
Studiuesi frytdhënës në fushë të gjuhësisë - letërsisë së “traditës” shqiptare katolike, prof.dr. Engjëll Sejdaj doli para lexuesve të Bujkut - Rilindjes, me fejtonin Etnonimi arbëresh - shqiptar, me interes për mendimin shkencor e shoqëror aktual. Shkrimin e karakterizon një frymë polemizuese ndaj rezultateve kërkimore të disa studjuesve, me emër e anonim, të cilët kanë lënë gjurmë këtu e shtatë vjet më herët në lëmenjtë dhe çështjet, që i ka rimarrë në shqyrtim prof. Engjëlli.
Qëllimi, përfundimet dhe propozimet krejt origjinale bëjnë që ky fejton të përcillet së paku me një vështrim kritik konstruktiv.
Lexuesit dhe studjuesit nuk e kanë vështirë të konstatojnë se prof. Engjëlli për këtë shkrim, është mbështetur në një literaturë të seleksionuar dhe ka pasur për qëllim parësor të tund pozitën etnike dhe historike të emrit kombëtar për popullin dhe për vend - shqiptar Shqipëri, të mishëruar pandashëm në qenien, kulturën dhe jetën politike kombëtare e ndërkombëtare shqiptare, për tu hapur rrugën e për tu nxjerrë mundësi etnonimi arbëresh dhe toponimin Arbëri, me ndihmë të katoliçizmit dhe të rrjedhave demokratike mbi etnonimin shqiptar e toponiminë Shqipëri, të cilët i sheh si antitrup aziatik e islam në jetën e kombit “shqiptar” (thonjëzat janë të prof. Engjëllit) e madje pengesë për shkrirjen e kulturës “shqiptare” në “kulturen evropiane” në krishtërim?
Shkrimi i prof. Engjellit vetëm deklarativisht është trajtim linguistik i çështjes. Ky është një shkrim për dy fetë, për dy dogmat fetare- të krishterë e Islame, është një si apologji me mesazhe që prekin thellësisht qenien e dy shenjtërive më të mëdha të kombit shqiptar të emrit kombëtar për popull e për vend dhe të kozmosit fetar shqiptar të krijuar me shekuj, si kusht kryesor për fenomenin e tolerancës fetare shiptare brendashqiptare dhe gjithënjerëzore.
Etnonimet arbrëreshe e shqiptar-degë të një trungu!
Këmbëngulësia e prof. Engjëllit për të treguar etnonimin arbëresh më të “vjetër” më “evropianë” dhe më të “përgjthshëm” se etnonimi shqiptar, është e sforcuar dhe nuk mun dtë qëndrojë edhe para literaturës që e ka përdorë prof.Engjëlli: Falmarajer, Ksilandër, Tunman, Maj, Majer, Lambere etj, e aq më pak para asaj shqiptare, madje duke filluar nga “Letërsia e traditës” deri te studiuesit e historisë të gjuhësisë dhe të kulturës shqioptare: Buda, Myderrizi, Shuteriqi, Ismaili, Mansaka, e anonimet me të cilët fërkohet fuqishëm.
Konstatimi shumë arbitrar i prof.engjëllit se etnonimi shqiptar është “më i ri, në përdorimin e tij (se sa etnonimi arbëresh) më i kufizuar dhe mbase i imponuar artificialisht (16.01.1996) është në kundërshtim të pjesërishëm ose të plotë me rezultatet dhe përfundimet shkencore të të gjithë studiuesve, të cilët u përmenden më lartë. Shkrimi i prof. Engjëllit është sfidë për studiuesit “anonimë”, me të cilët ai nuk pajtohet, por nuk ua zuri emrin dot!?!
Meqë këtu nuk ka mundësi të ndalemi gjërësisht në dokumentimin e plotë të konstatimeve të mësipërme, lexuesve dhe studiuesve të këtij vështrimi ua referoj studimin: Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, Prishtinë, 1989, fq.27-114. aty do t’i gjeni të gjitha të dhënat që i “konteston” prof.Engjëlli. nuk do ta gjeni vetëm K.Majin, letrar proserb. Mendimi i prof.Engjëllit, me emrin kombëtar i popullit dhe rrjedhimisht edhe emti i vendit - shqiptar Shqipëri janë të “imponuara artificialisht”(!?!) nuk mund të gjendet në asnjë burim të shkruar dhe as në kujtesën historike shqiptare a të huaj. Dihet treva e Arbanonit të Ptolemeut, areali i Arbërisë së Anonimit të Gorkas, e i Arbërisë mesjetare të Shufllayt. Kërkimi i Albanisë (Arbërisë) të shekujve XII-XV jashtë arealit të Principatës së Arbenit dhe të Shtetit të Skënderbeut është jashtë kuadrit historik mesjetar, pa mbulesë historiografike, sikurse edhe konstatimi se etnonimi arbëresh është i përgjithshëm për të gjithë shqipfolësit “qysh në Shek.XI” mbase “edhe disa shekuj më parë për të qenë i shënuar në Shek.XI” (20.1.1996).
etnonimi arbëresh në asnjë kohë të historisë shqiptare nuk i ka mbuluar emrat etnikë të popullsive ilire-shqiptare mesjetare: epiriot, dardan, maqedon etj. “Vendi dhe populli i copëtuar në disa perandori e principata dhe në disa fè, në mesjetë, nuk mund të mbante emër të njëjtë për popull dhe për vend”, kam konstatuar këtu e dhjetë vjet më herët. Ndërkaq, në fille të Kohës së re, në literaturën e Humanizmit dhe të Renesancës në gjuhë të huaja i gjejmë disa përpjekje për t’i shënuar gjith shqipfolsit me konceptet: epiriot, maqedon, alban etj., sinonim të njërit për tjetrin. Kjo sikur flet se aso kohe ishte në përdorim të brendshëm, popullor, një emër i përgjithshëm dhe mbase emri shqiptar. Për këtë sikur dëshmon edhe fakti se nga se nga fillet e përhapjes së Islamit ndër shqiptarët, që përputhet me fillet e e Kohës së re, me një ngadhënjim të plotë në periudhën e Humanizmit, Renesancës, për emër të popullit dhe të vendit në jetën kombëtare, janë emri shqiptar dhe toponimi Shqipëri. Realisht, të gjitha burimet që e përmendim etnonimin arbër, etnonimin shqiptar e paraqesin si emërtim popullor dhe së paku moshatar me etnonimin arbër, e kurrsesi më të ri se sa ndarja e krishtërimit në ortodoksë e katolikë. Paraqitja e katoliçizmit institucional në tokat shqiptare të Tivarit - Ulqinit - Lezhë drejt Arbanonit antik, aty rreth vitit 1100, i dha frymë distancimit të kombësisë së arbërit në gjirin e bashkësisë - kombësisë kishtare bizantine romaios. Ndërkaq, për djep të etnonimit shqiptar është fiksuar treva shqipfolëse, ku është formuar gjuha shqipe sistad modern i ilirishtes, siç do të thoshte Katiçiq dhe populli shqiptar historik - viset e Dardanisë dhe Peonisë, të cilat do t’i mbulojë Vilajeti i Kosovës i viteve 1876-1912. Ky konstatim gjenë mbështetje të pjesërishme ose të plotë që nga Buzuku, Pali i Hasit, Budi, Bardhi, Ndre, Lukë e Pjetër Bogdani, Zmajeviqi, Frakulla, Tunmani, Kamberi, Dobraci, Pata, Pukëvil, Vellarai, Holland, Bajron, Hobhouse, Grisebach, Gruber, Momser, Rask, Balbi, A. Bue, Xylaner, Saxi, B. Barej, Milojeviq, Hahn, Falmerajer, Gjurgjeviq, Stankoviq, E. Reclus, Elezoviq, Giberz, E. Lir, J. Vreto, P. Vasa, N.dhe S. Frashëri, D. K. Jovanoviq, Vukiçeviq, Kamarda, Durham, Nushiq, Eliot, Hamler, Zhupaniq, Viliams, E. Filippo, Stadmuller, Lambere, Truhelka, Bariq, Jokli, S. Pribiçeviq, Sirdani, Buda, Çabej, Shuteriq, Myderrizi etj.
Konstatimi i profesor Engjëllit se “emërtimi shqiptar ishte disi i huaj për të gjitha shtresat popullore” (29.1.1996), pa asnjë mbështetje, bie ndesh me rezultatet dhe përfundimet e të gjithë studiuesve të përmendur më sipër, por edhe të një dyzine të tjerësh: etnografë, folkloristë, historianë të letërsisë, publicistë, të huaj e shqiptarë (Gjerësisht, M. Pirraku, Kultura Kombëtare (...), e cituar; Shkaqet e kalimit në Islam të shqiptarëve, Përparimi, 2!1991; Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët, Prishtinë, 1995).
Filologu prof. Engjëlli, duke polemizuar me studiues që nuk ua përmend emrin dot(!?!), lanson insituata idiomatike ideologjike për keqardhje: “Ata që përpiqen ta paraqesin trajtën shqiptar të vjetër që nga antika, duke margjinalizuar trajtën arbër, nuk i kanë parasysh rrjedhat e zhvillimit historik të këtij emërtimi, e as të zhvillimit të kulturës shqiptare, përgjithësisht (...) dhe çfarëdo përpjekje për ta paraqitur më të vjetër apo për ta relativizuar çështjen e emërtimit Arbëresh bie në kundërshtim me ndriçimin e zhvillimit të kulturës shqiptare dhe të autoktonisë së popullit në trojet e tij që kuptohet në historiografi përmes etnonimit arbën/arbër” (29.1.1996)!?!
Çdo përpjekje shkencore ngrihet mbi qëllimin paraprak të autorit. Unë, si njëri ndër sintetizuesit më këmbëngulës të të dhënave burimore dhe historiografike për emrin kombëtar të popullit e të vendit gjatë shekujve, jam nisur nga një qëllim parësor: Qe duke e ndriçuar shkencërisht vendformimin e popullit shqiptar historik, së këndejmi edhe të emrit të popullit edhe të emrit të vendit: shqiptar dhe Shqipëri, nuk kam pasur arsye të dyshoj në sinqeritetin e albanologëve të huaj dhe as në patriotizmin e të gjithë rilindësve tanë dhe të albanologëve shqiptarë të lauruar me pranimet më të larta shkencore, e të cilët i kam pasur për udhëheqës e mësues, direkt ose indirekt, në hulumtimet dhe në paraqitjen e rezultateve të hulumtimeve.
Nuk kam pasur arsye të dyshoj, midis të tjerave, në konstatimin burrëror të H. Bariqit se “Atdheu ballkanik i popullit shqiptar duhet të jetë Dardanija - Peonija”, as në konstatimin e N. Joklit madhor se vendformimi i shqiptarëve dhe i shqipes ishte “në pjesën veriperëndimore të zonës së vjetër ilirjane në Gadishullin Ballkanik, ku gjuha thrakase ka qenë në kontakt me ilirishten”, e aq më pak dyshoj dhe të mos e përfilli, fuqimisht, konstatimin e drejtë të G. Elezoviqit se, “Arbanasët në viset tona (brenda shtetit jugosllav versajas - M. P.) jo vetëm në perëndim të Malit Sharr dhe të Karadakut të Shkupit, por edhe në vendet e tjera ku ka syresh (në Jugosllavi - M. P. )veten e quajnë Shqiptar (Shkiptar), vendin ku jetojnë arbanasit dhe në të clat flitet shqip: Shqipni (Shkipni)”, por as të më nevrikos konstatimi i tij, plotësim dhe shpjegim për mendimin e sipërthënë, se “Ato trajta të dyfishta (arbër dhe shqiptar) mund të jenë vetëm argumente se ato fjalë në shekuj XV, XVI e XVII ende nuk kishin depërtuar deri në vendet shqiptare nga të cilat ishin shpërngulur arbëreshët e sotëm të italisë, por që këta dy emra (shqiptar dhe arbëresh), secili në vendin e vet, kanë mund të jetojnë, që në kohë të moçme, askush nuk mund t’i hedhë në bazë”. Pse të më iritonte konstatimi i Katiçiqit, siç u përmend, se shqipja është një stand modern i ilirishtës, e formuar në trevën ilirofone midis pikave: Sharr- Shkup- Nish- Lim. Pra në Dardani - Kosovë?!
Shtrohet pyetja: Aka dëshmi më të mira nga këto se Kosova në mesjetë nuk ishte “Stara Srbija”, porse ishte Piemonti i Shqipërisë Etnike të Kohës së re. Zhvillimi i të gjitha lëvizjeve kulturore e politike të mëvonshme sikur i vijnë përshtati kësaj teze. Edhe “Letërsia e traditës” edhe ajo e “Bejtaxhinjëve” e kanë djepin këtu. Të gjitha thyerjet fetare universale kanë filluar në Kosovë. Sakrificat mbinjerëzore për Lirinë e Shqipërisë i kanë heronjtë në Kosovë. Nuk është kjo rastësi.
Konstatimi shkencor i Tunmanit, i mbështetur në Xhehanin se “Zelbest nennen sich die Albaner Schkiparars, aber sie ëissen den usprung dieser Benennung nicht” (Albanet veten e quajnë Shqiptar, por ata nuk e dinë origjinën e këtij emri), të cilin e përfilli Ksilandri, nuk mund të komentohet se ata dy, Tunman e Ksilandër “etnonimim shqiptar dhe përdorimin e tij, me të drejtë, do ta kosiderojnë të dyshimtë dhe të vonshëm” (29.1.1996). Tunman shkroi se “Në kihë më të vjetra emri Albaner shënonte vetëm një popullatë të vogël që i kishte vendbanimet në Maqedoninë ilire, ndërmjet Drinit e Siominit (Semanit - M. P.)”, se “emri Albanon, Arbanon qe nga shek. Xii shënonte vetëm një krahinë të vogël malore dhe se, në të vërtetë, ky term nuk mbuloi kurrë të gjitha viset e banuara me shqiptarë”. Pasi konstatonte se shqipfolësit “e quajnë veten shqiptar”, theksonte se “pas gjithë gjasës edhe ky emër do të ketë qënë po ashtu pak i përgjithshëm, siç qe emri i Albanëve”, por tashti “populli vetë e përbuzë këtë emër (Arben, arbër - M. P.) dhe nuk do të emërohet me të” - ka konstatuar edhe O. Myderrizi.
Së këndejmi, konstatimi i prof. Engjëllit se “nuk mund të flitet për dy emërtime” - arbër e shqiptar në mesjetë, dhe se emri mbi bazën arb, alb “është i vetmi emër i popullit, i njëjtë për vendës e të huaj për shumë shekuj, kurse emri shqiptar është shumë i ri” dhe se “te shqiptarët, deri vonë, në përdorimin e brendshëm dhe të jashtëm (...) është përdorur kryesisht etnonimi arbën dhe toponimi Arbëni” (29.1.1996), nuk mund të mbështetet në Tunmanin, Ksilandrin dhe në asnjë burim relevant. Edhe E. Reclus, që mbështetet pa qëndrimkritik në pseudoshkencën cvijiçijane do të thekson se “Albanenses e quajnë veten Shkiptarë”, dhe vëndin Shkipëri, kurse G. F. Ëilliams do të konstatojë se “Avlanon ishte një pjesë e vogël e kësaj toke (e Shkipërisë - M. P. ), prej të cilës ata që e shkelën Shqipnin krijuan emnin Albania në XI-tin shekull. Emni i vërtetë i kësaj toke ashtë Shqipni dhe populli shqiptar”. Kurse E. Philippo do të konstatojë, kategorikisht: “Shqiptarët s’e kanë quajtur kurrë vehten e tyre me ndonjë emër tjetër veçse me shqiptarë”, e G. Stadmuller vinte në spikamë se shqiptarët kurrë nuk e kanë quajtur veten Alban dhe me emrat nga kjo bazë, “por ata kështu i quajtën historianët grek sipas krahinës Albanon”.
Nuk është toleruese, së paku shkencërisht, të pretendohet në polemikë pa e zënë emrin e bartësit të tezave e të përfundimeve që u sfidonë: “Nuk kuptohet as qëllimi në pohimin se “sikur shqipja” është gjuhë e popullit, gjuhë e vendit para arbërishtes”, sikur të ishin këto dy gjuhë të ndryshme apo sikur të bënin gara këto dy gjuhë, së paku në emërtimin e tyre”. Insinuata sa vjen e trashet në konkluzion tjetër se “një qëndrim të kundërt se gjoja diçka më e vjetër se arbërishtja ishte gjuha që quhet shqipe, megjithatë mund ta gjejmë në historiografinë shqiptare, si në qëndrim të paargumentuar mirë, por që mund të aktualizojë çeshtjen tonë(...) Çeshtja është aktuale, pse në këtë mënyrë ka ndodhur ndonjë përpjekje që të ndërpritet komuniteti kulturor dhe etnografik shqiptar prej albanëve (antikë) të Prolemeut deri më sot” (29.1.1996)!!!? Studiuesit që janë marrë me historinë e kulturës kombëtare shqiptare nuk kanë vështirë të konstatojnë se me emrin kombëtar për populldhe për vend janë marrë më gjërësisht dhe me thellësi jo vetëm se sa prof Engjëlli dhe se jam njëri ndër ata që është marrë me studimin kompleks të formimit të kombësisë dhe të kombit shqiptar, gjithsesi i hyrë në “garë” me shkencën antishqiptare. Dhe, garën për emrin kombëtar arbëresh apo shqiptar pata fatin ta njeh vetëm në shkrimin e prof. Engjëllit !?!. Nuk kam hasur as në studiues, të cilët duke marrë për ndriçim emrin kombëtar të shqiptarëve të kenë “synuar shkatërrimin apo ndalimin” e proçesit të “konsiludimit” të bashkësisë etnike arbreshe në “kombësi” (29..1996). të gjithë studiuesit e kësaj problematike janë marrë me ndriçimin e prceseve të përfunduara në mugëtirë, ndaj ka qenë e pamundur të ndikonin në zhvillimet paradisashekullore.
Realisht, se emri shqip i gjuhës, se emri shqiptar i popullit dhe se emri i Shqipërisë për vendin në mesjetën e vonë kanë qenë “njësi etnokulturore” të veçanta në trojet e Dardanisë antike - Kosova historike, të “shkëputura nga njësia e Arbenit dhe e Arbenishtës” (29.1.1996)- këto nuk mund të mohohen me argumente. Se emri shqip për gjuhën, se emri shqiptar për popullin dhe se emri Shqipëri për vendin, në rrjedha të integrimit të gjymtyrëve të kombit shqiptar, themi kuptimisht nga vitet ‘70-ta të shekullit XV deri në vitet 70-ta yë shekullit XVIII, u përhapen, u përgjithësuan dhe u pranuan për emra kombëtar të gjuhës, të popullit dhe të Atdheut nga të gjithë viset dhe fiset ilirofone shqipfolëse, pa marrë parasysh përkatësinë fetare dhe dialektore dhe pa asnjë shtytje nga faktori kulturor, ekonomik, politik, dhe shtetëror i jashtëm - në këtë nuk mund të dyshohet në bazë, me mbështetje shkencore. Transparent me emrin shqiptar (shqip, Shqipëri) për përdorim të brendshëm, kombëtar, u shtri dhe u përfill pa hzitim në përdorim të jashtëm emri nga baza lbanoi, Arbanon ptolemejo-bizantin. Së këndejmi etnonimet arbëresh e shqiptar janë degë të një trungu-ilir. Janë dy shenjtëri kombëtare me të drejtën etnike dhe historike të pacënueshme, secila për vendin e vet historik.
emri shqiptar nuk i aziatizoi shqiptarët
fenomen kulturor është fakti i pranuar prej të gjithë doajenëve të albanologjisë, se emri i ri, i përgjithshëm(për gjuhën, për popullin dhe për vendin-Atdheun), u zbulua me depërtimin paqësor të Islamit, me të cilin fillimisht u shënua diferencimi i plotë midis shqiptarëve pjestarë të komunitetit kishtar ortodoks serb, bullgar e grek në tokat shqiptare. Këtë fakt e pranon, tërthorazi, edhe prof Engjëlli, por me dozën e një mllefi që Islami vahdimisht e fuqimisht e kujton si një dhunë aziatike - turke mbi shqiptarët, kurse në përvetësimin e emrit shqiptar sheh një “ vetëdije të imponuar nga pushtuesi”!?! Shkon, madje, aq larg sa të konstatojë pa asnjë mbështetje së paku në kuadrin historik të zhvillimeve etnike, kulturore, politike e shtetërore mesjetare se , “deri vonë” emërtimi shqiptar “do të ketë qenë sporadik dhe shumë i rralë” edhe në periudhën e islamizmit masiv të shqiptarëve (shek.XVI-XVII), ngase “shqiptarët e islamizuar quheshin turq nga të tjerët, sepse (me krenari) turq e quanin veten. Ja si shprehet Sheh Mala (1865-1928), njeri prej poetëve bejtexhinj të fundit “A po ngoni turk e vlla...”, kur shhihet qartë se për masën shqiptare të islamizur përdoret emri turk, jo shqiptar, ngase më e rëndësishmjaishte të mos jetë arnaut (arbëresh), por turq për t’i gëzuar të drejtat qytetare, të cilat, siç dihet, të krishterët (dhe hebrenjtë) si qytetarë të rendit të dytë, kurrë nuk i gëzonin” (30.1.1996).
Paragjykimet e paragjykimeve !?!
Shqiptarët myslimanë po ta kishin quajtur veten e tyre “turq” që nga fillimi i islamizmit (shek.XIV) deri në kohën e Sheh Malës (1928), ata as nuk do ta flisnin shqipen dhe as nuk do ta krijonin një trashëgimi kulturore etnike me emrin shqiptar, kurrë më nuk do të quheshin shqiptar. Por, e vërtet është tjetër. Duke e pranuar Islamin, siò do të thoshte A.Buda, “dora - dorës” e përgjithësuan
“një emër gjithashtu me rrënjë të vjetër shqiptar me të cilin kjo kombësi e ka dalluar vetëm nga pushtuesi”.
Shkencërisht është e ndriçuar se “të tjerët”- evropianët dhe kisha katolike evropiane me konceptin turk sigmatizonin emrin e fesë islame. Me këtë kuptim e përdori Budi, Buzuku, Bardhi, Bogdanët. Ishte imponim nga jashtë siç ishte emri Serbi për Kosovën gjatë tërë shekullit të kombësisë (XI-XVIII), por edhe më vonë, me pasoja për ardhmërinë e tërësisë së Shqipërisë Etnike.
Në anën tjetër, okupatori osman qysh më 1389 e ka pasur të qartë se Sulltan Murati I, i mbeti në tokën e shqiptarëve, sëkëndejmi Kosovën e quajti Arnautllëk (Shqipëri, e kurrë më Serbi, të vjetër as të re) “Rasa e shqiptarëve është rasa ime e ndritshme (Të parët e mi kanë qenë princa të Dukagjinit) E gjithë familja ime jeton nga shpata” - e informonte opinionin letrar osman poeti madhor, Jahja be Dukagjini, në shek XV.
Nocioni turk deri në gjysmën e shek. XVIII, kur filloi nacionalizmi turk, shenonte vetëm turkofonët në bashkësinë shtetërore osmane, në miletin osman, ku bënin pjesë dhjetëra popuj me gjuhë dhe kultura të ndryshme. Në gjirin e kësaj bashkësie kulturore heterogjene do të ngritet “emri i ri shqiptar, i cili u adaptua si emër nacional, i mbështetur në gjuhën, njera nga shtyllat e kombësisë” - siç o të konstatojë Myderrizi.
Dhe, është anakronike të shkruash për ndryshimin e emrit arbër në shqiptar që ndodhi deri në fund të shek. XVII dhe të thirrësh në një poet, në Sheh Malën, që shkroi në rrethana të burgut shtëpiak nën pushtimin e egër serb-jugosllav.
Të fyhet aq rëndë një personalitet q i ndritshëm, siç ishte Sheh Mala, këtë mund ta bëjë vetëm çmenduria e shtypit tonë “demokrat” !? Mjerë profesor Mark Krasniqi që e zbuloi dhe që ma kalli dashurionë ndaj Malës, për t’ja pasqyruar veprën më plotësisht !? “Fjala turk, për poetin dhe masat populloreshqiptare në kohën e tij, tregonte shqiptarin e besimit islam. Tek e fundit ilahija-poezia ishte vepër dhe shprehje publike dhe në të nuk mun dtë përmendej nocioni shqiptar i ndaluar nga qeveria” - kam konstatuar me rastin e botimit të poezisë: “A po ngoni turk e vlla” (Gjurmime albanologjike - SSHF IX - 1979, Prishtinë, 1980, fq.230 in 56) Prof Engjëlli, megjithëse, ndalet dhe e përvetëson një mendim të një letrri, që krejt rastsisht ka shkelur në histori të letërsisë, në H.Salihun, konstatimet e të cilit, së paku një herë e mirë, ju shtruan kritikës shkencore (shih. Dr.Muhamet Pirraku, Nismë e mirë dhe punë e madhe. M. Hajdar Salihu: Poezia e bejtexhinjve, Prishtinë, 1987, 512 në Takvimi-kalendari 1992 Prishtinë, 1992,fq.141-151).
Se nocionet turk, latin dhe kaurr, që do të mbarten edhe në literaturën shqiptare të Rilindjes dhe do të futen në kujtesën historike, kanë shënuar përkatësinë fetare të shqiptarëve: islame, katolike dhe ortodokse dhe jo kombësinë e albanofonëve, turke, italiane(evropiane) apo sllave greke, kjo nuk mund të hedhet ne fakte. Së këndejmi, shqiptarët kurrë nuk e kanë quajtur veten e tyre, kombësinë e tyre “me mburrje”, përkatësisht “me krenari turq”- siç thotë prof. Engjëlli. “L’idèe nacionale en Albanie domine tout, mème la religion” - qysh heret ka konstatuar G. Honataux. Dhe edhe më qartë “Shqiptari e përbuz Turkun se vetëhen e tij e shikon më të lartë, më të mençur, më të zgjuar” - ka konstatuar A.Bue. përkatësisht, “shqiptarët nuk i durojnë turqit, ata urren deri në vdekje” - konstatonte gazeta Beograd e datës 23.X.1908, duke shkruar për shqiptarët myslimanë.
Nuk qëndron, dhe as nuk sjell gjë të mirë për shqiptarët, konstatimi i prof.Engjëllit, se besimi Islam “ishte politizuar”, që nga fillimi, për efekte ntikombëtare “edhe të popujt e tjerë, saqë, si të këtillë, si myslimanë, s’pranonin t’i takonin kombësinsë së tyre (myslimanët e Greqisë, të Bullgarisë, të Bosnjës” (30.I.1996) Profesori i ndëruar sikur nuk e di se myslimanët e atyre viseve nuk i përkasin etnive nullgare, greke, e sllave (serbe e kroate). Ato popullsi duke marrë Islamin u distancuan nga kombësia kishtare e atyre vendeve dhe për emra nacional i kthyen emrat e hershëm trakë, maqedonë dhe ilirë, Pomak, torbësh, maikë, meglenë, boshnjakë etj., pra ngjashëm me shqiptarët, distancim fetar distancim kulturor dhe distancim kombëtar.
Kur jemi të myslimanët në Bullgari e në Greqi, nuk është e tepërt të tregohet akti i konvertimit të meglenasve, nga kisha ortodokse greke në Islam, aty rreth vitit 1770. Mitropoliti i kishës së Noute-s në Meglen afër Follorinës, Ilarioni, duke iu përgjigjur dhunës së Patrikut grek të Stambollit, për greqizimin e meglenasve, në vend që para masës së popullit të thërriste: “Hristos Anesti!” (Krishti është ringjallë), thërriste “Es -selamu alejkum ve rametullah!” (Paqë për ju) - siç ka konstatuar S. Verkoviq, përkatësisht I. Ivanoiq. Vetëm dëshmia e Shehadetit i mjafton Shaljanëve të Shalës së Gajgorës që porsa u ngrit Xhamia e Mazhiqit, mesi i shek.XVI, ta mbushnin atë - “në grupe” - siç konstatonte Al- Ma’dini, 1550. Këta shaljanë në dokumentet kishtare serbe të shek. XIV, quheshin “vllehë”, e në shkencën serbe - “bazë e mirë për etninë serbe”.
Së këndejmi, prof. Engjëlli pa u thelluar në çështjen, me konstatimin e mësipërm, u vie në ndihmë tezave greke, bullgare, serbe, kroate, vetëm për të krijuar alibi se edhe emri shqipëtarë, i zbuluar me anë të Islamit, i largoi “shqiptarët” nga etnia dhe kombësia e tyre arbëreshe, ndonëse e ka të ditur së paku konstatimi e E. Çabejt, se emri shqipëtar ishte emër e ndonjë “popullsie ilire”. Pra, me marrjen e emrit shqiptar nuk ka largim, por realisht u vu lidhja legale me etninë ilire, sepse, siç konstatonte M. E. Eden, shqiptarët Islamin e morën më së shumti “nga shkaqe politike”. Ose edhe më qartë “Pellazgët d.mth. shqiptarët si autokton kaluan në Islam dhe e përhapën lavdinë në tërë botën” - siç konstatonte historiani ushtarak, M. Tefik, me 1911.
Konstatimi i prof. Engjëllit se K. Maji titullimin e veprës: “Durch das Land der Skipetaren”, dhe jo “der Albanscnsen” (M. P.), e bëri, “Si të thuash, për ta aziatizuar, sa më tepër këtë popull” (30.1.1996) - nuk mund të quhet qëllimmirë!? Maji, shkrimtar ishte i ndikuar prej literaturës dhe propagandës serbe cvijiçouroshviçiane, sikurse edhe gjeografi Elysse Reclus (1830-1905), i cili e dinte mirë se shkiptarë dhe Shkipëri ishin emërtime kombëtare për popull dhe për vend, por ai plotësisht në shembullin e serbëve në shqiptarët shihte një popullsi të përçarë fetarisht dhe rejonalisht, madje në Kosovën shihte Serbinë mesjetare, kurse në një pjesë të shqiptarëve serbët e shqiptarizuar përmes kthimit në Islam!? Pseudoshkenca serbe anti shqiptare ihet se ku i shpuri disa studiues evropianë të Ballkanit. Redaktotët e Bujkut - Rilindjes akoma i fryjnë jetë pseudoshkencës serbe me ngjyrë evropiane ( shih, së fundi, Bujku, 2.2.1996 faqe 12, Kol. 4-5) !?!
Profesor Engjëlli në popullin shqiptar, në të kaluarën dhe aktualisht, sheh dy ndërgjegje të papajtueshme: atë me proviniencë katolike, fisnike e më shqiptare dhe atë më proveniencë islame, me shqiptari të bastardhuar nga Islami, ndërgjegje e “aziatizuar” dhe përmes emrit jhqiptar.!? Realisht, kjo është sipas optikës së prof. Engjëllit. Të gjitha fetë universale u lindën në Lindje, ndaj e tërë kultura evropiane, si çdo të shihet më vonë, është e “ziatizuar”, e fisnikëruar më kulturën e Lindjes, të cilën Islami e solli në Evropë. Dihet se Islami nuk ishte faktor dezintegrues i ndërgjegjes shqiptare, përkundrazi, ishte faktor integrues i kombit shqiptar.
Bajroni i mështetur nga realiteti shoqëror në Vilajetin e Janinës të Ali Pashë Tepelenës, i shkruante nënës: “ I dua shumë shqiptarët, nuk janë të gjithë myslimanë (...). Porse feja nuk i bëri të ndryshojnë sjellje e zakone të tjera. Të dhënat burimore dhe udhëpërshkruese vertetojnë se feja Islame dhe dogmat e krishtera nuk arritën që nga ndërgjegja e shqiptarit të shlyenin dashurinë për përkatësinë kombëtyare shqiptare të përbashkët të të gjithë atyre që për gjuhë kanë shqipen. “Kur banorët e provincave të tjera pyetën se kush janë, ata do të thonë: “ Jemi turq”, ose “Jemi kristianë”, kurse një burrë i këtij vendi (i Shqipërisë), të përgjigjet: “Unë jam shqipëtar”! - do të konstatojë shoqëruesi i Bajronit në Oborrin e Tepelenasit, Lordi Hophuese.
Së këndejmi, nuk ka snjë mbështetje mendimi i prof. Engjëllit se emri shqiptar “synonte ndërprerjen e atij faktori të fuqishëm, të quajtur traditë”, respektivisht se ndërrimi i emrit arbënesh në shqiptar shfaq “një farë përbuzjeje nga elementë të huaj” (30.I.1996).
Se shqiptarët feshë të ndryshm nuk ishin aq të përçarë gjatë Rilindjes tregon edhe konstatimi i antimyslimanit më të urryer, Kukëvilit (një urrejtës i Ali Pashë Tepelenës, të cilin E.Lir quante “ njrin nga burrat më të shquar”), se “shqiptarët, tekdo që të jetojnë dhe të gjenden të bashkuar dhe formojnë një grup të veçantë krenar me emrin e tij”.
Profesor Engjëlli konstatimin e E:Çabejt se “zevëndësimi” i emrit arbër me emrin shqiptar u mundësua “ me zbërthimin etnik që u krye me ardhjen e osmanëve”, e pranon me një konotacion tjetër, se kinse ai “zbërthim etnik” u bë në dëm të qënies etnike të “ shqiptarëve”- në konstatimin e S. Qirkoviqit: kalimi në Islam bani diferencimin në mës të popullsisë deri atëherë vëllazërore serbe dhe shqiptare”. Realisht, “ depërtimi turk e ndërpreu zhvillimin e proçesit të asimilimit etnik: të shqiptarëve në serbë e sllavë- konstaton S.Stojanoviq.
Studiuesi Sedaj fërkohet dhe i jep konotacion tjetër konstatimit të R. Ismailit, i cili, duke ndjekur Çabejnë dhe Shuteriqin, ka konstatuar se “ ndërrimi” i emrit nga arbër në shqiptar isht si pasojë e ndryshimeve “më të thella sociale politike dhe konfesionale”, por pa e caktuar sa duhet momentin më të rëndësishëm që ishte shkombëtarizimi i popullit, e që shënon një shkallë të caktuar të humbjes të ndërgjegjes kombëtare” - !?!!
Konstatimi i prof. Engjëllit, i sjellë më sipër, nuk përputhet me realitetin historik të dëshmuar nga të huajt dhe nga sunduesit shqiptarë në përgjithësi. Gazeta Narodne Novine e datës 9 janar 1844 duke folur për kryengritjet shqiptare myslimane në Vilajetin e Kosovës e më gjërë shkroi: “Shumë shkrimtarë mohuan çdo viryt jetësor të shqiptarëve, duke pohuar se kombësia e tyre ka për t’u zhdukur duke u asimiluar në sllavë e grekë, por shikuar gjendjen e sotme, mund të vertetonim të kundërtën (...). Pjesa më e madhe e shqiptarëve e pronoi Islamin në mënyrë që ashtu të aftësoheshin për thirrjet shtetërore”, respektivisht: shqiptarët “me vullnet e kanë pranuar Islamin...” - shkruanin Beogradske Novne më 21 prill 1910.
Sipas etnologut Mark Titja, islamizimin e shqiptarëve do parë “si një ftohje, si një bojkotim i shqiptarëve kundër krishtërimit”, e pikërisht, fillimisht, kundër ortodoksisë serbe, greke e bullgare, që i shpiente në shkombëtarizim, në tjetërsim etnik.
Në numrin tjetër:
Islami- faktor integrues i njësisë etnokulturore të Shqipërisë gjasë të madhe që shqip në krye të herës ka qenë emri i gjuhës. Ky si i tillë ka qenë mbase me përdorim më të moçëm, mbase paralele me emrin arbën si emër etnik, si emër etnik dhe pastaj do të ketë shtrirë fushën e përdorimit duke përfshirë edhe popullin edhe vendin - ka konstatuar E.Çabej.
“Teorinë” e Majerit e përkrah prof.Engjëlli, por ky nuk ndalet për të parë se, me që emri shqiptar i vie si dhunë aziatike - turke e islame, nëse është ashtu, emri i gjuhës nuk mun dtë vijë nga latinishtja me Islamin ndër shqiptarët. Pse atë emër me burim latin ta merrnin shqiptarët myslimanë, kur, sipas prof Engjëllit, ata i ndërprenin lidhjet “me kulturën evropiane” të Arbërit!?
Teza e M. Lambercit (1917) se emri i gjuhës shqipe rrjedh nga emri i shpesit shqipe, shqiponjë - totem shqiptar, sipas prof. Engjëllit, - “më duket e qëndrueshme”. Mirëpo faktet e shumta e materializojnë së paku si një sintezë të kujtesës historike shqiptare dhe të dhënave historiografike e etnografike që vinin nga antika na shekullin e Iluminizmit e të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: Shqipja - Orë trimërie e Zeusit, perëndi pellazgu - ilir, “Shqypja ishte pajtorja e augure e mirë Lufte” - pellazgu - ilire (Straboni); Olimpia Epirotase, nëna e Lekës së Madh, e solli shqiponjën në oborrin e Filipit: Pirroja i Madh shqiponjën e pati kult: “Në kojsha un Shqype, ju jeni fëmijët e Shqypes”- u tha bashkëluftëtarëve; Anonimi tivaras (1480) - Skënderbeu në flamur me sfond të kuq e pati shqiponjën dykrenare; Dukagjinasit në flamur për simbol kishin shqiponjën e bardhë, prej nga urimi: “Rrofsh sa Shqypja e bardhë!”: Bajroni i shkroi së ëmës: “Janë t’ashpër bijt e shqipes!”; P. Gibers foli për “historinë e pasardhësve të shqiponjës”, sepse shqiptarët sipas traditës dilnin”nga fisi i shqiponjës”, prej nga emri shqiptar: Pashko Vasa Shqipni, Shqipni do të thotë “vend i Shqipes” kurse shqiptar - “biri i Shqiponjës”; Jani Vreto: Emri ‘Shqyptar’ ose ‘shqiptar’ vjen nga fjala shqipe; shqipe, zhgab, shqiponjë (...) që ka qenë simbol i Zeusit, të cilin e adhuronin më tepër se çdo perëndi tjetër”; N. Frashëri: “Shpesi q’i themi shqipe, ishte pas besës në flamuret shqiptarët’ e vjetër, pa nga shqipja u quajtnë shqiptar”, M. Gjurgjeviq Emri shqiptar “qëndron në lidhje me fjalën skjup(shqype - M.P.) Orò e shkipëtarë do të thotë bijtë e shqipes (...). Albanezë i quajnë evropianët sipas bjeshkëve të bardha nga bora”. Kështu mendonte dhe profesor Anton Çeta, me datën 15 gusht 1995. A. Vukiçeviq në emrin shqiptar e Shqipëri në instancë të fundit, shihte emrin e totemit shqype, shqipe. Një kroatë autor i hyrjes në romanin Konstandin Balfiq të Shufllayt shkroi se : “Shqiptarët quhen nga shqypja (...). Me fjalë të tjera thuhet se shqiptarët në kohët e vjetra pagane e kanë hyjnizuar shqiponjën (...). Edhe sot shqiponja është shenjë ore, simbol i popullit shqiptar, gjegjësisht i pushtetit në emër të tij”; Ç. Truhelka - emri i qytetit Shkup dhe i shqiptarëve vihej nga emri i shpesit totem - shqype, shqipe, së këndejmi edhe emri i vendit Shkypenija, Shqipëria; E. Durham - emri i shqiptarëve nga emri i totemit shqype, shqipe, sikurse edhe M. Lamberci, i cili, madje, totemin shqiptar e shihte pikërisht në Zogun e zi, i cili permendet shpesh “në këngët shqipëtare”. Dhe, midis dhjetëra të tjerëve nga qarku i françeskanëve të Shqipërisë, P. M. Sirdani, etnolog i shquar, do t’i qortojë pellazgët dhe ilirët pse nuk u kujdesën për të shkruar “në të bukurën gjuhën e zogut”.
Ndër krejt ç’ka u tha mund të sillet konkludimi “Tezat se shqiptarët quhen sipas shpesës shqype, shqipe si totem e orë trimërie është tezë e vetme që buron nga kultura shqiptare(...). Për këtë studim tonin monografik kjo tezë ka rëndësi të veçantë, sepse është autoktone, produkt i frymës imagjinative krijuese kulturore të popullit liridashës dhe shërbeu, së paku, nga fillet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si faktor i jashtëm i rëndësishëm (krahas gjuhës dhe emrit të popullit) në rritjen e ndërgjegjes shqiptare për integrimin e kulturës shqiptare dhe për formimin e njësisë etnokulturore të vendit me emrin Shqypni, Shqipni, Shqipëri”. (Kultura kombëtare shqiptare, e cit, fq. 102).
Profesor Engjëlli për të saten herë i kthehet mendimit se Arbën dhe Arbënesh - “Ishin emri i Shqipërisë dhe i shqipëtarëve në Mesjetë”, i bindur se ai mendim ka mbështetjen në realitetin hiistorik mesjetar. Të dhënat, që u sollën deri këtu dhe të tjerat, relevante, e vërtetojnë të kundërten. Turqit sipas gjuhës së tyre, traditë evropiane, shqiptarët i quajtën me emrin arnaut, kurse shqiptarët veten e quanin të pa luhatshëm vetëm shqiptar dhe vendin Shqipëri. “Ndonëse Shqipëria është realisht ishte e okupuar, ndërgjegja për liri dhe vetsundim tek ata (shqiptarët) kurrë nuk ishte fikur” - shkroi D. K. Jovanoviq. Së fundi, konstatimi i prof. Engjëllit se “faktori i jashtëm” do të ndikojë në përgjithësimin e emrit arbër për emër nacional të shqiptarëve në gjuhë të huaja” (3.2.1996) është i drejtë. Por nuk qëndron mendimi se bërthamën shqiptare rreth Krujës, sllavët kurrë nuk e kishin mbisunduar” (3.2.1996). burimet autentike sllave, toponimia, antroponimia e banorëve paraislam, antroponimia e Familjes së Kastriotëve, feja e tyre, miqësitë e tyre me sllavët, vazaliteti i bujarisë së Krujës e të rrethinës e të tjerë, flasin për një realitet të hidhur.
Të mos cënohen shenjtëritë kombëtare.
Në fillim kam konstatuar se fejtoni i Profesor Engjëllit është një sfidë, një apologji me mesazhe që prekin thellësisht qenien e dy shenjtqrive më të mëdha të kombit shqiptar: të emrit kombëtar për popullin dhe për vendin dhe komosin fetar shqiptar të krijuar gjatë shekujve. Ja provat:
Prof. Engjëlli duke përmbyllë fejtonin, konstaton: “Zevendësimi tendencioz (i etnonimit arbënesh) me emër timin shqiptar, kondenson fatin e popullit në funksionit e një mjeti ideomatik fundamental (nënvizim i M.P.) që, në rrethanat e një vetëdije të re (nënvizim i M.P.), mund të arrihet përsëri ndërrimi i emërtimit shqiptar me emërtimin arbënesh(...). Meqë historikisht etnonimi arbër dhe toponimi Arbëri janë më të pranishëm në të gjitha dimensionet e jetës kulturore të popullit shqiptar, ai edhe sot mund të përdoret në zëvendësim me enonimin shqiptar dhe toponimin Shqipëri” (3.II.1996) !?!!
Të dhënat që u sollën deri këtu, e që mund të shumëfishohen, po e deshti nevoja, vertetojnë se nuk ka ekzistuar asnjë forcë mendore, fetare, morale, politike, as shtetërore e jashtme, e cila e bëri “zevëndësimin tendencioz” të emrit arbër me atë shqiptar. Emri kombëtar shqiptar u shfaq si frymë, si puhi, shumë lehtë, shumë qetë, pa zhurmë, pa bujë dhe pikërisht nga ata që e kishin bartur ndoshta me shekuj, por nën plafin e kombësisë kishtare shensaviane serbe e romeje bizantine, greke. Ky emër, si edhe emri për vendin, u përgjithësua në mënyrë të pahetueshme nga të huajt, në rrjedhë paqësore, si rrjedhë gjaku në damartë e trupit më të shëndosh, si përcjellës inherente e shtrirjes së Islamit ndër shqiptarët. Eldoradoja e Islamit dhe e emrit kombëtar për popullin dhe për vend u nis nga Shkupi e rrethina e tij., nga Kosova historike. “Historia tregon se konvertimi i shqiptarëve në Islam ka qenë një akt patriotik, ka qenë në radhë të parë një akt për t’i shpejtuar asimilimit nga fqinjët, nga sllavët dhe grekët” - ka konstatuar A.Baleta.
Meqë dihet se Kosova me viset e tjera shqiptare në rrethim të saj, gjatë mesjetës ishte vendi më i kërcënuar nga sllavizimi parmanent, aq më pak se kosovarët kemi arsye të urrejmë shpëtuesit: Islamin dhe emrin tonë kombëtar, me të cilin do të nderohet kombi ynë para botës nga lashtësia që nuk i dihet filli.
Në citatin e mësipërm të prof. Engjëllit i nënvizuam dy sintagma: “një mjeti idiomatik fundamental” dhe “në rrethana të një vetëdije të re”. Me konstatimin e parë prof. Engjëlli në etnonimin arbër sheh vepruesin fundamental të krishtërimit katolik për fe të shqiptarëvet. Nënvizimi i dytë aludon në kthimin e shqiptarëve myslimanë në katoliçizëm. Pra, sipas prof. Engjëllit, zëvendisimi i emrit kombëtar shqiptar me etnoniminë arbënesh, duhej të prihej me një “vetëdije të re” - katolike, që do të thotë konvertim i domosdoshëm i shqiptarëve myslimanë në katoliçizëm!?!
Dhe, si pa të keq, një akt që me të gjitha ligjet kombëtare e ndërkombëtare mund të quhet akt gjenocidal, prof. Engjëlli e quan “ndërrim të natyrshëm”, i cili “do të ishte në pajtueshmëri edhe me lëvizjet e mëdha demokratike gjithëshqiptare brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, edhe “pajtimi dhe bashkimi kombëtar” (thonjëzat janë të E. Sedajt), nëpërmjet kujtimit historik më të shenjtë, që është emri i popullit, do të arrihet, ashtu siç kishte deklaruar atëbotë poeti i madh arbëresh I. De Rada: “DITA E ARBËRIT ERDHI” - e sfidon kombin, prof. engjëlli (3.2.1996)!!!
ka nevojë të shprishet e të komentohet pasusi përfundimtër i prof. Engjëllit. Nëse emri arbër “është një kujtim historik më i shenjtë”, edhe kur dihet se është një premisë letrare, përse të mos konsiderohet i shenjtë emri kombëtar shqiptar i popullit dhe emri kombëtar Shqipëri i vendit?! Emri shqiptar nuk është “kujtim historik”, por është realitet historik. Ndaj?!!!
Të kërkohet konvertimi nga Islami në katoliçizëm i 88% të frymëve të kombit e të quhet “ndërrim i natyrshëm”!!? Përbuzja kaq egërsisht, kërkesa për heqjen dorë nga jeta gjashtëshekullore e kombit, e kulturës, e historisë, e traditës dhe e emrit kombëtar për popull dhe për Atdhe - shqiptar e Shqipëri, për t’i zëvendësuar me arbëresh Arbëri (Arbën), e kjo të quhet “pajtim dhe bashkim kombëtar”, të vënë nën thonjëza dhe nga autori, Sedaj?!!!
Së fundi, prof. Engjëlli sikur nuk e ka kuptuar, ose e ka keqpërdorë vargun e De Radës: “Ardhi dit’ e Arbërit!” (1836). Ai, në rrethana të një vlimi revolucionar në Napoli, i ftonte arbëreshet të zgjoheshin jo për të ndërruar fenë nga ortodoksia në katoliçizëm, por për një veçim etnik e kombëtar nga kombi italian që po konsolidohej: “Në mos rënçim përpara shtëpive tona, (e nën dhe do të na harrojnë shokët e vëllezërit,) krojet e katundi ynë...!”
Prof. Engjëlli, së këndejmi, me një formulim tjetër: “Dita e arbërit erdhi” e dha kushtrimin botërisht kundër kozmosit fetar shqiptar, kundër ekzistimit të mëtutjeshëm të emrit kombëtar shqiptar dhe të tërë këtë për një të ardhme shqiptare katolike të profetizuar!?!
Të dhënat burimore dhe historiografike, të dhënat folkloristike dhe etnografike, e tërë trashigimia kulturore e Rilindjes Kombëtare Shqiptare hedhin dritë të bollshme se asnjë shqiptar mysliman, që ka lënë emër në histori, nuk ka ngritur dorë kundër emrit kombëtar të popullit dhe të vendit dhe kundër kozmosit fetar shqiptar - tolerancës e harmonisë ndërkonfesionale midis shqiptarëve, pasuri që nuk e kanë kombet e tjera. Së këndejmi, thirrja e sotme, në emër të demokracisë dhe për hir të “kulturës evropiane”!?!, - për të shpërbërë faktorin mobilizues madhor në rrjedhat e integrimit të kombit shqiptar dhe të Njësisë etnokulturore të Shqipërisë, - është më shumë përgjegjësi morale. Të shikohen shqiptarët katolikë, nga vetë katolikët, si soj shqiptari dhe në shqiparin mysliman të shikohet shqiptari i “aziatizuar”, me një pjesë të “ndërgjegjes shqiptare” të bastardhuar, dhe madje si shqiptarë të “turkësuar”,siç dolën disa në Simpoziumin “Shqiptarët dhe Evropa sot”(1992), - do të thotë mohim i ekzistimit të kombit shqiptar, rrënim në themelet e ardhmërisë së shqiptarëve, sepse “Kombi si individium është kulmi i përpjekjeve të gjata i viktimave dhe i vetmohimit” - ka konstatuar Paul Henryt. Dhe, duhet të shkelin në këto?!!
Pjesa shqiptare islame është amza e kombit pjesa shtetformuese e shqiptare pas thyerjes së Rezistencës Shqiptare Skënderbejane. Pse shqiptarët nuk arritën pavarësinë e Shqipërisë Etnike në rreth 110 mijë km2, por vetëm në atë 28748 km2, është fajtore Evropa e krishterë dhe jo shqiptarët dhe jo as Turqia.
Në rrethanat në të cilat u integrua kombi shqiptar Islami ka qenë “një nga elementët dalluese fundamentale të nacionalizmit shqiptar në luftë kundër shovinistëve fqinjë sepse i veçantë nga grekët ortodoksë dhe serbët, nga malazezët dhe bullgarët pansllavë” - ka konstatuar dr. H. Çobani. Dhe, “veçanarisht minaret e Kosovës(...) njëkohë kanë qenë mburojat e Shqipërisë, fortesat e pathyeshme për mbrojtjen e rodit arbëresh (nënvizim i M. P), prandaj duhet që shqiptarët e çdo besimi, t’i konsiderojnë dhe t’i nderojnë si monumentet kombëtare” - shkroi prof. Eqrem Tellyt, me 1943.
Më lart nënvizova emrin arbëresh. Është ky jo vetëm kuptim i shenjit, por edhe ekuivok për emrin kombëtar shqiptar, për amzën e kombit; por edhe lidhje historike me vëllezërit e gjakut e të gjuhës të vendosur jashtë truallit etnik, të cilët me emrin e arbërit u integruan si kombësi të veçanta në gjirin e kombeve të huaja: italian, grekë, kroatë. Së këndejmi, çdo kërkesë për të prishur lidhjen intime midis emrit kombëtar shqiptar dhe emrit etnik arbër për shqiptarët në koloni të ndryshme, thënë më së but,është përgjegjësi intelektuale.
Të përfundojmë. Dy shenjtëritë e kombit, emrikombëtar për popullin dhe për vendin dhe Shqipëri dhe kozmosi fetar i krijuar me shekuj, i cili për emërues të përbashkët e ka tolerancën fetare shqiptare të mbiçmuar nga bota, duhet të ruhen dhe të mbrohen nga përbuzjet përdhosjet dhe cënimet. Kjo është detyrë shqiptare që mund të zbatohet mirë në jetë, duke i përfillur fuqimisht udhëzimet e Apostullit të bashkimit politik shqiptar. Pater Anton Harapi: Tolerancë fetare, tolerancë shoqërore qytetare dhe tolerancë shoqërore politike!
Prishtinë, 27.II.1996