E para monografi për përkthyesin e veprave të rralla perse
“Vexhi Buharaja, pa mite dhe mjegull” i studiuesit Yzedin Hima, na sjell një vepër monografike për një figurë të çmuar të përkthimit nga gjuhë të rralla. Vepra e konceptuar në dy pjesë, është një analizë mbi jetën dhe veprimtarinë e poetit dhe përkthyesit të viteve '40. Për lexuesit, Buharaja u bë i njohur me përkthimin e veprës së njohur të poetit pers Saadiut “Gjylistani dhe Bostani” dhe të “Shahnamesë”, që konsiderohet si “Iliada” e kulturës lindore.
Jo më pak njihet edhe për sjelljen nga persishtja në shqip të vëllimit petik “Tehajulat" (Endërrime) të Naimit Frashërit. Për herë të parë në këtë monografi botohet “Astronomia” e Hasan Tahsinit. Vepra e Buharasë nuk ishte përqëndruar vetëm në letërinë artistike, ai ka bërë një punë të madhe më përkthime në fushën e historisë dhe të gjuhësisë.
Vepra e tij është aq koncize dhe e qartë sa shumë studiues të historisë mbështeten në punën e tij për studimin e periudhës së Mesjetës dhe të pushtimit osman. Monografia e Vexhi Buharasë ka qenë dhe studimi me të cilin Hima ka fituar gradën master, në gjuhë-letërsi. Në intervistën e mëposhtme ai tregon arsyet që e shtynë të studiojë jetën dhe veprën e Vexhi Buharasë.
Përse Vexhi Buharaja konsiderohet si i fundit përkthyes nga gjuha perse?
Buharaja dhe Fan Noli janë ndër të parët përkthyes shqiptarë. Ai ngelet i fundit për arsye se tradita e madhe e përkthimit u ndërpre për shkak se Shqipëria gjatë regjimit komunist u izolua dhe humbi kontaktet kulturore si me Lindjen ashtu edhe me Perëndimin.
Ndaj them se aktualisht Buharaja është i fundit, pasi një brez i ri djemsh që po studiojnë gjuhët e Orientit është duke ardhur. Këto ditë unë kam marrë pjesë në prezantimin e një libri artistik për fëmijë, i përkthyer nga gjuha perse nga dy të rinj. Mendoj se të tjerë do ta pasojnë.
Në këtë libër gjejmë anë të panjohura më parë mbi Buharanë?
Jam munduar që të trokas në veprën e madhe të Vexhi Buharasë, një nga njerëzit më të pazakontë të kulturës shqiptare. Si poet, përkthyes, studiues dhe si interpret. Ai ka pasur një jetë bohemi por të mahnit me njohjen e jashtëzakonshme të gjuhës shqipe. Unë jam tronditur nga lartësitë nga të cilat ai vëren artin. Dhe këto lartësi qëndrojnë pikërisht në njohjen e gjuhës shqipe dhe gjuhëve të tjera. Ai ka qenë një njohës i shkëlqyer jo vetëm i kulturës së Lindjes por edhe të Perëndimit.
Ka përkthime premierë kjo monografi?
Po, botohet për herë të parë “Astronomia” e Hasan Tahsinit që është përkthyer mjeshtërisht nga Vexhi Buharaja rreth viteve ’60, për nevoja të Institutit të Historisë. Gjithashtu botohet për herë të parë teksti i studimit të Buharasë.
Di që ai ka lënë ka lënë një thesar studimesh autentike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Dhe besoj se është një sofër e madhe dhe e begatë për studiues të historisë, gjuhës dhe letërsisë. Kjo sofër e madhe përmban përkthime, interpretime, njëkohësisht ai sjell edhe studime që janë autentike, sidomos ato për mbishkrimet. Këto mbishkrime ai i ka lexuar nëpër portikë, në varre dhe në objektet e kultit, kisha dhe xhami.
Ç'mund të thoni për dorëshkrimet e krijimtarisë së tij origjinale?
Unë mendoj se Vexhi Buaraja s’mund të rrinte pa shkruar poezi. Aktualisht gjenden vetëm 15 poezi të tij, që për nga niveli artistik mund të konsiderohen si më të mirat e kohës. Flas për poezitë e viteve ’40. Kam shfletuar në arkiva dhe kam parë autorë bashkëkohës të tij, si të qarkut kulturor të Beratit, por edhe më gjerë në Shqipëri. Në vitet ‘40 duhet të kemi parasysh që Migjeni ka vdekur, Lasgush Poradeci i ka shkruar veprat e tij dhe i ka botuar brenda viteve ’30.
Mendoj se duhet të ketë edhe vepra të tjera që mund të kenë humbur. Sepse nuk mund të rrinte një njeri që shkruan poezi të jashtëzakonshme, pashkruar. Mbase këto poezi mund të jenë diku dhe studiuesve i’u mbetet t'i kërkojnë, për t'i sjellë te lexuesi.