Muslimani i shekullit XXI

Nuk ka dyshim që ne nuk duhet t’i harrojmë këto periudha, por aspak nuk është me vend që akoma të jetojmë nën hijen e famës së Ibni Sinasë, Ibni Rushdit, Gazaliut ose personaliteteve tjera të famshme që ka pasur kultura dhe civilizimi islam, e vetë të qëndrojmë larg zhvillimeve dhe arritjeve shkencore. Është më se e qartë se duhet të ndodhë një kthesë në drejtim të përqafimit të vetive kryesore islame, kthesë kjo e cila do të na ndihmojë të gjithëve të zgjohemi nga ky gjumë i cili është duke na zgjatur gati pesë shekuj. Sa më herët që ta kuptojmë realitetin dhe nevojën për të bërë ndryshimet e duhura, me siguri edhe rezultatet do të vijnë shumë shpejtë
Prandaj, si të tillë nuk duhet të na kaplojë ndonjë pesimizëm, se kinse nuk kemi potenciale psikofizike, apo nuk kemi aftësi dhe zgjuarsi për realizimin e një qëllimi të tillë. Ky qëllim duhet realizuar sepse nuk ka rrugë tjetër, për arsye se për këtë na obligon barra dhe përgjegjësia kur’anore, të cilën e kemi marrë mbi supet tona. Ky duhet të jetë pikësynimi ynë kryesor dhe udhëzuesi ynë kah realizimi dhe lidhja e ngushtë në lidhje me ruajtjen e unitetit të muslimanëve.
Nuk mund të thotë askush që ne si të tillë duhet akoma të jetojmë në rrethana të shekujve të kaluar, kur para nesh kemi Kur’anin famëlartë, kemi personalitetin e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] si frymëzuesin tonë kryesor drejt sfidimit të çdo të lige. Zgjidhjet e këtyre problemeve janë në vet ne dhe nuk duhet kërkuar atë diku tjetër, por duhet drejtuar vetvetes dhe sa më shpejt të gjejmë rrugëdaljen e cila do të na shpinte drejt një përparimi mbarë islam.
Duhet të jemi të bindur për vet faktin se përparimi ynë varet prej vetë nesh dhe se ankesat të cilat i drejtojmë në adresa të ndryshme, edhe pse nuk janë të gabuara, nuk e gjejnë dot portën e vërtetë të përgjigjeve dhe nuk e godasin veshin i cili do t’u përgjigjej kërkesave tona. Fatkeqësisht, siç duket, pandërprerë jemi duke trokitur në dyer të cilat janë të mbyllura përgjithmonë për botën islame, jemi duke iu drejtuar njerëzve dhe institucioneve të cilët i gëzohen një situate të këtillë të muslimanëve. Ata janë duke vështruar në realitetin e një solidarizimi të vdekur mes muslimanëve, shohin unitetin e coptuar tonin në mijëra copë të shkapërderdhura nëpër skajet e botës, i gëzohen gjendjes mjeruese të muslimanëve në aspekt të diturisë dhe përparimeve shkencore, shohin edhe shumë realitete të hidhura të gjendjes së mjerueshme tonën.
Prandaj, nuk mund të jenë të njëjtë ata të cilët e kuptojnë një situatë të këtillë dhe ata të cilët nuk ua varin veshin fare çështjeve të këtilla. Nuk janë të njëjtë ata të cilët, nëse jo më shumë, së paku në veten e tyre kanë filluar ndryshimet me të cilat riparojnë, rinovojnë besimin dhe përforcojnë identitetin e tyre islamik që kanë, me një individ i cili as që është i vetëdijshëm për një identitet të tillë. Nuk janë të ngjashëm ata të cilët presin në radhë për t’ju ndihmuar vëllezërve të tyre muslimanë dhe ata të cilët tregojnë koprracinë më të madhe kur vjen rasti për t’u solidarizuar me muslimanët e botës!
Kur janë në pyetje krahasime të këtilla, All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë përmend disa raste kur njeriu mund të shohë qartë çështjen e atyre që janë me besim të sinqertë dhe të atyre të cilët nuk ua varin veshin gjërave të këtilla. Në kaptinën Ez-Zumer thuhet: “A mund të jenë të njëjtë ai i cili natën e kalon duke u përkulur në sexhde dhe adhurim, duke qëndruar në këmbë, i cili i ruhet dënimit të botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet, me atë i cili i injoron këto? Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë. Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.” (Ez-Zumer: 9)
Një krahasim i këtillë padyshim që rrëqeth zemrat e besimtarëve, ngjall kërshërinë e tyre për të qenë në anën të cilën e lavdëron All-llahu, ngre emocionet për ta përqafuar identitetin e vërtetë islamik, nxit përpjekjet e sinqerta islame për një përmirësim dhe riparim të vetvetes e kështu me radhë.
Te ky ajet, ne si pjesëtarë të Islamit duhet të shohim vetveten dhe të vërejmë urtësitë me të cilat na drejtohet neve All-llahu i Madhërishëm, me qëllim që secili prej nesh në esencë të mund të vërejë se çfarë tipi të besimtarit preferon All-llahu, e çfarë tipash jemi ne. Me siguri që ata të cilët në mënyrë të drejtë do ta kuptojnë mesazhin e vërtetë të këtij ajeti, do të bëjnë një hap përpara në drejtim të pajisjes së vetvetes me ato veti dhe parime të cilat Kur’ani i kërkon nga ne. Të vijmë deri te konkluzioni se muslimani i shekullit XXI nuk ka çfarë kërkon në mesin e civilizimeve të ndryshme pa përmirësuar nivelin e vet arsimor, pa përqafuar urtësitë kur’anore, pa mos u ndjerë krenar për identitetin që ka dhe pjesëtar i Ummetit që është, pa mos kuptuar domosdoshmërinë e edukimit dhe arsimimit të çdo individi në shoqërinë islame, pa mos garuar me të tjerët se kush do të ndihmojë muslimanët në hallet dhe dertet që ata kanë.
Kur një bindje e tillë të jetë kontrolluese e mentalitetit tonë, ndoshta atëherë ne, me tërë qenien tonë, do t’u vihemi në shërbim qëllimeve të pastërta islame.
Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një thënie të tij urdhëronte: “Kërkimi i diturisë është i domosdoshëm për çdo besimtar dhe besimtare”, kurse në një hadith tjetër i urdhëronte pasuesit e tij që të fillojnë t’i urdhërojnë fëmijët e tyre me faljen e namazit nga mosha shtatë vjeçare, me çka vërtetohet kujdesi i tij që procesi edukativo-arsimor të fillojë te çdo fëmijë që nga mosha kjo moshë. Sjelljet dhe urdhrat e tij ishin plotësisht norma pedagogjike të cilat sot shkenca i përdor te fëmijët. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i bindur se të gjithë prindërit nuk do ta bëjnë një gjë të tillë, e themeloi xhaminë-universitetin-medresenë, ku të gjithë njerëzve u jepte mësimet dhe urtësitë islame me të cilat duhej të pajisen ata.
Kur jemi te rëndësia e të qenurit i arsimuar, vet Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një thënie të tij potencon: “Kush mirëpret dijetarët, më ka mirëpritur mua, kush viziton dijetarët, më ka vizituar mua, kush merr pjesë në një tubim dijetarësh, ka ndenjur me mua, ndërsa ai i cili rrinë me mua, rrinë me All-llahun”. Te thëniet e këtilla duhet parë qëndrimin dhe vizionin e qartë islamik në drejtim të nevojës për të marrë dituri, ose së paku për t’u shoqëruar me njerëz të ditur, duke përfituar nga njohuritë e tyre me qëllim të përkryerjes së shpirtit dhe besimit. Këta janë tipa të njerëzve të cilët i duhen Islamit dhe të cilët mund të kontribuojnë në drejtim të përmirësimit të gjendjes së muslimanëve. Kjo është gjendja në të cilën Islami dëshiron të na shohë të gjithëve.
Ndërsa të tjerët dëshirojnë të shohin një tip tjetër të muslimanëve, me të cilët e shohin të mundshme bashkëjetesën, e të tillët janë: të vdekur para se të lindin, me sy të mavijosur nga pirja e alkoolit, njerëz që dridhen para çdokujt, frikacakë, injorantë, të përfunduar para se të fillojnë, të harxhuar para kohe, të gatshëm për të qenë të kolonizuar, të atillë që nuk mendojnë, pranues dhe realizues të mirë të urdhrave nga të tjerët, e shumë të tjerë sikur këta. Ja, kjo është gjenerata të cilën bota dëshiron ta shohë te muslimanët, apo këta janë llojet e njerëzve me të cilët bota sheh mundësinë e kolonizimit të qenies së tyre në formën më të lehtë.
Kurse ne duhet sa më shpejtë ta kuptojmë se sot më nuk është koha vetëm e mexhliseve apo tubimeve në të cilat pjesëmarrësit nuk mund të bëjnë madje as edhe pyetje të drejta për çështjet e tyre fetare. Duhet sa më shpejt të kuptojmë se tubimet e tilla shfrytëzohen si raste ku të tjerët sqarojnë dhe debatojnë për gjëra të reja dhe për njohuri të cilat janë formuar te ta si rezultat i studimit dhe kërkimeve shkencore e fetare. Të jemi të sigurt se një kuptim i drejtë i gjendjes në të cilën gjendemi do të na mundësojë që të bëjmë lëvizje të mbarë në drejtim të përmirësimit të shoqërisë në të cilën jetojmë. Në vitet në të cilat jetojmë, është më se e nevojshme që ta kuptojmë rëndësinë e thellimit tonë në shkencë dhe njohuri të përgjithshme, përmes të cilave do të arrinim deri në realizimin e pikësynimeve tona të sinqerta islame.
Veti kryesore të shekullit XXI muslimani duhet t’i ketë diturinë dhe krenarinë, me anë të të cilave më lehtë do të dijë t’ju përballojë sfidave të kohës në të cilën jeton. Në sajë të vetive të këtilla, do të dijë më lehtë të inkuadrojë veten në zhvillimet shkencore e shoqërore që ndodhin në botë. Si dhe në sajë të tyre do të dijë ta zë pozitën e merituar në mesin e shoqërive botërore. All-llahu i Madhërishëm na ndihmoftë në këtë drejtim.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme