KUSH DHE PSE PO E NXJERR SOT SKENDERBEUN NE MEJDAN?

Kështu u përdor, për shembull, nga Enver Hoxha për t’iu shpallë luftë dy superfuqive. Skënderbeu u bashku me papatin kundër rilindjes evropiane dhe Europës moderne. Prandaj ai mund të përdoret si shembull për luftën kundër modernitetit evropian dhe të bëhet thirrje ‘hajde t’i bashkohemi reaksionit europian kundër rrymave moderne e modernizuese europiane si Skënderbeu që u bashkua me Papën në luftën kundër përpjekjeve europiane për ndarjen e kishës nga shteti, sekularizimin, rilindjen, humanizimin, iluminimin dhe sot pasmodernizimin!’. Kështu mund të përdoret sot në luftën ndaj filozofive europiane pasmoderne, për shtrirjen e të drejtave dhe lirive njerëzore në grupet sociale, kulturore etj., të shtypura nga modernja. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut. Skënderbeu ka vrarë masivisht shqiptarët që ishin kthyer në fenë islame. Prandaj Skënderbeu mund të përdoret për të bërë thirrje që të masakrohen masivisht pakicat fetare siç masakroi Skënderbeut fshatarët mysliman të rrethit të Krujës. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut! Skënderbeu e ka ndërruar fenë disa herë dhe mund të bëhet thirrje ta ndërrojmë fenë përditë ‘si Skënderbeu!’. Kush është kundër kësaj sjelljeje ndaj fesë është kundër Skënderbeut! Skënderbeu ka luftuar për lirinë e atdheut kundër islamikëve dhe të krishterëve. Prandaj sot mund të bëhet thirrje të luftohet për lirinë e atdheut pavarësisht nga feja. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut! Skënderbeu u përpoqë të krijojë e forcojë shtetin shqiptar. Prandaj sot duhet të përpiqemi për krijimin dhe forcimin e shtetit shqiptar. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut! Skënderbeu...

Siç shihet mundësitë e instrumentalizimit dhe përdorimit të Skënderbeut për politikën e ditës janë të shumëta, gati të pafundme. Prandaj debati i sotëm për Skëndërbeun nuk ka asnjë lidhje me vlerësimin ose përshkrimin e Skënderbeut real, por me vlerësimin e përdoruesve të sotëm të Skënderbut. Debati për Skënderbeun nuk ka lidhje me Skënderbeun por me dy politika që u propopzohen sot shqiptarëve: njëra, shqiptarocentrike, që vë në qendër shqiptarët dhe gjithçka tjetër e sheh në shërbim të kombit shqiptar; tjetra, katolikocentrike, që vë në qendër fenë katolike ndërsa kombin shqiptar e sheh në shërbim të katolicizmit botëror. Rryma katolikocentrike u propozon shqiptarëve të kthehen në katolik. Kaq është programi i tyre politik. Ky është qëllim normal i kishës katolike kudo në botë dhe Vatikanit: të kthejë sa më shumë njerëz në këtë botë në fenë katolike. Të tjerat pastaj janë mjete për arritjen e këtij qëllimi. Skënderbeu për ta është mjet, vegël: Skënderbeu përdoret për t’ua mbushë mendjen shqiptarëve të kthehen në katolik. Ndjenjat kombëtare të shqiptarëve preken si mjet për t’i shtyrë të kthehen në katolik. Dijet manipulohen që t’i shtyjnë të kthehen në katolik. Situata politike e shqiptarëve manipulohet për t’i shty të kthehen në katolik. P.sh. bëhen përpjekje ta kuptojnë situatën e vet sikur janë para alternativës të zgjedhin: ose katolik dhe bashkim kombëtar, ose jokatolik dhe as bashkim kombëtar. Kështu ndjenja kombëtare përdoret në shërbim të kthimit në katolik pavarësisht vullnetit, dëshirës dhe zgjedhjes së tyre të lirë. Pavarësisht edhe se nuk ndodhen në këtë situatë. Gjithë këto aspekte, mjete kur shkruhen, kur shkruhet për secilën duket sikur ka një debat të madh, interesant, të larmishëm etj. Në fakt është fare e thjeshtë, vetëm një kërkesë: kthehuni në katolik. Kombi, pavarësia, bashkimi, Skënderbeu, Nënë Tereza për ta s’kanë asnjë rëndësi veçse si vegla. Rryma katolikocentrike nuk interesohet as për ndjenjat dhe mendimet e katolikëve shqiptar. Qendra e saj është kthimi i shqiptarëve jokatolik në katolik, ndërsa vetë katolikët nuk vlerësohen ndryshe vetëm se si vegla për kthimin në katolik të të tjerëve. Kjo rrymë bën qartë dallimin ndërmjet dy grupeve katolikësh shqiptar: katolikët që kanë vënë fenë mbi kombin ose kundër kombit - të cilët i vlerëson lartë; dhe katolikët që kanë vënë kombin mbi fenë - të cilët i urren. Në këtë të fundit përfshihen katolik të tillë si Pashko Vasa, Fishta, Mjeda etj. Deri tani vlerësohej Bajraktari i Mirditës, por nuk është çudi të filloi të urrehet sapo të bëhet gjerësisht e ditur se edhe ai ka luftuar krah Sulltanit dhe ka pasur titullin pasha me tre tuje. Ndjenjat e popullsisë shqiptare katolike po ashtu nuk kanë rëndësi. Kështu p.sh. katoliku Skënderbe vlerësohet lartë nga rryma masonike, por nuk është vlerësuar kështu nga shqiptarët katolik si popullsi. Katoliku Dukagjin nuk vlerësohet nga masonikët edhe pse është vlerësuar nga popullsia shqiptare katolike (dhe jokatolike). Ku shihet kjo? Në faktin se të dy kanë lënë nga një Kanun. Në popullsinë katolike shqiptare Kanuni i Skënderbeut nuk ka pasur asnjë respekt a ndikim. Ndërsa Kanuni i Lekës ka qenë gjithë jeta e tyre (juridike, morale, kulturore, civile etj.). Por ndjenjat e popullsisë katolike shqiptare, autoriteti i padikutueshëm i shprehjes ‘Kështu e ka lënë Leka’ etj., nuk kanë rëndësi për katolikocentrikët sepse qëllimi nuk janë katolikët shqiptar, por kthimi i sa më shumë njerëzve në katolik (si statistikë, si shifra jo si njerëz me ndjenja, me shpirt, me histori etj., - sepse këto janë kombëtare). Mirëpo dihet se Skënderbeu dhe Dukagjinët nuk kanë shkuar aq mirë - se p.sh. Skënderbeu iu nënshtrua Vatikanit pa marrë parasysh rrjedhojat për vendin dhe popullin e vet, ndërsa Dukagjinasit menduan për vendin e popullin shqiptar pavarësisht ambicieve të Vatikanit, Skënderbeu kishte miqësi familjare e politike me serbët, ndërsa Dukagjinasit jo etj., – aq sa Vatikani gati i shkishëroi pse kundërshtonin politikën shkatërrimtare të Skënderbeut. Pra, dukagjinasit nuk i ka dashtë shumë Vatikani dhe i ka dashtë populli; Skënderbeun nuk e ka dashtë aq shumë populli por e ka dashtë Vatikani. Rryma e sotme katolike do të harrojë Dukagjinasit dhe të glorifikojë Skënderbeun krejt pavarësisht ndjenjave të popullsisë katolike shqiptare. Rryma katolikocentrike është bërë vegël e nacionalshovinizmave serb e grekë. Pavarësisht se qëllimi kryesor i katolikocentrikëve mund të jetë kthimi i sa më shumë njerëzve në katolik, në kontekstin e sotëm rajonal e shqiptar, më shumë se këtij qëllimi i shërben nacionalizmit serb. Sot nacionalizmi serb e quan të humbur Kosovën pavarësinë e së cilës nuk mund ta ndalojë. Nacionalizmi i sotëm serb është nacionalizmi pavarësisë së Kosovës. Mbas pavarësisë së Kosovës nacionalizmi serb dëshiron dhe punon për konfliktimin brenda shqiptarëve. Me këtë pengon bashkimin kombëtar dhe krijimin e një shteti e kombi seriozisht rival e konkurrues, ruan mundësinë e futjes në konflikt të dy shteteve të vogla shqiptare dhe sundimin mbi të dyja, argumenton aftësinë e vet parashikuese se pavarësia e Kosovës shton pasigurinë e grindjet në rajon, se shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë nuk shkojnë mirë as me njëri-tjetrin, se ndoshta Serbia duhet rikthyer në Kosovë. Tani, rryma katolikocentrike e di se gjasat për rikthimin masiv të shqiptarëve në katolik janë zero, duke e ditur se shqiptarët katolikë janë një pakicë fetare e parëndësishme dhe mbi të gjitha kur edhe brenda katolikëve shqiptar masonët katolikocentrikë janë një pakicë e vogël. Çka synohet prej tyre është krijimi i një klime acarimi, stresi në radhët e shqiptarëve dhe, aq së të munden, të nxisin vija konflikti ndërmjet shqiptarëve siç kërkohet nga nacionalizmi serb. P.sh. një prej veglave të masonerisë katolikocentrike, Kastriot Myftaraj, i referohet drejtpërdrejt udhëzimit të Koshtunicës për kthimin e konfliktit nga serbo-shqiptar në brenda-shqiptar dhe menjëherë mbas kësaj vetë Myftaraj kërkon fillimin e luftës Gegni-Toskni. Propaganda që filloi në këtë drejtim është shpifje dhe logjikisht kontradiktore gati deri në humoristike. Kështu p.sh. vetë e vë fenë mbi kombin, pastaj kërkon që në emër të kombit shqiptarët të kthehen në katolik! Myftaraj lavdëron Skënderbeun katolik dhe kërkon që shqiptarët të kthehen në protestan sipas shembullit ... të Skënderbeut e Nënë Terezës! Me kthimin në katolik shqiptarëve u premtohen shumë të mira, ndërsa shqiptarët shohin se kjo rrymë nuk ka asnjë ndjenjë respekti për ndjenjat e katolikëve që janë! etj. Por propaganda e nacional-shovinizmit serb për periudhën post-pavarësi e Kosovës nuk shqetësohet për saktësinë faktike apo logjike, sa për arritjen e qëllimit: tensionin, acarimin, stresin dhe konfliktin brenda-shqiptar. Të tjerat i dinë vetë serbët. Kjo veprimtari u shtua në prag të vitit 2005 sepse mendohet se Kosova mund të marrë pavarësinë. Fakti se u shtua është mobilizimi i dy gazetave më të mëdha të afërta me PD-në: ‘TemA’ e Mero Bazes dhe ‘55’ e Fahri Balliut. Deri tani rryma katolikocentrike ka qenë propagandar kryesisht në gazeta lokale, ndërsa tani janë mobilizuar gazetat kryesore dhe propagandistët kryesor të PD-së, Mero Bazse dhe Fahri Balliu. Kësaj rryme serbofile katolikocentrike iu kundërvu, si gjithnjë, që në fillim Abdi Baleta. Mero i nxori në mejdan... Skënderbeun! Kështu, rikthimi tek Skënderbeu s’kishte ndonjë lidhje konfliktin e sotëm që është ndërmjet nacionalizmit shqiptar, përfaqësuar nga Baleta, dhe nacionalshovinizmit serb përfaqësuar nga PD dhe Mero Baze e Fahri Balliu. Por Skënderbeu mund të përdoret për gjithçka dhe Mero vendosi ta përdorë në shërbim të nacionalshovinizmit serb. Edhe diskutimi i Baletës nuk ka asnjëlidhje me Skëdenrbeun real por me përdorimin e tij nga Baze dhe të tjerët në shërbim të nacionalshovinizmit serb kundër të cilit del Baleta. Se si mund të përdore dhe është përdorë Skënderbeu është një çështje e gjatë, e cila është trajtuar para pesë vitesh në artikullin “Mbi debatin për Skënderbeun” botuar në “Rimëkëmbja” janar-shkurt 2000. Ky artikull do të ribotohet këtu si përgjigje në çështjet e debatit të rikthyer për të. Artikulli do të jepet pa ndryshime, ndonëse shumë aspekte të prekura në të ndërkohë janë vërtetuar e rivërtetuar nga shkrime shkencore, dhe asnjë nuk është cenuar shkencërisht. Do të ribotohet ashtu, pa ndryshime, edhe sepse shumë vetë e kërkojnë, ose ankoheshin se nuk e gjejnë. Ky do të jetë një rast edhe për ta.

MBI DEBATIN PËR SKËNDERBEUN Rimëkëmbja 18 janar 2000 – 6 shkurt 2000 Debati për mendimin politik të Skënderbeut është i hershëm. Orientimi i tij politik është vënë në dyshim dhe madje është kundërshtar nga një pjesë e shqiptarëve që për të gjallë dhe gjatë kohës së veprimtarisë së tij si nga Hamza Kastrioti, Dukagjinasit, Moisi Golemi etj., dhe ka vazhduar deri në ditët e sotme. Në dy vitet e fundit ky debat është rikthyer. Shkas për rikthimin e debatit u bë libri politik “Skicë e mendimit politik shqiptar” botuar në Tiranë më 1998, por shkak edhe më i rëndësishëm janë rrethanat politiko-shoqërore shqiptare, konflikti shqiptaro-serb e shqiptaro-grek, ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe përgjithësisht reflektimi i shqiptarëve mbi qeniësimin e vet politik të sotëm dhe të kaluar si përpjekje për të kuptuar gjendjen e vet të sotme dhe për të dhënë zgjidhje në rrethanat e sotme. Për të hyrë drejtpërdrejt në temë, konteksti i debatit dhe çka thuhet në libër, megjithëse është element i rëndësishëm i kuptimit të këtij debati, do të lihet për në fund. Tani ia vlen të përmendet vetëm një moment sqarues: kundër përshkrimit në libër të mendimit politik në periudhën e Skënderbeut janë shprehur vetëm nivele të ulëta mendore, kryesisht në gazeta si “Zëri i Kosovës”, “Balli Kombëtar” (i Abaz Ermenjit) dhe ndonjë organ tjetër i këtij niveli, ndërsa profesionistët, studiuesit ose kanë heshtur, ose e kanë vlerësuar pozitivisht librin. Prandaj përfshirja në këtë debat u bë e nevojshme për të sistemuar debatin, për të vënë rregull së paku përshkrues, sepse duke pasur nivel të ulët mendor, debatuesit i kanë bërë rrëmujë argumentet e veta. Kjo do të ketë rrjedhojë ndër të tjera përpjekjen time për t’u ulur në nivelin e kritikëve dhe shmangien e disa karakteristikave të debatit profesional si referimet tek autorët e burimet, heqjen e përkufizimit të koncepteve, mospërmendjen e problemeve njohëse dhe epistemologjike, mungesën e shqyrtimit të teorive ndihmëse, metodologjisë etj., etj. Argumentet e paraqitura në debat nuk janë të miat, janë të shpërndara nëpër autorë të ndryshëm, ndërsa merita ime është vetëm të përshkruaj qartë dhe në mënyrë të sistemuar debatin e shpërndarë.

Debati zhvillohet ndërmjet dy qasjeve: njëra qasje ngul këmbë se Skënderbeu nuk duhet shqyrtuar në mënyrë kritike qoftë edhe sikur t’i ketë shkaktuar fatkeqësitë më të mëdha popullit shqiptar, tjetra ngul këmbë se Skënderbeu duhet t’u nënshtrohet rregullave të të menduarit logjik dhe shqyrtimit kritik racional si çdo objekt tjetër i studimit. Nuk ekziston ndonjë qasje konsekuente e tipit të parë, d.m.th. që Skënderbeu të mos shqyrtohet në mënyrë kritike, por më tepër është fjala për një qëndrim që thotë se “kur e kritikoj unë, kritika është e lejueshme dhe e drejtë, kur e kritikon tjetri, kritika nuk është e lejueshme dhe e drejtë”. Kështu për shembull, historiografia enveriste vetë e ka kritikuar Skënderbeun në shumë drejtime si për natyrën klasore, kufizimet ideologjike, naivitetin e besimit tek Vatikani etj., etj., por kur kritikohet nga ndonjë këndvështrim tjetër, për shembull nga këndvështrimi i logjikës nacionaliste, atëherë historianët enveristë dalin në mbrojtje të paprekshmërisë së figurës së Skënderbeut, akuzojnë palën kritike se po fyen heroin kombëtar dhe ndjenjat e shqiptarëve, etj., etj. Megjithëkëtë ky lloj qëndrimi këtu do të trajtohet si një qasje e vetme që thotë se Skënderbeu duhet përjashtuar nga shqyrtimi racional si objektet e tjera të studimit. Gjatë gjithë historisë së debatit në mbrojtje të përjashtimit të Skënderbeut nga rregullat e studimit si çdo objekt tjetër janë sjellë dy llojë argumentesh: argumentet shkencore dhe argumentet praktike, (ose me terma të tjerë, argumentet ‘prudenciale’, pragmatiste, politike). Përmbledhtas janë sjellë këto argumente teoriko-shkencore:

1-Skënderbeu është mbrojtës i Evropës për çerek shekulli;

2-Skënderbeu është mbrojtës i krishterimit;

3-Skënderbeu është krijuesi i miqësisë së popullit shqiptar me popujt e tjerë të Ballkanit (sllavët dhe grekët);

4-Skënderbeu është shëmbëlltyra e luftës së një populli për liri dhe pavarësi;

5-Skënderbeu është krijues i shtetit shqiptar;

6-Skënderbeu është mit dhe simbol i shqiptarëve dhe teorikisht është argumentuar se mitet dhe simbolet duhet të lihen të kryejnë funksionin e tyre si të tilla.

Argumentet praktike mund të përmblidhen:

1- Pavarësisht si është e vërteta për Skënderbeun, duke e paraqitur si mbrojtës të Evropës, shqiptarët përfitojnë përkrahjen e Evropës për synimet e veta politike të kohës;

2- Pavarësisht si është e vërteta duke e paraqitur Skënderbeun si mbrojtës të krishterimit, shqiptarët fitojnë përkrahjen politike të kristianëve për interesat e kohës;

3- Pavarësisht nga rrjedhojat që ka sjellë politika e Skënderbeut dhe figura e tij duhet të ruhet për shkak të frymëzimit që jep tek shqiptarët për luftën për liri dhe për pavarësi.

Ndaj të gjitha këtyre argumentave janë paraqitur argumenta alternative, të tjera, që do të përshkruhen më hollësisht në vijim, po ashtu në të dy dimensionet: teorike dhe praktike.

1- Skënderbeu për çerek shekulli është mbrojtës i Evropës në kuptimin ushtarak dhe në kuptimin e mbrojtjes së qytetërimit evropian, qytetërimit perëndimor përballë barbarisë lindore osmane. Ky argument thotë se Skënderbeu e mbrojti Evropën drejtpërdrejtë, duke mos lejuar kalimin e pushtuesve osmanë islamikë nga bregdeti shqiptar dhe territori i zotëruar prej tij në Evropë, dhe tërthorazi duke angazhuar forca të mëdha ushtarake osmane në luftë kundër vetes dhe shqiptarëve dhe kështu duke dobësuar fuqinë e saj pushtuese ushtarake ndaj Evropës. Duke e mbrojtur Evropën nga pushtimi ushtarak osman, Skënderbeu ka mbrojtur qytetërimin evropian perëndimor. Ndaj këtij argumenti janë bërë vërejtje të shumta dhe janë paraqitur argumente alternative: së pari, a nuk kishte rrugë të tjera Perandoria Osmane për pushtimin e Evropës, por vetëm nga Shqipëria e Mesme (e sotme) dhe nga Durrësi? Në periudhën e Skënderbeut, Perandoria Osmane shtrihej në gjithë Bosnjen e Serbinë deri afër Beogradit (që mbahej nga hungarezët) prej nga mund të depërtonte në Evropë nëpër luginën e Danubit dhe po ashtu, kishte mundësi të kalojë Adriatikun në vendkalimin më të ngushtë, Otranto, e nuk kishte pse të kalonte patjetër nga Durrësi. Së dyti, pse nuk e pushtoi Evropën pas vdekjes së Skënderbeut, kur nuk mbrohej më prej tij? Pas vdekjes së Skënderbeut fuqia pushtuese e Perandorisë Osmane nuk kishte rënë, por përkundrazi përparoi deri afër Vjenës. Për më tepër, megjithëse e futi në dorë bregdetin shqiptar, përparimin kah Evropës e ndoqi në rrugë tokësore, bregut të Danubit deri afër Vjenës dhe nuk ndërmori sulme kundër Italisë e papatit nga Durrësi. Së treti, a duhej të mbrohej qytetërimi dhe kultura perëndimore e asaj kohe? Qytetërimi dhe kultura evropiane e asaj periudhe dhe shumë më pas, ishin ndër të tjera, qytetërimi dhe kultura e kryqëzatave, inkuizicionit, djegies së rreth 700 mijë plakave të pafajshme të akuzuara si shtriga, e shfarosjes së hebrejve etj., etj. Vetë evropianët kishin filluar, dhe pak pas vdekjes së Skënderbeut, i kishin shpallur luftë qytetërimit dhe kulturës së deriatëhershme evropiane, elementëve thelbësorë të mesjetës të cilën e quanin periudhë të “vdekjes” dhe përpiqeshin ta zëvendësonin me “rilindjen”, periudhë dehumanizmi dhe përpiqeshin ta zëvendësonin me humanizmin, periudhë të errësirës dhe flakjen e saj e quajtën periudhë të ndriçimit (iluminizmit). Mund të thuhet se Skënderbeu mbrojti kushtet që evropianët vetë të fillojnë luftën kundër kësaj kulture perëndimore, por ky interpretim nuk qëndron, sepse lufta evropiane kundër kulturës evropiane mori vrull pikërisht pas vdekjes së Skënderbeut. Nga kjo rastisje në kohë ndoshta nuk del as se Skënderbeu ishte pengesë e vrullit të humanizmit, rilindjes dhe iluminizmit evropian, por vetëm se Skënderbeu nuk kishte rol të rëndësishëm as për mbrojtjen, as për ndryshimin e kulturës evropiane. Sidoqoftë, sipas vetë evropianëve, gjëja që duhej më së paku të bëhej në atë kohë ishte mbrojtja e kulturës së atëhershme evropiane, perëndimore etj., etj.

2- Skënderbeu është mbrojtës i krishterimit perëndimor. Ky argument thotë se luftërat antiosmane të Skënderbeut kanë qenë njëkohësisht luftëra për ruajtjen e kristianizmit perëndimor kundër islamizmit, se Skënderbeu ishte projektuar të vihej në krye të kryqëzatave, se është vlerësuar “Atleti i Krishtit”, se këshilltar kryesor kishte peshkopin Pal Engjëlli dhe se përfundimisht në orientimin e vet politik ishte thellësisht kristian perëndimor. Ndaj këtij argumenti janë paraqitur kundërargumente të prirjeve të ndryshme që tregojnë marrëdhënie më të ndërlikuara ndërmjet Skënderbeut dhe kristianizmit.

Së pari, historigrafia enveriste është përpjekur të zvogëlojë motivin fetar kristian të Skënderbeut duke nxjerrë pavarësinë e vendit si motiv të parë të luftërave të tij, duke treguar pabesitë e papës ndaj Skënderbeut etj.

Së dyti, cilin kristianizëm perëndimor mbronte Skënderbeu? Edhe në qoftë se Skënderbeu ishte mbrojtës i katolicizmit papnor, nuk del se është mbrojtës i kristianizmit perëndimor, sepse kristianizmi perëndimor ishte ndarë në drejtime që nuk pranonin katolicizmin papnor dhe autoritetin e papës së Romës. Pak para periudhës së luftërave të Skënderbeut, konflikte kishin shpërthyer madje edhe ndërmjet vetë kandidatëve për selinë e papës, një prej të cilëve e zhvendosi atë në Avinjon të Francës, e në të njëjtën kohë ekzistonin tre papë që lëshonin mallkime kundër njëri-tjetrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut kishin filluar dhe jo shumë pas vdekjes së tij morën vrull lëvizjet reformiste në Gjermani me Martin Luterin, në Francë me Kalvinin etj., për shkëputjen e kishave nga katolicizmi papnor që përfunduan në luftëra të përgjakshme si masakra kundër hugenotëve në natën e Shën Bartolemeut, inkuizicioni, luftërat ndërmjet Spanjës dhe Hollandës etj., etj. Njëri pas tjetrit kisha dhe popuj evropianë ishin shkëputur nga katolicizmi dhe autoriteti papnor duke krijuar kishën anglikane, protestantët, kalvinistët, luterianët, baptistët etj., etj., kështu që termi “mbrojtje e katolicizmit” nuk mbulon termin “mbrojtje e kristianizmit perëndimor”, por vetëm tregon marrjen e anës së njërës palë kristiane në luftën kundër palës tjetër kristiane perëndimore.

Së treti, a ishte luftë për mbrojtjen e kristainizmit kundër islamizmit pjesëmarrja e Skënderbeut në luftën e një princi kristian (psh princit të Napolit) kundër një princi tjetër po kristian në gadishullin italik? Skënderbeu del se ka zhvilluar luftëra edhe kundër kristianëve dhe kjo mund të interpetohet si luftë e Skënderbeut kundër kristianizmit (siç interpretohet si luftë për mbrojtjen e tij, meqenëse është në anën e një udhëheqësi kristian) jo vetëm kur ishte në shërbim të sulltanit, por edhe kur ishte kundërshtar i tij, ose mund të interpretohet se në politikën e vetë Skënderbeu nuk udhëhiqej nga motivi fetar, por i forcimit të fuqisë së vet ose se Skënderbeu ishte një palë kristiane në luftën kundër islamizmit dhe kristianizmit tjetër perëndimor etj., etj. Po ashtu, si mbrojtës i kristianizmit perëndimor, Skënderbeu nuk del as kur bën aleanca me princër dhe mbretër të kristianizmit ortodoks lindor si ata serbë, bullgarë, grekë etj.

Së katërti, devotshmëria katolike e Skënderbeut është e dyshimtë, sepse vetë ai një kohë të gjatë kishte jetuar si mysliman, sepse familja e tij ishte e njohur nga njëra anë për ndërrimet e shpeshta fetare dhe nga ana tjetër, pjesa më e madhe e familjes së tij ishte nën ndikimin ortodoks të nënës që shprehet në ortodoksë-sllavë të vëllezërve dhe motrave si Reposhi, Konstantini, Vllajka, Jella etj., deri tek varrimi i vëllait të tij me nderim të madh në manastirin e shenjtë e Hilanadarit në Greqi. Siç u tha edhe në prirjet politike tek Skënderbeu konstatohen prirje drejt kristianizmit ortodoks lindor.

Së pesti, Skënderbeu mund të interpretohet si udhëheqësi shqiptar që përuroi fillimin e luftërave fetare ndërmjet shqiptarëve. Kështu mund të interpretohet sjellja e tij ndaj besimeve të tjera fetare në Shqipëri pas kthimit në Krujë, kur kërkoi nga kolonistët dhe të konvertuarit në myslimanë të zgjedhin ndërmjet kristianizmit e vdekjes dhe të gjithë ata që nuk pranuan të braktisin islamin i masakroi. Masakra masive si këto nuk janë kryer gjatë gjithë periudhës së sundimit osman dhe përgjithësisht kjo sjellje e Skënderbeut nuk u pasua nga udhëheqës të tjerë (ndoshta me përjashtim të Pjetër Bogdanit dhe ndonjë rasti tjetër të rrallë) e nuk u shndërrua në traditë tek shqiptarët. Përkundrazi, traditë u bë toleranca fetare që është një përvojë dhe karakteristikë tipike shqiptare. Por në qoftë se do të ishte vazhduar qëndrimi i Skënderbeut, atëherë atij do t’i takonte merita e themeluesit të intolerancës dhe luftërave fetare ndërmjet shqiptarëve.

Sidoqoftë nga të gjitha këto, sjellja e Skënderbeut nuk mund të përmblidhet nën termin “mbrojtës i kristianizmit perëndimor”, as nën termin “mbrojtës i kristianizmit”, sepse në veprimtarinë e tij ka edhe luftëra kundër kristianëve, sidomos kundërshtarëve të Papës, edhe aleanca me ortodoksinë që nuk është kristianizëm perëndimor etj. Sigurisht, në krahasim me islamizmin, të gjitha format e kristianizmit kanë diçka të përbashkët, por kjo e përbashkët është e pamjaftueshme që veprimtaria e Skënderbeut të përfshihet nën termin “mbrojtës i kristianizmit” edhe kur lufton kundër kristianëve.

3- Skënderbeu ka vlerën dhe meritën se është krijues i miqësisë së popullit shqiptar me popujt e tjerë të Ballkanit, me sllavët para së gjithash me serbët, malazezët, bullgarët dhe me grekët, përmes kërkesave për aleanca kundër Perandorisë Osmane, përmes shembullit të vet dhënë këtyre popujve për luftën çlirimtare, përmes frymëzimit dhe nxitjes së besimit në mundësinë e thyerjes e të fitores kundër Perandorisë Osmane etj. Kjo miqësi dhe admirim për Skënderbeun shfaqet në këngët popullore që i kanë kushtuar popujt e Ballkanit dhe në vlerësimin që i bënin udhëheqësit ballkanikë rolit të Skënderbeut në planet e tyre politike. Kjo miqësi e forcuar nga Skënderbeu është vazhduar në luftërat e mëvonshme të përbashkëta të shqiptarëve dhe ka qenë bazë e bashkëpunimit të shqiptarëve me serbët dhe grekët kundër “armikut të përbashkët” deri në ditët tona. Edhe ndaj këtij argumenti janë bërë vërejtje të rëndësishme.

Së pari, gatishmëria dhe përpjekjet e Skënderbeut për të bashkëpunuar me udhëheqësit politikë sllavë, para së gjithash serbë dhe udhëheqësit politikë grekë, nuk e kanë bërë politikën serbe e greke miqësore ndaj shqiptarëve në asnjë periudhë dhe për asnjë ngjarje.

Së dyti, me bashkëpunimin e tij me serbët dhe grekët, Skënderbeu ndikoi në krijimin e një tradite të bashkëpunimit të politikanëve të mëvonshëm shqiptarë me politikanët serbë dhe grekë kundër “armikut të përbashkët” që përgjithësisht përfundonin në humbje të shqiptarëve në kuptimin e nënshtrimit të politikës shqiptare ndaj asaj serbe dhe greke që mbetën armiqësore.

Së treti, përpjekja për të ndarë konceptim “miqësi mes popujsh” nga “miqësi mes politikanësh” të popujve të ndryshëm nuk ka vlerë, sepse ajo që quhet “miqësi mes popujve” në fakt është “miqësi” ose bashkëpunim mes politikanëve. Për të bërë të vlefshëm dallimin ndërmjet termit “miqësi mes popujsh” nga termi “miqësi mes politikanësh”, duhen treguar raste kur politikanët shqiptarë ishin kundër bashkëpunimit me politikanët serbë dhe grekë ndërsa populli kërkonte bashkëpunim dhe bënte presion mbi politikanët për bashkëpunim. Mirëpo si rregull konstatohen vetëm raste të kundërta, kur politikanët kanë qenë për bashkëpunim dhe popujt kundër bashkëpunimit, kur pjesë të popullit shqiptar kritikojnë politikanët e vetë pse bashkëpunojmë me serbët dhe grekët dhe pjesë të popujve serb dhe grek kritikojnë politikanët e vetë pse bashkëpunojnë me shqiptarët. Po ashtu, raste të bashkëpunimit mes pjesëve të popujve fqinjë konstatohen vetëm kur përfundonin miqësitë mes politikanëve. Për këtë nuk ka rëndësi nëse popujt kanë qenë të manipuluar nga politikanët, sepse me manipulim nga politikanët mund të shpjegohen njëlloj edhe armiqësitë, edhe miqësitë mes popujve fqinjë (bashkëpunimi mund të jetë në fakt manipulimi i një popullsie për interesa bashkëpunimi të elitave politike) dhe sepse, manipulimi nuk e ndryshon faktin se popujt kishin miqësi kur kishin miqësi politikanët dhe armiqësi kur kishin miqësi politikanët. Prandaj, ajo që është quajtur “miqësi mes popujve fqinjë” është miqësi e politikanëve shqiptarë me politikanët serbë dhe grekë dhe Skënderbeu është i rëndësishëm në krijimin e traditës së bashkëpunimit të krerëve dhe politikanëve shqiptarë me serbët dhe grekët e jo i miqësisë ndërmjet popujve të Ballkanit. Së katërti, “miqësia me popujt e Ballkanit” ka qenë arsye e armiqësimit në radhët e vetë shqiptarëve, sepse ata shqiptarë që vuanin nga sundimi serb me të cilët bashkëpunonte Skënderbeu e shikon me revoltë vetë këtë udhëheqës dhe shqiptarët që e mbështesnin. Prirja e Skënderbeut për miqësi dhe aleanca politike përveç me sundimtarin serb të Bosnjes edhe me sundimtarin serb të Kosovës, despotin Gj. Brankoviq ka qenë shkak i armiqësisë së popullsisë shqiptare që vuante terror nën sundimin e Brankoviqit ndaj Skënderbeut. Po ashtu, edhe princa dhe udhëheqës të rëndësishëm si Dukagjinasit u vunë kundër Skënderbeut për shkak të miqësisë së tij me serbët. Territoret e Dukagjinasve kufizoheshin me territoret shqiptare të sunduara nga Brankoviqi dhe aleati politik i Skënderbeut që shfaroste shqiptarët në principatën e vetë (Kosova) dhe nga kjo fqinjësi, ndërmjet Dukagjinasve dhe Brankoviqit kishte konflikte. Mbështetja e Dukagjinasve nga popullsia dhe kundërshtimi i Skënderbeut për arsye të miqësisë së tij me Brankoviqin kanë bërë që në traditën popullore në Krujë e sipër të jetojë Lekë Dukagjini, ndërsa Skënderbeu është dërguar vonë nëpërmjet sistemit arsimor në popullsi, kurse në kujtesën popullore dhe në odën tradicionale shqiptare ka qenë i harruar. Në këtë argument po të pyetet se pse e “tradhëtuan” Dukagjinasit Skënderbeun, përgjigja është se Skënderbeu i kishte tradhëtuar më parë duke lidhur miqësi me armikun kryesor të tyre, me serbët dhe Gj. Brankoviqin. Sipas këtij argumenti Dukagjinasit përfaqësojnë politikën e armiqësisë me serbët, Skënderbeu të bashkëpunimit me serbët.

4. Skënderbeu është shëmbëlltyra e luftës së një populli për liri dhe pavarësi. Me luftërat e tij për gati një çerek shekulli, Skënderbeu është shembulli i virtytit dhe kryerjes së detyrës ndaj atdheut, i luftës për çlirim nga pushtuesit më të egër të vendit. Ai po ashtu është shembulli i trimërisë dhe strategut ushtarak, meqenëse u ndesh me një fuqi shumë më të madhe se ushtria e tij dhe doli fitimtar. Edhe ndaj këtij argumenti janë paraqitur vërejtje të ndryshme dhe interpretime alternative.

Së pari, a është Skënderbeu shëmbëlltyrë e luftëtarit për liri apo siç është e zakonshme në politikën e shqiptarëve edhe ai është bashkëpunëtor me një pushtues dhe sundimtar kundër një pushtuesi dhe sundimtari tjetër ? Skënderbeu ka qenë bashkëpunues politikisht me serbët, veçanërisht sundimtarin e Kosovës Brankoviq. Prandaj përgjigja në këtë pyetje është e lidhur me përgjigjen në një pyetje tjetër: a është Kosova toka shqiptare, do të thotë atdhe, pjesë e atdheut ? Në qoftë se po dhe ndodhej nën sundimin serb, atëherë del se bashkëpunimi me serbët është bashkëpunim me pushtuesit e atdheut. Në qoftë se Kosova nga udhëheqësit shqiptarë nuk konsiderohet tokë shqiptare, pjesë e atdheut, atëherë bashkëpunimi me serbët nuk është bashkëpunim me pushtuesit e atdheut, por vetë politikani shqiptar sillet dhe mendon njëlloj si politikani serb, domethënë jo si bashkëpunëtor i serbëve, por si vetë serbët. Sepse konsiderimi i Kosovës tokë joshqiptare është karakteristikë themelore e mendimit të çdo politikani serb. Në të dy rastet, bashkëpunimi i Skënderbeut me serbët tregon rreshtimin e tij në anën e pushtuesve, përkatësisht të armiqve të shqiptarëve. Argumente të ndryshme janë zhvilluar për të treguar se serbët gjatë pushtimit osman kanë qenë edhe vetë të pushtuar dhe prandaj nuk ka kuptim të quhen pushtues (p.sh. historiografia enveriste), por argumente janë zhvilluar për të treguar se edhe osmanët pas disa shekujve të qëndrimit në Ballkan, nuk ishin më pushtues, por vetëm popull sundues (p.s.h Castellan). Sidoqoftë, më tepër se çështje përkufizimi teorik, cilësimi i serbëve dhe osmanëve si pushtues është i lidhur me përjetimin e tyre nga popullsitë e sunduara. Dhe, edhe pas shekujsh sundimi si serbët, si osmanët, përjetoheshin si pushtues dhe sundimtarë. Nga bashkëpunimi me serbët Skënderbeu nuk del shembull i luftëtarit për liri dhe pavarësi, por i bashkëpunimit me njërin nga pushtuesit (serbët) në luftë kundër pushtuesit tjetër (osmanëve).

Së dyti, cili ka qenë pushtuesi ose po të përdoret termi i Castellan, sundimtari më i rrezikshëm për shqiptarët: sundimtari serb apo osman ? Dëshmitë tregojnë bindshëm se jo vetëm para, por edhe pas pushtimit osman për shqiptarët rreziku kryesor, sundimtari dhe pushtuesi më i rrezikshëm mbeten sllavët dhe grekët. Prandaj të gjithë politikanët shqiptarë zgjodhën ndërmjet rrezikut më të madh dhe rrezikut më të vogël dhe jo ndërmjet lirisë dhe robërisë, zgjodhën bashkëpunimin me armikun dhe pushtuesin më pak të rrezikshëm osman, ose me armikun dhe pushtuesin më të rrezikshëm sllav e grek. Bashkëpunimi i Skënderbeut me serbët dhe grekët tregon se ai ka qenë bashkëpunëtor me armiqtë dhe pushtuesit më të rrezikshëm sllavë dhe grekë. Bashkëpunimi i Skënderbeut me serbët dhe grekët tregon se ai ka qenë bashkëpunëtor me armiqtë dhe pushtuesit më të rrezikshëm e jo luftëtar i lirisë.

Së treti, a ka qenë Skënderbeu shëmbëlltyrë e luftëtarit të lirisë apo të vasalit? Skënderbeu nuk kishte pranuar vasalitet ndaj sulltanit, por kishte pranuar vasalitet ndaj Venedikut. Nga kjo del se Skënderbeu nuk ka qenë shëmbëlltyrë e luftëtarit të lirisë, por vasal, sepse fakti që nuk është vasal i sulltanit, por i Venedikut nuk e ndryshon faktin se ka qenë vasal. Kjo përsëri është vetëm çështje e zgjedhjes: vasal i kujt ? Këtu shtohet edhe se Venediku po ashtu mbante nën sundim territore dhe portet më të rëndësishme shqiptare dhe Skënderbeu ishte vasal i një sundimtari e pushtuesi.

Së katërti, Skënderbeu vërtetë është shëmbëlltyra e strategut ushtarak, por raporti ndërmjet luftës dhe politikës tek ai është i përmbysur, sepse lufta shikohet si kryesore dhe politika dytësore, ndërsa politika do të duhej të ishte mbi luftën. Së pesti, në luftërat e tij Skënderbeu ka qenë i manipuluar nga agjentura joshqiptare, para së gjithash papati, Venediku, hungarezët etj., etj., të cilët e kanë përdorur Skënderbeun për të dobësuar rrezikun osman ndaj tyre duke zhvilluar luftërat në territor shqiptar. Duke e konceptuar si politikan injorant, këto fuqi kanë arritur ta fusin Skënderbeun në luftë kundër superfuqisë më të madhe të kohës (si t’u shpallë sot Shqipëria luftë SHBA-ve), luftërat janë zhvilluar në territor shqiptar, për rreth një çerek shekulli shqiptarët as kanë mbjellë, as kanë korrur, as kanë zhvilluar tregtinë, zejet etj., është shkatërruar një pjesë e madhe e popullsisë, e pasurive si: ullinjtë, vreshtat etj., etj. Nga të gjitha këto, nga kjo politikë e Skënderbeut mund të kenë përfituar popujt e ndryshëm, por kanë humbur shqiptarët. Megjithë premtimin për të mos bërë digresione (degëzime) të argumentimit, këtu bëhet i nevojshëm një i tillë. Fjala është për argumentin se ndërmjet prirjes së Skënderbeut drejt katolicizmit dhe prirjes së tij drejt sllavizmit dhe ortodoksisë ka një kontradiksion të papajtueshëm, së paku në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet katolicizmit shqiptar dhe sllavëve ortodoksë, në radhë të parë serbëve. Në traditën katolike shqiptare ka pasur një rrymë të fortë të konfliktit me ortodoksizmin serb që kur u ndanë kishat në romake dhe bizantine. Në kohën e Skënderbeut ende ishin të pathara damkat e hekurit të skuqur të përdorur nga serbët e Stefan Dushanit e pasardhësit të tij, masakrat, shpronësimet, ndarjet e burrit nga gruaja, e fëmijëve nga prindërit si presion për konvertimin e shqiptarëve katolikë në ortodoksë. Përdorimi i shkallës kaq të lartë të dhunës për konvertim, është tregues edhe i shkallës së lartë të kundërshtimit të shqiptarëve katolikë për t’u kthyer në ortodoksë që e bënte të nevojshme përdorimin e mjeteve ekstreme mesjetare të dhunës. Prirja e Skënderbeut për aleanca me nipin e Car Lazarit, Brankoviqin, ishte krejt në kundërshtim me këtë qëndresë popullore dhe me rrymën e klerit katolik shqiptar që përpiqej të ruante lidhjet me papatin dhe katolicizmin nga ortodoksizmi sllav. Qëndresa e klerit katolik shqiptar jo vetëm me bazë fetare, por edhe mbi bazë etnike ndaj sllavizimit të kishës shqiptare vërtetohet përgjatë gjithë shekujve. Ata, që në atë kohë janë ngritur kundër mbushjes së kishave shqiptare me klerikë të besimit katoloik, por etnikisht sllavë (psh raguzianë) siç dëshmohet në dokumentat e kohës dhe kjo ndeshje e klerit katolik me klerin sllav, qoftë edhe katolik, gjendet gjatë gjithë historisë së katolicizmit shqiptar deri sot. Armiqësia e lashtë e ortodoksizmit sllav ndaj katolicizmit shqiptar u vërtetua si edhe më e dhunshme në vitet 1913-1914 në masakrat e kryera nga qeveria malazeze ndaj popullsisë myslimane e katolike shqiptare për konvertimin e tyre në ortodoks. Prandaj Skënderbeu me prirjen e tij drejt sllavizmit dhe ortodoksisë është në kundërshtim me qëndresën popullore dhe të klerit katolik shqiptar kundër ortodoksizmit sllav, sepse nuk mund të ishte njëkohësisht edhe mik i sllavëve, edhe mbrojtës i katolicizmit shqiptar.

5. Skënderbeu ka meritë të jashtëzakonshme për shqiptarët, sepse është krijues i shtetit shqiptar. Ky argument ose thotë se Skënderbeu e ripërtëriu traditën e shtetit shqiptar duke i dhënë formë më të plotë kësaj tradite të mëhershme, ose thotë se Skënderbeu është krijuesi i shtetit të parë të mirëfilltë shqiptar. Ndaj këtij argumenti, në formën e parë, nga autorë shqiptarë nuk janë paraqitur vërejtje dhe argumente të kundërta. Ndërsa në formulimin e tij të dytë është kundërshtuar nga shumë drejtime. Sipas disa autorëve, shteti i parë shqiptar në mesjetë është shteti i Progonit, ndërsa disa të tjerë e shtrijnë shtetin e parë në territorin e Dardanisë (Kosovës). Sidoqoftë, vlera e Skënderbeut si përpjekje për krijimin e shtetësisë shqiptare nuk është vënë seriozisht në dyshim nga autorë shqiptarë të ndonjë drejtimi.

6. Skënderbeu është mit dhe simbol i shqiptarëve dhe teorikisht është e argumentuar se mitet dhe simbolet duhet të lihen të kryejnë funksionin e tyre si të tilla. Ky argument nuk është formuluar saktësisht në këtë formë. Por sikur debatuesit të kishin njohuri për teoritë postmoderne, do të kishin mundësi ta formulonin. Meqenëse debatuesit siç u tha, janë kryesisht nivel i ulët teorik dhe kulturor, atëherë ky argument është e drejtë të formulohet për ta edhe pse nuk e dinë, duke supozuar se po ta dinin, do ta kishin paraqitur. Në të vërtetë, karakteristikë e modernes ka qenë edhe përpjekja për të ndarë qartë shkencën nga miti, arti, ideologjia, politika dhe feja. Karakteristikë e modernes ka qenë dhe përpjekja për demitizimin e mitit, legjendës, ideologjive etj. Tipike moderne janë psh përpjekjet e Kadaresë për të demitizuar mitet dhe legjendat shqiptare e botërore (psh në poezinë “Laookonti”), ose ta zëmë, përpjekja për të interpretuar në frymën e frojdizmit (tani gati i harruar) legjendën e Konstandinit dhe të Doruntinës, për ta interpretuar jo si mesazh të forcës dhe të besës, por si inçest, si dashuri seksuale ndërmjet motrës e vëllait, si legjendë në të cilën shqiptarët kanë ruajtur dhe çliruar perversitetet e veta seksuale. Në këtë vijë janë përpjekjet e tij të fundit për të interpretuar sjelljet tradicionale të shqiptarëve të Veriut si sjellje që shpjegohen me impulse homoseksuale të personifikuara në personazhe që përfaqësojnë shqiptarët tradicionalë etj. Pra, në këtë frymë të modernes teorikisht jo vetëm nuk mund të kërkohet që Skënderbeu të mos shqyrtohet në mënyrë kritike, sepse përbën mit dhe legjendë të shqiptarëve, por përkundrazi pikërisht sepse përbën mit do të kërkohej demitizimi i tij nga shkenca. Teoritë që i janë kundërvënë modernes dhe që mëtojnë të provojnë se mitet duhet të lihen mite, se mitet e kryejnë funksionin e tyre vetëm si mite, se procesi i demitizimit është pa kuptim dhe edhe vetë përbën një mit etj., janë teoritë postmoderne. Mirëpo në këtë rast mund të thuhet se ky argument ka vlerë po të përdoret kundër procesit që ka ndërmarrë Kadareja për të demitizuar legjendat e mitet duke i interpretuar në një frymë të dalë mode, si psh frojdizmi që ka qenë në modë në vitet ‘70 dhe për t’i paraqitur shqiptarët si perversë. Por argumenti “të lihen mitet mite” nuk mund të përdoret në rastin e Skënderbeut, sepse Skënderbeu nuk është mit po personazh konkret historik dhe si i tillë i nënshtrohet studimit shkencor si çdo objekt tjetër.

II. Me kaq në rend vjen shqyrtimi sipas radhës, i argumenteve që mund të quhen praktike, politike apo prudenciale.

1. Pavarësisht si është e vërteta për Skënderbeun, duke e paraqitur si mbrojtës të Evropës shqiptarët përfitojnë përkrahjen e Evropës për synimet e veta politike të kohës. Në plan të parë është interesi praktik kombëtar i shqiptarëve për të pasur përkrahjen evropiane. Për shqiptarët më e mençur (prudenciale) është të përdorin Skënderbeun për interesin politik të kohës se sa të merren me spekullime historiko-teorike etj., etj. Mbi arsyetimin se Skënderbeu dhe shqiptarët kanë mbrojtur Evropën nga pushtimi osman, është kërkuar nga Evropa që “tani që shqiptarët kanë nevojë për ndihmën e Evropës, Evropa duhet t’u kthejë borxhin”. Ndaj këtij arsyetimi mund të paraqiten vërejtje të ndryshme, sidomos duke u kthyer tek supozimi i tij themelor. Ky argument mbështetet në supozimin se politika e sotme në marrjen e vendimeve mbështetet në ndjenjën e kthimit të borxheve nga e kaluara. Ndaj këtij supozimi janë të vlefshme argumente të tilla:

Së pari, politika e sotme ngul këmbë që politika të mos bëhet mbi bazën e borxheve të së kaluarës, qoftë të një borxhi shpërblyes, qoftë të një borxhi ndëshkues. Studimet e procesit të vendimmarrjes vërtetë kanë provuar se në procesin e vendimmarrjes nga vendimmarrësit politikë merren parasysh shumë faktorë, por jo ndjenja e kthimit të ndonjë borxhi të së kaluarës. Pasi merren vendimet mbi bazën e peshimit të faktorëve të ndryshëm politikë, ndjenja e borxhit të së kaluarës mund të përdoret nga politikanët për të siguruar mbështetjen e publikut dhe mobilizimin e popullsisë për realizimin e vendimit të marrë.

Së dyti, po të ishte faktor i rëndësishëm në marrjen e vendimeve ndjenja e borxhit të së kaluarës, atëherë borxhin më të madh ndaj shqiptarëve e kanë Serbia dhe Greqia dhe do të duhej pritur miqësi prej tyre, por pikërisht këto shtete dhe popuj vazhdojnë të tregohen më armiqësorët ndaj shqiptarëve. Nga ana tjetër, në qoftë se shqiptarët besojnë se marrja e vendimeve politike bazohet në ndjenjën e borxhit, atëherë do të duhej t’u drejtoheshin në radhë të parë vendimmarrësve grekë dhe serbë për t’u kthyer borxhin shqiptarëve dhe të prisnin (në llogaritjet e tyre politike) se do të kenë mbështetjen e Greqisë e të Serbisë.

Së treti, shqiptarët kritikojnë Evropën pse i ka ndihmuar Serbinë dhe Greqinë në dëm të interesave të shqiptarëve dhe mbi këtë bazë kërkojnë t’u kthejë borxhin në të cilin ka hyrë me këtë ndihmë të padrejtë. Mirëpo krijimin e shtetit serb dhe grek, forcimin dhe shtrirjen e tyre në territoret shqiptare e kanë ndihmuar edhe më shumë se Evropa disa rryma politike dhe figura të njohura shqiptare. Në qoftë se ndihma dhënë grekëve e serbëve për të krijuar shtetet e tyre, për t’i forcuar dhe për t’i shtrirë ato edhe në territoret shqiptare, përbën padrejtësi dhe krijon borxh ndaj shqiptarëve, siç thuhet për Evropën, atëherë padrejtësi dhe borxh ndaj shqiptarëve kanë në radhë të parë këto figura dhe rryma politike shqiptare. Derisa Evropa fajësohet dhe i kërkohet kthimi i borxhit për ndihmën që i kanë dhënë Serbisë dhe Greqisë në dëm të shqiptarëve, të njëjtit autorë i kanë lavdëruar dhe ngritur në nivelin e heronjve të popullit shqiptarët që kanë kryer të njëjtin faj me Evropën dhe madje kanë ndihmuar edhe më shumë Greqinë e Serbinë në dëm të shqiptarëve.

3. Pavarësisht nga rrjedhojat që ka sjellë politika e Skënderbeut figura e tij duhet të ruhet për shkak të frymëzimit që jep tek shqiptarët për luftën për liri e pavarësi. Skënderbeu dhe lufta e tij është përdorur si frymëzim për luftërat për liri dhe pavarësi nga shqiptarët dhe ai mbetet burim frymëzimi sa herë të paraqitet nevoja praktike. Ndaj këtij argumenti po ashtu formulohen vërejtje të ngjashme.

Së pari, figura e Skënderbeut nuk ka qenë burim frymëzimi i shumë ngjarjeve tepër të rëndësishme për shqiptarët, duke përfshirë dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 etj., etj.

Së dyti, Skënderbeu mund të përdoret dhe është përdorur për të frymëzuar politika dhe ngjarje që kanë çuar në rrënimin e shqiptarëve. Kështu, prirja e Skënderbeut për të bashkëpunuar me sllavët dhe grekët “kundër armikut të përbashkët” jashtëballkanik (osman) është përdorur për të legjitimuar bashkëpunimin e mëvonshëm të udhëheqësve shqiptarë me serbët dhe grekët kundër “armiqve të përbashkët” jashtëballkanikë. Në planet e tyre për të gjetur bashkëpunëtorë shqiptarë që të fusin në luftë shqiptarët me osmanët, që të dobësohen të dy palët, nga agjenturat politike serbe dhe greke përdorej shembulli i Skënderbeut. Figura e tij sipas situatës së ditës, mund të rikujtohet si shembull i marrëdhënieve të mira ndërfetare tek shqiptarët, sepse bashkoi fisnikët katolikë e ortodoksë shqiptarë, mund të rikujtohet për të nxitur urrejtje fetare dhe luftëra fetare mes shqiptarëve, sepse masakroi fshatarët e Krujës për të filluar luftëra kundër superfuqive si ai kundër osmanëve etj. Ndaj të tri këtyre argumenteve mund të bëhen disa vërejtje të përbashkëta.

Së pari, e përbashkëta e të trijave është gatishmëria për të shpërfillur të vërtetën, është gjykimi i tipit “pavarësisht si është e vërteta...” nga Skënderbeu duhet krijuar një figurë simbol për përdorim të politikës së kohës, se popujt kanë nevojë për heronj qoftë edhe të rrejshëm, se popuj të tjerë (veçanërisht serbët) krijojnë heronj edhe kur nuk i kanë fare etj., etj. Në themel të këtij arsyetimi për të tri argumentet praktike qëndron supozimi i nënkuptuar se e vërteta dhe interesi i shqiptarëve janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, se e vërteta mund të jetë ndryshe, por interesi shqiptar kërkon të kundërtën. Fshehja e së vërtetës për Skënderbeun vërtetë e shpëton madhështinë e figurës së tij, por i rëndon shqiptarët me akuzën se e vërteta është kundër interesit të shqiptarëve, se interesi i shqiptarëve mbrohet vetëm me gënjeshtra ose thënë ndryshe e shpëton Skënderbeun, por e rëndon popullin, kombin. Përballë tij vihet argumenti se e vërteta dhe interesat shqiptare nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, nuk janë përjashtues dhe se përkundrazi, e vërteta dhe interesat shqiptare përputhen. Popujt e tjerë mund të kenë nevojë për heronj të rremë, madje mund të jenë vërtetë të dobishëm praktikisht, ndërsa në interes të shqiptarëve janë heronjtë e vërtetë.

Së dyti, e përbashkëta e të tri këtyre argumenteve është natyra e tyre praktike, prandaj qëndrueshmëria e tyre është çështje e rezultatit praktik: në qoftë se kur janë përdorur kanë dhënë rezultat praktik, atëherë përdorshmëria dhe qëndrueshmëria e tyre është vërtetuar, në qoftë se jo, nuk është vërtetuar. Të tri këto argumente janë formuluar dhe përdorur nga rilindasit shqiptarë, domethënë ka mbi një shekull e gjysëm që përdoren pa dhënë rezultat: as Evropa, as kristianizmi nuk i ka përkrahur shqiptarët nga ndjenja e borxhit ndaj tyre i krijuar nga mbrojtja që i ka bërë Skënderbeu Evropës dhe kristianizmit përballë sulmit osman. Për më tepër, nuk ka historian evropian apo kristian që t’i besojë këto mëtime të shqiptarëve, që të konsiderojë rolin e Skënderbeut vendimtar për mbrojtjen e Evropës dhe të kristianizmit. Pikërisht në kuptimin praktik historianët kritikë racionalë shtrojnë ato pyetje që u përmendën më sipër si: a nuk kishte rrugë tjetër tjetër Perandoria Osmane për të pushtuar Evropën veç territorit që mbrohej nga Skënderbeu ? Pse nuk e pushtoi pas vdekjes së Skënderbeut ? A mbronte kulturën perëndimore apo kulturën lindore kur mbronte ortodoksizmin bizantin dhe sllav ? etj., etj., etj. Shkurt, për mbi një shekull e gjysëm përdorshmëria e tyre praktike është dëshmuar e paqëndrueshme.

Së treti, në pikëpamje praktike, shqiptarët me gjithë figurat e paraqitura si heroike, që kanë bërë zgjedhje të drejta e luftëra heroike gjenden në situatë më të keqe se të gjithë popujt e tjerë. Kjo e vështirëson shpjegimin se pse shqiptarët kanë kaq shumë figura të shquara dhe heronj dhe praktikën më të pafrytshme. Këta heronj nga njëra anë thuhet se kanë bërë gjithnjë zgjidhjet më të drejta n

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme