Dijetarë dhe shkencëtarë të mëdhenj, kanë vëzhguar edhe skutat më të largëta të gjithësisë dhe kanë arritur konkluzione të rëndësishme në të gjitha disiplinat shkencore, në sajë të cilave mori hov progresi teknik dhe kulturor. Zbulimi i shumë sekreteve, bëri që shumë fenomene, deri dje të panjohura, sot të jenë mëse të qarta. Zbulimi i madh shkencor solli një informacion të plotë për shoqërinë njerëzore dhe e bëri atë të aftë të kuptojë shumë të panjohura, duke i dhënë mundësi të tilla njeriut të kohës sonë, që më përpara do të dukeshin fantazi e kulluar. Sot, astronautët fluturojnë drejt trupave qiellorë dhe, udhëtimi për në Hënë, kryhet me lehtë dhe më rehat, se sa me qilimin fluturues legjendar.[1]
Mirëpo, duke u dhënë më së tepërmi pas njohurive shkencore dhe anës materiale, njeriu dalëngadalë filloi të tjetërsohet. Nga dita në ditë, materializmi filloi t’ia gërryejë njeriut shpirtin. Në shoqërinë e sotme materiale, janë lënë mënjanë të gjitha vlerat e larta humane, bile mund të thuhet se, edhe vetë vlerat morale gjykohen vetëm në këndvështrimin thjesht material. Qëllimi i vetëm u shndërrua në përfitimin e sa më shumë të mirave materiale në këtë botë. Njeriu e humbi ndjeshmërinë. Sentimenti i tij u kthye në egoizëm.
Dualizmi jetë-vdekje është fenomeni më thelbësor, i pashpjeueshëm nga njeriu dhe qëndron mbi të gjitha çështjet e tjera enigmatike. Nëse njerëzit do t’a dinin se çka në të vërtetë përtej vdekjes, bota do të ndryshonte rrënjësisht. Njerëzit nuk do të ishin kaq shkatërrues dhe hedonistë. Mirëpo, vdekja nuk është tragjedia finale e jetës. Kjo tragjedi, ndodh atëherë kur njeriu përjeton së gjalli vdekjen e tij shpirtërore. Jeta e njeriut nuk kufizohet në këto pak vite të ekzistencës së tij në këtë botë. Atij i është shpallur qartë se, ai është një qenie e përjetshme, që nuk asgjësohet me vdekjen e tij. Ai është një qenie që jeton dy jetëra, jetën e sosur të kësaj bote dhe jetën e amshueshme të botës tjetër. Me vdekjen e tij nuk merr fund çdo gjë. Njeriu është qenie materiale, por ai ka gjithashtu shpirt hyjnor. Ai ndihet i lidhur me një lidhje të përhershme me përjetësinë, madhështinë e përsosmërinë. Ai e ndien, se është një qenie që nuk mund të asgjëssohet kurrë nga vdekja, pas së cilës zë fill një tjetër epokë e re jetësore. Në Kur’an thuhet: ” E kur t’a përsos atë (njeriun) dhe t’i jap atij shpirtin që është krijesë e Imja..” (Kur’ani, 15:29).
Kur njeriu të kuptojë të vërtetën dhe natyrën e tij të vërtetë, ai s’do të ketë frikë nga vdekja. Kështu, ai do të zbulojë kënaqësinë e plotë të lumturisë së pamasë, qysh në ekzistencën e tij tokësore.
Njeriu, autor i arritjeve të suksesshme, por edhe i tragjedive të tij, ka ndërmarrë guximshëm realizimin e pavdeksisë së qenies njerëzore përmes klonimit.
Prej thellësisë së mijra e mijra shekujve, shohim ndjenjat e fosilizuara të dëshirës për përjetësi. Njeriu, nën një agresivitet, krijon kultura të pavdekshme dhe bën historinë me qëllim që t’i ikë vdekjes.
Ndërtimi i gjithë këtyre monumenteve jetëgjatë nga njerëzit, si piramida, statuja, gradaçiela etj. tregon se të pasurit dhe liderët donin të glorifikonin dhe mëshironin përjetësinë, pra t’i iknin vdekjes. Dëshirën për përjetësi, qysh në lashtësi, më së miri e dëshmojnë piramidat, të cilat ndonëse është thënë se i përkasin shekullit të 4-të para erës së re, zbulimet e fundit kanë supozuar se ato janë ndërtuar para 13 mijë vjetësh.
Gjithashtu, edhe “Epi i Gilgameshit “, vepra më e vjetër. e shkruar rreth para 4000 vjetëve dhe e zbuluar në qytetin e Ninive, në bibliotekën e Asurbanipalit, përshkohet nga ideja e përpjekjeve për t’i shpëtuar vdekjes dhe për të gjetur jetën e amëshuar.
Edhe tek “Mahabarata “, eposi i sjellë nga fiset ariane në Indinë e Lashtë, përmendet lëngu i një peme, që e zgjaste jetën deri në dhjetë mijë vjetë. Gjithashtu edhe në mitologjine greke, flitet për një ushqim, shumë herë më të ëmbël se mjalti, që quhej “ ambrozi “ dhe që falte rini të përjetshme.
Ndjenja e dashurisë dhe admirimit të tepruar për vetveten, që në kohën tonë përkon me dëshirën për klonin e vet, takohet edhe tek miti i Narcisit, biri i hyut të ujit Kefes dhe i nimfës Liriopa, i cili pasi pa fytyrën e vet të pasqyruar në ujin e një burimi, ra në ekstazë dhe i dëshpëruar, ngaqë s’mund t’a kapte këtë vetvete tjetër, lëngoi në shtrat dhe vdiq.
Tek novela e autorit Mary Shelly, më 1818, e titulluar “Frankeshtain”, shohim guximin e ‘vjedhjes’ së misterit të krijimit të njeriut, për t’a bërë atë të pavdekshëm. Mjeku Frankeshtain, pas disa eksperimentesh të ‘sofistikuara’ arriti të krijojë të parën qenie të gjallë, një monstër që u ngjallte frikë të gjitha qenieve normale njerëzore, që nuk dinte se kush ish, një qenie që s’kish as prindër, as të afërm. Por Frankeshtaini, një model modern i mitit të lashtë të Prometeut (mit, që simbolizon rebelimin e njeriut ndaj perëndive ), u ndëshkua për guximin e tij prometian prej vetë monstrës që ai krijoi, duke e paguar shumë shtrenjtë çmimin e kurajos së tij. Thelbi i mitit të Frankeshtajnit, këtij Prometeu modern, përdoret sot për të treguar se çfarë rreziqesh mund të mbartë me vete një zbulim shkencor i pakontrolluar dhe se si shkencëtarët mund të bëhen peng të papërgjegjësisë së tyre.
Të gjithë të dërguarit e Zotit, predikimet dhe metodat e tyre edukuese, i kanë filluar me ‘JO’ ose ‘Mos’. Kjo ‘JO’ apo ‘MOS’ , i porosit njerëzit që të kenë kujdes në bërjen e veprimeve të tyre, sepse njeriu përjeton pakrahasueshmërisht më shumë fatkeqsi, nga bërja e disa veprimeve prej tij, se sa nga mosbërja e tyre. Më shumë lot njerëzimi ka derdhur nga pasojat e asaj që ka bërë, se sa të asaj që s’e ka bërë. Të gjitha fetë e Zotit, gjatë gjithë historisë, që nga i dërguari i parë i Zotit, Ademi a.s. e deri te i dërguari i fundit, Muhammedi a.s., janë bazuar në ndalesat që i kanë bërë njeriut. Në dhjetë porositë kur’anore, shumica e tyre janë ndalesa. Këto ndalesa, nuk janë bërë me qëllim që t’a denigrojnë qenien njerëzore, por për kundrazi që t’a lartësojnë dinjitetin e tij dhe çojnë atë drejt përsosjes morale.
Në vitet ‘70 e këtej, filluan shenjat e para të kritikës ndaj kërkimeve shkencore. Disa studime në fushën e biologjisë dhe mjeksisë, u klasifikuan si skandale të vërteta, pasi realizuesit e tyre i kishin shkelur të gjitha rregullat etike, duke dhënë shenjat e para se si kërkimi shkencor mund të dalë jashtë kontrollit. Zbulimet fondamentale të biologjisë, u shoqëruan me një reagim dhe tronditje të shoqërisë njerëzore sidomos në planin etiko-moral.
Kërkuesit me anë të inxhinierisë gjenetike kanë futur gene të reja, duke krijuar bimë dhe kafshë transgjenike, me pretendimin se kanë pjellori më të lartë dhe janë më rezistente ndaj infeksioneve virusale. Por, përkundër euforisë së bioinxhinierëve, që japin siguri se po përmirësojnë disa parametra, shumë të tjerë mendojnë se ndërhyrja në aparatin gjenetik të bimëve dhe të kafshëve, mund ketë efekte të ndryshme, të cilat do të dëmtojnë ekzistencën e vetë llojit: “All-llahu i Madh ju ka dhënë nga të gjitha gjërat që ju duhen.” (Kur’ani, 14:34). “O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji.” (Kur’an, 2:168). “Kemi bërë që në të (tokë), të mbijnë bimë të caktuara të të gjitha llojeve…” (Kur`ani, 15:19). ” I Cili krijoi dhe përsosi. Dhe i Cili përcaktoi e orientoi”( Kur’ani, 87:2-3). Kërkuesit e fushës së biologjisë, këta guximtarë të tipit të Frankeshtajnit, synojnë të prekin dhe të ndryshojnë thelbin e jetës, ADN - në, që është bartësi i informacionit gjenetik dhe që quhet ‘libri i jetës’, pasi përmban të gjithë informacionin, që ka të bëjë me formën dhe funksionin e organizmave të gjallë. Teknika e bartjes së gjeneve bart me vete edhe riskun e rreziqeve katastrofike për njerëzimin. ” Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj…”(Kur’ani, 7:56). Mjafton një bakterie apo virus me fuqi vdekjeprurës, që mund të kishte pasoja katastrofike për njerëzimin. Bomba të tilla biologjike, do të ishin më të tmerrshme se ato atomike. Entusiazmi për zbulimin e energjisë atomike nuk zgjati shumë. Pas Hiroshimës, u kuptua se çdo të thotë të keqpërdorësh shkencën.
Ndërhyrja e pakujdeshme dhe e pakontrolluar e njeriut në tokë, bart pa dyshim rrezikun e prishjes së ekuilibrit biologjik të jetës në tokë, prandaj nuk duhet synuar pas “fitimit” imediat, por duhen peshuar humbjet perspektive. ”E kur atyre u thuhet: ‘Mos prishni rendin në tokë’! Ata thonë: ‘Ne jemi vetëm përmirësues’. Vini re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë.” (Kur’ani, 2:11-12)
Ideja e klonimit zë fill qysh në vitin 1938, por për herë të parë fjala ‘klon’ u përdor më 1963, dhe nga pikëpamja etimoligjike vjen nga greqishtja, që fjalë për fjalë do të thotë “mbirje”. Pretendohet se, bioteknologjia e klonimit të njeriut, do t’i kontribuonte ruajtjes dhe përjetësimit të elitës intelektuale njerëzore, gjë që do t`a çonte shoqërinë më shpejt përpara, gjë që përkrahet nga eugjenistët. Ithtarët e eugjenikës e shikojnë teknikën klonuese dhe inxhinierinë gjenetike si tepër favorizuese për përmirësimin e qenies njerëzore, për lindjen dhe shtimin e “mbinjerëzve”. Problemi i klonimit human, përveç pengesave teknologjike eksperimentale, po përballet fuqishëm me një sërë problemesh etike që lidhen me traditën e civilizimit të sotëm.
Njeriu është qenie biologjike dhe shoqërore dhe ai është njëkohësisht objekt dhe subjekt i marrëdhënieve shoqërore ekonomike, politike, ideologjike, filozofike, etike, juridike, të cilat janë në lidhje dhe bashkëveprim të ndërsjellë.
Neriu ka një thelb të lindur. Ai ka natyrë që është, në të njëjtën kohë, tokësore dhe qiellore. Ai ka tendenca dhe instikte të ndryshme, si dhe aftësi dhe dëshira të ndryshme. Por, ai duhet të zhvillojë thelbin e tij individual nëpërmjet përpjekjeve dhe vullnetit të tij personal. Talentet dhe prirjet e tij ofrojnë një terren, mbi të cilin atij i duhet të ndërtojë thelbin e vet dhe të vendosë se kush duhet të jetë.
Qenia njerëzore nuk është thjesht qenie biologjike, por produkt i rrethanave sociale në të cilat jeton, të cilat nuk programohen gjenetikisht. Një klon nuk mund të jetë identik me paraardhësin e tij pasi përvojat sociale, kushtet historike dhe mjedisi rrethues nuk janë identike. Ata nuk shpalosin të njëjtin personalitet, pasi janë identikë në planin biologjik, por jo në atë social.
Klonimi në mënyrë artificiale mbështetet në sukseset e bioteknologjisë.
Çdo njeri, edhe pse jo specialist i biologjisë, kur lexon literaturë mbi klonimin, krijon një njohuri të përgjithshme mbi teknikën se si realizohet klonimi. Për t’a bërë të njohur për një masë më të gjerë lexuesish, po japim shkurtimisht teknikën që mendohet se duhet të ndiqet: Për realizimin e klonimit nevojiten dy qeliza, njëra prej të cilave detyrimisht duhet të jetë qelizë vezë e pafekonduar, kurse tjetra qelizë trupore ose somatike. Qelizës vezë i hiqet bërthama, në të cilën gjendet AND-ja, që përmban informacionin gjenetik, duke e përjashtuar kështu mundësinë e transferimit të këtij informacioni tek organizmi që do të lindë nga klonimi. Qeliza tjetër donatore, që merret nga individi që dëshirojmë të klonohet, preferohet të jetë e padiferencuar. (Disa grupe qelizore, që janë të padiferencuara dhe ruajnë aftësinë që të riprogramohen quhen ‘totipotente’ dhe bërthamat e tyre janë më të lakmuara për t’u përdorur në bioteknologjinë e klonimit. Një qelizë totipotente është potencialisht e aftë të kryejë çdo lloj funksioni, kurse një qelizë e diferencuar, p.sh. nervore, muskulore, etj. kryen vetëm disa funksione të caktuara.) Prej qelizës donatore, nëpërmjet teknikave mjaft delikate merret bërthama, e cila vendoset tek qeliza femërore vezë, së cilës paraprakisht i është hequr bërthama. Kjo qelizë e përftuar është një shartesë midis qelizës vezë dhe qelizës trupore. Ajo vendoset në terren ushqyes dhe pritet që të fillojë fazat e para të zhvillimit embrional. Në një stad të caktuar të këtij zhvillimi, embrioni vendoset në mitrën e një femre, që tashmë shërben si inkubator biologjik për zhvillimin e krijesës së re deri në lindjen e saj. Kjo krijesë, është gjenetikisht e njëjtë me individin nga u morr bërthama e qelizës somatike, pra një klon i tij. Kjo teknikë u përdor nga ekipi skocez Roslin, për prodhimin e së parës dele të klonuar Dolly. Si qeliza donatore ky ekip përdori qelizat e gjirit të deles gjashtëvjeçare.
Pra shkurtimisht, sipas teknikës së klonimit, për të përftuar një embrion do të mjaftonte të transferonim tek një vezë e zhbërthamëzuar, bërthamën e një qelize me origjinë nga njeriu që do të klonohet. Më tej, bërthamat e qelizave të këtij embrioni që janë fortësisht totipotente, mund të përdoren sipas së njëjtës teknikë, për të prodhuar në laborator embrione të reja. Një pjesë e këtyre embrioneve, mund të ruhen në ngrirje të thellë dhe më pas të përdoren për të njëjtin qëllim. Kështu, do të mund të krijoheshin klonet, që janë një popullatë individësh gjenetikisht të njëjtë.
Klonimi ndryshon thelbësisht prej riprodhimit in vitro. Riprodhimi in vitro, ka të bëjë me fekondimin artificial të një veze me një spermatozoid, prodhimin e një embrioni me pak qeliza dhe vendosjen e tij në mitrën e një femre, që do shërbente si inkubator deri në lindje. Individi i lindur, që ndryshe quhet ‘bebe epruvetë’, do gëzonte karakteristikat e të dy prindërve, nga ku është marrë veza dhe spermatozoidi. Përkundrazi, individi i klonuar, gjenetikisht gëzon karakteristikat vetëm të individit që ka dhuruar qelizën somatike, pra është kopje identike e tij. Në Kur’an thuhet qartë se: ” O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre,…” (Kur’ani, 49:13); “Dhe Ai është që krijoi llojet - mashkullin dhe femrën. Nga pika e farës që hidhet.” (Kur’ani, 53:45-46). ” A nuk ka qenë ai një pikë uji që derdhet?” (Kur’ani, 75:37). ”Ne e krijuam njeriun prej një uji të bashkëdyzuar…” (Kur’ani, 76:2). Nga të gjitha këto ajete, del qartë se krijesa e quajtur ‘njeri’, është pasojë e një riprodhimi seksual, dhe personalisht e vëmë shumë në dyshim faktin se, a do të arrijë ndonjeherë shkenca të realizojë teknikën e klonimit të njeriut, por, nëse ndonjëherë do të realizohet kjo, ajo shartesë me siguri do të ishte një ’monstër’. Edhe propozimi i shkencëtarëve për të krijuar një bankë me organe të ndryshme njerëzore, për qëllime transplantimi, që do të prodhoheshin nëpërmjet teknikës së klonimit, është plotësisht i papranueshëm dhe delirant.
Klonimi njerëzor, që s’është veçse një delir i tipit narcistik, është një guxim i çmendur për të dalë jashtë ligjeve të natyrshme të ciklit jetësor dhe rrezikon ekzistencën e vetë shoqërisë njerëzore, pasi bën që të humbasë përfundimisht koncepti i prejardhjes familiare, meqë në nivelin antropologjik, nuk mund të dish më, nëse kloni është vëllai, motra, biri apo bija e origjinalit. Raportet shekullore të farefisnisë dhe familjes asgjësohen dhe bashkë me të edhe identiteti personal.
Familja është një institucion hyjnor, origjina e të cilit përkon me krijimin e njeriut dhe lloji njerëzor është rezultat i këtij institucioni. Megjithëse, ruajtja e llojit është një nga qëllimet kryesore, familja nuk është një ‘fabrikë’ për prodhimin e njerëzve, por është bazë e gjithë strukturës social-kulturore dhe një mekanizëm i mjaftueshëm për të siguruar stabilitetin social, ideologjik e kulturor të shoqërisë. “Dhe nga argumentet e Tij është se për të mirën tuaj, Ai (All-llahu) krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe ndërmjet jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” (Kur’ani, 30:21); “Gratë janë vendmjellje e juaj.” (Kur’ani, 2:223)
Optimizmi për të nesërmen e pavdekësisë së njeriut, dyzohet nga frika për humbjen përfundimtare të identitetit njerëzor, e konceptit të familjes si dhe riorganizimi i të gjithë shoqërisë mbi një bazë të re. Një specialist shprehet: ” kloni konsiderohet si një koloni alienësh pa identitet. Çfarë mund të jetë një njeri pa ekzistencën e unit? Tek një klon, uni është i thërrmuar. ” Zoti i madhërishëm thotë: “… do t’i urdhërojë (djalli) dhe ata do të shëmtojnë krijesat e Allahut. E kush e bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.” (Kur’ani, 4:119)
Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish pyesin të shqetësuar se drejt çfarë caku synon të arrijë guximi i tmerrshëm i biologëve për të prekur e për të ndryshuar thelbin e jetës, aparatin gjenetik të së gjallës. Bioteknologjia e klonimit artificial të së gjallës, sidomos klonimi i njeriut, ka ngjallur një debat të zjarrtë jo vetëm në rrethet shkencore, por edhe ato politike, filozofike, etike e sidomos fetare. Kundërshtarët e klonimit e shohin lindjen e deles Dolly, si një qenie apokaliptike, si një ndërhyrje që prish rregullin e vendosur në natyrë. Teknikat e klonimit, në aspektin fetar, konsiderohen si teknika perverse, pasi të riprodhosh teknologjikisht një qenie njerëzore, do të thotë të dhunosh dinjitetin njerëzor. Njeriu ka të drejtën e lindjes në mënyrë njerëzore dhe jo laboratorike dhe jeta duhet respektuar qysh në momentin e ngjizjes së embrionit. Islami e shenjtëron jetën njerëzore dhe e trajton tërë gjininë njerëzore si një familje dhe armiqësia kundër një antari të saj, konsiderohet armiqësi kundër tërë gjinisë njerëzore. “Kush mbyt një njeri, pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë është si t’i kishte mbytur të gjithë njerëzit.” (Kur’ani, 5:32). Përkrijimi i njerëzimit mbështetet në riprodhimin seksual, në themel të së cilit qëndron dashuria njerëzore, një ndjenjë tepër e fuqishme dhe e patjetërsueshme për njeriun. ”Ai nga lloji juaj krijoi për ju bashkëshorte edhe nga kafshët krijoi çifte, ashtu që t’ju shumojë.” (Kur’ani, 42:11); “Ne e krijuam njeriu prej një uji të bashkëdyzuar” (Kur’ani, 76:2); ”…ato (gratë) janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për to…” (Kur’ani, 2:187).
Në një anketë të bërë për të testuar sensibilitetin e publikut në lidhje me pikëpamjen fetare për klonimin, kish rezultuar se klonet janë në kundërshtim me vullnetin e Zotit. Duam të kujtojmë se çdo ndërmarrje dhe arritje njerëzore, qoftë ajo dhe e ndaluar nga aspekti islam, kryhet brenda kuadrit të vullnetit të Zotit, por njeriu, me papërgjegjësinë e vet dhe mosrespektimin e rregullave të caktuara nga Zoti, tërheq mbi vete moskënaqësinë dhe hidhërimin e Tij, pasojat e së cilës do t’i ndiej në këtë botë dhe për të cilën do të ndëshkohet në Ditën e Gjykimit. Vullneti i lirë i njeriut është bekuar me mbrojtjen dhe favorin Hyjnor, në qoftëse përpiqet dhe lëviz në drejtimin e duhur. Po të dëshirojë, Zoti mund t’i bëjë të pasukseshme të gjitha përpjekjet e njeriut. Njeriu nuk mund të zotërojë pushtet absolut, as brenda asaj kornize, që Zoti ka caktuar për të. Në mjaft raste, Ai ka bërë të dështojnë, përpjekjet e individëve e të grupeve të caktuara, përkundër çdo lloj parashikimi, duke u kujtuar atyre në këtë mënyrë, se mospërfillja e pëlqimit dhe dispozitave të të Gjithëpushtetshmit është e pafalshme. Në Kur’an thuhet: ”Një shumicë, duke mos pasur kurrfarë dije, por vetëm nga pasionet e tyre, duan t’i largojnë (njerëzit) nga e vërteta. Po Zoti yt di më së miri për ata që i shkelin dispozitat.” (Kur’an, 6:119). ”A është i njëjtë ai që iu bind Allahut dhe kërkoi kënaqësinë e Tij, si ai që tërhoqi kundër vetes hidhërim të madh nga Allahu dhe e ardhmja e tij është xhehenemi, që është përfundim shumë i keq.” (Kur’an, 3:162)
Klonimi është përpjekje e teknologjisë, që njeriu t’i rrëmbejë Zotit sekretin e krijimit, në mënyrë që njeriu të arrijë amshueshmërinë pa e shijuar vdekjen. Ndërkaq, feja na mëson se ka amshueshmëri, por deri tek ajo mund të arrihet vetëm duke e shijuar vdekjen.
Kërkuesit e fushës së biologjisë, pretendojnë t’i atribuojnë vetes cilësitë e Zotit, sipas të cilëve, njeriu i krijuar sipas imazhit të Zotit, tani e ka radhën të krijojë sipas imazhit të tij. Por, në të vërtetë, këta shkencëtarë nuk bëjnë gjë tjetër veçse operojnë dhe manipulojnë, në mënyrë perverse, me material të gatshëm gjenetik, Krijuesi absolut i të cilit është Zoti i plotfuqishëm. Zoti krijon, Zoti nuk kopjon. Zoti është Një dhe çdo herë që krijon, Ai krijon në mënyra të ndryshme. Zoti asnjëherë nuk përsërit. Përmes përpjekjeve për klonimin e qenies njerëzore, njeriu tenton të ç’shenjtërojë papërsëritshmërinë, me të cilën Krijuesi ka vulosur fytyrën e secilit prej nesh, buzëqeshjen dhe ngallëzimin që e dallon dhe e thekson veçantinë e secilit njeri. Në Kur’an thuhet: “A mos u krijuan prej kurrgjësë, apo ata vetë janë krijues?” (Kur’ani, 52:35). “I Tij është pushteti në qiej e në tokë. Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje dhe Ai ka fuqi për çdo send” (Kur’ani, 57:2). Nëse nisemi nga prizmi kur’anor, njeriu është mëkëmbësi i Zotit në sipërfaqe të tokës. Relacioni i hirearkisë ontologjike ndërmjet Zotit dhe njeriut, nuk rrjedh nga largësia në një rrafsh të njëjtë, por nga dallueshmëria e rrafsheve të ekzistencës absolute. Zoti i Lartësuar, me atributet hyjnore, i përfshin të gjitha rrafshet ekzistenciale dhe në njërin nga ato rrafshe të ekzistencës njeriut i është më i afërt se aorta.
Tentimi për të ngushtuar kufirin midis prodhimit seksual dhe atij joseksual, ka bërë që të vendosen një sërë kufizimesh legjislative, që nuk lejojnë manipulimin me embrionin e njeriut dhe aq më pak klonimin e tij.
Shumë studiues të ndërgjegjshëm, reflektuan në mënyrë kritike për t’u vënë fre studimeve të pakontrolluara dhe ndërmorrën një fushatë sensibilizuese për publikun, duke i dhënë mundësi që të debatojë dhe të jetë faktor aktiv në gjykimet për punën e shkencëtarëve. Edhe J. Watson, laureat i çmimit Nobël për zbulimin e strukturës së ADN-së, së bashku me shumë shkencëtarë të tjerë të njohur, paraqitën shqetësimin e tyre për rreziqet potenciale që i kanosen njeriut nga manipulimet e inxhinierisë gjenetike, të cilat po aq sa ofrojnë shërbime, bartin edhe rreziqe. Parashikimi i rezultateve të manipulimit gjenetik nuk është i mundur dhe ky manipulim mund të sajojë krijesa të pakontrollueshme dhe të dëmshme për vetë njeriun. J. Watson përdor një ton të prerë për përgjegjësinë e autoritetit shkencor përballë publikut të gjërë dhe hedh idenë e pjesëmarrjes së publikut, në marrjen e vendimeve për lejimin apo moslejimin e këtyre kërkimeve shkencore, që trondisin gjithë themelet e shoqërisë njerëzore, si në planin etik ashtu edhe atë praktik. Problemi i klonimit, bëri që të përfshihen në një debat të gjerë, jo vetëm qarqet shkencore morale, etike, filozofike, fetare etj. por edhe qarqet politike dhe në mjaft vende filluan projekt ligje për ndalimin e klonimit human, duke i konsideruar të paligjshme dhe duke kërkuar, që qendrat kërkimore në këtë fushë, të jenë nën kontrollin e shtetit. Në Amerikë u ngrit “Qendra Hasting”, i pari institucion, që hodhi bazat shkencore të bioetikës dhe që grumbulloi rreth vetes autoritete të fushës së drejtësisë, teologjisë etj. Në vendet e zhvilluara, u ngritën komisionet kombëtare të bioetikës, për të parë në mënyrë kritike legjislacionin e vendeve të ndryshme dhe për të hartuar një bazë të re ligjore që do të garantonte ruajtjen e dinjitetit të njeriut dhe të së drejtës së jetës. Në vitin 1997, Presidenti i SH.B.A-ve, Bill Klinton, nënshkroi dokumentin për ndalimin e klonimit dhe pohoi se nuk do të kishte asnjë financim federal në këtë drejtim. Janë hartuar një sërë deklaratash, ligjesh dhe konventash, që kërkojnë të ndërpriten ndërhyrjet arbitrare në thelbin e jetës, të shenjtërohet pacënueshmëria e trashëgimisë gjenetike dhe të merret në mbrojtje dinjiteti njerëzor. Ky debat i ka kapërcyer kufijtë e auditorve të specialistëve dhe është bërë pjesë e një debati publik që sa vjen e shtohet. Megjithatë, përkundër pengesave ligjore, në shumë laboratore punohet çdo ditë, gjë që dëshmon se kërkimet vazhdojnë.
Do t’a përfundonim me fjalët e shkencëtarit tepër të popullarizuar egjiptian, Mustafa Mahmud, që i kemi dëgjuar në një cikël dokumentar shkencor të përjavshëm para dhjetë viteve, kur ndodheshim në Egjipt, i cili pasi trajtoi temën mbi eksperimentet klonuese tek kafshët dhe tentativat që po ndërmerreshin për klonimin njerëzor, u lut dhe tha: “Dhashtë Zoti, të mos e përjetojmë atë kohë.”
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Të dhënat shkencore të këtij punimi janën xjerrë nga libri: Klonimi, Ethem Ruka, Tiranë, 1999