Mjete me të cilat mund të hapet një apo më shumë fabrika, e që nuk diskutohet se çfarë vlere do të kishin në këtë vend më të varfër evropian. Më vjen keq që një president i tillë, nuk mendon për vetë popullin, për popullin që e ka zgjedhur dhe luan me besimin dhe bindjet e shumicës së popullit të vet. Të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe të sigurt se po të mendohej ndërtimi i ndonjë tempulli musliman në atë lokacion, presidenti Rugova do të ishte i pari që do ta kundërshtonte. Në të vërtetë, është edhe shumë absurde, të prishet një shkollë e të ndërtohet një katedrale, gjë që nuk do të pranohej me siguri as në vendet më katolike në botë.
President, ne po hyjmë në shekullin e XXI-të dhe mos na ktheni 2000 vjet prapa, neve na duhen shkollat, arsimimi, zhvillimi e shumë gjera të tjera, e aspak nuk na duhet një katedrale e hiç më pak në qendër të Prishtinës, madje në këtë gjendje të mjerueshme materiale që jemi. Njerëzit duhet kthyer kah puna arsimimit, shkolla, e jo kah gjerat, të cilat edhe në vendet perëndimore tanimë nuk kanë kurrfarë rëndësie. Nëse mendon të na ushqesh shpirtërisht, atëherë në atë vend mund të ndërtohet ndonjë objekt ku do t’i përkujtonim të gjithë të rënët e luftës së fundit, të cilët luftuan për të ecur përpara e jo prapa. Aty do të luteshin secili në mënyrën e vet, muslimanë apo katolikë. Edhe diçka, nuk kam votuar për askend në këto zgjedhje, ashtu si edhe një pjesë e madhe e qytetarëve.
Megjithatë, juve ju kam simpatizuar më shumë se të tjerët, edhe familja ime ka votuar për juve. Por unë nuk kam votuar, ngase kam pasur dyshime, të cilat tash po më vërtetohen. Së pari flamuri dhe himni, tash katedralja. Nuk kam asgjë kundër, por çdo gjë duhet të bëhet në mënyrë demokratike, të pyetet populli, apo në rastin e katedrales qytetarët e Prishtinës.
Por, mund t’ju garantoj se ashtu si silleni ju, do të sillem edhe unë, edhe në zgjedhjet e ardhshme do të marr vendim arbitrar në familjen time që mos të votoheni ju. Edhe diç, ju kisha lutur, president Rugova, vendosni çka jeni, musliman, katolik apo ateist. Nëse nuk jeni musliman, atëherë ju lutem ndërrojeni emrin.