
Madje ai shkon deri atje sa të hedh hipotezën se ajo nuk ka dashur të fliste për të kaluarën e saj dhe origjinën thjeshtë nga kompleksi i të qenit shqiptare, çfarë e vuajnë plot bashkatdhetarë të tjerë. Megjithatë hipoteza e inferioritetit është vetëm një hipotezë për zotin Alpion pasi e vërteta mund të fshihet gjetiu. “Në këto dy vjet kërkime, kam zbuluar se Nënë Tereza është shembulli më i mirë i një njeriu të famshëm që mund të jetë nga çdo vend i botës. Ajo është personifikimi i njeriut të mirë, njeriut që besoi aq shumë, me gjithë qenien e saj në një ideal. Ajo besonte në Krisht dhe besonte në shpëtimin e njerëzve të varfër nga skamja dhe mjerimi dhe i shërbeu atij qëllimi deri në fund. Për të, koncepti nacionalizëm nuk kishte të njëjtën domethënie që ka për ne sot. Mbase pikërisht për këtë, ajo iu shmang identitetit kombëtar”, tha Gëzim Alpion.
Për Nënë Terezën janë shkruar mjaft libra nga autorë të ndryshëm, por ajo asnjëherë në të gjallë nuk dha pëlqimin e saj për të shkruar për familjen ku lindi dhe u rrit, për vëllezërit dhe motrën, për babanë e varrosur në Shkup dhe nënën që e la pas në Tiranë. Alpion shpjegon edhe një tjetër të vërtetë që për shumë veta është e vështirë të kuptohet:
Në Indi gjeta një lloj indiferentizmi, për të mos thënë mosmirënjohje për Nënë Terezën. Për mendimin tim, indianët e kanë gjykuar atë si misionarja evropiane, misionare e bardhë dhe ata nuk e pranuan si të tyren me plot kuptimin e fjalës.
Vepra e dr. Alpionit mund të ndez kontradikta edhe në një tjetër kënd. Ai ka treguar një kujdes të veçantë për periudhën e fëmijërisë së Nënë Terezës. Me siguri që Kisha nuk do të jetë shumë e kënaqur me përfundimet e zotit Alpion kur ai hedh hipotezën se Nënë Tereza përzgjodhi t`i përkushtohej Krishtit në një periudhë krize identiteti në jetën e saj të re. Ai “e hedh poshtë” hipotezën që vetë Shenjtore Tereza pretendonte në të gjallë sipas së cilës, vetë Zoti e kishte thirrur në shërbim. Ai e zhvesh atë nga petku i shenjtores dhe e kthen në Tokë kur thotë se ajo thjeshtë e bëri këtë zgjedhje si zgjidhje logjike mes disa alternativave në jetë.
Megjithatë, Alpion është krenar jo vetëm sepse ia ka dale të kurorëzojë një punë kërkimore të gjatë, por edhe sepse ia ka dalë të shkruajë dicka për Nënë Terezën jo me penën e një shqiptari atdhetar dhe nacionalist, por me penën e një kërkuesi shkencor. Lesley Richle nga shtëpia botuese Routledge u shpreh se Alpion ka shpalosur vlerat e një studiuesi të përkushtuar. Ai ka bërë një punë të mirë dh jemi krenar me këtë. Është e nevojshme të studiohet jeta e Nënë Terezës në të gjitha kohët dhe të gjitha etapat e jetës së saj, tha ajo. Zoti Alpion thotë se ky libër do të jetë një material i dobishëm jo vetëm në duart e studiuesve, por për të gjithë ta që janë të interesuar të mësojnë mbi jetën e një shenjtoreje dhe njërës prej grave më të famshme të shekullit të njëzet, Nënë Tereza.