Sipas Naxhi Zejnuddin el-Musarrifit, autor i dy enciklopedive kaligrafike, i pari që e ka përdorë këtë simbol në kuptimin e stemës sunduese, ka qenë një nga sulltanët e turqëve ogurë. Dinastia ogure, dikur në të kaluarën, ka sunduar në hapësirat e Turkestanit të sotëm dhe nga ata më vonë do të zhvillohej Perandoria Osmane. Ata, shenjës së tyre, e me këtë edhe vetë fronit, i kanë dhënë kuptim mitik dhe të shenjtë, që mund të shihet edhe nga ligjëratat e tyre gojore që janë transmetuar nga gjenerata në gjenerat. Megjithëkëtë, “tu(g)ra” është zbulim i turqëve ogurë dhe ka lindur si krijesë artisitke e njerëzve të tyre, si përzierje e vizatimeve dhe shkresave kaligrafike. Ajo nuk lindi pa pritmas dhe nga askundi, por erdhi si pasojë e zhvillimit të gjatë të këtij arti, që zgjati me qindra vjet. Një kallëzim thotë se ky simbol ka ardhur nga Irani dhe përfaqëson shpendin mitik Feniksin, të cilin iranianët e quanin Semerg, kurse arabët të njëjtin e quanin ‘Anka-ul-magribi. Sipas një transmetimi tjetër, “tu(g)ra” ka lindur nga shkresa kaligrafike, në stilin e quajtur “humajun” dhe simbolizon shpendin gjatë fluturimit, që kur mbulon personin e caktuar, ai (person) në një të ardhme do të bëhet sundues. Edhe ky koment është me karakter mitik dhe nuk ka kurrfarë shpjegimi racional.
Sido që të ketë qenë, kjo shenjë është bërë stemë e të gjithë sulltanëve osmanë. Ajo ka zgjatur nga momenti i ardhjes në fron të sulltanit përkatës e deri në vdekje e tij. Me hypjen në fron të sulltanit të ri, shkruhej “tu(g)ra” e re, e cila do të zgjaste deri në fund të tij, dhe kështu me radhë deri në shkatërrimin e Perandorisë Osmane, më 3 mars 1924.
“Tu(g)ra” është fjalë turke, të cilën turqit e lexojnë si “tura” pa shkronjën fytore ‘g’, kurse arabët dhe boshnjakët (edhe shqiptarët – vër. e përk.) këtë fjalë e flasin ashut siç shkruhet – “tugra”.
E dimë se përkufizimi “tura” (tek shqiptarët “turra” - vër. e përk.) në terminologjinë tonë, tregon faqen e parë të monedhës metalike, në të cilën, në periudhën osmane, është gjetur “tugra” e sulltanit në kohën e të cilit kjo monedhë qe farkuar, kurse, në rastin tonë, dimë që përkufizimi “tugra” (“turra”) tregon anën e parasë së farkuar në të cilën gjendet stema shtetërore.
(Në Fjalorin e shqipes së sotme, Tiranë, 1984, f. 1268, për fjalën turrë, jepet ky shpjegim: “turrë, turra, turrat, - vula e sulltanëve në shkresat e në paratë e Perandorisë Osmane”. Kurse në Fjalorin e fjalëve të huaja, Prishtinë, 1988, f. 633, thuhet: “turrë, turra, - ana me fotografi e monedhës metalike”- shën. i përkth.).
Cila është përmbajtja e një “tugre” sulltanore?
Secila “tugra” sulltanore përmban emrin e sulltanit përkatës. Pas emrit, në mënyrë të obligueshme vendosej epiteti “han”, i cili paraqitet tek të gjithë sunduesit turko-mongolë. Prapa këtij epiteti, në mënyrë të obligueshme gjendej emri i babait të sulltanit përkatës, e pastaj epiteti shtesë “Mudhaffer daimen – i pamposhturi”. Nga të gjitha “tugra”-të sulltanore, sipas mendimit të shumicës, më e bukura është “tugra” e sulltan Sylejmanit I, përmbajtja e së cilës është: “Sylejman–han bin Selim el-Mudhaffer daimen”, që do të thotë: “Sylejmani i biri i Selimit – i pamposhturi”.
“Tugra” lind si një lidhje në mes të dy stileve kaligrafike - “divanor” dhe “thuluth”. Shiquar nga këndi kaligrafik, më së keqi është vizatuar “tugra” e Mehmed Fatihut. Ajo është punuar sipas stilit të vjetër kaligrafik “divan” dhe aspak nuk përmban madhështinë e bartësit të saj. Fatkeqësisht, e njëjta është gdhendur në përmendorën e tij, që së voni u ndërtua nga ana e ushtrisë turke në Kamengrad, sepse e njëjta pa dyshim do të jetë e kopjuar dhe e shfrytëzuar edhe për qëllime të tjera.
Konstruksioni i secilës “tugra” formohet me shkrimin ose, thënë më mirë, me skicimin e tre bartësve qendrorë rreth shtyllës, të cilët në mes veti janë në marrëdhënie paralele dhe mund të jenë të shkruar vetëm nga shkronja të caktuara, sikurse janë lam, kaf dhe elif. Nga majet e këtyre shtyllave lëshohen tri vija eliptike në formë të shkronjës “s”, që ofrojnë pamjen e një flamurt që valonë nga direku i anijes. Kjo vjen në shprehje sidomos me rastin e “tugra”-së së sulltanë Sylejmanit, ku këto vija janë të lidhura me majet e këtyre shtyllave qendrore që janë të të njëjtës lartësi, rast ky që nuk takohet tek “tugra”-të e sulltanëve të tjerë. Të gjitha “tugra”-të, përveç të Sylejmanit, kanë maje me madhësi të ndryshme. Shtylla e saj e djathtë është më e madhe, e mesmja më e vogël nga e djathta, por është më e madhe se e majta, kështu që majet e tyre së bashku shprehin harkun nga ana e majtë e tyre. Në të vërtetë, tek të gjitha “tugra”-të e tjera, përveç asaj të Sylejmanit, këto vija nuk janë të lidhura me vetë majet e shtyllave, por ato fillojnë diçka më ulët nga vetë majat. Këto vija rëndomë janë në funksion të shkronjave elif dhe lam, të cilat janë të shkruara me stilin “divan”. Pjesa e djathtë e “tugra”-së, përbehët nga dy gjysmërrathë ovalë të rëndomtë që gjenden njëri brenda tjetrit, dhe të cilët nw pjeswn mw tw madhe tw tyre janë në marrëdhënie paralele ndërmjet veti dhe përfundojnë në anën e djathtë të pjesës qendrore të “tugra”-së në formë të zgjatur, qw simbolizojnë këmbët e shpendit mitik të sipërpërmendur. Këto rrathe mund të jenë të shkruara nga shumë harfe (shkronja), sikurse janë: lam, sa, ta, ba, shin, sin, dad, ja, za, ra dhe kaf. Gati tek të gjitha “tugra”-të, më shumë se gjysma e gjysmërratheve të përmendur, shtrihen në një vijë si pjesë e zgjatur ë ndonjë shkronje (harfe), dhe kjo në kaligrafi quhet “keshida”. Ajo simbolizon një pendë të lirë të zogut.
Në veçanti është interesantë se në çfarë mënyre është shkruar fjala “daimen”, e cila gjithmonë gjendet e ndarë nga teksti qendror dhe gjendet në maje të gjysmërratheve të sipërpërmendur. Ajo është shkruar me shkrim “divan” dhe vështirë lexohet. Nganjëherë lënë përshtypjen që edhe vetë kaligrafët, sidomos në periudhën e vonshme, këtë fjalë më shumë e kanë vizatuar nga paraardhësit e tyre se sa të kenë treguar ndonjë prirje të vetë artistike. Sikur nuk i kanë kushtuar rëndësi që ajo fjalë të shkruhej bukur dhe lexueshëm. Brendia e vetë harfeve, sidomos tek “tugra”-të e sulltanëve, rëndom ka qenë e plotësuar me një masë ari, kurse vijat e shkronjave janë vizatuar me penë të mprehtë, rëndom me bojëra të mbyllta a të kaltërta.
Në zhvillimin e mëvonshëm të shprehjes kaligrafike të “tugra”-së, në këtë stil kanë filluar të shkruhen edhe përmbajtje të tjera kryesisht të simbolikës islame, sikurse që kanë qenë “Besmelja”, “Salavati”, ose pjesë të ajeteve të caktuara ose të haditheve të Muhammedit a. s. Nganjëherë edhe shtetarët e lartë në Perandorinë Osmane për vulat e tyre iu kanë përmbajtur stilit tugranor, që mund të shihet nga vula e Gazi Husrevbegut, në të cilën vokali i dytë “ja” pjesërisht është shkruar sikurse që njëjtë shkruhet në stilin e tugrave.
Për shikuesin e rëndomtë të gjitha “tugra”-të janë të të njëjtës formë dhe të të njëtës përmbajtje. Kështu, ndodh që pamjet e “tugra”-ve nganjëherë të shfrytëzohen edhe për qëllime të papërshtatshme. Kjo tash më së shumwti vërehet tek ne, ku ka ardhur deri tek lulëzimi i pjesërishëm i klaigrafisë, qoftë edhe në mënyrë kaotike. Në këtë drejtim, është shkuar aq larg sa që pamjet e “tugra”-ve i vendosin në vende ku, sipas mendimit tim, assesi nuk mund të gjendeshin. Së voni, shohim një “tugra”, përmbajtja e së cilës është “Besmelja”, që është përdorur për qëllime reklamuese për një firmë dhe është vënë (fotografuar) në pjesën e përparme të një tramvaji të Sarajevës. Nuk jam i sigurtë nëse ai që e ka punuar këtë ka ditur përmbajtjen e saj. Mbase, si myslimanë, duhet ta dimë se ku mund dhe ku s’mund që kjo përmbajtje (“Besmelja”) të vendoset. Me këtë nuk dëshirojmë askujt t’ia mohojmë të drejtën për të shfrytëzuar “tugra”-në për qëllimet që dëshiron. Mirëpo, duhet pasur kujdes që përmbajtja e “tugra”-së t’i përgjigjet qëllimit të saj.
Me rastin e konstruktimit të “tugra”-së, duhet pasur kujdes se ajo në mënyrë vizuele duket gjithmonë e njëjtë, pa marrë parasysh përmbajtjen e saj. Në vazhdim po i japim disa “tugra” më të suksesshme nga periudha e hershme e historisë islame.
“Tu(g)ra” e sulltan Abdylhamidit, përmbajtja e së cilës është:
“El-Gazi Abdulhamid-han i biri i Abdylmexhidit - i pamposhturi”. Këtë “tugra” e ka shkruar kaligrafi Sami në vitin 1323 h./1905 m.
“Tu(g)ra” e sulltan Sylejmanit, përmbajtja e së cilës është:
“Sylejmani i biri i Selimit – i pamposhturi”.
3. “Tu(g)ra” e sulltan Selimit III, përmbajtja e së cilës është:
“Selim-hani i biri i Mustafasë - i pamposhturi”. E veçanta e kësaj “tugre” qendron në faktin se në anën e saj të djathtë në formë pingule është vizatuar shpata me dy teha, e quajtur “Zylfikkar”, kurse brenda saj është shkruar pjesa e ajeti 41 të sures “Hud”: që d.m.th.: ”Me emrin e Allahut ajo (anija) lundron dhe ndalet”. Autori i kësaj “tugre” është i panjohur.
4. “Tu(g)ra” e sulltan Mehmed Fatihut, përmbajtja e së cilës është
“Muhammed-hani i biri i Muradit – i pamposhturi”.
5. “Tu(g)ra” me përmbajtje të “Kelime-i shehadetit”. Autor i saj është Hamid el-Amidi.
6. “Tu(g)ra” përmbajtje e së cilës është ajeti 30 i sures “En-Neml”:
që thotë: ”Kjo është prej Sulejmanit. Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!”
7. “Tu(g)ra”, përmbajtja e së cilës është ajeti 4 i sures “El-Kalem”:
që thotë: ”Vërtet, ti (o Muhammed) je në një shkallë të lartë të moralit!”
Autor i kësaj “tugre” është kaligrafi Aziz Err-Rrifa’i, dhe është shkruar më 1343/1924.
8. “Tu(g)ra” përmbajtja e së cilës është: El-Hilal Muhammed Sabri el-Hatat – “Muhammed Sabri i quajtur el-Hilali – kaligrafist”. Viti i shkrimit 1360/1941.
9. “Tu(g)ra” përmbajtja e së cilës është ajeti 161 i sures “El-En’am”:
që thotë: “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!”
10. Logotipi i medresesë së Gazi Husrevbegut në formë të “tugra”së, përmbajtja e së cilës thotë:
“Medreseja e Gazi Husrevbegut – 943 hixhri”.[1]
Përgatiti:
Sadik MEHMETI
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Marrë nga: “Takvim”, Rijaset Islamske Zajednice u Bosni i Hercegovini, Sarajevë, 2004, fq. 155 – 161.