
Sakrifica e kafshëve me rastin e Kurban Bajramit, kryhet nga besimtarët musliman në përkujtim të historisë madhore të Profetit Ibrahim (apo Abraham a.s.) dhe testit që Allahu a.xh. i bërë atij, kur i kërkoi të fundit të sakrifikojë djalin e tij të vetëm dhe të dashur për Madhërinë e Tij. Siç të gjithë e dimë historinë, sfida që Zoti i vuri Ibrahimit përpara ishte vetëm se për të sprovuar zemrën e Ibrahimit, nëse ai do të ishte i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij të vetëm për Atë, në dorën e të cilit ne si qënie njerëzore varemi.
Besimtarët musliman shqiptarë si pasues të Umetit të profetit Muhamed a.s. e përkujtojnë këtë festë për të vërtetuar vazhdimësinë që feja Islame ka me fetë monoteiste dhe mesazhin hyjnor që Zoti i lartësuar i dha profetit Ibrahim (shiko: Zanafilla 21 - 25, Dhjata e Vjetër, Bibël),Ismail, Jakub, Musa dhe Isus Mesihit apo siç të krishterët e njohin atë me emrin e përkthyer në greqisht nga rabini anti-kristjan Saul i pasnjohur si Paul; Jezus Krishtit. Por festa e Kurban Bajramit nuk është festa e vetme që ka lidhje me traditën profetike të profetëve të dërguar ndaj bijve të Izraelit. Një tjetër festë e madhe e besimtarëve musliman që ka lidhje me traditën biblike të izraelitëve është edhe festa e Ashurës, në datën 10 të muajit Muharrem kur besimtarët muslimanë përkujtonë me agjërim udhëheqjen që Musai a.s. i bëri hebrenjëve për t’i larguar nga Egjipti dhe shpëtuar nga tirania e faraonit. Në këtë datë, pra më 9 dhe 10 Muharrem muslimanët shiitë dhe bektashianë mbajnë edhe zi për martirizimin e Imam Hyseinit në fushën e Qerbelasë.
Festa e Kurban Bajramit ka patur gjithnjë përmasat e një feste mbarë popullore në trevat shqiptare dhe në Ballkanin e banuar nga muslimanët në përgjithësi. Besimtarët shqiptarë, që në ditët osmane e deri më sot, në këtë ditë feste të madhe, gëzimin e tyre e ndajnë edhe me fqinjët e tyre jo-muslimanë. Festa e Kurban Bajramit në viset tona shoqërohet me ngjyra mikse hareje dhe gëzimi. Në këtë ditë gëzojnë jo vetëm shqiptarët e feve të ndryshme, por edhe banorët e etnive të tjera përreth nesh. Një ndër etnitë të cilët kanë patur dhe kanë një rol kryesor në festimin e Bajramit në Shqipëri kanë qënë edhe koptët, të njohur në zona të ndryshme të Shqipërisë si xhipët, magjypët etj. Me profesionin e tyre si muzikantë dhe daullexhi këto popullata të ardhura në Shqipëri në kohët osmane nga Egjipti i sipërm, i jepnin ditës së Bajramit një atmosphere të madhe hareje të cilën më mirë mund ta përshkruajnë vetëm pikturat e piktorit të famshëm francez, Zherom apo pse jo edhe Koli Idromenos. Kur Zheromi vizitoi perandorinë osmane në shekujt e 18të ai u mahnit nga ngjyrat dhe madhështia e botës islame. Nga çallmat e myftilerëve, bukuria e vajzave të orientit të cilat me vellot dhe shamitë e tyre, dhe me stilin në përgjithësi alla-turka të jetës i jepnin Orientit një ngjyrë magjepëse. Muezinët me thirrjet e tyre Allahu Ekber, dhe pashallarët osmanë – shqiptarë me jataganët e tyre dhe me çallma, të ndërthurura me hijen e bukur që minaret i bënin qyteteve të gurta me kalldrëme osmane, krijonin ndjenjën e një botë perfekte, të cilën romancieri francez Aleksandër Dyma në romanin e tij Konte Monte Kristo do t’ia rezervonte heroit të tij, Kontit të Monte Kristos, të cilin pasi e bëri të mund armiqtë e tij në Francë, do ta dërgonte të kalonte jetën i lumtur në tokat e Ali Pashait shqiptar në Orientin e Afërt.
Në ditën e Bajramit në historinë e Shqipërisë kanë gëzuar dhe gëzojnë edhe të varfërit dhe lypsarët, pasi në këtë ditë besimtarët shqiptarë tregohen më bamirës së në ditët e tjera të vitit dhe kanë prirje për të dhuruar sa më shumë.Ndjenja e sakrificës, e dhimbjes, e ndarjes dhe e ndihmës për ata që jeta i ka lënë të përbuzur është ndjenja që dominon mbi besimtarët kudo. Ibrahim Manzur Efendiu, një çifut i konvertuar në fenë e shqiptarëve nga Ali Pasha, në kujtimet e tij mbi Ali Pashën tregonte se në ditët e Bajramit dhe festave të tjera Islame, Pashai i Toskërisë ishte tejet i gëzuar. Nga duart e tij derdheshin monedha dhe para, ndërsa hoxhallarët dhe mistikët që këshillonin Pashain në Sarajet e të fundit mbuloheshin me akçe dhe monedha ari nga krye-pashai i shqiptarëve të Toskërisë.
Ndoshta ka qënë kjo atmosferë festive që Bajrami sillte në trevat shqiptare që inspiroi edhe Lord Bajronim në poezine e tij, Pelegrinazhi i Çaild Haroldit kur autori i prekur nga kontrastet islamike të trevave shqiptare thoshte:
Tokë e Shqipërisë
Lërma shikimin tim të endet mbi ty
Në ty, vend i ashpër me burra të fortë
Ku kryqi bie dhe minaret ngrihen
Ku drita e gjysëmhënës ndriçon në lugina
Edhe pse shumë selvi, rriten nëpër rrethina
Apo kur përshkruante shqiptarët në lutjen e namazit të tyre si:
Ja shqiptarët, sesi në mënyrë krenare ulen drejt tokës
Pranë tyre, grekët, mbajnë belbëzimën
Dëgjo! Nga xhamia himni i natës po buçet
Thërritja e muezinit sa nuk po shkund minaretë,
Nuk ka Zot përveç Allahut – për në lutje – Pse vërtet! Zoti
është më i Madhi!
Duke qënë se besimtarët shqiptarë kanë qënë dhe janë ndjekës të traditave islame osmane, Bajrami në ditët Osmane në trevat tona në Ballkan ka qënë zakon të falet nëpër sheshe masive ku të udhëhequr nga kazaskerët, myftilerët, dhe në raste të veçanta edhe nga të dërguarit e shejhulislamit të Stambollit, besimtarët shqiptarë dergjeshin nga të gjithë rrethinat dhe kryenin në një varg prej disa mijëra vetësh lutjen ndaj Krijuesit të tyre të madhërueshëm. Edhe pse Shqipëria ka qënë një province kufitare e Perandorisë Islame në Ballkan, në kufijtë e Kristendomit Perëndimor, dhe padyshim që Ceremonia e Bajramit në trevat tona nuk mund të gëzonte lluksin dhe bëshmërinë e kryeqendrës së Perandorisë, Stambollit, në Shqipëri festa ndjehej gjithashtu shumë. Nëpër qytetet Janinë, Vlorë, Ohër, Shkup dhe Prishtinë shqiptarët me cullat dhe xhamadanët e tyre karakteristikë mbushnin sheshet e namazgjasë ku nën udhëheqjen e myftiut të kazasë, besimtarët kryenin lutjen e Bajramit, luteshin për kalifin e tyre në Stamboll dhe më pas dergjeshin nëpër pazaret dhe çarshitë e qyteteve për të blerë gjënë e gjallë që do të sakrifikonin. Më pas nëpër tryezat shqiptarë shtroheshin ashtu si edhe sot, drekë me gatime të këndshme alla-turka ku shqiptarët nuk harronin të servirnin bakllavanë dhe gjellët e tjera të importuara nga orienti.
Në kohët osmane, agallarët dhe pashallarët shqiptarë paten krijuar edhe dy sheshe për lutje masive me rastet e Bajrameve siç ishin namazgjahu i Tiranës dhe ai i Elbasanit. Megjithatë në vitet e fundit të post-demokracisë në Shqipëri, rasti i faljeve nëpër namazgjahe nuk ka qënë i lehtë për t’u ndjekur nga muslimanët pasi pushtetarët tanë, shpesh ju kanë marrë apo edhe nuk ju kanë kthyer namazgjatë të parëve. Megjithatë rasti i 2 viteve të fundit kur besimtarët e Tiranës, për të cilët xhamitë kanë provuar të pamjaftueshme, dhe janë falur në Sheshin kryesor të qytetit, ka provuar të jetë njëfarë ringjallje për traditën ë lutjes në sheshin e Namazgjahut dhe ka treguar edhe njëherë madhështinë publike që festa e Kurban Bajramit sjell me vete. Në sheshin Skënderbej të Tiranës, në ditët e Bajrameve, poshtë statujës së heshtur të Beut Skënder rreshtohen disa mijëra qytetarë të Tiranës, vendali dhe të ardhur, të cilët duke u kthyer nga Meka e Shenjtë i shprehin besnikërinë e tyre, Kreatorit të tyre Madhështor dhe në të njëjtën kohë i tregojnë të gjithë anti-muslimanëve të botës shqiptare se shumica e heshtur e tyre, i qëndron besnike fesë së të parëve të tanë musliman.
Duke qenë ndjekës të vendosur të traditës së profetit Ibrahim a.s. muslimanët shqiptarë, në ditën e Kurban Bajramit kryejnë sakrifica të shumta në kafshë. Kafshët që ofrohen për këtë sakrificë janë shtëpiake si dele, dhi, deve dhe lopë nga të cilat pjesa kryesore kërkohet ti jepet të varfërve.
Në ditën e Kurban Bajramit besimtarët shqiptarë kanë patur për traditë të vizitojnë njëri tjetrin dhe të urojnë një Bajram të mbarë. Agallarët dhe pashallarët tanë në ditët e Bajramit hapnin konakët e tyre të cilët mbusheshin me hallexhinjë e miq të cilët ndanin gëzimin me parinë e tyre, ndërsa në kohën e mbretërisë, në ditët e Bajramit familja e Mbretit Ahmet Zogut I dhuronte ushqim për të varfërit. Por në ditët e sotme këto ceremoni nuk ndiqen më si më pare pasi Shqipërisë sot edhe i mungon klasa aristokratike të cilën ia zhduku komunizmi. Por në vend të tyre, politikanët tanë, të cilët gjatë të gjithë vitit kanë harruar se çfarë Zoti është, në këtë ditë si për t’i bërë karshillëk njëri-tjetrit dergjen drejt selisë së Komunitetit Musliman Shqiptar ku edhe urojnë kryetarin e KMSH-së dhe muslimanët e Shqipërisë për një Bajram dhe vit të mbarë.