
Rruga për në Mekë
VI
ËNDËRRIMET
Nëse jeni shok dhe musafir i Emirit të famshëm arab, atëherë ajo do të thotë se ai do t’ju konsiderojë shok dhe musafir dhe ashtu do të sillen me ju të gjithë shërbëtorët e tij, raxhaxhilët e tij, pronarët e duqaneve në kryeqytetin e tij bile edhe beduinët e shkretinës nën sundimin e tij. Musafiri sapo të mund të përmend ndonjë dëshirë menjëherë i plotësohet, kurdo herë kur ka mundësi; nga ora në orë e mbulon mirësia e ngrohtë, jokureshtare e cila e pështjellë në tregun e qytetit jo më pak se sa në korridoret dhe hajatet e gjera të oborrit.
Ashtu sikur shumë herë më parë, kjo më ndodh edhe gjatë këtyre dy ditëve në Hail. Kur dëshiroj kafe, zëri i melodishëm i havanit të bronztë menjëherë cingëron në dhomën time private të pritjes. Po qe se, në mëngjes, rastësish i përmendi Zejdit në prani të ndonjë shërbëtorit të Emirit, shalën e bukur të cilën sapo e kam parë në bazar pasditë tashmë ma kanë sjellur dhuratë. Disa herë në ditë arrinin dhuratat: këmisha e gjatë prej leshit të Kashmirit e zbukuruar me mostrën e mangoas, ose kufia e qëndisur, ose lëkura e bardhë e deleve të Bagdadit për shalë, ose kama e lakuar prej Nexhdi me dorëz të argjendtë… Kurse unë, pasi që udhëtoj me pajisje të lehta, nuk jam në gjendje t’i ofroj Ibën Musaadit për kundërshpërblim asgjë tjetër përpos hartës angleze të Arabisë, në të cilën, në një masë të madhe, për të plotësuar dëshirën e tij, me kujdes i kam shënuar emrat arabë të vendeve.
Shpirtmirësia e Ibën Musaadit gjason mjaft në atë të mbretit Ibën Saud që, mbi të gjitha, edhe nuk është gjë e çuditshme kur të merren parasysh lidhjet e tyre të afërta. Jo vetëm që janë kushërinj por i kanë ndarë së bashku – që prej kohës kur Ibën Saudi ka qenë rinist kurse Ibën Musaadi ende djalosh i ri – shumë vështirësi, kobe dhe ëndërrime mbretërore të sundimit të mëparshëm.
Edhe pse shumë vetë kanë qenë shokë të tij, vetëm një numër i vogël i të zgjedhurve ka mund të vëzhgojë aspektin më intim dhe, ndoshta, më të rëndësishëm të natyrës së Ibën Saudit, aftësinë e tij të madhe për dashuri, e cila ka mund, sikur t’i ishte lejuar që të zhvillohet dhe të vazhdojë, ta ngritë në lartësitë më të larta nga ato të cilat i ka arritur. Aq shumë është theksuar se ai është martuar dhe shkurorëzuar me shumë gra sa që shumë të paudhëzuar e konsiderojnë sikur ndonjë njeri imoral i preokupuar me vrapimin e paskajshëm pas kënaqësive fizike; vetëm rrallë ka prej atyre që janë të vetëdijshëm se gati çdo martesë e Ibën Saudit – veç atyre të diktuara për shkaqe politike – ka qenë pasojë e dëshirës së paqartë, të paepur që rishtazi ta kapë gjurmën e dashurisë së humbur.
Xhevahireja, nëna e djemve të tij, Muhamedit dhe Halidit, ka qenë e dashura e Ibën Saudit; bile edhe tash, pas trembëdhjetë vjetëve që ka vdekur, mbreti kurdo herë kur bisedon për të fjala i lidhet në fyt.
Ajo patjetër duhet të kishte qenë grua e mrekullueshme – jo vetëm e bukur (sepse Ibën Saudi ka njohur dhe ka pasur shumë gra të bukura në karierën e tij jashtëzakonisht të pasur martesore) por gjithashtu e talentuar me mençurinë instinktive të gruas e cila e lidhë dalldinë shpirtërore me atë trupore. Ibën Saudi nuk iu lejon shpesh emocioneve të veta që të veprojnë thellë në marrëdhëniet e tij me gratë dhe kjo, ndoshta, e shpjegon lehtësinë me të cilën martohej dhe shkurorëzohej. Megjithatë, me Xhevahiren, si duket, ka gjetur përmbushjen e cila më kurrë nuk i është përsëritur. Ndonëse bile edhe gjatë jetës së saj ka pasur gra tjera, dashuria e tij e vërtetë ka qenë e rezervuar për të në mënyrë aq të veçantë sikur ajo të ishte gruaja e vetme e tij. I ka shkruar letra dashurie, kurse në një moment më të veçuar të tij më tha: “Kurdo herë kur bota rreth meje do të bëhej e errët dhe nuk shihja rrugëdalje nga rreziku dhe vështirësia që më shtrëngonin, do të ulesha dhe do t’i shkruaja ode Xhevahires; kur do t’i përfundoja, bota papritmas do të ndriçohej dhe do të dija çka të veproj”.
Xhevahireja ka vdekur gjatë epidemisë së madhe të gripit më 1919, e cila e mori me vete edhe djalin e paralindur dhe më të dashur të Ibën Saudit Turkiun; kjo humbje e dyfishtë pat lënë gjurmë të pashërueshme në jetën e tij.
Nuk kanë qenë vetëm gruaja dhe djali të cilëve ka mund t’ua hapë zemrën e vet plotësisht; e ka dashur babain e vet ashtu siç i duan njerëzit e rrallë baballarët e tyre. Babai, Abderrahmani, të cilin e kam njoftuar ditët e para në Rijad, ndonëse njeri i dashur dhe i devotshëm, gjithqysh nuk ka qenë personalitet i shquar sikur djali i tij dhe nuk ka lozur kurrfarë roli të veçantë gjatë jetës së tij të gjatë. Prapseprapë, bile edhe pasi e pat marrë Ibën Saudi mbretërinë me mundin e vet individual dhe pasi u bë sundimtar i pakontestueshëm i vendit, ai sillej ndaj babit të vet me aq dëgjueshmëri sa që kurrë nuk do të pajtohej të paraqitet në dhomën e pallatit po qe se Abderrahmani do të ndodhej në dhomën e poshtme – “sepse, do të thoshte, si mund t’i lejoj vetes të eci mbi kokën e babit tim?” Asnjëherë nuk do të ulej në prani të plakut po qe se nuk do të thirrej qartë ta bëjë atë. Ende më kujtohet pakëndshmëria të cilën e kam përjetuar për shkak të kësaj përkulshmërie mbretërore një ditë në Rijad (mendoj se kjo ka ngjarë në dhjetor të vitit 1927). Kam qenë në vizitë të zakonshme te babai i Mbretit në banesën e tij në oborrin mbretëror; rrinim ulur në shiltet e shtruara në dysheme, zotëriu plak zbërthente një prej temave të veta fetare që i pëlqenin. Befasisht hyri në dhomë shërbëtori dhe lajmëroi: “Vjen Sheiku”. Pas pak kohësh Ibën Saudi qëndronte në derë. Natyrisht, dashta të çohem, por plaku Abderrahman më kapi për mange dhe më tërhoqi poshtë, sikur të thoshte: “Ti je musafiri im”. Kam qenë i hutuar sa s’mund të përshkruhet duke qëndruar ashtu ulur, derisa Mbreti, pasi që prej së largu e përshëndeti babain, mbeti në këmbë te dera, me siguri duke pritur leje që të hyjë në dhomë. Patjetër të kishte qenë i mësuar në teket e ngjashme të babait të vet sepse ma bëri me sy, duke buzëqeshur, që të më qetësojë. Në ndërkohë, Abderrahmani e vazhdoi bisedën sikur s’kishte pasur asfarë ndërprerjeje. Mbas disa minutash ai shikoi lartë, i dha shenjë me kokë djalit të vet dhe tha: “Eja, biri im, dhe ulu”. Mbreti në atë kohë kishte katërdhjeteshtatë ose katërdhjetetetë vjet.
Disa muaj më vonë – në atë kohë kemi qenë në Mekë – i erdhi lajmi Mbretit se i ka vdekur babai në Rijad. Kurrë nuk do ta harroj shkimin e shtagur në mënyrë të pakuptueshme me të cilin disa çaste e vështroi lajmëtarin dhe pikëllimin i cili ngadalë dhe dukshëm ia errësoi vijat e fytyrës të cilat përndryshe ishin të kthjellta dhe të qeta; si kërceu me klithmën tmerruese: “Babai im ka vdekur!”, dhe me hapa të mëdhej doli me vrap prej dhome derisa abaja i shkonte zhag pas tij; si u ngjitë me vrap shkallëve, kaloi pranë fytyra të frikësuar të rojeve të veta, duke mos e ditur edhe vetë se ku po shkon dhe pse, duke bërtitur: “Babai im ka vdekur! Babai im ka vdekur!” Dy ditë pas kësaj nuk ka pranuar askend në dhomën e tij, as ka ngënë as ka pirë dhe natë e ditë ka bërë ibadet.
Sa djelmosha të moshës mesatare, sa mbretër të cilët e kanë fituar mbretërinë e vet me forcën e vet, e kanë vajtuar aq shumë vdekjen e babait të vet që ka vdekur rehatë në pleqëri të thellë?
Abdelaziz ibën Saudi e fitoi mbretërinë e vet të gjerë vetëm me përpjekjet e veta vetanake. Qysh duke qenë fëmijë, familja e tij tashmë e kishte humbur edhe pjesën e fundit të pushtetit të vet në Arabinë Qendrore, kurse atë e trashëguan vasalët e tyre të dikurshëm, dinastia Ibën Rashid prej Haili. Ato kanë qenë ditë të idhëta për Abdelazizin. Djaloshi krenar dhe i përmbajtur u dasht patjetër ta shikojë emirin e huaj se si qeverisë me qytetin e babait të tij, Rijadin në emër të Ibën Rashidit; sepse tash familja Ibën Saud – e cila dikur e ka sunduar gati tërë Arabinë – ka jetuar prej ndihmës së familjes Ibën Rashid e cila vetëm i ka duruar, por më nuk u është frikësuar. Më në fund, kjo u bë e padurueshme bile edhe për babain e tij paqedashës Abderrahmanin dhe ai e lëshoi Rijadin me tërë familjen, me shpresë që ditët e mbetura t’i kalojë te shoku i tij i vjetër, sundimtari i Kuvajtit. Mirëpo, ai nuk e ka ditur se çka bartë ardhmëria sepse nuk e ka parandjerë çka ka në zemrën e djali të tij.
Prej të gjithë anëtarëve të familjes vetëm një ka pasur parandjenjë çka ndodh në këtë zemër të zjarrtë: motra më e re e babait të tij. Nuk di shumë për të; vetëm e di se Mbreti, kurdo herë kur i përkujtonte ditët e rinisë së vet, gjithmonë e përmendte me respekt të veçantë.
“Ajo, mendoj, bile më ka dashur më tepër se fëmijët e vet. Kur kemi qenë vetëm, ajo do të më merrte në krah dhe do të më fliste për gjërat e mëdha që do të duhej bërë kur të rritem: “Ti duhet patjetër ta ngjallish famën e familjes Ibën Saud”, ma përsëriste përherë prej fillimit, kurse fjalët e saj kanë qenë si përkëdhelje. “Por dua ta dijsh, azajiz se” (deminutiv prej Aziz), do të thoshte, “bile as fama e familjes Ibën Saud nuk guxon të jetë fundi i synimeve tua. Ti duhet patjetër të orvatesh për famën e Islamit. Popullit tënd i duhet udhëheqës i cili do t’i prijë drejt rrugës së Pejgamberit, kurse ti do të jesh ai udhëheqës”. Këto fjalë përherë kanë mbetur të gjalla në zemrën time”.
A thua, vallë, vërtetë?
Ibën Saudi tërë jetën e tij ka pasur dëshirë të flasë për Islamin sikur për misionin që iu pat besuar; bile edhe më vonë, kur tashmë kahmoti u bë e qartë se pushteti mbretëror i vlenë më shumë se ndërmjetësimi i dikurshëm i tij për ideal, oratoria e tij e madhe shpesh herë ka arritur të bindë shumë vetë – ndoshta bile edhe vetë atë – se ky ideal ende është qëllimi i tij.
Kujtimet e tilla nga fëmijëria shpesh herë janë ngjallur gjatë tubimeve intime në Rijad, të cilat zakonisht janë organizuar pas jacisë. Sapo të mbaronte namazi në xhaminë e pallatit, do të mblidheshim rreth Mbretit në njërën prej dhomave më të vogla dhe do të dëgjonim afër një orë leximin e haditheve të Pejgamberit ose komentimeve të Kur’anit. Pas kësaj Mbreti do të thirrte dy ose tre vetë prej nesh që ta përcjellnim deri te dhoma e tij në banesën e tij private. Një natë, më kujtohet, derisa e lëshonim tubimin duke e përcjellur Mbretin, edhe një herë kam qenë i befasuar me shtatin e tij madhështor me të cilin larg i kapërcente ata të cilët e rrethonin. Mbase e kapi shikimin tim admirues sepse buzëqeshi me atë sharmin e vet të papërshkruar, më mori përdore dhe më pyeti:
“Pse më shikon ashtu, Muhamed?”
“Mendova, Shkëlqesi, se çdokush mund ta njohë në ty mbretin sapo ta shohë kokën tënde aq lartë mbi kokat e turmës”.
Ibën Saudi filloi të qeshet dhe, ende duke më udhëhequr përdore gjatë ecjes së ngadalshme nëpër korridor, tha: “Po, mirë është të jesh kaq i lartë. Por ka pasur momente kur lartësia ime më ka shkaktuar vetëm hidhërime. Kjo ka ndodhur para shumë vitesh, kur kam qenë i ri dhe kur kam jetuar në pallatin e Sheik Mubarekut në Kuvajt. Kam qenë shtathedhur dhe jashtëzakonsh i lartë, shumë më tepër se sa iu përgjigjej viteve të mia dhe djelmoshat tjerë në pallat – ata të familjes së sheikut, po bile edhe ata të familjes sime – më patën vënë në nishan të shakave të tyre sikur të isha përbindësh. Kjo shumë më pikëllonte, kurse ndonjëherë edhe unë mendoja se jam vërtetë përbindësh. Aq shumë më ka ardhur turp prej lartësisë sime sa që do ta futja kokën në shpatulla në mënyrë që të dukesha më i ulët kur të kaloja nëpër dhomat e pallatit dhe rrugëve të Kuvajtit”.
Në atë moment tashmë arritëm te banesa e Mbretit. Djali i tij më i madh, trashëgimtar i fronit Saud, tashmë aty e pritte babain e vet. Ishte moshatari im dhe, ndonëse jo aq i lartë sikur babai i tij, plotësisht figurë impozante. Vijat e fytyrës së tij ishin shumë më të errëta se të Mbretit dhe s’e kishin lëvizshmërinë dhe gjallërinë e tij. Mirëpo ai ishte njeri i dashur dhe për të njerëzit kishin mendim të mirë.
Mbreti u ul në shilte të shtruar përgjatë mureve dhe na ofroi edhe neve të ulemi. Pastaj urdhëroi: “Kafe!” Shërbëtori i armatosur në derë menjëherë thirri në korridor “Kafe!” – kështu që këtë thirrje tradicionale e pranuan dhe e përsëritën shpejt njëri pas tjetrit shërbëtorët tjerë nëpër tërë korridorin “Kafe!” – “Kafe!” – në ceremoninë e mrekullueshme të përsëritjeve, derisa nuk arriti te kuzhina mbretërore e çajit disa dhoma më tej; sa çel e mbyll sytë shërbëtori me kamën e artë të ngjeshur për brezi paraqitet duke bartur xhezven e bronztë në njërën, kurse filxhanët e vegjël në dorën tjetër. Mbreti e pranoi filxhanin e parë, kurse tjerët i pranuan musafirët me radhë ashtu si rrinin ulur. Në rastet e tilla joformale, Ibën Saudi do të bisedonte lirisht për çkado qoftë që do t’i binte në mend – për atë çka ngjante në vendet e largëta të botës, për zbulimet e reja të çuditshme për të cilat ia kanë tërhequr vëmendjen, për njerëzit, zakonet dhe institucionet; por mbi të gjitha, kishte dëshirë të flasë për përvojat e tij personale, kurse do t’i motivonte edhe të tjerët të marrin pjesë në bisedë. Pikërisht atë natë Emiri Saud e filloi bisedën kur mu drejtua mua duke qeshur:
“Dikush sot, Muhamed, më ka shprehur dyshim për ty. Më ka thënë se s’është plotësisht i sigurtë se ti nuk je spiun anglez nën maskën e muslimanit… Por mos u mërzit, kam qenë në gjendje ta bindi se ti me të vërtetë je musliman”.
I pamundshëm që t’ia kthej me buzëqeshje, iu përgjegja: “Ky është një gjest mjaft i njerëzishëm prej teje, Zoti ju dhashtë jetë të gjatë. Por si mund të jeni i sigurtë në atë? A nuk është Zoti i vetmi Ai i cili e din ç’ka në zemrën e njeriut?”
“Ajo është e vërtetë”, ma tkheu Emiri Saud, “por në këtë rast më është treguar një shenjë e veçntë. Një ëndërr javën e kaluar ma ka dhënë këtë shenjë… Kam qëndruar para një xhamie duke shikuar në minare. Befasisht në sherifen e minares u paraqit një njeri, i drejtoi shuplakat e veta para gojës dhe filloi të thirrë për namaz: “Zoti është më i madhi, vetëm Zoti është më i madhi” dhe vazhdoi deri në fund “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut” – e kur e kam shikuar më përsëafërmi, e kam parë se ai njeri je ti. Kur jam zgjuar, e kam ditur sigurisht se, ndonëse kurrë nuk kam dyshuar në atë, ti je musliman i sinqertë, sepse ëndërra në të cilën përmendet dhe lëvdohet e mri i Zotit nuk mund të jetë mashtrim”.
Kam qenë mjaft i ngashëryer me këtë argumentim të pakërkuar të sinqeritetit tim nga ana e djalit të Mbretit dhe me seriozitetin e tundjes së kokës me të cilin Mbreti e vërtetoi rrëfimin e befasueshëm të Emirit Saud. Me të marrë fjalën, Ibën Saudi vazhdoi:
“Vërtetë shpesh ndodh që Zoti t’i ndriçojë zemrat tona me anë të ëndërrave të cilat ndonjëherë e parashohin ardhmërinë, e ndonjëherë e shpjegojnë tanishmërinë. A ke përjetuar ti, Muhamed, ndonjëherë ëndërr të tillë?”
“Me të vërtetë po, o imam, edhe atë qyshmoti, shumë më parë seç kam menduar se do të bëhem musliman – bile para se të kisha hyrë ndonjëherë në vendin musliman. Ataëherë duhet t’i kisha pasur rreth nëntëmbëdhjetë vjet dhe kam jetuar me babain tim në Vjenë. Kam qenë thellë i interesuar për shkencën mbi jetën e brendshme të njeriut (gjë që ka qenë definicioni më i afërt i psikoanalizës që kam mund t’ia jap Mbretit) dhe e kisha bërë zakon që pranë krevatit të mbaj letër dhe laps në mënyrë që t’i regjistroja ëndërrat e mia kur të zgjohesha. Duke vepruar kështu, e kam kuptuar se jam në gjendje t’i kujtoj përherë ëndërrat, bile edhe nëse nuk i kam ruajtur përherë në kujtesë. Në një ëndërr të tillë, gjendesha në Berlin, duke udhëtuar me hekurudhën nëntokësore që ata e kanë - me trenin i cili ndonjëherë shkon nëpër tunel nën tokë kurse ndonjëherë mbi ura lartë mbi rrugë. Kupeja ka qenë përplot me njerëz kështu që nuk kishte vend për tu ulur dhe të gjithë qëndronin në këmbë të ngjeshur, nuk kishin mundësi të lëviznin; ka qenë vetëm një dritë e dobët e një shisheje të vetme elektrike. Pas një kohe treni doli prej tuneli; nuk erdhi në asnjë urë prej atyre të lartave por doli jasht në rrafshinën e gjerë, të shkretë prej balte, rrotat e trenit u zhytën në baltë dhe treni u ndal, duke mos mundur të lëvizë as para as mbas.
Të gjithë udhëtarët, kurse edhe unë me ta, e lëshuan trenin dhe filluan të shikojnë rreth vetes. Rrafshina përreth nesh ishte e pafund, e zbrazët dhe lakuriqe – në të nuk kishte as kaçube as shtëpi, bile as gurës – dhe ankthi i kaploi zemrat e njerëzve; tash kur ndodhemi këtu pa ndihmë, si do ta gjejmë rrugën të kthehemi prap atje ku jetojnë njerëzit e tjerë? Muzgu i murmë shtrihet përtej rrafshinës së madhe, sikur në kohën e agimit të hershëm.
Mirëpo, në një mënyrë unë nuk kam ndie ankth sikur të tjerët. Kam depërtuar nëpër turmë dhe kam hetuar, në largësi ndoshta prej dhjetë hapash, deven e shaluar – mu ashtu siç i kam parë të shaluara në vendin tënd – kurse në shalë rrinte ulur një njeri i veshur në abajën, mëngë shkurtër dhe me vija të bardha e ngjyrë gështenje. Kufia e tij ka qenë e tërhequr lartë mbi fytyrën e tij ashtu që nuk kam mund t’i dalloj vijat e tij. Në shpirt menjëherë e kam ditur se deveja më pret mua, kurse kalorësi i panjohur do të duhej të jetë udhëheqësi im; kështu, pa fjalë, kam hypur në shpinën e deves pas shalës, ashtu sikur kalëron në vendet arabe rafidi (kalorësi-bashkudhëtar). Në çastin tjetër deveja u ngritë dhe u nis përpara me hapa të lehtë, të gjatë, kurse unë e ndjeva se si në mua rritej lumturia e paemër. Udhëtonim me hapa të tillë të lehtë, ashtu siç më dukej në fillim, me orë të tëra, pastaj me ditë, pastaj me muaj, derisa nuk e humba çdo masë kohore; në çdo hap të deves lumturia ime rritej, derisa nuk e ndjeva se si notoj nëpër ajër. Më në fund, horizonti në anën tonë të djathtë filloi të skuqej nën rrezet e diellit i cili tashmë sapo s’kishte dalur. Por larg në horizont para nesh unë e pashë një dritë tjetër; kishte vajtur pas derës së madhe të hapur e cila pushonte në dy shtylla – dritë e bardhë verbëruese, jo e kuqe sikur drita e diellit në lindje në anën tonë të djathtë – dritë e ftohtë e cila përherë bëhej gjithë e më e ndritshme sa më afër që i afroheshim, kurse lumturinë në mua e zmadhonte mbi gjithë atë çka mund të përshkruhej me fjalë. Kur u afruam me afër derës dhe dritës së saj, dëgjova një zë se si prej diku lajmëroi: “Ky është qyteti më perëndimor” – dhe unë u zgjova”.
“Subhanallah – lavdërimi i qoftë Zotit!” bërtiti Ibën Saudi kur unë e përfundova. “Vallë, a nuk të ka treguar kjo ëndërr se je i përcaktuar për Islam?”
E tunda kokën: “Jo, Shkëlqesi, si kam mundur ta dijë këtë? Kurrë nuk kam menduar mbi Islamin, e bile kurrë nuk kam njohur ndonjë musliman… Tashmë shtatë vjet më vonë, gjatë kohë pasi e kam harruar këtë ëndërr, e kam pranuar Islamin. Më është kujtuar pak kohë më parë, kur e kam gjetur në mesin e letrave të mia, mu ashtu sikur e kam pasë regjistruar atë natë pas zgjimit”.
“Ani kjo ka qenë lumturia yte e parë të cilën Zoti ta ka treguar në atë ëndërr, biro! A nuk e ke njohur qartë? Ardhja e shumë njerëzve, kurse ti në mesin e tyre, në absurditetin e shkretë dhe konfuzioni i tyre: a nuk është kjo gjendje e atyre të cilët sureja hyrëse e Kur’anit i përshkruan sikur “ata të cilët e kanë humbur rrugën?” Kurse deveja e cila, me kalërësin e vet, të ka pritur ty: a nuk është ai “udhëzimi i drejtë” për cilin Kur’ani shpesh bën fjalë? Kurse kalorësi i heshtur fytyrën e të cilit nuk ke mundur ta shohish: kush ka mund të jetë tjetërkush nëse jo Pejgamberi, paqja e Zotit qoftë mbi të? Ai me gjithë dëshirë ka bartur gunë krahshkurtër… A nuk na e bëjnë të ditur shumë libra se, kurdo herë kur ai iu lajmërohet në ëndërra jo-muslimanëve ose atyre që ende nuk janë muslimanë, fytyra e tij përherë është e mbuluar? Pastaj ajo drita e bardhë, e ftohtë në horizont para teje: çka ka mund të jetë ajo përveç premtimit të dritës së besimit e cila ndriçon pa e ndezur? Ti atë nuk e ke arritur në ëndërrën tënde për shkak se shumë vjet më vonë, siç na e bëre të ditur, e ke njohur Islamin si realitet të vërtetë…”
“Ti mund të kesh të drejtë, Shkëlqesi… Por ç’është puna me “qytetin më perëndimor” ku do të duhej të më shpjerë dera në horizont? Sepse, më në fund, pranimi im i Islamit nuk më ka shpjerë në perëndim: kjo më parë më ka shpjerë më tej perëndimit”.
Ibën Saudi për një çast heshti dhe mendoi; pastaj e ngriti kokën dhe, me atë buzëqeshjen e ëmbël që më pëlqente, tha: “A thua me të ka dashur të thotë, Muhamed, se arritja yte Islamin do të jetë pika “më perëndimore” në jetën tënde, kurse pas kësaj jeta yte perëndimore nuk do të jetë më e ytja…?”
Pas një kohë Mbreti përsëri foli: “Vetë Zoti e din ardhmërinë. Mirëpo ndonjëherë Ai vendosë që, në ëndërr, të na paralajmërojë për atë çka do të na ndodhë në të ardhmen. Edhe unë kam parë ëndërra të tilla dy-tre herë dhe më kanë dalë të vërteta. Njëra prej tyre, në realitet, më ka bërë atë çka jam… Atëherë kam pasur shtatëmbëdhjetë vjet. Kemi jetuar si emigrantë në Kuvajt, por nuk kam mund ta marr me mend që atdheun tim ta sundojnë Ibën Rashidët. Shpesh i lutesha babait, Zoti e mëshiroftë atë: “Babë lufto dhe dëboji Ibën Rashidët! Askush nuk ka më shumë të drejtë se sa ti ta marrë fronin në Rijad!” Mirëpo, babai im i refuzonte lutjet e mia të frikshme si fantazmë dhe më përkujtonte se Muhamed ibën Rashidi ishte sundimtari më i fuqishëm në tokat arabe dhe sundonte mbretërinë e cila shtrihej prej shkretëtirës së Sirisë në Veri e deri te zalli i krahinës së Zbrazët në Jug, andaj të gjitha fiset beduinase dridheshin para grushtit të tij të hekurt. Megjithatë, kam parë një ëndërr te çuditshme. E kam parë veten hypur në kalë natën në shkretëtirën e vetmuar, kurse para meje, po ashtu hypur në kalë, ka qenë plaku Muhamed ibën Rashidi, uzurpues i mbretërisë së familjes sime. Të dytë kemi qenë të paarmatosur, por Ibën Rashidi e mbante në dorën e vet lartë një llambë të madhe shkëlqyese. Kur e pa su unë po i afrohem, më diktoi se jam armiku i tij, u kthye dhe e shtyri kalin me vrap të ikë; por unë u lëshova pas tij, e kapa skajin e gunës së tij, pastaj dorën e tij dhe në fund llambën – dhe e fika llambën. Kur u zgjova, e kam ditur sigurisht se jam i përcaktuar ta marrë pushtetin prej familjes Ibën Rashid…”
Në vitin e kësaj ëndërre, 1897, vdiq Muhamed ibën Rashidi. Ky çast Abdulaziz ibën Saudit iu duk si çast i volitshëm për të sulmuar; por Abderrahmani, babai i tij, nuk ishte i gatshëm ta rrezikojë jetën e qetë në Kuvajt, në një ndërmarrje të tillë të dyshimtë. Megjithatë, dëshira e madhe e djalit ishte shumë më e fuqishme se sa plogështia e babait, kështu që babai më në fund lëshoi pe. Me ndihmën e shokut të vet, Sheik Mubarekut prej Kuvajti, ai i ngriti disa fise beduinase që i kishin qëndruar besnikë familjes së tij, e filloi luftën kundër Ibën Rashidit në stilin e vjetër arab, me deve, kuaj dhe dhe flamuj fisnorë, mirëpo shpejt e humbi luftën prej forcave më të mëdha armike dhe – në shpirt me siguri më me lehtësim se sa hidhërim – u kthye në Kuvajt, i vendosur që kurrë më të mos i turbullojë netët e jetës së tij me aventura luftarake.
Por djali nuk u dorëzua aq lehtë. Përherë i kujtohej ëndërra ngadhnjyese e tij mbi Muhamed ibën Rashidin; kur babai i tij hoqi dorë prej të gjitha të drejtave në mbretërinë e Nexhdit, pikërisht ajo ëndërr e motivoi Abdelazizin e ri të ndërmarrë tentativën e vet të pa peshuar mirë dhe ta kthejë pushtetin. Depërtoi deri te disa shokë – në mesin e tyre deri te të afërmit e tij Abdullah ibën Xhiluvi dhe Ibën Musaadi – i mblodhi disa beduinë guximtarë, derisa numri i tyre nuk arriti katërdhjetë. U nisën hypur në kaj prej Kuvajti si hajdutë tinëzisht, pa flamuj, daulle e këngë; duke iu ikur rrugëve që kalonin shpesh karvanet dhe, duke u fshehur ditën, arritën në afërsi të Rijadit dhe kampuan në një luginë të shkretë. Të njëjtën ditë, Abdelazizi i zgjodhi pesë vetë prej të katërdhjetëve dhe iu drejtua me këto fjalë:
“Ne të gjashtët tash fatin tonë e dorëzojmë në dorë të Zotit. Ne shkojmë në Rijad – ta pushtojmë ose ta humbim përgjithmonë. Nëse dëgjoni zëra lufte nga qyteti, ejani të na ndihmoni; por nëse deri nesër në perëndim të dielli nuk dëgjoni asgjë, atëherë ta dini se jemi të vdekur dhe Zoti le t’i pranojë shpirtërat tonë. Nëse kjo ndodh, ju të tjerët kthehuni tinëzisht, sa më shpej të jetë e mundshme, në Kuvajt”.
Kështu të gjashtë burrat u nisën në këmbë. Kur u errësua, arritën te qyteti dhe hyrën brenda në të nëpër një shteg të cilin para disa vitesh e kishte hapur Muhamed ibën Rashidi në muret e qytetit të ngadhnjyer për t’i nënçmuar banorët e tij. Me armët e fshehura nën guna, shkuan drejt te shtëpia e emirit rashidian. Kishte qenë e mbyllur, sepse emiri, duke u frikësuar nga popullata armike, e kishte bërë zakon netët t’i kalonte në fortifikatën përballë shtëpisë. Abdelazizi dhe përcjellësit e tij trokitën në derë; derën e hapi një shërbëtor të cilin menjëherë e kapën, e lidhën dhe ia mbyllën gojën; e njëjta gjë ndodhi edhe me pjesëtarët e tjerë të shtëpisë – në atë kohë ndodheshin vetëm disa shërbëtorë dhe gra. Të gjashtë aventuristët u gostitën me hurme nga çarraniku i emirit dhe e kaluan natën duke lexuar vazhdimisht Kur’an.
Të nesërmen në mëngjes u hapën dyert e fortifikatës dhe doli emiri, i rrethuar me rojet e armatosura trupore dhe robërit. Duke bërtitur “o Zot, Ibën Saudi është në duart tuaja!” Abdelazizi dhe të pesë shokët e tij u sulën me shpatat e zhveshura drejt armikut të befasuar. Abdullah ibën Xhiluvi e gjuajti shigjetën e tij të shkurtër drejt në emirin; megjithatë, ai në kohë u shmang dhe shigjeta u ngul në murin e fortifikatës – aty edhe sot e kësaj dite mund të shihet. Emirin e kapi paniku dhe u tërhoq në fortifikatë; derisa Abdullahu e ndoqi pa ndihmën e askujt në brendësinë e fortifikatës, Abdelazizi dhe të katër shokët e tjerë e sulmuan rojen trupore e cila, ndonëse më shumë në numër, ishte shumë e hutuar që të mund të mbrohej me sukses. Pak më vonë emiri u paraqit në rrafshin e çatisë, duke e lutur Abdullah ibën Xhiluvin për mëshirë, gjë që ky nuk ia fali; kur ai ra në rrethojën e çatisë dhe kur e pranoi goditjen vendimtare me shpatë, Abdelazizi prej poshtë thirri: “Ejani, qytetarë të Rijadit! Këtu jam unë, Abdelazizi, i biri i Abderrahmanit nga familja Ibën Saud, sundimtari juaj ligjor!” Qytetarët e Rijadit, të cilët i urrenin shtypësit e tyre veriorë, me vrap arritën me armë në dorë që t’i ndihmojnë princit të tyre; në deve arritën me të katra tredhjetepesë shokët e tjerë të tij nëpër dyert e qytetit, duke thyer çdo qëndresë para vetes si vërshimi. Në afat prej një ore Abdelaziz bin Saudi u bë sundimtar i pakontestueshëm i qytetit.
Kjo ka ndodhur në vitin 1901. Ka qenë njëzetenjë vjeçar. Mosha e tij e re kishte arritur pjekurinë, ai kishte hyrë në periudhën e dytë të jetës së tij, në jetën e njeriut dhe sundimtarit të pjekur.
Hap pas hapi, provincë pas province, Ibën Saudi e shkëputi Nexhdin prej familjes Ibën Rashid, duke i shtyrë ata mbrapa në drejtim të atdheut të tyre, Xhebeli Shamarit dhe kryeqytetit Hail. Ky ekspansion ka qenë ashtu i llogaritur sikur të kishte qenë projektuar në shtabin suprem me hartë gjeografike, sipas parimeve të njohurisë ushtarake dhe analizave gjeopolitike – edhe pse Ibën Saudi nuk kishte shtab suprem, e me siguri asnjëherë edhe nuk ka parë hartë gjeografike. Pushtime e tij kanë vazhduar në formë spirale, me Rijadin si qendër të fortë; kurse hapi tjetër kurrë nuk është ndërmarrë përderisa krahina e pushtuar më parë nuk ka qenë themelisht e nënshtruar dhe rregulluar. Më parë i ka përvetësuar zonat lindore dhe veriore prej Rijadit, pastaj e ka zgjeruar mbretërinë e vet në shkretëtirat lindore. Në drejtim të Veriut kanë përparuar shkallërisht, sepse Ibën Rashidët ende kanë pasur forca të konsiderueshme kurse, krahas kësaj, edhe turqit u kanë ndihmuar, me të cilët në dhjetëvjetshat e kaluara kanë pasur bashkëpunim të ngushtë. Ibën Saudi po ashtu ka qenë i penguar edhe me varfërinë e vet; zonat jugore të Nexhdit nuk kanë mund t’i ofrojnë të ardhura të mjaftueshme për furnizimin e grupeve më të mëdha të luftëtarëve për një kohë më të gjatë.
“Në një kohë”, më tha ai një herë, “kam qenë aq i varfër sa që kam qenë i detyruar të lë peng te një hebraik në Kuvajt shpatën e zbukuruar me gur të çmuar të cilën ma kishte dhuruar Sheik Mubareku. Nuk kam mund të blej as qilim për shalë – por thasët e zbrazët nën lëkurët e deleve kanë qenë po ashtu të mirë”.
Ka qenë edhe një problem i cili shumë e ka rënduar karierën e hershme të Ibën Saudit: qëndrimi i fiseve beduine.
Arabia Qendrore, edhe me gjithë qytetet dhe fshatrat e veta, para së gjithash, ka qenë tokë beduinase. Pikërisht përkrahja ose rezistenca e tyre ka qenë vendimtare në rezultatin e ndeshjes midis Ibën Saudit dhe Ibën Rashidit në gati çdo fazë. Ato kanë qenë të luhatshëm dhe të ndryshueshëm dhe zakonisht i janë adaptuar asaj ane e cila në moment ka qenë më e suksesshme ose ka ofruar shpresë në plaçkën më të madhe. Në lojën e tillë të dyfishtë më i shkathët ka qenë Fejsal Ed-Davishi, kryepari suprem i fisit të fuqishëm Mutair, lojaliteti i të cilit përherë ka qenë vendimtar në favor të njërës ose dinastisë tjetrës rivale. Do të vinte në Hail që të ngarkohej me dhuratat e Ibën Rashidit; do ta lëshonte Ibën Rashidin dhe do të vinte në Rijad që t’ia japë besën Ibën Saudit – që një muaj më vonë ta tradhëtonte; ka qenë i pabesueshëm për të gjithë, trim dhe dinak dhe i xhindosur me lakminë tmerruese për pushtet; shumë netë të zemëruara ka kaluar Ibën Saudi për shkak të tij.
I shtrënguar nga vështirësitë e tilla, Ibën Saudi e mendoi planin – në fillim sigurisht vetëm si manevër politik, por i përcaktuar të zhvillohet në një ide të shkëlqyeshme e aftë që ta ndërrojë pamjen e tërë Siujdhesës: planin për popullzimin e fiseve nomade. Ka qenë e qartë se beduinët, sapo të vendoseshin diku, e lëshonin lojën e tyre të dyfishtë midis palëve ndërluftuese. Derisa kanë jetuar si nomadë, e kanë pasur lehtë që në çdo çast t’i mbledhin tendat dhe me kopetë e tyre të shkonin kudo që të jetë, prej një vendi në vendin tjetër, megjithatë, mënyra stabile e jetesës një gjë të tillë e bënte të pamundshme sepse lojaliteti i ofruar armikut do të sillte me vete rrezik që t’i humbnin shtëpitë dhe të mbjellat e tyre, kurse për beduinin asgjë nuk ka qenë ashtu e dashur sikur pasuria e tij.
Ibën Saudi popullzimin e beduinëve e vuri si pikën më me rëndësi në programin e tij. Në këtë drejtim shumë i kanë ndihmuar mësimet islame, të cilat përherë e kanë theksuar epërsinë e jetës stabile në vendbanime mbi mënyrën e jetesës nomade. Mbreti ka dërguar mësues fetarë të cilët ua kanë mësuar beduinëve fenë dhe kanë predikur idenë e re me sukses të jashtëzakonshëm. Organizata e ihvanëve (“vëllezërve”) – siç filluan të quhen beduinët e vendosur – pranoi formën e vet. Banimi i parë i ihvanëve ka qenë pikërisht Alva-Mutairi, farefis i Ed-Davishit; banimi i tyre, Artavia, për disa vjet u rritë e u bë qytet prej rreth tredhjetë mijë banorësh. Shumë fise tjera e ndoqën rrugën e tyre.
Entuziazmi fetar i ihvanëve dhe potenciali i tyre luftarak u bënë instrument i fuqishëm në duart e Ibën Saudit. Prej atëherë e këndej luftërat e tij pranuan formën e re: të lindura në dëshirën e zjarrtë të ihvanëve, ato e kapërcyen karakterin e tyre fillestar të luftës dinastike për pushtet dhe u bënë luftëra fetare. Për ihvanët së paku lindja e sërishme e fesë së tyre ka qenë më tepër se shquarje individuale. Ihvanët, pa dyshim, në lojalitetin e tyre të pakompromis mësimeve të reformatorit të madh nga shekulli i tetëmbëdhjetë, Muhamed ibën Abdelvehabi (i cili ka synuar përtëritjen e Islamit rreptësisht në pastërtinë e tij origjinale dhe i ka hudhur të gjitha risitë e mëvonshme), shpesh herë kanë qenë të përmbushur me dëshirën e tepruar të virtytit individual, por ajo çka shumica e tyre ka dëshiruar, mbi të gjitha, ka qenë jo vetëm respekti personal por vendosja e një shoqërie të re e cila me plotë te drejtë do të mund të quhej shoqëri islame. Vërtet, shumë ide të tyre kanë qenë primitive, kurse dëshira e tyre e zjarrtë shpesh ka qenë e kufizuar me fanatizmin; me një udhëheqje dhe edukim të drejtë, lojaliteti i tyre i thellë fetar ka mund t’iu mundësojë zgjerimin e shikimit të tyre dhe gjatë kohës të bëhen thelb i shoqërisë së vërtetë dhe rilindjes shpirtërore në tërë Arabinë. Fatkeqësisht, Ibën Saudi nuk arriti ta kuptojë rëndësinë e jashtëzakonshme të zhvillimit të tillë dhe i mjaftoi që ihvanëve t’iu japë vetëm baza lakuriqe të edukatës fetare dhe profane – në të vërtetë, vetëm aq sa ka qenë e nevojshme ta mbajë zellin e tyre të zjarrtë. Me fjalë tjera, Ibën Saud në lëvizjen e ihvanëve ka shikuar vetëm instrumentin e pushtetit. Më vonë ky dështim i tij i ka kthyer grushtin politikës së tij vetanake dhe në të njëjtin moment e ka rrezikuar edhe vetë ekzistencën e mbretërisë që e krijoi; ai ndoshta ka qenë edhe indikacioni i mëhershëm se i ka munguar ajo madhështia e brendshme që populli i tij e ka pritur prej tij. Por, dëshpërimi i ihvanëve me mbretin dhe i mbretit me ihvanët ka ardhur shkallërisht…
Më 1913, Ibën Saudi, me fuqinë e tmerrshme sulmuese të ihvanëve që e kishte në disponim, përfundimisht e ndjeu veten mjaft të fuqishëm të provojë pushtimin e krahinës El-Hasë në Gjirin Persik, e cila dikur ka qenë pjesë përbërëse e Nexhdit, por turqit e patën okupuar para pesëdhjetë vjetësh.
Luftimi kundër turqve aspak nuk ka qenë përvojë e re për Ibën Saudin; aty-këtu ai ka hasur njësite turke, posaçërisht artilerinë polake, në armatat e Ibën Rashidit. Megjithatë, sulmi në El-Hasë, me të cilën drejtpërdrejtë kanë qeverisur turqit, ka qenë krejtësisht ndërmarrje tjetër; kjo do ta shtynte në konflikt të drejtpërdrejtë me një fuqi të madhe. Ibën Saudi nuk ka pasur zgjidhje tjetër. Po qe se nuk do ta vente El-Hasën dhe limanët e saj nën kontrollin e vet, përherë do të mbetej i ndarë nga bota e jashtme, i pamundshëm që t’i pranojë dërgesat e domosdoshme me armatim, municion dhe gjësende tjera të nevojshme për jetë. Nevoja e ka arsyetuar rezikun; por reziku ka qenë aq i madh sa që Ibën Saudi gjatë kohë e ka zvarritur para ndërmarrjes së sulmit në El-Hasë dhe kryeqytetin e saj El-Hufuf. Edhe sot e kësaj dite ai me plotë dëshirë rrëfen për rrethanat në të cilat e ka sjellur vendimin përfundimtar:
“Ishim tashmë në dukje të El-Hufufit. Nga dina ranore, në të cilën isha ulur, kam mund qartë t’i shoh muret e fortifikatës së fuqishme e cila dominonte mbi qytetin. Më pëlciste zemra prej pavendosshmërisë derisa peshoja përparësitë dhe reziqet e kësaj ndërmarrjeje. Ndjehesha i lodhur; më kishte marrë malli për qetësinë dhe shtëpinë; në momentin kur mendoja për shtëpinë, fytyra e grues sime, Xhevahires, më doli para syve. Fillova të mendoj për vargjet që do të mund t’ia recitoja sikur të ishte pranë meje – dhe para se ta kisha kuptuar këtë, kam qenë i preokupuar me thurjen e këngës dedikuar asaj, duke harruar plotësisht ku jam dhe çfarë vendimi të rëndë duhej të marr. Sapo kënga u bë gati në mendime, e shkrova, e mbylla në zarfë, e thirra njërin prej korrierve të mi dhe e urdhërova: “Merri dy devet më të shpejta, shko hypur deri në Rijad pa u ndalur kund dhe dorëzoja këtë nënës së Muhamedit”. Përderisa korrieri zhdukej në mjegullën e pluhurit ranor, befasisht e kuptova se shpirti im tashmë kishte sjellur vendim në aspektin e luftës: do ta sulmoj Hufufin dhe Zoti do të më prijë në fitore”.
Bindja e tij u tregua e arsyeshme. Në sulmin e guximshëm, luftëtarët e tij e pushtuan fortifikatën; trupat turke u dorëzuan dhe iu dha leja atyre që të tërhiqeshin me armët dhe pajisjet e tyre deri në breg ku do të hypnin anijen për në Basër. Qeveria Osmane, megjithatë, nuk ishte e gatshme që aq lehtë ta lëshojë pronën e vet. Në Stamboll u vendos që të dërgohej ekspedita ndëshkuese kundër Ibën Saudit. Por para se të mund të ndërmerrej një ekspeditë e tillë, shpërtheu lufta botërore, e cila e detyroi Turqinë që të gjitha forcat ushtarake t’i angazhojë tjetërkund; kurse kur përfundoi lufta, Perandoria Osmane më nuk ekzistonte.
Ibën Rashidi, i privuar nga përkrahja turke dhe i rrethuar nga Veriu me territoret të cilat tash i qeverisnin Britania dhe Franca, nuk ka mund më t’iu bëjë rezistencë në mënyrë të suksesshme. Forcat mbretërore, të udhëhequra nga Fejsal Ed-Davishi – tash njëri prej njerëzve më trima të Ibën Saudit – e pushtuan Hailin më 1921, kurse familja Ibën Rashid e humbi pikëmbështetjen e tij të fundit.
Ekspansioni i Ibën Saudit kulmin e arriti në vitin 1924-1925, kur e nënshtroi Hixhazin, duke përfshirë aty Mekën, Medinën dhe Xhiden, dhe kur e dëboi dinastinë sherifiane e cila atje kishte ardhur në pushtet pas kryengritjes së Sherif Huseinit të cilin e kishin ndihmuar britanikët kundër turqve më 1916. Pikërisht me këtë nënshtrim të vendit të Shenjtë islam Ibën Saudi, tash katërdhjetepesë vjeçar, plotësisht doli në shesh në botën e jashtme.
Përpjeta e tij e padëgjuar në pushtet në kohën kur pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme i ishte shtruar depërtimit të Perëndimit, i dha shpresë botës arabe se përfundimisht është paraqitur prijësi i cili tërë nacionin arab do ta lirojë nga robërimi; shumë grupe tjera muslimane në përjashtim të arabëve kanë pritur prej tij të sjellë rilindjen e idesë islame në kuptimin e saj të plotë me rregullimin shtetëror në të cilin në mënyrë superiore do të sundojë fryma kur’anore. Mirëpo këto shpresa mbetën të papërmbushura. Ashtu si rritej dhe forcohej pushteti i tij, bëhej gjithë e më e qartë se Ibën Saudi është vetëm mbret i cili nuk synon asgjë më tepër se shumë sundimtarë tjerë autokratë të Lindjes para tij.
Ibën Saudi, i mirë dhe i drejtë në punët e tij individuale, lojal ndaj shokëve dhe simpatizuesve të vet kurse zemërgjerë ndaj armiqve të vet, intelektualisht i ngritur lartë mbi nivelin e shumicës së shokëve të tij, prapseprapë nuk e shprehu gjerësinë e vizionit dhe udhëheqjes frymëzuese gjë e cila pritej prej tij. Vërtet, ai i vendosi kushtet e sigurimit publik në mbretërinë e tij të gjerë të cilat s’mund të haseshin në vendet arabe, prej kohës së hershme të hilafetit para një mijë vjetësh; por, për dallim nga halifët e parë, ai këtë e arriti me ndihmën e ligjeve rigoroze dhe masave ndëshkuese e jo duke mbjellur bindjen e përgjegjësisë qytetare në popull. Ai dërgoi në botën e jashtem një grup të vogël të rinjsh që ta studiojnë mjekësinë dhe telegrafinë patel, por nuk bëri asgjë që të mbjellë në popullin e vet si tërësi dëshirën për arsimim dhe në këtë mënyrë ta nxjerrë nga injoranca në të cilën me shekuj ka çaluar. Ai përherë flet – me krejt simptomet e jashtme të bindjes – për madhështinë e mënyrës islame të jetesës, por asgjë nuk bëri që të formojë shoqëri të barabartë, përparimtare, në të cilën kjo mënyrë e jetesës do të mund të gjente shprehjen e vet kulturore.
Ai është i thjeshtë, modest dhe punëtor i vyeshëm, por ai në të njëjtën kohë i lejon vetes, kurse edhe atyre përreth vetes, luksin e pakuptimtë dhe më ektravagant. Ai posedon bindje të thella religjioze dhe e kryen rregullisht çdo dispozitë formale të drejtësisë islame, por si duket rrallë mendon në qenien shpirtërore dhe qëllimin e këtyre dispozitave. Ai i kryen pesë namazet e obliguara ditore në mënyrë mjaft të rregullt dhe kalon natën orë të tëra i thelluar në ibadet, por sikur asnjëherë të mos i kishte shkuar në mend se lutja është vetëm mjet, e jo qëllim për vetveten. Ai me gjithë qejf flet mbi përgjegjësinë e sunduesve ndaj ithtarëve të tyre dhe shpesh e përmend thënien e Pejgamberit: “Secili njeri është bari dhe do të përgjigjet për kopenë e vet”. Sidoqoftë, ai e injoroi edukimin bile edhe të bijve të vet dhe në këtë mënyrë i la keq të përgatitur për punët që i pritnin. Kur e pyetën një herë pse nuk bën përpjekje ta organizojë shtetin e vet jo në bazë personale, kështu që djemt e tij të mund ta trashëgonin strukturën e organizuar të pushtetit, ai u përgjegj:
“Unë mbretërinë time e kam fituar me shpatën time vetanake dhe me përpjekjet e mia personale; djemtë e mi le ta japin mundin e tyre individual pas meje”.
Më kujtohet një bisedë me Mbretin në të cilën plotësisht u tregua mungesa e vizionit qeverisës dhe mendjelehtësia e tij. Kjo ka ndodhur në Mekë, kah fundi i vitit 1928, kur udhëheqësi i famshëm i lëvizjes siriane për pavarësi Emir Shekib Arslani e vizitoi Mbretin. Ibën Saudi më prezentoi me këto fjalë: “Ky është Muhamed Asadi, biri ynë. Pikërisht është kthyer nga krahinat jugore. Ai me gjithë dëshirë shkon në mesin e beduinëve të mi”.
Emir Shekibi, i cili ka qenë jo vetëm udhëheqës politik por edhe njeri me njohuri të gjithanshme dhe shkencëtar me arsimim të lartë, menjëherë u tregua kureshtar që të dëgjojë përshtypjet e mia sapo kuptoi se unë jam evropian i cili e ka pranuar Islamin. Ia përshkrova disa forma të udhëtimit tim në Jug, e posaçërisht përvojën time në Vadi Bishi, të cilin më parë kurrë nuk e ka vizituar asnjë evropian. Mundësitë e mëdha agrikulturore të kësaj krahine, pasuri e saj në ujë dhe toka pjellore më ranë në sy sikur premtuese të jashtëzakonshme; gjatë rrëfimit, u ktheva nga Mbreti dhe i thash:
“Jam i sigurtë, prijës, se Vadi Bishi lehtë mund të bëhet grunishtë e cila do ta furnizonte me grurë tërë Hixhazin nëse në mënyrë shkencore planifikohet dhe zhvillohet”.
Mbreti i hapi veshët sepse importimi i grurit për provincën e Hixhazit ka harxhuar shumë të ardhura të vendit – kurse mungesa e të ardhurave gjithmonë ka qenë brenga më e madhe e Ibën Saudit.
“Sa kohë do të duhej”, më pyeti ai, “që Vadi Bishi të zhvillohet në një mënyrë të tillë?”
Mbasi nuk jam ekspert, nuk kam mund t’i japë kurrfarë përgjigjeje të qartë; i sugjerova se komisioni i ekspertëve të huaj teknikë do të duhej ta analizojë krahinën dhe të propozojë plane konkrete për zhvillimin e saj. Mora guximin t’i them se do të duhej më tepër pesë deri më dhjetë vjet që e tërë krahina të realizojë prodhimtarinë e plotë.
“Dhjetë vjet!” bërtiti Ibën Saudi. “Dhjetë vjet është kohë shumë e gjatë. Ne beduinët dimë vetëm një gjë: atë çka e kemi në duart tona e çojmë në gojë dhe e hamë. Të planifikohet dhjetë vjet më parë është tepër gjatë për ne”.
Me të dëgjuar këtë deklaratë të çuditshme, Emir Shekibi më shikoi gojë hapur, sikur të mos iu besonte veshëve të vet. Unë kam mund vetëm t’ia kthej në të njëjtën mënyrë…
Pikërisht atëherë kam filluar të pyetem: a thua Ibën Saudi është njeri i madh të cilin komoditeti dhe mbretëria e kanë kthyer nga rruga e madhështisë – ose është vetëm njeri me trimëri dhe mendjemprehtësi të madhe i cili kurrë nuk ka synuar diç më tepër në përjashtim të pushtetit vetanak?
Deri më sot nuk mund të përgjigjem në një mënyrë të kënaqshme në këtë pyetje; sepse, edhe pse e njohë vite me radhë, kurse e njohë mirë, një pjesë e natyrës së Ibën Saudit më ka mbetur e pashpjegueshme. S’mund të thuhet se ai në cilëndo mënyrë qoftë është i fshehtë; ai lirisht flet për vetveten dhe shpesh i prezenton përvojat e veta, por karakteri i tij ka pasur tepër shumë anë që të mund të kuptohet lehtë, kurse pamja e thjeshtësisë së jashtme të tij e ka fshehur zemrën e shqetësuar sikur deti kurse po aq të pasur në disponimet dhe kundërtheniet e brendshme.
Autoriteti i tij personal është shumë i madh, por ai nuk fillon aq shumë në fuqinë e realtë se sa në forcën sugjestive të karakterit të tij. Ai është jashtëzakonisht modest në fjalë dhe në sjellje. Shpirti i tij vërtetë demokratik i mundëson të bisedojë me beduinët të cilët i vijnë të veshur me tesha të ndyta, të grisura, sikur të ishte njëri prej tyre dhe t’iu lejojë ta thirrnin në emrin e tij – Abdelaziz. Nga ana tjetër, ai din të jetë i vrazhdë dhe plot urrejtje ndaj nëpunësve të lartë kurdo herë kur te ta zbulon servilitet. Ai e urren çdo snobizëm. Më kujtohet një rast në Mekë kur, gjatë kohës së darkës në pallatin mbretëror, kryepari i një familjeje më autoritative mekase i mrroli vetullat në “papjekurinë beduinase” të disa beduinëve nga Nexhdi të cilët me kënaqësi e hanin orizin me shuplaka; në mënyrë që të tregojë pastërtinë vetanake, aristokrati mekas me kujdes e përdori hajen e vet me maje të gishtave – kur papritmas ulëriu zëri i mbretit: “Ju njerëzit elegantë që e shikoni hajen tuaj aq me kujdes; a e bëni atë për shkak se jeni mësuar të gërmoni me gishtat tuaj nëpër ndytësirë? Ne prej Nexhdit nuk iu frikësohemi duarve tona; ato janë të pastërta dhe për atë arsye hamë shijshëm me shuplakën plotë!”
Ndonjëherë, kur ndodhet plotësisht i rehatshëm, buzëqeshja e lehtë fluturon mbi gojën e Ibën Saudit dhe i jep gati kualitet spiritual bukurisë së fytyrës së tij. Jam i sigurtë, po qe se muzika nuk do të konsiderohej e qortuar me ligjin e ashpër vehabit, ai në të do të shprehej; por pasi që është ashtu, ai e shfaq prirjen e tij për muzikë vetëm në këngët e veta të vogla, me përshkruarjen pitoreske të përjetimeve të veta dhe me këngët e tij të dashurisë dhe trimërisë të cilat janë përhapur në mbarë Nexhdin kurse i këndojnë njerëzit derisa udhëtojnë me deve nëpër shkretëtirë, dhe gratë në vetminë e dhomave të tyre. Ajo zbulohet në mënyrën në të cilën jeta e tij e përditshme e ndjek ritmin e drejtë, elastik të përshtaur kërkesave të obligimit të tij mbretëror. Sikur Julie Cezari, ai posedon në një shkallë të lartë aftësi që t’i ndjekë disa kahje mendimesh në të njëjtën kohë, aspak duke mos e zvogëluar intenzitetin me të cilin e sulmon çdo problem veç e veç; pikërisht ky talent i jashtëzakonshëm i jep të drejtë që vetë t’i drejtojë të gjitha punët e mbretërisë së vet të gjerë, duke mos rënë në atë rast në konfuzion as duke u thyer prej punës së tepruar, dhe ende të gjejë kohë dhe disponim që aq bollshëm t’i kushtoj kujdes shoqërisë së grave. Mprehtësia e konceptimit të tij është shpesh herë e habitshme. Ka aftësi instinktive depërtuese, gati të pagabueshme, në motivet e njerëzve me të cilët vepron. Jorrallë – siç kam pasur edhe vetë rast të shohë – ai është në gjendje t’i lexonjë mendimet e njerëzve para se ata të shpreheshin dhe sikur e ndjen qëndrimin e njeriut ndaj tij në atë moment kur hyn në dhomë. Pikërisht kjo aftësi i ka mundësuar Ibën Saudit t’i pengojë disa prova të jashtëzakonshme të përgatitura për ta likuiduar dhe të sjellë në vendin e ngjarjes shumë vendime të fatshme për çështjet politike.
Shkurtë, Ibën Saudi shihet se posedon shumë veti të cilat do të mund ta bënin njeri të madh, por ai kurrë nuk ka bërë vërtet përpjekje ta arrijë madhërinë. Sipas temperamentit të vet ai nuk është i prirur ta soditë vetveten, kurse krahas saj është shumë i talentuar për racionalizim, ta bindë vetveten se ka të drejtë në lidhje me lëshimet më të qarta, kurse lehtë i ikë çdo vetëkontrollit. Ata të cilët e rrethojnë – oborrtarët dhe çanaklëpinjësit e shumënumërt të tij të cilët jetojnë nga zemërgjerësia e tij – nuk bëjnë hiç asgjë që ta luftojnë kët&eum