
Trajtimet e tilla mbi islamin, në disa raste vëhen në kundërshtim të parimeve të shëndosha fetare. Nxitja e kundërshtimeve dhe dilemave të ndryshme mbi fenë, ka raste kur vëhen edhe në kundërshtim me parimet faktografisë hulumtuese të sociologjisë dhe të shkencave tjera shoqërore si psh. të politologjisë , psikologjisë politike, psikologjisë sociale, antropologjisë politike etj, në gjurmimin e rrugëve si të jetohet në harmoni, apo në pajtueshmëri me të vërtetën për njerëzit e grupit të një etniteti dhe njërëzit e etniteteve të ndryshme.
Unë në këte vështrim jam bazuar në respektimin e thellë të dallimeve fetare, gjuhësore dhe kombëtare, që i kanë njerëzit në mes veti ashtu si na ka falë Zoti i Madhërishëm, duke u përqëndruar në disa nga prekupimet e muslimanëve në Evropën e sotme, duke i kuptuar bindjet fetare si vlerë shpirtërore për njerëzit pa dallim fesë apo përkatësisë kombëtare që i takojnë.
Faktorët për formësimin e idenditetit islam në Evropë
Muslimanët në Evropë, në formë të drejtpërdrejtë ose indirekte, filluan t’i ekspozohen disa faktorëve të natyrshëm, që janë të orientuar apo reflektojnë, drejt ndryshimit të një pjese të idenditetit të tyre. Si pasojë të kësaj, dallojmë më shumë faktor ndikues, që mund të llogariten në rrethana normale edhe si faktor për formësimin e idenditetit të ri, që një realiteti të tillë i nënshtrohen edhe popujt e tjerë në Evropë. Këta faktor janë: kulturor, social - arsimor dhe ekonomik.
Përkundër prononcimeve mediale dhe grupeve të caktuara, për pozicionin e muslimanëve në Evropë, që nganjëherë janë edhe me tone shumë pesimiste, ekzistojnë edhe rezultate hulumtuese të meditimit analitik, historiko-sociologj ik, juridiko-politik, socio-ekonomik dhe filozofiko-religjio z, që tregojnë se muslimanët, nuk janë të futur në vorbullën e një krize të idenditetit të tyre fetar. Përkundër faktorëve ndikues që u përmendën më lartë, me krijimin e dallimeve dhe të përafrimeve, për krijimin e raporteve ndërmjet individit dhe grupeve, faktet flasin se nga dukuritë devijante, nuk janë të kursyer edhe muslimanët në Evropë, edhe se pjesa më e madhe e tyre, nuk është në krizë të mosrespektimit të vlerave universale islame sikurse janë bujaria, morali, trashigimia, vlerat fetare, nderi e të tjera.
Në këte drejtim, nëse e analizojmë faktorin kulturor, mund të konstatojmë se bëhet fjalë për një proces, në të cilin qytetarët evropian që i takojnë besimit islam, fillojnë gradualisht t’i adaptohen mënyrës së jetesës, në sjelljen dhe veprimet, veshjen, pranimin e gjuhës së mjedisit, muzikën, jetën kulturore, ku krahas ballafaqimit me respektimin e vlerave fetare islame, ballafaqohen edhe me pranimin e rrethanave që në formë të vazhdueshme janë ndikuese në jetën personale. Këto ndikime mund të hasen edhe në raport me jetën familjare, bashkëshortësinë , në marrëdhëniet në mes prindërve dhe fëmijwve dhe në rrethin më të gjerë që i takojnë përkatësisë tjetër kombëtare dhe fetare. Këtu edhe paraqiten problemet e para, ku mund të hetohet një ikje e lehtë nga identiteti kombëtar, por jo edhe nga pjesa thelbësore e së cilës është besimi, apo që të ndodhë tjetërsim të etnosit fetar islam.
Është mëse e qartë se muslimanët në Evropë, nuk mund ta kultivojnë islamin si në shtetet islamike, me dashje apo pa dashje duhet të pranojnë rregullat dhe ligjëshmëritë e vendeve ku jetojnë. Në këto ndikime, sidomos faktori social e arsim or, nënkupton pjesëmarrjen e muslimanëve në procesin arsim or të nevojshëm, sepse ata me arsye nuk do të pranojnë faktin që të mbeten të pa arsim uar, por edhe e gjithë kjo ndikon në aspektet e tjera të jetës shoqërore në rrethin e ri, duke pasur një tendencë që gradualisht të ndodhë një asimilim i qetë gjuhësor, por jo edhe heqje dorë nga idenditeti fetar islam. Muslimanët në Evropën e sotme idenditetin e tyre kombëtar, më me sukses mund ta ruajnë duke jetuar familjarisht sipas rregullave islame. Faktet flasin, për gjeneratën e tretë të ish emigrantëve musliman, pa marë prasysh se cilës përkatësi nacionale i takojnë, që tani janë shtetas të Evropës, në mbrojtjen e idenditetit të tyre kombëtar, gjuha dhe historia kombëtare, fillon të mos jetë faktor ndikues, karshi bindjes dhe njohurive që i kanë të ruajtura për Islamin.
Kur vëhen në fokus disa nga sfidat e muslimanëve në Evropën e sotme, unë nuk e kam ndërmend të pasqyrojë periudhat e kolonizimit të tokave muslimane (shek. XIX dhe XX) nga disa shtete evropiane, periudhë kolonialiste që reflekton, apo që është si pasojë e popullzimit të Evropës me muslimanë. Por, duhet të respektojmë faktin se numrin më të madh të muslimanëve, që e ka sot Evropa, prejardhjen e kanë po nga ato ish kolonitë e Francës, Britanisë së madhe Holandës etj. Sipas të dhënave statistikore që janë edhe publike, numri shumë më i madh i muslimanëve është në shtetet anëtare të BE-së, ku pjesa më e madhe e tyre janë shtetas, dhe një pjesë e vogël e tyre janë në pritje të fitimit të statusit të (shtetësisë) qytetarit të Evropës. Kur bëhet fjalë për qytetërimin perëndimor dhe atë islam, islami në Evropë nuk duhet të kuptohet diçka e jashtëzakonshme, nëse bëjmë një vështrim të shkurtër të identitetit islam evropian gjatë historisë. Ashtu si vlerësojnë disa studiues islam, e pranojnë se Universitetet islame në Spanjë dhe gjetiu ishin për qindra vjet burim i vetëm i dijes shkencore, kur fondi i bibliotekave të Kordovës - një nga qendrat e civilizimit islam në Spanjë, arrinte qindra mija libra.
Kur bëhet fjalë për vlerat e mirëfillta islame, patjetër se duhet të analizohen edhe disa nga idetë e verbëta të disa “parimorëve” në disa shtete perëndimore por edhe nga nënqielli ballkanik, për heqje dorë nga idenditeti fetar islam, imponimi i një islami “tradicional apo sipas qejfit indvidual”, sa për t’u “inkuadruar” apo “adaptuar” në shoqërinë evropiane. Me keqardhje mund të konstatojmë, se një deklarim të tillë “për Islamin tradicional apo për “islam laraman” e hasim edhe nga disa hoxhallarë (Allahu i udhëzoftë), të cilët dëshirojnë të ndërtojnë koncepte fetare në dëm të vlerave fetare dhe të parimeve kur’anore. Po të njëjtit, të shtyrë edhe nga individ apo edhe qendra që nuk kanë njohuri të bollshme për fenë islame, apo që veprojnë kundër Islamit, duke vepruar me tendenca antiislamiste, tentojnë t’i shndërrojnë rastet radikaliste në dukuri. Nga këto veprime jo racionale tentohet të krijohen vlerësime për “islamin modern dhe radikal”. Përvojat e tilla dëshmojnë, pa hyrë në hollësi me interesat e grupimeve të caktuara apo individëve të tillë, dhe me bindje të thellë mund të vlerësohet se këto ide nuk i shërbejnë askujt, pos atyre që dëshirojnë shpartallimin e vlerave fetare, që synojnë injektimin e ideologjive servile për prishjen e dialogimit të mirëfilltë ndërfetar. Duhet të pranohet fakti se dy kategoritë e njerëzve, ata “radikalistët islamitë” dhe “islamistët laramanë”, (Zoti i udhëzoftë) janë në kundërshtim të vlerave të islamit. Këto ide për një “islam tradicional” të fabrikuar, si imponim i dhunshëm i politikës ditore, janë edhe në kundërshtim me Kartën universale për të drejtat e njeriut dhe në kundërshtim me standardet evrointegruese që mund t’i vërejmë edhe në kriteret e Kopenhagës (1994), sidomos pjesa që ka të bëjë me të drejtat dhe liritë e njeriut. Serviliteti (laviriteti) nuk është standard, por është jovlerë, është pjesë e dukurive amorale, apo e dukurive socio - patologjike që krijon destabilitet shoqëror. Kuptohet, me këtë vështrim, unë në asnjë mënyrë nuk tentoj tu kundërvihem ndikimeve të natyrshme shoqërore, ku asnjëherë nuk mund të përjashtohen standardet, që vendosin rregulla të interesit reciprok, mes kulturave të ndryshme, në mes njerëzve për të jetuar në nivelet e kuptimta të tolerancës fetare në mes veti.
Kuptohet se në Evropën e sotme, popujt nuk mund t’i shmangen edhe vlerave që mund të jenë edhe të përbashkëta, të mbështetura në parimin e ndërvarshmërisë ekonomike, sociale, kulturore etj. Por, unë mendoj se intelektualët fetarë islamë duhet t’i kundërshtojnë veprimet e politikave ditore që kanë tendenca të injorojnë, apo të tallen me vlerat fetare dhe interesin fetar islam.
Disa nga sifidat e muslimanëve në Evropën e sotme
Cilat janë disa nga sfidat apo preokupimet e muslimanëve në Evropën e sotme? Pyetja që e shtrova, pret edhe një studim, me çka do të ballafaqohen muslimanët në BE-në “krishtere” në të ardhmen? Cilat janë sfidat e muslimanëve të cilët, me shekuj mbrojtën identitetin e tyre islam? Cilat janë sfidat e evropianëve të cilët e pranuan islamin (u konvertuan)? Kuptohet, se të mbijetosh si identitet islam në sfidat kërcënuese dhe me tendenca asimiluese, muslimanëve të kësaj pjese të botës iu imponua arsyeja t’i përballojnë sfidat që do ti sjellë me veti edhe rendi i ri shoqëror me trend botëror pas viteve 1990! Me siguri se sfida më e madhe dhe më e rëndësishme ishte dhe vazhdon të jetë ajo e mbijetesës fetare-islame.
Nëse e kujtojmë Robert Shumanin, ideologun e një Evrope të integruar, apo një Evrope të bashkuar, ish-ministri francez i punëve të jashtme, i cili nuk nguroi që në vitet e 50-a të shekullit të kaluar në librin e vet “Për Europën” të shkruan se, demokracia si vlerë civilizuese është fryt dhe vlerë e kristianizmit. Këte teori historia dhe koha e demantuan plotësisht. Kuptohet se për rrethanat e sotme, nuk vlenë vlerësimi mbi identitetin evropian të bazuar në identifikimin dhe determinimin religjioz të Evropës. Mund të konstatojmë se vlerësimet e tilla vlenin deri para një shekulli, por sot Evropa nuk është as krejtësisht e bardhë e as kryekëpyt e krishterë. Nga prononcimet e qarqeve intelektuale akademike evroperëndimore pranohet realiteti i ri evropian, se sot Evropa është me një konglomerat kulturash, civilizimesh, religjionesh, gjuhësh e kombesh që e përbëjnë Evropën që nga Turqia deri në Islandë. Dokumentet e Këshillit të Evropës dhe të Bashkimit Evropian, kanë të bëjnë për të drejtat e njeriut me një mori dokumentesh të tjera për tolerancë etnike, fetare e gjuhësore dhe për luftën kundër racizmit dhe ksenofobisë, dëshmojnë se Evropa perëndimore tani ndërtohet me vlera të realitetit të ri të qytetërimit, ku pranohen dallimet dhe në respektimin e tyre, ndërtohen projekte për definimin e vlerave të përbashkëta në mes popujve që çojnë drejt një Evrope të re, por edhe me identitet të ri.
Përkundër ksenofobisë të disa qarqeve evropiane ndaj Islamit, realiteti i mirëkuptimit, në suazat e respektimit të të drejtave elementare njerëzore, respektin ndaj fesë islame e kanë shprehur të gjithë kryeqytetet evropiane me ndërtimin e xhamive por edhe të disa qendrave dhe instituteve islamike. Besimtarët islamë në Evropën e sotme i kanë zgjeruar aktivitet e veta, për kryerjen e obligimeve fetare gjithandej ku jetojnë. Si shembull i respektimit të vlerave ndërfetare, kuptohet dhe të vlerave parimore islame mund të merret Austria, Britania e madhe, Gjermania, Zvicra, Belgjika, shtete të cilave mund t’i marrin lakmi edhe disa shtete arabe.
Qytetarët evropianë që e pranuan islamin dhe muslimanët e Evropës Juglindore, dhe sidomos ata të Ballkanit, sa i përket përshtatjes dhe adaptimit në kushte të vlerave të përcaktuara të dialogimit dhe të mirëkuptimit ndërfetar, si vlera të përbashkëta, me bashkëqytetarë të besimit krishter, duhet të insistojnë një nivel më të lartë të kooperimit pa kurrfarë doze të brengosjes për ndonjë tendencë të asimilimit. Sidomos, muslimanët e Evropës Juglindore (shqiptarët muslimanë, boshnjakët, turqit dhe të tjerët) duhet të jenë promotorë të një lëvizjeje lidhëse apo integruese euro – islamike e cila do t’i kishte rrënjët në Islam, duke i respektuar dallimet me të tjerët. Kultura islamike e muslimanëve të Evropës si tërësi (pa “islam” laraman), do të kishte rol të rëndësishëm për qytetarët që i takojnë këtij besimi, do t’i kishte determinuar tiparet dhe identitetin euroislamik që do të kishte mbështetje në Kur’anin Famëlartë.
Në këtë kontekst vlenë të theksohet se rregullat për të kuptuar dhe për të jetuar me rregulla islame, hasen edhe në Deklaratën e Kajros mbi të drejtat e njeriut (1990). Në lidhshmëri me këtë, do të citoj alinenë 2 të nenit 1 të Deklaratës ku thuhet: “...më i miri i të cilëve është më i dobishmi ndaj të gjithëve. Nuk ka privilegje për ndonjërin mbi të tjerët, veçse në bazë të devotshmërisë (drejtësisë) dhe veprave të mira”.
Kur trajtohen tema për sfidat e muslimanëve në Evropën e sotme, patjetër se duhet të hulumtohet historia politike e ndodhive pas rrënimit të murit të Berlinit(1989) . Ndryshimet shoqërore-politike, ekonomike dhe të sigurisë që ndodhën në Evropë ndikuan edhe në rregullat e “Rendit të ri botëror”. Në këtë kohë vazhdojnë të imponohen edhe rregulla të reja të ndikimeve dhe konkurrencës në mes popujve. Tani krijohet rasti që edhe elitat intelektuale (pa dallim përkatësie fetare dhe kombëtare) më guximshëm të promovojnë rregulla të qëndrueshme për ekuilibrimin paqësor, ku perspektiva e sigurisë (nacionale apo shtetërore) nuk mund të shikohet edhe më tej me alternativat e garave në armatim. Me siguri, avansimi i projekteve për kulturën paqësore, nuk mund të ndërtohet me urrejtje ndërfetare apo me ngritjen e kufijve të ndasive për shkak të fesë. Faktet flasin, se Evropa edhe ashtu, në periudhën e luftës së ftohtë – speciale (1946-1989), apo të ndarjes së botës në blloqe, ishte tej mase e rënduar me armët me kapacitet të tmerrshëm antinjerëzor, apo prej armëve për asgjësim masiv. Në Evropë dhe në botën e sotme, edhe më tej mbetet brengosja për mirëqenien njerëzore nga pasojat e një bërllogu të armëve bërthamore, që daton nga e kaluara, por për fat të keq një brengosje e tillë vazhdon të jetë prezente edhe sot. Sikur prej 11 shtatorit të vitit 2001, në aktivitet diplomatike perëndimore në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar, dyshohet se fillon bota të jetojë sërish me brengosje në frymën e një lufte të ftohtë.
Në këtë drejtim, do të ishte dezekuilibrim paqësor, apo edhe brengosje për stabilizim të marrëdhënieve rajonale, nëse nga elitat udhëheqëse shtetërore nuk kuptohen vlerat integruese si pikënisje për zgjerimin e mirëfilltë të konceptit paqësor të BE edhe me shtetet arabe apo muslimane në përgjithësi, duke u servuar përvojat e veta për një Evropë të bashkuar. Apo të inkurajohen iniciativa për hartimin e një plani për integrim ekonomik në mes shteteve arabe, i ngjashëm me Marrëveshjen për Thëngill dhe Çelik (1950), e cila u nënshkrua në mes disa shteteve evro-perëndimore.
Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, fakte të shumta flasin se emigrimet e pakontrolluara të njerëzve nga disa shtete arabe në Evropën perëndimore, duke shpresuar për një jetë më të mirë, bartin edhe efekte të krizave të ndryshme sociale. Përkundër vështirësive të tilla, me siguri se shumicën e këtyre njerëzve i mban shpresa, që një ditë të kthehen në atdheun e tyre. Diplomacia e SHBA-s dhe e BE-së, së bashku me qarqet diplomatike arabe apo të shteteve të tjera muslimane, do të ishte në interes të njerëzimit, nëse provojnë me afirmimin e projekteve ekonomike integruese, në mes popullit arab dhe popujve tjerë islamik, që të insistohet në krijimin e një “Bashkësie ekonomike të shteteve arabe apo muslimane”. Formimi bashkësive ku popujt e shteteve arabe do të shihnin interesin e përbashkët ekonomik, social dhe të sigurisë, ngjashëm me projektin integrues të Bashkimit Evropian. Me integrimet e vullnetshme të mbështetura në projekte konkrete ekonomike dhe politike, mund të ndodhë edhe afirmimi i vlerave integruese për ofrimin e popujve, civilizimeve, pengimin e garave në armatim, inkurajimin e personaliteteve, organizatave, qarqeve akademike, kulturore etj, në sqarimiet e tyre, për arsyen e ndërvarshmërisë e popujve të Evropës në mes veti por edhe me të tjerët.
Në kohën e kopjuterizimit dhe të zhvillimit marramendës në shoqërinë bashkëkohore do të ishte iluzore që muslimanët e Evropës, të bazohen në konceptin apo nostalgjinë tradicionale. Kuptohet se në rrethanat me të cilat u ballafaquan muslimanët në të kaluarën e kishte domethënien e vet, se „guri peshon në vend të vet“, por tani faktorët e ndërvarshmërisë në krijimin e raporteve ndërnjerëzore në nivele kombëtare, rajonale dhe botërore i krijojnë rregullat e reja. Në lidhshmëri me këtë, do të citoj pjesë të nenit 12 të Deklaratës së Kajros për të drejtat e njeriut, ku thuhet: “Çdo qenie njerëzore ka të drejtë të lëvizë lirisht duke zgjedhur vendbanimin e përshtatshëm për vete, brenda vendit apo shtetit të tij, apo edhe jashtë shtetit të tij”. Nëse kemi parasysh se koncepti i ndërvarshmërisë në krijimin e raporteve ekonomike, politike, sociale, kulturore në mes njerëzve, shteteve, afaristëve është paradigmë e kohës, atëherë patjetër, projektet integruese duhet t’i nënshtrohen domosdoshmërisë për të bashkëvepruar duke u mbështetur në interesa reciproke. Ashtu dhe si të tillë, duke u ndërtuar edhe në vlerat vetanake, si qenie njerëzore të varur njëri nga tjetri, me përkatësi të ndryshme fetare dhe kombëtare, duhet të jetojnë në sendërtimin e interesave reciproke, ashtu si na ka fal Zoti i Madhërishëm.
Në vlerat integruese, ato shtete (pa dallim përkatësie fetare, islame apo krishtere) që kanë mundësinë e ndikimit në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet t’i nënshtrohen normave dhe konventave që kanë të bëjnë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, për të cilat aq shumë ka nevojë bota e sotme. Të gjitha normat që avansojnë vlerat e demokracisë liberale, duke iu nënshtruar vlerave konkuruese në nivele akademike - arsim ore, politike, ekonomike dhe të tjera, duhet të jenë pikësynim të promovojnë edhe vlerat të cilat drejtpërdrejt kanë të bëjnë me mbrojtjen e drejtave individuale të çdo personi, pa marrë parasysh edhe përkatësinë fetare ose sjelljen e tij individuale që me asgjë nuk e dëmton apo nuk e rrezikon askend. Këto vlera konkurruese mund t’i hasim në Traktatin e Mastrihtit (1991) dhe veçmas në Traktatin e Amsterdamit (1997), ku për qytetarin e BE-së garantohen të drejtat dhe liritë personale në mbarë hapësirën e BE-së, të drejtat e qarkullimit të lirë, të drejtën sociale, të drejtat në punë, të drejtën aktive dhe pasive zgjedhore, sikur dhe shtetasit të shtetit ku është rezident. Kuptohet se në këto vlera fundamentale, duhet të inkorporohen dhe ta gjejnë veten edhe muslimanët që jetojnë në shtetet anëtare të BE-së.
Sa i përket muslimanëve të Evropës juglindore, duhet të jetojnë me realitetin se shumëngjyrshmëria fetare është pasuri, e jo mangësi. Kemi shembuj kur popujt e feve të ndryshme me shekuj të tërë jetojnë afër njëri-tjetrit, pa shënuar kurrfarë përplasjesh mes tyre. Këtë mund ta ilustrojmë me shembuj të shumtë të multikonfesionaliste tit të popullit shqiptar, pjesëtarë të islamit, të katolicizmit dhe orthodoksisë, mes ithtarëve të të cilëve historikisht nuk është shënuar ndonjë fërkim ose mosmarrëveshje. Me një përvojë të mirëkuptimit ndërfetar që e posedon populli shqiptar mund të shërbehen edhe popujt e tjerë të Evropës. Keqpërdorimi apo serviliteti dhe manipulimi i masave duke prekur në ndjenjat fetare për synime politike apo qëllime të tjera, është veprim i shëmtuar. Pa mëdyshje shqiptarët muslimanë, dhe muslimanët e tjerë në Gadishullin Ballkanik i kanë përqafuar vlerat për integrime evro-atlantike dhe sipas këtyre standardeve dhe konkurrence, do të ndërtohet edhe perspektiva me një qytetërim të ndërtuar përmes disa vlerave të përbashkëta evropiane, duke e mbrojtur dhe kultivuar edhe identitetin fetar islam.
Një eurokulturë e muslimanëve në Evropë, e udhëhequr nga parimet islame, (pa shpikje të një islami laraman, apo tradicional) do t’u kishte mundësuar të gjithë popujve muslimanë në Europë që të zhvillojnë një kulturë fetare, madje do të kishin mundur të afirmojnë edhe vlerat kulturore dhe historike nga vendet e origjinës për muslimanët e ardhur, që njëherit paraqet edhe vlerë të përbashkët për të gjithë muslimanët, të përkatësive të ndryshme kombëtare. Në këtë eurokulturë muslimane, rol të rëndësishëm do të kenë elitat intelektuale muslimane evropiane, duke i përfshirë edhe qytetarët evropian të cilët e pranuan islamin. Kështu do të krijohet njëlloj multikulturalizmi europian kulturor dhe fetar të myslimanëve në kushtet e veprimit dhe jetesës në Europën e re. Nuk duhet motivuar (edhe pse kjo çështje është mjaft e ndieshme dhe kërkon angazhim nga dy palët, muslimanët dhe krishtenët) veprimet jotolerante të cilat do të kishin çuar drejt përplasjeve të qytetërimeve perëndimor krishter dhe lindor islam. Krijimi i rrethanave për një tolerancë të kuptimtë ndërfetare, është edhe gjetja e një baze të qëndrueshme për bashkëekzistencë, e cila mund të jetë sot një nga sfidat më të mëdha të Evropës, por jo vetëm për muslimanët e Evropës.
Porositë e njerëzve të ditur, duhet të jenë udhërrëfim për t’i kuptuar drejtë dallimet (fetare, nacionale, gjuhësore dhe racore), duke e ngritur ndërgjegjen dhe vetëdijësimin se vetëm përmes nënshtrimit të vërtetë ndaj Zotit, njeriu mund të bëhet qenie e kompletuar humane. Nëse ndodhë një ndërgjegje e tillë te masa më e gjerë e muslimanëve në Evropë, atëherë me siguri do t’u u ngushtohet hapësira e diletantëve të cilët tallen dhe që flasin në emër të Islamit.
Doc. Dr. Nazmi Maliqi
Ligjërues në Universitetin e Evropës juglindore në Tetovë