
Duke i dëgjuar kritikat (lexo: sharjet dhe fyerjet) e E. Ramës ndaj pozitës në pushtet, njeriu nuk mund të fitojë përshtypje tjetër, veçse se kemi të bëjmë me një kauboj-politikan shqiptar të kompleksuar deri në marrëzi nga xhelozitë e pakuptimta që i shfaq me gojën e tij të madhe në çdo takim me ithtarët e tij (kryesisht të moshave të vjetra), në çdo mbledhje, në çdo takim me gazetarë, etj, duke pasur për objekt të sulmeve vetëm një njeri që quhet Sali Berisha, thua se opozita dhe “lideri” i saj nuk kanë tjetër detyrë dhe obligim përveç se t’i shkatërrojnë në mënyrë vandale orenditë e Parlamentit shqiptar.!?
E a dinë E. Rama se çfarë dëmesh është duke i sjellë me sjellje prej sharlatani Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë, se me sjelljet e tij të pamatura politike, me rrëmujën politike që është duke krijuar brenda opozitës shqiptare, brenda Parlamentit shqiptar si dhe brenda gjithë politikës shqiptare, se kështu është duke e dëmtuar edhe çështjen e Kosovës. A dinë ky njeri i ngarkuar me obsesionin “Berisha” se çfarë imazhi të zi është duke i krijuar Shqipërisë në botë si “liderë” i opozitës me sjelljet e tij krejtësisht destruktive, pa qenë i vetëdijshëm se ç’po fletë dhe kur duhet të flet, se ç’po llomotitë vend e pa vend, se ç’po shkreton errë e terr me gojën e tij të shfrenuar dhe të palarë nga fyerjet dhe përdorimi i fjalëve të pista, nga përdorimi i shprehjeve të ulëta, nga helmet që ditë e natë qet për goje kundër pozitës në pushtet, duke mos lënë asgjë pa thënë kundër Sali Berishës, thua se në Shqipërinë londineze janë të zgjidhura dhe kanë përfunduar të gjitha problemet e shtetit, thua se aty janë të zgjidhura të gjitha çështjet e jetës së njeriut, thua se aty nuk ka më asnjë punë tjetër për t’u bërë, se të gjitha projektet zhvillimore afatgjata dhe afatshkurtëra janë kryer dhe se nuk ka mbetur asgjë tjetër për t’u punuar as në ekonomi, as në industri, as në bujqësi, as në kulturë, as në shëndetësi, etj. Sepse Shqipëria sipas Ramës që moti është bërë Zvicër, parajsë në tokë, se ajo para 200 vjetëve është shndërruar në qytetin “Pejton”, se aty ka vetëm kopshte me lule, hekurudha moderne dhe trena Transrapid që zhvillojnë shpejtësi deri në 400 km në orë, se aty ka autostrada dhe rrugë të shekullit 21 të ndriçuara me drita tërë ditën dhe natën si në Belgjikë, tunele të zdritura dhe me erkondishen si ato në autostradën Split-Zagreb, ku mund të zhvillosh shpejtësi deri në 250 km në orë, thua se në Shqipëri ka male dhe fusha të gjitha të shndërruara në parqe si ato në Gjermani, Zvicër, Austri, etj, se aty ka lumenj të kthyer në dete lundrimi për anije gjigante si ato franceze, thua se aty ka hidrocentrale moderne që prodhojnë rrymë për gjithë Ballkanin, thua se aty ka parqe dhe kopshte zoologjike me të gjitha llojet e shtazëve shtëpiake dhe të egra, thua se aty ka vetëm tëmbël e mjaltë, thua se aty nuk fare varfëri (35% në shkallë ekstreme), thua se aty nuk ka as vdekje të foshnjave të porsalindura (shkalla më e lartë në Evropë), se aty nuk ka më sëmundje të shekullit 19-të, si malarja, tifozi, kolera, dhe kështu me radhë, ore Edvin Rama! Na thuaj, ose më mirë më thënë; tregoj elektoratit tënd se në cilën botë jeton?!
Dhe, lidhur më këto që thamë më lartë i sugjeroj, që nëse dëshiron t’i fitojë votat e elektoratit në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, të shkojë menjëherë te ambasadori gjerman në Tiranë dhe të aplikojë për vizë për të qëndruar një ose dy muaj në Gjermani, në cilësinë e seminaristit që të mësojë për demokracinë e mirëfilltë perëndimore, të mësojë se si ndërtohet vendi, si dhe sa punohet për atdheun, si udhëhiqet partia, si udhëhiqet komuna, si ndërtohen rrugët e kryeqytetit, infrastruktura e tij, si bëhet politika opozitare, si zbatohen ligjet shtetërore dhe statuti partiak, etj, etj. Dhe kur t’i mësojë të gjitha këto evenimente të demokracive reale perëndimore, pra kur ta mësojë lektyrën e klasës së parë se si udhëhiqet partia, se si drejtohet Bashkia e qytetit, pra kur ta bën Tiranën me infrastrukturë të njëjtë siç i ka një qytet gjerman me madhësi dhe numër të banorëve sa të Tiranës, atëherë i themi se i ke të sigurta votat e elektoratit. Përndryshe, po nuk ndërron mendje dhe sjelljet prej kauboji, po nuk e hoqi dembelomaninë e trashëguar nga baballarët komunist që kur ka hyrë në politikë, në veçanti qëkur është në krye të bashkisë së kryeqytetit shqiptar, si kontributi më i madh i tij për ta ndihmuar zhvillimin normal të Shqipërisë, do të ishte që të largohet menjëherë nga të dy postet që aktualisht mban. Për një hap të tillë do ta falënderonte i gjithë kombi shqiptar. Mbase më këtë akt do ta shpëtonte pakëz moralin e tij njerëzor nëse i ka mbetur diç nga kjo vlerë universale e njerëzimit.
Këtë shkrim po e mbyllim me një konstatim të gazetarit Dr. Eduard Zalloshnja i marrë nga shkrimi i tij me titull: “Kostoja e radikalizmit të E. Ramës”;
“Nga aktiviteti politik i Edi Ramës si kryetar i PS-së, dallohet qartë që ai ka kuptuar se që të hedhesh rrënjë të forta në bazën e asaj partie, duhet të jesh një antiberishian 24-karatësh. Nuk ka kauzë më elektrizuese për militantët socialistë se sa antiberishizmi. Dhe Rama, duke qenë në thelb një antiberishian i kulluar - pra, duke mos pasur nevojë të shtiret – ia i ka plotësuar bazës socialiste më së miri dëshirën për të qenë e udhëhequr nga një njeri që i bie kokës Berishës sa herë që i jepet rasti të gjendet para mikrofonit”. E ne krejtësisht në fund do t’i thoshim edhe këtë: mjaft më se na lodhe !