Akaidi Islam Hanefij shtyllë e pasuesve të sunnetit dhe xhematit në historinë islame

Mirëpo, para se të flasim për idetë e Imam Ebu Hanifes, e shoh të arsyeshme t’i theksoj kalimthi disa karakteristika themelore të doktrinës së tij, pa njohjen e të cilave do të varfërohej dhe keqkuptohej njohja e opusit të Imamit.
Karakteristika themelore e Imam Ebu Hanifes është se ai njeriun e ngre në nivel të njeriut, të halifit të Allahut në tokë, i cili e ‘adhuron’ Krijuesin e jo njeriun dhe njerëzoren. Në vendin qendror e vë parimin e tewhidit – monoteizmit dhe mohimin e ngjashmërisë antropomorfe të Allahut me çfarëdo krijesë e gjësendi.
Karakteristika e dytë e doktrinës së Ebu Hanifes është përgënjeshtrimi i mendimeve heretike dhe sektare të eternalistëve, të mu’tezilitëve (të cilët qenë afruar afër nominalizmit indus), të kaderitëve, xhebritëve, xhehmitëve etj.
Imam Ebu Hanifeh shkencën e akaidit nuk e kupton si shkencë statike, që e tha fjalën e vet në fëmijërinë e saj, por e kupton shkencë dinamike, e cila zhvillohet gjithmonë me njeriun dhe nevojat e tij jetësore, shkencore, kulturore dhe qytetëruese. Akaidi, sipas tij, e kultivon jetën e njeriut, e mbron dhe e shpjegon fenë dhe e bën njeriun ta shpresojë shpërblimin në botën tjetër.

II. Disa përsiatje rreth përmbajtjes së veprës

Në këtë frymë duhet kundruar edhe veprën Akaidi hanefij të autorit tonë të nderuar. Në mungesë të kohës, do t’i trajtojmë vetëm disa tema sa më shkurtë që mundemi.





1. Tevhidi - Monoteizmi

Besimi se Allahu është Një e Absolut është parim themelor i mësimit islam. Ky parim konsiston në të njohurit e Krijuesit me atributet e Tij të përkryera, që tregon në Unitetshmërinë dhe Njëjtësinë e Tij absolute.
Këtë parim na demonstron edhe Ebu Hanife por edhe shpjeguesi Orhan Bislimaj, duke elaboruar termin tewhid. (fq. 72 e tutje).
Përmbledhazi, parimi i tewhidit gjatë historisë njeh tri mënyra të raporteve ndërmjet Krijuesit dhe krijesës:
- Uniteti i Qenies absolute;
- Uniteti i respektit të Qenies absolute;
- Uniteti i atributeve të Qenies absolute.
Meqenëse dy parimet e para janë të pranishme edhe në dy fetë e tjera monoteiste, pika e tretë është karakteristike vetëm për Islamin. Mosuniteti i këtyre tre elementeve rezultoi me lindjen e institucionit privilegjues të “klerit”, “të priftërisë” etj.
Duhet theksuar se Ebu Hanife i është shmangur theksimit të dëshmisë për ekzistimin e Allahut, sepse ekzistimi i Allahut është mbjellë në natyrën e pastër, në të cilën njerëzit linden, kurse pejgamberët janë dërguar vetëm t’ua shpjegojnë njerëzve tevhidin. Për këtë arsye, të gjithë ata kanë ftuar njerëzit të dëshmojnë se “nuk ka hyjni tjetër pos Zotit”, me të cilën maksimë edhe hyhet në fe por nuk kanë ftuar “të dëshmojnë se Allahu ekziston”.

2. Sifatet – Atributet e Allahut

Në këtë kapitull autori shtron aspekte të gjithanshme të temës. Krahas shpjegimeve gjuhësore ai shtron edhe aspekte kuptimore.
Është e qartë se gjuha njerëzore nuk ka aftësi shprehëse ta sqarojë natyrën e cilësive të Zotit në mënyrë që mos të tërheqin idenë e krahasimit me cilësinë e njeriut. Megjithatë, për perceptimin njerëzor Zotit duhet t’i atribuohen Emra dhe Cilësi të caktuara. Të gjitha atributet e Zotit janë dhënë njëherë e përgjithmonë, nuk kanë as fillim as fund dhe nuk ngjasojnë me atributet e njerëzve. Zoti krijon jo nga nevoja për Vete, por për nevojë të krijesave; sepse po të krijonte nga nevoja vetjake, kjo do të nënkuptonte plotësimin e mangësive, cilësi kjo e papranueshme për Krijuesin Absolut.
Raporti ndërmjet qenies hyjnore dhe cilësive të Tij është shumë i ndërlikuar sa arsyeja njerëzore këtë çështje nuk mund ta zgjidh në mënyrë të kënaqshme. Ne duhet të besojmë se Zoti është Një, se posedon cilësi të cilat Ai vetes ia përshkruan, besojmë pa krahasim, ngjasim dhe pyetjet si. Nuk do të shkojmë më tutje nga pohimi se Cilësitë nuk janë identike me qenien e Tij por nuk janë as të ndara nga qenia.
Këtë problem të rëndë besimor, autori e trajton në dhjetëra faqe dhe, mendoj, se e ka zbëthyer me sukses atë lëmsh të ngatërruar të historisë së akaidologjisë muslimane. (fq. 113 e tutje)





3. Kur’ani është fjalë e Allahut

Ebu Hanife, sikur edhe nxënësi i tij Maturidiu, pohon se “Shqiptimi ynë i Kur’anit është i krijuar, shkrimi dhe leximi ynë i Kur’anit është i krijuar, ndërkaq vetë Kur’ani (si të folur i Zotit) nuk është i krijuar.”
Fjala e Zotit (Kelam’ull-llah), si cilësi është e amshueshme pa ngjashmëri dhe krahasim me cilësitë e krijuara. Vetë natyra e të Folurit e Zotit nuk është e njohur, por është e sigurtë se kjo cilësi e të Folurit të Zotit nuk mund të përbëhet prej zërave, tingujve dhe shkronjave ngjashëm me të folurit e njeriut sepse zerat, tingujt dhe shkronjat janë të krijuar. Sipas tij, vetëm kuptimet të cilat janë shprehur me fjalë mund të quhen të Folur të Zotit. Sipas kësaj, Musai a.s. nuk e ka dëgjuar të Folurit e amshueshëm, por Zoti xh.sh. i ka mundësuar Musait a.s. ta dëgjojë dhe kuptojë të Folurit e Zotit me anë të fjalëve dhe zërave të krijuar.
Edhe Ebu Hanife edhe Maturidiu refuzojnë idenë e disa grupimeve minore të cilët e identifikojnë Kur’anin e shpallur me cilësinë e amshueshme të Zotit sepse këta ndajnë fjalët dhe shkronjat nga vetë cilësia e Zotit.
Autori Orhan Bislimaj, në faqet 158-177, me seriozitet e trajton këtë çështje, me shkathtësi e shkoqitë këtë problem dhe, kam bindjen, në mënyrë efikase e prezanton, pikërisht në frymën e shkollës hanefite - maturidite - tahavite.

4. Parimi i racionalitetit si parim metodologjik dhe element
ndërtues i mësimit islam

Racionaliteti, si parim metodologjik, është element ndërtues i thelbit të mësimit islam. Përpjekjet e ndryshme puritaniste brendamuslimane për mohimin e rolit të arsyes (el-akl) në tërësinë islame të shekujve të pare, këtë trend puritanist antiracionalist e përgënjeshtron dhe e refuzon edhe shkolla më e madhe juridiko-akaidore hanefite-maturidite, por edhe shkolla të tjera gjatë historiesë muslimane.
Racionaliteti, si parim metodologjik dhe element ndërtues i thelbit të mësimit islam, përbëhet prej tre rregullave ose ligjeve:
1. Refuzimi i çdo gjëje që nuk korrespondon me njëmendësinë: Rregulli i parë e mbron muslimanin nga të menduarit e pabazuar, nga shqiptimi të çfarëdo thënie të paverifikuar, të pakonfirmuar mbi dijen. Thënia apo pohimi i pakonfirmuar, sipas Kur’anit, është shembulli i dijes mashtruese (dhann-it), apo, të cilën si të tillë Allahu e ka ndaluar, sa do i vogël të jetë objekti i saj.
2. Mohimi i kundërthënieve skajore: Rregulli i dytë e mbron muslimanin nga kundërthënia e thjeshtë dhe nga paradoksi. Racionalizmi nuk është primat i arsyes mbi shpalljen, por refuzimi i çfarëdo kundërthënie skajore ndërmjet tyre. Racionaliteti rishtazi i studion tezat kontradiktore për t’i eliminuar raportet kontradiktore, e shpie lexuesin e shpalljes në leximin e radhës, të bindur se i është shmangur diç e fshehtë dhe e paqartë dhe me këtë do të shmangte ndonjë kundërthënie në perceptim apo interpretim njerëzor.
3. Çiltëria ndaj dëshmive të reja dhe / apo të kundërta: Ky rregull mbron muslimanin nga literalizmi, fanatizmi dhe konservatorizmi, të cilat e shkaktojnë stagnimin. Ky rregull ia mëson muslimanit modestinë intelektuale duke e mësuar që pohimeve dhe mohimeve të tij t’ia shtojë sintagmën All-llahu a’lem (Allahu e di më së miri), i bindur se e vërteta është më e madhe se sa mundësia e tij për ta kuptuar atë në tërësi. Nisur nga fakti se Zoti është krijues i natyrës nga i cili njeriu e mëson dijen e tij, është e qartë se ekzemplarët e natyrës janë vepër e Zotit.

5. Ç’është imani – besimi?

Ndonëse kjo çështje është konsideruar aktuale për kohën e Ebu Hanifes dhe e kapërcyer, nën trysninë e doktrinave rigjide, kjo temë kohëve të fundit është gjallëruar.
Ebu Hanife nuk ndoqi skajet, por rrugën origjinale, duke theksuar se besimi dhe veprat janë gjera të ndara. Këtë problem të rëndë, autori i veprës në fjalë e shtron me seriozitet të madh. Ai së pari shtron kuptimet etimologjike dhe terminologjike të nocionit “iman”. Po ashtu, ai bindjet e tij i argumenton me ajete kur’anore, me hadithe të Muhammedit a.s., por edhe me autorë të shkollave të ndryshme, duke i theksuar edhe mendimet kundërshtuese. Në fund thekson argumentet e Ebu Hanifes se “Besimi është deklarimi me gjuhë dhe besimi me zemër”.(fq. 388 e tutje).

6. Imani është një, as nuk shtohet as nuk pakësohet

Ndër çështjet që më së shumti është përfolur nga kundërshtarët e Ebu Hanifes – nga tradicionalistët ekstremë dhe disa shkolla të tjera, është pohimi i Ebu Hanifes se “Imani është një, as nuk shtohet as nuk pakësohet.”
Duke u nisur nga kuptimi sipërfaqësor i disa ajeteve, tradicionalistët, një grup i vogël i tyre, por edhe disa hanefijë që nuk janë thelluar, kanë kritikuar rëndë mendimin e Ebu Hanifes, duke pohuar se Imami edhe shtohet edhe pakësohet.
Të tillët kanë ngatërruar konceptet se imani mund të shtohet ose të pakësohet vetëm në aspektin cilësor, respektivisht imani mund të bëhet më shumë apo më pak intenziv, sikurse është rasti me Ibrahimin a.s., por jo edhe në aspektin sasior. Ebu Hanife, konsideron se veprat nuk janë pjesë e besimit dhe nuk beson se sasia e veprave mund të ndikojë në sasinë e besimit. Këtë e vërteton edhe hadithi i Muhamedit a.s.: “Ebu Bekri ka përparësi ndaj jush, jo pse fal shumë namaz dhe agjëron, por për shkak të asaj që e ka në zemër.” Përgjigjja e tij është në pajtim me qëndrimin e tij se vepra nuk është pjesë e besimit.
Këtë problem autori e trajton në shumë faqe, duke theksuar, thuajse, të gjitha argumentet pro et contra, për të përfunduar se “mospajtimet janë rreth definicionit të imanit” dhe përkrah mendimin e Imam Ebu Hanifes. (fq. 408 e tutje).

7. Shkenca e akaidit është shkencë elite

Tendenca e kohëve të fundit se Islami duhet të mësohet drejtpërdrejt nga burimet islame, pa ndërmjetës, pa mësues, ka marrë përgjigje nga Ebu Hanifja qysh herët. Qysh atëherë Ebu Hanifja ka deklaruar se shkenca e besimit është e ndërlikuar, ndaj pa ndihmë të ekspertëve, ai nuk lejon të spekulohet me kuptimet e mundshme.
Imam Maturidiu, vazhdues i mësimeve të Ebu Hanifes dhe imami kryesor i medhhebit akaidor, lidhur me akaidin thotë se “Dituria (fikhu) mbi fenë është tewhidi, e cila është më e rëndësishme se dituritë juridike...”. Me fjalë të tjera, akaidi është shkencë elite, në frymën dhe suazat e së cilës do të shtrijnë aktivitetin edhe shkencat e tjera, sepse, siç e thotë këtë Tarik Ramadan, shkenca e akaidit “mëson çdo gjë që është jashtë mundësisë të vrojtimit shqisor. Ajo nuk i përgjigjet plotësisht fushës së teologjisë, as dogmatikës kristiane, as filosofisë... “.
Me të drejtë autori ynë, në frymën e Ebu Hanifes, pohon se hezitimi i kërkimit të së vërtetës është i papranuar sipas Islamit dhe pjesë e kufrit, në bazë të ajetit 37 të sures et-Tewbeh. (fq. 577 e tutje).

III. Perspektiva e shkollës së Ebu Hanifes

Shikuar me syrin e së ardhmes, shkolla e Ebu Hanifes me vazhdimin e saj te Imam Maturidiu, në botën bashkëkohore ka perspektivë afatgjate. Ajo është e vetmja që posedon fuqinë e brendshme dhe metodat efikase për vazhdimin e jetës. Kuptohet, ixhtihadi duhet të rifillojë, e për këtë intelektualët muslimanë të të gjitha shkollave juridike dhe doktrinare, duhet të punojnë shumë më tepër se deri tash, në largimin e divergjencave të deritashme dhe në shqyrtimin e problemeve të reja. Mirëpo, tendenca e unifikimit dhe mohimit të medhhebeve, tendenca e prozelitizmit në medhhebe, janë pa perspektivë, janë ‘vdekje’ e Islamit ‘të gjallë’. Këto tendenca, me parulla gjithnjë atraktive, por me doktrina sterile, gjejnë hapësirë dhe kushte për plasimin e ideve të tyre, në kohën e krizave politike, ekonomike, sociale dhe intelektuale. Edhe qëndrimi negativ, blasfemues dhe anatemues ndaj Ebu Hanifes, është rezultat i kësaj gjendjeje, i kësaj apatie të besimit ndër ne.
Duke marrë parasysh se e ardhmja ndërtohet në bazë të së kaluarës, njohja e Ebu Hanifes nëpërmjet Fikh’ul-ekberit dhe veprave të tjera të tij, kam bindjen, do të ndihmojë ta njohim më mirë besimin islam, përballë sfidave të njëpasnjëshme në mileniumin e tretë.

IV. Disa fjalë për autorin, veprën, lexuesin dhe botuesin

Autori Orhan Bislimaj është njëri ndër intelektualët e ri por të frytshëm të nënqiellit tonë. Edhe pse nga dita në ditë zotëri Orhani e zgjeron lepezën e interesimeve të tij intelektuale, megjithate problemet klasike besimore islame mund të quhen “specialitet” i tij.
Autori ka dhanti për të observuar, për të perceptuar dhe për të rrëfyer lehtë, qartë dhe thjeshtë. Ai me lehtësi depërton në fushat më të vështira të problemeve besimore në historinë e mendimit musliman. Ai posedon natyrë “prodhuese”, nga e cila rrezaton ngrohtësi dhe qetësi e brendshme, urti mirëkuptimi për njeriun dhe botën, njësoj sikur edhe guxim intelektual për t’i emërtuar gjërat vetëm me emrin e vet. Perspektiva nga e cila i trajton dhe i artikulon profesor Orhani observimet e veta, rrezaton intelektualin që, ndonëse trajton probleme mjaft të “nxehta”, qëndron larg etjes për t’u rënë në qafë të tjerëve dhe për të qenë i pranishëm në mediumet e shkruara dhe elektronike.
***
Libri i zotëri Orhan Bislimaj me titull Akaidi hanefij, i botuar javëve të fundit nga Qendra për Studime dhe Kërkime Islame në St. Galen, sjellë reflekse që ballafaqohen dhe fërkohen me probleme nga e kaluara dhe nga përditësia muslimane botërore, rajonale por edhe shqiptare. Vepra me vëllimin që ka paraqet tërësi homogjene e përmbajtësore dhe shtrihet brenda disa njësive.
Ka Parathënien e autorit, Pjesën e parë që trajton tema në tri nënndarje, Pjesën e dytë që trajton vetë veprën e Ebu Hanifes me tekst arabisht, përkthim dhe shpjegim të hollësishëm, Pasthënien nga recensuesi zotëri Ahmet Mehmeti dhe Literaturën e pasur.
***
Lexuesi, të cilit i dedikohet kjo vepër, mbase do ta lexojë edhe si obligim programor, por sa dhe si do ta kuptojë mesazhin e veprës, çfarë përfytyrimesh dhe çfarë disponimi emocional e shqetësimi intelektual do të nxisë kjo vepër te ai, është çështje e relacionit të dyanshëm, reciprok vepër – lexues.
Për lexim aktiv të veprës në fjalë me rëndësi vendimtare janë pashterrshmëria e reflekseve dhe impulseve që ofron vepra, aftësia e lexuesit për të provokuar dhe për të qenë i provokuar si dhe konteksti historik e doktrinar brenda të cilit nxitet ky komunikim i dyanshëm. Kontakti i parë i lexuesit me këtë vepër apo me këtë autor është veprimi i pleksur që, në shtratin komunikues dydrejtimesh, vë në lëvizje më shumë arterie.
Përndryshe, pas një apo pas më shumë leximesh, ndjehet se vepra është shkruar me sinqeritet e seriozitet, me maturi e pjekuri, me ndjenjë e dashuri, që kritikon e dënon, që jep mësime të vlefshme për të gjithë, që fton për mirëkuptim, bashkim e integrim brendamuslimanë.
Vepra Akaidi hanefij është një arritje e suksesshme shkencore, është një vepër që e nderon autorin, neve bashkëpunëtorëve por edhe sfondin e historisë së besimit islam; vepra është kontribut për fenë islame ndër shqiptarët.
Në dobi të vlerave pozitive të veprës vlen të shënohet edhe përgatitja teknike dhe estetike e materialit, që e bën veprën më të këndshme për lexim, më të lehtë në përdorim e më të kuptueshme në përmbajtje. Për botimin cilësor shkencor dhe teknik duhen përgëzuar të gjithë ata të cilët ndihmuan që libri të marrë formën përfundimtare, e sidomos duhet përgëzuar botuesin e çmuar, që na dha këtë kënaqësi të rrallë.
Ju falëmnderit për durimin që patët!
Mbetshi në paqën dhe mëshirën e Allahut të madhëruar.[1]




[1] Referati me rastin e promovimit të veprës Akaidi hanefij, të Orhan Bislimaj, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë, më 30. 04. 2008, Prishtinë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme