Fushata kundër organizatave humanitare islame në Kosovë

Shembulli më i mirë për këtë është raporti dhe marrëdhëniet e botës perëndimore por edhe të vendorëve ndaj organizatave humanitare nga vendet islame në Kosovë dhe përgjithësisht në botë, të cilat janë bërë ‘nishan’ ideal për spekulime të nduarnduarta, sulme mediale, bastisje, e madje edhe arrestime e burgosje.Edhe pse nuk ka qenë e dukshme dhe e kapshme për të gjithë, kjo gjendje ishte e pranishme edhe më herët, pastaj edhe gjatë luftës, duke bërë presione indirekte mbi udhëheqësit vendorë që t’u shmangen kontakteve me shoqata apo individë nga vendet muslimane. Këtë e kanë bërë edhe vetë perëndimorët, duke penguar vendet muslimane të ndihmojnë për vëllezërit e tyre në Kosovë. Por, kjo fushatë, fillimisht e fshehtë, kurse tash e hapur, ka arritë në opinion e minimizuar. Thënë më qartë, kjo fushatë ka qenë e kohëpaskohshme dhe e kamufluar.

Në ato çaste të vështira, në mungesë të informatave të vërteta, për perëndimorët ishte me rëndësi që opinioni shqiptar por edhe ai botëror të krijojë bindjen se ndihma humanitare vjen nga Perëndimi e me qëllim që Perëndimi të fitojë simpatinë e popullatës shumicë absolute muslimane në Kosovë ndërsa të krijojë neveri ndaj Lindjes muslimane, duke i trajtuar si popuj terroristë, injorantë, pikërisht ashtu siç bënte Serbia me boshnjakët e veçantë me shqiptarët.

Skenar i ngjashëm është zhvilluar edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë kur vendin duhej ndërtuar, kur të zhvendosurit duhej të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe të ndihmohej që shteti ligjor të frymojë, organizatat humanitare nga vendet islame ishin nën rrebeshin e sulmeve dhe në pamëshirën e qendrave vendosëse. Kjo fushatë sistematike, e ndihmuar edhe nëpërmjet paraqitjeve publike dhe shkrimeve të ndryshme të kishës katolike dhe të satelitëve të saj ndër renegatët muslimanë, ka rezultuar me zvogëlimin e shkallërishëm të angazhimit të tyre humanitar e kulturor ndër ne.

Për dallim prej organizatave humanitare nga vendet islame, organizatat humanitare perëndimore kishin dhe kanë përkrahjen nga të gjitha anët, nga organizatat qeveritare e joqeveritare, nga individët e deri te grupet e ndryshme dhe numri i tyre në Kosovë rritet vazhdimisht? Nuk duhet shpërfillur pyetjen: Përse këto organizata perëndimore nuk ishin të pranishme në Kosovë para dhe gjatë luftës në anën shqiptare dhe tash a e kontrollon punën e tyre dikush dhe kujt i japin llogari ato?!? A ka mundësi t’u thotë dikush atyre se bën apo nuk bën kjo punë apo ky aktivitet! Është bindje e imja se këto organizata kanë më shumë liri veprimi në Kosovë se sa në vendet prej nga kanë ardhur.

Ngjarja e 11 shtatorit 2001 ishte shkas dhe arsye e shkëlqyeshme, e për disa e mirëseardhur për ata që dirigjojnë politikën botërore që presioni mbi organizatat humanitare nga vendet muslimane por edhe mbi të gjitha vendet muslimane që tregohen ‘të rebeluara’ dhe nuk pranojnë ‘të eksploatohen’ politikisht dhe ekonomikisht, të shndërrohet në sulme të hapura mbi to, si në rrafshin botëror, evropian e ballkanik ashtu edhe në Kosovën e vuajtur e të përvuajtur. Organizatat humanitare nga vendet islame kudo përcillen me vëmendje të madhe, e madje edhe me bastisje e arrestime të shpeshta. Nuk qanë kush kokën që me këto veprime shkelen të drejtat njerëzore me të gjitha kartat e konventat ndërkombëtare, dhe askush nuk shtron pyetjen se a ndodh diçka e këtillë me organizatat humanitare perëndimore (fundamentaliste katolike, fundamentaliste protestante, jehoviste, sataniste, ato sekulariste, laiciste etj).

Shekulli XVIII dhe XIX në mënyrë të tërthortë, kurse shekulli XX dhe XXI në mënyrë të drejtpërdrejtë karakterizohet me luftën për fitimin dhe grabitjen e shpirtit të shqiptarit musliman për nevojat (pagano-judeo-kristiane) perëndimore, e në fund të fundit, nëse ky përfitim i shpirtrave nuk arrihet atëherë së paku të krijohet barrierë serioze, skepsë dhe indiferencë ndaj vlerave tradicionale kolektive dhe individuale të shqiptarëve muslimanë.

Është e qartë se roli i organizatave humanitare nga vendet islame është ndërtimi apo rimëkëmbja shpirtërore dhe materiale e shqiptarëve muslimanë dhe të tjerë në Kosovë dhe këtë e kanë dëshmuar me ndërtime të shumta të disa dhjetëra shkollave, me ndërtimin dhe aftësimin e disa mijë shtëpive të shkatërruara, djegura apo të dëmtuara, disa dhjetëra ambulansave dhe me investimin e disa milionëve dollarë në klinikën e Kosovës dhe spitale tjera, me kujdesin permanent të disa mijë jetimëve në Kosovë, aftësimin e disa mijë kursistëve në gjuhën angleze, gjermane, arabishte, kompjuterë, internetë, rrobaqepësi e të tjera. Ata ndihmuan të gjitha këto, e fjala vjen nuk e ndihmuan ndërtimin e objektit të ri të medresesë në Prizren, e cila me vite zvarritet në mungesë të mjeteve materiale, ndonëse me kohë është konkurruar në organizatat humanitare muslimane.

Zotrinjë përkrahës apo kundërshtarë, nëse dikush duhet të jetë i pakënaqur me praninë e organizatave humanitare nga vendet muslimane, ajo është organizata vendore e Bashkësisë Islame, e cila më së paku ka përfituar nga prania e tyre në Kosovë, ndonëse potenciali ekonomik e shpirtëror i saj është përgjysmuar. Madje, në rrafshin doktrinar Bashkësia Islame ka përjetuar përzierje në kompetenca, duke përçarë besimtarët në baza medhhebore. Mirëpo, për këto kam shkruar më herët në “Diturinë Islame” dhe me këtë rast nuk do të flasë. Nëse mendohet se këto organizata muslimane kanë gabuar, sepse paskan ndërtuar disa XHAMI të shkatërruara apo të djegura, është shumë gabim, sepse edhe xhamitë janë pjesë e këtij populli (dëshiroi apo nuk dëshiroi këtë ta pranojë elita politike shqiptare e cila është injorante, indiferente, frikacake dhe gjithnjë laramane) dhe sikur që ‘presidentët’ (jo vetëm Rugova) angazhohen për kisha e katedrale, pastaj për shënjtërimin e të a.q. ‘nënë Terezës’ e të Gjergj Kastriotit, për ngritjen e bustës për imzotët katolikë, për glorifikimin e personaliteteve ortodokse apo katolike shqiptare etj. , ata duhet të angazhohen edhe për xhamitë dhe edhe për besimtarët shqiptarë muslimanë, prej të cilëve në fund të fundit jetojnë në bollëk dhe luks hiç më pak se politikanët e shteteve më të zhvilluara botërore.

A mbahet mend që një organizatë perëndimore ndihmoi një projekt të Bashkësisë Islame, të Medreseve në Kosovë (mos llogaritë xhaminë në fshatin Shqiponjë apo në Pejë apo edhe ndonjë ‘troshë’ e ngjashme, të ndërtuara nga perëndimorët për arsyera politike), e të ngjashme, kurse është e qartë se këta sponzorojnë klubet e plesit, ekskursionet në Perëndim, seksin e lirë e madje edhe heterogjen, nxisin amoralin drejtpërdrejt me trajnimin si të bëhet dashuri me ‘kondom’ e jo të bëhet dashuri sipas vlerave tradicionale, fetare qofshin islame apo kristiane e hebraike, sponzorojnë gazeta, revista, filma, drama, vepra ‘flliqane’, sponzorojnë shpërndarjen e dhuratave për vitin gregorian, për ditën e shtrigave irlandeze, për gjithëçfarë ditësh të huaja, për shqiptarët pa kurrfarë rëndësie, shpërndarjen e librave të sekteve më të ndryshme nëpër jetimore, çerdhe fëmijësh, tregje, shkolla, klube, nëpër kurse për mësimin e gjuhëve të huaja etj. Pra, me përjashtime të vogla, të gjitha projektet perëndimore në Kosovë janë të drejtuara kundër indentitetit fetar dhe tradicional të Kosovës, kurse shkenca e politika shqiptare e ndihmojnë drejtpërdrejt këtë angazhim perëndimor, ndonëse, besoj, janë të vetëdijshëm se kjo e çon Kosovën në absurd, edhe në një gabim përcaktimi, edhe në një vonesë, edhe në një okuptim të ri, sepse politika perëndimore është frytë pagano – judeo - kristian, inkuizicionalo - kryqëtar, kolonialo - neokolonial, modernist - postmodernist, që Kosovën do ta shndërrojë në një ‘prostitutë politike’, siç e pohon këtë për një rast tjetër dhe me një rast tjetër Rozhe Garodi. Ky mendimi imi nuk është thirrje për linç kundër Perëndimit, por thirrje për mirëkuptim ndërmjet kulturave dhe civilizimeve botërore, sepse dhuna perëndimore vetëm sa do të lind dhunë të re, që nuk çon askund. Perëndimi duhet të gjejë rrugëdalje vetjake për krizën e madhe fetare, morale, ekonomike, sociale, kulturore që mbretëron në Perëndim, e jo ta kamuflojë këtë krizë të veten komplekse me dhunë për t’i verbuar ‘spektatorët’ me kriza të njëpasnjëshme në botë dhe me armiqë të njëpasnjëshëm në kohë. Kthimi mirëkuptimit të ndërsjellë çon kah zgjidhja e problemeve. Perëndimi posedon fuqi materiale, kurse Lindja posedon fuqi shpirtërore. Njëra pa tjetrën do të dështojnë. Të dyjat do të sjellin mirëqenie dhe rehati për të gjithë.

Islami nuk njeh Lindje dhe Perëndim, Jug dhe Veri në kuptimin perëndimor. Islami njehë njeriun dhe botën përreth si tërësi, vlerat njerëzore, pa përparësi racash, gjuhësh, kombesh, ku të gjithë kanë të drejtë njësojë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme