Besimi islam dhe Shejh Gazaliu

Vepra “Besimi i myslimanit” sikur edhe mbi dyzet veprat e Shejh Muhammed el-Gazaliut, ofron përmbajtje mjaft të pasur e cilësore, shtron ide të llojllojshme, të dhëna shkencore, ndonëse disa prej tyre me relevancë hipotetike që kërkojnë revidim dhe korreksion. Shumë çështje, që gjatë historisë janë imponuar si të rënda dhe vështirë të zgjidhura, Shejh Muhammed el-Gazaliu, është orvatur t’i elaborojë e t’i analizojë në bazë të metodave të pranueshme dhe, pak a shumë, të njohura. Është mendim i përgjithshëm se në këto në masë të madhe ia ka dalë.

Muhammed el-Gazaliu është marrë fillimisht me çështje ekonomike, sociale, politike, me çështjen e ateizmit dhe kapitalizmit, e më vonë edhe me temat më të rënda: me fenë dhe jetën, besimin, moralin, siren (jetëshkrimin e Muhammedit a.s.), thirrjen, të drejtat e njeriut (në disa vepra).

Preokupimi dhe veprat e shkruara e rangojnë Muhammed el-Gazaliun (1917-?) në rangun e figurave çfarë janë Muhammed Sheltuti, Muhammed Ebu Zehre, Jusuf Musa, Hasan el-Benna, Jusuf el-Kardavi e të tjerë, nga të cilët ka mësuar, kurse më vonë është shoqëruar me disa prej tyre dhe ka punuar me ta. Botimet, ribotimet dhe tirazhet e veprave të tij, spektri i temave që trajton, interesimi për personalitetin e tij nëpër konferenca shkencore islame, i shtyjnë biografët e tij të thonë “Është mbrojtës i Islamit me dijen, mendimin, shkrimin dhe kuvendimin e tij. Ka përkthyer dhe ka artikuluar atë që është në mendimet dhe zemrat tona. Qe burgosur dhe internuar nga Egjipti. Populli e donte dhe për të, dy herë, janë organizuar demonstrata masive në tërë Egjiptin, që e detyruan qeverinë të kërkonte falje publikisht.”


II



Ndonëse vepra “Besimi i myslimanit” (Akidet’ul-muslimi) është shkruar para dy decenjesh, ajo nuk ka pushuar të jetë aktuale, inspirative dhe instruktive edhe për kohën tonë. Vepra përbëhet prej tetë kaptinave dhe shumë nënkaptinave. Muhammed el-Gazaliu, në stilin e njerëzve të ngritur pohon për veten: ”Nuk paraqes diçka të re në këtë fushë, por unë zbres në logjikën e provave, për të përfituar nga vërtetësia e ngjarjeve të ndryshme të historisë islame dhe me qëllimin e vetëm për të ecur sipas udhëzimit për në rrugën e drejtë, të shprehur në tekstet e Kur’anit e të haditheve të Muhammedit s.a.v.s.”. (Shih: Muhammed el-Gazali, Besimi i myslimanit, Shkup, 2001).

Shejh Muhammed el-Gazaliu në masë të madhe arriti të ngrihej, t’i kapërcente dhe t’u shmangej shablloneve tradicionale të sunizmit apo të mu’tezilizmit dhe të vendoste relacione të reja në të perceptuarit dhe të konceptuarit e Qenies së Zotit. Kjo veçan manifestohet në përzierjen e “të vërtetave shkencore” në horizontet religjioze, në gjykimin e jashtëshkencores me shkencoren, që manifeston pasqyrën e plotë të gjendjes së apologjetikës islame si teologji e vdekur, që nuk ndjek ritmin dhe rrjedhat e jetës.

Shejh el-Gazaliu me akribi të veçantë arriti të dëshmonte se këto sisteme të koncepteve teologjike nuk kanë më vlerë për ata që posedojnë formimin intelektual tjetërfare. Shkencës bashkëkohore, pohon ai, duhet t’i qasemi me plot respekt, pa rënë nën ndikimin e racizmit scientistik, pa dështuar logjikisht me shqyrtimin e ateizmit, siç ndodh shpesh tek shumë autorë, kur dihet se ateizmi është i vonshëm, ndërsa feja është paraekzistenciale dhe metahistorike. Edhe në këtë vepër, kur flitet për ajetet kuranore mbi Zotin, tërthorazi , nuk harron të theksojë se ata potencojnë dijen negative për Zotin, sepse dija në domen të ontikes nuk miraton kurrfarë metode eksperimentale, apo përvojë pozitive, empirike, që e sendërton mendja pozitiviste, që paraqet paradoks logjik.

Në veprën e Shejh el-Gazaliut “Besimi i myslimanit” ndarja ndërmjet Qenies dhe atributeve nuk ekziston. Ndarja duket e tillë vetëm në rrafshin teorik. Qenia është unike në vete, kurse në jashtësi manifestohet në shumësi formash ekzistenciale. Ky unitet nuk ka ndodhur sipas parimit të negacionit të negacionit të Engelsit, as sipas parimit të dialektikës si evolucion linear, po kjo është sintezë e gjithëkuptimit, të të gjitha mundësive që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por harmonikisht korrespondojnë dhe krijojnë gjithëkuptimin e pashtershëm të mundësive të pafundme. Kjo përjetohet vetëm kognitivisht, e racionalisht kurrsesi nuk dëshmohet dhe nuk argumentohet me dëshmi racionale: ontologjike, gnoseologjike, teleologjike dhe kozmologjike. Zoti i dëshmuar është Zoti i krijuar, i personifikuar (kristian dhe filozofik). Ai, në të vërtetë, nuk është Zot, ose është Zot në minus, Zoti në përfytyrimin negativ njerëzor, e jo Zot në dijen negative mbi Të, që krijon kualitetet e mendimit pozitiv në mendje. “Dëshmitë mbi ekzistimin e Zotit qysh moti në tërësinë e vet janë dokument madhështor. Por, nëse dëshmitë mbi ekzistimin e Zotit si shkencor, janë dëshmi obligative në kuptim të matematikës ose shkencave empirike, atëherë ata janë të gabueshëm. Zoti i dëshmuar nuk është Zot, por do të ishte vetëm një nga gjësendet në botë. Dëshmitë e a. q. mbi ekzistimin e Zotit, burimisht fare nuk janë dëshmi, por rrugë të vetëdijësimit ideor. Dëshmitë mbi ekzistimin e Zotit, që janë trilluar dhe përsëritur me mijëra vjet në variante të ndryshme, në të vërtetë kanë karakter tjetër nga dëshmitë shkencore. Ato janë dëshmim ideor i përjetimit të ngjitjes së njeriut drejt Zotit”. (Karl Jaspers, Filozofija egzistencije, Beograd, 1973, fq. 153 – 154). Çështje tjetër me rëndësi që përshkohet në veprën “Besimi i myslimanit”, është karakteri i fesë, besimit (el-iman). Feja sipas natyrës së saj autentike, është mbinatyrore, sepse është dhuratë e Zotit, kurse sipas natyrës së saj tokësore, është natyrore, sepse është profanizuar nëpërmjet ligjësive kozmike dhe në poret e të gjitha llojeve të jetës së njeriut. Domeni i saj është i shtrirë në dy rrafshe dhe njëkohësisht shtrihet në kozmos dhe në metakozmos, në rrafshin qiellor dhe tokësor. Polet e dalluara qartë të fesë, janë Zoti dhe njeriu, kurse në mes tyre janë bota engjëllore, shtazore, bimore dhe minerale, me se edhe mbaron vertikalja ekzistenciale e rendit zbritës – dëftues në domenin përmbajtësor të nocionit fe. Në rrafshin horizontal të fesë, ku nuk dominon ekskluzivisht diktati i simpatisë hyjnore ndaj botëve … barabarësisht është i pranishëm edhe ritmi i përgjigjes njerëzore ndaj provokimit të fesë, nga Zoti të dhuruar, ritëm të cilin e profilizon gjeniu shpirtëror i njeriut. Besimi si gjendja më e lartë e mëshirës hyjnore dhe parathemel teomorf i natyrës së njeriut, i prehur në zemrën njerëzore si tempull i Frymës së Zotit dhe në shpirtin e njeriut si në teatrin shpirtëror të Vullnetit ndodhës hyjnor, është plotnia dhe mbarimi i përkryer i vertikales së Frymës shpirtërore brenda vertikales së natyrës njerëzore. Natyrën fundamentale të vertikales së frymës hyjnore e njohim në kualitetin e nocionit Sophia perennis (el-hikmetu el-ladunijjetu), kurse natyrën fundamentale të vertikales së shpirtit të njeriut e njohim në kualitetin e nocionit Religio perennis (ed-din ed-daim).

Sophia perennis shënon rrënjën qiellore të fesë (imanit) ndërsa religio perennis shënon vendosjen tokësore të fesë (imanit). Islami është tradita tokësore e Mesazhit, fryma e saj historike, leximi i saj meta-logjik në diskursin logjik tokësor, aktualizimi etik brenda teatrit natyror të njerëzishmërisë së njeriut dhe njëmendësimi estetik brenda portretimit të gjithmbarshëm historik të atij synimi fundamental të fesë si të tillë “që njeriu të rritet deri tek masa e Frymës hyjnore.”

Imani është intuitë qiellore e natyrës burimore njerëzore, kurse Islami është institucion i tij historik. Imani është fe ligj sipas Frymës hyjnore (el-hakikatu), kurse Islami është fe ligj (esh-sheriatu) sipas natyrës makrokozmike dhe mikrokozmike. Imani si veprim shënon nxjerrjen e frymës (ruh) sonë jashtë në botë dhe portretimin e gjeniut tonë të brendshëm të besimit në pëlhurën e njëmendësisë sonë të përditshme jetësore. Mirëpo, kjo mund të arrihet vetëm me angazhimin dhe fuqinë tonë mendore të kapërcimit tonë metafizik, por barabar me këtë edhe me fuqinë e virtytit tonë të njëmendtë në fushën e fe-ligjit (el-islam) dhe të religjionit praktik (ed-din), dhe kjo gjithnjë me urtësinë e besimit, praktika amshuese e mendimit (hadith) dhe mendimi i praktikës (sunna) të të cilave janë dhënë përgjithnjë në përsosurinë shpirtërore e morale të personalitetit të Pejgamberit a. s. dhe në jetën e tij të virtytshme të besimtarit dhe të pejgamberit. (Shih: R. Hafizoviq, Teoloshki traktati – O naçelima islamske vjere, Sarajevë, 1996, fq.9-26).



III


Shejh Muhammed el-Gazaliu ishte, po ashtu, edhe në rrjedha të politikës botërore. Këtë e vërejmë gjatë elaborimeve të ideve e tezave të ndryshme: analizon me kompetencë lëvizjet brenda Islamit dhe jashta tij gjatë historisë, që nga kulturat e qytetërimet e lashta, nëpër atë greke e deri tek ideleogjitë moderne.

Por, ai ishte në rrjedha edhe të aktualitetit; përcillte edhe konfliktet nëpër provinca, po me karakter strategjik. Ndonëse në moshë të shtyrë, e mbështeti luftën e drejtë boshnjake kundër “armiqve të Zotit”, siç i quan ai serbët, dhe popullin boshnjak e krahason me atë në Çeçeni, Palestinë, Kashmir, Filipine etj. Për luftën e drejtë, sikur edhe kjo jona, në trojet shqiptare, më 6-8. 10.1995, thotë: “… Unë jetoj në kohën e turbulencave dhe dridhjeve të mëdha që e sprovojnë Islamin me të gjitha metodat, të vjetra e të reja. Unë në tërësi solidarizohem me këmbëngulësinë e mbrojtësve, me durimin e të persekutuarve dhe të të gjithë atyre që dëshirojnë ta ngrenë zërin e unitetit, por edhe me ata që nuk gjunjëzohen para presioneve me të cilat ballafaqohet Islami…”. (Letra e tij drejtuar Simpoziumit shkencor në Zagreb “Islamski svijet danas”, Zbornik radova, V, Zagreb, 1995, fq. 25–26.).



IV


Duhet të them edhe disa çështje rreth anës teknike të veprës. Përkthimi i veprës është i lexueshëm, është respektuar norma letrare, por çështja e përkthimit të ajeteve kuranore nuk është në rregull. Askund nuk shënon nëse ajetet janë përkthim i lirë i përkthyesit, apo është mbështetur në ndonjë prej përkthimeve tashmë të botuara. Pastaj çështja e terminologjisë nuk është e unifikuar as brenda librit. Me përjashtime të vogla, kjo është sëmundje e tërë literaturës islame ndër ne në gjuhën shqipe. Veprat që kanë vëllim, medoemos duhet të përgatiten edhe me indekse të veçanta: të emrave të përveçëm, të vendeve, të nocioneve etj. për t’ia lehtësuar përdorimin lexuesit, kurse shkencëtarit për t’ia shpejtuar punën. Në fund, nuk është e qartë se kush është botues i kësaj vepre, MDI, apo Furkan ISM apo dikush tjetër? Ekzistojnë rregullat: në kopertinë mund të figurojë: Autori, titulli i veprës, vendi dhe viti i botimit, e më rrallë edhe përkthyesi, nëse vepra është e përkthyer, dhe ndonjë ilustrim. Në raste të veçanta, jubilesh, shënohet edhe diçka tjetër. Sponsorët mund të shënohen në brendësi apo në fund të librit … e jo të krijohet paqartësi. Veprat e Shejh Muhammed el-Gazaliut vlejnë të përkthehen në gjuhën shqipe. Ato do ta pasurojnë mendjen dhe zemrën tonë dhe do të na ndihmojnë t’i kuptojmë sprovat e kohës.



http://www.forumishqiptar.com/archive/index.php/t-11602.html

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme