
Po botojmë sot, pas intervistës me Oliver Schmitt, një relacion diplomatësh milanezë prej Rome lidhur me qëndrimin e Skënderbeut pranë oborrit papnor dhe bisedën e tyre me prijësin arbër në dhjetor të vitit 1466.
Zoti Schmitt, në ç'fazë është libri juaj i ri për Skënderbeun?
Libri është thuajse gati: Mungon ende kapitulli përmbyllës dhe redaktimi i disa kapitujve të veçantë. Vij tani pas disa udhëtimeve, sidomos në kështjella e lokalitete të Shqipërisë së mesme, që i kemi bërë së bashku me dy historianë shqiptarë, Kasem Biçokun dhe Dritan Egron. Janë vende me rëndësi për epokën e Skënderbeut, arena të kryengritjes dhe lëvizjeve të tij. Natyrisht që këto përshtypje në terren bëjnë që të plotësohen ose përmirësohen vende të caktuara në libër.
Mund të na e përshkruani këtë libër me pak fjali? Çfarë trajton?
Nuk është kjo një biografi klasike në traditën e historiografisë së deritanishme për Skënderbeun, e cila ka ecur në mënyrë të rreptë kronologjike. Në thelb libri përbëhet prej dy blloqeve kronologjike dhe një pjese qendrore që është e ndarë sipas temash, si për shembull Skënderbeu si udhëheqës karizmatik, pra jo si një person që vepron përmes institucionesh, por si një udhëheqës që ushtron rrezatim të fuqishëm mbi pasuesit e tij; më tej tema si Hapësira ku ndodh kryengritja, ku shtjellohen faktorë si klima, mjedisi, ekonomitë tradicionale, rëndësia e financave, çështja e monetarizimit të shoqërisë në ultësirë dhe në male. Pra sidomos në trajtimin strukturor, ky libër ndryshon nga të tjerët.
Cilat janë risitë e këtij libri, çfarë është këtu ndryshe nga monografitë e shumta mbi Skënderbeun?
Mendoj se zbulimi më i rëndësishëm, në pikëpamje burimore, është motivi i vërtetë i veprimit të Skënderbeut, që ishte gjakmarrja. Kemi në duar tani një dokument të ri nga arkivat e Milanos, i cili tregon se sulltan Murati II ka pasë vrarë të atin e Skënderbeut, Ivanin, dhe se Skënderbeu ishte pjesë e një përbetimi që çoi në vrasjen e vëllait të madh të Mehmetit II, Alaedin Ali Çelebiut, e pra ky motiv, gjakmarrja si shtysë personale e Skënderbeut, është një e re. Një interpretim i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me kryengritjen e Skënderbeut, e cila në fazën e saj të parë nuk duhet vlerësuar si kombëtare, por si kryengritje e popullatës ortodokse në Ballkanin perëndimor, vërtet me një shumicë arbërish, por gjithashtu me pjesëmarrje të sllavëve jugorë e të vllehëve, të cilët ngritën krye si të krishterë ortodoksë kundër Perandorisë osmane, në një kohë kur kjo perandori po kalonte, në vitin 1443, një periudhë dobësimi politik. I ri është edhe shpjegimi i konvertimit të Skënderbeut në fenë islame. Jam i mendimit se Skënderbeu nuk kaloi në islamin sunit, por është islamizuar në mjedisin bektashi. Këtu të çon sidomos përshkrimi i Marin Barletit; mendoj se kjo është një pikë e rëndësishme. Më tej është interpretimi i Skënderbeut si figurë politike, që ai nuk ka krijuar ndonjë shtet në kuptimin modern, me një territor të qëndrueshëm, me një qeverim të qëndrueshëm, me popullatë të qëndrueshme, çka përbën përkufizimin e zakonshëm për një shtet, porse që ishte shumë më tepër një udhëheqës karizmatik, i cili luftoi duke përdorur me shkathtësi përparësitë e terrenit dhe të klimës. Po të vështrosh nga afër terrenin, kupton që në verë osmanët zakonisht kontrollonin ultësirën, ndërsa vendasit blegtorë qëndronin në male me kopetë e tyre. Është karakteristike që vendasit fitoret e tyre më të mëdha i kanë arritur në vjeshtë, atëherë kur osmanëve u duhej të tërhiqeshin pasi thuajse nuk kishin më ushqime: ata jetonin prej prodhimeve të vendit dhe, kur shterrnin rezervat e drithit, u duhej të tërhiqeshin e pikërisht në këtë kohë vendasit zbrisnin nga malet dhe sulmonin. Kështu, ndërsa në verë territori i tyre ishte shumë i tkurrur, pasi u duhej të jetonin në male, në vjeshtë e në dimër hapësira e tyre shtrihej shumë, madje mund të zhvillonin fushata e mësymje deri në krahinën e Polokut, ose deri në portat e Shkupit apo në portat e Ohrit. Nuk mund të flasësh pra për një territor të qëndrueshëm, por për një hapësirë të kushtëzuar nga stinët e vitit, herë tkurrje e herë zgjerim.
