
E bëra këtë hyrje paksa të gjatë dhe pak ironizuese për të vënë në pah se sa e dëmshme është ideja për purokomb, për komb pa kurrfarë huazimesh. Me të desha të them se kjo ide le që është e parealizueshme dhe e dëmshme, por madje është edhe raciste. Në botë nuk ka kombe të pastra (mendoj pjesërisht pos indianëve të Amazonit), gjuhë të pastra (në kuptimin që e folëm më sipër), folklor të pastër apo veshje vetëm të një kombi. Kjo do të thotë se njerëzimi duke u shtuar, duke lëvizur, duke u dyndur, duke luftuar, duke punuar e duke jetuar, kanë dhënë e kanë marrë nga njëri-tjetri, ashtu që sot askush nuk ka të drejtë të ngrihet e të thotë se kjo është vetëm e imja, ose se nuk e dua këtë se është e huaja. Megjithatë, ndonëse kështu, ndonëse njerëzit gjatë historisë e kanë parë interesin e tyre së pari fizik dhe i kanë këmbyer gjithë ato sende, prapëseprapë kanë ngelur një varg gjërash që janë të këtij apo të atij kombi, të asaj ose të kësaj kulture e folklori e kështu me radhë, të cilat një komb i ka marrë dikur, i ka modifikuar si i është dukur më mirë dhe kështu i ka përvetësuar. Një sinkretizim të tillë e kemi edhe me shembullin e gjuhëve ballkanike, të cilat ndonëse u takojnë grupeve e bile edhe familjeve të ndryshme gjuhësore, duke qenë në kontakt mes vete kanë zhvilluar aso tipare që janë të përbashkëta vetëm për këto gjuhë, që kështu të formojnë një lidhje gjuhësore që quhet gjuhët ballkanike. Kemi këtu turqishten semite, kemi rumanishten e latinizuar, kemi greqishten dhe shqipen si gjuhë të veçanta indo-evropaine, si dhe maqedonishten, bullgarishten e serbishten sllave. Prof. Shaban Demiraj në Gjuhësinë ballkanike i përmend 12 tipare të përbashkëta të këtyre gjuhëve që nuk i kanë gjuhët e tjera të atyre grupeve a familjeve. Kështu ka ndodhur edhe me gjërat e tjera, si në muzikë, folklor, mite, histori, art figurativ etj. Njerëzit nuk janë makina.
Prof. Stipçeviqi, që na vizitoi para do dite, na the se vetëm biologjia molekulare me nja 30 vjet punë do ta përdëftojë se sa ka gjak iliri te kroatët, te boshnjakët, malazezët e sa te shqiptarët. Ku ta dish çfarë rezultate mund të na japin këto analiza! Këtu ka pasur shumë përzierje dhe është e kotë të gjurmohet origjinalja deri në patologji vetëm me dëshira anormale dhe romantike që çuditërisht të shpiken lidhje amerikano shqiptare e të mohohen lidhjet e shqiptarëve me popujt që me shekuj kanë qenë në kontakte të ndryshme.
Kujtoj se pas gjithë kësaj e kuptuam se sa ka gjasa kombi i pastër dhe a është kjo ide afër mendsh ose jo.
Tani po kalojmë në një çështje tjetër.
Kujtoj dhe jam i bindur se edhe z.Xhaferi dhe gjithë bashkëmendimtarët e tij e dinë këtë logjikë e këto teori, se do të ishte marri të besohet se ata nuk e dinë. Por, atë që ata duan ta thonë e që nuk e thonë se si duket nuk u mban akoma, është si të bëjmë që ne shqiptarët t’i këpusim të gjitha lidhjet që i kemi krijuar me Lindjen, sidomos gjatë pesë shekujve osmane, që ashtu ta bëjmë veten puroevropianë. Kjo ide mbase do të ishte e mirë edhe për spanjollët që të mos pinë më çaj orienti e as mos të ulen më nëpër minderat orinetal, prandaj do të ishte mirë që në këtë frymë t’i ndihmohet pak edhe kryevropianit Havier Sollana.
Mendimtari amerikan, simodos i këtij dhjetëvjetëshi të fundit, Semuel Huntington, në librin e tij “Përplasja e qytetërimeve” e shtron një pyetje që edhe mua më vjen ta shtroj kur gjendem para një dileme që më kanë vënë këta tanët. Ai pyet: “Kush jemi ne?” dhe përgjigjet: “Për t’u përgjigjur në Kush jemi ne? , duhet ta dimë një herë kush nuk jemi ne dhe kundër kujt jemi ne.” Eh pra, për z.Xhaferi dhe për të gjithë të tjerët që si po del puna nuk duan ta pranojnë se kush jemi, ne jemi shqiptarë, sipas të gjitha gjasave me prejardhje ilire, dikur paganë, pastaj të krishterë, e më pas me mbi 70% myslimanë, dikur të pavarur, pastaj nën sundimin romak, më pas nën bizantin, pak më vonë nën sllavë, pastaj në turk, që prapë të kthehemi një pjesë nën sllavë e tjetra e pavarur, gjithnjë në një udhëkryq historik të rrugëve që e kanë lidhur Evropnë dhe Azinë. Këta jemi ne. Ne nuk jemi kundër Evropës, ne jemi evropianë, i takojmë Evropës edhe me territor, edhe me gjuhë, edhe me kulturë, po ne në kulturën tonë kemi edhe një varg elementesh osmane që natyrisht se e kanë pasuruar kulturën tonë (këtu assesi nuk mendoj në piskamat tallave të kohëve tona të biçimit të Ibrës) dhe kemi një fe që e kemi marrë nga këta osmanë që natyrisht se kombin tonë e ka fisnikëruar bashkë me vlerat që ndër ne vazhdimisht i kanë predikuar katolikët dhe ortodoksët tanë. Ne nuk jemi kundër askujt, por si duket të tjerët janë kundër nesh. Ata si duket ia kanë vënë mendjen të na tjetërsojnë, të “na pastrojnë” nga barbaria, të “na shpëtojnë”. Mbase kështu do ta shpëtojnë edhe Sollanën nga ndikimi maur!
Në fund, të këtij shkrimi, më kujtohet përgjigja që poeti jonë dibran, Nexhat Pustina, i cili në një poezi të tij pasi pyet Kush jam unë?, përgjigjet: Gur i qitun n’rrafsh të lamës, djalë i tepërt i nanës.
Vërtet keq me qenë i tepërt (jetim) dhe mos me ditë se kush je!