Z e k a t i

Përmes kryarjes së këtij obligimi, myslimani e pastron jo vetëm shpirtin e tij, po edhe pasurinë që ia ka dhuruar dhe mundësuar Allahu i Gjithëmëshirshëm. Në Kuran, në mbi shtatëdhjetë vende, krahas namazit, Allahu e ka përmendur edhe zekatin, që në fakt vërteton vlerën dhe rëndësinë që ka ky institucion. Allahu i Gjithëmëshirshëm në një ajet të Kuranit urdhëron e thotë:

خُذْ من أموالهم صدقة تطهرهم و تزكّيهم بها
"Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë (fjala është për zekatin), që t'i pastrosh me të dhe t'ua shtosh begatitë...".(Et-Teube, 103).

Edhe në traditën e Pejgamberit a.s., zekati zë vend të merituar. Pejgamberi a.s. kur e ka dërguar Muadh bin Xhebelin në Jemen, tregohet t'i ketë thënë: "Mësoji ata se Allahu ua ka bërë obligim zekatin për pasurinë e tyre, të merret nga të pasurit e tyre e t'u jepet të varfërve të tyre". Me një rast tjetër, Pejgamberi a.s. urdhëron: “Kini dro Allahun, falni pesë kohët e namazit, agjëroni muajin e Ramazanit, jepni zekatin e pasurisë suaj dhe respektoni prijësit tuaj, do të hyni në Xhennetin e Zotit tuaj".

Bazuar në ajetet kuranore dhe hadithet e Pejgamberit a.s., të gjithë dijetarët islam kanë konfirmuar unanimisht se dhënia e zekatit është farz - obligim - për mysliman e myslimane, të cilët posedojnë pasuri, sasia e të cilës është e përcaktuar me norma të sheriatit (nisabi).

Sipas të dhënave autentike, vërehet se zekati është bërë obligim para Hixhretit të Pejgamberit a.s., pra, sa ai jetonte dhe vepronte në Mekke, mirëpo, për shkak të gjendjes së vështirë të myslimanëve në të cilën ata ndodheshin, ishte të thuash gadi e pamundur që atë ta jetsonin. Prandaj, në vitin e dytë të Hixhretit në Medine, tash në kushte dhe rrethana më të mira se më parë, kjo obliguashmeri do të përseritët edhe një herë, e më pastaj edhe shumë herë të tjera. Madje, një përseritje e tillë veq sa e vërteton rëndësinë që ka ky institucion, dhe në vazhdimsi iu përkujton myslimanëve detyrshmerinë e praktikimit të tij.

Ç’është e vërteta, tek arabët, një lloj dhënie e pasurisë ka ekzistuar edhe para fillimit të zbritjes së Kuranit, me ç’rast të varfërit detyroheshin të jepnin një sasi në dobi të të pasurve. Ndërkaq, me institucionalizimin e zekatit, që nga viti i dytë i hixhretit, dhënja e pasurisë vazhdon edhe më tutje, por tash në drejtim tjetër, gjegjësisht të pasurit duhet të jepnin në dobi të të varfërve, atyre që nuk kanë pasuri.



Kushtet për dhënien e zekatit


Personi obligohet për të dhënë zekatin, nëse i plotson këto kushte:

- Pronari i pasurisë të jetë mysliman,

- I moshës madhore,

- I shëndoshë psiqikisht,

- Pasurinë ta ketë në pronë të plotë të vetën,

- Pasuria ta arrinë nisabin (shumën prej kur obligohet zekati),

- Pasuria ta ketë vlerën e nisabit gjatë një viti (kjo nuk vlen për të mbjella dhe fruta).

Nëse personi ka borxhe, së pari duhet t'i shlyejë ato, e për pjesën e mbetur, ta japë zekatin.

Nga kushtet e sipërpërmendura kuptohet se jomyslimani nuk është i obliguar me dhënien e zekatit. Gjithashtu edhe fëmija ose i riu që nuk ka arrijtë moshën madhore nuk obligohet me zekat, megjithse, nëse pasuria e tij tejkalon nisabin, zekatin për pasurin e tij duhet ta japë kujdestari (personi që përkujdeset ligjrisht për atë fëmij). Kjo për faktin se zekati është ibadet-adhurim, a dihet mirëfilli se fëmija nuk është i ngarkuar me të. E njejta dispozitë vlenë edhe për të çmendurin dhe matufosurin.



Zekati në të holla, ar dhe argjend


Nisabi (pasuria prej nga fillon të llogaritet zekati) për këtë kategori është 91,50 gr. ar apo 642 gr. argjend ose kundërvlera e njërës prej tyre në valutë. Sasia që duhet dhënë zekat është 2.5 %. Prandaj, personi që posedon gjatë një viti 91.50 gram ar është i obliguar ta japë zekatin që me këtë rast është 2.29 gram ar ose kundërvlerën e tij në valutë, pra 22.75 €.

Konkretisht, personi që ka 200 gr. ar, duhet të japë zekat 5 gr. ar, ose kundërvlerën 50 €.

Edhe për valuta monetare për bazë merret ari, prandaj mbi këtë rregull llogaritet edhe nisabi në të holla e që është 910€. (Kjo llogaritje është bërë sipas çmimit të arit në treg me dt. 7.10.2004). P.sh. Në qoftëse personi gjatë një viti ka pasur në dispozicion 1.000 €, ai duhet të japë 2.5%, gjegjësisht 25 € zekat.

Edhe për arin në sasi më të madhe, vlen i njëjti rregull. Llogaritet e tërë sasia e arit, dhe për aq sa ka, duhet të jap 2,5%.

Në të gjitha rastet lejohet të jepet kundërvlera e arit ose argjendit që posedon, në të holla.

Në qoftëse poseduesi të hollat i ka të deponuara në bankë: në valutë, në formë të çeqeve ose si letra me vlerë, edhe për to është i obliguar ta japë zekatin sipas rregullit të sipërpërmendur.

Zekati jepet edhe për paratë që personi ia ka dhënë dikujt hua - borxh. P.sh. në qoftëse personi ka një shumë të të hollave, p.sh. 2.000 €, kurse 1.000 € të tjera ia ka huazuar ndokujt, me këtë rast zekati duhet llogaritur për 3.000 €.

Ndërkaq, në qoftëse huadhënësi është plotësisht i bindur se huamarrësi nuk ka se si t'ia kthejë huanë, atëherë, për atë sasi ai nuk obligohet të japë zekat.



Zekati për mallëra tregtie


Allahu i Madhërishëm urdhëron:


يا أيها الذين آمنوا أنفقوا من طيبات ما كسبتم و مما أخرجنا لكم من الأرض...

"O besimtarë, jepni nga të mirat që keni fituar dhe nga ajo që u dhamë prej tokës..." (El-Bekare, 267).

Sumrete b. Xhundubi tregon e thotë: Pejgamberi a.s. na urdhëronte ta jepnim zekatin e mallit të përgatitur për ta shitur".

اdo lloj malli që personi e dedikon për tregti (shitblerje), me qëllim fitimi, si: kafshë, mjete teknike, rroba të ndryshme, artikuj ushqimorë, drithëra, pemë, perime, ndërtesa etj., detyrohet ta japë zekatin, natyrisht, në qoftëse i tërë ai mall vlen më shumë se vlera 91.50 gr. ar.

Tek ky lloj malli duhet llogaritur që sasinë e konsideruar e ka në dispozicion një vit, prandaj edhe vlerësimi i tij bëhet në fund të vitit.

Poseduesi ka mundësi që zekatin e mallit të tillë ta japë nga i njëjti mall ose edhe kundërvlerën e tij në të holla, gjithnjë duke llogaritur 2,5 %.



Zekati për të mbjellat (drithëra)


Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë:

وَآتُوا حَقَّهُ يَوْمَ حَصَادِهِ
“... Dhe jepni pjesën e obligueshme (zekatin) ditën e korrjes së tyre". (El-En'am, 141)

Allahu i Gjithëfuqishëm, edhe për kulturat bujqësore, pra, për bereqetet e të mbjellave ka caktuar zekat. Pronari është i obliguar që me rastin e korrje-shirjeve ta japë zekatin për ato bereqete që i ka mbjellë, siq janë: gruri, misri, elbi, tërshëra, thekri, patatet, rrepat e të ngjashme. Nisabi i prodhimeve bujqësore është 653 kg.

Për rendimentet e marra nga të mbjellat që ujiten vetë ose nga shiu (ujitje natyrore), sasia e zekatit është 1/10 sasi ose 10%.

- Për rendimentet e marra nga të mbjellat që ujiten në mënyrë artificiale - me angazhimin e njeriut, si me anë të sistemit të ujitjes, me hidrofor, cisternë e të ngjashme, sasia e zekatit është 1/5 sasi ose 5% e sasisë së marrë.

- Në rastet kur ujitja bëhet edhe me njërën edhe me tjetrën mënyrë, sasia e dhënies së zekatit është 7,5 %.

* Dispozitat e përmendura më lart për të mbjellat, vlejnë edhe për pemët.

Koha e dhënies së zekatit të pemëve është kur pronari i vjel ato.


Zekati për kafshët


Sheriati ka precizuar dhënien e zekatit edhe për kafshët që ka pronari: lopë, buallica, dele, dhi etj.

Për kafshët e sipërpërmendura nisabi dhe sasia e zekatit është si më poshtë:

- prej 30 - 39 lopë ose buallica duhet dhënë zekat 1 lopë dyvjetëshe,

- prej 40 - 59 lopë duhen dhënë një lopë trevjetshe,

- prej 60 - 69 duhen dhënë 2 lopë dyvjetshe,

- prej 70 - 79 duhen dhënë 2 (1 dyvjetshe dhe 1 trivjetshe),

- prej 80 - 89 dhuhet dhënë 2 lopë trevjetshe,

- prej 90 - 99 duhet dhënë 3 lopë dyvjetshe,

- prej 100 - 109 duhet dhënë 3 lopë (2 dyvjetsh dhe 1 trevjetshe).

Kurse për dele e dhi zekati jepet sipas këtij rregulli:

- Prej 40 - 119 dele ose dhi duhet dhënë një dele (ose dhi),

- prej 120-219 duhen dhënë 2 dele,

- prej 220-320 duhen dhënë 3 dele. Pastaj, për çdo njëqind më tepër, jepet një dele më shumë.


Kujt duhet t’i jepet Zekati


Allahu i Madhërishëm ka përcaktuar se kujt duhet t'i jepet zekati


إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَالْمَسَاكِينِ وَالْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَالْمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمْ وَفِي الرِّقَابِ وَالْغَارِمِينَ وَفِي سَبِيلِ اللَّهِ وَابْنِ السَّبِيلِ فَرِيضَةً مِنَ اللَّهِ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ

Sipas këtij ajeti të Kuranit, dhënia e zekatit është përcaktuar:

1. për të varfrit,

2. për të ngratët,

3. për punonjësit (që e tubojnë atë),

4. për ata të cilëve u duhen përfituar zemrat,

5. për lirimin e robërve,

6. për ata që kanë shumë borxhe,

7. në rrugën e Allahut, dhe

8. për atë që ka mbetur në rrugë pa mjete.


Duke marrë parasysh kushtet dhe rrethanat tona, në të cilat është duke u zhvilluar jeta fetare islame, dhe duke u bazuar në fjalën e Allahut në ajetin e sipërpërmendur “ve fi sebilil-lah - në rrugën e Allahut”, pra për të mirën e përgjithshme, ylemaja kompetentë dhe përgjegjës për çështje islame, kanë dhënë fetva (mendim juridik obligativ) për dhënien e zekatit në dobi të institucioneve fetaro-arsimore. Të tilla institucione në Kosovë janë Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës dhe medreseja e mesme "Alauddin" e Prishtinës me dy paralelet e saj të ndara fizike në Prizren e Gjilan.


Vëllezër të nderuar!

Fakulteti i Studimeve Islame dhe medreseja e mesme "Alauddin", deri më tash nuk kanë pasur buxhet të caktuar dhe as që kanë marrë ndonjë ndihëm të caktuar nga asnjë shtet ose shoqatë humanitare, dhe kështu vazhdojnë edhe tani. Prandaj, Medreseja dhe Fakulteti me të drejtë presin ndihmën dhe përkrahjen tuaj, sepse, duke dhënë zekatin, ju në fakt po kryeni detyrimin tuaj ndaj Allahut dhe po u ndihmoni që ato të punojnë normalisht. Dhënien e zekatit mund ta bëni pranë Këshillit tuaj të Bashkësisë Islame ose përmes imamit tuaj, ose edhe duke e paguar në xhirollogarinë: 1601000124019155-a

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke apeluar tek ju që ta jepni zekatin në dobi të Medresesë dhe Fakultetit, në emër të personelit mësimor-edukativ, nxënësve e studentëve të saj, Ju shpreh mirënjohje të sinqertë për ndihmën tuaj të vazhdueshme.

Në qoftë se e jepni zekatin, Allahu xh.sh. Do t'ua mbrojë pasurin tuaj dhe do t'ua shtojë dhe se ju ditën e Bajramit do ta pritni me shpirt dhe pasuri të pastër. E lusim Allahun që këtë ibadet t'jua pranojë dhe t'jua shtojë bereqetin edhe më shumë. Mos harroni, nxënësit e Medresesë dhe studentët e FSI-së kanë nevojë për ndihmën tuaj!



Pasojat për mosdhënien e zekatit


Meqenë se zekati është institucion i një rëndësie të veçant, edhe shpërblimi –sevapi për të gjith ata që e kryejnë është i shumëfisht. Çdo sakrificë që besimtari e bënë në emër të Allahut, Ai e shpërblenë në këtë botë dhe në botën tjetër - ahiret:

واكتب لنا في هذه الدنيا حسنة و في الآخرة إنّا هدنا إليك قال عذابي أصيبُ بهِ مَن أشاءُ و رحمتى وسعتْ كلّ شيئ فسأكتبها للذين يتّقون و يؤتون الزكاة و الذين هم بآياتنا يؤمنون

“Dhe cakto për ne jetë të mirë në këtë botë (dynja) dhe të mirë në botën tjetër (ahiret), pse vërtetë jemi kthyar kah Ti. Ai (Zoti) tha: dënimi im është ai me të cilin e godas cilin dua, e mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (mëshirën) do ta caktojë për ata të cilët ruhën (nga mëkatet), e japin zekatin dhe për ata që argumentet tona i besojnë”. (El A’raf, 156)

Nga ana tjetër, ata që janë të obliguar për ta kryar këtë obligim, mirëpo muk e bëjnë këtë, padyshim se do të ndëshkohën. Allahu i Gjithëpushtetshëm në Kuran thotë:

هَاأَنتُمْ هَؤُلَاء تُدْعَوْنَ لِتُنفِقُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَمِنكُم مَّن يَبْخَلُ وَمَن يَبْخَلْ فَإِنَّمَا يَبْخَلُ عَن نَّفْسِهِ وَاللَّهُ الْغَنِيُّ وَأَنتُمُ الْفُقَرَاء وَإِن تَتَوَلَّوْا يَسْتَبْدِلْ قَوْماً غَيْرَكُمْ ثُمَّ لَا يَكُونُوا أَمْثَالَكُمْ

“Ja pra, ju jeni ata që ftoheni për të dhënë në rrugën e Allahut, e disa nga ju bëjnë koprraci, e kush bënë koprraci ai bënë kundër vetvetës, Allahu ska nevojë dhe është i pasur, kurse ju jeni të varfër. Po nëse ju ia ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendsojë me një popull tjetër, që nuk do të jet si ju”. (Muhamed, 38)

Ai, gjithashtu, me një ajet tjetrë në Kuran tërheq vërejtjen:

وَلاَ يَحْسَبَنَّ الَّذِينَ يَبْخَلُونَ بِمَا آتَاهُمُ اللّهُ مِن فَضْلِهِ هُوَ خَيْراً لَّهُمْ بَلْ هُوَ شَرٌّ لَّهُمْ سَيُطَوَّقُونَ مَا بَخِلُواْ بِهِ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَلِلّهِ مِيرَاثُ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَاللّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ

“Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, Allahu është i njohur mirë me atë që veproni”. (Ali Imran, 180)

Mosdhënien e zekatit e ka gjykuar edhe Pejgamberi a.s.. Ebu Hurejreja transmeton që Pejgamberi a.s. të ket thënë: “Ai të cilit Allahu i ka dhënë pasuri e nuk e jep zekatin, ajo pasuri do ta dënojë ditën e gjykimit.

Është shenuar që Pejgamberi a.s. të ket thënë edhe këtë:

لا يقبل الله الإيمان و لا الصلاة إلاّ بالزكاة
“Allahu nuk do ta pranojë besimin (imamin) e njeriut, as namazin e tij, pa mos e dhënë zekatin”. (Munavi)

Pastaj, Pejgamberi a.s. ka thënë: مانع الزكاة في النار”mosdhënësi i zekatit ditën e gjykimit do të digjet në zjarr të xhehnemit”.


Të theksojmë edhe këtë se, dënimi i sipërpërmendur është për atë që e din dhe e pranon se dhënja e zekatit është detyrim, dhe, megjithatë, nuk e kryen, përse edhe bënë mëkat të madh. Ndërkaq, në qoftë se i pasuri e mohon zekatin si detyrim-farz, ai në fakt ka mohuar një prej pesë shtyllave të fesë islame dhe rrjedhimisht llogaritet i braktisuar nga rradhët e myslimanëve. Për të tillët vlejnë dispozita tjera.

Ju falëmnderit!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme