytetërimi. Për këtë arsye, ata ndërkombëtarisht e kanë legjitimuar dhunën … (fq. 89).

Zhdukja e disa popujve të hershëm dhe mbetja e rrënojave të vendbanimeve të tyre është një argument i fuqishëm i ekzistencës dhe pranisë së ligjeve të qëndrueshme të Zotit në të gjitha zhvillimet e planetit dhe të njerëzimit në të gjitha kohët.

Është interesant që një ditë të hulumtohen hollësisht dhe gjithanshëm burimet e dhunës në judeo-kristianizëm, duke përfshirë elementin racist në Bibël (Letra e Parë e Pjetrit, II, 9; apo elementin e dhunës në Ungjill: Lluka, 9:48; Lluka, 10:16; Mateu, 12:30; Lluka, 14:15-24) dhe në veprat e njohura të teologëve judaisto-kristianë.



III. Në fund



Lexuesit, të cilëve u dedikohet kjo vepër, mbase do ta lexojnë këtë vepër edhe si obligim programor, por sa dhe si do ta kuptojnë gjuhën e veprës, çfarë përfytyrimesh dhe çfarë disponimi emocional dhe shqetësimi intelektual do të nxisë kjo vepër te lexuesi, është çështje e relacionit të dyanshëm, reciprok vepër – lexues.

Për lexim aktiv të veprës në fjalë me rëndësi vendimtare janë pashterrshmëria e reflekseve dhe impulseve që ofron vepra në kohë dhe situata të ndryshme të provokimit, aftësia e lexuesit për të provokuar dhe për të qenë i provokuar si dhe konteksti kohor historik e doktrinar brenda të cilit nxitet ky komunikim i dyanshëm. Kontakti i parë i lexuesit me këtë vepër a me këtë autor është veprimi i pleksur që, në shtratin komunikues dydrejtimesh, vë në lëvizje më shumë arterie.

Përndryshe, pas një apo pas më shumë leximesh, ndjehet se vepra është e shkruar me sinqeritet e seriozitet, me maturi e pjekuri, me ndjenjë e dashuri që ngjall mburrje e krenari, që bart vlera të mëdha, që kritikon e dënon, që jep mësime të vlefshme për të gjithë, që fton për mirëkuptim, tolerancë, bashkim, përparim e integrim bashkëkohor.



IV. Krejt në fund



Vepra Dhuna dhe qytetërimi perëndimor – Islami si fillim i historisë është një arritje e suksesshme shkencore, është një vepër që e nderon autorin por edhe sfondin e historisë politike, është kontribut feve krahasuese dhe historisë politike, filozofike dhe kulturore islame shqiptare dhe rajonale. Në dobi të vlerave pozitive të veprës vlen të shënohet edhe përgatitja teknike dhe estetike e materialit, që e bën atë më të këndshëm për lexim, më të lehtë në përdorim e më të kuptueshëm në përmbajtje. Për botimin cilësor shkencor e teknik duhen përgëzuar për kontributin e tyre stafi i Logos-A në krye me drejtorin dhe bashkëpunëtorët tjerë.

Ju falëmnderit për durimin që patët!

Mbetshi në paqën dhe mëshirën e Allahut të madhëruar.



Promovimi i veprës në Shkup - Klubi Kulturor “ELITA”

02. 06. 2006



RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme