Fikret Karçiq
Perceptimi i ligjit fetar Islam (Sheri‘atit) në epokën bashkëkohore muslimane
Në literaturën bashkëkohore islamologjike dhe muslimane ceket se një prej problemeve kryesore teorike të Islamit modern është i lidhur për domethënien e ligjit fetar Islam (sheri'atit).[1] Pyetja është, me fjalë tjera, se a do të definohet Islami edhe më tej si "besimi dhe e drejta” (akida wa shari'a), "religjioni dhe shteti” (din wa dawla) dhe a do të jetë edhe më tej jurisprudenca (fiqh) e jo teologjia islame (kalam) manifestimi më tipik i mësimit fetar.[2]
Formulimet e theksuara kanë përcaktuar rrjedhat historike të realizimit të Islamit deri në fillim të epokës moderne në botën muslimane. Shprehimisht janë vënë në pyetje në fillim të dekadës së dytë të shekullit XX, kur brenda lëvizjes reformiste islame (islah) erdhi deri te polarizimi në krahun "ortodoks” dhe modernist. Pas kësaj, në teorinë dhe praktikën e disa shteteve dhe bashkësive muslimane domethënia dhe funksioni shoqëror i Islamit filloi të definohet, llojllojshëm që edhe drejtpëdrejt do të manifestohet në rëndësinë e disa segmenteve të mësimit Islam.
1. Islami si religjion – mënjanimi i sheri'atit nga fusha juridike apo mbajtja e tij si pjesë e trashëgimisë kulturore
Për ato qarqe të intelektualëve në vendet muslimane që zakonisht quhen shekullaristë, profanistë ose modernistë profanë Islami është religjion në kuptimin e përgjithshëm të pranuar të fjalës, fusha legjitime e manifestimt te të cilit është sfera personale përkatësisht private e individit. Theksohen vlerat morale të Islamit pormësimi i tij më nuk konsiderohet për themel të sistemit shoqëror, politik dhe juridik. Për disa shekullaristë, sheri'atin në tërësi duhet evituar nga fusha juridike dhe të ndërrohet me të drejtën të nxjerrë nga traditat lokale ose të recipuar nga kodifikimet evropiane (shembulli i Republikës Turke).
Për shekullaristët tjerë sheri'ati paraqet pjesë të trashëgimisë nacionale kulturore që mund të ruhet së paku në segmentët që mund të mbijetojnë në kushtet e ndërruara shoqërore (shembulli i lëvizjeve dhe organizatave nacionaliste arabe). Për to sheri'ati nga ligji fetar islam është bërë e drejtë nacionale.[3]
Për shekullaristët, siç është mendimtari turë Ziya Gökalp, çështjet e religjionit (diyanet) duhet të bëhen domen i ndërgjegjjes, kurse çështjet juridike (ifta) domen i kompetencave shtetërore. Ky qëndrim praktikisht është miratuar vetëm në Republikën e Turqisë. Në vendet tjera muslimane shekullarizmi kryesisht është kuptuar si zbrapsje e ligjit fetar islam nga fusha e të drejtës publike. Për këtë arsye në ato vende nuk erdhi deri te ndarja e autoriteteve religjioze dhe politike por deri te gjendja në të cilën shteti e kontrollon religjionin dhe e shfrytëzon për qëllimet vetjake. [4]
Definimi i islamit si religjion në Turqi është dashur të shërbejë si fillim i modernizimit të mësimit islam. Për këtë arsye, për herë të parë në botën muslimane, është përdorur termi "teologjik” për përcaktimin e institucioneve të larta arsimore islame (Ilahiyat Fakultesi). Mirëpo, pas 1928, udhëheqja turke ka humbur interesin politik të ndërtimit të "islamit turk” sipas shembullit të Kishës Anglikane, dhe se definimi i Ilamit si religjion është bërë objekt i interesit të bashkësive muslimane që jetojnë në vendet me popullësi muslimane shumicë dhe me modelin shekullar të raportit të autoritetit fetar dhe politik. Përvoja e deritashme dëfton që në këto vende janë të mundshme dy situata në aspekt të definimit të Islamit dhe funksionit të tij shoqëror.
Mundësia e parë: muslimanët praktikisht e pranojnë islamin ekskluzivisht si religjion, sferë private si fushë legjitime të dëftimit të tij kurse institucionet shtetërore si autoritete ekskluzive për dhënien e normave juridike obligative (p.sh. ish-Jugosllavia, ish-BRSS-a, etj). Dijetarët muslimanë në këto vende duhet t'i formësojnë dhe sistematizojnë konsekuencat teorike që rrjedhin nga ndryshimi i funksionit shoqëror të Islamit. Përpjekja inspirative në atë drejtim do të mund të paraqiste autori bashkëkohor indus Mushirul Hakk, që ka shtruar tezën se shekullarizmi, i kuptuar si ndarje të jetës së përditshme, praktike nga ndikimi i religjionit, është i papranueshëm për muslimanët, porse shteti shekullar, si autoritet, që në çështjet e religjionit nuk e favorizon asnjë bashkësi, në pajtim me mësimin e Islamit. [5]
Mundësia e dytë: Islami definohet si religjion por dispozitat e sheri'atit vlejnë për muslimanët në domenin e statusit personal si dispozita juridike të cilave sanksionin ekzekutiv ua jep shteti, i cili legjitimitetin e vet nuk e nxjerrë nga mësimi islam (p.sh. Izraeli, Filipinet etj). Gjyqet e sheri'atit në këto vende janë të integruara në sistemin e ligjislaturës shtetërore me kompetentësinë e pranuar të pushtetit botëror që ta përcaktojë domenin dhe mënyrën e punës të këtyre gjyqeve. Për shkak të kompetentësisë së pranuar të shtetit joislam në fushën e aplikimit të së drejtës islame, ligji fetar islam, vetëvetiu, as me këto vendet nuk ka mundur të paraqes faktor të destabilizimit të sistemit politik.[6]
2. Islami si bazë ideologjike e jetës publike sheri'ati si një prej burimeve të së drejtës pozitive ose si burim ekskluziv
Për pjesën e rëndësishme të intektualëve muslimanë dhe dijetarëve fetarë në vendet me popullësi shumicë muslimane (vendet muslimane), Islami paraqet fushë me rëndësi ose ideologjinë e tërësishme të kuptuar si "pikëpamje sistematike e zhvilluar mbi botën të orientuar në stimulimin dhe udhëheqjen e ndryshimit shoqëror". (W. E. Shepard).[7] ”Të kuptuarit e këtillë të Islamit, në shkallë të ndryshme dhe me zgjidhje të ndryshme pozitive, e ndajnë individët dhe grupet që në literaturë shpesh përcaktohen si tradicionalistë, modernistë islamë (modernistët fetarë) dhe revivalistë ("fundamentalistët"). Pa marrë parasysh në emërtimin jo të harmonishëm të këtyre tendencave, është me rëndësi të ceket se ka të bëjë me "orientimet ideologjike", që të shërbehem me termin W. E. Shepardit. Fjala është, pra, për orientimet e jo për ideologjitë e veçanta, që mund të dallohen madje edhe në suaza të një të njëjtit orientim, kurse janë lënë anash edhe dallimet në strukturë dhe metodë të veprimit të grupeve të cilat në aktivitetin e tyre janë udhëhequr me Islamin si ideologji, ndonëse kjo është jashtëzakonisht me rëndësi për të kuptuarit e ndodhive në botën bashkëkohore muslimane.
Edhe pse orientimet e cekuara ideologjike në realitet paraqiten si vizione të konfrontuara të zhvillimit shoqëror, për të gjitha ata është e përbashkët kjo që Islamit i japin funksionin që i kalon suazat e sferës private të individit dhe që në masën më të madhe apo më të vogël e kyqin sheri'atin në sistemin pozitiv juridik. Mirëpo, pasi që në suaza të këtyre orientimeve ideologjike edhe vetë sheri'ati definohet në mënyra të ndryshme, meqenëse zhvillimi shoqëror, politik dhe juridik i vendeve muslimane qenësisht varet nga ajo se cili orientim do të dominojë.
Tradicionalizmi paraqet orientimin sipas të cilit Islami përkufizohet si "besim dhe e drejtë” por pranohen ndryshimet historike të funksionit të tij shoqëror dhe vëllimit të vlefshmërisë së ligjit fetar islam. Pranohet dualiteti i formësuar historik i normave dhe institucioneve religjioze dhe shekullare në shoqëritë muslimane dhe supremacioni faktik i institucioneve botërore. Për pjesën më të madhe të ulemasë, e cila në vendet sunite muslimane përbën boshtin kryesor të tradicionalizmit, garancion i mjaftueshëm i manifestimit të Islamit në jetën publike është pranimi i statusit të religjionit shtetëror ose i religjionit të shefit të shtetit, respektimi i simboleve dhe karakteristikave fetare dhe vlefshmëria e sheri'atit në çështjet statusore të muslimanëve.
Në krahasim me orientimet tjera idologjike, Islami te tradicionalistët më së paku kuptohet si ideologji, d.m.th. mungon "elaborimi i vetëdijshëm dhe sistematik i doktrinës sociale". (Kur tradicionalistët e bëjnë një hap në atë drejtim, në literaturë karakterizohen si neotradicionalistë).
Modernizimi islam paraqet orientimin ideologjik të cilën e karakterizon ndërmarrja e angazhimit të artikuluar dhe të vetëdijshëm që me termat e mendimit modern rishtazi të formulohen vlerat dhe parimet islame, përkatësisht që mendimi modern dhe institucionet bashkëkohore të integrohen me Islamin.[8] Modernistët konsiderojnë se mësimi islam në mënyrë të këtillë i reformuluar mund të jetë themel adekuat ideologjik për jetën publike në vendet muslimane, kurse e drejta e reformuar e sheri'atit mund të bëhet bazë ose pjesë me rëndësi e sistemit juridik pozitiv.
Modernistët pranojnë prejardhjen hyjnore të sheri'atit por theksojnë se caku i tij është mirëqenia e njeriut dhe se me rastin e komentimit dhe aplikimit të sheri'atit ky cak duhet të pranohet. Për këtë shkak e ridefinojnë sheri'atin me konceptet dhe me terminologjinë e mendimit juridik dhe politik perëndimor (demokracia, liria, barazia, toleranca, drejtësia shoqërore, mirëqenia etj.). Sheri'ati, për ata, më nuk i paraprinë shtetit por pushteti shtetëror është i autorizuar ta kodifikojë të drejtën e sheri'atit, ta përcaktojë vëllimin e tij të vlefshmërisë dhe mënyrën e aplikimit. Vetë pushteti shtetëror nxjerr legjitimitetin nga parimi i sovranitetit popullor, qoftë të shënuar si de facto, për dallim nga sovraniteti i Zotit de jure‚ (sikurse në rastin e kushtetutës moderniste pakistaneze të vitit 1956).
Për modernistët islamikë, sheri'ati është një prej sistemeve të mëdha juridike botërore, i rezultuar nga burimet kryesore të mësimit islamik, fetarisht relevant për muslimanët, i përshtatshëm për nevojat e jetës bashkëkohore për shkak të posedimit të pasurisë vetjake të komentimeve krahasuese juridike. Me vetë këtë, dhe nga arsyeja e domethënies praktike të sheri'atit për popullatën e shumtë muslimane në botë, parimet e sheri'atit duhet që të afirmohen si një prej burimeve të së drejtës ndërkombëtare (neni 38, pika 1 të Statutit të Gjyqit Ndërkombëtar në Hag i pranon "parimet e përgjithshme të së drejtës, të njohura nga popujt e civilizuar").
Revializimi, islamizmi radikal apo "fundamentalizmi", paraqet atë orientimin ideologjik në botën bashkëkohore muslimane, e cila bënë përpjekje të veçanta ta ndërtojë ideologjinë e tërësishme të nxjerrë nga burimet kryesore të mësimit islam dhe të historisë së hershme muslimane. Insistohet në atë që Islami të përfshijë të gjitha aspektet e jetës dhe se më së shpeshti definohet si "sistem", kurse theksohet autenticiteti dhe destinktiviteti i normave dhe insistucioneve islame. Për këtë shkak, e jo për shkak të fleksibilitetit, siç e bëjnë këtë modernistët, revivalistët kërkojnë mënjanimin e shtresimeve historike nga komentimi dhe praktika islame. Përvojës së bashkësisë së hershme muslimane në Medinë i japin karakter normativ dhe e konsiderojnë model, e jo shembull historik, të sendërtimit të Islamit. Për këtë arsye Islamin e definojnë si "religjion dhe shtet” kurse përpjekjet e tyre kryesisht i orientojnë drejt konstituimit të parashtrimeve për këtë rregullim.
Termi sheri'at në punimet e autorëve të këtij orientimi përdoret në dy domethënie: si koncept ideologjik (sinonim për islamin i kuptuar si sistem i tërësishëm i jetës) dhe si koncept juridik (pjesa e pandryshueshme e ligjit fetar islam). Si koncept ideologjik, sheri'ati duhet të paraqesë bazën e jetës publike dhe private në vendet muslimane, kurse si koncept juridik duhet të bëhet burimi i vetëm material i të drejtës pozitive në vendet muslimane. Vendet e tilla atëherë mund të quhen "shtete islame".
Sipas pikëpamjeve të revivalistëve, Islami ka përjetuar shkallën më të madhe të ideologjizimit, kurse veprimi i grupeve dhe organizatave revivaliste ka fituar karakter të aktivizmit profan. Për dallim prej modernistëve, që në mësimin islam përpiqen të identifikojnë dhe afirmojnë vlerat universale (vlerat që ekzistonë edhe në kulturat tjera), revivalistët përpiqen t'i zbulojnë dhe ringjallin atë që e konsiderojnë “Islam të mirëfilltë” dhe modelin obligativ për sendërtimin e Islamit sërish të konstituojnë me anë të entuziazmit, dinamizmit, sakrifikimit dhe, evendutalisht, mesianizmit.[9]
* * *
Në botën bashkëkohore muslimane, me përjashtim të grupeve muslimane në vendet me popullatë shumice jomuslimane (i a.q. islami periferik), ndikimin kryesor e kanë orientimet, të cilat Islamit i japin funksionin shoqëror që kalon definimin e rëndomtë të religjiozes. Në rrethanat e këtilla për rrjedhën e ndodhive në vendet muslimane dhe për bashkësinë ndërkombëtare, pjesë të pandashme të së cilës paraqesin ato vende, shumë më me rëndësi është pyetja çfarë kuptimi do të fitojnë segmentet e mësimit islam në projektet e orientimeve ideologjike se sa përkujtimi i pastër në kufijt e religjiozes. Në shembullin e sheri'atit, që në këtë kontekst kuptohet si mënyrë e realizimit të përditshëm të fesë, domethënë se esenciale do të jetë pyetja se çfarë funksioni shoqëror do të fitojë ligji fetar islam. Meqenëse sheri'ati është përpunuar si sistem ideal, teorik, ai në vete përmban elemente që mund të kenë konsekuenca të ndryshme shoqërore, kulturore dhe politike. Varësisht nga ajo se cili orientim ideologjik do të dominojë, ligji fetar islam mund të jetë në funksion të modernizimit shoqëror, të demokratizimit të sistemit politik dhe juridik dhe çiltërisë për kulturat tjera ose do të shfrytëzohet për nxitjen e procesece retrograde, të dogmatizmit, totalitarizmit politik dhe të vetëmjaftueshmërisë kulturore.[10]
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Ervin I. I. Rosenthal, Islam in the Modern National State, Cambridge University Press, 1965, fq. XI.
[2] Krh. Joseph Schacht, Islamic Religores Law, në: "The Legacy of Islam", Oxford University Press, 1979, fq. 392.
[3] Majid Khadduri, From Religjions in National Law, në "Middle East World Center", ed. Ruth Nanda Anshen, Ne÷ York, 1956, fq. 220-234.
[4] William E. Shepard, Islam and Ideology - Towards a Typology, IJMES, 19 (1987), fq. 310.
[5] "Islam in Transition", ed. John J. Donahue John L. Esposito, Oxford, 1982, fq. 177.
[6] Dekreti presidencial i Filipineve nr. 1083/197· i njohursi Kodi i të Drejtës Personale Muslimane në nenin 6 përcakton se në rast të çfarëdo konflikti në mesin e shkollave ortodokse muslimane aplikohet ai komentim që është në pajtim me Kushtetutën e Filipineve, atë ligj, rregullimin publik, politikën dhe interesin. (Datu Michael O. Mastura, The Adminstration of Muslim Personal Laws in a Muslim Minority Country, "Syariah Law Journal", Novembar, 1984 (Kuala Lumpur), fq. 3.
[7] W.E. Shepard, op. cit., fq. 128, shënimi 7.
[8] Fazlur Rahman, Duh islama, Beograd, 1987, fq. 306.
[9] Abul A'la al-Maududi, Islamic Law and Constitution, Lahore, 1969.
[10] Krh. L. R. Sjukijajnen, Musul’manskoe pravo, Moskva, 1986, fq. 111.