Cilët janë shembujt tuaj, apo, pyetur ndryshe: cilën monografi duhet të kesh lexuar para se të vish në librin tuaj të ri?
Libri që më ka ndikuar më shumë nuk ka të bëjë fare me historinë e Shqipërisë: është fjala për një histori të Uellsit, po në fillim të shekullit 15, shkruar nga Rice Davis për Owain Glyndwr. Glyndwr është heroi kombëtar i uellsianëve. Në fillim të shekullit 15 ai shpërtheu një kryengritje kundër anglezëve. Strukturat e shoqërisë së Uellsit mund të krahasohen fare mirë me ato të shoqërisë arbëre. Ishte një shoqëri shumë e fragmentarizuar politikisht, përballë një kundërshtari, Anglisë, të organizuar shumë mirë, sikundër Perandoria osmane përballë Arbërisë, një kundërshtar me ushtri shumë të zhvilluar, me epërsi teknologjike-ushtarake, me burime shumë më të mëdha financiare, me administratë të organizuar mirë, e më anën tjetër, siç përmenda, një lëvizje mjaft e copëtuar, por që shfrytëzon në mënyrë të shkëlqyer përparësitë natyrore, sidomos klimën: në Uells kishim klimën me shira të shumta që e rëndonte së tepërmi ushtrinë. Më tej, edhe në Uells sikurse në Arbëri kleri katolik luante një rol mjaft të rëndësishëm; më tej, një ide e fortë politike, sikurse ishte për Skënderbeun themelimi i një mbretërie katolike, në Uells shkohej edhe më larg, kleri këtu kërkonte të krijonte një universitet kombëtar; e në të dyja shoqëritë rëndësia e madhe që kishte tradita gojore, këngët. Në Uells ishin bardët me këngët e tyre tradicionale kelte, për Arbërinë dimë që qysh në kohën e Skënderbeut këngët heroike kishin një karakter mobilizues. Ky libër pra pati për mua rëndësi të madhe në hartimin e monografisë për Skënderbeun.
Po botojmë në këtë numër të gazetës një nga dokumentet që keni gjetur ju në Paris. Si keni rënë në këto dokumente? Po këtu pyetja: si shpjegohet që nuk dëgjojmë për gjetje arkivore prej historianëve shqiptarë, ka të bëjë kjo me mungesa materiale apo me diçka tjetër?
Gjetjet janë thjesht rastësi. Desha të kontrolloj në Bibliotekën Kombëtare të Francës, në sektorin e dorëshkrimeve, një tekst edhe një herë, kur papritur zbulova që, me të njëjtin shkrim, ndodheshin këtu një radhë dokumentesh të rëndësishme, si ky që po botoni. E pra gjetje të rastësishme, prej skrupulozitetit.
Pyetja juaj e dytë është mjaft më e vështirë për t'iu përgjigjur. Ka të bëjë mënjanë me faktin që shumë historianë nuk punojnë në arkiva, më anë tjetër sigurisht ka edhe arsye materiale. Ndoshta janë më tej edhe arsye strategjike, mënyra se si organizohet historiografia, dmth. cilat janë temat që shtrohen. Këtu duhet ngritur pyetja se sa të arsyeshme janë mënyrat si shpenzohen fondet. Graviteti këtu bie mbi konferencat, ku prezantohen rezultate...
... të cilat dihen qysh më parë...
po, e saktë, ku specialisti e di që në fillim se çfarë do të thuhet. Ndërsa në hulumtimin e burimeve, në botimet dokumentare, investohet shumë pak. Pra janë shkaqe shkencore-strategjike.
Kur do të botohet libri?
Shpresoj në pranverën e ardhshme. Versioni shqip varet nga përkthyesi me të cilin po bisedoj.
Biseda dhe përkthimi i tekstit nga italishtja mesjetare: Ardian Klosi
Bibliothèque nationale de France. Manuscrits italiens 1591 f. 394r-v. Lorenzo de Pesaro dhe Augustino de Rubeis drejtuar Bianca Marias dhe Galeazzo Maria Sforzas.
Hyrje solemne e Skënderbeut në Romë. Përmbledhje e hollësishme e një bisede të diplomatëve milanezë me Skënderbeun. Ky ankohet sidomos për politikën e Venedikut. Druan se Venediku kërkon ta mënjanojë politikisht. Intrigat venedikase kundër Skënderbeut.
(...) Dje mbërriti Skënderbeu, të cilin Shenjtëria e tij e priti me nderime të mëdha, duke i nxjerrë përpara të gjithë kardinalët me shpurat e tyre, njerëzit e shtëpisë së vet dhe një numër të madh prelatësh dhe oborrtarësh të tjerë, e po kështu e nderuan dhe e shoqëruan gjithë ambasadorët etj. Madhëria e tij, zoti mbret Ferando, e ka dërguar me shumë rekomandime tek Ati ynë i shenjtë, duke nisur bashkë me të Graciabetesin tonë, i cili e shoqëron vazhdimisht dhe nuk e braktis asnjëherë; po kështu Madhëria e tij u ka shkruar përfaqësuesve të vet këtu se duhet t'ia bëjnë të gjitha nderet, e këta e vizitojnë shpesh dhe e shoqërojnë e po kështu dhe ne dhe ambasadorët fiorentinë bëjmë të njëjtën gjë për respekt të Madhërisë së lartpërmendur. Në emër të Shkëlqesive tuaja e pritëm ngrohtë dhe i bëmë mjaft oferta, të cilat i pranoi me njëmijë falënderime. E kupton dhe e flet mirë italishten, njësoj si ne. Ka rreth pesëdhjetë kuaj me vete e po kaq arbër, njerëz të vrazhdë me sjellje të vrazhda. Kërkon t'i nisë shumë shpejt. Papa e mban me shpenzimet e veta këtu e mendojmë se do t'i japë edhe disa pak të holla, sadoqë ai kërkon mbështetje që të mund të mbrohet prej turqve e të rifitojë ato që ka humbur në Arbëri, duke thënë se po të ketë gjithsej katër ose pesë mijë vetë prej këtej aty nga mesi i shkurtit, do t'i mjaftonin për t'u bërë ballë turqve në atë vend e për të rifituar shpejt gjithë gjërat e humbura. Por nuk do të humbasë më shumë kohë se përtej mesit të shkurtit, pasi thotë se turqit e kanë si rregull që të zbresin në fushëbetejë gjatë marsit e po iu drejtuan Arbërisë, pa ngurruar shumë do t'i bijen edhe Dalmacisë dhe Skiavonisë. Kështu Kruja do të rrënohet përsëri, sepse ndodhet në gjendje shumë të ngushtuar e pse ky, Skënderbeu, nuk mban tjetër vend në Arbëri. Thotë më tej, se turqit kanë ngritur dy fortesa mbi dy lumenj që janë aty, ku në njërin krah janë venedikasit e në tjetrin përsëri turqit, të cilët do mund të nxirrnin në det pa gjetur kundërshtim disa qindra galera. Në qytetin që kanë fortifikuar turqit aty, ka mjaftueshëm lëndë druri, hekuri e çdo gjë që nevojitet për të bërë galera etj. Por mund të ndodhë edhe që, duke patur goditje nga ana e Hungarisë e duke qenë të zënë atje, të mos kenë mundësi të hidhen këndej. Megjithatë dyshon shumë se mund të ndodhë siç u përshkrua më sipër.
Sidomos kundër venedikasve ankohet shumë Skënderbeu, që thotë për ta gjithë të këqijat, ngaqë nuk i kanë mbajtur premtimet e dhëna. I patën thënë se do t'i jepnin pesëqind kuaj e pesëqind këmbësorë, me të cilët do kishte mundur të qëndronte e të mos ishte katandisur kështu sikurse tani. Tregon se i kanë dhënë vetëm pak e nga pak, njëherë 30 këmbësorë, njëherë 40, njëherë 50 e po kështu kuaj, aq sa nuk ka pasur ndonjëherë gjithë-gjithë 200 kuaj. Dhe ai e ka kuptuar fare mirë, se Sinjoria e Venedikut këtë gjë e bënte vetëm e vetëm për ta dobësuar e mërzitur e për ta çuar pak e nga pak në atë skaj, sa të detyrohej t'ua linte në duar Krujën, të cilën e dëshirojnë shumë e po kështu të gjitha gjërat që mund të kishte etj. Ç'është e vërteta ua kishte kuptuar mirë lojën e më mirë pranonte të digjte gjithçka, e një mijë herë më mirë ua jepte turqve sesa atyre.
Marrim vesh anasjelltas se edhe venedikasit thonë gjithë të këqijat për Skënderbeun, për shembull që është edhe më turk sesa turqit. Disa nga venedikasit që janë në oborrin e këtushëm thonë se ka ardhur si zbulues dhe spiun i turqve etj. Ende nuk e ka pritur Ati i Shenjtë. Kur të ndodhë kjo gjë, do të njoftojmë Shkëlqesitë Tuaja, të cilëve po u çojmë amëshueshëm përshëndetjet tona. Romë, më 13 dhjetor 1466
Shërbëtorët e përunjur Laurentius de Pisauro et Augustinus de Rubeis.
Një interpretim i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me kryengritjen e Skënderbeut, e cila në fazën e saj të parë nuk duhet vlerësuar si kombëtare, por si kryengritje e popullatës ortodokse në Ballkanin perëndimor, vërtet me një shumicë arbërish, por gjithashtu me pjesëmarrje të sllavëve jugorë e të vllehëve, të cilët ngritën krye si të krishterë ortodoksë kundër Perandorisë osmane