I nderuar, keni të drejtë në atë që pohoni se lajmet e plasuara kohëve të fundit në shtyp dhe mjetet tjera elektronike se “Ibrahim Rugova është konvertuar në katolik” ju kanë shqetësuar juve dhe familjen e zotëri Rugovës. I besoj këtij shqetësimi. Edhe vetë kam kaluar nëpër trillime e shpifje të tilla nga LDK, subjekte e individë të tjerë, në vitet e 90-ta, me rastin e arrestimit tim nga forcat serbe më 1992, kur nga disa LDK-istë lokalë jam quajtur edhe bashkëpunëtor i serbëve. Por, ky “nder” prej bashkëpunëtori të serbëve më është hequr pas dënimit të marrë prej 8 vitesh. Për dallim prej kryetarit Rugova dhe juve, unë nuk kam mundur të mbrohem nga këto akuza, kurse ju këtë mund ta bëni, madje nga postet më të larta të vendit.
Ndonëse e prisja një sqarim: miratim apo demanti të lajmeve në opinion për konvertimin e I. Rugovës, ju në shkrimin tuaj këtë nuk e keni bërë, pos që e keni vërtetuar tezën se ai vërtetë është konvertuar. Mua personalisht, si njeri fetar, nuk më pengon konvertimi i tij, as i kujtdo tjetër, sikurse që më vjen mirë kur dikush e pranon islamin si rezultat i bindjes së tij. Problemi është në faktin se Ibrahim Rugova konvertimin e tij duhet të bëjë publik, para opinionit të Kosovës në veçanti. Nëse nuk është konvertuar, atëherë ai duhet të deklarohet. Nuk është turp të pohojë se “është musliman me përkatësi fetare”, sikurse që nuk është turp që kryetari grek, rus apo amerikan nuk e fshehin fenë e tyre, edhe pse janë shtete shekullare. Madje, betohen në Bibël para tërë botës.
Përkundrazi, po ndodh e kundërta. Kryetari Rugova kurrë nuk ka deklaruar se është musliman, kurse shumë herë decidivisht ka deklaruar, me fjalë dhe veprime, se ka simpati ndaj katolicizmit. Duhet theksuar se fjalët dhe veprimet e tij që nga vitet e nëntëdhjeta publikisht preferojnë katolicizmin: iniciativa për ngritjen e përmendores për imzot Nik Prelën, favorizimi i datave kristiane dhe përgjithësimi e neglizhimi i datave muslimane, emërimi i rrugës Marshall Tita me Nënë Tereza në Prishtinë (në vend të emërtohej me Hasan Prishtina, Hoxhë Kadria apo të tjerë) në kohën më të keqe për shqiptarët, lojërat e Rugovës me shën Exhidio, sjellja e përmendores së Gjergj Kastriotit në Prishtinë dhe shpenzimet marramendëse për punimin e kësaj shtatoreje në kohën kur ¼ e Kosovës për kulm kishte qeset e najllonit, përsëritja e refrenit lidhur me papa Gjon Palin II me çdo rast dhe në çdo kohë, propozimi për shenjtërimin e Gjergj Kastriotit, propozimi për lumturimin dhe shenjtërimin e vllehës Gonxhe Bojaxhiu, shpenzimet astronomike të delegacionit kosovar me rastin e lumturimit të Gonxhe Bojaxhiut, ndërtimi i kishës në Kuçishtë të Pejës ku qind për qind popullata është muslimane, tentimi për konvertimin e fshatit Karavan-saraj (Kravaseri) nëpërmjet partizanëve të tij, gurthemeli i Katedralës në vend të Gjimnazit Xhevdet Doda në Prishtinë, ndërtimi i Gjimnazit Lojola (shkollë katolike) në Prizren në tokë të muslimanëve, përjashtimi nga puna në arsim i femrave muslimane për shkak të shamisë, kur gjuhën shqipe dhe latine në Gjimnazin Lojola e ligjërojnë motrat e nderit, kristianizimi maksimal i emërtimit të rrugëve, enteve, institucioneve, fshatrave në Kosovë ku katolikët përbëjnë më pak se 1 %, me botimin e qindra artikujve dhe librave antiislame nga bashkëpunëtorët e tij, me magjepsjen e Ibrahim Rugovës për Pjetër Bogdanin duke e quajtur “gurrë të gjallë” (pa dyshim njeriu më i kompromituar kombtarisht dhe më fanatik kundër islamit), me simbolet e shumta që përdorë si kryetar e të cilat kanë çdo element tjetër (sllav, pagan, çifut etj.) pos islam. Mund të numërohen edhe raste të tjera.
I nderuar Naser, pajtohem me ju se subjekte të caktuara apo individë të caktuar në shkrimet e tyre mund të kenë interese personale (partiake, të karrierës apo komerciale…), por as Ibrahim Rugova dhe rrethi i tij nuk ka pushuar të merret po me këtë propagandë. Ai këtë e ka bërë herë vetë e herë nëpërmjet njerëzve dhe institucioneve që ai i kontrollon. Kjo është e qartë, ndaj edhe ai vetë, edhe familja e tij, por edhe ju mos u shqetësoni. Gjerat janë të pastra dhe të gjitha mund të rregullohen me një: PO ose JO. Është Musliman apo është Katolik? Nëse është katolik por nuk deklarohet kjo është një hipokrizi e kulluar e tij, ligësi dhe manipulim me elektoratin zgjedhor.
Më vjen keq që këtë reagim jam i detyruar ta bëjë kur zotëri Rugova është i sëmurë. Nuk do ta zgjati më tepër lidhur me Ibrahim Rugovën.
Në fund i drejtohem redaksisë: Jam për fjalën e lirë. Jam që të gjithëve t’u jepet rasti të deklarohen nëse respektohen rregullat e fer-plejit. Mirëpo, mënyra si është paraqitur teksti jep të kuptohet se Gazeta “Besa” ka qenë në anën e Ibrahim Rugovës.
Mirë mbetshi!
Prizren, 28. 12. 2005
Nexhat Ibrahimi