Paradoksi trinitar

Ajo priret për të shkuar në brendësi të Hyjnisë dhe të na bëj të njohur shumësinë e personave që gjenden në të. Sipas doktrinës së trinitetit, perëndia është një, por në brendësi të tij ekzistojnë tre persona (hipostaze) hyjnorë. Këto persona hyjnorë janë Ati, Biri dhe Shpirti i shenjtë. Sipas formulimit zyrtarë që i ka bërë kisha doktrinës së trinitetit: “Ati është Zot, Biri është Zot, Shpirti i shenjtë është Zot e megjithatë nuk janë tre Zotë por një. Në këtë trinitet... personat hyjnorë janë njësoj të përhershëm e të barabartë: në mënyrë të njëjtë të gjithë janë të pakrijuar e të plotfuqishëm”[1]
Pra, doktrina e trinitetit mëson se ekziston një Zot në tre persona, secili prej të cilëve është Hyjni, pa fillim, i plotfuqishëm, as më i madh e as më i vogël se të tjerët. Ky formulim gjithnjë e ka hutuar lexuesin, i krishterë ose jo, i cili i habitur ka pyetur: “Si është e mundur që Ati të jetë Zot, Biri të jetë Zot, Shpirti i shenjtë të jetë Zot e ndërkaq të mos kemi tre zotër por një?” Doktorët e teologjisë biblike ndër shekuj janë munduar t’i japin një përgjigje të kënaqshme kësaj pyetje dhe shumë të tjerave të ngjashme me këto të cilat vinin në pah pamundësinë logjike të një doktrine të tillë. Por çdo tentativë e bërë ka përfunduar duke shkaktuar gjithnjë e më shumë tollovi.
Kundërshtisë midis treshit dhe njëshit, e cila është në bazë të fjalës trinitet (tri + unitet), nuk i është shpëtuar dot. Nismat për ti bishtnuar këtij ad absurdumi kanë pasur gjithnjë bazë filozofike. Teologët e krishterë duke përdorur filozofitë neopagane siç ishin Stoicizmi dhe Neoplatonizmi, apo edhe filozofinë moderne siç është ajo Hegeliane janë përpjekur të “qartësojnë” mjegullinën që e rrethon këtë doktrinë. Mirëpo, gjuha e vështirë, termat shumë teknikë, ndërlikueshmëria e arsyetimit filozofikë, kanë bërë që masat të deklarohen të përjashtuara nga të “kuptuarit” e “shpjegimit” të dhënë. Dëshira për ta shpjeguar trinitetin në mënyrë filozofike ka rezultuar gjithnjë e dështuar. Kjo falë vetë natyrës së filozofisë e cila shpeshherë mbart me vete një dozë të konsiderueshme spekulimi Përçapjet filozofike që prireshin të hidhnin dritë mbi problematikat që shfaqeshin gjatë shtjellimit që i bëhej kësaj doktrine nuk bënë gjë tjetër vetëm se konfuzionit fillestarë i shtuan edhe më konfuzion, pyetjeve fillestare i shtuan edhe pyetje të reja. Kjo e bëri trintitetin më të pakuptueshëm dhe më enigmatikë se më parë. Megjithëse Pali në letrat e tij tërheq vëmendjen për një gjë të tillë kur thotë: “Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementëve të botës dhe jo sipas Krishtit” (Kolosianëve 2: 8).
Kjo doktrinë nuk arrin të shpjegojë natyrën e vërtetë të Perëndisë, të cilën ajo merr përsipër ta sqarojë. Kush është natyra e vërtetë e Atit, po e Birit, po ajo e Shpirtit të Shenjtë? Si lidhen dhe çfarë raportesh kanë këto persona Hyjnorë me njëri- tjetrin, si i merr perëndia vendimet e tij kur dihet se brenda tij ekzistojnë tre persona me ndërgjegje dhe vullnet të pavarur? Pyetje si këto, si edhe shumë të tjera, kanë bërë që spekulime të ndryshme të marrin vendin e arsyetimeve logjike. Në çastin kur ideja e një perëndie unik dhe unipersonal (shih Deutoronomi 6:4; 2 Samuel 7:22; 1 Mretërve 8:60; Psalmet 82 [83]:19; Isaiah 26:13 etj.) u zëvendësua, sipas besimit të krishterë, nga koncepti i ‘një perëndie në tre persona’ atëherë është e detyrueshme që të shpjegohet në mënyrë të kënaqshme edhe natyra e këtyre personave hyjnorë dhe marrëdhëniet që ekzistojnë ndërmjet tyre. Fakti që në Bibël nuk ekziston asnjë pasazh që në mënyrë eksplicite të flasë për trinitetin dhe për bashkësubstancialitetin e personave hyjnorë që ndodhen në të, si dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre, ka bërë që teologët e krishterë ti drejtohen filozofisë njerëzore duke shkaktuar më shumë huti se më parë dhe duke mos zgjidhur asnjë nga problematikat që prekin këtë doktrinë. Ne nuk pretendojmë që doktrina e trinitetit të na japë një shpjegim të plotë të qenies së Zotit. Por në momentin kur ajo na detyron të pranojmë se Ati është Zot, Biri është Zot, Shpirti i Shenjtë është Zot, këto të tre janë të ndryshëm nga njëri tjetri e megjithëkëtë ato nuk janë tre por një, është njësoj sikur të thuash që një gjë është njëkohësisht ujë dhe zjarr, apo që është njëkohësisht e bardhë dhe e zezë. Kjo është një kundërthënie logjike që nuk mund të eliminohet duke u mbështetur në pamundësinë e arsyes për ta kuptuar një gjë të tillë.
Ka një dallim të madh midis asaj që është e paarritshme për mendjen njerëzore, por që kjo e fundit nuk e konsideron të pamundur, dhe asaj që përbën një paradoks me këtë të fundit. Doktrina e Trinitetit i përket pikërisht kategorisë së dytë. Ajo ofron një paradoks i cili nuk mund të pranohet nga logjika e pastër. Ta konsiderosh mister një ide të tillë (1=3) do të thotë ti hapësh rrugën ç’do lloj spekulimi tjetër mbi hyjninë që është shfaqur në historinë njerëzore. Ish kryepeshkopi kaldeas në Urmiah (Iran) në një nga librat e njohur të tij e shpreh, në mënyrë koncize, pamundësinë logjike të një doktrine të tillë me këto fjalë: “Trinia e krishterë, meqenëse pranon shumë persona brenda Hyjnisë, i njeh secilit prej tyre cilësi të dallueshme vetjake dhe përdor emra familjarë, të ngjashëm me ata të mitologjisë pagane. Kjo trini nuk mund të pranohet si një koncept i drejtë për Hyjninë. Allahu nuk është as ati i ndonjë biri, as biri i ndonjë ati. Ai nuk ka nënë dhe nuk është i krijuar. Besimi në “Zotin Atë dhe Zotin Bir dhe Zotin Frymë të Shenjtë” është një mohim i hapur i Njëshmërisë së Zotit dhe një pohim kokëkrisur i hyjnizimit të tri qenieve të papërkryera që as së bashku, as të ndarë nuk mund të jenë Zoti i vërtetë.
Matematika, si shkencë ekzakte, na mëson se një njësi nuk është as më shumë e as më pak se një; se njëshi nuk është kurrë i barabartë me një plus një plus një; me fjalë të tjera, njëshi nuk mund të jetë i barabartë me tre, sepse njëshi është një e treta e treshit. Në të njëjtën mënyrë, njëshi nuk është i barabartë me një të tretën. Edhe në të kundërtën, treshi nuk është i barabartë me një, as një e treta nuk është e barabartë me një njësi. Njësia është baza e të gjithë numrave dhe një standard për matjen e masave të të gjitha përmasave, largësive, sasive dhe kohës. Në të vërtetë, të gjithë numrat janë shumë e njësisë 1. Dhjeta është shumë e po aq njësive të barabarta të të njëjtit lloj.
Ata që pretendojnë tek Njëshmëria e Zotit në trininë e personave, na thonë se “çdo person është Zot i gjithëfuqishëm, i kudondodhshëm, i përjetshëm dhe i përkryer; megjithatë nuk janë tre Zotër të gjithëfuqishëm, të kudondodhshëm, të përjetshëm dhe të përkryer, por një Zot i gjithëfuqishëm...!” Nëse nuk ka sofistikë në arsyetimin e mësipërm, ne do ta paraqesim “misterin” e kishave nëpërmjet një ekuacioni:
1 Zot = 1 Zot + 1 Zot + 1 Zot; prandaj: 1 Zot = 3 Zotër. Së pari, një zot nuk mund të jetë i barabartë me tre zotër, por vetëm me njërin prej tyre. Së dyti, nëse pranoni çdo person si Zot të përkryer sikurse dy shoqëruesit e tjerë të Tij, përfundimi juaj se 1 + 1 + 1 = 1 nuk është matematik, por përbën një absurditet.
Nëse mundoheni të argumentoni se tri njësi janë të barabarta me një njësi, ju jeni ose tepër arrogant, ose tepër burracak për të pranuar se tre njësha janë të barabartë me tre njësha. Në rastin e parë, ju nuk mund të argumentoni një zgjidhje të gabuar të një problemi nëpërmjet një procesi të gabuar, ndërsa në rastin e dytë, ju nuk keni guximin të pranoni besimin në tre zotër.
Përveç kësaj, ne të gjithë, myslimanë e të krishterë, besojmë se Zoti, me dijen dhe fuqinë e tij, është i Kudondodhshëm, se Ai mbush dhe përfshin çdo hapësirë e pjesëz. A është e konceptueshme që të tre personat e trinisë, në të njëjtën kohë dhe të ndarë, të përfshijnë gjithësinë, apo është vetëm njëri prej tyre në kohë? Të thuash “Hyjnia bën këtë” nuk do të përbënte aspak përgjigje, sepse Hyjnia nuk është Zot, por gjendja e të qenit Zot dhe, për pasojë, është një cilësi. Ajo është një cilësi për një Zot; nuk është e prekshme nga shumësia apo nga pakësimi. Nuk ekzistojnë disa hyjni, por një Hyjni, e cila është cilësi e një Zoti të vetëm.
Më pas na thuhet, se çdo person i trinisë ka disa cilësi të veçanta që nuk u përkasin të tjerëve. Këto cilësi tregojnë, sipas arsyes dhe gjuhës njerëzore, përparësinë dhe posterioritetin ndër ta. Ati mban gjithmonë anën e djathtë dhe qëndron përpara Birit. Shpirti i Shenjtë jo vetëm që është i prapmë si i treti në numërim, por është i vendosur edhe më poshtë në krahasim me dy të tjerët. A nuk do të vlerësohej si një mëkat herezia nëse emrat e tre personave do të përsëriteshin në të kundërt? A nuk do të shihej nga ana e Kishave si mungesë përkushtimi kryerja e shenjës së kryqit mbi elementët e Eukaristisë nëse formula do të shndërrohej kështu: “Në emër të Shpirtit të Shenjtë dhe të Birit dhe të Atit”? Nëse ata janë të barabartë dhe të barazvlefshëm, radha e përmendjes nuk ka nevojë të vihet re me kaq kujdes.
Fakti është se Papët dhe Konçilet e Përgjithshme e kanë dënuar gjithmonë doktrinën sabeliane që prentedonte se Zoti është një, por Ai e ka shfaqur Vetveten si Atë ose si Bir ose si Shpirt i Shenjtë, duke qenë gjithmonë një dhe po i njëjti person. [...] E vërteta është se nuk ka saktësi matematike, as barazvlefshmëri absolute mes tre personave të Trinisë. Nëse Ati do të ishte në çdo pikëpamje i njëjtë me Birin ose Shpirtin e Shenjtë sikurse njësia 1 është pozitivisht e barazvlefshme me një tjetër figurë 1, atëherë do të duhej të ishte pa tjetër vetëm një person i Zotit dhe jo tre, sepse një njësi nuk është një pjesëz apo copëz, as një shumë në vetvete. Vetë ndryshimi dhe marrëdhënia që pranohet se ekziston mes personave të Trinisë nuk lë hije dyshimi se ata as nuk janë të njëjtë me njëri-tjetrin, as nuk mund të identifikohen me njëri-tjetrin. Babai lind dhe nuk lindet; Biri është i lindur dhe nuk është atë; Shpirti i Shenjtë është rrjedhim i dy personave të tjerë; personi i parë përshkruhet si krijues dhe rrënues; personi i dytë si shpëtimtar ose shëlbues dhe i treti si jetëdhënës. Rrjedhimisht, asnjëri i të treve nuk është vetëm Krijuesi, Shëlbuesi apo Jetëdhënësi. Më pas na thuhet se personi i dytë është Fjala e Personit të parë, se bëhet njeri dhe flijohet në kryq për të kënaqur drejtësinë e atit dhe se mishërimi dhe ringjallja e tij janë kryer dhe plotësuar nga personi i tretë.
Në përfundim, më duhet t’u kujtoj të krishterëve se nëse ata nuk besojnë në Njëshmërinë absolute të Zotit dhe nuk heqin dorë nga besimi në tre persona hyjnorë, janë, pa dyshim, jobesimtarë në Zotin e vërtetë. E thënë më ashpër, të krishterët janë politeistë, vetëm me përjashtimin se perënditë pagane janë të rreme, ndërsa tre zotërit e Kishave kanë një karakter të shquar, nga të cilët Ati – si një tjetër epitet për Krijuesin – është Zoti Një dhe i Vetëm, por Biri është vetëm një Profet dhe shërbëtor i Zotit dhe personi i tretë një nga shpirtrat e shenjtë e panumërt në shërbim të Zotit të Plotfuqishëm[2].
Një nga presidentët legjendar të Amerikës Thomas Jefferson, në një letër drejtuar James Smith-it thotë: “Asnjë fakt historik nuk është i rrënjosur më thellë sesa doktrina e një Zoti, Një dhe të Vetëm, e cila mbizotëronte në periudhën e hershme të Krishterimit…Njëshmëria e Qenies Supreme nuk u përjashtua nga besimi i krishterë përmes përdorimit të arsyes, por përmes dhunës së sundimtarëve, vënë nën urdhrin e Athanasit. Truku fantazmë i një Zoti të ngjashëm me Cereberusin, me një trup dhe tre kokë, lindi dhe u rrit mbi gjakun e mijëra martirëve…Paradoksi i Athanasit që një është tre dhe tre është një, është kaq i pakuptimtë për mendjen njerëzore, saqë asnjë njeri i kthjellët nuk mund të sqarojë se ç’kupton me të, e si mundet pra, që ai të besojë atë që nuk paraqet asnjë ide?
Ai që mendon ndryshe, vetëm sa mashtron veten. Kjo provon gjithashtu se njeriu, kur dorëzon arsyen e tij, nuk i mbetet më asnjë rojë kundër absurditeteve më të çuditshme, dhe ashtu si një anije pa timon, mbetet në mëshirë të çdo lloj ere. Me një njeri të tillë, mashtrueshmëria që ata e quajnë besim, e merr timonin nga duart e arsyes, dhe mendja, për pasojë, shkatërrohet.”[3]
Nuk do lëmë pa përmendur edhe teologun e njohur Hans Küng, profesor në Fakultetin e Teologjisë Katolike në Universitetin e Tubinga-s nga 1960 deri më 1979, më pas Drejtor i institutit të Teologjisë Ekumenike në të njëjtin universitet, i cili pohon se: “Edhe muslimanët e mirinformuar, ashtu si edhe hebrenjtë, nuk kanë mundur deri tani ta kuptojnë idenë e Trinitetit...Dallimet e krijuara nga doktrina e Trinitetit midis një Perëndie dhe tri Perëndive, nuk i kënaqin myslimanët, të cilët janë më shumë të paqartë sesa të sqaruar nga termat teologjike që vijnë prej sirianëve, grekëve, dhe latinëve. Myslimanëve e gjitha kjo u ngjan me një lojë fjalësh...Përse duhet që dikush t’i shtoj diçka konceptit të identitetit dhe natyrës unike të Perëndisë, gjë e cila vetëm e zvogëlon ose asgjëson këtë identitet dhe natyrë unike të tij”[4]
Për ti bishtnuar problematikave të lartpërmendura, teologët e krishterë e shpallën doktrinën e trinitetit ‘mister’. Kardinali Xhon O’Kanër deklaron: “E dimë se ky është një mister mjaft i thellë të cilin as mund ta kuptojmë dot”[5]
Ndërsa Papa Gjon Pali i II flet për të si një ‘mister i pazbërthyeshëm të perëndisë trinitet”[6]
Në këtë mënyrë çdo përçapje për të shpjeguar trinitetin apo për të zbuluar kundërshtitë dhe boshllëqet që hasen gjatë studimit të kësaj teorie u mbytën duke përdorur konceptin e “misterit”. Mund të themi me bindje se kjo metodë është e padrejtë duke qenë se i vë fre çdo mundësie për të kritikuar këtë teori. Është një fenomen me të vërtetë i rrallë në llojin e tij që të ideosh një teori, të nxisësh të tjerët për ta besuar atë dhe në momentin kur kjo teori shfaq kundërshti të hapura me atë që deklaron, ta shpallësh atë “misterin më të rëndësishëm të fesë”. Të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe hinduistët trinitarë, ose të gjithë ata të cilët fillimisht propozojë një paradoks e duke mos qenë në gjendje ta shpjegojnë e shpallin ‘mister’. Kjo do ti jepte të drejtë një hinduisti i cili beson se zoti i tij është një lopë, që ta vërtetonte tezën e tij, duke u mbështetur në teorinë e misterit. Ç’do përpjekje e bërë për të shpalosur pamundësinë e kësaj teorie, do të shkërmoqej përballë këtij qëndrimi. Mund të themi me bindje se një qasje e tillë nuk është e ndershme, duke qenë se shpall për të vërtetë një mendim dhe ndalon çdokënd që ta analizoj vërtetueshmërinë e tij. Shpallja e kësaj doktrine si mister, si dhe pamundësitë për ta kuptuar atë, kanë sjellë si pasojë që në kohët moderne doktrina e trinitetit të jetë gjithnjë e më pak qendrore në jetën praktike të krishterit të zakonshëm. Sot teologë të shquar dhe historinanë të dogmës pohojnë se doktrina e trinitetit e ka humbur postin e doktrinës qendrore të Krishterimit. Ky është një nga rastet e rralla kur doktrina qendrore e nje besimi nuk është aspak qendrore për praktikuesin e këtij të fundit.
Në një nga fjalorët teologjikë në gjuhën italiane i cili është fryt i punës së mëse 114 specialistëve nga fakultetete të ndryshme katolike realiteti i lartpërmendur shprehet me këto fjalë: “Duhet konstatuar se argumenti trinitar nuk duket se gëzon dhe aq rëndësi në jetën e Krishtërimit bashkëkohor. Besimtarët më të ditur [d.m.th. ekleziastët specialist], të zhytur në çështje që duken më urgjente, nuk arrijnë të fshehin një lloj sikleti përballë një doktrine të cilën vërtetë e konsiderojnë si një sënduk të çmuar, por ama të mbyllur [...] Vazhdohet të përsëritet që triniteti është e vërteta themelore e fesë, por nuk është e vështirë të kuptosh që ajo nuk është e vërteta themelore në bindjen e shumicës së besimtarëve. Mund të guxojmë të hedhim hipotezën se triniteti është tashmë një e vërtetë e ‘fshirë’ nga ndërgjegjja e përbashkët e besimit, në të cilën mbijeton, përkundrazi, një monoteizëm dobësish i krishterizuar [...] ai monoteizëm i padallueshëm, i cili karakterizon sot pjesën dërrmuese te “besimtarëve” [...] e dërgon sot krishterimin në krizën e tij të identitetit, duke qenë se krijon gjithnjë kushtet e nevojshme për lindjen e një ateizmi proteste”[7]
Referenca
[1] "The Catholic Encyclopedia", 1912, Vëll. XV, (The Encyclopedia Press, Inc., NY) f. 47.
[2] Benjamin Keldani, Muhamedi në Bibël, botuar nga Qendra Erasmus
[3] Thomas Jefferson: Letër dërguar James Smith-it, 8 dhjetor, 1822.
[4] Christianity and the World Religions." by Hans Kung, 1986, (Doubleday & Co., Inc., Garden City, NY) f. 113.
[5] " The New Yorker", (magazine; New York, NY) 23 Mark, 1987, f. 64.
[6] "L'Osservatore Romano", (newspaper; Vatican City) 10 Gusht, 1987, f. 4; shih edhe Dictionary of Doctrinal and Historical Theology, f. 765; si edhe The Voice of Prophecy radio broadcast, H. M. S. Richards, speaker, Los Angeles, Dec. 20, 1958.
[7](Dizionario Teologico Interdisciplinare della Marieti, f. 472-73; shih edhe The Promise of the Trinity, Gunton, f.31 ).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme