
Shqipëria komuniste në atë kohë ishte aleati më i ngushtë dhe miku më i afërt në politikë e ideologj i Kinës komuniste. Ishte e pashmangshme që “revolucioni kulturor kinez” të kishte ndikimet e tij edhe në Shqipëri. Por Shqipëria e vockël komuniste europiane ndryshonte shumë nga gjigandi komunist aziatik. Edhe pse udhëheqja komuniste shqiptare ishte e detyruar të bënte diçka për të ndjekur Kinën ishte e pamundur që “revolucioni kulturor” kinez të përsëritej natyrshëm si kopje e modelit kinez në Shqipëri. Kjo u pa qysh në emërtimin që zgjodhi udhëheqja komuniste e Shqipëris për imitimin e dukurisë kineze në vendin tonë. Në Shqipëri u sajuan dhe u përdorën termat “revolucionarizim i mëtejshëm i jetës së vendit”. Imitimi i “revolucionit kulturor” kinez më shumë u pasqyrua në sulmet kundër “mbeturinave të shoqërisë së vjetër”, “bestytnive e zakoneve prapanike”, në sulmet kundër veshjes tradicionale të shqiptarëve dhe veçanërisht në sulmet kundër besimit e feve, kundër institucioneve e praktikave fetare, kundër simboleve fetare. U shembën kisha e xhamia. U detyruan priftërinjt, hoxhallarët, dervishët e baballarët të hiqnin kamillafët, çallmat, xhybet, rasot; të rruanin mjerat, të flaknin tespihet, të fshinin librat fetarë.
Por “revolucionarizimi” nuk kurseu as laikët e kthyer me urdhër në ateistë. Vajzat e gratë e fshatit u veshën me tuta të shëmtuara për të luftuar kostumet e bukura popullore. Vajzave të qytetit u rekomadohej uniforma ushtarake e zboristëve. Fustanet e shkurtra, pantallonat e gjëra, flokët e gjata të djemve e flokët e shkurtër të vajzave, u shpallën kundërrevolucionarë ( si herezitë fetare në kohën e inkuizicionit kishtar mesjetar). Në aeroportin e Rinasit e portet e Shqipërisë u vendosën “xherahët e revolucionarizimit” , berberë e rrobaqepës që vringëllinin gërshërët kundër çdo personi që kishte mjekër ose pantallona të gjëra, që kthenin mbrapsht në avion ose anije vajzat e huaja me minifunde, burrat me mjekra e mustaqe kur këta nuk ndërronin rrobat, ose nuk pranonin t’u qethej koka, t’u rruhej mjekra e priteshin mustaqet.
“Merita” për nismën e këtyre masave iu njoh gjimnazit shtetëror “Naim Frashëri” në Durrës. Në këtë shkollë të mesme ishte ndjerë gjoja më shpejt e më fort jehona e revolucionit (anti)kulturor hunveibin të Kinës. Edhe tani në vitet e demokracisë shefi i asaj kohe i propagandës së PPSH, Ramiz Alia, në shpjegimet e tij ngulmon se nuk ishte Partia e Punës që nxiti gjimnazin “Naim Frashëri në Durrës të ndizte fitilat e bombës së “revolucionarizimit të mëtejshëm të jetës “ në Shqipëri, por ishin vetë nxënësit e këtij gjimnazi.
Ky debat është pa kurrfarë interesi tani. Me interes është të kujtojmë nismën “revolucionare” të gjimnazit të Durrësit që u përdor si sebep për ndalimin e besimit e të feve në Shqipëri, në një kohë kur sërish në Durrës përsëriten të tilla “nisma revolucionarizuese” . Kësaj radhe nuk është më një shkollë e mesme, por Universiteti i sapo hapur në Durrës ku ngrihet lart i njëjti flamur i një ideologjizmi të verbër. Kësaj here ky flamur inkuizicionist kundër herezisë fetare nuk ngrihet kundër besimit në përgjithësi e gjithë feve, por vetëm kundër fesë islame. Kësaj here ky flamur i mendësive inkuizicioniste nuk ngrihet për të mbrojtur ateizmin, por për të “mbrojtur” laicizmin. Kësaj here është një rektor universiteti dhe kolegët e tij që tregohen shumë më kryeneçë në “revolucionarizimin e tyre” antimysliman, sepse po i kundërvihen atij mendimi të shëndoshë që shprehin shumë intelektualë, madje në emër institucionesh të larta arsimore të vendit, politikanë e mekanizma shtetërorë se nuk është veprim i arsyeshëm të ndëshkosh studentët pse në veshjen e paraqitjen e tyre shprehin edhe përkatësitë e tyre fetare.
Rektori i Universitetit të Durrësit tregohet shumë më antimysliman se mësuesit e nxënësit e gjimnazit “Naim Frashëri” para 40 vitesh kur vepronin me porosi e me urdhër të partisë-shtet. Mendimet çapraz të këtij rektori Universiteti i kemi lexuar e dëgjuar në gazeta e media disa herë. Është për t’u habitur që 40 vjet pas nismës së gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës, nismë që ka lënë një shije të hidhur në tërë Shqipërinë, në Durrë shfaqet një rektor Universiteti që bën veprime shumë më të shëmtuara dhe më sfiduese kundër të drejtave themelore të njeriut, kundër arsyes njerëzore dhe sepse me kokëfortësi nuk ia vë veshin asnjë argumenti që i japin të tjerët për të ndrequr gjykimet e tij të shpërfytyruara për kohën në të cilën jetojmë.
Është qesharake kur e sheh dhe e dëgjon këtë rektor universiteti të përdorë një gjuhë shumë të papërpunuar, që nuk do t’i falesh as një analfabeti, që të mbrojë qëndrimet e tij. Është qesharake kur rektori fshihet pas “ferexhesë së laicizmit” sa herë shfaqet në debat. Edhe në një emision krejt të kotë në “Top Shou” të “Top Channel-it” (po shumohen “topet” më mediat shqiptare se tani ka dalë dhe një “top story”) ngrefosej me poza të “mbrojtësit të laicizmit” në Universitetin e Durrësit, por duke lënë të kuptohej fare qartë për teleshikuesit se nuk e kishte të qartë se çfarë është laicizmi dhe çfarë do të thotë laicizim i shkollës dhe i arsimit. Për një rektor universiteti nuk është punë aq e vështirë të mësojë këto gjëra. Këtij rektori do t’i mjaftonte ta hapte vetë ndonjë fjalor gjuhësor, ose nëse nuk di gjuhë të huaja, të vinte ndonjë koleg të tij t’i përkthente shpjegimet nga ndonjë fjalor gjuhësor për të kuptuar se “laicizim i shkollës dhe i arsimit” do të thotë të kesh programe mësimore laike, jo fetare. Me kaq puna është e mbyllur. Besimi fetar i nxënësve e studentëve, shfaqja e bindjeve dhe besimit të tyre fetar në veshje, apo në mënyra të tjera, nuk ndikon aspak negativisht në “laicizmin e arsimit e të shkollës”.
Sipas fjalorit “Peti Robert” të gjuhës frënge për fjalën “laik” shpjegimet fillojnë kështu “që nuk bën pjesë në kler, ose në urdhërat klerikal, kur flitet për të krishterë të pagëzuar”. Pra, mund të jesh i pagëzuar si i krishterë dhe të jesh laik. Pastaj flitet për “shoqëri laike, për ta dalluar nga ajo klerikaliste” . Më tej bëhet fjalë për “arsimin laik si e kundërta e arsimit fetar”. Kështu as shamia në kokën e një studenteje të besimit mysliman, as mjekra në fytyrën e një studenti mysliman, nuk ia cenon karakterin laik Universitetit të Durrësit, përderisa programi mësimor nuk është fetar dhe vajza me shami e djali me mjekër mësojnë në këtë universitet lëndë si gjithë të tjerët, lëndë jo fetare. Sipas “Petit Robert” fjala “laikat” do të thotë “tërësia e të krishterëve që nuk kryejnë funksione kishtare”, pavarësisht se dhe këta mund të mbajnë kryqin. Kurse “laicizëm” do të thotë doktrinë që priret t’u japë institucioneve karakter jofetar”, pra nuk ka të bëjë me prirjen e njerëzve për të shfaqur në publik përkatësinë fetare nëpërmjet veshjes ose me mënyra të tjera. Fjala “laicitet” shpjegohet si “karakter laik”, ose “parim sipas të cilit ndahet shoqëria civile nga ajo fetare”. Sipas këtij parimi “ shteti nuk ushtron ndonjë pushtet fetar dhe kisha nuk ushtron ndonjë pushtet politik”. Prania në auditoret e universitetit të Durrësit e një studenteje me shami në kokë dhe e një djali me mjekër nuk e cenon laicitetin (karakterin jofetar) të universitetit, sepse nuk do të thotë se po ushtrohet këtu ndonjë autoritet fetar.
Edhe në fjalorin e gjuhës angleze “Uebster” fjala “lay” (laik) shpjegohet: ”jo klerikal, jo kishtar, njerëzit e zakonshëm për dallim nga kleri; që nuk ka të bëjë me priftërinë”. Fjalori i gjuhës angleze ka dhe një shpjegim për përdorimin specifik në këtë gjuhë të termit “laik”, që do të thotë se “nuk ka të bëjë me një profesion, që nuk është profesionist” . Me sa duket rektori i Universitetit të Durrësit qenka “laik” vetëm në këtë kuptimin specifik që ka marrë kjo fjalë në gjuhën angleze, sepse gjykon për laicizmin jo si profesionist, por thjesht si një fanatik islamofob.
Po pse ndodh vallë që 40 vjet pas nismës revolucionarizuese hunveibine në gjimnazin “Naim Frashëri” në Durrës, ku u ndez zjarri për të përvëluar të vjetrën, të prapambeturën, gjithëçka të lidhur me fetë, del një rektor universiteti që përtërin, madje imiton më shëmtueshëm, atë nismë, duke e drejtuar kundër fesë islame?! Është e vërtetë se fryma antifetare e “revolucionit kulturor” kinez në Shqipëri qëndroi më gjatë dhe ishte më e ashpër se në Kinë. Por përsëri duket e çuditshme që një frymë e tillë të ketë gjetur kaq gjatë vend në mendësitë e një rektori universiteti të vitit 2006 dhe të shpërthejë me një fanatizëm islamofob që të kujton inkuizicionin kishtar të krishterë në Spanjën e shekullin XV. Nuk dimë nëse rektori i Universitetit të Durrësit ka qenë nxënës në gjimnazin “Naim Frashëri” në vitet 1960-70 që nga nostalgjia për atë kohë të humbasë arsyen tani. Por edhe kjo do të ishte pak për të shpjeguar qëndrimet, e sidomos arsyetimin që bën.
Më e besueshme është se ky rektor po ndjek disa intelektualë të tjerë shqiptarë që kanë rënë nën psikozën antimyslimane të një “hunveibinizmi perëndimor”, të asaj islamofobie që po importohet në Shqipëri prej disa vitesh. Kjo islamofobi është shfaqur shpesh nëpërmjet fushatave “kundër shamisë së kokës” të besimtareve myslimane. Veprimi i rektorit të Universitetit të Durrësit ka përkuar në kohë me sherrin që plasi në Angli kur kryetari Dhomës së komuneve, ish-ministri i jashtëm Xhek Strou, deklaroi se nuk dëshiron të shohë para tij gra myslimane që mbajnë ferexhe. Menjëherë islamofobët shqiptarë u kërleshën kundër “shamisë së kokës”, me klishetë e zakonshme kundër “ferexhesë”. Kryetari i Bashkësisë Islame, Selim Muça, ua bëri edhe një herë të paditurve atë shpjegim që u kanë bërë shpesh të tjerë se “shahmia në kokë” dhe “ferexheja që mbulon fytyrën e grave” janë të dy gjëra të ndryshme. Selim Muça bëri mirë që deklaroi në emër të Bashkësisë Islame se nuk pëlqen mbajtjen e ferexhesë nga gratë myslimane, por është e drejta e tyre njerëzore dhe fetare të mbajnë shaminë në kokë. Mirëpo islamofobëve përsëri nuk u mbushet mendja, edhe tani që flet kryetari islam i moderuar dhe jo ndonjë “ekstremist islamik” laik. Përkundrazi islamofobët e dalldisur si Mustafa Nano edhe në këtë rast deshi të vendoste një vijë të tij të demarkacionit midis të drejtës së vajzave myslimane për të mbajtur shami në kuadër të ”të drejtave të njeriut” dhe mbajtjes së shamisë prej tyre si “simbol i fesë myslimane”. Islamofobët janë dakord që vajzat të mbajnë sa të duan shami në kokë, por jo si simbol të fesë islame. Ata janë dakord që gjithë shqiptarët të mbajnë mjekra si të Janullatosit, si të Andrea Stefanit, të dalin me këto mjekra në ceremonitë publike, të mbulojnë me to ekranet e televizioneve, por nuk durojnë dot mjekra për të shprehur përkatësinë e njerëzve në fenë islame. Gazetari i “Mapo-s” së re që është hapur në tregun e matrapazllëkut publicistik kur bisedon me besimtaren myslimane që mban shami përpiqet që edhe këtë ta paraqesë më shumë si imitim dhe si admirim për Nënë Terezën se si përkushtim ndaj fesë islame. Ja deri ku shkon spekulimi!
Ajo që bën rektori i Universitetit të Durrësit për hir të “laicizmit” është një gjë më e shëmtuar se ajo që bënin aparatçikët fanatikë të komunizmit “për hir të ateizmit”. Ajo që bën rektori i Universitetit të Durrësit është një gjë shumë më pa vend dhe më e shëmtuar se ajo që bënë para 40 vitesh “komisarët e PPSH-së” në gjimnazin e Durrësit. Ajo që bën rektori i Universitetit të Durrësit është një islamofobi vulgare. Rektori i Universitetit të Durrësit mund të gjejë shoqëri vetëm tek islamofobë të çakërdisur e të pështirë si Kastriot Myftaraj, që duke marrë shkas nga trimëritë e rektorit e shtron çështjen ”ose të lejohet shamia e kokës e myslimaneve, ose të nxirret myslimanizmi jashtë ligjit”. Ja dhe një provë tjetër se si ringjallen jehonat e nismës së gjimnazit të Durrësit pas 40 vitesh.
Pas asaj nisme fetë në Shqipëri u nxorrën jashtë ligjit. Kjo u sanksionua dhe në kushtetutën e vitit 1976. Tani në vitin 2006, 30 vjet pas miratimit të kësaj kushtetute, që u abrogua nga zhvillimet demokratike në vitin1991, në shtypin shqiptar (gazeta “Sot”) shfaqen sërish fjalët “të nxirret Islami jashtë ligjit në Shqipëri”. Nuk mund të ketë gomarllëk më të madh se të ripërtërish idenë komuniste të nxjerrjes së fesë jashtë ligjit. Këtë e dëshmoi përvoja shqiptare nga viti1967 në vitin 1991. Dhe këtë gomarllëk e bëjnë ata që fanatizmi islamofob ua ka kthyer trutë në baltë. E për fat të keq pranë sharlatanëve të njohur prej vitesh shohim të radhisë veten dhe një rektor universiteti!
Na vjen keq për qytetarët durrsakë që pasi u ka mbetur në derë ajo hija e keqe e nismës antifetare të gjimnazit “Naim Frashëri, tani po e përurojnë universitetin me një hije të zezë që hedh ofensiva ilsamofobe kundër shamisë e mjekrës “myslimane ne” Durrës, pikërisht në Durrës ku drejtuesit e shoqatës lokale dhe të xhamisë u munduan që iftaret e Ramazanit dhe Bajramin e Madh t’i kthenin më shumë se në çdo qytet të Shquipërisë nga veprimtari të mirëfillta fetare në veprimtari propagandistike “për harmoninë e tolerancën fetare”. Rektori i universitetit ua shpërbleu me islamofobi këtë përpjekje.
29 tetor 2006