
Debati për mendimin politik të Skënderbeut është i hershëm. Orientimi i tij
politik është vënë në dyshim dhe madje është kundërshtar nga një pjesë e
shqiptarëve që për të gjallë dhe gjatë kohës së veprimtarisë së tij si nga
Hamza Kastrioti, Dukagjinasit, Moisi Golemi etj., dhe ka vazhduar deri në
ditët e sotme. Në dy vitet e fundit ky debat është rikthyer.
Shkas për rikthimin e debatit u bë libri politik "Skicë e mendimit politik
shqiptar" botuar në Tiranë më 1998, por shkak edhe më i rëndësishëm janë
rrethanat politiko-shoqërore shqiptare, konflikti shqiptaro-serb e
shqiptaro-grek, ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, Kosovë dhe
Maqedoni dhe përgjithësisht reflektimi i shqiptarëve mbi qenjësimin e vet
politik të sotëm dhe të kaluar si përpjekje për të kuptuar gjendjen e vet të
sotme dhe për të dhënë zgjidhje në rrethanat e sotme. Për të hyrë
drejtpërdrejtë në temë, konteksti i debatit dhe çka thuhet në libër,
megjithëse është element i rëndësishëm i kuptimit të këtij debati, do të
lihet për në fund. Tani ia vlen të përmendet vetëm një moment sqarues:
kundër përshkrimit në libër të mendimit politik në periudhën e Skënderbeut
janë shprehur vetëm nivele të ulëta mendore, kryesisht në gazeta si "Zëri i
Kosovës", "Balli Kombëtar" (i Abaz Ermenjit) dhe ndonjë organ tjetër i këtij
niveli, ndërsa profesionistët, studiuesit ose kanë heshtur, ose e kanë
vlerësuar pozitivisht librin. Prandaj përfshirja në këtë debat u bë e
nevojshme për të sistemuar debatin, për të vënë rregull së paku përshkrues,
sepse duke pasur nivel të ulët mendor, debatuesit i kanë bërë rrëmujë
argumentet e veta. Kjo do të ketë rrjedhojë ndër të tjera përpjekjen time
për t’u ulur në nivelin e kritikëve dhe shmangien e disa karakteristikave të
debatit profesional si referimet tek autorët e burimet, heqjen e
përkufizimit të koncepteve, mospërmendjen e problemeve njohëse dhe
epistemologjike, mungesën e shqyrtimit të teorive ndihmëse, metodologjisë
etj., etj. Argumentet e paraqitura në debat nuk janë të miat, janë të
shpërndara nëpër autorë të ndryshëm, ndërsa merita ime është vetëm të
përshkruaj qartë dhe në mënyrë të sistemuar debatin e shpërndarë. Debati
zhvillohet ndërmjet dy qasjeve: njëra qasje ngul këmbë se Skënderbeu nuk
duhet shqyrtuar në mënyrë kritike qoftë edhe sikur t’i ketë shkaktuar
fatkeqësitë më të mëdha popullit shqiptar, tjetra ngul këmbë se Skënderbeu
duhet t’u nënshtrohet rregullave të të menduarit logjik dhe shqyrtimit
kritik racional si çdo objekt tjetër i studimit. Nuk ekziston ndonjë qasje
konseguente e tipit të parë, dmth që Skënderbeu të mos shqyrtohet në mënyrë
kritike, por më tepër është fjala për një qëndrim që thotë se "kur e
kritikoj unë, kritika është e lejueshme dhe e drejtë, kur e kritikon
tjetri, kritika nuk është e lejueshme dhe e drejtë". Kështu për shembull,
historiografia enveriste vetë e ka kritikuar Skënderbeun në shumë drejtime
si për natyrën klasore, kufizimet ideologjike, naivitetin e besimit tek
Vatikani etj., etj., por kur kritikohet nga ndonjë këndvështrim tjetër, për
shembull ka këndvështrimi i logjikës nacionaliste, atëherë historianët
enveristë dalin në mbrojtje të paprekshmërisë së figurës së Skënderbeut,
akuzojnë palën kritike se po fyen heroin kombëtar dhe ndjenjat e
shqiptarëve, etj., etj. Megjithkëtë ky lloj qëndrimi këtu do të trajtohet si
një qasje e vetme që thotë se Skënderbeu duhet përjashtuar nga shqyrtimi
racional si objektet e tjera të studimit.
Gjatë gjithë historisë së debatit në mbrojtje të përjashtimit të Skënderbeut
nga rregullat e studimit si çdo objekt tjetër janë sjellë dy llojë
argumentash: argumentet shkencore dhe argumentet praktike, (ose me terma të
tjerë, argumentet ‘prudenciale’, pragmatiste, politike). Përmbledhtas janë
sjellë këto argumente teoriko-shkencore: 1-Skënderbeu është mbrojtës i
Evropës për çerek shekulli; 2-Skënderbeu është mbrojtës i krishtërimit;
3-Skënderbeu është krijuesi i miqësisë së popullit shqiptar me popujt e
tjerë të Ballkanit (sllavët dhe grekët); 4-Skënderbeu është shëmbëlltyra e
luftës së një populli për liri dhe pavarësi; 5-Skënderbeu është krijues i
shtetit shqiptar; 6-Skënderbeu është mit dhe simbol i shqiptarëve dhe
teorikisht është argumentuar se mitet dhe simbolet duhet të lihen të kryejnë
funksionin e tyre si të tilla.
Argumentet praktike mund të përmblidhen: 1-Pavarësisht si është e vërteta
për Skënderbeun, duke e paraqitur si mbrojtës të Evropës, shqiptarët
përfitojnë përkrahjen e Evropës për synimet e veta politike të kohës;
2-Pavarësisht si është e vërteta duke e paraqitur Skënderbeun si mbrojtës të
krishtërimit, shqiptarët fitojnë përkrahjen politike të kristianëve për
interesat e kohës; 3-Pavarësisht nga rrjedhojat që ka sjellë politika e
Skënderbeut dhe figura e tij duhet të ruhet për shkak të frymëzimit që jep
tek shqiptarët për luftën për liri dhe për pavarësi.
Ndaj të gjitha këtyre argumentave janë paraqitur argumenta alternative, të
tjera, që do të përshkruhen më hollësisht në vijim, po ashtu në të dy
dimensionet: teorike dhe praktike.
1-Skënderbeu për çerek shekulli është mbrojtës i Evropës në kuptimin
ushtarak dhe në kuptimin e mbrojtjes së qytetërimit evropian, qytetërimit
perëndimor përballë barbarisë lindore osmane. Ky argument thotë se
Skënderbeu e mbrojti Evropën drejtpërdrejtë, duke mos lejuar kalimin e
pushtuesve osmanë islamikë nga bregdeti shqiptar dhe territori i zotëruar
prej tij në Evropë dhe tërthorazi duke angazhuar forca të mëdha ushtarake
osmane në luftë kundër vetes dhe shqiptarëve dhe kështu duke dobësuar fuqinë
e saj pushtuese ushtarake ndaj Evropës. Duke e mbrojtur Evropën nga
pushtimi ushtarak osman, Skënderbeu ka mbrojtur qytetërimin evropian
perëndimor.
Ndaj këtij argumenti janë bërë vërejtje të shumta dhe janë paraqitur
argumente lternative: së pari, a nuk kishte rrugë të tjera Perandoria Osmane
për pushtimin e Evropës, por vetëm nga Shqipëria e Mesme (e sotme) dhe nga
Durrësi ? Në periudhën e Skënderbeut, Perandoria Osmane shtrihej në gjithë
Bosnjen e Serbinë deri afër Beogradit (që mbahej nga hungarezët) prej nga
mund të depërtonte në Evropë nëpër luginën e Danubit dhe po ashtu, kishte
mundësi të kalojë Adriatikun në vendkalimin më të ngushtë, Otranto, e nuk
kishte pse të kalonte patjetër nga Durrësi. Së dyti, pse nuk e pushtoi
Evropën pas vdekjes së Skënderbeut, kur nuk mbrohej më prej tij ? Pas
vdekjes së Skënderbeut fuqia pushtuese e Perandorisë Osmane nuk kishte rënë,
por përkundrazi përparoi deri afër Vjenës. Për më tepër, megjithëse e futi
në dorë bregdetin shqiptar, përparimin kah Evropës e ndoqi në rrugë
tokësore, bregut të Danubit deri afër Vjenës dhe nuk ndërmori sulme kundër
Italisë e papatit nga Durrësi. Së treti, a duhej të mbrohej qytetërimi dhe
kultura perëndimore e asaj kohe ? Qyetërimi dhe kultura evropiane e asaj
periudhe dhe shumë më pas, ishin ndër të tjera, qytetërimi dhe kultura e
kryqëzatave, inkuizicionit, djegies së rreth 700 mijë plakave të pafajshme
të akuzuara si shtriga, e shfarosjes së hebrejve etj., etj. Vetë evropianët
kishin filluar dhe pak pas vdekjes së Skënderbeut i kishin shpallur luftë
qytetërimit dhe kulturës së deriatëhershme evropiane, elementëve thelbësorë
të mesjetës të cilën e quanin periudhë të "vdekjes" dhe përpiqeshin ta
zëvendësonin me "rilindjen", periudhë dehumanizmi dhe përpiqeshin ta
zëvendësonin me humanizmin, periudhë të errësirës dhe flakjen e saj e
quajtën periudhë të ndriçimit (iluminizmit). Mund të thuhet se Skënderbeu
mbrojti kushtet që evropianët vetë të fillojnë luftën kundër kësaj kulture
perëndimore, por ky interpretim nuk qëndron, sepse lufta evropiane kundër
kulturës evropiane mori vrull pikërisht pas vdekjes së Skënderbeut. Nga kjo
rastisje në kohë ndoshta nuk del as se Skënderbeu ishte pengesë e vrullit të
humanizmit, rilindjes dhe iluminizmit evropian, por vetëm se Skënderbeu
nuk kishte rol të rëndësishëm as për mbrojtjen, as për ndryshimin e
kulturës evropiane. Sidoqoftë, sipas vetë evropianëve, gjëja që duhej më së
paku të bëhej në atë ishte mbrojtja e kulturës së atëhershme evropiane,
perëndimore etj., etj.
2-Skënderbeu është mbrojtës i krishtërimit perëndimor. Ky argument thotë se
luftërat antiosmane të Skënderbeut kanë qenë njëkohësisht luftra për
ruajtjen e kristianizmit perëndimor kundër islamizmit, se Skënderbeu ishte
projektuar të vihej në krye të kryqëzatave, se është vlerësuar "Atleti i
Krishtit", se këshilltar kryesor kishte peshkopin Pal Engjëlli dhe se
përfundimisht në orientimin e vet politik ishte thellësisht kristian
perëndimor.
Ndaj këtij argumenti janë paraqitur kundërargumente të prirjeve të ndryshme
që tregojnë marrëdhënie më të ndërlikuara ndërmjet Skënderbeut dhe
kristianizmit. Së pari, historigrafia enveriste është përpjekur të zvogëlojë
motivin fetar kristian të Skënderbeut duke nxjerrë pavarësinë e vendit si
motiv të parë të luftërave të tij, duke treguar pabesitë e papës ndaj
Skënderbeut etj. Së dyti, cilin kristianizëm perëndimor mbronte Skënderbeu ?
Edhe në qoftë se Skënderbeu ishte mbrojtës i katolicizmit papnor, nuk del
se është mbrojtës i kristianizmit perëndimor, sepse kristianizmi perëndimor
ishte ndarë në drejtime që nuk pranonin katolicizmin papnor dhe
autoritetin e papës së Romës. Pak para periudhës së luftërave të
Skënderbeut, konflikte kishin shpërthyer madje edhe ndërmjet vetë
kandidatëve për selinë e papës, një prej të cilëve e zhvendosi atë në
Avinjon të Francës, e në të njëjtën kohë ekzistonin tre papë që lëshonin
mallkime kundër njëri-tjetrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut kishin
filluar dhe jo shumë pas vdekjes së tij morën vrull lëvizjet reformiste në
Gjermani me Martin Luterin, në Francë me Kalvinin etj., për shkëputjen e
kishave nga katolicizmi papnor që përfunduan në luftëra të përgjakshme si
masakra kundër hugenotëve në natën e Shën Bartolemeut, inkuizicioni,
luftërat ndërmjet Spanjës dhe Hollandës etj., etj. Njëri pas tjetrit kisha
dhe popuj evropianë ishin shkëputur nga katolicizmi dhe autoriteti papnor
duke krijuar kishën anglikane, protestantët, kalvinistët, luterianët,
baptistët etj., etj., kështu që termi "mbrojtje e katolicizmit" nuk mbulon
termin "mbrojtje e kristianizmit perëndimor", por vetëm tregon marrjen e
anës së njërës palë kristiane në luftën kundër palës tjetër kristiane
perëndimore.
Së treti, a ishte luftë për mbrojtjen e kristainizmit kundër islamizmit
pjesëmarrja e Skënderbeut në luftën e një princi kristian (psh princit të
Napolit) kundër një princi tjetër po kristian në gadishullin italik ?
Skënderbeu del se ka zhvilluar luftëra edhe kundër kristianëve dhe kjo mund
të interpetohet si luftë e Skënderbeut kundër kristianizmit (siç
interpretohet si luftë për mbrojtjen e tij, meqenëse është në anën e një
udhëheqësi kristian) jo vetëm kur ishte në shërbim të sulltanit, por edhe
kur ishte kundërshtar i tij, ose mund të interpretohet se në politikën e
vetë Skënderbeu nuk udhëhiqej nga motivi fetar, por i forcimit të fuqisë së
vet ose se Skënderbeu ishte një palë kristiane në luftën kundër islamizmit
dhe kristianizmit tjetër perëndimor etj., etj. Po ashtu, si mbrojtës i
kristianizmit perëndimor, Skënderbeu nuk del as kur bën aleanca me princër
dhe mbretër të kristianizmit ortodoks lindor si ata serbë, bullgarë, grekë
etj. Së katërti, devotshmëria katolike e Skënderbeut është e dyshimtë,
sepse vetë ai një kohë të gjatë kishte jetuar si mysliman, sepse familja e
tij ishte e njohur nga njëra anë për ndërrimet e shpeshta fetare dhe nga
ana tjetër, pjesa më e madhe e familjes së tij ishte nën ndikimin ortodoks
të nënës që shprehet në ortodoksë-sllavë të vëllezërve dhe motrave si
Reposhi, Konstantini, Vllajka, Jella etj., deri tek varrimi i vëllait të
tij me nderim të madh në manastirin e shenjtë e Hilanadarit në Greqi. Siç u
tha edhe në prirjet politike tek Skënderbeu konstatohen prirje drejt
kristianizmit ortodoks lindor. Së pesti, Skënderbeu mund të interpretohet si
udhëheqësi shqiptar që përuroi fillimin e luftërave fetare ndërmjet
shqiptarëve. Kështu mund të interpretohet sjellja e tij ndaj besimeve të
tjera fetare në Shqipëri pas kthimit në Krujë, kur kërkoi nga kolonistët dhe
të konvertuarit në myslimanë të zgjedhin ndërmjet kristianizmit e vdekjes
dhe të gjithë ata që nuk pranuan të braktisin islamin i masakroi. Masakra
masive si këto nuk janë kryer gjatë gjithë periudhës së sundimit osman dhe
përgjithësisht kjo sjellje e Skënderbeut nuk u pasua nga udhëheqës të tjerë
(ndoshta me përjashtim të Pjetër Bogdanit dhe ndonjë rasti tjetër të rrallë)
e nuk u shndërrua në traditë tek shqiptarët. Përkundrazi, traditë u bë
toleranca fetare që është një përvojë dhe karakteristikë tipike shqiptare.
Por në qoftë se do të ishte vazhduar qëndrimi i Skënderbeut, atëherë atij
do t'i takonte merita e themeluesit të intolerancës dhe luftërave fetare
ndërmjet shqiptarëve. Sidoqoftë nga të gjitha këto, sjellja e Skënderbeut
nuk mund të përmblidhet nën termin "mbrojtës I kristianizmit perëndimor",
as nën termin "mbrojtës i kristianizmit", sepse në veprimtarinë e tij ka
edhe luftëra kundër kristianëve, sidomos kundërshtarëve të Papës, edhe
aleanca me ortodoksinë që nuk është kristianizëm perëndimor etj. Sigurisht,
në krahasim me islamizmin, të gjitha format e kristianizmit kanë diçka të
përbashkët, por kjo e përbashkët është e pamjaftueshme që veprimtaria e
Skënderbeut të përfshihet nën termin "mbrojtës i kristianizmit" edhe kur
lufton kundër kristianëve.
3-Skënderbeu ka vlerën dhe meritën se është krijues i miqësisë së popullit
shqiptar me popujt e tjerë të Ballkanit, me sllavët para së gjithash me
serbët, malazezët, bullgarët dhe me grekët, përmes kërkesave për aleanca
kundër Perandorisë Osmane, përmes shembullit të vet dhënë këtyre popujve për
luftën çlirimtare, përmes frymëzimit dhe nxitjes së besimit në mundësinë e
thyerjes e të fitores kundër Perandorisë Osmane etj. Kjo miqësi dhe
admirim për Skënderbeun shfaqet në këngët popullore që i kanë kushtuar
popujt e Ballkanit dhe në vlerësimin që i bënin udhëheqësit ballkanikë
rolit të Skënderbeut në planet e tyre politike. Kjo miqësi e forcuar nga
Skënderbeu është vazhduar në luftërat e mëvonshme të përbashkëta të
shqiptarëve dhe ka qenë bazë e bashkëpunimit të shqiptarëve me serbët dhe
grekët kundër "armikut të përbashkët" deri në ditët tona.
Edhe ndaj këtij argumenti janë bërë vërejtje të rëndësishme. Së pari,
gatishmëria dhe përpjekjet e Skënderbeut për të bashkëpunuar me udhëheqësit
politikë sllavë, para së gjithash serbë dhe udhëheqësit politikë grekë, nuk
e kanë bërë politikën serbe e greke miqësore ndaj shqiptarëve në asnjë
periudhë dhe për asnjë ngjarje. Së dyti, me bashkëpunimin e tij me serbët
dhe grekët, Skënderbeu ndikoi në krijimin e një tradite të bashkëpunimit të
politikanëve të mëvonshëm shqiptarë me politikanët serbë dhe grekë kundër
"armikut të përbashkët" që përgjithësisht përfundonin në humbje të
shqiptarëve në kuptimin e nënshtrimit të politikës shqiptare ndaj asaj serbe
dhe greke që mbetën armiqësore. Së treti, përpjekja për të ndarë konceptim
"miqësi mes popujsh" nga "miqësi mes politikanësh" të popujve të ndryshëm
nuk ka vlerë, sepse ajo që quhet "miqësi mes popujve" në fakt është
"miqësi" ose bashkëpunim mes politikanëve. Për të bërë të vlefshëm dallimin
ndërmjet termit "miqësi mes popujsh" nga termi "miqësi mes politikanësh",
duhen treguar raste kur politikanët shqiptarë ishin kundër bashkëpunimit me
politikanët serbë dhe grekë ndërsa populli kërkonte bashkëpunim dhe bënte
presion mbi politikanët për bashkëpunim. Mirëpo si rregull konstatohen
vetëm raste të kundërta, kur politikanët kanë qenë për bashkëpunim dhe
popujt kundër bashkëpunimit, kur pjesë të popullit shqiptar kritikojnë
politikanët e vetë pse bashkëpunojmë me serbët dhe grekët dhe pjesë të
popujve serb dhe grek kritikojnë politikanët e vetë pse bashkëpunojnë me
shqiptarët. Po ashtu, raste të bashkëpunimit mes pjesëve të popujve fqinjë
konstatohen vetëm kur përfundonin miqësitë mes politikanëve. Për këtë nuk
ka rëndësi nëse popujt kanë qenë të manipuluar nga politikanët, sepse me
manipulim nga politikanët mund të shpjegohen njëlloj edhe armiqësitë, edhe
miqësitë mes popujve fqinjë (bashkëpunimi mund të jetë në fakt manipulimi i
një popullsie për interesa bashkëpunimi të elitave politike) dhe sepse,
manipulimi nuk e ndryshon faktin se popujt kishin miqësi kur kishin miqësi
politikanët dhe armiqësi kur kishin miqësi politikanët. Prandaj, ajo që
është quajtur "miqësi mes popujve fqinjë" është miqësi e politikanëve
shqiptarë me politikanët serbë dhe grekë dhe Skënderbeu është i rëndësishëm
në krijimin e traditës së bashkëpunimit të krerëve dhe politikanëve
shqiptarë me serbët dhe grekët e jo i miqësisë ndërmjet popujve të
Ballkanit. Së katërti, "miqësia me popujt e Ballkanit" ka qenë arsye e
armiqësimit në radhët e vetë shqiptarëve, sepse ata shqiptarë që vuanin nga
sundimi serb me të cilët bashkëpunonte Skënderbeu e shikon me revoltë vetë
këtë udhëheqës dhe shqiptarët që e mbështesnin. Prirja e Skënderbeut për
miqësi dhe aleanca politike përveç me sundimtarin serb të Bosnjes edhe me
sundimtarin serb të Kosovës, despotin Gj. Brankoviç ka qenë shkak i
armiqësisë së popullsisë shqiptare që vuante terror nën sundimin e
Brankoviçit ndaj Skënderbeut. Po ashtu, edhe princa dhe udhëheqës të
rëndësishëm si Dukagjinasit u vunë kundër Skënderbeut për shkak të miqësisë
së tij me serbët. Territoret e Dukagjinasve kufizoheshin me territoret
shqiptare të sunduara nga Brankoviçi dhe aleati politik I Skënderbeut që
shfaroste shqiptarët në principatën e vetë (Kosova) dhe nga kjo fqinjësi,
ndërmjet Dukagjinasve dhe Brankoviçit kishte konflikte. Mbështetja e
Dukagjinasve nga popullsia dhe kundërshtimi i Skënderbeut për arsye të
miqësisë së tij me Brakoviçin kanë bërë që në traditën popullore në Krujë e
sipër të jetojë Lekë Dukagjini, ndërsa Skënderbeu është dërguar vonë
nëpërmjet sistemit arsimor në popullsi, kurse në kujtesën popullore dhe në
odën tradicionale shqiptare ka qenë i harruar. Në këtë argument po të
pyetet se pse e "tradhëtuan" Dukagjinasit Skënderbeun, përgjigja është se
Skënderbeu i kishte tradhëtuar më parë duke lidhur miqësi me armikun
kryesor të tyre, me serbët dhe Gj. Brankoviçin. Sipas këtij argumenti
Dukagjinasit përfaqësojnë politikën e armiqësisë me serbët, Skënderbeu të
bashkëpunimit me serbët.
4. Skënderbeu është shëmbëlltyra e luftës së një populli për liri dhe
pavarësi. Me luftërat e tij për gati një çerek shekulli, Skënderbeu është
shembulli i virtytit dhe kryerjes së detyrës ndaj atdheut, i luftës për
çlirim nga pushtuesit më të egër të vendit. Ai po ashtu është shembulli I
trimërisë dhe strategut ushtarak, meqenëse u ndesh me një fuqi shumë më të
madhe se ushtria e tij dhe doli fitimtar.
Edhe ndaj këtij argumenti janë paraqitur vërejtje të ndryshme dhe
interpretime alternative. Së pari, a është Skënderbeu shëmbëlltyrë e
luftëtarit për liri apo siç është e zakonshme në politikën e shqiptarëve
edhe ai është bashkëpunëtor me një pushtues dhe sundimtar kundër një
pushtuesi dhe sundimtari tjetër ? Skënderbeu ka qenë bashkëpunues
politikisht me serbët, veçanërisht sundimtarin e Kosovës Brankoviç. Prandaj
përgjigja në këtë pyetje është e lidhur me përgjigjen në një pyetje tjetër:
a është Kosova toka shqiptare, do të thotë atdhe, pjesë e atdheut ? Në qoftë
se po dhe ndodhej nën sundimin serb, atëherë del se bashkëpunimi me serbët
është bashkëpunim me pushtuesit e atdheut. Në qoftë se Kosova nga
udhëheqësit shqiptarë nuk konsiderohet tokë shqiptare, pjesë e atdheut,
atëherë bashkëpunimi me serbët nuk është bashkëpunim me pushtuesit e
atdheut, por vetë politikani shqiptar sillet dhe mendon njëlloj si
politikani serb, domethënë jo si bashkëpunëtor i serbëve, por si vetë sebët.
Sepse konsiderimi i Kosovës tokë joshqiptare është karakteristikë
themelore e mendimit të çdo politikani serb. Në të dy rastet, bashkëpunimi
i Skënderbeut me serbët tregon rreshtimin e tij në anën e pushtuesve,
përkatësisht të armiqve të shqiptarëve. Argumente të ndryshme janë
zhvilluar për të treguar se serbët gjatë pushtimit osman kanë qenë edhe
vetë të pushtuar dhe prandaj nuk ka kuptim të quhen pushtues (psh
historiografia enveriste), por argumente janë zhvilluar për të treguar se
edhe osmanët pas disa shekujve të qëndrimit në Ballkan, nuk ishin më
pushtues, por vetëm popull sundues (psh Castellan). Sidoqoftë, më tepër se
çështje përkufizimi teorik, cilësimi i serbëve dhe osmanëve si pushtues
është i lidhur me përjetimin e tyre nga popullsitë e sunduara. Dhe, edhe pas
shekujsh sundimi si serbët, si osmanët, përjetoheshin si pushtues dhe
sundimtarë. Nga bashkëpunimi me serbët Skënderbeu nuk del shembull i
luftëtarit për liri dhe pavarësi, por I bashkëpunimit me njërin nga
pushtuesit (serbët) në luftë kundër pushtuesit tjetër (osmanëve). Së dyti,
cili ka qenë pushtuesi ose po të përdoret termi i Castellan, sundimtari më i
rrezikshëm për shqiptarët: sundimtari serb apo osman ? Dëshmitë tregojnë
bindshëm se jo vetëm para, por edhe pas pushtimit osman për shqiptarët
rreziu kryesor, sundimtari dhe pushtuesi më i rrezikshëm mbeten sllavët dhe
grekët. Prandaj të gjithë politikanët shqiptarë zgjodhën ndërmjet rrezikut
më të madh dhe rrezikut më të vogël dhe jo ndërmjet lirisë dhe robërisë,
zgjodhën bashkëpunimin me armikun dhe pushtuesin më pak të rrezikshëm osman,
ose me armikun dhe pushtuesin më të rrezikshëm sllav e grek. Bashkëpunimi
i Skënderbeut me serbët dhe grekët tregon se ai ka qenë bashkëpunëtor me
armiqtë dhe pushtuesit më të rrezikshëm sllavë dhe grekë. Bashkëpunimi i
Skënderbeut me serbët dhe grekët tregon se ai ka qenë bashkëpunëtor me
armiqtë dhe pushtuesit më të rrezikshëm e jo luftëtar i lirisë.
Së treti, a ka qenë Skënderbeu shëmbëlltyrë e luftëtarit të lirisë apo të
vasalit ? Skënderbeu nuk kishte pranuar vasalitet ndaj sulltanit, por kishte
pranuar vasalitet ndaj Venedikut. Nga kjo del se Skënderbeu nuk ka qenë
shëmbëlltyrë e luftëtarit të lirisë, por vasal, sepse fakti që nuk është
vasal i sulltanit, por i Venedikut nuk e ndryshon faktin se ka qenë vasal.
Kjo përsëri është vetëm çështje e zgjedhjes: vasal i kujt ? Këtu shtohet
edhe se Venediku po ashtu mbante nën sundim territore dhe portet më të
ëndësishme shqiptare dhe Skënderbeu ishte vasal i një sundimtari e
pushtuesi. Së katërti, Skënderbeu vërtetë është shëmbëlltyra e strategut
ushtarak, por raporti ndërmjet luftës dhe politikës tek ai është I
përmbysur, sepse lufta shikohet si kryesore dhe politika dytësore, ndërsa
politika do të duhej të ishte mbi luftën.
Së pesti, në luftërat e tij Skënderbeu ka qenë i manipuluar nga agjentura
joshqiptare, para së gjithash papati, Venediku, hungarezët etj., etj., të
cilët e kanë përdorur Skënderbeun për të dobësuar rrezikun osman ndaj tyre
duke zhvilluar luftërat në territor shqiptar. Duke e konceptuar si politikan
injorant, këto fuqi kanë arritur ta fusin Skënderbeun në luftë kundër
superfuqisë më të madhe të kohës (si t'u shpallë sot Shqipëria luftë
SHBA-ve), luftërat janë zhvilluar në territor shqiptar, për rreth një çerek
shekulli shqiptarët as kanë mbjellë, as kanë korrur, as kanë zhvilluar
tregtinë, zejet etj., është shkatërruar një pjesë e madhe e popullsisë, e
pasurive si: ullinjtë, vreshtat etj., etj. Nga të gjitha këto, nga kjo
politikë e Skënderbeut mund të kenë përfituar popujt e ndryshëm, por kanë
humbur shqiptarët.
Megjithë premtimin për të mos bërë digresione (degëzime) të argumentimit,
këtu bëhet i nevojshëm një i tillë. Fjala është për argumentin se ndërmjet
prirjes së Skënderbeut drejt katolicizmit dhe prirjes së tij drejt
sllavizmit dhe ortodoksisë ka një kontradiksion të papajtueshëm, së paku në
kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet katolicizmit shqiptar dhe sllavëve
ortodoksë, në radhë të parë serbëve. Në traditën katolike shqiptare ka pasur
një rrymë të fortë të konfliktit me ortodoksizmin serb që kur u ndanë
kishat në romake dhe bizantine. Në kohën e Skënderbeut ende ishin të
pathara damkat e hekurit të skuqur të përdorur nga serbët e Stefan Dushanit
e pasardhësit të tij, masakrat, shpronësimet, ndarjet e burrit nga gruaja,
e fëmijëve nga prindërit si presion për konvertimin e shqiptarëve katolikë
në ortodoksë. Përdorimi i shkallës kaq të lartë të dhunës për konvertim,
është tregues edhe i shkallës së lartë të kundërshtimit të shqiptarëve
katolikë për t'u kthyer në ortodoksë që e bënte të nevojshme përdorimin e
mjeteve ekstreme mesjetare të dhunës. Prirja e Skënderbeut për aleanca me
nipin e Car Lazarit, Brankoviçin, ishte krejt në kundërshtim me këtë
qëndresë popullore dhe me rrymën e klerit katolik shqiptar që përpiqej të
ruante lidhjet me papatin dhe katolicizmin nga ortodoksizmi sllav. Qëndresa
e klerit katolik shqiptar jo vetëm me bazë fetare, por edhe mbi bazë etnike
ndaj sllavizimit të kishës shqiptare vërtetohet përgjatë gjithë shekujve.
Ata, që në atë kohë janë ngritur kundër mbushjes së kishave shqiptare me
klerikë të besimit katoloik, por etnikisht sllavë (psh raguzianë) siç
dëshmohet në dokumentat e kohës dhe kjo ndeshje e klerit katolik me klerin
sllav, qoftë edhe katolik, gjendet gjatë gjithë historisë së katolicizmit
shqiptar deri sot. Armiqësia e lashtë e ortodoksizmit sllav ndaj
katolicizmit shqiptar u vërtetua si edhe më e dhunshme në vitet 1913-1914
në masakrat e kryera nga qeveria malazeze ndaj popullsisë myslimane e
katolike shqiptare për konvertimin e tyre në ortodoks. Prandaj Skënderbeu
me prirjen e tij drejt sllavizmit dhe ortodoksisë është në kundërshtim me
qëndresën popullore dhe të klerit katolik shqiptar kundër ortodoksizmit
sllav, sepse nuk mund të ishte njëkohësisht edhe mik i sllavëve, edhe
mbrojtës i katolicizmit shqiptar.
5. Skënderbeu ka meritë të jashtëzakonshme për shqiptarët, sepse është
krijues i shtetit shqiptar. Ky argument ose thotë se Skënderbeu e ripërtëriu
traditën e shtetit shqiptar duke i dhënë formë më të plotë kësaj tradite të
mëhershme, ose thotë se Skënderbeu është krijuesi i shtetit të parë të
mirëfilltë shqiptar.
Ndaj këtij argumenti, në formën e parë, nga autorë shqiptarë nuk janë
paraqitur vërejtje dhe argumente të kundërta. Ndërsa në formulimin e tij të
dytë është kundërshtuar nga shumë drejtime. Sipas disa autorëve, shteti i
parë shqiptar në mesjetë është shteti i Progonit, ndërsa disat ë tjerë e
shtrijnë shtetin e parë në territorin e Dardanisë (Kosovës). Sidoqoftë,
vlera e Skënderbeut si përpjekje për krijimin e shtetësisë shqiptare nuk
është vënë seriozisht në dyshim nga autorë shqiptarë të ndonjë drejtimi.
6. Skënderbeu është mit dhe simbol i shqiptarëve dhe teorikisht është e
argumentuar se mitet dhe simbolet duhet të lihen të kryejnë funksionin e
tyre si të tilla.
Ky argument nuk është formuluar saktësisht në këtë formë. Por sikur
debatuesit të kishin njohuri për teoritë postmoderne, do të kishin mundësi
ta formulonin. Meqenëse debatuesit siç u tha, janë kryesisht nivel i ulët
teorik dhe kulturor, atëherë ky argument është e drejtë të formulohet për ta
edhe pse nuk e dinë, duke supozuar se po ta dinin, do ta kishin paraqitur.
Në të vërtetë, karakteristikë e modernes ka qenë edhe përpjekja për të
ndarë qartë shkencën nga miti, arti, ideologjia, politika dhe feja.
Karakteristikë e modernes ka qenë dhe përpjekja për demitizimin e mitit,
legjendës, ideologjive etj. Tipike moderne janë psh përpjekjet e Kadaresë
për të demitizuar mitet dhe legjendat shqiptare e botërore (psh në poezinë
"Laookonti"), ose ta zëmë, përpjekja për të interpretuar në frymën e
frojdizmit (tani gati i harruar) legjendën e Konstandinit dhe të Doruntinës,
për ta interpretuar jo si mesazh të forcës dhe të besës, por si inçest, si
dashuri seksuale ndërmjet motrës e vëllait, si legjendë në të cilën
shqiptarët kanë ruajtur dhe çliruar perversitetet e veta seksuale. Në këtë
vijë janë përpjekjet e tij të fundit për të interpretuar sjelljet
tradicionale të shqiptarëve të Veriut si sjellje që shpjegohen me impulse
homoseksuale të personifikuara në personazhe që përfaqësojnë shqiptarët
tradicionalë etj.
Pra, në këtë frymë të modernes teorikisht jo vetëm nuk mund të kërkohet që
Skënderbeu të mos shqyrtohet në mënyrë kritike, sepse përbën mit dhe
legjendë të shqiptarëve, por përkundrazi pikërisht sepse përbën mit do të
kërkohej demitizimi i tij nga shkenca. Teoritë që i janë kundërvënë modernes
dhe që mëtojnë të provojnë se mitet duhet të lihen mite, se mitet e
kryejnë funksionin e tyre vetëm si mite, se procesi i demitizimit është pa
kuptim dhe edhe vetë përbën një mit etj., janë teoritë postmoderne. Mirëpo
në këtë rast mund të thuhet se ky argument ka vlerë po të përdoret kundër
procesit që ka ndërmarrë Kadareja për të demitizuar legjendat e mitet duke
i interpretuar në një frymë të dalë mode, si psh frojdizmi që ka qenë në
modë në vitet '70 dhe për t'i paraqitur shqiptarët si perversë. Por
argumenti "të lihen mitet mite" nuk mund të përdoret në rastin e
Skënderbeut, sepse Skënderbeu nuk është mit po personazh konkret historik
dhe si i tillë i nënshtrohet studimit shkencor si çdo object tjetër.
Me kaq në rend vjen shqyrtimi sipas radhës, i argumenteve që mund të quhen
praktike, politike apo prudenciale.
1. Pavarësisht si është e vërteta për Skënderbeun, duke e paraqitur si
mbrojtës të Evropës shqiptarët përfitojnë përkrahjen e Evropës për synimet e
veta politike të kohës. Në plan të parë është interesi praktik kombëtar i
shqiptarëve për të pasur përkrahjen evropiane. Për shqiptarët më e mençur
(prudenciale) është të përdorin Skënderbeun për interesin politik të kohës
se sa të merren me spekullime historiko-teorike etj., etj. Mbi arsyetimin se
Skënderbeu dhe shqiptarët kanë mbrojtur Evropën nga pushtimi osman, është
kërkuar nga Evropa që "tani që shqiptarët kanë nevojë për ndihmën e Evropës,
Evropa duhet t'u kthejë borxhin".
Ndaj këtij arsyetimi mund të paraqiten vërejtje të ndryshme, sidomos duke u
kthyer tek supozimi i tij themelor. Ky argument mbështetet në supozimin se
politika e sotme në marrjen e vendimeve mbështetet në ndjenjën e kthimit të
borxheve nga e kaluara. Ndaj këtij supozimi janë të vlefshme argumente të
tilla: së pari, politika e sotme ngul këmbë që politika të mos bëhet mbi
bazën e borxheve të së kaluarës, qoftë të një borxhi shpërblyes, qoftë të
një borxhi ndëshkues. Studimet e procesit të vendimmarrjes vërtetë kanë
provuar se në procesin e vendimmarrjes nga vendimmarrësit politikë merren
parasysh shumë faktorë, por jo ndjenja e kthimit të ndonjë borxhi të së
kaluarës. Pasi merren vendimet mbi bazën e peshimit të faktorëve të ndryshëm
politikë, ndjenja e borxhit të së kaluarës mund të përdoret nga
politikanët për të siguruar mbështetjen e publikut dhe mobilizimin e
popullsisë për realizimin e vendimit të marrë. Së dyti, po të ishte faktor
i rëndësishëm në marrjen e vendimeve ndjenja e borxhit të së kaluarës,
atëherë borxhin më të madh ndaj shqiptarëve e kanë Serbia dhe Greqia dhe do
të duhej pritur miqësi prej tyre, por pikërisht këto shtete dhe popuj
vazhdojnë të tregohen më armiqësorët ndaj shqiptarëve. Nga ana tjetër, në
qoftë se shqiptarët besojnë se marrja e vendimeve politike bazohet në
ndjenjën e borxhit, atëherë do të duhej t'u drejtoheshin në radhë të parë
vendimmarrësve grekë dhe serbë për t'u kthyer borxhin shqiptarëve dhe të
prisnin (në llogaritjet e tyre politike) se do të kenë mbështetjen e
Greqisë e të Serbisë. Së treti, shqiptarët kritikojnë Evropën pse i ka
ndihmuar Serbinë dhe Greqinë në dëm të interesave të shqiptarëve dhe mbi
këtë bazë kërkojnë t'u kthejë borxhin në të cilin ka hyrë me këtë ndihmë të
padrejtë. Mirëpo krijimin e shtetit serb dhe grek, forcimin dhe shtrirjen e
tyre në territoret shqiptare e kanë ndihmuar edhe më shumë se Evropa disa
rryma politike dhe figura të njohura shqiptare. Në qoftë se ndihma dhënë
grekëve e serbëve për të krijuar shtetet e tyre, për t'i forcuar dhe për
t'i shtrirë ato edhe në territoret shqiptare, përbën padrejtësi dhe krijon
borxh ndaj shqiptarëve, siç thuhet për Evropën, atëherë padrejtësi dhe
borxh ndaj shqiptarëve kanë në radhë të parë këto figura dhe rryma politike
shqiptare. Derisa Evropa fajësohet dhe i kërkohet kthimi i borxhit për
ndihmën që i kanë dhënë Serbisë dhe Greqisë në dëm të shqiptarëve, të
njëjtt autorë i kanë lavdëruar dhe ngritur në nivelin e heronjve të
popullit shqiptarët që kanë kryer të njëjtin faj me Evropën dhe madje kanë
ndihmuar edhe më shumë Greqinë e Serbinë në dëm të shqiptarëve.
3. Pavarësisht nga rrjedhojat që ka sjellë politika e Skënderbeut figura e
tij duhet të ruhet për shkak të frymëzimit që jep tek shqiptarët për luftën
për liri e pavarësi. Skënderbeu dhe lufta e tij është përdorur si frymëzim
për luftërat për liri dhe pavarësi nga shqiptarët dhe ai mbetet burim
frymëzimi sa herë të paraqitet nevoja praktike.
Ndaj këtij argumenti po ashtu formulohen vërejtje të ngjashme. Së pari,
figura e Skënderbeut nuk ka qenë burim frymëzimi i shumë ngjarjeve tepër të
rëndësishme për shqiptarët, duke përfshirë dhe Lidhjen Shqiptare të
Prizrenit, Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 etj., etj. Së dyti,
Skënderbeu mund të përdoret dhe është përdorur për të frymëzuar politika dhe
ngjarje që kanë çuar në rrënimin e shqiptarëve. Kështu, prirja e
Skënderbeut për të bashkëpunuar me sllavët dhe grekët "kundër armikut të
përbashkët" jashtëballkanik (osman) është përdorur për të legjitimuar
bashkëpunimin e mëvonshëm të udhëheqësve shqiptarë me serbët dhe grekët
kundër "armiqve të përbashkët" jashtëballkanikë. Në planet e tyre për të
gjetur bashkëpunëtorë shqiptarë që të fusin në luftë shqiptarët me osmanët,
që të dobësohen të dy palët, nga agjenturat politike serbe dhe greke
përdorej shembulli i Skënderbeut. Figura e tij sipas situatës së ditës,
mund të rikujtohet si shembull i marrëdhënieve të mira ndërfetare tek
shqiptarët, sepse bashkoi fisnikët katolikë e ortodoksë shqiptarë, mund të
rikujtohet për të nxitur urrejtje fetare dhe luftëra fetare mes shqiptarëve,
sepse masakroi fshatarët e Krujës për të filluar luftëra kundër
superfuqive si ai kundër osmanëve etj.
Ndaj të tri këtyre argumenteve mund të bëhen disa vërejtje të përbashkëta.
Së pari, e përbashkëta e të trijave është gatishmëria për të shpërfillur të
vërtetën, është gjykimi i tipit "pavarësisht si është e vërteta..." nga
Skënderbeu duhet krijuar një figurë simbol për përdorim të politikës së
kohës, se popujt kanë nevojë për heronj qoftë edhe të rrejshëm, se popuj të
tjerë (veçanërisht serbët) krijojnë heronj edhe kur nuk i kanë fare etj.,
etj. Në themel të këtij arsyetimi për të tri argumentet praktike qëndron
supozimi i nënkuptuar se e vërteta dhe interesi i shqiptarëve janë në
kundërshtim me njëri-tjetrin, se e vërteta mund të jetë ndryshe, por
interesi shqiptar kërkon të kundërtën. Fshehja e së vërtetës për Skënderbeun
vërtetë e shpëton madhështinë e figurës së tij, por i rëndon shqiptarët me
akuzën se e vërteta është kundër interesit të shqiptarëve, se interesi i
shqiptarëve mbrohet vetëm me gënjeshtra ose thënë ndryshe e shpëton
Skënderbeun, por e rëndon popullin, kombin. Përballë tij vihet argumenti se
e vërteta dhe interesat shqiptare nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin,
nuk janë përjashtues dhe se përkundrazi, e vërteta dhe interesat shqiptare
përputhen. Popujt e tjerë mund të kenë nevojë për heronj të rremë, madje
mund të jenë vërtetë të dobishëm praktikisht, ndërsa në interes të
shqiptarëve janë heronjtë e vërtetë. Së dyti, e përbashkëta e të tri këtyre
argumenteve është natyra e tyre praktike, prandaj qëndrueshmëria e tyre
është çështje e rezultatit praktik: në qoftë se kur janë përdorur kanë
dhënë rezultat praktik, atëherë përdorshmëria dhe qëndrueshmëria e tyre
është vërtetuar, në qoftë se jo, nuk është vërtetuar. Të tri këto argumente
janë formuluar dhe përdorur nga rilindasit shqiptarë, domethënë ka mbi një
shekull e gjysëm që përdoren pa dhënë rezultat: as Evropa, as kristianizmi
nuk i ka përkrahur shqiptarët nga ndjenja e borxhit ndaj tyre i krijuar nga
mbrojtja që i ka bërë Skënderbeu Evropës dhe kristianizmit përballë sulmit
osman. Për më tepër, nuk ka historian evropian apo kristian që t'i besojë
këto mëtime të shqiptarëve, që të konsiderojë rolin e Skënderbeut vendimtar
për mbrojtjen e Evropës dhe të kristianizmit. Pikërisht në kuptimin praktik
historianët kritikë racionalë shtrojnë ato pyetje që u përmendën më sipër
si: a nuk kishte rrugë tjetër tjetër Perandoria Osmane për të pushtuar
Evropën veç territorit që mbrohej nga Skënderbeu ? Pse nuk e pushtoi pas
vdekjes së Skënderbeut ? A mbronte kulturën perëndimore apo kulturën
lindore kur mbronte ortodoksizmin bizantin dhe sllav ? etj., etj., etj.
Shkurt, për mbi një shekull e gjysëm përdorshmëria e tyre praktike është
dëshmuar e paqëndrueshme. Së treti, në pikëpamje praktike, shqiptarët me
gjithë figurat e paraqitura si heroike, që kanë bërë zgjedhje të drejta e
luftëra heroike gjenden në situatë më të keqe se të gjithë popujt e tjerë.
Kjo e vështirëson shpjegimin se pse shqiptarët kanë kaq shumë figura të
shquara dhe heronj dhe praktikën më të pafrytshme. Këta heronj nga njëra
anë thuhet se kanë bërë gjithnjë zgjidhjet më të drejta në situatat e
ndërlikuara dhe nga ana tjetër, rezultate të këtyre zgjedhjeve kanë qenë
humbjet e shqiptarëve, shkatërrimi i gjithanshëm. Kjo praktikisht e shtron
dilemën e shqiptarëve për të vazhduar apo për të mos vazhduar praktikat e
këtyre heronjve, ndoshta lëkundjet për të parë drejt personazhesh të tjera
historike shqiptare dhe drejt zgjidhjesh të tjera që janë bërë gjatë
historisë, por që janë mundur nga këta heronj dhe aleatët e tyre sllavë dhe
grekë. A ka qenë alternativa tjetër e kundërt me atë të Skënderbeut,
domethënë bashkëpunimi me pushtuesit jashtëballkanikë (osmanët, italianët,
gjermanët) kundër pushtuesve ballkanikë slave (serbë) e grekë zgjidhje më e
mirë dhe mos janë ata politikanët që duhen ngritur në nivelin e heronjve ?
A është gjendja e sotme e mjerë e shqiptarëve, qenia e tyre të copëtuar në
disa shtete etj., siç thonë zakonisht historianët, "rezultat i zgjedhjeve
politike që kanë bërë ata që sot mbahen për heronj" ? Këto jaë dilema që i
ka lindur tek shqiptarët situata shoqërore-politike e sotme, ndryshimet e
mëdha që po ndodhin dhe reflektimi racional mbi vetveten. Me këtë arrihet
tek konteksti i debatit për Skënderbeun që në fillim u premtua të trajtohet
në fund, domethënë tani.
Konteksti i rikthimit të diskutimit për Skënderbeun është ndryshimi i
sistemit politik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, konflikti shqiptaro-serb
e shqiptaro-grek, përpjekjet e shqiptarëve për integrim në Evropë dhe
zhgënjimi që nga "ftohtësia" evropiane ndaj tyre dhe përgjithësisht
reflektimi i shqiptarëve mbi qenjësimin e vet politik të sotëm dhe të kaluar
si përpjekje për të kuptuar gjendjen e vet të sotme e për të dhënë
zgjidhje në rrethanat e sotme. Ky të menduar refleksiv, të menduar i
drejtuar kah vetja, përfshinte si shqyrtimin kritik të sistemit që po
ndryshohej, ashtu edhe të kaluarën. Mendimi për të kaluarën me përjashtim
të një pjese të vogël të shqiptarëve mbizotërohej, por edhe kufizohej nga
njohuritë e marra për historianë në sistemin arsimor, në njohuritë që ishin
përzgjedhur dhe ishin dhënë pikërisht nga sistemi që synohej të përmbysej.
Kjo ka krijuar një kontradiktë: nga njëra anë sistemi konsiderohet shumë i
keq, nga ana tjetër njohuritë dhe vlerat e krijuara prej tij për ta mbajtur
në këmbë janë gati të vetmet që njihen dhe mbështetja në to nuk e ndryshon
sjelljen politike të shqiptarëve.
Sistemi që mbizotëronte mendimin dhe sjelljen e shqiptarëve ka qenë i
prirjes drrejt lindjes, sllavizmit, panhelenizmit dhe ortodoksizmit: në
Kosovë dhe Maqedoni kah "bashkim-vllaznimi" dhe në Shqipëri kah politika
jugosllave, ruse e greke. Historia e shqiptarëve dhe sistemi arsimor që e ka
futur atë në popullsi ka qenë e shkruar sipas kësaj prirjeje të sistemit
në tërësi (dhe jo vetëm të politikës) duke qenë edhe vetë pjesë e sistemit.
Njeriu kryesor i konceptimit dhe shkrimit të historisë së shqiptarëve,
Stefanaq Pollo thotë se ne, historianët, kemi bërë projektimin e të sotmes
në të kaluarën. Historiografia përbëhet para së gjithash nga përshkrimi dhe
interpretimi i ngjarjeve, rrymave dhe individëve. Në qoftë se siç thotë
Pollo është bërë projektimi i të sotmes në të kaluarën, atëherë del se në
të kaluarën është projektuar ngjarja model, lufta "nacionalçlirimtare",
rryma politike model që është Partia Komuniste e Shqipërisë dhe individi
model që është Enver Hoxha. Kështu në të kaluarën janë kërkuar, janë
përzgjedhur për t'u lavdëruar dhe janë ngritur në model të sjelljes
politike dhe të heroizmit të shqiptarëve ngjarjet që janë zhvilluar sipas
prirjes politike të luftës "nacionalçlirimtare", rrymat politike që kanë
qenë në thelb të ngjashme me animin politik të Partisë Komuniste të
Shqipërisë dhe individët që kanë qenë në thelb të ngjashëm me mendimin
politik të Enver Hoxhës. Prandaj ngjarjet, rrymat politike dhe individët
për të cilët shqiptarët kanë mësuar në shkollë (dhe vazhdojnë të mësojnë)
si shëmbëlltyra të heroizmit, si shëmbëlltyra që duhen ndjekur, janë lufta
"nacionalçlirimtare" e kohës për të cilën bëhet fjalë, Partia Komuniste e
kohës për të cilën bëhet fjalë dhe Enver Hoxha(t) e kohës për të cilën bëhet
fjalë. Në qoftë se karakteristikë e përbashkët e luftës
nacionalçlirimtare", Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Enver Hoxhës ka
qenë prirja kah lindja, sllavizmi, helenizmi dhe ortodoksizmi, atëherë
"projektimi i të sotmes në të kaluarën" do të thotë se janë gjetur dhe janë
ngritur në nivelin e heroizmave dhe heronjve ato ngjarje, rryma politike dhe
individë të së kaluarës shqiptare që kanë qenë të prirur kah bashkëpunimi
dhe aleancat me lindjen, sllavizmin, helenizmin dhe ortodoksizmin. Kështu
për shembull, nga Kosova është nxjerrë në plan të pare dhe është ngritur në
nivelin e heroit dhe të shëmbëlltyrës për t'u ndjekur nga shqiptarët Isa
Boletini që ka qenë, siç është cilësuar "tribun popullor i bashkëjetesës"
me serbët dhe është lënë në plan të dytë Hasan Prishtina që ka qenë siç
thuhet "nacionalist i tërbuar", sepse konsideronte serbët si armiq kryesorë
të shqiptarëve; në jug është nxjerrë në plan të parë dhe është lavdëruar
Çerçiz Topulli, Gjoleka etj., dhe është lënë në plan të dytë Abedin Dino që
shpëtoi Çamërinë nga aneksimi grek, është nxjerrë në plan të parë Abdyl
Frashëri që sipas projekteve nacionaliste serbe e futi Lidhjen Shqiptare të
Prizrenit në luftë kundër osmanëve dhe solli shkatërrimin e saj dhe është
lënë në plan të dytë Sami Frashëri që thotë se serbët dhe grekët janë
armiqtë kryesoë të shqiptarëve, është glorifikuar Ali Pashë Tepelena që ka
qenë vegël e nacionalizmit grek dhe janë lënë në plan të dytë Bushatllinjtë
që kanë zhvilluar beteja fitimtare kundër serbëve dhe grekëve, është
nxjerrë në plan të parë Pjetër Bogdani që bashkëpunoi me rusët, Arsenijen e
III Cërnojeviq dhe aleatët e tyre austro-hungarezë dhe janë lënë në plan të
dytë klerikët katoikë që luftuan kundër sllavizimit të kishës shqiptare,
etj., etj. Kur nxirret në publik kjo punë që kanë bërë historianët dhe
pohohet prej tyre, një pjesë e publikut shqiptar revoltohet jo ndaj
historianëve, por ndaj atyre që bashkë me historianët tregojnë se çka është
bërë.
Këtu lindin katër kontradikta të tjera: e para, edhe ajo pjesë e shqiptarëve
që dëshiron të braktisë përvojën enveriste si përvojë të hidhur, kufizohet
në hedhjen poshtë vetëm të Enver Hoxhës së fundit, por nuk tregohet e
gatshme të hedhë poshtë edhe "enver hoxhët" e së kaluarës dhe ngul këmbë që
të ruhen sipas tyre, "figurat e shquara të kombit" që janë "Enver Hoxha" i
së kaluarës. Ato rryma politike që janë Partia Komuniste e së kaluarës dhe
ato ngjarje që janë lufta "nacionalçlirimtare" e së kaluarës. E dyta, edhe
ajo pjesë që është për hedhjen poshtë të sistemit enverist ngurron të hedhë
poshtë historiografinë enveriste që është pjesë e sistemit. Natyrisht, kjo
përmbysje e histoiografisë shqiptare nuk është produkt vetëm i historianëve
enveristë, por e rrymës serbofile dhe grekofile para tyre. E pranishme për
disa shekuj në radhët e shqiptarëve, por historiografia enveriste pati
mundësi të punojë për një kohë më të gjatë, m të organizuar dhe të fusë
idetë e veta si të vetmet në sistemin arsimor të socializmit në
përgjithësi. E treta, edhe ajo pjesë e shqiptarëve që praktikisht është për
luftë kundër nacional-shovinizmit serb e grek, ngurron të hedhë poshtë
shëmbëlltyrat e bashkëpunimit me serbët dhe grekët në të kaluarën. Kjo
pjesë e shqiptarëve dëshiron të zhvillojë luftën kundër
nacional-shovinizmit serb dhe grek duke u udhëhequr nga "heronjtë" që kanë
qenë për aleancë dhe bashkëpunim me serbët dhe grekët. E katërta, tek ata
shqiptarë që në praktikë u angazhuan në luftë të armatosur kundër
shovinizmit serb, është kontradikta ndërmjet mendimit të krijuar jashtë
sistemit arsimor se serbët dhe grkët janë armiqtë kryesorë të shqiptarëve
dhe mendimi që krijohet në shkollë nga lavdërimi i figurave, ngjarjeve dhe
rrymave politike shqiptare që kanë qenë për miqësinë. Aleanca e
bashkëpunimit me serbët dhe grekët: nëpërmjet përvojës, praktikës armiqësore
shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke dhe porosisë që jep historiografia
shkollore për miqësi me serbët dhe grekët. Derisa nga përvoja praktike këta
shqiptarë mendonin se serbët dhe grekët janë armiqësorë ndaj shqiptarëve,
historiografia shkollore në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri është përzgjedhur
sipas idesë qendrore të "bashkim-vëllazërimit" dhe janë glorifikuar ato
figura, ngjarje dhe rryma politikë shqiptare që janë shembull bashkëpunimi
me serbët dhe grekët.
Këto kontradikta veçanërisht nëpërmjet përvojës praktike të marrëdhënieve
armiqësore me serbët dhe grekët dhe shëmbëlltyrave të dhëna nga sistemi
arsimor për bashkëpunimin politik me serbët dhe grekët, krijojnë tensione
brenda ndërgjegjes personale tek shumë shqiptarë.
Një tension tjetër vjen nga psiqika, nga frika se po të zbulohet e vërteta
për ata që mbahen sot për heronj, shqiptarët do të mbesin pa heronj, pa
mite, pa simbole, shumë keq. Kjo në gjuhën e psikologjisë është "fobi",
frikë e paarsyeshme dhe në masë të madhe është problemi i vetë atyre që e
kanë dhe që duhet ta zgjidhin me psikiatrin ose psikologun. Për sferën e
studimeve, me interes është qëndrueshmëria e pohimit se "mbetemi pa heronj,
pa figura të shquara" etj. Pohimi se "po shemben këto figura, mbetemi pa
heronj" nuk është i saktë, e para sepse çdo rrymë e të menduarit politik ka
shëmbëlltyrat e veta të së kaluarës që zënë vendin e atyre që shemben dhe e
dyta, se në botimet e dhjetë viteve të fundit (por edhe më parë) janë
nxjerrë në dukje figura që në drejtimin e vet janë të adhërishme, që nuk
krijojnë tension në ndërgjegjen e shqiptarëve nëpërmjet përvojës praktike
që u thotë se serbët dhe grekët kanë qenë armiqtë kryesorë të shqiptarëve
dhe historiografisë shkollore që u thotë se serbët dhe grekët kanë qenë
aleatët kryesorë të shqiptarëve në luftën kundër "armikut të përbashkët".
Për këtë drejtim, që nuk krijon tension në plan të parë do të dilnin
figurat e Hasan Prishtinës, Gjergj Fishtës, Haxhi Zekës, Sami Frashërit,
Pashko Vasës, Petro Ninit, Papa Kristo Negovanit, Abedin Dinos dhe po të
shkohet më tej gjenden figurat e Mehmet Peshë Bushatlliut (Plakut),
Dukagjinasit etj., etj. Me ngritjen në plan të parë të këtyre figurave në
ndërgjegjen e shqiptarëve nuk do të kishte tension nëpërmjet praktikës që u
thotë se serbët dhe grekët kanë qenë armiqtë kryesorë të interesave
shqiptare dhe heronjve, sepse edhe heronjtë thonë të njëjtën gjë.
Si terapi ndaj kësaj fobie shpesh jepet këshilla që "puna të fillojë me
vlerësimin dhe ngritjen lartë të figurave që e meritojnë, por pa zhvlerësuar
figurat ekzistuese". Mirëpo procesi i rivlerësimit është më kompleks se
kaq, sepse ngritja e figurave të reja nuk fillon në truall bosh. Po të
përdoret paraprakisht një krahasim, as bashkia, as komuna nuk ka dhënë një
truall (plac) bosh, por një truall ku ekziston një ndertëse e vjetër e
vlerave, figurave etj. Kur në truallin e ndërtimit ekziston një ndërtesë,
nuk mund të ngrihet e reja pa shembur fillimit të vjetrën. Pa shembur të
vjetrën mund të bëhen riparime, lyerje, rikonstruktime të së vjetrës, por
nuk mund të ndërtohet gjë e re, ndërtesë e fortë dhe e shëndoshë sipas
standarteve bashkëkohore. Në procesin e reflektimit kritik për të kaluarën
zhvillohen të ndërthurura përpjekjet për të ruajtur të vjetrën, për të
ngjyrosur nga jashtë të vjetrën, për të shembur të vjetrën, për të ndërtuar
të renë etj. Në diskutim nuk ka proces të thjeshtuar, vetëm me një zë, por
një proces kompleks diskutimi ku secili do të peshojë personalisht. Procesi
nuk është as vetëm sulm dhe shembje ndaj figurave ekzistuese, as vetëm
mbrojtje e figurave ekzistuese, as vetëm rivlerësim i figurave të lëna në
harresë, as vetëm përpjekje për t'i lënë në harresë ato që kanë qenë lënë ë
tilla. Si në çdo fushë, karakteristika e diskutimit shkencor në sistemin
demokratik krijon mundësinë e zgjidhjes nga individi nëpërmjt alternativash
të ndryshme: kush nuk dëshiron të lexojë për shembjen e figurave
ekzistuese, të mos lexojë; kush dëshiron të lexojë le të lexojë etj.
Psikologët kanë provuar se sa njerëz nuk duan të mendojnë vetë, se
dëshirojnë që për ta të mendojnë të tjerët, se liria për të menduar u
shkakton tension dhe se priren të ikin nga kjo liri. Ata duan një zë të
vetëm, autoritar. Megjithë larmishmërinë e pikëpamjeve, as nëpërmjet
historianëve dhe as nëpërmjet interpretuesve të tjerë profesionistë nuk ka
dallime aq të mëdha sa duken në pamje të parë, qoftë lidhur me faktin, qoftë
me klasifikimet. Dallimet më të mëdha kanë vlerësime dhe veçanërisht tek
lexuesit.
Një pjesë e tensionit vjen ngaqë shqiptarët janë në proces të gjithanshëm
kalimi (tranzicioni) që përfshin edhe ndryshimin e vlerave. Kjo është
arsyeja që dallimi nëpërmjet historianëve është i vogël lidhur me faktet,
por i madh është dallimi lidhur me vlerësimet dhe përjetimet e këtyre
fakteve. Ajo që deri tani konsiderohej vlerë, tani konsiderohet antivlerë.
Ajo që përbënte lëvdatë, tani përbën qortim etj. Kështu, po të përmendet
vetëm një shembull, shembulli për Isa Boletinin: historianët, biografët e
tij, gjithnjë kanë treguar dhe madje kanë shfaqur zell të veçantë për të
dokumentuar se Isa Boletini ka qenë bashkëpunues me serbët kundër
pushtuesve osmanë. Ky fakt nuk ka ndryshuar as sot. Çka ka ndryshuar është
përjetimi i këtij fakti: në sistemin socialist dhe historiografinë
socialiste të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, bashkëpunimi me serbët,
miqësia me popujt fqinjë konsiderohej vlerë, lëvdatë, prirje,
internacionaliste, revolucionare, për bashkim-vëllazërim etj. Duke e
konsideruar vlerë, biografët e tij dhe historianët përgjithësisht kanë
mbledhur dhe botuar një numër jashtëzakonisht të madh dokumentash që
dëshmojnë se Isa Boletini ka qenë bashkëpunëtor i serbëve. Sot i njëjti
fakt, bashkëpunimi i Boletinit me serbët, nga disa përjetohet si tradhëti,
qortim etj. Duke mos qenë shumë i vetëdijshëm për procesin e ndryshimit të
vlerave, disa lexues hidhen emocionalisht kundër historianëve dhe vazhdojnë
të përsërisin faktin e përsëritur me dekada se Isa Boletini ka qenë
bashkëpunëtor i serbëve. Ky zemërim është karakteristikë e përgjithshme e
procesit të ndryshimit të vlerave dhe rivlerësimit të përvojave të vetvetes
dhe jo vetëm të shqiptarëve.
"Projektimi i të sotmes në të kaluarën" për të cilën flet Stefanaq Pollo,
është bërë edhe për të provuar vazhdimësinë e historisë së shqiptarëve, të
asaj që projektohet. Ideja ka qenë për të vërtetuar se Enver Hoxha, Partia
Komuniste e Shqipërisë dhe Lufta nacionalçlirimtare" janë vazhdim I
traditave mijëravjeçare të popullit shqiptar. Dhe vërtetë, historianët kanë
vërtetuar se ashtu si Enver Hoxha dhe Partia Komuniste në Shqipëri, apo
Fadil Hoxha dhe Partia Komuniste në Kosovë etj., u bashkuan si aleatë me
serbët dhe grekët dhe popujt e tjerë të Ballkanit në luftë kundër "armikut
të përbashkët" që vinte nga jashtë Ballkanit, ashtu edhe në të kaluarën ka
ekzistuar një traditë e fuqishme e bashkëpunimit të udhëheqësve shqiptarë me
popujt e tjerë të Ballkanit, me serbët dhe grekët kundër "pushtuesit të
përbashkët" që vine nga jashtë Ballkanit. Historianët kryesorë që i kanë
dhënë vulën historiografisë shqiptare si Aleks Buda, Stefanaq Pollo e deri
tek Skënder Luarasi dhe brezat e rinj të Shqipëri të riprodhuar nga Ali
Hadri dhe pasuesit e tij në Kosovë, i kanë paraqitur si figurat qendrore
shqiptare dhe pikat kulmore të bashkëpunimit me popujt e Ballkanit, sllavët
dhe grekët, Skënderbeun, Pjetër Bogdanin, Esat Pashën, Isa Boletinin, Ahmet
Zogun dhe me grekët Ali Pashë Tepelenën, Zenel Gjolekën e deri tek Fan Noli.
Disa përvoja bashkëpunimi si ai i Toptanit dhe Zogut janë cilësuar
tradhëti. Ndërsa bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të Serbisë dhe të
Greqisë, Skënderbeu, Bogdani, Boletini, Ali Pashë Tepelena, Gjoleka, Noli
etj., etj., janë lavëruar, glorifikuar dhe shpallur heronjtë e
shëmbëlltyrat kryesore shqiptare që duhen ndjekur. Enver Hoxha, Partia
Komuniste e Shqiëprisë, Lufta "nacionalçlirimtare" janë paraqitur si
vazhdim i kësaj tradite të lavdishme e heroike shqiptare për të
bashkëpunuar me sllavët dhe grekët. E përbashkëta e të gjithë këtyre
figurave dhe e këtij kahu politik përgjithësisht ka qenë ideja e
bashkëpunimit me popujt e Ballkanit, sllavët dhe grekët, kundër armikut të
përbashkët që vinte nga jashtë Ballkanit. Argumenti kryesor legjitimues,
por jo i vetmi, domethënë argumenti kryesor që mbështet përfundimin e
këtyre historianëve, se bashkëpunimi me serbët dhe grekët ka qenë i drejtë
dhe se prandaj ata shqiptarë që bashkëpunuan me ta janë heronjtë e vërtetë
të shqiptarëve, është argumenti i "armiku të përbashkët të popujve të
Ballkanit, pavarësisht nga dallime e tyre kombëtare" përballë armikut të
ardhur prej jashtë Ballkanit. Siç kanë dëshmuar historianët për
Skënderbeun, Bogdanin, Boletinin, Tepelenën, Gjolekën etj., armiku i
përbashkët i shqiptarëve dhe serbëve dhe i grekëve ishte Perandoria Osmane,
për Enver Hoxhën, Fadil Hoxhën etj., ishte përsëri armiku i përbashkët i
ardhur nga jashtë Ballkanit, fashizmi italian dhe nazizmi gjerman. Për
sot....
Kjo e vështirëson shpjegimin se pse shqiptarët kanë kaq shumë figura të
shquara dhe heronj dhe praktikën më të pafrytshme. Këta heronj nga njëra anë
thuhet se kanë bërë gjithnjë zgjidhjet më të drejta në situatat e
ndërlikuara dhe nga ana tjetër, rezultate të këtyre zgjedhjeve kanë qenë
humbjet e shqiptarëve, shkatërrimi i gjithanshëm. Kjo praktikisht e shtron
dilemën e shqiptarëve për të vazhduar apo për të mos vazhduar praktikat e
këtyre heronjve, ndoshta lëkundjet për të parë drejt personazhesh të tjera
historike shqiptare dhe drejt zgjidhjesh të tjera që janë bërë gjatë
historisë, por që janë mundur nga këta heronj dhe aleatët e tyre sllavë dhe
grekë. A ka qenë alternativa tjetër e kundërt me atë të Skënderbeut,
domethënë bashkëpunimi me pushtuesit jashtëballkanikë (osmanët, italianët,
gjermanët) kundër pushtuesve ballkanikë slave (serbë) e grekë zgjidhje më e
mirë dhe mos janë ata politikanët që duhen ngritur në nivelin e heronjve ?
A është gjendja e sotme e mjerë e shqiptarëve, qenia e tyre të copëtuar në
disa shtete etj., siç thonë zakonisht historianët, "rezultat i zgjedhjeve
politike që kanë bërë ata që sot mbahen për heronj" ? Këto jaë dilema që i
ka lindur tek shqiptarët situata shoqërore-politike e sotme, ndryshimet e
mëdha që po ndodhin dhe reflektimi racional mbi vetveten. Me këtë arrihet
tek konteksti i debatit për Skënderbeun që në fillim u premtua të trajtohet
në fund, domethënë tani.
Konteksti i rikthimit të diskutimit për Skënderbeun është ndryshimi i
sistemit politik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, konflikti shqiptaro-serb
e shqiptaro-grek, përpjekjet e shqiptarëve për integrim në Evropë dhe
zhgënjimi që nga "ftohtësia" evropiane ndaj tyre dhe përgjithësisht
reflektimi i shqiptarëve mbi qenjësimin e vet politik të sotëm dhe të kaluar
si përpjekje për të kuptuar gjendjen e vet të sotme e për të dhënë
zgjidhje në rrethanat e sotme. Ky të menduar refleksiv, të menduar i
drejtuar kah vetja, përfshinte si shqyrtimin kritik të sistemit që po
ndryshohej, ashtu edhe të kaluarën. Mendimi për të kaluarën me përjashtim
të një pjese të vogël të shqiptarëve mbizotërohej, por edhe kufizohej nga
njohuritë e marra për historianë në sistemin arsimor, në njohuritë që ishin
përzgjedhur dhe ishin dhënë pikërisht nga sistemi që synohej të përmbysej.
Kjo ka krijuar një kontradiktë: nga njëra anë sistemi konsiderohet shumë i
keq, nga ana tjetër njohuritë dhe vlerat e krijuara prej tij për ta mbajtur
në këmbë janë gati të vetmet që njihen dhe mbështetja në to nuk e ndryshon
sjelljen politike të shqiptarëve.
Sistemi që mbizotëronte mendimin dhe sjelljen e shqiptarëve ka qenë i
prirjes drrejt lindjes, sllavizmit, panhelenizmit dhe ortodoksizmit: në
Kosovë dhe Maqedoni kah "bashkim-vllaznimi" dhe në Shqipëri kah politika
jugosllave, ruse e greke. Historia e shqiptarëve dhe sistemi arsimor që e ka
futur atë në popullsi ka qenë e shkruar sipas kësaj prirjeje të sistemit
në tërësi (dhe jo vetëm të politikës) duke qenë edhe vetë pjesë e sistemit.
Njeriu kryesor i konceptimit dhe shkrimit të historisë së shqiptarëve,
Stefanaq Pollo thotë se ne, historianët, kemi bërë projektimin e të sotmes
në të kaluarën. Historiografia përbëhet para së gjithash nga përshkrimi dhe
interpretimi i ngjarjeve, rrymave dhe individëve. Në qoftë se siç thotë
Pollo është bërë projektimi i të sotmes në të kaluarën, atëherë del se në
të kaluarën është projektuar ngjarja model, lufta "nacionalçlirimtare",
rryma politike model që është Partia Komuniste e Shqipërisë dhe individi
model që është Enver Hoxha. Kështu në të kaluarën janë kërkuar, janë
përzgjedhur për t'u lavdëruar dhe janë ngritur në model të sjelljes
politike dhe të heroizmit të shqiptarëve ngjarjet që janë zhvilluar sipas
prirjes politike të luftës "nacionalçlirimtare", rrymat politike që kanë
qenë në thelb të ngjashme me animin politik të Partisë Komuniste të
Shqipërisë dhe individët që kanë qenë në thelb të ngjashëm me mendimin
politik të Enver Hoxhës. Prandaj ngjarjet, rrymat politike dhe individët
për të cilët shqiptarët kanë mësuar në shkollë (dhe vazhdojnë të mësojnë)
si shëmbëlltyra të heroizmit, si shëmbëlltyra që duhen ndjekur, janë lufta
"nacionalçlirimtare" e kohës për të cilën bëhet fjalë, Partia Komuniste e
kohës për të cilën bëhet fjalë dhe Enver Hoxha(t) e kohës për të cilën bëhet
fjalë. Në qoftë se karakteristikë e përbashkët e luftës
"nacionalçlirimtare", Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Enver Hoxhës ka
qenë prirja kah lindja, sllavizmi, helenizmi dhe ortodoksizmi, atëherë
"projektimi i të sotmes në të kaluarën" do të thotë se janë gjetur dhe janë
ngritur në nivelin e heroizmave dhe heronjve ato ngjarje, rryma politike
dhe individë të së kaluarës shqiptare që kanë qenë të prirur kah
bashkëpunimi dhe aleancat me lindjen, sllavizmin, helenizmin dhe
ortodoksizmin. Kështu për shembull, nga Kosova është nxjerrë në plan të pare
dhe është ngritur në nivelin e heroit dhe të shëmbëlltyrës për t'u ndjekur
nga shqiptarët Isa Boletini që ka qenë, siç është cilësuar "tribun
popullor i bashkëjetesës" me serbët dhe është lënë në plan të dytë Hasan
Prishtina që ka qenë siç thuhet "nacionalist i tërbuar", sepse konsideronte
serbët si armiq kryesorë të shqiptarëve; në jug është nxjerrë në plan të
parë dhe është lavdëruar Çerçiz Topulli, Gjoleka etj., dhe është lënë në
plan të dytë Abedin Dino që shpëtoi Çamërinë nga aneksimi grek, është
nxjerrë në plan të parë Abdyl Frashëri që sipas projekteve nacionaliste
serbe e futi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në luftë kundër osmanëve dhe
solli shkatërrimin e saj dhe është lënë në plan të dytë Sami Frashëri që
thotë se serbët dhe grekët janë armiqtë kryesoë të shqiptarëve, është
glorifikuar Ali Pashë Tepelena që ka qenë vegël e nacionalizmit grek dhe
janë lënë në plan të dytë Bushatllinjtë që kanë zhvilluar beteja fitimtare
kundër serbëve dhe grekëve, është nxjerrë në plan të parë Pjetër Bogdani që
bashkëpunoi me rusët, Arsenijen e III Cërnojeviq dhe aleatët e tyre
austro-hungarezë dhe janë lënë në plan të dytë klerikët katoikë që luftuan
kundër sllavizimit të kishës shqiptare, etj., etj. Kur nxirret në publik
kjo punë që kanë bërë historianët dhe pohohet prej tyre, një pjesë e
publikut shqiptar revoltohet jo ndaj historianëve, por ndaj atyre që bashkë
me historianët tregojnë se çka është bërë.
Këtu lindin katër kontradikta të tjera: e para, edhe ajo pjesë e shqiptarëve
që dëshiron të braktisë përvojën enveriste si përvojë të hidhur, kufizohet
në hedhjen poshtë vetëm të Enver Hoxhës së fundit, por nuk tregohet e
gatshme të hedhë poshtë edhe "enver hoxhët" e së kaluarës dhe ngul këmbë që
të ruhen sipas tyre, "figurat e shquara të kombit" që janë "Enver Hoxha" i
së kaluarës. Ato rryma politike që janë Partia Komuniste e së kaluarës dhe
ato ngjarje që janë lufta "nacionalçlirimtare" e së kaluarës. E dyta, edhe
ajo pjesë që është për hedhjen poshtë të sistemit enverist ngurron të hedhë
poshtë historiografinë enveriste që është pjesë e sistemit. Natyrisht, kjo
përmbysje e histoiografisë shqiptare nuk është produkt vetëm i historianëve
enveristë, por e rrymës serbofile dhe grekofile para tyre. E pranishme për
disa shekuj në radhët e shqiptarëve, por historiografia enveriste pati
mundësi të punojë për një kohë më të gjatë, m të organizuar dhe të fusë
idetë e veta si të vetmet në sistemin arsimor të socializmit në
përgjithësi. E treta, edhe ajo pjesë e shqiptarëve që praktikisht është për
luftë kundër nacional-shovinizmit serb e grek, ngurron të hedhë poshtë
shëmbëlltyrat e bashkëpunimit me serbët dhe grekët në të kaluarën. Kjo
pjesë e shqiptarëve dëshiron të zhvillojë luftën kundër
nacional-shovinizmit serb dhe grek duke u udhëhequr nga "heronjtë" që kanë
qenë për aleancë dhe bashkëpunim me serbët dhe grekët. E katërta, tek ata
shqiptarë që në praktikë u angazhuan në luftë të armatosur kundër
shovinizmit serb, është kontradikta ndërmjet mendimit të krijuar jashtë
sistemit arsimor se serbët dhe grkët janë armiqtë kryesorë të shqiptarëve
dhe mendimi që krijohet në shkollë nga lavdërimi i figurave, ngjarjeve dhe
rrymave politike shqiptare që kanë qenë për miqësinë. Aleanca e
bashkëpunimit me serbët dhe grekët: nëpërmjet përvojës, praktikës armiqësore
shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke dhe porosisë që jep historiografia
shkollore për miqësi me serbët dhe grekët. Derisa nga përvoja praktike këta
shqiptarë mendonin se serbët dhe grekët janë armiqësorë ndaj shqiptarëve,
historiografia shkollore në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri është përzgjedhur
sipas idesë qendrore të "bashkim-vëllazërimit" dhe janë glorifikuar ato
figura, ngjarje dhe rryma politikë shqiptare që janë shembull bashkëpunimi
me serbët dhe grekët.
Këto kontradikta veçanërisht nëpërmjet përvojës praktike të marrëdhënieve
armiqësore me serbët dhe grekët dhe shëmbëlltyrave të dhëna nga sistemi
arsimor për bashkëpunimin politik me serbët dhe grekët, krijojnë tensione
brenda ndërgjegjes personale tek shumë shqiptarë.
Një tension tjetër vjen nga psiqika, nga frika se po të zbulohet e vërteta
për ata që mbahen sot për heronj, shqiptarët do të mbesin pa heronj, pa
mite, pa simbole, shumë keq. Kjo në gjuhën e psikologjisë është "fobi",
frikë e paarsyeshme dhe në masë të madhe është problemi i vetë atyre që e
kanë dhe që duhet ta zgjidhin me psikiatrin ose psikologun. Për sferën e
studimeve, me interes është qëndrueshmëria e pohimit se "mbetemi pa heronj,
pa figura të shquara" etj. Pohimi se "po shemben këto figura, mbetemi pa
heronj" nuk është i saktë, e para sepse çdo rrymë e të menduarit politik ka
shëmbëlltyrat e veta të së kaluarës që zënë vendin e atyre që shemben dhe e
dyta, se në botimet e dhjetë viteve të fundit (por edhe më parë) janë
nxjerrë në dukje figura që në drejtimin e vet janë të madhërishme, që nuk
krijojnë tension në ndërgjegjen e shqiptarëve nëpërmjet përvojës praktike
që u thotë se serbët dhe grekët kanë qenë armiqtë kryesorë të shqiptarëve
dhe historiografisë shkollore që u thotë se serbët dhe grekët kanë qenë
aleatët kryesorë të shqiptarëve në luftën kundër "armikut të përbashkët".
Për këtë drejtim, që nuk krijon tension në plan të parë do të dilnin
figurat e Hasan Prishtinës, Gjergj Fishtës, Haxhi Zekës, Sami Frashërit,
Pashko Vasës, Petro Ninit, Papa Kristo Negovanit, Abedin Dinos dhe po të
shkohet më tej gjenden figurat e Mehmet Peshë Bushatlliut (Plakut),
Dukagjinasit etj., etj. Me ngritjen në plan të parë të këtyre figurave në
ndërgjegjen e shqiptarëve nuk do të kishte tension nëpërmjet praktikës që u
thotë se serbët dhe grekët kanë qenë armiqtë kryesorë të interesave
shqiptare dhe heronjve, sepse edhe heronjtë thonë të njëjtën gjë.
Si terapi ndaj kësaj fobie shpesh jepet këshilla që "puna të fillojë me
vlerësimin dhe ngritjen lartë të figurave që e meritojnë, por pa zhvlerësuar
figurat ekzistuese". Mirëpo procesi i rivlerësimit është më kompleks se
kaq, sepse ngritja e figurave të reja nuk fillon në truall bosh. Po të
përdoret paraprakisht një krahasim, as bashkia, as komuna nuk ka dhënë një
truall (plac) bosh, por një truall ku ekziston një ndertëse e vjetër e
vlerave, figurave etj. Kur në truallin e ndërtimit ekziston një ndërtesë,
nuk mund të ngrihet e reja pa shembur fillimit të vjetrën. Pa shembur të
vjetrën mund të bëhen riparime, lyerje, rikonstruktime të së vjetrës, por
nuk mund të ndërtohet gjë e re, ndërtesë e fortë dhe e shëndoshë sipas
standarteve bashkëkohore. Në procesin e reflektimit kritik për të kaluarën
zhvillohen të ndërthurura përpjekjet për të ruajtur të vjetrën, për të
ngjyrosur nga jashtë të vjetrën, për të shembur të vjetrën, për të ndërtuar
të renë etj. Në diskutim nuk ka proces të thjeshtuar, vetëm me një zë, por
një proces kompleks diskutimi ku secili do të peshojë personalisht. Procesi
nuk është as vetëm sulm dhe shembje ndaj figurave ekzistuese, as vetëm
mbrojtje e figurave ekzistuese, as vetëm rivlerësim i figurave të lëna në
harresë, as vetëm përpjekje për t'i lënë në harresë ato që kanë qenë lënë ë
tilla. Si në çdo fushë, karakteristika e diskutimit shkencor në sistemin
demokratik krijon mundësinë e zgjidhjes nga individi nëpërmjt alternativash
të ndryshme: kush nuk dëshiron të lexojë për shembjen e figurave
ekzistuese, të mos lexojë; kush dëshiron të lexojë le të lexojë etj.
Psikologët kanë provuar se sa njerëz nuk duan të mendojnë vetë, se
dëshirojnë që për ta të mendojnë të tjerët, se liria për të menduar u
shkakton tension dhe se priren të ikin nga kjo liri. Ata duan një zë të
vetëm, autoritar. Megjithë larmishmërinë e pikëpamjeve, as nëpërmjet
historianëve dhe as nëpërmjet interpretuesve të tjerë profesionistë nuk ka
dallime aq të mëdha sa duken në pamje të parë, qoftë lidhur me faktin, qoftë
me klasifikimet. Dallimet më të mëdha kanë vlerësime dhe veçanërisht tek
lexuesit.
Një pjesë e tensionit vjen ngaqë shqiptarët janë në proces të gjithanshëm
kalimi (tranzicioni) që përfshin edhe ndryshimin e vlerave. Kjo është
arsyeja që dallimi nëpërmjet historianëve është i vogël lidhur me faktet,
por i madh është dallimi lidhur me vlerësimet dhe përjetimet e këtyre
fakteve. Ajo që deri tani konsiderohej vlerë, tani konsiderohet antivlerë.
Ajo që përbënte lëvdatë, tani përbën qortim etj. Kështu, po të përmendet
vetëm një shembull, shembulli për Isa Boletinin: historianët, biografët e
tij, gjithnjë kanë treguar dhe madje kanë shfaqur zell të veçantë për të
dokumentuar se Isa Boletini ka qenë bashkëpunues me serbët kundër
pushtuesve osmanë. Ky fakt nuk ka ndryshuar as sot. Çka ka ndryshuar është
përjetimi i këtij fakti: në sistemin socialist dhe historiografinë
socialiste të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, bashkëpunimi me serbët,
miqësia me popujt fqinjë konsiderohej vlerë, lëvdatë, prirje,
internacionaliste, revolucionare, për bashkim-vëllazërim etj. Duke e
konsideruar vlerë, biografët e tij dhe historianët përgjithësisht kanë
mbledhur dhe botuar një numër jashtëzakonisht të madh dokumentash që
dëshmojnë se Isa Boletini ka qenë bashkëpunëtor i serbëve. Sot i njëjti
fakt, bashkëpunimi i Boletinit me serbët, nga disa përjetohet si tradhëti,
qortim etj. Duke mos qenë shumë i vetëdijshëm për procesin e ndryshimit të
vlerave, disa lexues hidhen emocionalisht kundër historianëve dhe vazhdojnë
të përsërisin faktin e përsëritur me dekada se Isa Boletini ka qenë
bashkëpunëtor i serbëve. Ky zemërim është karakteristikë e përgjithshme e
procesit të ndryshimit të vlerave dhe rivlerësimit të përvojave të vetvetes
dhe jo vetëm të shqiptarëve.
"Projektimi i të sotmes në të kaluarën" për të cilën flet Stefanaq Pollo,
është bërë edhe për të provuar vazhdimësinë e historisë së shqiptarëve, të
asaj që projektohet. Ideja ka qenë për të vërtetuar se Enver Hoxha, Partia
Komuniste e Shqipërisë dhe Lufta "nacionalçlirimtare" janë vazhdim I
traditave mijëravjeçare të popullit shqiptar. Dhe vërtetë, historianët kanë
vërtetuar se ashtu si Enver Hoxha dhe Partia Komuniste në Shqipëri, apo
Fadil Hoxha dhe Partia Komuniste në Kosovë etj., u bashkuan si aleatë me
serbët dhe grekët dhe popujt e tjerë të Ballkanit në luftë kundër "armikut
të përbashkët" që vinte nga jashtë Ballkanit, ashtu edhe në të kaluarën ka
ekzistuar një traditë e fuqishme e bashkëpunimit të udhëheqësve shqiptarë me
popujt e tjerë të Ballkanit, me serbët dhe grekët kundër "pushtuesit të
përbashkët" që vine nga jashtë Ballkanit. Historianët kryesorë që i kanë
dhënë vulën historiografisë shqiptare si Aleks Buda, Stefanaq Pollo e deri
tek Skënder Luarasi dhe brezat e rinj të Shqipëri të riprodhuar nga Ali
Hadri dhe pasuesit e tij në Kosovë, i kanë paraqitur si figurat qendrore
shqiptare dhe pikat kulmore të bashkëpunimit me popujt e Ballkanit, sllavët
dhe grekët, Skënderbeun, Pjetër Bogdanin, Esat Pashën, Isa Boletinin, Ahmet
Zogun dhe me grekët Ali Pashë Tepelenën, Zenel Gjolekën e deri tek Fan Noli.
Disa përvoja bashkëpunimi si ai i Toptanit dhe Zogut janë cilësuar
tradhëti. Ndërsa bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të Serbisë dhe të
Greqisë, Skënderbeu, Bogdani, Boletini, Ali Pashë Tepelena, Gjoleka, Noli
etj., etj., janë lavëruar, glorifikuar dhe shpallur heronjtë e
shëmbëlltyrat kryesore shqiptare që duhen ndjekur. Enver Hoxha, Partia
Komuniste e Shqiperisë, Lufta "nacionalçlirimtare" janë paraqitur si
vazhdim i kësaj tradite të lavdishme e heroike shqiptare për të
bashkëpunuar me sllavët dhe grekët. E përbashkëta e të gjithë këtyre
figurave dhe e këtij kahu politik përgjithësisht ka qenë ideja e
bashkëpunimit me popujt e Ballkanit, sllavët dhe grekët, kundër armikut të
përbashkët që vinte nga jashtë Ballkanit. Argumenti kryesor legjitimues,
por jo i vetmi, domethënë argumenti kryesor që mbështet përfundimin e
këtyre historianëve, se bashkëpunimi me serbët dhe grekët ka qenë i drejtë
dhe se prandaj ata shqiptarë që bashkëpunuan me ta janë heronjtë e vërtetë
të shqiptarëve, është argumenti i "armiku të përbashkët të popujve të
Ballkanit, pavarësisht nga dallime e tyre kombëtare" përballë armikut të
ardhur prej jashtë Ballkanit. Siç kanë dëshmuar historianët për
Skënderbeun, Bogdanin, Boletinin, Tepelenën, Gjolekën etj., armiku i
përbashkët i shqiptarëve dhe serbëve dhe i grekëve ishte Perandoria Osmane,
për Enver Hoxhën, Fadil Hoxhën etj., ishte përsëri armiku i përbashkët i
ardhur nga jashtë Ballkanit, fashizmi italian dhe nazizmi gjerman. Për
sot....
Në librin "Skicë e mendimit politik shqiptar" që u bë shkak për rikthimin e
debatit për Skënderbeun nuk u bëhet asnjë ndryshim këtyre pohimeve të Aleks
Budës, Stefanaq Pollos, Ali Hadrit etj., etj. përkundrazi, ato teza pranohen
si të vërteta dhe të bazuara mirë në dokumenta. Po ashtu pranohet si i
vërtetë edhe pohimi i tyre se historia e këtyre figurave dhe ngjarjeve
përfaqëson historinë e pjesës më të vogël të popullit shqiptar, e pjesës më
të prapambetur dhe më të izoluar nga qytetërimi. Por pas kësaj fillon një
pjesë e rëndësishme e punës së "Skicës..." : a ka pasur traditë tjetër
politike të shqiptarëve ? Cila është historia e pjesës më të madhe të
popullit shqiptar, e pjesës më të zhvilluar dhe më të ekspozuar ndaj
qytetërimit ? Në "Skica..." konstatohet se ka edhe një traditë politike
tjetër të shqiptarëve: të bashkimit me pushtuesit jashtëballkanikë kundër
pushtuesve ballkanikë sllavë dhe grekë, ortodoksë. Kjo traditë përbëhet nga
bashkëpunimi me osmanët kundër serbëve dhe grekëve, me gjermanët etj.,
kundër serbëve dhe grekëve. Meqenëse kjo traditë nuk është bërë e njohur nga
historiografia shqiptare në "Skicë..." është përshkruar më gjerësisht.
Vetëm duke i përfshirë të dy traditat politike shqiptare, traditën e
bashkëpunimit me sllavët dhe grekët në të cilën Skënderbeu ka vendosur një
gur të rëndësishem dhe traditën e luftës kundër sllavëve dhe grekëve në të
cilën Rilindja Kombëtare Shqiptare ka vendosur një gur të rëndësishëm,
shqiptarët do të mësojnë historinë e plotë shqiptare.
Kështu, konstatohet se gjatë historisë njëmijëvjeçare janë krijuar jo një,
por dy tradita politike të shqiptarëve: njëra që bashkohet me pushtuesit
ballkanikë sllavë dhe grekë kundër pushtuesve jashtëballkanikë dhe tjetra,
që bashkohet me pushtuesit jashtëballkanikë osmanë kundër pushtuesve
ballkanikë. E para bashkohet me sllavët dhe grekët kundër "armikut të
përbashkët osman"; e dyta bashkohet me osmanët kundër "armikut të
përbashkët" sllav dhe grek. Por nga kjo del se argumenti i "armikut të
përbashkët" mund të përdoret nga të dy rrymat për të legjitimuar
veprimtarinë e vet si të drejtë dhe jo vetëm nga njëra siç e ka përdorur
historiografia zyrtare shqiptare. Këtu fillon momenti tjetër I punës së
"Skicë...", meqenëse të dy traditat kanë bashkëpunuar me nga një pushtues
kundër tjetrit dhe meqenëse të dyja mund të përdorin argumentin e "armikut
të përbashkët" atëherë si mund të zgjidhet çështja dhe cila ka të drejtë ?
Për të zgjidhur këtë çështje është marrë shkalla e rrezikshmërisë së
pushtuesit me të cilin ka bashkëpunuar njëra traditë dhe shkalla e
rrezikshmërisë që ka paraqitur pushtuesi me të cilin ka bashkëpunuar tradita
tjetër. Kështu formulohet si një parim "metafizik" i qenjësimit politik të
shqiptarëve situata e njëmijë vjetëve të fundit për të zgjedhur ndërmjet
të keqes më të vogël dhe të keqes më të madhe, ndërmjet pushtuesit më të
rrezikshëm dhe pushtuesit më pak të rrezikshëm dhe jo ndërmjet pushtimit e
lirisë ose së paku historiografia nuk ofron raste të shëmbëlltyrës së
luftëtarit të kulluar për liri. Meqenëse nga historiografia shkollore
shqiptarët dinë vetëm për argumentet se pse pushtuesit ballkanikë kanë qenë
më pak të rrezikshëm, në "Skicë..." janë përshkruar më hollësisht argumentet
se pse pushtuesit jashtëballkanikë kanë qenë më pak të rrezikshëm. Ideja
se pushtuesit janë ballkanikë, osmanë kanë qenë më pak të rrezikshëm në
pikëpamje etnike, kombëtare për shqiptarët dhe që legjitimon bashkëpunimin
me ta kundër pushtuesve ballkanikë që janë më të rrezikshëm është i hershëm
me shekuj, por në mënyrë të qartë dhe shprehimisht është formuluar, mbrojtur
dhe argumentuar nga Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe nga një numër i madh
historianësh shqiptarë dhe joshqiptarë.
Kështu arrihet tek konstatimi i një fakti tjetër: tradita të cilës i takon
Skënderbeu dhe tradita të cilës i takon nacionalizmi shqiptar, Rilindja
Kombëtare Shqiptare në vijë logjike është vazhdim i traditës që thoë se
pushtuesit osmanë janë më pak të rrezikshëm se pushtuesit sllavë dhe grekë
dhe prandaj bashkëpunon me osmanët kundër serbëve dhe grekëve dhe jo e
traditës së bashkëpunimit me sllavët dhe grekët, të cilës I takon
Skënderbeu, (Bogdani etj.,) kundër osmanëve. Në fushën e studimit, rrymat
politike që janë vijim logjik i traditës së Skënderbeut dhe nacionalizmi
shqiptar (Rilindja Kombëtare Shqiptare) janë të kundërta, sepse pohimi i
Skënderbeut se osmanët janë armiqtë kryesorë ndërsa sllavët dhe grekët janë
aleatë dhe pohimi i Rilindje Kombëtare Shqiptare (nacionalizmit shqiptar) se
sllavët e grekët janë armiqtë kryesorë të shqiptarëve, ndërsa osmanët janë
"aleatë", janë pohime të kundërta në pikëpamje të logjikës formale. Në
"Skicë..." është treguar se si dhe pse, megjithëse logjika të kundërta, janë
pikërisht rilindësit që kanë rikujtuar dhe një pjesë e tyre kanë filluar
glorifikimin e Skënderbeut. Por Rilindja si praktikë është lëvizje
politike-kulturore dhe jo vepër shkencore në të cilën nuk lejohet
kontradikta logjike formale. "Skicë e mendimit politik shqiptar" është punim
shkencor dhe koherenca logjike është kusht i domosdoshëm (por jo i
mjaftueshëm) për t'u klasifikuar si punim shkencor.
"Skica..." përbëhet nga 372 faqe dhe Skëndebeut i kushtohet gjithsej një
faqe. Nga kritikët e saj të krijohet përshtypja se Skënderbeut i është
kushtuar tërë libri dhe janë renditur të gjitha argumentet e njohura kundër
tij si dhe i janë shtuar të reja. Në "Skicë.." është thënë se Skënderbeu ka
qenë për bashkëpunim me sllavët dhe grekët dhe kundër tij kanë qenë
Dukagjinasit, Hamza Kastrioti, Moisi Golemi, Ballaban Pasha etj., por këto
nuk janë zbulime të "Skicës...". Ato janë zbulime dhe argumente të mbrojtura
nga Aleks Buda dhe pasuesit e tij. Kur konstatohet se Skënderbeu përmendet
në dy raste që zënë nga një gjysëm faqe libri që së bashku përbëjnë një
faqe, në të cilën përsëriten konstatime që i ka çdo tekst historie i
shqiptarëve dhe në të cilën nuk bëhet asnjë vlerësim për Skënderbeun, sepse
punimi është përshkrues dhe jo vlerësues, atëherë del se arsyeja e sulmit
kundër librit është tjetër. Dhe vërtet arsyeja të besohet se është tjetër.
Libri ka për objekt enverizmin dhe atë në një këndvështrim: a ka qenë
enverizmi nacionalizëm shqiptar ? Për t'u përgjigjur në këtë pyetje është
marrë në shqyrtim sjellja politike e enverizmit nëse ka qenë në përputhje
apo e kundërt me parimet e nacionalizmit. Sipas teorive të nacionalizmit një
nga format më të palejueshme të shkeljes së parimit nacionalist është kur
njësinë politike të një kombi e drejton pakica kombëtare e asaj njësie. Psh,
shkelje e tillë do të ishte po të udhëhiqte Serbinë ose Greqinë një elitë
shtetërore, kulturore, arsimore etj., shqiptare kur nga këto vende
shqiptarët konsiderohen pakica dhe grekët dhe serbët shumicë. Analiza e
përbërjes së elitave drejtuese enveriste në politikë (Byroja Politike dhe
Komiteti Qendror), elitave në art dhe kulturë, media dhe shkencë në
periudhën e konsolidimit të tij të plotë (1870-1990) tregoi se shqiptarët
janë sunduar nga elementi joshqiptar, kryesisht vlleh-ortodoks, grek dhe
sllav.
Analiza sasiore e përpjesëtimeve etnike tregonte se mesatarja e kësaj
periudhe e pjesëmarrjes së elementit joshqiptar në Byronë Politike ishte
31.8 përqind, Kandidatë të Byrosë Politike 50% dhe në Sekretariatin e KQ të
PPSH 50 %. Përbërja e elementit joshqiptar ishte kryesisht vllehe, një sllav
dhe një kandidat i BP ishte me origjinë greke. Mirëpo pas Kongresit të IX të
PPSH-së, ky raport ndryshoi shumë në të mirë të elementit joshqiptar.
Kështu pjesëmarrja e elementit joshqiptar rritet nga 31.8 për qind si
mesatare e gjithë periudhës 1970-90, në 46.1 për qind pjesëmarrja në
Kandidatët e Byrosë Politike rritet në 60% dhe e tejkalon pjesëmarrjen e
shqiptarëve, ndërsa në Sekretariatin e KQ arrin në 80% duke e tejkaluar edhe
këtu elementin shqiptar dhe duke iu afruar epërsisë absolute. Pas
Kongresit të IX të PPSH, elementi joshqiptar, (vlleh dhe një grek) nuk
përbën shumicën në Byronë Politike, por përbën shumicën e ndjeshme në
Sekretariatin e KQ të PPSH-së dhe shumicën e Kandidatëve të Byrosë
Politike. Gjendja nuk ka qenë e ndryshme as në struktura të tjera drejtuese
si në qeveri apo në Kuvendin Popullor. Kështu, derisa kryetari i
Presidiumit të Kuvendit Popullor ishte shqiptar, nënkryetare e Presidiumit
ishte një greke.
Institucionet e kulturës dhe të medias gjatë këaj periudhe janë drejtuar nga
57.8 % joshqiptarë dhe 42.1 % shqiptarë. Ndër elementin e huaj, shumicë
mbizotëruese të pozitave drejtuese ka patur elementi vlleh me gjithsej 42.1%
(sa edhe gjithë elementi shqiptar), pastaj elementi grek me 10.5% dhe në
fund elementi sllav me 5.2%. Në institucionet shkencore gjatë kësaj periudhe
elementi joshqiptar ka pasur epërsi të dukshme me gjithsej 66.6% ndaj
33.3% të elementit shqiptar. Ndër ta, vendin e parë e zë elementi vlleh me
33.3% (se edhe ai shqiptar) pastaj vijnë elmenti grek dhe hebrej me nga
16.6%. Nga pikëpamja fetare mbizotëron elementi ortodoks me 87.5%.
Publikimi i këtyre të dhënave dhe zbulimi nga fakti që mbahej i mbuluar se
enverizmi ka qenë sundim i elementit joshqiptar, ortodoks, jugor, mbi
elementin shqiptar dhe i shumë gjërave të tjera që lidhen me enverizmin,
është shkaku i sulmit të vërtetë kundër "Skicë e mendimit politik shqiptar".
Ky fakt nuk vihet në dyshim në Shqipëri, por me sa thonë njerëzit rrugëve,
nuk duhet thënë publikisht, sepse është e rrezikshme. Por "Skicë..." është
punim shkencor dhe jo politikë praktike. Edhe sikur pohimi se "vllehët e
kanë drejtuar Shqipërinë gjatë sundimit komunist" të ishte praktikisht i
rrezikshëm, studimi që mëton të jetë shkencor në shqyrtimin e çështjes nëse
ka qenë enverizmi nacionalizëm shqiptar nuk mund të anashkalojë shqyrtimin e
njërës prej formave më të palejueshme të shkeljes së parimeve të
nacionalizmit. Ndërkaq, studimi që mëton të jetë në fushën e shkencës
politike nuk mund të shpërfillë metodat sociologjike në të cilat studimi i
përbërjes së elitave në pikëpamje etnike, fetare, krahinore, arsimore dhe
tregues të tjerë socialë sado të papëlqyeshme të jenë për politikën e ditës.
Të mos përmenden vllehët, kjo është konsideruar një tabu më e madhe se
sulmet më të pafytyra ndaj Skënderbeut.
Sulmi për shkeljen e kësaj tabuje nuk vonoi. Autori u kërcënua me burg nga
Komiteti Shqiptar i Helsinkit pse fyen vllehët. Pas tij, me një metodë më
bizantine kundër librit ende të pabotuar doli një artikull i nënshkruar nga
një mesues i frëngjishtes dhe përkthyes, Piro Misha, që thotë për vete se
nuk e ndjen veten krenar që është shqiptar. Metoda është
ortodokse-bizantine, sepse përkthyesi kundër autorit shqiptar dëshiron të
ndërsejë shqiptarët dhe jo drejtpërdrejtë vllehët. Për këtë, për të ndërsyer
shqiptarët, përkthyesi thotë se në "Skicë..." sulmohet Skënderbeu,
cilësohet renegat etj. Dhe shqiptarët si shqiptarët: nuk e lexojnë librin,
por një artikull për librin dhe fillojnë e kritikojnë librin pa e lexuar.
Kështu u sollën së paku ata që e filluan debatin për Skënderbeun.
Për Skënderbeun siç u tha, janë bërë shumë kritika dhe të tjera mund të
bëhen. Por ai nuk ka qenë objekt i studimit të "Skicë..." dhe asnjë nga
argumentet që e paraqesin ndryshe pamjen e tij nuk janë zhvilluar në të. Kur
të bëhet objekt studimi, ndoshta do të dalin cilësime edhe më të rënda për
Skënderbeun dhe ato do të thuhen publikisht, ndërsa "Skica..." e përmend
vetëm pak, në kontekst tjetër, kurse sulmi bëhet pse është analizuar
enverizmi dhe pse është zhveshur tabuja e sundimit vlleh.
Veç zhveshjes së një tabuje që duhej të rrinte e bërë, por e pathënë,
"Skica..." është sulmuar edhe se argumenton në mënyrë metodike e sistematike
se cilat janë elementet themelore të ndërgjegjes së nacionalizmit
shqiptar, se enverizmi ka qenë stalinizëm, pansllavizëm rus dhe rryma
politike më e kundërt me nacionalizmin shqiptar, se ka qenë vazhdim i
rrymave grekofile dhe serbofile, ka qenë vazhdim i traditës së
bashkëpunimit me sllavët dhe grekët në të cilën Skënderbeu, sipas Aleks
Budës, Stefanaq Pollos etj., etj., ka dhënë një kontribut vendimtar. Që
Skënderbeu ka qenë për një bashkëpunim me popujt e Ballkanit, me sllavët
dhe grekët dhe se kjo histori vijon nga Enver Hoxha dhe PPSH, është
argumentuar nga Aleks Buda. "Skica..." vetëm e merr këtë përfundim në të
cilin ka arritur historiografia shqiptare (e joshqiptare) dhe zhvillon, mbi
bazën e saj, argumentime të mëtejshme.
Për fyerje të Skënderbeut është sulmuar edhe A. Baleta. As Baleta nuk ka
botuar ndonjë studim që të merret vetëm me Skënderbeun. Çka ka thënë Baleta
për Skënderbeun mund të përmblidhet kështu: edhe pse Skënderbeu është hero
kombëtar, shqiptarët nuk duhet të vazhdojnë traditën e tij të bashkëpunimit
me serbët në emër të luftës "kundër armikut të përbashkët". Asnjë fyerje
tjetër për Skënderbeun nuk është bërë prej tij. Megjithkëtë, ata që e kanë
hapur debatin për Skënderbeun, qoftë mësues të frëngjishtes si Piro Misha,
qoftë muratorë si Niko Kirka apo ndonjë prift si Ndoc Nogaj, e paraqesin
gjendjen sikur Baleta i ka kushtuar pjesën më të madhe të shkrimeve të veta
figurës së Skënderbeut. Meqenëse nuk është kështu, atëherë del e qartë se
Baleta sulmohet pse ka thënë të mos vazhdojmë traditën e Skënderbeut për të
bashkëpunuar me serbët. Kjo kërkesë e Baletës i ka shqetësuar kritikët e
tij dhe kjo kërkesë e Baletës sipas tyre përbën fyerje për Skënderbeun.
Siç është thënë edhe në fillim, Skënderbeu mund të përdoret dhe është
përdorur për qëllime shumë të ndryshme të politikës së ditës. Ai është
përdorur nga rilindasit për të rikujtuar se shqiptarët kanë pasur një shtet
të vetin, se kjo është shenjë e të qenit komb dhe se duhet të kenë përsëri
njësinë e vet politike, për t'i çuar mesazh Portës së Larrtë se nëse nuk u
jep shqiptarëve autonominë e kërkuar, mund të ngrihen në luftë për këtë, për
të treguar tolerancë fetare duke i shkruar kujtimet më të mira letrare
autorët myslimanë etj., etj. Nga historiografia zyrtare e pesëdhjetë viteve
të fundit, figura e Skënderbeut është përdorur ndër të tjera edhe për të
treguar se ndërmjet shqiptarëve e serbëve ka patur miqësi shekullore që
është kalitur në fushën e luftërave të përbashkëta kundër të njëjtit armik
etj. Veç këtyre, Skënderbeu mund të përdoret dhe është përdorur për të
nxitur intolerancën fetare ndërmjet shqiptarëve, për të nxitur përçarje dhe
konflikte politike ndërmjet shqiptarëve etj., etj. Por nga përdorimi më
tepër gjykohen prirjet politike të përdoruesve, se sa vetë Skënderbeu. Në
këto mundësi për t'u përdorur në mënyra të ndryshme është edhe një nga
arsyet e rikthimit të debatit të sotëm për Skënderbeun. Kështu, në qoftë se
njëra palë (psh Baleta) kërkon të argumentojë se Skënderbeu nuk duhet të
përdoret për të ruajtur traditën e bashkëpunimit të shqiptarëve me serbët
dhe grekët kundër armikut të përbashkët, pala tjetër (psh Ndoc Nogaj, Abaz
Ermenji etj) kërkesën për të mos bashkëpunuar me servët e quan fyerje për
Skënderbeun dhe kërkon ta ruajë përdorimin e kësaj figure për të vazhduar
afrimin me serbët dhe grekët, kërkon ta ruajë përdorimin që ka qenë i
theksuar për enverizmin. Bashkë me këtë, kritikët e "Skicës...", Baletës
etj., përpiqen të shfrytëzojnë mundësinë për të përdorur figurën e
Skënderbeut për përçarjefetare dhe politike të shqiptarëve.
Në fund, në rrafshin praktik, debati nuk ka të bëjë fare me vlerësimin e
figurës së Skënderbeut, por me skemat e sjelljes së sotme politike të
shqiptarëve, me ruajtjen apo braktisjen e traditës së "armikut të
përbashkët" me sllavët dhe grekët, e traditës së aleancave me popujt e
Ballkanit kundër armikut jashtëballkanik, me ruajtjen apo braktisjen e
parrullës "Ballkani i ballkanasve" dhe "Amerikanë jashtë nga Ballkani" etj.
Rikthimi I debatit është instrumental, është përdorimi i Skënderbeut për të
mbështetur qëndrime të caktuara politike të sotme të kundërta ose në
mbështetje të interesave kombëtare. Në "Skicë..." nuk bëhet ndonjë
"modernizim" i qenjësimit situacionist politik të shqiptarëve, domethënë
situata në të cilën është ndodhur të zgjedhë Skënderbeu nuk konstruktohet
nga pozita e sotme dhe dijet e sotme për zgjedhjet që kanë qenë të mundëshme
në atë kohë, por vetëm përshkruhen zgjedhjet alternative ndaj politikës së
Skënderbeut që kanë ekzistuar dhe janë bërë po në kohën e Skënderbeut:
zgjedhje e tij për të bshkëpunuar me ballkanasit kundër osmanëve dhe
zgjedhja e bashkëpunimit me osmanët kundër sllavëve e grekërve që bënë Hamza
Kastrioti, Dukagjinasit etj.
Ndërsa debatit të sotëm nga kritikët e "Skicës..." iu dha ngjyrim vlerësues
nga përdorimi i termave vlerësues si "fyerje", "mistrecë" etj., etj. Në këtë
kontekst vlerësimi të skemave dhe të subjekteve vepruese në histori e në
praktikën e sotme, njëra palë psh "Skica...", Baleta etj., duket se thotë se
më i vlefshëm se çdo figurë e kombit shqiptar është vetë kombi shqiptar,
se interesat e tij nuk duhen dëmtuar për hir të asnjë figure kombëtare, se
sado e madhe të jetë një figurë historike, gabimet e saj nuk duhen vazhduar
në qoftë se janë të dëmshme për kombin me arsyetimin se "duhen ruajtur
figurat" dhe se figurat duhen ruajtur për çka kanë vepruar drejtë. Pala
tjetër duket se thotë se disa figura historike janë më të rëndësishme se
vetë kombi shqiptar dhe interesat e tij, se në qoftë se disa fatkeqësi që
përjeton edhe sot kombi shqiptar kanë ardhur nga gabimet e këtyre figurave
nuk duhet nxjerrë mësim dhe nuk duhet kërkuar të mos përsëriten, sepse kjo
përbën "fyerje" të figurave. Në këtë debat praktik politik, secilit i bie
barra të vendosë vetë, nëse më i rëndësishëm është kombi dhe populli
shqiptar apo "pastërtia" folklorike e figurave historike. Ndërsa shkenca e
shtron çështjen e zbatimit të kritereve shkencore dhe debati merr formë
tjetër, nëse do të bëhet.