
Në një të përditshme në Tiranë, një gazetar i bazuar në Bruksel deklaroi se një numër parlamentarësh evropjanë i kanë thënë atij se një nga arsyet pse Shqipëria nuk mund të bashkohet me BE-në, është anëtarësia e saj në Organizatën e Konferencës Islamike. Është e vërtetë që BE-ja është e pakënaqur me anëtarësinë e Shqipëriës në organizata si puna e OKI-së?
Unë nuk njoh ndonjë koleg, që mund të ketë përmendur diçka të këtillë. Në asnjë rezolutë të Parlamentit Evropjan nuk është përmendur diçka e këtillë. Mbaj mend që në fillim të viteve nëntëdhjetë presidenti Berisha kërkoi për anëtarësim në OKI. Por kjo nuk është ratifikuar asnjëherë në parlamentin shqiptar, dhe pjesëmarrja e zyrtarëve shqiptarë në takimet e tyre ka qënë e nivelit të ulët. Po përse duhet të mërzitemi ne? Shqipëria mund të shërbejë si një sy evropjan aty, për të ndihmuar ata të kuptojnë Evropën.
Ekziston një tendencë në mesin e disa qarqeve në Shqipëri që deklarojnë se një nga arsyet pse Evropa Perëndimore nuk e do integrimin e Shqipërisë në BE është trashëgimia jonë muslimane. A ka Komuniteti Evropjan ndonjë problem me 70% të shqiptarëve që janë muslimanë?
Jo. Kjo është absurde. Trashëgimia juaj është trashëgimia jonë gjithashtu. Dikush duhet të lexojë Kadarenë për të kuptuar dhe pëlqyer Shqipërinë. Anëtarësimi i Shqipërisë varet vetëm në arritjet e saj politike, në përmbushjen e të gjithë kushteve si çdo vend tjetër që kërkon të anëtarësohet në BE. E njëjta gjë vlen Bosnje dhe Herzegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë.
Ndërsa sa për Turqinë, ka mendime në ndryshme në BE, për shumë arsye që nuk mund ti bisedojmë këtu.
Po mbi Islamin? A i sheh Bashkimi Evropjan muslimanët si të huaj, apo si pjesë e identitetit të tij të ri kulturor?
Siç them edhe më lartë, muslimanët evropjanë janë qytetarë si të gjithë besimtarët dhe jo besimtarët dhe kultura e tyre është një nga bazat e kulturës sonë evropjane.
Tashmë dihet nga të gjithë që në Shqipëri dhe Kosovë ekzistojnë institucione të korruptuara dhe krim i organizuar. Megjithatë ka një tendencë në mesin e disa qarqeve në Shqipëri dhe Kosovë të atribuojnë emrin e keq të shqiptarëve në Perëndim me identitetin tonë musliman dhe Islam. Është e vërtetë një gjë e këtillë?
Është e vërtetë që në Kosovë, në Shqipëri por edhe në disa vende të BE-së operojnë shumë organizata kriminale të lidhura me shqiptarët. Ky është fatkeqësisht një fakt dëshpërues që cënon imazhin e shqiptarit në përgjithësi. Por kjo nuk lidhet në asnjë mënyrë me identitetin fetar.
A është BE e shqetësuar për liritë dhe të drejtat fetare në Shqipëri dhe Kosovë?
Jo, aspak. Problemet tuaja qendrojnë gjetkë.
Cila është këshilla juaj që shqiptarët duhet të ndjekin për t’ju bashkuar BE-së?
Të ndalojnë luftërat e pafundme politike, të lehtësojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarit të thjeshtë, të ndjekin rregullat që Shqipëria pranoi kur nënshkroi Paktin e Stabilizim Asocimit – që do të thotë ta implementojnë atë – të luftojnë rrjetet kriminale, ti japin qytetarëve të paktën një kartë identiteti etj.
Intervistoi: Olsi Jazexhi
08 qershor 2007