Autori, i vetëdijshëm se për objekt studimi ka një temë madhore, ka përdorur metoda të sprovuara shkencore. Ka ditur t’i çmojë të arriturat teorike-praktike zanafillore e të mëvonshme islame, por edhe të dëftojë në lajthitjet e ndryshme gjatë historisë. Ai nuk është kënaqur vetëm të dëftojë në sukseset apo mossukseset muslimane, por ofron udhëzime teorike e praktike se si ta shfrytëzojmë atë trashëgimi historike për nevojat konkrete aktuale.
Veçan thekson shkaqet e stagnimit e të dekadencës muslimane dhe pohon se kriza e Ummetit është mbi të gjitha intelektuale, e vetëm pastaj materiale... Andaj autori pas diagnostifikimit, ofron recetat e mundshme për rehabilitim e shërim të tërësishëm. Një nga postulatet e suksesit është se “studimi i historisë nevojitet që ta kuptojmë atë, ta krijojmë burim energjie e kontinuiteti, e pa burim dobësimi e përçarjeje”. “Origjinaliteti intelektual” pohon ai, “e mohon imitimin dhe refuzon metodologjinë sterile të mashtrimit, duke importuar çdo gjë nga mjetet, institucionet, konceptet dhe vlerat perëndimore, në sferat politike, ekonomike, ushtarake e kulturore”.
Autori ngritjen dhe suksesin e muslimanëve e sheh në parimin e Monoteizmit, Mëkëmbësisë dhe Përgjegjësisë.
Janë të qëlluara propozimet e dr. Abdulhamidit se kjo çështje mund të rregullohet me përpilimin e literaturës islame (pastrimi i teksteve nga shkrimet kohore, ofrimi i teksteve shkencëtarëve në format më të avancuara, përfitimi i njohurive historike e filologjike, përdorimi i mjeteve teknike më të avancuara në studime e hulumtime...). Pas një përmbledhjeje, mund të konstatojmë se hulumtimet e autorit të shtruara në vepër ofrojnë një bazë solide për hulumtime të mëtejme, më të specializuara e më produktive. Me këtë kontribut autori hyn në radhën e atyre autorëve bashkëkohorë që obligojnë elitën intelektuale politike, ekonomike e kulturore, që në ardhmëri më tepër të përfillen vlerat islame, kurse me vlerat nga jashtë të sillemi me maturi e mirëkuptim, siç është vepruar nga brezat e parë.
Mos të merret ekzagjeruese se edhe ky autor nëse nuk ia ka kaluar M. Abdulvehabit, A. Kevakibiut, Xh. Afganiut, M. Abduhusë, M. Ikballit, El-Mevdudiut, H. el-Bennës, S. Kutubit e disa të tjerëve, atëherë qëndron afër tyre. Vepra e tij tash e tutje duhet të japë efekte pozitive në rrafshin praktik.
Natyrisht, vepra nuk është e privuar as nga mangësitë siç janë: elaborimi i disa ideve nuk është përfunduar, disa ide janë konfuze dhe vështirë të sendërtuara dhe i përkasin rrafshit teorik e spekulativ.
Summa-summarum, vepra “Kriza në mendjen muslimane” posedon vlera të shumta dhe paraqet kontribut të çmueshëm në rrafshin e mendimit islam: në zgjimin e muslimanëve, në vetëdijësimin e tyre, në konsolidimin e tyre në kohë e hapësirë, në fuqizimin e tyre që t’u rreken problemeve aktuale dhe në ofrimin e moduseve si të dilet nga kriza e gjithmbarshme, që Islami dhe muslimanët të zënë vendin meritor në skenën botërore.
Meritë të veçantë në këtë ndërmarrje ka edhe përkthyesi, miku im i respektuar, z. Muhamed Mustafa, që me sukses e përktheu këtë materie mjaft të rëndë. Me këtë po dëshmon se në të ardhmen bën t’i besohen projekte me peshë edhe më të madhe intelektuale. Lavdata meriton edhe botuesi, që nga vepra në vepër, origjinale dhe e përkthyer, po tregon se po rritet në botues serioz, me sens intelektual e shkencor.
All-llahu e shpërbleftë autorin, përkthyesin dhe botuesin për punën e bërë!
Burgu i Dubravës,
23.11.1997