Kontributi i ulemasë shqiptare për shkollën, për gjuhën dhe për shkrimin shqip

Është e natyrshme që në këto kushte arsimi i fëmijëve shqiptarë jepej në gjuhë të huaj. Të gjithëve na ka bërë përshtypje fakti që, ndërsa në Jug të Shqipërisë për një abetare, për një shkollë shqipe janë përndjekur apo janë martirizuar shumë mësues, në Veri, në Shkodër, Prizren, Pejë, Gjakovë, Zarë, Ulqin, Traboin etj. ka pasur shkolla ku mësohej gjuha shqipe ose ku mësimet zhvilloheshin krejt në këtë gjuhë. Ndërsa në Jug në vitin 1905 vritej Papa Kristo Negovani për arsyen e vetme se u mësonte fëmijëve shqiptarë gjuhën amtare, në Shkodër, në shkollën e françeskanëve, psh. apo në të gjitha shkollat e mbajtura nga Austria mësimi që me 1902 filloi të jepej në gjuhën shqipe. Kjo ka arsyet e veta. Austria ka shfrytëzuar të drejtën e saj në marrëveshje me Shtetin Turk (të drejtën e patronatit) që nga viti 1615 në Shqipëri duke përkrahur kishat dhe klerikët shqiptarë dhe duke themeluar e duke mbajtur shkolla katolike.[1]

Që prej asaj kohe dhe më vonë Austro-Hungaria bën përpjekje serioze për hapjen e shkollave shqipe. Pushteti turk nuk ka mundur t’i mbyllë shkollat që motivoheshin për nevoja fetare. Për këtë në revistën “Leka” shkruhet: “Kush do të kishte guzim të thotë gja mbi hapjen e shkollave në gjuhën shqipe? Asht nevojitë fuqia e nji Austrije, që do t’i impononte Turqisë në mënyrë që t’i lejojë hapjen e shkollave shqipe vetëm për katolikët e me pretekste të shkollave fetare”.[2]

Ja kjo është arsyeja që në shkollat e fëmijëve katolikë filloi të mësohej lirshëm gjuha shqipe, ndërsa një gjë e tillë nuk mund të ndodhte në shkollat ku mësonin fëmijët e besimit ortodoks apo mysliman.[3]

Përpjekjet për arsimin kombëtar në gjuhën shqipe u bënë edhe më të mëdha edhe për arsye se në Shqipëri kishte shumë shkolla në gjuhë të huaj. Për këtë flasin shumë të dhëna[4].

Në një Salname (vjetar) të arsimit të Turqisë, botuar me 1900, ka disa të dhëna interesante për shkollat e qytetit të Shkodrës.[5] Në këtë qytet funksiononin këto shkolla: Shkolla Ruzhdije me 106 nxënës, Medreseja e Epërme në lagjen Qafë me 32 nxënës, Medreseja e Poshtme ne Tregun e Madh, me 55 nxënës, shkolla fillore ortodokse serbe me 38 nxënës dhe 37 nxënëse, shkolla jezuite e gradës gjimnaz me 100 nxënës, shkolla françeskane e gradës plotore me 57 nxënës, shkolla françeskane e gradës plotore me 240 nxënës, shkolla italiane e gradës plotore me 302 nxënës djem dhe 182 vajza, shkolla austriake e gradës fillore me 302 nxënës dhe 350 vajza. Përveç këtyre kishte edhe shumë medrese në qytet e shkolla të tjera nëpër fshatra.

Në vitin shkollor 1894-1895 në Shkodër kishte 75 shkolla me sistem të vjetër dhe 26 shkolla me sistem të ri, gjithësejt 101 shkolla në gjuhën turke, arabe.[6]

Në vitin 1898, në shtypin e kohës shkruhet se në katër vilajetet e Shqipërisë kishte 1187 shkolla turqishte, mbi 1000 greqishte, afro 50 vllahisht, 200 ose 300 bullgarisht e serbisht, pra rreth 2523 shkolla të huaja.[7]

Në këto shkolla mësimi jepej në gjuhë të huaj. Për këtë arsye Sami Frashëri shkruan: ”S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqip, s’mund të ketë gjuhë shqip pa shkolla në të cilat të mësohet shqipja”.[8]

Gjendja në Shqipëri në fushë të arsimit ishte shumë kaotike[9]

Në këto rrethana ulematë shqiptarë që në shumicën dërmuese të rasteve ishin edhe mësues në shkollat e kategorive të ndryshme, shquhen për një qëndrim dinjitar, ata kurrë nuk lejuan që besimi, feja të bëheshin pengesë në përparimin e popullit tonë.

Medresetë e bibliotekat që u hapën e funksionuan, krahas pikësynimeve fetare, rrezatonin dituri e kulturë të përgjithshme. Nuk duhet harruar se në këshillat e dijetarëve të pallatit pranë vezirëve, të përbëra prej dijetarësh, teologësh, juristësh, etj. funksiononin edhe rrethet e poetëve, krijuesve, rapsodëve, duke shërbyer jo vetëm si konsulentë me prestigj, por edhe për të zhvilluar biseda e debate të sferave të ndryshme të diturisë. Është e natyrshme të mendohet se e tërë kjo veprimtari bëhej në gjuhën amtare, ashtu si edhe në medresetë e në mejtepet, pavarësisht nga gjuha e teksteve.

Pas 1846, si rrjedhojë e dekretit sulltanor, lejohej hapja e shkollave laike shtetërore, çka i hapte dyert fillimit të lëvizjeve për arsim e kulturë. Duke qenë se për pjesën myslimane lejohej vetëm përdorimi i alfabetit arab, intelektualët myslimanë të kohës u munduan që përmes këtij alfabeti të përhapnin mësimin e gjuhës shqipe, si mjet të ngushtimit të prapambetjes kulturore.

Përkundrazi sikurse qenë pranë popullit në të gjitha vështirësitë që kalonte ai, kur qe nevoja edhe rrokën armët në luftërat shekullore ndaj pushtuesit sllavë dhe padrejtësive të pashallarëve, apo edhe u vunë në krye të shtetit të ri shqiptar duke drejtuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kuvendin Kombëtar të Qeverisë së Vlorës, Senatin e Shtetit të ri Shqiptarë dalë nga Qeveria e Lushnjës, etj. etj, por edhe ishin pranë popullit në fushën e edukimit dhe të arsimimit të breznive të reja.

Ulematë dhanë një kontribut të shquar në lëvrimin e gjuhës shqipe përmes disa fushash:

a. Përmes bibliotekave të ngritura në institucionet arsimore ose në familjet e veta.

Nuk ka qytet shqiptar, nuk ka medrese apo edhe dijetar që të mos ketë pasur një bibliotekë të pasur, ku studiuesit kanë marrë dituri dhe kanë diskutuar për probleme të ndryshme fetare, kulturore dhe letrare. Në Shkodër ka qenë zakon i vjetër që sa herë janë mbledhur apo kanë bërë vizita tek njëri tjetri dijetarët dhe hoxhallarët, diskutimet e veta i kanë shoqëruar me citime librash nga më të ndryshmit. Më ka mbetur në mendje gjithnjë se sa herë shkonte Hafiz Sabri Beg Bushati tek miku i vet Hafiz Berdica, mbas diskutimesh të shumta, dhoma ishte e mbushur me libra të shpërndarë kudo në të katër anët.

Në çdo libër të vjetër që merr në dorë, do të gjesh shënime anësore të shumta të bëra nga lexuesit e zellshëm. Kjo është një mënyrë shumë e njohur e një tradite të lashtë në leximin dhe studimin e literaturës.

Në trashëgiminë kulturore ne do të rendisim si më themeloren ngritjen e bibliotekave private dhe institucionale. Këtu nuk dua të bëj një historik të tyre, por a nuk kanë mbetur në kujtesën e të gjithëve biblioteka e medresesë Isa Beu, e medresesë së Gjakovës, të Prizrenit, të Qafës dhe të Pazarit në Shkodër, e Vakufit etj. Në do të ndalemi në njërën prej tyre. Në bibliotekën private “Këlliçi” të familjes Myftia në lagjen Tabakë në Shkodër. Biblioteka Këlliçi është një nga më të vjetrat që njihen në Shkodër, por si bibliotekë familjare është më e vjetra. U themelua nga Hasan Efendi Këlliçi, kadi i Shkodrës, aty rreth vitit 1750, u shtua, u pasurua dhe u sistemua nga i nipi i tij, Jusuf Efendi Tabaku. Kjo bibliotekë deri në vitin 1967 ka qenë e regjistruar dhe e sistemuar në një dhomë të veçantë, oda e qitabeve, kishte rreth 2000 libra të inventarizuar e të vulosur, me etiketat përkatëse. Shumica e librave ishin në gjuhën arabe, persiane, turke dhe në gjuhën shqipe me alfabet arab. Në inventarin e Myfti Plakut, prej 45 fletësh të formatit të madh gjenden edhe dorëshkrimi i Tahir Efendi Gjakovës i vitit 1830 "Vehbije" (Dhuratë), një poemë fetare në dialekt të Kosovës, një "Abce" shqipe, shtypur në Stamboll me 1900, dy tabela (tahte) astronomike të Hasan Tahsinit i cili, kur pat ardhur në Shkodër, ja dhuroi Myfti Plakut, turqisht, shtypur në Paris në vitin 1867 me firmën "Tahsin" etj. [10]

b. Përmes mësimit në shkollat e hapura në shumicën e lagjeve të qyteteve dhe të fshatrave.

Në Medresetë e Shkodrës, qoftë ajo e Qafës (themeluar nga Mehmet Pashë Plaku), qoftë ajo e Pazarit (themeluar nga Karamahmuti) shumica dërmuese e myderrizëve ishin shqiptarë, të cilët pavarësisht nga kultura e tyre orientale, punonin me nxënës shkodranë ose nga rrethet e saj, të gjithë shqiptarë, që dinin vetëm gjuhën amtare. Prandaj, siç e kanë vënë në dukje edhe studiues të ndryshëm, diskutimet, bisedat, shpjegimet bëheshin në gjuhën shqipe. E nuk kishte si të ngjiste ndryshe në një mjedis krejt shqiptar, në një qytet ku nuk ka pasur asnjëherë asnjë komunitet të huaj.

c. Përmes botimit të librave në shërbim të shkollave, mes tyre të abetareve dhe të gramatikave për mësimin e gjuhës shqipe.

Personalitetet e kulturës sonë islame edhe në këtë fushë të vështirë dhanë ndihmesën e vet të vyer.

Ne këtë problem e kemi trajtuar gjerësisht në shumë libra dhe studime, por duam të theksojmë se Sheh Mimia, Daut Boriçi, Hoxhë Voka, Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim

Dalliu e deri tek më të rinjtë Imam Vehi Ismalili dhe Haxhi Vehbi Gavoçi shquhen në këtë drejtim.

Po japim disa nga shembujt më të njohur për punën e madhe në fushën e botimeve:

Daut Boriçi ka shkruar gjashtë libra, dy ditare dhe një biografi[11]

Hafiz Ali Ulqinaku shkroi Abetaren, Fjalorin Turqisht shqip dhe shqip turqisht “Ulqini” dhe Mevludin

Abetarja e Hafiz Ali Ulqinakut ka vlera të veçanta atdhetare, shkencore, gjuhësore dhe didaktike.

Hafiz Aliu duke qenë mësues në Shkodër dhe në Lezhë e ndjente nevojën e mësimit të shqipes në shkollë. Këtë ide ai e pat shprehur edhe më parë tek Mevludi dhe tek fjalorët e tij. Populli, gratë dhe fëmijët nuk kuptonin as gjuhën zyrtare të administratës, osmanishten, as arabishten si gjuhën që përdorej gjerësisht në ceremonialin fetar në xhami. Natyrisht autori në atë kohë do të shkruante shqipen me alfabetin arab, osman. Kjo ishte praktika e ndjekur deri atëherë nga paraardhësit e tij. Por siç kemi pasur rastin të theksojmë më parë shkrimi i shqipes, hartimi i teksteve mësimore shqipe, aq më tepër hartimi i abetares shqipe[12] për përdorim shkollor ishte një akt i lartë qytetarie dhe atdhetarie. Shkrimi i shqipes e aq më tepër përdorimi i saj në shkollë, hartimi i librave shqip dhe i abetareve shqipe tregonte vullnetin e mirë dhe ndërgjegjen e lartë atdhetare të autorit. Në këtë mes duhet shënuar se Hafiz Aliu ishte hoxhë. Kjo tregon qartazi se intelektualët islamë, hoxhallarët tanë, dashurinë për atdhe e kanë shprehur kudo, jo vetëm duke u prirë çetave të luftëtarëve kundër sulmeve grabitqare, por njëkohësisht kanë qenë përkrahës të diturisë në gjuhën shqipe dhe jo kundërshtarë të saj, si mundohet ta paraqesë ndokush. Hartimi i veprave të tilla si Abetarja, Fjalorët apo Mevludi në gjuhën shqipe më së pari tregon një qëndrim të lartë atdhetar të autorit.

d. Përmes mevludeve në gjuhën shqipe të botuar, ose edhe të pabotuar por të kënduar në zona të caktuara, me alfabetin arab ose edhe latin.

Hartimi, botimi dhe mësimi përmendësh i mevludeve duke i kënduar në ceremonitë fetare në xhami apo në tubimet familjare, përbën një mjet me shumë vlerë për përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe. Në se shumë vepra të shkruara në gjuhën shqipe por me alfabetin arab, kanë mbetur si relikte të bibliotekave dhe pothuajse janë harruar, mevludet gjallojnë ende dhe ruhen në kujtesën popullore vetëm se ato u shkruan me qëllim që të këndoheshin nga populli. Autorët e vjetër i shkruan këto mevlude me dëshirën e mirë që himnet për jetën dhe veprimtarinë e Pejgamberit tonë të nderuar të këndoheshin në gjuhën shqipe sepse për shumë kohë në shumicën dërmuese të rasteve mevludi këndohej në gjuhën turke, kryesisht këndohej mevludi i poetit të famshëm Selejman Çelepi, gjuhë që nuk kuptohej nga shtresat e gjëra të popullit sidomos nga “gratë dhe fëmijët”, sikurse edhe thotë Hafiz Ali Ulqinaku. Ne kemi gjetur mbi 20 autorë mevludesh të shkruar në gjuhën shqipe që rrokin një periudhë kohore prej rreth 300 vjetësh dhe këto i kemi botuar në një vepër të veçantë “Mevludet në gjuhën shqipe”[13]. Është interesante të theksohet se mevludet kanë një shtrirje gjeografike që rrokë të tëra trevat shqiptare: Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni, Çamëri, madje edhe jashtë trojeve shqiptare, ku ka shumë të larguar nga vendet tona, si në Turqi, ShBA, Kanada etj.

e. Përmes fjalorëve disa gjuhësh për mësimin e gjuhëve të huaja dhe të shqipes nga shqiptarët.

Autorët e fjalorëve janë të shumtë, shumica e tyre mbeten në dorëshkrim, autorët nuk patën mundësinë t’i botonin, ashtu ishin rrethanat dhe vështirësitë e kohës, por ama ato u kopjuan me dorë dhe u përhapën në shumë intelektualë të shquar, i shërbyen mësimit të gjuhës shqipe dhe krahasimit të saj me gjuhët tjera.

f. Përmes ligjëratave fetare në Xhami dhe në tubimet tjera në gjuhën shqipe.

Ky është një problem i vështirë edhe sot kur diskutohet në parim. Por dijetarët islamë në vendin tonë e zgjidhën drejtë që në fillimet e shekullit XV, ndoshta edhe më herët me Sheh Ahmet Alinë (Haxhi Sheh Shamia). Ai qe nismëtari që ligjëratat dhe këshillat fetare ditën e xhuma të jepeshin në gjuhën shqipe dhe jo arabe apo turke. Sot kjo na duket e thjeshtë, kur është bërë masive, por atëherë ka qenë një akt i lartë diturie dhe atdhetarie.

Ky është një kontribut i vyer për të cilin ne duhet të vëmë theksin me tërë forcën e diturisë dhe të mjeteve të propagandës për disa arsye:

1. E gjithë propaganda e sotme bën një luftë të ethshme për ta paraqitur besimin tonë dhe dijetarët islamë të së kaluarës si përkrahës, madje edhe shkaktarë të prapambetjes kulturore dhe gjuhësore të popullit tonë. Për këtë mjafton të lexoni studimin e Dr. Mahmud Hysa, “Monografi për islamistët dhe islamologët e Shkodrës” për veprën tonë “Në kujtim të brezave” për të kuptuar më qartë vlerën e diturinë e dijetarëve e hoxhallarëve tanë. (Shih Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare, II, , Logos-A, Shkup, 2000, fq. 161-211.

2. Për ta paraqitur pushtuesin osman si kulmin e kësaj prapambetjeje dhe shkaktar i saj, madje arrihet deri aty sa të mos njihet pushtues tjetër në trojet tona përveçse atij osman, harrohen romakët, bizantinët, sllavët, anzhuinët, venedikasit etj. Harrohet fare zhvillimi ekonomik i qyteteve shqiptare në shek XVII-XIX, i zejeve, i tregtisë, i marrëdhënieve, i lëvizjes së lirë. Vetën në Shkodër kishte 7 konsullata të huaja.

3. Ne ende nuk njohim sa duhet ndihmesën e dijetarëve islamë shqiptarë në të gjithë trevat e gjëra të Perandorisë Osmane, madje as në trojet tona, ne ende nuk i kemi të mbledhura veprat e tyre, të ribotuara, të transkriptuara apo edhe kur është nevoja të përkthyera. Shumë kohë më parë ne kemi shtruar nevojën e bashkërendimit të forcave mes Bashkësive islame në të gjitha trojet shqiptare që të punojnë për njohjen dhe botimin e veprave të plota të dijetarëve islamë shqiptarë apo me origjinë shqiptare. Vepra të tilla si Alamiada shqiptare, Hafiz Ali Korça, Hoxhë Voka, Hafiz Ali Ulqinaku, Sheh Ahmet Shkodra, Hafiz Ibrahim Dalliu, Mevludet në gjuhën shqipe, mbas shumë përpjekjesh kanë parë dritën e botimit. Më vjen shumë mirë që ekipe të specializuara të Shtëpisë Botuese Logos-A kanë filluar grumbullimin e redaktimin e dy autorëve më të njohur, Hafiz Ali Korçës dhe Imam Vehbi Ismailit, me qëllim botimi. Kjo ka qenë një ide e kahershme e jona dhe falënderojmë të madhin Zot që disa punë po ecin me ritmin e duhur.













--------------------------------------------------------------------------------

[1] Për më gjerë shih Prof. Dr. Uran Asllani, Studentët shqiptarë të Austrisë dhe veprimtaria e tyre, Tiranë, 2000.

[2] Revista “Leka”, nr. 10-12, Shkodër, viti 1938, fq. 444.

[3] Në vitin 1877 u hap në Shkodër Seminari françeskan. Shkollat konfensionale, me subvencion, u hapën edhe në zonat fshatare të vilajetit të Shkodrës. Kështu qysh me 1873 u hap, në Shirokë, shkolla fillore e djemve që u pasua me vonë me vajzat, me 1882, në Troshan, me 1883, në Bajzë të Kastratit, me 1887 përsëri një shkollë e re në qytetin e Shkodrës, me 1891 në Blinisht dhe në Selcë të Këlmendit; me 1893 në Traboin të Hotit dhe me 1898, në Pdhanë.

Politika arsimore e Austrisë u bë me intensive kur filloi edhe Mbretëria Italiane, të hapte shkolla laike shtetërore, në Shqipëri, dhe ta konkurronte haptazi perandorinë Danubiane. Me 1888 Porta e Lartë lejoi hapjen e shkollave italiane laike shtetërore, në Shkodër, Durrës, Vlorë e Prevezë.

Brenda vitit 1889, në Shkodër qeveria italiane hapi shkollën për djem, atë për vajza si dhe azilin italian për fëmijët parashkollorë. Kështu me 1890 gjendja e shkollave dhe e arsimit në Shkodër ishte e tillë: Shkolla françeskane austriake, kishte 250 nxënës; Kolegji saverian jeziut austriak kishte 100 nxënës dhe shkolla femërore Stigmatine 284, ndërkohë që brenda vitit shkolla mashkullore italiane arriti në 125 fëmijë, shkolla femërore italiane 70 dhe azili parashkollor 220 fëmijë.

Në vitet e para të shekullit të XX, me 1900 dhe 1901 të dy fuqitë e interesuara për Shqipërinë Austria dhe Italia kishin lidhur "Akordin Shqiptar", miratuar edhe nga diplomacia gjermane ‑shkruan Rappaporti me 1928 ‑ përsëri lufta për influencë vazhdoi, por jo me atë ashpërsi dhe intolerancë.

Kështu, me 1900 kundrejt 8 shkollave që financonte Austro- Hungaria në territorin shqiptar, qeveria italiane financonte, 6 shkolla me 214 djem, 126 vajza dhe 164 fëmijë parashkollorë.

Në këto kushte politika arsimore austro‑hungareze përsëri mori një zhvillim të ri. Kështu u hapën një sërë shkollash dhe që nga 1902 nga të gjitha shkollat austriake u hoq gjuha italiane dhe u zëvendësua me gjuhën amtare shqipe. Theksojmë se shumë autorë duke dashur pa nevojë të rrisin rolin e Fishtës në lëmë të arsimit kombëtar kanë theksuar se në shkollën qytetëse françeskane të Shkodrës u bë një ndryshim me rëndësi. Tani me emërimin e Gj. Fishtës drejtor i saj u bë e mundur që gjuha shqipe nga lëndë mësimore ( mësimi jepej në gjuhën italiane) të përdorej si gjuhë mësimi për të gjitha lëndët. Ndërsa kjo ngjau jo vetëm për shkollën e fretërve, por për të gjitha shkollat e subvencionuara nga Austria, u hoq gjuha italiane si gjuhë mësimi dhe u vendos gjuha shqipe. Roli i Fishtës apo i Gjeçovit qëndron në faktin se ata u bënë nismëtarë për një ndryshim të tillë në shkollën françeskane, dhe nuk qe ndryshim i vogël. Kalimi nga mësimi në gjuhën italiane në gjuhën shqipe lidhej me traditën dhe përvojën e shkollës dhe të mësuesve, me tekstet mësimore, me mjetet didaktike, me dokumentacionin bazë administrativ e të tjera punë të vogla në dukje, por që kishin rëndësi të madhe në veprimtarinë e përditshme të shkollës. Këtu qëndron merita e madhe e Fishtës si drejtor i shkollës françeskane.

Deri në fillimin e shekullit ishin hapur shkollat "konfensionale" të famullive, në Kallmet, Nënshat, Dajç, Kashniet, Rreshen, Orosh e Milot dhe filluan të hapen, në 1900 edhe në Bushat, Hajmel ë Kthellë, në 1901 në Bizë, me 1902 në Barbullush, me 1903 në Stallje, Dajç të Bregut të Bunës, me 1904 në Rubik dhe me 1904 në Lezhë. Sipas J. Kastratit rezulton se deri në shpalljen e pavarësisë, në vilajetin në Shkodrës, qeveria austro-hungareze subvenciononte 47 shkolla fillore nga të cilat 10 shkolla femërore.

Deri në shpalljen e pavarësisë Austro-Hungaria subvenciononte në Vilajetin e Shkodrës 47 shkolla fillore nga të cilat 10 femërore.

Në mënyrë më të saktë pasqyrën e vendosjes së këtyre shkollave dhe numrin e nxënësve, që vazhdonin këto shkolla e gjejmë, në prome­morien e Ministrisë së Punëve të Jashtme Austro ‑Hungareze.

Sipas kësaj promemorie, fill pas pavarësisë, në Shkodër kishte këto shkolla që financoheshin nga qeveria austro‑hungareze.

l. Shkolla fillore françeskane, me 5 klasa me 115 nxënës.

2. Kolegjin Françeskan

a. Shkolla fillore me 6 klasa, me 178 nxënës

b. Shkolla reale me 3 klasa

c. Shkolla tregtare, me 3 klasa

d. Gjimnazi klasik me 4 klasa, me 10 nxënës

3. Konvikti i malësorëve me 29 nxënës

4. Jetimore mashkullore me 30 nxënës

5. Shkollë artizanati me 8 nxënës

6. Shkolla fillore femërore Stigmatine me 173 nxënës

7. Kopsht parashkollor jezuit me 338 fëmijë

8. Shkollë ekonomie shtëpiake e punë dore, me 42 nxënës



Shkollat e fshatrave përreth Shkodrës:

l. Shkolla femërore fillore, në Shirokë me 70 nxënës

2. Shkolla mashkullore fillore, në Shirokë me 33 nxënës

3. Shkolla fillore, në Dajç me 21 nxënës

4. Shkolla fillore mashkullore, në Juban me 42 nxënës

5. Shkolla fillore mashkullore, në Bushat me 40 nxënës

6. Shkolla fillore mashkullore, në Çelë me 17 nxënës

Shkollat e Dioqezës së Sapës

l. Shkolla fillore mashkullore, në Hajmel, me 10 nxënës

2. Shkolla fillore mashkullore, në Dajç, me 20 nxënës

Shkollat ë Dioqezës së Lezhës

I. Shkolla fillore mashkullore, në Kallmet, me 60 nxënës

2. Shkolla fillore mashkullore, në Lezhë, me 47 nxënës

Shkollat në Kryeabacinë e Mirditës

l. Shkolla fillore mashkullore, në Kashnjet, me 8 nxënës

2. Shkolla fillore mashkullore, në Orosh, me 22 nxënës.

3. Shkolla fillore mashkullore, në Spaç, me 13 nxënës

4. Shkolla fillore mashkullore, në Rrëshen, me 6 nxënës

5. Shkolla fillore mashkullore, në Milot, me 13 nxënës

Pra siç shihet, vetë diplomatët austriakë evidentojnë vetëm 26 shkolla të gjitha kategorive arsimore, për Shkodrën, Lezhën dhe Mirditën. Për këtë problem kanë shkruar shumë autorë dhe gjendet një literaturë shumë e pasur në gjuhën shqipe.

[4] Në vitin 1879 në Berat, Korçë dhe Durrës kishte 125 shkolla në gjuhën greke, nga të cilat 6 shkolla qytetëse dhe një shkollë e mesme. Për këtë shih: Syrri Shapllo , Rrugët kryesore të shkollës shqipe deri ne çlirimin e vendit, Rev. Arsimi Popullor, 1963, 4, fq. 37.

[5] Në vitin 1882, sipas informacionit të konsullit hungarez, vetëm në Vilajetin e Janinës që shumicën dërmuese të popullsisë e kishte shqiptare, funksiononin 643 shkolla për djem dhe të përbashkëta për djem dhe për vajza me 736 mësues dhe 22 shkolla për vajza me 40 mësues. Në vitin 1894 në Sanxhakun e Gjirokastrës kishte 84 shkolla fillore greke dhe po aq në krahinën e Beratit. Sipas Hysni Myzyrit, vepër e cituar, fq. [4]

[6] Jup Kastrati, Disa të dhëna mbi historikun e arsimit në Shkodër, Arsimi Popullor, XX,2, 131-135, Tiranë, mars-prill,1964.

[7] Ditërrëfenjësi kombiar, Mot’i katërt, Sofje, 1900, fq. 153-154.

“Shkollat turqisht të para (ibtidaije) në të katër vilajetet të Shqipërisë (Pas librës turqishte vjetore e ministorit të mësimit të përgjithshëm (Merif selnamase 1898 (1316). Në Janinë 128; në Manastir 451; në Shkodër 101 dhe në Shkup 24. Shkolla të dyta (ruzhdije) ka në Janinë 11; në Manastir 17; në Shkodër 5 dhe në Shkup 24. Shkolla të larta (idadije) ka 2 brënda në Manastir, një në Korçë, një në Janinë dhe një në Shkup.

Shkolla të tjera të Shqipërisë s’dihet mirë në ç’numër arrijnë, po greqisht ka më tepër se 1000; ka afro 40 vllahisht dhe mbase 2 apo 300 bullgarisht apo serbisht.

Megjthë këtë rrëmet shkollash, janë dhe dy shkolla shqip në Korçë.”

[8] Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’dotë bëhet”., Tiranë, 1962, f . 68.

[9] Për më gjerë shih: Islam Dizdari, “Karakteri kombëtar i shkollës sonë”, I, Buletin shkencor, organ i ILP Shkodër, nr. 1, 1979, fq. 45-57.

[10] Për bibliotekën Këlliçi, siç quhej biblioteka e Myfti Plakut, tashmë opinioni ynë është mjaft mirë i informuar. Për këtë ka një bibliografi shumë të pasur, për të kanë shkruar Filip Fishta, Bardhyli, Prof. Dr. Shefik Osmani e në mënyrë të veçantë Mësuesi i Popullit, Hamdi Bushati e Prof.Dr. Jup Kastrati. Biblioteka u shkatërrua plotësisht dy herë. Në të parën herë nga zjarri që ra në depot e municionit të Kalasë "Rozafat" në vitin 1850, shtëpia u shemb dhe u dogj bashkë në të edhe biblioteka. Prej saj tepruan vetëm tre libra. Biblioteka u rikrijua nga Jusuf Efendija dhe më vonë e plotësuan trashëgimtarët e tij. Për të dytën herë ajo pësoi dëmin më të madh nga diktatura komuniste në vitin 1967, e cila, si të gjitha bibliotekat e tjera të hoxhallarëve të nderuar u sekuestrua. Por për fat të mirë Esat Efendia pati kujdesin t'i skedojë librat dhe nipi i tij z. Mit'hat Myftia me shumë sakrifica e mundime arriti t'i shpëtojë e t'i ruajë në shtëpinë e vjetër të Myftijeve në lagjen Tabakë. Ata sot janë 1964 libra të skeduar dhe 30 të fshehur në sepete, të painventarizuar. Na vjen keq të themi se ata libra sot kanë mbetur si relike të një kohe kur Shkodra ishte vërtetë qendër kulture. Sot librat në gjuhët orientale: arabe, persiane, osmane dhe ato shqipe me alfabet arab nuk ka kush ti lexojë, përveç ndonjë studiuesi në kalim.

Shënim : Për herë të tretë kjo bibliotekë u shua plotësisht nga zjarri, i cili rrafshoi për tokë të gjithë shtëpinë e Muftisë së Tabakëve. Të gjithë librat u dogjën. Shpëtuan nën hi vetëm 10 libra së bashku me Leile shehadet (Qymen e Pejgamberit ) e cila ishte pronë shumë e vjetër e familjes dhe ruhej në një kuti argjendi. Për këtë bibliotekë pak kohë pas zjarrit kam mbajtur një bisedë televizive, kaseta ruhet ende sot. Mjafton të themi se në inventarin e kësaj biblioteke kishte libra shumë të vjetër që datojnë në vitin 722 hixhri, kishte me qindra libra të gjuhës arabe ( sintaksë e morfologji), fjalorë, enciklopedi, me qindra libra tefsirit shumë të vjetër dhe me shumë vlera, libra logjike dhe të degëve të ndryshme të diturisë dhe të kulturës. Gjithçka u shua ndoshta edhe me qëllim.

[11] 1) "Alfabet shqip" me shkronja turqishte. Litografue në Stamboll më 1861. Në faqen 32, në mes të tierash, lexohen edhe këto : "Punën shikoje, se marrohe mandej; xen me shkrue shqip” .
2)Një ribotim tjetër është ai i vitit 1869.

3) "Abetare shqip" E ndryshueme prej së parës . Dorëshkrim

Teksti nis me këto fjalë të shkrueme nga autori : "Shqiptari, me mënyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, brenda pak kohe mundet me shkrue gjuhën e vet..." .

4) "Abetare shqip", e ndryshueme prej tri të parave. Në verso të fletës së katërt lexojmë konceptin'e një letre, që i dërgon nga Stambolla djalit të vet. Duket se ky dorëshkrim asht hartue pas pak kohe që u internue në Turki, dmth rreth vitit1881.

5) "Gramatikë shqipe" (e vogël). Njohuni të përgjithshme numrin, gjininë, etj. Vepra asht e pakryeme.Dorëshkrim..

6) "Fjalor turqisht-shqip". Dorëshkrimi ruhet në Arkivin e Shtetit. Vepër e papërfundueme.

Përveç këtyne la dorëshkrim një autobiografi dhe dy ditarë, njëri i vitit 1884-1850, tjetri i vitit 1893-1895.

[12] Hafiz Ali Ulqinaku në veprën “Abetarja e gjuhës shqipe” ka pasqyruar një nivel të lartë të formimit shkencor. Ai me kompetencën e një dijetari shkel në disa shtigje të vështira dhe përgjithësisht të parrahura apo të rrahura fare pak.

Ai arrin një sukses të dukshëm në shkrimin e gjuhës shqipe me shkronjat e alfabetit të gjuhës arabe, turke-osmane ose persishte. Në këtë fushë ai dallon mirë veçoritë gjuhësore të këtij grupi gjuhësh semite dhe, përmes alfabetit të tyre, arrin të krijojë karaktere shkronjash të veçanta për të shprehur tingujt dhe veçoritë e tyre në gjuhën shqipe që është e një natyre krejt tjetër si gjuhë indoevropiane. Natyrisht në këtë fushë të vështirë edhe të tjerë kanë bërë shumë përpjekje, edhe Hafiz Aliu arriti të shkruajë e të botojë më parë Mevludin, por tek Abetarja ai ka arritje më të larta, koncepte më të qarta dhe kritere më të drejta shkencore. Mjaftojnë të gjitha pasqyrat e shkronjave të paraqitura në parathënie dhe sqarimet që ai i ka pa të arsyeshme, për të treguar qartësinë dhe saktësinë e dijeve gjuhësore të autorit.

Abetarja ishte një libër mësimor, përmes të cilit fëmijët do të përvetësonin drejt kriteret e shkrimit dhe të leximit të gjuhës shqipe dhe do të hidhnin themelet e mësimit të saj. Fëmijët shqiptarë deri në atë kohë nuk shkruanin gjuhën amtare, gjuhën shqipe, për rrethanat politike e shoqërore të kohës, por ama në të gjitha lagjet dhe në shumë fshatra kishte mejtepe (shkolla fillore) dhe shkolla të kategorive tjera më të larta ku mësohej gjuha arabe, turke-osmane dhe persishte. Shumica dërmuese e fëmijëve njihnin alfabetin arab, shumë i thjeshtë, një grafemë si për shkronjën e dorës ashtu edhe për të shtypit, si për shkronjën e madhe ashtu edhe të voglën, dinin përmendësh disa nga lutjet dhe suret e thjeshta të Kur’anit, dinin t’i lexonin dhe t’i shkruanin ato në origjinal, pra ishin të njohur me karakteret e shkronjave të alfabetit arab e një pjesë më e vogël edhe të alfabetit turko-osman dhe të gjuhës persishte. Gjuha shqipe ishte e një natyre krejt tjetër, kishte ndryshime të theksuara në shqiptimin e tingujve dhe paraqiste vështirësi serioze në paraqitjen grafike të tingujve duke u bazuar në alfabetin arab. Këtë problem tek abetarja e zgjidhi drejt Hafiz Aliu. Ai krijoi në bazë të grafisë arabe, turko-osmane dhe në ndonjë rast edhe të gjuhës persishte karaktere të veçanta shkronjash për të shprehur me shkrim tingujt e gjuhës shqipe. Autori ka krijuar 15 shkronja të veçanta për tingujt zanorë dhe bashkëtingëllorë që nuk i ka gjuha arabe. Sikurse e thekson Dr. Mehdi Polisi këto janë: ë, o, y, c, ç, ll, rr, p, x, q, gj, nj, nd, ng, zh. Në këtë mënyrë ai arrin të na hartojë një alfabet të gjuhës shqipe me grafi arabe, por për çdo tingull jep një shkronjë korresponduese. Këtë problem e ka sqaruar në mënyrë shkencore Dr. Mehdi Polisi, i cili bën krahasimin mes alfabetit të Mevludit dhe të atij të Abetares së H. Aliut duke u ndalur kryesisht në dy tri çështje: në shkrimin e zanoreve o, u, y, dhe të bashkëtingëlloreve c, ç, x ose ng, nd, dhe nj. Zgjidhjet që i ka bërë këtij problemi Hafiz Aliu në Abetare në krahasim me Mevludin, janë të drejta shkencërisht, lexuesi nuk ka asnjë arsye të ngatërrojë leximin e shkronjave në Abetare, ashtu siç mund të ngjiste tek Mevludi, kur ky problem lihej në aftësitë gjuhësore të lexuesit.

Gjuha e përdorur në formimin e rrokjeve, të fjalëve, të togjeve të fjalëve apo edhe të fjalive pasqyron një nivel mjaft të lartë shkrimi të shqipes. Jo vetëm grafia është e konsoliduar dhe shumë e qëndrueshme, por edhe përzgjedhja e fjalëve shqipe, konceptet që ngërthejnë ato, lidhjet e tyre me njëra-tjetrën dhe posaçërisht ndërtimi i fjalive është shumë i qartë, i kuptueshëm dhe u përgjigjet normave të gjuhës sonë shqipe. Gjuha e përdorur në tekst nga autori tregon një formim të lartë të tij pavarësisht nga ndikimet dialektore të pashmangshme, ndoshta edhe të vetëdijshme të bëra nga autori. Edhe në Abetare si tek Mevludi apo edhe në Fjalorët ai, Hafiz Ali Ulqinaku, ka ndikime mjaft të shpeshta të folmes së Ulqinit. Këtë e kanë vënë re me kompetencë shkencore studiuesit e mirënjohur Osman Myderrizi, tek Fjalorët, Tahir Dizdari tek Mevludi dhe së fundi Dr. Mehdi Polisi tek Abetarja.

Për këtë shih: Faik Luli, Islam Dizdari “Hafiz Ali Ulqinaku, jeta dhe veprat”, Shkup, 2005, fq. 39- 105.

[13] Faik Luli, Islam Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, Shkodër, 2001

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme