
Kur shkova në Shqipëri gjatë vitit 1998 për herë të parë mësova për urrejtjen brenda Shqiptare Veri-Jug. Mu desh një kohë goxha e gjatë për të kuptuar ne thelb qyfyret që fshiheshin prapa kësaj urrejtjeje dhe ideje. Në Kosovë e dija se kishim anekdota dhe humore për rajone të ndryshme të Kosovës; psh flasim me thumba për gjakovarët si dylbera, për drenicakët si të pagdhendur, për prishtinalitë si racë kullerash etj, por këto ngelin vetëm në nivelin e qeshjes së rastit. Paçavure të tipit veri-jug nuk më kishte rastisur të dëgjoja ndonjëherë. Në anën tjetër, më herët me stepje nga Kosova kishim vëzhguar trazirat e vitit 1997 kur de fakto u shpërbë shteti ynë amë jo nga ndonjë pushtues i jashtëm por nga heronj të brendshëm.
Me vonë pas çlirimit të Kosovës kur kosovarët filluan të shkojnë me të madhe në Shqipëri filluan të mos na bëjnë më përshtypje rastet e plaçkitjes së kosovarëve nga njerëzit me flokë të gjata dhe me erë zdrali matanë kufirit sikur që u bënë edhe normalitet rastet e ngjyrosjes me gjak e marrëzira të secilit rast të zgjedhjeve politike në Shqipëri. Për çudinë, para së gjithash të ndërkombëtarëve, të gjitha zgjedhjet kosovare e edhe ato te fundit të organizuara në tërësi nga vetë Kosovarët përfunduan në heshtje dhe daullet e humbësit apo të fituesit nuk u zbukuruan me krisma armësh e çirrje krokodilësh. Disa njerëz filluan me qesëndi të komentojnë se këta kosovarë nuk kishin asgjë të përbashkët me shqiptarët e përtej kufirit. Dhe as që kishin pasur ndonjëherë këto dekadat e fundit. Në kohën kur në Kosovë shqiptarët e dëgjonin rokun imperialist të Evropës dhe Amerikës artistët matanë gardhit i thurnin himne Stalinit dhe Leninit, përderisa në Kosovë shkruheshin romane dhe bëhej letërsi kapitaliste matanë telave shqiptarë po lulëzonte letërsia kadareiane e realizmit komunist.
Shumë gjëra duken kështu në të parë. Shumë kush do te donte te shihte një përgjigje te tillë kosovare ndaj shkarravinave te hasura kohë më parë në ca shkrime bulevardeske te Tiranës. Edhe shumë shqiptarëve nga Kosova kur e kanë lexuar për herë të parë pamfletin e Maks Velos të para ca kohësh në gjak të nxehtë, këto muhalife do tu kenë ardhur në mend por shumë shpejt e kanë kuptuar thelbin e sulmeve të tilla duke pasur përvojë gati shumëshekullore me pushtues të ndryshëm që janë munduar tua fusin ne palcë krimbin e urrejtjes fisnore apo krahinore. Shumë gjëra në sipërfaqe të mashtrojnë. Në shikim të parë bile edhe velloja e ngritur e Maks Velos nga Shqipëria duket si një kontribut për të mbrojtur të ardhmen e ndritshme të evropianizimit shqiptar nga primitivizmi i fiseve kosovare. Por e vërteta është pak më ndryshe.
E vërteta të cilën e dinë shumica e shqiptarëve Kosovarë dhe Shqiptarë është se në pjesën më të madhe të kombit të shpërndarë në disa shtete ekziston akoma fryma unifikuese e inspiruar nga Rilindja Kombëtare dhe e cila duke pasur rrënjë edhe më të thella e bën ekzaltuese thirrjen vëlla të njëri tjetrit, dhe e cila i mbajti bashkë në të mira e në të këqija këto vitet e fundit këta.
Por ekziston edhe një pjesë tjetër e medaljes së kësaj të së vërtete dhe e cila po sforcohet shumë e më shumë, sidomos në Shqipëri, dhe e cila herët a vonë do t’ia fusë thikën në shpinë romantizmit patriotik të kombit.
Identiteti shqiptar dhe identiteti shqiptar
E tëra filloi me thirrjen e kohëve të fundit të Kadaresë që ta grushtojmë pjesën islamike të identitetit shqiptar në mënyrë që të bojatisur katolikisht të hyjmë më lehtë në kontinentin e vjetër. Kjo nuk është një thirrje e re. Kadare kot u mundua që ne pjesët e fundit të polemikës ta mashtrojë opinionin se nuk e kishte këtë qëllim me deklaratat e tij. Misionarizmi i fundit i Kadaresë është vetëm ripërtëritje e fushatës së nisur qysh në kohën kur Kadare e vetëquajti vetveten disident. Asokohe ai pati dhënë deklarata kontradiktore se myslimanet në Shqipëri na qenkan pakicë dhe se duhet rikonsideruar përkatësinë fetare edhe ajo pjese e vogël që akoma mban emra osmanllijshë. Atëbotë kjo ide gjeti përkrahje shumë të madhe nga intelektualë të caktuar në Shqipëri. Në Kosovë ia mbajtën ison shkrimtarë të tipit Rushit Ramabaja apo edhe intelektualë si Shkëlzen Maliqi, qoftë edhe robër të tipit Baton Haxhi.
Ky është disvafori më i madh që Kadare & Co i bëjnë kauzës Shqiptare, Kosovare dhe shqiptare në përgjithësi. Kjo fushatë fanatike u dha sinjalin më të gabuar qarqeve të caktuara nëpër Evropë në kohën kur as edhe një shqiptar i vetëm i rëndësishëm nuk kishte pasur kurrë ndonjë problem me ndërlidhjen e vlerave universale (që Kadare gabimisht i quan vetëm Europiane) me konstelacionin social shqiptar. Kurthet që e pengojnë Shqipërinë për tu bërë më shpejt një anëtare me të drejta të barabarta në familjen Europiane nuk kanë prapavijë islamike por janë produkt i mentalitetit komunist dhe mesjetar të cilin islami më së shumti e luftoi kudo që shkeli.
Kjo qasje që i bëhet shqiptarëve myslimanë dhe veçanërisht Kosovës është një mollë sherri mirë e menduar dhe nuk ishte aspak e rastësishme që në fushatën e tij misionare për deislamizimin e kombit, Kadare punëson edhe ide dështake të tipit Maks Velo. Këta thirrës për rishkrimin e identitetit shqiptarë edhe mund të jenë Europiane me ide, por assesi jo të kohës së sotme. Ora e tyre e vlerave çalon rëndë në shekujt e mesjetës kur hijet e jotolerancës dhe tmerrit të fanatizmit fetar valëviteshin gjithandej kontinentit të vjetër. Europa e sotme i ka tejkaluar këto kriza dhe sot i vlerëson specifikat e të së kaluarës dhe të së tashmes së saj të cilat u krijuan si ngërthim i kulturave e vlerave të ndryshme me të cilat Europa pati kontakt, përfshirë edhe atë islamike. Nuk ka ndonjë identitet të ngurtësuar Europian. Europa ka brenda veti shumë specifika kulturore, fetare e sociale të cilat herë herë ndryshojnë tmerrësisht shumë midis veti por që të gjitha bashkohen tok në vlera universale humane të cilat nuk kanë rrënjë në Europë por janë paradigmë e secilit komb dhe kontinent dhe të cilat shumë herë nuk kanë mundur të realizohen apo nuk po mund të realizohen pikërisht për shkak se akoma ka shumë ngecje nga e kaluara që origjinojnë pikërisht Evropën dhe Perëndimin. Prandaj edhe identiteti shqiptar nuk ka nevojë për konturues paushallë sepse dihet mirë cili është dhe të gjithë i kanë të njohura çartë karakteristikat e tij. Pjesa dërmuese e shqiptarëve me dëshirë vazhdon të jetë islamike dhe ky islamitet i saj është një vlerë shumë e çmuar e cila mund ta afrojë edhe më tepër Shqipërinë e shqiptarët drejt bashkimit me togun e kombeve të civilizuara ashtu siç edhe ka bërë në të kaluarën.
Ndarje e detyrueshme apo vazhdim i respektit
Për fatin e keq të identitetshkruesve të tillë mesjetare shqiptarët as nuk u bënë sa çil e mbyll sytë katolikë dhe as që pushuan së qeni myslimanë. Vitet e fundit, sidomos në Kosovë kanë dëshmuar se sa myslimanë dhe në të njëjtën kohë sa evropianë janë shqiptarët. Identiteti i ndrydhur islam i shqiptarëve ka pësuar një ringjallje të furishme dekadën e fundit. Në punën time të përditshme si mësimdhënës shoh çdo herë e më shumë studentë, arsimtarë, nxënës e njerëz të thjeshtë që janë krenarë për përkatësinë e tyre islamike dhe që në të njëjtën kohë e lexojnë Balzakun, dëgjojnë Guns & Roses dhe shikojnë njëkohësisht BBC-ne dhe NIL-TV. Thirrja për katolikizimin e myslimanëve shqiptarë po reduktohet vetëm në pëshpëritjet e një klase të vogël të një murgjërie të dështuar e cila megjithë përkrahjet që mund të ketë aty këtu në ndërtimin e kishave katolike midis banorëve myslimanë akoma vazhdon të stepet se si nuk u bënë të krishterë akoma këta kosovarë kokëfortë.
Prandaj kosovarët shqiptarë do të vazhdojnë të mbeten myslimanë, i pëlqeu kjo dikujt apo jo. Islami është pjesë e rëndësishme e identitetit shqiptar të tyre dhe ata do të vazhdojnë ta ndihmojnë edhe pjesën tjetër të kombit në mbajtjen gjallë të identitetit të tyre. Me këtë do ti bëjnë zero përpjekjet e llojit Velo të cilat tentojnë që me idetë e tyre të krijojnë dy kombe shqiptare, atë katoliko-ateist-ortodoks dhe tjetrin islamik, para së gjithash kosovar. Shqiptarët myslimanë edhe një herë sikur që e shpëtuan kombin prej asimilimit sllav kësaj here do ta shpëtojnë popullin nga këto ndasi për të mirën edhe të vetë partizanëve të Kadaresë.
Letërsia identitetshkruese e Kadaresë dhe sojit Velo e pati edhe një anë pozitive, se e sforcoi edhe më tepër ndjenjën e krenarisë për qenësinë Islame të kombit tek shumë njerëz që më herët rreshtoheshin krahas vetë tyre. U pa se falsiteti me të cilin dëshirohet të identifikohet kombi na qon në një superkomunizëm të ri i cili është i predestinuar të dështojë me fillim. Edhe njerëz si Migjen Kelmendi psh i cili ka mbi supe bagazhin e pervojes se vecimit, e shumë të tjerë qe më herët do të donin të flaknin shumë islamitete të shqiptarëve tashmë janë krenarë për këtë përkatësi dhe pa fajin e tyre kjo herët a vonë do ta vendosë në rend të parë sfidën e ndarjes të cilën aq shumë e dëshirojnë Maks Velot. Veçimi nuk eshte me abstraksion!
Prandaj është e mira e së mirës që edhe të tjerët ta kuptojnë se këto thirrje e dërgojnë Shqipërinë dhe shqiptarët në drejtim të ndarjes brendashqiptare dhe bashkimit me Kubën dhe jo drejt Europerëndimit. Pjesa më e madhe e shqiptarëve janë sikur përherë krenarë që janë myslimanë, ortodoksë, katolikë dhe ateistë dhe vetëm duke e respektuar qenësinë specifike të tjetrit mund të mbërrijmë aty ku aspirojnë e jo assesi duke e ndrydhur identitetin e pjesës më të madhe të kombit. Magjitë e mashtrimeve që i serviren shqiptarëve tash e disa vite dalëngadalë do të shuhen dhe do të mbetet vetëm hiri i gënjeshtrave të tyre për ti mbushur vrimat e historisë kombëtare.