PËR NJI KOSOVË EUROPIANE

Asht idioma ma e vjetër shqipe dhe njikohësisht asht gjuha ma e folun shqipe sot n’Ballkan nga shqiptarët. E tanë Kosova idiomë natyrore e ka Gegnishten. Gjysma e krejt Shqipnis, nga lumi Shkumbin e n’Veri, idiomë natyrore e ka Gegnishten. Krejt pjesa perendimore e Maqedonis e banueme me shqiptarë idiomë natyrore e ka Gegnishten. Krejt shqiptarët e Malit të Zi idiomë natyrore e kanë Gegnishten. Vetëm pjesa jugore e shtetit shqiptar, dhe tri katunde shqiptare në jug të Maqedonis idiomë e kanë Tosknishten. Këta aprx. 4 milionë njerëz e përdorin çdo ditë, 24 orë në ditë, këte Gjuhë[1]. Gegnishtja ka qenë edhe Gjuha Zyrtare e Shtetit Shqiptar që nga themelimi i tij, e deri në momentin kur grupe partizanësh hyjnë si çlirimtarë n’Tiranë e n’Shkodër. Gegnishtja ka qenë mediumi i diskursit kulturor të Kosovës deri në vitin 1972. Kosova pati edhe letërsi, edhe media edhe Standard Gegnisht para vitit 1972.

Mirëpo, Gegnishten nuk e shof vetëm si pasuni shqiptare, por e përjetoj edhe si pasuni europiane. Asht nji nga idiomat e Europës sot, e folun nga 4 milionë europianë. Dhe, Gjuhën Amtare une e shof dhe përjetoj si pjesë e domenit e të drejtave elementare të njeriut. (“Individual freedom on linguistic matters must be guaranteed, as freedom in exercising all other human rights”, Valter Tauli). Le të mos i përmend tashti krejt dokumentet ndërkombëtare, tue fillue nga Deklarata Universale për Të Drejtat e Njeriut, e deri te Deklarata Universale për të Drejtat Gjuhësore e UNESCOs.

E dyta, pyetja zbulon se kultura shqiptare e ka ‘delegjitimue’ të drejtën me qenë të kësaj idiome. Më lejoni me e ndërtue shkurt kontekstin e ndalimit të Gegnishtes. Kjo idiomë asht parapa me u zhdukë, me u shlye njihere e përgjithmonë nga shteti komunist shqiptar. Andaj edhe pyetja: si u ba që ju të botoni nji gazetë n’Gegnisht, nuk mund të kuptohet e të duket e natyrshme, legjitime, pa e kuptue modelin dhe mendësinë e komunizmit shqiptar, të cilit trup e ftyrë i jepte Enver Hoxha. Pra, pa enverizëm, nuk kuptohet pyetja: Përse një gazetë botuar në Gegnisht?[2] Keqkuptimi gjenerohet nga nji akt kryereje antiqytetnues i shtetit komunist dhe gjuhëtarëve stalinista shqiptarë, të cilët me ate që e quejtën Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972, jo vetëm zavendësuen DHUNSHËM (e potencoj qëllimisht), Gjuhën Zyrtare të shtetit shqiptar, që ishte në fuqi që nga dita e themelimit të shtetit – e ajo gjuhë ishte Gegnishtja e Kodifikueme – por me nji urrejtje që nuk spjegohet ndryshe pos me difami ideologjike, ata ndaluen përdorimin, shkrimin, botimin e kësaj idiome, Gegnishtes, pas vitit 1972. Dhe, ajo ndalesë vazhdon edhe sot e kësaj dite, pos në gazetën JAVA. Gjuhëtarët stalinista ishin të bindun, njisoj si Stalini dhe gjuhëtari i tij personal Marr, se po ndodhi që nji gjuhë t’i ketë 2 dialekte kryesore, siç i ka Gjuha Shqipe – Gegnishten dhe Tosknishten - njani prej dialekteve duhet me u zhdukë. Me u ‘pre’. Me u ‘vra’. Me u ndalue së qeni. Dhe n’ate përplasje dialektesh n’Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, ata kishin vendos që Standardi i Gjuhës Shqipe duhet me qenë – Tosknishtja – e cila me ate akt normizohet e kodifikohet dhe ngritet në stad Gjuhe Standarde dhe zavendëson Gjuhën e deriatëhershme Zyrtare, për me u ba automatikisht edhe Gjuha Zyrtare e shtetit komunist shqiptar. Pra, n’ate aksident të dialekteve të Shqipes, fiton Tosknishtja. Tosknishtja ishte idioma natyrore e diktatorit Enver Hoxha; Tosknishtja ishte idioma natyrore e 24 anëtarëve të Polytbyrosë nga 27 sa i kishte në vitin 1972 Partia e Punës e Shqipnis (shif Janet Byron, “Selection among alternates in language standardization: The case of Albanian”, The Hague: Mouton, 1976); Tosknishtja ishte idioma natyrore e pjesës ma të madhe të partizanëve që hynë si çlirimtarë n’Tiranë, e nji vit ma pas edhe n’Shkodër, tuj vra e tuj pre; Tosknishtja ishte Gjuha e Revolucionit, Gjuha e Avangardës Komuniste, si e pandehnin veten ata. Andaj, Gegnishtja, Gjuha Zyrtare e Mbretit Zog dhe Mbretnisë Shqiptare, që Revolucioni Komunist e mposhti dhe e shpalli tradhtare, kolaboracioniste, fashiste, u perceptue njisoj si ata që e flisnin, dhe u ndalue. U shpall ilegjitime.

Makina e andrrave komuniste, kinostudio “Shqipëria e Re”, për shembull, në filmat që nisi me i prodhue mbas Revolucionit, zakonisht tradhtarët, fashistat, hajnat, rebelat, Bad Guys, i bante me folë Gegnisht, dhe në casting (përzgjedhje t’aktorëve), i zgjedhte ftyrat ma të shëmtueme për rolet që flasin Gegnisht, ndërsa komisari partizan, protagonisti komunist, Good Guy, fliste Tosknisht dhe zakonisht ishte i pashëm e i urtë. Dhe e donin femnat!

Nuk ka sesi të spjegohet e as kuptohet urrejtja e Shtetit Shqiptar, edhe sot e kësaj dite, ndaj Gegnishtes, pos me enverizëm. Me antinominë e konstruktueme komunistash, ku i bukuri, avangarda, i urti asht Toskë, e i shëmtuemi, dinaku, retrogardi asht Geg. E Bardha asht bojë Toske, dhe e Zeza bojë Gege. Kultura flet Tosknisht, e Barabaria flet Gegnisht. E ardhmja flet Tosknisht, dhe e Kaluemja ka folë Gegnisht, por s’t’ka folë ma sa t’ka edhe nji frymë komuniste n’Shqipni (sic!).

Me fjalë tjera, komunistat shqiptarë ishin shumë koshientë për fuqinë simbolike në kuptimin e Pierre Bourdieu[3], që ka Gjuha Standarde në vetvete. Ata e prezentuen Tosknishten, si thotë Bourdieu, si ‘gjuhë fitimare” (victorious language), e kuptuen dhe e perceptuen si mjet, si mjet dominimi e pushteti, dhe me këte mjet, Tosknishten, nisën inxhinierinë shpirtnore ma të madhe që ndonjihere i asht ba kulturës dhe gjuhës shqiptare në historinë e saj.



- Pjesa me e madhe e mediave shqipfolëse sot shprehen ne toskërisht, po ashtu edhe në Kosovë. Ç’rol ka luajtur toskërishtja në Kosovë? Duke pasur parasysh moskomunikimin e gjatë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që ka bërë që në shumë aspekte gjuha të zhvillohet në drejtime të ndryshme. Në ç’nivel është asimiluar toskërishtja standarte në Kosovë?



Migjen Kelmendi: Standardi i vitit 1972, pra Tosknishtja e kodifikueme, sot në Kosovë asht nji Fictio Juris. Po përdori nji term juridik, për me ilustru gjendjen e Standardit sot n’Kosovë. Standardi asht i paqenë, por prezentohet si i qenë, egzistent, i vërtetë. Pra, ata e dijnë që s’asht i vërtetë, i qenë, por sillen a thue se asht i njimendtë. Pra, Standardi n’Kosovë asht nji Fictio Juris, nji e vërtetë e fabrikueme, e cila pandehet si e qenë.

Asht me shumë randësi me e theksue nji fakt, që zakonisht elita kosovare e hesht: se delegacioni i Kosovës në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, në përbamje kishte edhe aktivista komunistë dhe lejen dhe autorizimin me marr pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë, në vitin 1972, e kishin drejt e nga kreu jugosllav, Josip Broz Tito. Këte e konfirmuen edhe Fadil Hoxha, edhe Mahmut Bakalli, edhe Fehmi Agani. Me fjalë tjera, edhe pse ma vonë, nacionalistat kosovarë e reprezentonin këtë ‘arritje’ si arritjen ma të madhe të tyne, dhe e venin në kundërshti dhe antagonizëm me Jugosllavinë e Titos, tuj e pandeh dhe promovue Standardin si hapin e parë drejt unifikimit dhe Shqipnis Unike, ata e heshtnin ose nuk e përmendnin fare faktin se akti ma i madh i tyne ishte ba – me aminin e Titos(sic!) Kjo flet për nji nacionalizëm dhe nacionalista naivë kosovarë, për të cilët Standardi nuk kishte kuptimin e nji fenomeni lingual, që do ketë pasoja katastrofike për fmitë e tyne dhe gjeneratat e linduna n’Kosovë, sa kishte simbolikën dhe domethanien politike si konotacion – Unifikimin e Shqipnis. Gjuhën e bamë, tashti ka mbetë edhe me e ba Shqipninë Unike. Se kush si ka me e folë dhe cilat kanë me qenë pasojat e atyne vendimeve të vitit 1972, nuk e kishin idenë. Kosovarzijtë që kishin shkue në Kongresin e Drejtshkrimit ’72 si delegacion zyrtar, nuk ishin aspak koshientë se po merrnin pjesë në diçka të njoftun dhe të ditun nga historia e standardizimit të gjuhëve qëmoti, dhe Pierre Bourdieu e artikulon për bukuri:

“KOLABORIM NË SHKATËRRIMIN E INSTRUMENTEVE TË VETA TË SHPREHJES”. Ata jo se nuk i kishin parashikue pasojat, por ata i çimentuen ato vendime, i mbështollën me 1000 konotacione politike si arsyetim, që flittnin për Unifikimin e Shqipnis, dhe i shndërruen në Tabunë ma të madhe të kulturës dhe civilizimit shqiptar. Me e prekë e ngacmue Standardin, në Kosovë kuptohej njisoj si me e prekë dhe ngacmue idenë e Bashkimit Kombëtar. Prandaj, kushdo që guxon me e prek, në nji mënyrë a tjetër shpallej – tradhtar.

Standardi ’72 kurrë nuk nxuni me u folë si duhet në Kosovë. Ishte dëshira me e folë e msue, por realiteti i Kosovës flitte Gegnisht. Jeta n’Kosovë ishte Gegnisht. Mandej, realitetet plotësisht të ndame të Shqipnis dhe Kosovës banë që n’Kosovë Tosknishtja me u deformue, nga sintaksa serbe, nga Gegnishtja e përditshme, nga mosnjohja e Tosknishtes, nga moskomunikimi normal mes Tiranës kulturore dhe Prishtinës kulturore. Tosknishtja në gojën e nji gege kosovar dukej njisoj si e përshkruente Fishta – humor. Hajgare. E di, ky abstrakcion, ky fictio juris prej 2 milionë njerëzish që shtiren se po flasin Tosknisht, asht zor me u rrokë. Por kosovarët, njisoj si edhe shqiptarët e shtetit komunist, ishin të bindun se me Standardin ’72 po e jetojnë nji Komunizëm Gjuhësor. Dhe ky Komunizëm Gjuhësor i tyne kishte nji kuptim vetëm deri atëherë kur u shemb muri mes nesh, mes Kosovës dhe Shqipnis. Sapo u shemb muri dhe interaktimi nisi, puna e parë që u pa ishte – Tosknishtja e nji kosovari!? Dukej si vic, batutë. Aq sa i bante njerëzit në Tiranë me u ndie keq. Dhe, Tirana kulturore, pra Tirana Toske, kur e shifte dhe e ndigjonte nji kosovar tue folë Tosknisht, ishte si me e pa karikaturën e vet. Si me e pa veten në Fun House, me ato pasqyrat e mëdha konvekse e konkave që ose ta zgjasin e deformojnë figurën, ose ta zhdepin e ta rrumcojnë figurën. Tridhetë e sa vjet Kosova u përpoq, vullnetarisht, me nji Auto-Kolonizim të vullnetshëm e me qejf, me institucione e sistem edukimi, me shkolla e universitete me e instalue Tosknishten në diskursin e vet, e me e shlye Gegnishten, por ky eksperiment, sipas mendim tem, ka psue nji fiasko historike në Kosovë.

Po them, për elitën kosovare Standardi ishte nji vendim politik, nji përcaktim politik. Jo gjuhësor.

Për ta Standardi i vitit ’72 ende e ka kuptimin e Shqipnis së Madhe. Bashkimit Kombëtar. Kur e pyetni nji kosovar se a jeni dakord me e rishikue apo ndryshue Standardin e vitit 1972, kuptojeni se jeni tue e pyet se a je i gatshëm me e ndrrue apo rishikue idenë e Bashkimit Kombëtar dhe Shqipnis së Madhe. Vetëm këte kuptim e ka Standardi i vitit 1972. Dhe asnji tjetër.



- Gazeta juaj në gegërisht përbën padyshim një risi në botën mediatike shqipfolëse, si është pritur ajo nga qarqet letrare në Kosovë, dhe nga lexuesi kosovar?



MK: Me e botue nji gazetë Gegnisht në xhaminë e nacionalizmit shqiptar, si asht Kosova sot, asht njisoj si me hy cullak n’xhami, si e tha nji miku jem holandez. Une isha shumë koshient se me “Javën” po e sfidojmë Tabunë ma të madhe shqiptare të tana kohnave – Standardin ‘72. Që ishte, po e përsëris, vetëm nji fjalë tjetër për Shqipninë Unike. U tmerruen me Gegnishten. Nuk mujshin me besue se e kam ba nji gja të tillë. Nji gazetë n’Gegnisht, diçka e pandigjueme dhe e papame. “Java” asht i vetmi produkt medial n’Gegnisht, që nga vitit 1972 e deri ate ditë, 1 Dhetor 2001, kur u botue numri i saj i parë. Nuk u pëlqeu Gegnishtja, me sa e kam kuptue, njashtu e shkrueme në “Java”. E kishin zor me e lexue. Shprehia e tyne vizuele ishte ndërtue me sistem edukimi, edhe pse shqiptimi, t’folunit e shkrimi jo. Mandej “Java” qëllimisht në shkrimin e Gegnishtes ndjekte instrukcionet e Shkollës Deskriptiviste, e cila shkrimin e afron me t’folmen. Gegnishtja e “Javës” qëllimisht asht ma e afërt me Slangun e Prishtinës, se sa me Gegnishten tradicionale të Shkodrës, sepse Slangu nuk asht i tillë si e kanë kuptue n’Prishtinë e n’Tiranë, si formë rudimentare, e rrugës e t’folmes. Slangu asht për mue reagim koshient i nji bote shqiptare, e nji rinie shqiptare, e cila me Standardin ’72 ka mbetë e kualifikueme si jokompetente dhe joautentike mbrenda Gjuhës Shqipe. Slangu asht subversion i qëllimshëm ose jo i Matriksit Lingual që ata i mban si njerëz të kategorisë së dytë n’Gjuhë. Nëse Prishtina ka arsye me shitë mend me najsen asht – Slangu i Prishtinës. Produkti ma i randësishëm (sub)kulturor i këtij qyteti. (Tirana s’ka Slang, ende asht totalisht mbrenda Matriksit. Në Tiranë edhe djali me styling i Top-Select Muzikor, edhe msuesi, edhe kryeparlamentari, edhe shkrimtari, edhe imami flasin me të njajtin diskurs. Ende Tirana s’e ka vra “Babën” në gjuhë:) Ndërkaq, n’Prishtinë Slangu asht reagim i natyrshëm i nji gjenerate ndaj përpjekjes me e dominue me gjuhë. Slangu si dalje nga sistemi ku roli i rinisë kosovare ishte parashkrue dhe determinue me qenë humbës, i kategorisë së dytë. Slangu si subversion i sistemit diskriminues e dominant mbrenda Gjuhës Shqipe, që e kishin instalue komunistat toskë. Slangu si këshillë dhe mesazh: Keep it Real. Mirëpo, mainstream’i i Kosovës tmerrohet nga Slangu. Ata për 30 vjet janë shtihue, kanë aktrue se po flasin ‘letrarqe’, si i thojshin. Po se a ishte apo jo ‘letrarqe’, këte mesazh të keq jau dha vetëm Tirana (Toske) kulturore. I përqeshi, ose ma mirë me thanë, nënqeshi, sepse ishte e zorshme me i thanë nji të çali “i çalë”, nji sakati “sakat”, apo jo. Ajo vetëm i injoroi dhe i shtyu në margjina. Sot, ky përçmim ka pamje katastrofike: asnji produkt kulturor i prodhuem n’Prishtinë nuk asht atraktiv e nuk ka vleftë në tregun e Tiranës. Asnji shkrimtar, asnji emision televiziv, asnji emision radioje, asnji moderator, asnji gazetë...Krejt shkëmbimi kulturor shkon vetëm në nji drejtim: nga Tirana në Prishtinë. Por, jo vice versa. Derisa vendet tjera postkomuniste procesin e nji Auto-Kolonizimi, si e tha Kiosev, e bajnë nga qendrat kulturore perendimore, Kosova e shkretë ka fillue me u Auto-Kolonizue nga Tirana Toske! Telekomi i Kosovës, në Anwsering Machine të tij, nga dy milionë shqiptarë të Kosovës, nuk gjen nji za sa për me e fut si za i sekretarisë automatike të Telekomit, por e importon “zanin” nga Shqipnia. Dhe, ma e zeza, ai “za” i shqipton numrat gabimisht po me Drejtshkrimin e vitit ‘72 dhe askush nuk e heton(sic!). Universitetet private të Kosovës importojnë jo ekspertë të lamive, po figura televizive dhe i paguejnë 7 fish ma shumë se autoritetin ma të madh të lamisë nëse ai asht prej Kosove. (Adi Krasta, Blendi Fevziu, Rudina Gjunga po paguhen deri 7 fish ma shumë sesa nji ekspert i lamisë prej Kosove.) Televizionet dhe radiot, qoftë lokale qoftë nacionale, importojnë moderatorë për me ju udhëheqë programet. Radio Televizioni i Kosovës vetëm para disa kohe kishte organizue KURSE TË MËSIMIT TË GJUHËS STANDARDE për gazetarët dhe redaktorët e vet. Nëse, 30 vjet ma vonë se viti ‘72, kur u standardizue Gjuha Shqipe, Televizioni Publik i Kosovës organizon kurse të mësimi të Standardit ’72 për gazetarët e redaktorët, atëhere cila paska qenë “Gjuha Standarde” që ata e kanë përdorë deri te këto kurse? Ky asht nji shembull eklatant për ate që e konstatoj si Fictio Juris. Mandej, nuk ka ma as përkthime që bahen në Kosovë dhe gati asht ndal shkrimi letrar në Kosovë. Dhe krejt kjo e ka vetëm nji arsyetim mazokist: ata po flasin ma bukur dhe ma rrjedhshëm se na! Duhet me e pranu.



- Në Shqipëri edhe pse bëhet ende fjalë për një debat periferik ku mbizotërojnë akoma frustrimet e komunizmit, dhe pjesëmarrësit rrallë herë janë gjuhëtarë profesionistë, vazhdon debati për rishikimin e standartit. Pjesa më e madhe përkrahin bashkëekzistencën e të dy dialekteve kryesore, ndërkohë që disa personalitete kryesisht me origjinë nga Shkodra propozojnë zëvendësimin e dialektit tosk me atë geg. Cili është pozicioni juaj në këtë debat?



MK: Asht nji gja që e ka përcjell gjatë gjithë kohës debatin për nevojën e rishikimit të Standardit ’72: stërpolitizimi i çashtjes. Standardi ’72, po them, ma tepër reflekton me konotacionet e tij politike sesa linguale. Andaj, çdo hapje e debatit ndiqet me paragjykime, kualifikime, dyshime. Ajo që duhet ba, dhe për këte na duhet nji konsenzus politik i Qeverisë në Tiranë dhe në Prishtinë, asht depolitizimi i kësaj çashtje dhe kthimi i saj në kornizat e nji debati qytetar dhe nji debati tjetër të ekspertëve. Sepse, nuk guxojmë me ia lanë këte çashtje vetëm gjuhëtarëve, sepse ishin gjuhëtarët që e katandisën planifikimin gjuhësor të shqipes në këto nivele.

E dyta, mendoj se Tirana asht ma e hapun dhe ma tolerante ndaj këtyne debateve se Prishtina. Deri sot une jam ftue 2 herë për me debatue për kete çashtje n’Tiranë, dhe vetëm nji here në Prishtinë. Sa i takon çashtjes së dialekteve, duhet ritheksue se, Gjuha Shqipe nuk asht Stadardi i vitit 1972. Standardi asht vetëm nji grumbull rregullash dhe praktikash që për fatkeqësi të kulturës shqiptare, kodifikojnë dhe normizojnë vetëm nji dialekt të saj.

Por, Gjuha Shqipe asht nji monument tingullor i kulturës sonë, nji pasuni e paçmim jona, e cila krejt bukurinë e saj e ka bash në kakofoninë dhe zhurmën e t’folmeve, dialekteve, idiolekteve, vernakularëve shqip. Nji komunitet lingual normal, po e theksoj NORMAL, asht gjithmonë divers.[4] Asht nji keqkuptim i madh, po them, stalinist, se kultura shqiptare faktin se i ka dy dialekte madhore, e ka përjetue si sakatllëk, gjymti, andaj ka vendos me e “pre” njanin dialekt. Pse duhet me e ndalue nji gjuhë. Imagjinojeni këte barbari të ndalimit të nji gjuhe si Gegnishtja në kontekstin e Europës së gjuhëve, të diversiteteve kulturore, të larmisë dhe pasunisë që del soje. Imagjinojeni nji kulturë si kultura shqiptare e cila asht çue me e ndalue e me e shurdhue nji gjuhë, nga perspektiva europiane. Une këte atitudë teme publike e prezentoj si nji atitudë të nji Ekologu Lingual, të cilit i dhemb mosshkrimi e mosshqiptimi i nji rrokje, e jo ma i nji gjuhe të plotë si Gegnishtja. Sa i takon dialekteve, urgjentisht, pa pritë asnji debat e asnji konsenzus të ri, si FIRST AID, duhet me u kthye mësimi i Gegishtes në nivelet primare të shkollimit, deri në klasën e katërt, në vendet ku Gegnishtja asht idiomë natyrore. Duhet me u hek NDALESA e botimit dhe përdorimit në media të Gegnishtes, duhet me i dhanë status shoqnor Gegnishtes automatikisht, si Ndihmë e Parë. Sa me ja pshtue ftyrën qytetnuese kulturës shqiptare. Se cili dialekt, mandej, duhet me e dominue Standardin, a duhet kthye Gegnishten e heq tashti Tosknishten, këto janë dilema të sforcueme. Me po të njajtën urgjencë duhet me u ba edhe diçka - Dekonstruktimi i Kongresit të Drejtshkrimit ’72 deri në detaje, tue ia prezentue publikut të vërtetën dhe tue e ballafaque e familiarizue publikun me rrjedhat, kontekstin dhe vendimet që janë marr. Mandej, duhet parapri nji hulumtim i thellë e i gjanë i përdorimit të shqipes në jetën e përditshme, tue e matë Realitetin Gjuhësor të hapsinave shqiptare, sepse këto hapsina sot kanë fillue me interaktue dhe me konvergjue dhe, vetëm në fund duhet me dalë me vendimet dhe propozimet eventuale për ndryshime e update’ime të Standardit. A ka me u ndrrue krejt apo jo, këte duhet me e thanë debati dhe analiza. Une jam përkrahës dhe aplikues i Shkollës Deskriptiviste, si e thashë ma nalt, e cila Standardin e emanon nga Jeta e Përditshme e Folun, e jo nga parashkrimi i rregullave dhe përpjekja me i fut njerëzit mandej n’to. Në çdo situatë, ate që une kisha me e propozue asht me u njoftë me situata gjuhësore të njerëzve në përditshmëni, dhe nga to me i emanue ato rregulla shkrimi e praktika që i themi Standard. Por nëse kemi me e pasë nji Standard të rinegociuem dhe konsensual nesër, kjo s’do me thanë se dialektet duhet me u ndalue. Ato duhet me vazhdue me u kultivue, me u msue në shkolla, e me u shkrue. Ky asht gabimi fatal i enveristave dhe stalinistave gjuhësorë të vitit ‘72. Ndoshta, ta kishin lanë Gegnishten me u shkrue e botue, nuk e kishim pas këte diskrapancë mes gjuhës së shkrueme dhe të folun si sot në Kosovë dhe kudo ku Gegnishtja asht idioma natyrore.

Cilido debat asht ma i mirë se ky fatalitet me të cilin e ka mbështjellë kultura shqiptare nji grusht rregullash të vendosuna në kulmin e diktaturës enveriane. Ky fatalitet i Standardit ‘72 nuk i ban nder kësaj kulture.



- Zgjedhja e gegërishtes si dialekt, duke pasur parasysh rëndësinë thelbësore që ka gjuha në përkufizimin e shqiptarisë si identitet kombëtar, a mund të përkthehet si një prirje për t’u larguar nga Tirana? Si perceptohet sot Tirana në Kosovë, si është zhvilluar gjatë viteve të fundit ky perceptim?



MK: Kjo e ka ndjek “Javën” dhe mu personalisht: tuta nga largimi me Tiranën. “Java” na largon e nuk na afron me Tiranën. Sepse, po e them, Standardi për nji kosovar asht konotacion politik e jo gjuhësor. Standardi asht perceptue dhe kuptue e prezentue si Kurani i Xhamisë Nacionaliste Shqiptare. Mirëpo, nga perspektiva e “Javës”, ajo që njimend na mban larg Tirane, si e provon edhe shkëmbimi kulturor i njianshëm Tiranë-Prishtinë, asht bash Standardi ’72. Asht ky Standard që na ka nda, na ka klasifikue, na mban larg. “Java” asht rrafsh e kundërta: përpjekje me u afrue. Me u njoftë. Por jo sipas roleve linguale të ndame në kulmin e diktaturës enveriane, po simbas roleve që kemi me i pasë ne nji Europë t’Bashkueme, si njerëz të barabartë dhe me dinjitet, ku respekti për dinjitetin njerëzor asht nji vlerë e pakontestueshme dhe e sanksionueme me kushtetë. Imagjinojeni dinjitetin e kosovarit mbrenda Standardit ’72 (sic!).

Kosovarët, nga ana tjetër, jo se nuk e hetojnë hunin në synin e vet, por idhnohen kur e hetojnë në programet televizive shqiptare penetrimin e fjalëve të hueja italiane, sepse pastërtia e gjuhës për ta asht ekstrapolim i pastërtisë së territorit shqiptar. Gjuha e ka kuptimin e territorit për këta njerëz, andaj çdo subversion i ndonji fjale asht subversion me prapavi politike. Kështu, nuk e kam të huej se këta njerëz që e luftojnë dhe e dlirin territorin e shqipes sot nga italishtja e gjuhët tjera, nesër s’do e kishin dlirë edh territorin konkret nga ata që i flasin këto gjuhë Ky botëkuptim asht fund e maje i determinuem me nacionalizëm përjashtues. Asht krejt anakronik, njisoj siç asht reagimi ndaj “Javës” se na largon nga Tirana. Këta nacionalista të gjuhës, vetëm nuk e kanë shqisën me e pa e përjetue hapsinën kulturore shqiptare në tanë diversitetin e saj. Kaq. Dhe me e përjetue këte si pasuni e jo gjymti. Kaq. Ata e kanë nji keqkuptim fundamental se mendojnë dhe janë të bindun se nji komunitet shqiptar krejtësisht i homogjenizuem me Tosknishte asht i mundun. “Java” mendon se komunitete të homogjenizueme linguale nuk egzistojnë në realitet. Se realitetet e shoqnive normale janë gjithmonë diverse. Mirëpo, Gegnishten e “Javës” duhet kuptu edhe si nji test permanent tolerance për kulturën shqiptare. Sa jemi na tolerantë ndaj të Ndryshmes në mesin tonë, të dlirun Gegnishteje? Sa jemi koshientë se diversiteti asht vlerë europiane e jo gjamë e fatkeqësi shqiptare.



- Gjatë viteve 2001-2002 në faqet gazetës suaj është zhvilluar një polemikë ku ka spikatur një guxim i theksuar intelektual në lidhje me identitetin kosovar, e cila është përmbledhur më pas në librin “Kush asht kosovari?”. Jeni përballur kështu me një temë që pëgjithësisht mbetet tabù për qarqet shqipfolëse. Si përkufizohet identiteti kosovar? Ku ndryshon ai nga Shqiptari i Shqipërisë?



MK: Sa po shkon koha e po bahem koshient se “Java” ka qenë (pa e pasë aspak këte ambicie) testi i parë europian për kulturën dhe elitën kosovare. Kosova, elita e saj, përkatësinë e vet europiane nuk e ve në dyshim aspak. Bile-bile, me i pyet ata, njashtu të përhumbun me kompleks autoktonie, ata të dalin se janë europianët e parë të Gadishullit, sepse si mbasardhës të ilirëve, kjo gja vetkuptohet. Për elitën kosovare, Europa konceptohet si fenomen gjeografik, me rrajë n’katolicizëm, dhe e formueme prej shteteve-kombe. E theksojnë sidomos këte shtete-kombe, sepse ju pëlqen, prapë tuj e minimizue faktin se po këto shtete kombe kanë tejkalue shumçka thelbësisht kombëtare deri sot, si monedhën, tregun, kufinin dhe po ecin drejt nji supra(mbi)-shteti nacional. Ndërkaq, “Java” flet për nji Europë tjetër, nji të tillë që nuk gjenerohet nga autoktonia, katolicizmi apo nacionalizmi, po nga – vlerat. Për mu personalisht Europa paraqet nji Komunitet të Vlerave, si e sanksionon edhe kushtetuta e pafat e Unionit Europian. Nëse kishim me arritë me i interiorizue këto vlera europiane, si respektin për dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut, diversitetin, tolerancën, shtetin ligjor, demokracinë....çashtja e përkatësisë sonë europiane ma s’kishte me qenë çashtje. “Java” nga ana tjetër dëshmon se kultura shqiptare sot për sot tregohet shumë a(nti)-europiane. “Java” asht prova e a-europianizmit kosovar. Çkado kemi nis në “Java”, si debatin për Gjuhën, botimin e Gegnishtes, debatin për Identitetin Kosovar si model supra-etnik identifikimi, debatin për Identitetin Musliman të shqiptarëve, për nevojën e Flamurit të ri të Kosovës...krejt këto pyetje-teste dëshmonin a-europianizmin e kosovarëve njashtu si e prezentuem Europën këtu, si komunitet vlerash.

Prej numrit të parë, me 1 Dhetor 2001, kemi nis debatin për identitetin që e quejtëm “kosovar”, të bindun se me këte debat “Java” vetëmsa i bashkohet debatit që po zhvillohej prej vitesh në qendrat europiane me pyetjen: kush asht europiani? Për ne në “Java”, ‘kosovar’ ishte vetëm fjalë tjetër për ‘europian’. Pra, nji nocion që nuk gjenerohej etnikisht. Ky ishte debati i parë mbi modelet supra-etnike të identifikimit që u ba në kulturën shqiptare. Ishin mbi 30 kontribues dhe vetëm para nji jave, në Prishtinë u mbajt edhe nji sympozium me shumë panele e panelista, që i kushtohej çashtjeve të shumta të identitetit përgjithësisht. Edhe debati për ‘kosovarin’ po ashtu u keqkuptue dhe u kuailifikue si përpjekje largimi nga Tirana e Shqipnia. Por, me debatue për ‘kosovarin’ ne në “Java” e kuptonim si me debatue për “europianin”. Për mundësitë e paraqitjes së identiteteve supra-etnike nga proceset e integrimeve europiane dhe nga themelimi dhe puna e institucioneve europiane. Dallimi i “Javës” dhe elitave shqiptare asht se ato janë të binduna se e dijnë çka asht ‘Europiani’ dhe ‘Europa’, ndërkaq “Java” po mundohet me ju bashkue përpjekjeve të përbashkëta n’Europë me i sqarue e hulumtue këto koncepte, sepse mendon se nuk janë të kryeme e definitive.



- Ndryshe nga Shqipëria, ku pragmatizmi dhe nevoja për kozmopolitizëm si pasojë e izolimit shumë-vjeçar kanë bërë që kombëtarizmi të braktiset ose të shndërrohet në një retorikë irracionale periferike, në Kosovë nuk duket se paraqitet e njëjta situatë. Si mund të përkufizohet nacionalizmi kosovar sot? Ç’rol luan Tirana në trajtësimin e tij?



MK: Kozmopolitizmin nuk e kisha pa si diçka që kishte me e randue elitën shqiptare. Përkundrazi, kisha me e pëlqye shumë, por mendoj se edhe n’Tiranë edhe n’Prishtinë ende ideologjia determinuese mbetet nacionalizmi. Tirana, ajo e eksperimenteve proletare botnore e kohës së Hoxhës, mendoj se vetëm sot, në fillim të shekullit XXI, e ka zbulue fuqinë e nacionalizmit dhe e gjen t’afërt. Ndërkaq Prishtina, ka qenë e ka mbetë e determinueme fatalisht me nacionalizëm, dhe sinqerisht e ka të zorshme me e kuptue botën jashtë kategorive dhe nocioneve nacionaliste. Nocionet si supra-etnia, multietnia, multikulturalizmi, multikonfesionalizmi, për nji nacionalist gjenuin kosovar janë vetëm nji terminologji e të huejve që ata as në vendin e vet s’e respektojnë, e donë me na e shitë neve. Nacionalistin shqiptar e dikton me qëndrimin ndaj përpjekjeve për me e ndërtue shtetin e Kosovës: nacionalisti edhe n’Prishtinë edhe n’Tiranë shtetin e nesërm të Kosovës e kupton vetëm si Shtet-Komb, dhe kurqysh tjetër. Këte e artikulon ma së miri Ismail Kadare, ‘baba’ i këtyne elitave nacionaliste, n’intervistën për Voice Of America dhe gazetën e shqiptarëve të New Yorkut, “Illyria”[5]. Kosovën si nji shtet qytetarësh e qëllimesh politike, që i ka t’ingranueme vlerat europiane që përmendëm, për ta mbetet vetëm nji abstrakcion.



- Së fundmi keni marrë çmimin Press Freedom Award që është pa dyshim një vlerësim jo pak i rëndësishëm. Si mendoni çfarë i ka shtuar gazeta Java sferës mediatike kosovare?



MK: Alternativën. Mundësinë tjetër. Nji narracion ma shumë, që pasunon diversitetin e panoramës shqiptare. Sjell nji shije debati e qytetnimi europian në këte Makondo të nacionalizmit. Hiqeni “Javën”, dhe ju e konstatoni se kultura shqiptare s’ka problem ma. As me Gjuhën, as me Identitetin, as me Flamurin, as me “Kosovarin”, as me “Europën”....Asht e lumnueme dhe e gzueme në nacionalizmin e vet. “Java” asht etalon tjetër kulturor. “Java” kisha pasë dëshirë me qenë e me u kuptue si etaloni i parë kulturor europian i Kosovës.




[1] Une gjithmonë e pandehi Gegnishten Gjuhë, sepse Gjuha s’asht gja tjetër pos dialekt me status e konsenzus shoqnor.

[2] “What is noteworthy in Albanian case is that dialect disappearance has apparently received official benediction; there appears to be a desire consciously to eradicate them rather then to leave their eventual demise to chance or historical vagaries. Not only have two veryinfluential linguists (Kostallari, Gjinari) evidencednegative attitudes toward dialects, but other Albanian intllectuals,as we have seen, have also urged the speedy elimination of dialects.” (Janet Byron, “Selection among alternates in language standardization: The case of Albanian”, The Hague: Mouton, 1976)

[3] “Integration into a single ‘linguistic commuity’, which is a product of the political domination that is endlessly reproduced by institutions capable of imposing universal recognition of the dominant language, is the condition for the establishment of relations of linguistic domination.” (Pierre Bourdieu, “Language & Symbolic Power”, Harvard University Press, 1991:46)

[4] “The rich diversity of human languages and dialects is a part of the human condition. To iron them out so that all languages would either be uniformly logical or identical in reference is not only a work od Sisyphus, but a monstrous goal unworthy of a humanist” (Haugen, 1971)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme